
Dr. Paulin Marku/
Data e 2 marsit 1444 është një datë e shënuar në mendjen e zemrën e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. Dje ishte një ditë edhe më e veçantë për shqiptarët sepse me rastin e 581 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, bashkimi i princave shqiptar, bashkimi politik e ushtarak i shqiptarëve, si dhe kemi vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, aty ku gjendet edhe memoriali i heroit tonë kombëtar. Në këtë ceremoni morën pjesë, Kryetarja e Shtetit të Kosovës, zonja, Vjosa Osmani, përfaqësues të politikës nga Prishtina, Shkupi, arbëresh nga Italia e shumë shqiptar nga vend të ndryshme të botës. Ndërkohë, që përcillja lajmit e këtij aktiviteti të rëndësishëm me vlera të veçanta historike kombëtare nuk pashë drejtuesit e Shtetit të Shqipërisë, të cilët duhet të ishin mikpritës të ceremonisë së aktivitetit të Republikës së Shqipërisë. Aty mungonte, Presidenti i Shqipërisë, z, Bajram Begaj, kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, Kryetarja e Parlamentit, zonja, Elisa Spiropali, zv-Kryeministri, zonja, Belinda Balluku. Pas një kërkim në rrjetet sociale, ndoqa me vëmendje lajmet e ditës së sotme për të kuptuar arsyen e mungesës së Shtetit Shqiptar në ditën e Besëlidhjes së Lezhës. Me një kërkim të thjesht në media me rezulton se kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, shoqëruar nga zv-Kryeministria, Belinda Balluku e disa përfaqësues të qeverisë, gjendet në panairin e punës “Puno dhe jeto, aty ku ke zemrën” në Athinë, Greqi. Qeveria shqiptare nuk kishte në agjendë datën historike dhe të vendosjes së shtatores së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti por ishte e angazhuar në propagandën politike. Mesa duket interesi parësor i z, Rama është fushata elektorale dhe vizita në stendat e panairit në Athinë për të takuar shqiptarët dhe bizneset që ti mobilizojë për të votuar qeverinë e tij për mandatin e katërt. Po a nuk ishte ky kryeministër që me qeverinë e tij të korrupsionit përzuri rreth 1.000.000 banorë nga Shqipëria?! A nuk është ky kryeministër që ka numrin më të lartë të ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive të dënuar e akuzuar për korrupsion?! Kjo qeveri që vjedh fondet publike gjen edhe guximin të shkojë dhe t’ju kërkojë shqiptarëve që të kthehen të investojnë në Shqipëri, ndërkohë që korrupsioni dhe abuzimi i fondeve publike, grupet kriminale dhe oligarkia është problem serioz dhe evident në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Athinë z. Rama pati një bashkëbisedim me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi dhe i pyeste sa e ke rrogën, pse nuk ktheheni të punoni në Shqipëri, pse nuk ktheni të hapni biznese, etj…Varfëria, pasiguria për jetën, krimi i organizuar dhe ekonomia e dobët ka bërë që shqiptarët të largohen nga vendi i tyre. Ndërkohë po e njëjta qeveri i kërkon votën diasporës dhe i fton të investojnë në Shqipëri dhe të kthehen në vendlindje. Një paradoks që vetëm në Shqipëri ndodh ku krimi dhe qeveria janë një.
Imagjinoni sa i rëndësishëm është pushteti për kryeministrin Rama, edhe pse dje duhet të ishte në Lezhë për këtë ngjarje historike kombëtare, i drejtohet Athinës për propagande politike. Imagjinoje sa rëndësi i jep qeveria shqiptare Besëlidhjes së Lezhës dhe vendosjes së shtatores së heroit, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Është e turpshme dhe e pa tolerueshme që figura më e lartë e kombit shqiptar që bën krenar shqiptarët anë e mbanë botës, nuk kemi ceremoni zyrtare shtetërore me përfaqësues të shtetit shqiptar për ditën historike të besëlidhjes së princave shqiptare dhe në rastin e vendosjes së shtatores së Heroit Kombëtar. Është për të ardhur keq kur sheh këtë arrogancë politike dhe shpërfillje nga z. Edi Rama dhe kabinetit tij, që s’vlerëson një datë të shënuar të popullit shqiptar por i drejtohet Athinës dhe kërkon votën shqiptarëve për mandatin e katër, edhe pse kjo qeveri është akuzuar e gjykuar fajtore disa herë për abuzime e vjedhje të fondeve publike, dhe si pasojë të skandaleve të vazhdueshme qeverisëse përgjatë këtyre dymbëdhjetë vite qeverisje, ka shumë ish ministra, deputet e kryetar bashkie të dënuar dhe në kërkim ndërkombëtarë.
Sot qeveria e z. Edi Rama gjendet në pikën më kritike, ndaj edhe është hedhur në fushën e betejës për të takuar e manipuluar shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit me qëllim e vetëm, mbajtjen në pushtet të partisë socialiste me qeverinë e korruptuar. Për më tepër z, Rama në këto zgjedhje kërkon që ta votojnë për mandatin e katërt, ata 1.000.000 shqiptar që u larguan gjatë keqqeverisjes së tij. Qeveria e z. Rama për interesa partiake bëri mungesë respekti me rastin e 581 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës dhe vendosjes së shtatores së Heroit Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu.