Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Një nga gurët e rrënuar të kufirit ndërshqiptar në Betejën e Koshares është i ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova në Prishtinë/
BETEJA E KOSHARES BASHKOI SHQIPTARËT/
-Në Kosovë, në “Ditët e Shqipes” përkujtohet Beteja e Koshares, e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar. Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë më 9 prill 1999, një prej fitoreve më domethënese. Beteja e Koshares, kapitull i rëndësishëm i fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/
-Presidenti Thaçi: Kosova e ka të qartë rrugën dhe vizionin euroatlantik, si shoqëri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.
-Kryeministri Mustafa: Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë të NATO-s është garancia e realizimit të aspiratës tonë për të jetuar të lirë, për të qenë të pavarur dhe për të vendosur vet për ardhmërinë tonw/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
KOSHARE, 9 Prill 2017/ Beteja e Koshares që bashkoi shqiptarët, e para 18 viteve, e vlerësuar simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës, u përkujtua sot me homazhe dëshmorëve dhe me një tubim, me pjesëmarrës edhe nga Shqipëria.
“Ditët e Shqipes”, për nder të Betejës së Koshares, është manifestimi tradicional në përvjetorët e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri e pavarësi, për dëbimin e forcave okupuese serbe.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë po marrin pjesë në veprimtaritë e sotme, përfshirë akademinë përkujtimore që u zhvillua pak më parë në Koshare.
“Para 18 viteve këtu në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak ‘Shigjeta’ duke hapur një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të ardhëshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha presidenti Thaçi në tubimin përkujtimor, duke theksuar triumfin politiko-ushatarak të luftëtarëve për lirinë e Kosovës.
Për të ardhur deri tek një operacion i mirë studiuar, presidenti kosovar tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe beteja përgjatë një viti të tërë.
“Mbi të gjitha, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si forcë e armatosur autentike arriti ta ndërkombëtarizojë në nivelin më të lartë çështjen e Kosovës”, tha presidenti Thaçi.
Kryeministri Mustafa tha se, “heqja me luftë e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë më 9 prill 1999 shënon një prej fitoreve më domethënese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe se “Beteja e Kosharës përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës”.
Kreu i qeverisë vlerësoi lartë kontributin e jashtëzakonshëm të heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, por edhe veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
“Po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Në tubimin përkujtimor për Betejën e Kosharës, nga pjesëmarrësit e udhëheqësit e saj, foli Rrustem Berisha, komandant i Brigades 138 “Agim Ramadani”.
“9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës”, theksohet në veprimtaritë e zhvilluara.
Në Betejën e Koshares ranë heorikisht heronjtë e popullit – komandantët Agim Ramdani dhe Sali Çekaj, si dhe 114 dëshmorë, të cilët përkujtohen këto ditë, si tradicionalisht, edhe me veprimtari të tjera, me nderimet më të larta të kombit.
Një nga gurët e rrënuar të kufirit ndërshqiptar në Betejën e Koshares është i ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, shtëpi-muze, në Prishtinë.
PRESIDENTI THAÇI: BETEJA E KOSHARES, KAPITULL I RËNDËSISHËM I FITOREVE TË UÇK-së
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor të betejës së Koshares, i cili u organizua në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”.
Presidenti Thaçi tha se para tetëmbëdhjetë vjetëve, në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak “Shigjeta”, duke hapur kështu një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për të ardhur deri tek një operacion i mirë studiuar, presidenti Thaçi tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe beteja përgjatë një viti të tërë.
Mbi të gjitha, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si forcë e armatosur autentike, presidenti Thaçi tha se arriti ta ndërkombëtarizojë në nivelin më të lartë çështjen e Kosovës.
“Për herë të parë në histori, Kosova ishte pjesë e tryezës diplomatike ndërkombëtare në Konferencën e Rambujesë. Nga kjo konferencë u krijua baza politike për fillimin e intervenimit të Aleancës Veriatlantike të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe”, tha presidenti Thaçi.
Pas fillimit të intervenimit të NATO-s, presidenti tha se në Kosovë u krijua një situatë e re.
“Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së shpalli Mobilizimin e Përgjithshëm, si një akt që vuri në lëvizje popullatën e aftë për t’u angazhuar në radhët e UÇK-së në mbrojtje të atdheut. Fushatën e bombardimeve të NATO-s, regjimi i Beogradit e shfrytëzoi si një pretekst shtesë për të dëbuar masivisht popullatën civile shqiptare nga trojet e veta. Në këto rrethana, Qeveria e Përkohshme dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me kuadrot e veta elite urdhëroi hartimin e operacionit “Shigjeta”, faza e parë e të cilit filloi këtu e 18 vjet më parë. Këtu në Koshare u dëshmua më së miri se drejtësia e kauzës dhe forca morale e një populli që lufton për lirinë e tij është më e madhe se çdo ushtri pushtuese”, u shpreh presidenti Thaçi.
Beteja e Koshares rriti vetëbesimin e sprovuar të UÇK-së, shtoi presidenti Thaçi, duke bërë që me forcë për herë të parë të thyhet kufiri ndarës Kosovë – Shqipëri dhe të mundet ushtria serbe në kufi.
“Beteja e Koshares ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova, që së shpejti të zhvendosurit do të ktheheshin në vatrat e tyre. Përmes zonës së kontrolluar nga UÇK-ja do të hynin më lehtë edhe ndihmat humanitare për popullatën e zhvendosur brenda Kosovës. Thyerja e kufirit ishte mesazh se rruga e furnizimit me armatim për zonat e thella brenda Kosovës ishte i mundshme edhe në atë kohë”, tha presidenti Thaçi.
Presidenti theksoi se operacioni “Shigjeta”, brenda planit të studiuar mirë kishte edhe misionin e bashkërendimit me ekspertët e NATO-s për të saktësuar vendndodhjen e forcave serbe në territorin e Kosovës.
“Operacioni ‘Shigjeta’ tregoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte pjekur për të ndërmarrë edhe operacione të luftës frontale me forcat serbe”, shtoi presidenti Thaçi.
Për luftën e zhvilluar në Koshare dhe në Pashtrik, presidenti tha se përpos që kanë madhështinë e idesë dhe projektit, kanë edhe përmasën e sakrificës.
“Sot dhe përgjithmonë do t’i përkujtojmë me respekt të thellë dhe përulje komandantët dhe ushtarët e tyre, Agim Ramadanin, Sali Çekun, Xhemajl Fetahun dhe qindra dëshmorë që ranë për lirinë e Kosovës”, tha presidenti Thaçi.
Kreu i vendit theksoi se falë sakrificës së djemve dhe vajzave më të mira të vendit tonë, të burrave dhe grave, të martirëve dhe gjithë rezistencës qytetare, sot Kosova është shtet i lirë, sovran dhe demokratik.
“Nuk ka as shpifje, as çfarëdo qëndrimi armiqësor nga qarqe antishqiptare, që do të arrijnë ta njollosin luftën e drejtë dhe sakrificën sublime të luftëtarëve të lirisë. Institucionet e Kosovës do të jenë gardian i vlerave mbi të cilat është ngritur themeli i tyre. Kujdesi për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët do të jetë gjithmonë institucional”, u shpreh presidenti Thaçi.
Mbi këtë bazament, presidenti tha se Kosova e ka të qartë rrugën dhe vizionin euroatlantik, si shoqëri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.
KRYEMINISTRI MUSTAFA: BETEJA E KOSHARES VLERË DHE TRASHËGIMI PËR BREZAT QË VIJNË
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”.
Me këtë rast kryeministri Mustafa tha se heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, më 9 prill 1999, shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kosharja ishte dëshmia më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani”, tha kryeministri Mustafa.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë kontributin e jashtëzakonshëm të heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, por edhe veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
“Po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
“Po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Të pranishmëve të shumtë në këtë tubim përkujtimor iu është drejtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të pranishmit i përshëndeti komandanti i kësaj brigade, Rrustem Berisha, në emër të familjarëve të dëshmorëve Bukurije Grajçevci, nëna e dëshmorit Burim Grajçevci, njëherit motra e dëshmorit Fitush Kukaj.
Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje nga kryetari i Bashkisë së Tropojës, për komandantin e Brigadës 138, Rrustem Berisha si dhe nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së Koshares, u ndanë mirënjohje për dy shoqatat që funksionojnë në diasporë me emrin e heroit të Kosovës, Sali Çekaj.
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:
Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, më 9 prill 1999, nga Brigada 138 “Agim Ramadani” shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prandaj, ne të gjithë, jemi sot këtu për të dëshmuar edhe njëherë ndjenjën e mirënjohjes deri në përulje për pjesëmarrësit e Betejës më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në aspektin luftarak, Beteja e Koshares përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës. Kurse në aspektin ushtarak nxjerrë në pah përdorimin e shkathtësive të larta taktike dhe operative në luftë kundër një armiku numerikisht shumë të madh dhe të armatosur.
Ashtu sikurse edhe në frontet tjera anekënd Kosovës, Beteja e Koshares, deri në ditën e çlirimit, ishte aleati tokësor i betejës ajrore të NATO-së për çlirimin e Kosovës.
Pjesëmarrës të nderuar,
Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë të NATO-s është garancia e realizimit të aspiratës tonë për të jetuar të lirë, për të qenë të pavarur dhe për të vendosur vet për ardhmërinë tonë.
Është garanci se Republika e Kosovës, ashtu siç tha edhe presidenti, Forcën e saj të Sigurisë, do ta shndërroj në Forcë të Armatosur.
Stabiliteti jonë ekonomik dhe buxhetor, është garancia më e mirë se kemi stabilizuar financat dhe shteti jonë ka krijuar parakushte për ta financuar një ushtri moderne, partnere të denjë të NATO-s, aleancës më të fuqishme politike e ushtarake të botës.
Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuara familje të heronjve, dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të luftës,
Kosharja ishte dëshmia më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani.
Të gjithë ne, sot ndjehemi krenar me veprën e heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, me veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
Por, po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ndjenja e krenarisë për veprën e heronjve tanë, pjesëtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” do të na nderojë të gjithëve dhe ne duhet të punojmë në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për të zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë pjesë të familjes euroatlantike.
Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në betejën e lavdishme të Koshares dhe në betejat tjera anekënd Kosovës.
Trashëgimia e angazhimit të përbashkët për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares, është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar, për ta zhvilluar Kosovën dhe për t’i zhvilluar të gjitha vlerat si trashëgimi për brezat që vijnë.
Për të gjithë ata që u flijuan për Kosovën, përgjigja më e mirë është ndërtimi i një Kosove të fortë, të zhvilluar ekonomikisht, të aftë për të mbrojtur sovranitetin e saj shtetëror, të respektuar nga fqinjët dhe vendet tjera, si faktorë të paqes, unitetit dhe stabilitetit në rajon. Një Kosovë të dashur, të respektuar dhe të admiruar, para së gjithash nga qytetarët e saj.
Neve na takon ta duam Kosovën, sepse vetëm ashtu na respektojnë të tjerët.
Pjesëmarrës të nderuar,
Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës të gjithë atyre shqiptarëve, nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trojet shqiptare, për kontributin e tyre në Betejën e Koshares dhe në beteja tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Veçanërisht, me përulje do të përkujtojmë edhe të rënët nga vendet tjera mike.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”
Lavdi të gjithë dëshmorëve të luftës për çlirimin e Kosovës!
Zoti e bekoftë Kosovën!