
Në historinë e artit skenik shqiptar, disa emra nuk janë thjesht artistë – ata janë gurë themeli, zëra të ndërgjegjes kombëtare që e ngritën skenën në një altar të shpirtit, duke i falur asaj pasionin, përkushtimin dhe forcën e artit që mbijeton kohën. Ndër ta, Besa Imami zë një vend të veçantë: një figurë përfaqësuese, e ndritur dhe e përkushtuar, që shenjtëroi skenën dhe e sublimoi komunikimin me publikun në një akt të thellë shpirtëror.
Ajo nuk ishte thjesht aktore – ishte një jetë e mishëruar në skenë, një dramë që filloi në Gjakovën e vitit 1928 dhe u rrit nën hijen dhe dritën e një formimi familjar të ndjeshëm ndaj dijes dhe artit. Në moshë fare të njomë, recitonte poezi që ia mësonte i ati, një mësues i nderuar, i cili u shua nga tuberkulozi, duke lënë pas një barrë të rëndë, por edhe një forcë që më vonë do të derdhej në fuqinë dramatike të interpretimeve të saj.
Lufta e gjeti Besën “debatikase”, një vajzë e re që, si shumë të tjera të kohës, nuk pati luksin të zgjidhte, por vetëm të qëndronte. Me një vëlla të vrarë dhe një familje të përbërë nga pesë fëmijë, e drejtuar nga një nënë me besim të patundur, u rrit vajza që më vonë do t’i jepte shpirt heroinave shqiptare.
Në vitin 1946, takimi i saj me artin skenik ndodhi krejt rastësisht. Teksa punonte në Kryeministri, u zbulua dhe u ftua nga Pandi Stillu për t’u bërë pjesë e trupës së Teatrit Popullor, ku ndoqi një kurs dyvjeçar për aktorë. Roli i saj i parë ishte Natasha në dramën Portreti, për të vijuar me një rol kryesor në Çështja ruse, ku shpalosi menjëherë potencialin e saj artistik.
Që në hapat e parë ajo dëshmoi një ndjeshmëri dhe fuqi të jashtëzakonshme interpretative. Ishte ajo bashkëjetesë e rrallë mes lirizmit dhe tragjizmit, mes tonalitetit të thellë të zërit dhe dritës së brendshme, që e bënin praninë e saj në skenë të padiskutueshme. Ishte më shumë se teknikë – ishte shpërthim emocional, ishte e vërteta e rolit që merrte formën e saj.
Sipas Drita Agollit, që shkroi me ndjeshmëri për të: “Lirizmi e tragjizmi i saj, bota shpirtërore dhe me emocione të furishme, që shpërthenin në tërë psikofizikën e saj dhe në tonalitetet e veçanta të vokalit të plotë e të thellë, menjëherë ndihmuan në krijimin e një individualiteti të qartë artistik.”
Në galerinë e gjerë të personazheve që interpretoi, rreth 90 role, gjejmë emra të tillë si Klara Gaber në Gjergj Dimitrovi, Mbretëresha Teuta në Artani, Nëna në Monserati, Prenda në Cuca e Maleve, Tatiana në Mikroborgjezi, Rusha në Halili dhe Hajria, apo Nënë Zyraja në Bashkë me agimin. Ajo i donte të gjitha rolet si fëmijë të vetin. Në çdo shfaqje nuk lëshonte vetëm zë, por frymë, një aktore që jetonte për skenën dhe në të.
Edhe pse e përqendruar kryesisht në teatër, kinematografia shqiptare nuk mund ta anashkalonte. Roli i saj si Donika në filmin e parë shqiptar Skënderbeu (1953) mbetet një nga përfaqësimet më të denja të gruas shqiptare në ekran. Më pas erdhën Radiostacioni, Brazda, Në fillim të verës, e shumë të tjera. Zëri i saj, i pranishëm edhe në radiodramë dhe fjalën artistike, ruante emocionin edhe në mungesë të pranisë fizike.
Në moshën 33-vjeçare, ajo u nderua me titullin “Artiste e Merituar”, një nga të parat që e mori këtë vlerësim për kontributin e saj të spikatur. Gjatë karrierës u vlerësua me medalje, urdhra e çmime, por asnjë nuk mund ta përmblidhte tërësinë e asaj që ajo i dha skenës dhe publikut shqiptar.
Nga shtatori i vitit 1946 deri më 1 shtator 1988, kur doli në pension, Besa Imami i dha teatrit shqiptar rreth 80 role, duke u shndërruar në një figurë kyçe të skenës kombëtare. Kontributi i saj u nderua edhe nga vendlindja, Gjakova, e cila, me propozimin e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” dhe mbështetjen e Drejtorisë Komunale të Kulturës, si dhe të kryetares së Komunës, znj. Mimoza Kusari Lila, e vlerësoi me titullin “Nderi i Skenës Shqiptare”.
Fatkeqësisht, si shumë figura të mëdha të artit shqiptar, edhe ajo nuk mori gjithmonë vlerësimin institucional që meritonte. Por populli nuk e harroi. E njohu, e deshi, e përjetoi. Letrat, përshëndetjet, kujtimet – të gjitha dëshmojnë për dashurinë e ndërsjellë mes saj dhe publikut. Ishte një aktore që jetoi për të tjerët, që e shkriu veten për të rrëfyer botën.
Nga jeta dhe sfidat
Besa Imami lindi në një familje me rrënjë të thella kulturore dhe shpirtërore në Gjakovë. E bija e arsimtarit dhe atdhetarit Ferid Imami, që vinte nga një familje me të drejtën e imamnisë në Xhaminë e Hadumit – trashëgimi që u ndërpre me vdekjen e gjyshit të saj Mehmetit, pasi të bijtë ndoqën rrugën e dijes dhe arsimit. Ferid Imami shërbeu si mësues në Malësinë e Gjakovës, në Lumë dhe Dibër, duke qenë edhe mbështetës i lëvizjeve të Bajram Currit në fillimshekullin XX.
Kur ai vdiq më 17 dhjetor 1937, Besa mbeti jetime e vogël. Së bashku me nënën, Behixhen, dhe vëllezërit e motrën – Besimin, Bedrinë, Fatmirin dhe Lirijen – u shpërngulën nga Gjakova për në Tiranë. Në këtë realitet të ri, përkundër sfidave, ajo nisi të ndërtonte identitetin e saj artistik dhe qytetar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, u angazhua në grupet rinore dhe u bë pjesë e organizatës antifashiste “Debatik”, duke dëshmuar një përkushtim të hershëm ndaj idealeve të lirisë dhe drejtësisë.
Në jetën personale, Besa u martua me përkthyesin dhe studiuesin Petro Zheji. Nga kjo martesë lindi djali i tyre i vetëm, Arturi, në vitin 1961. Pas 15 vitesh bashkëjetese, ata u ndanë.
Aktorja u nda nga jeta më 21 shtator 2014, në banesën e saj në Tiranë, pas një sëmundjeje të gjatë. Me një trashëgimi të gjerë artistike dhe një jetë të përkushtuar ndaj artit, ajo mbetet një nga figurat më të paharrueshme të skenës shqiptare, një grua që lindi në udhëkryqin e thirrjeve shpirtërore dhe kombëtare, dhe që përmes talentit të saj e ktheu teatrin në një tempull të vlerave njerëzore.
Albert Vataj