
Largimi im nga Kosova ndodhi si pasojë e përndjekjes politike. Kam qenë pjesë e organizatës së Jusuf Gërvallës, Lëvizjes Nacionalçlirimtare për Republikën e Shqiptarëve në Jugosllavi, që synonte bashkimin e trojeve shqiptare në një republikë të vetme. Organizimi i protestave në Klinë, si nxënës i gjimnazit “Luigj Gurakuqi”, ishte arsyeja pse u arrestova në vitin 1982, vetëm 16 vjeç. Edhe pse u lirova, ajo periudhë ishte e rëndë për shkak të vetmisë së madhe – njerëzit kishin frikë të flisnin me mua, shokët më shmangeshin, e ndërronin edhe rrugën për mos më më fole, sepse represioni ishte i madh. Prandaj, në kushte të tilla duhej të largoshesha. Fillimisht kërkova strehim politik në Dortmund të Gjemanisë, ku vazhdova angazhimin me veprimtarë të lëvizjes, sidomos përmes klubit “Emin Duraku” në Dusseldorf.
Në fund të vitit 1984 mora ftesë për të qëndruar në Suedi, por synimi im ishte Amerika. Babai im, mësimdhënës për shumë vite në Kosovë, rrezikonte të përjashtohej nga puna për shkak të aktivitetit tim politik. Familja erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1984, ndërsa unë iu bashkova në vitin 1986, në moshën 18 vjeçare. Që nga ajo kohë, nuk iu ndava kurrë çështjes së Kosovës. Në diasporë jam marrë vazhdimisht me aktivizëm, kam organizuar protesta në Gjenevë, Bernë, Stokholm e Malmo. Në SHBA kam qenë bartës i aktiviteteve të klubit “Jusuf Gërvalla” në New York dhe bashkëthemelues i shoqatës “Shpresa” në Brooklyn më 1986, ku shërbeva për shumë vite edhe si sekretar. “Shpresa” pati një rol të madh në proceset e pajtimit të gjaqeve në diasporë, në fillim të ‘90-ve, dhe arriti deri në 3,500 anëtarë. Më vonë, u angazhova në shoqatën “Vatra”, shoqata më e vjetër shqiptare në Amerikë, e cila ka 114 vite që funksionon, ku kam qenë edhe nënkryetar. Edhe sot jam aktiv, ndonëse tashmë mendoj që ka ardhur koha për t’u tërhequr gradualisht.
Më 17 shkurt 2008 isha në Brooklyn. E dija që shpallja do të ndodhte, por për arsye personale nuk munda të udhëtoja në Kosovë bashkë me miqtë e mi, rreth 200–300 veta u nisën prej këtu. Për mua, ajo ishte një ëndërr shekullore. Gjithmonë kam besuar se Kosova një ditë do të bëhej e pavarur, por nuk e dija nëse atë ditë do ta shijonim ne apo brezat e ardhshëm.
Atë ditë ndodhi një organizim spontan në Times Square, Manhattan. U bashkova me shqiptarët që kishin dalë për të festuar – rreth një mijë vetë. U bllokua i gjithë sheshi. S’kishim as leje për të festuar, asgjë, por policia u tregua shumë e mirë. Pra, u mbyll “Times Square” për të festuar shqiptarët. Ishte krenari e jashtëzakonshme: breza të rinj, të lindur e rritur në Amerikë, të gjithë të veshur kuq e zi. Nuk e kishim ende flamurin e Kosovës, por flamuri kombëtar mbuloi gjithë sheshin.
Të gjitha mediat amerikane kanë qenë të pranishme atë ditë, midis tyre National Broadcasting Company, The New York Times. Kur e transmetuan në ekranet e mëdha shpalljen e pavarësisë së Kosovës: “Happy Independence to all Albanians from Kosovo” në “Times Square”, ka qenë kënaqësi e madhe, sepse ai vend është më i vizituari në Amerikë. Kishte njerëz nga e gjithë bota që mbetën duke shikuar çka ka ndodhur. U bllokua trafiku, u bllokuan Rruga 42 dhe Broadway – e kjo i bie si me u blloku zemra e Manhattan. Për shkak të pavarësisë, njerëzit kanë bërë tri orë për ta kaluar Manhattanin.
Çdo njani prej nesh për dëshirë e kish pasë me qenë në Kosovë atë ditë, por organizimi spontan i rinisë shqiptare në New York na mahniti. Përmes thirrjeve nëpër rrjetet sociale: “Hajdeni në Manhattan, po bashkohemi e po festojmë në ‘Times Square’”, ata u mblodhën brenda pak orësh. Ajo atmosferë e zëvendësonte disi mungesën, edhe pse brenda meje mbetej një ndjenjë pengu që nuk aty ku po ndodhte historia.
Unë jam prej atyre që gjithmonë shoh përpara. Shteti ynë është i ri, vetëm 18 vjet, dhe asgjë nuk ndërtohet brenda natës. Si një fëmijë që lind e rritet gradualisht, edhe shteti forcohet me kohë. Ka probleme, por ato zgjidhen me vite pune. E rëndësishme është që kemi shtetin tonë, ushtrinë tonë, institucionet tona dhe përfaqësitë diplomatike. Për ne në diasporë, kjo ka një domethënie të veçantë: nuk kemi më nevojë të trokasim në dyer të huaja, kemi adresën tonë.
Besim Malota, 62 vjeçar, ish-aktivist politik, anëtar i Federatës Vatra,
Trumbull, Connecticut, SHBA
Fragment nga shkrimi “U mbyll Times Square për me festu shqiptarët” Kosova 2.0, autore Valmira Rashiti https://kosovotwopointzero.com/…/u-mbyll-times-square…