Nga Vepror Hasani/
Shkolla e parë në Shqipëri për vajza dhe djem u ndërtua në Korçë 500 vjet më parë nga themeluesi i saj, Iljaz bej Mirahori. Në testamentin e tij thuhet: “ngriti e ndërtoi pastaj… një shkollë të bukur e të hijshme. Pastaj caktoi këtë si vakëf për gjithë ata djem dhe vajza myslimane që vazhdojnë të mësojnë këndimin e Kuranit e të studiojnë dituri të tjera”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).
Me qenë se për shkollën e vajzave dhe të djemve kemi shkruar kohë më parë, nuk po zgjatemi më shumë. Kësaj radhe do të ndalemi te biblioteka e xhamisë së Korçës. Sipas Mytevelinjve, pasardhës të Mirahorëve, xhild-hanet (bibliotekat) ishin, zakonisht, pjesë e xhamive, ku përveç librave të fesë, mbaheshin edhe librat më të mirë të kohës. Një bibliotekë të tillë e kishte edhe Xhamia e Madhe e Korçës, e cila u vinte në ndihmë edhe vajzave dhe djemve të shkollës.
Që xhamia e Korçës e kishte një bibliotekë nuk mund të vihet në dyshim. Francezi August Dozon gjatë vizitës së tij në Korçë më 1874, ndër të tjera i shkruante qeverisë së tij: “Po bëhen përgatitje për të ngritur një tipografi ku do të bëhen botime të autorëve klasikë”, gjë që tregon se banorët e qytetit të Korçës ishin të familarizuar prej shekujsh me librin.
Fill pas botimit të gazetës “Albania” të Faik Konicës, mjaft banorë të qytetit të Korçës u bënë abonentë të kësaj gazete:
“Ky vit është i bekuar ndër gjithë të tjerët për kombin shqiptar. Fara që mbuallëm dy vjet më parë zuri të sjellë pemët e saj. Më të katër anët shohim fletore, bibla të reja, shoqëri kombiare që po krehen (krijohen). …Albania hyn tani pothuajse lirshëm në Shqipëri. Në Korçë gjer në fund të gushtit Albania këndohej në kafenetë…” (Gazeta “Albania” 1898, nr 10, f. 153)
Në vitin 1908, Sami bej Pojani, botoi në Korçë gazetën “Korça”, të parën gazetë shqiptare në Shqipëri dhe ngriti shtypshkronjën për shypjen e gazetave, revistave, librave etj.
Dëshmi të shkruara për ekzistencën e bibliotekave të xhamive, teqeve, medreseve, familjeve të mëdha myslimane, kanë mbërritur deri në ditët e sotme, gjë që tregon se biblioteka 500-vjeçare e Xhamisë së Korçës nuk ishte e vetmja. Po renditim disa prej tyre:
Bibliotekat e Beratit
“Myftinia e Beratit ka patur një arkiv të moçëm në gjuhën turke ku gjendeshin gjithë aktet e Gjykatores së Shenjtë (sherie), regjistrat kadastralë të moçmë dhe shumë sende të tjera interesante për historine e qytetit, dorëshkrime të ndryshme në arabisht e persisht dhe koleksione kuranesh.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. f. 290)
“Teqeja e të mirit Sheh Hasanit ka patur shumë libra e dorëshkrime në gjuhët orientale (arabisht, persisht dhe turqisht), dhe dokumente të tjera që nga librat, dhe dorëshkrimet, dhe kishte shumë dokumente prej atyre që ishin të vlefeshme për historinë e qytetit dhe të kombit tonë – fatkeqësisht kjo bibliotekë u dogj e gjitha në kohë të kryengritjes së rebelëve në vitin 1914. Thuhet se aty gjendej edhe dorëshkrimi i shkruar shqip me gërma arabe i Nesim bej Përmetit që bën fjalë historia e literaturës shqipe.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. f 290)
“Jo larg qytetit të Beratit gjendet fshati ose lagjja e Velabishtit, ku edhe sot shihen gërmadha palletesh, xhamie dhe teqeje si edhe varre (tyrbe). Këtu banonte Ismail Pasha, biri i Mahmud Pashës, njeri studioz që kishte krijuar në pallatin e tij një bibliotekë fort të pasur, veçanërisht në vepra arabe, perse dhe turke, po, me vrasjen e Ismail Pashës në vitin 1771 u grabit dhe u dogj edhe biblioteka e tij, për arsye se ky ishte deklaruar e dënuar prej sulltanit të atëhershëm dy herë fermanli.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. f. 290)
Ndërsa Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) rrëfen për bibliotekat familjare që gjendeshin ngado nëpër Shqipëri:
“Në Berat, më 1913 kisha parë te z. Sulo Resuli një dorëshkrim shqip (me shkronja turke), të vjershave të Sylejman Ramazanit, vjershëtor i dëgjuar në ato anë, beratas, jetuar një qind – një qind e pesë vjet më parë. …Në Berat prapë mbahen dhe ruhen dorëshkrime të tjera të vjershëtorëve Hasan i Zyko Kamberi dhe Nesim-it; dhe unë vetë kam mes librave të mi dy dorëshkrime të vjershave të Hasanit Zyko Kamberit, tërë në shkronja turqisht, njëri prej të cilëve të paktën një qindvjeç i vjetër. Dy libra fetarë në vjersha, të shkruara në Frashër prej Dalip dhe Shahin beut, këndohen dhe sot në teqetë e bektashinjve…” (“Diturija” 1909, nr. 2, f. 22)
Biblioteka Baholli e Elbasanit
Më tej gazeta “Hylli i dritës” na njeh me bibliotekën Baholli të Elbasanit. Kjo bibliotekë u themelua prej Nazif Bahollit në shenjë nderimi për birin e tij liceist, Qemal Baholli, i cili u nda nga jeta në qytetin e Korçës më 1 dhjetor 1929, kur ishte maturant. Familja Baholli me origjinë nga Dibra, kishte ardhur në Elbasan në vitet 1900. Ndërtimi i bibliotekës nisi në vitin 1931, përfundoi më 1935, ndërsa Bashkisë iu dorëzua po atë vit, më 23 korrik. (Referuar gazetës “Hylli i dritës” 1938, nr. 9, f. 480)
Sipas Wikipedias: “Sot biblioteka “Qemal Baholli” me 200.000 libra, koleksione dhe periodikë në gjuhë shqipe dhe të huaja, shquhet jo vetëm për veprat e rralla, koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para Luftës II Botërore, por dhe ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga pasuria që zotëron”.
Biblioteka e Vlorajve
Sipas rrëfimeve të Eqerem bej Vlorës, bibloteka e tyre ka qenë mjaft e hershme, ngrihej pranë sarajeve, por edhe sarajet edhe biblioteka u grabitën pak vite më vonë nga dalja e Sulejman Pashës kundër Vlorës dhe vrasjes së Ali Beut më 1741. Për bibliotekën e familjes Vlora dëshmon edhe shkrimtari turk Evlia Çelebiu, ku jo vetëm ai por edhe babai i tij e kishin vizitur këtë bibliotekë:
“Shkrimtari Turk Evlia Çelebiu shkruan se me 1072 (alla Turka) ka banuar në fshatin Mekat (pranë VIorës) në çifIigun e Isuf Beut edhe ka shkuar kohën në Bibliotekën e tij shumë të çmueshme, në të clën pat punuar shtat vjet rresht edhe i ati i Evlia Çelebiut. (“Hylli i dritës” 1938, nr. 4, f. 162 -166)
Gjithnjë sipas gazetës së përmendur më sipër, Biblioteka u ringrit pranë sarajeve prej Ismail Pashës, i mbiquajturi Velabishti, bir i Mahmud Pashës, edhe më e pasur nga ç’kishte qenë, por pas vrasjes së tij më 1771, biblioteka u grabit sërish dhe iu vu zjarri. U ndërtua sërish, por në vitin 1814, biblioteka me vlerë 1.800.000 fr. ari, e përmendur edhe nga Pouquevill te libri i tij “Voyage en Albanie”, u grabit prej Ali Pashë Tepelenës. Megjithatë, biblioteka u ndërtua sërish e sërish.
Më 1832, Beqir beu u detyrua të shkoi në Misir. Për këtë arsye la peng, te Kojevina në Korfus orendi të shtrenjta dhe shumë libra me një vlerë prej 192.000 franga ari. Me vdekjen e Beqir beut, pasardhësit e tij u vendosën në Vlorë më 1849, por mallin e lënë peng, nuk e morën dot. Familja e Kojevinës u bë ndër më të pasurat e Korfuzit.
Kjo ishte dhe arsyeja pse bibliotekat grabiteshin herë pas herë, sepse ato çmoheshin shumë për vlerën e tyre, ose mund të liheshin peng, gjë që sot duket sikur nuk e kanë më atë vlerësim. Të vetmit që dogjën edhe librat edhe ndërtesat e bibliotekave ishin andartët grekë të vitit 1914.
Por familja Vlora nuk bënte dot pa bibliotekë. Mahmund beu, i ati i Ismail Qemal beut, vetë ismail Qemali, por edhe biri i tij, Ismail beu ishin të dashuruar pas librave: Në bibliotekën e tyre gjendeshin libra në gjuhën greke, latine dhe italiane, librat e Dantes dhe të Petrarkës, por edhe kjo bibliotekë u zhduk.
“Biblioteka që ka sot familja Vlora është vepër e diplomatit plak Syrja Beut dhe e të birit Eqrem bej Vlorës. Syrja beu ka filluar mbledhjen e librave rreth vitit 1875 dhe kanë vazhduar pareshtur gjer më sot. Në vitin 1914 kjo bibliotek kishte 14.600 volume, po mjerisht në gusht të atij viti, për t’i shpëtuare nga djegia ose nga grabitja e rebelve, të cilët në atë kohë kishin djegure edhe bibliotekën e teqesë së Sheh Hasanit në Berat, që ka patur libra dhe dorshkrime shumë për historin e vendit tonë, i shtynë të gjithë librat në një bimcë (bodrum) ku u prishën ose u kalbën.
Sot (viti 1938), kjo bibliotek zotnon 8.700 volume të ndryshme në gjuhët arabisht, turqisht, gjermanisht frëngjisht, italisht, gerqisht dhe shqip, të cilat janë edhe gjuhët që njeh mire i nderuari deputet i Vlorës.
Në Bibliotekë kanë edhe dorëshkrime në arabisht dhe në gjuhë të tjera që kanë të bëjnë me rilindjen shqiptare, të cilat do të botohen për së afërmi në një libër që ka shkruar i ati, Syrja beu nën titullin “Kujtime dhe fytyra nga koha e rilindjes s’ Atdheut t’onë prej vitit 1908-1923″ në gjuhën turke”.
Biblioteka përmban: një koleksion me 138 kurane të shkruara me dorë, të mbledhura në Stamboll, Misir, Persi, Indi, Marok etj; një koleksion mjaft i pasur albanologjie dhe balkanologjie; koleksion armësh të vjetra, 230 copë, mbledhur në Shqipëri; koleksion tabakash 620 copë (sever, saks, çiu, vieux, vienne, çeshmir, bylbyl etj); një koleksion statujash të veçanta të Pojanit, Bylisit, Amandias, Orikumit dhe të Avlonës e shumë të tjera. (Hylli I dritës 1938, nr, 4. f. 162 -166)
Biblioteka Frashëri
Biblioteka “Frashëri” u krijua nga Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) që nga rinia e tij e hershme; ishte më e pasura në Shqipëri. Në vitin 1938 kishte 18.000 volume të ndryshme në gjuhët frëngjisht, gjermanisht, anglisht, italisht, greqishte, turqisht, shqip etj, 200 dorëshkrime të ndryshme disa prej të cilave të albanologëve të njohur, koleksione gazetash, revistash; shumë dokumente historike etj; libra që flisnin për Gjergj Kastriotin dhe Ali Pashë Tepelenën dhe një koleksion pikturash të historisë së Ali Pashës; ikona byzantine, relike të çmuara të familjes Frashëri, sahatin e motrës së Ali Pashës që ishte martuar në Libohovë, dy sahate bakri me kapak të Ali Pashës me stemën e Satrapit, dy sahatë të tjera gati si të parat që kanë qenë të ministrit të Oborrit të Ali pashë Tepelenës, frerin e kalit të Ali pashës dhe një koleksion tjetër monedhash të gjendura në vise të ndryshme të Shqipërisë. Dhe shumë gjëra të tjera që nuk mundemi t’i përshkruajmë dot, – shkruan gazetari, – se na kaloi koha duke parë librat e shumtë të biblotekës së tij ku vërejtëm edhe shumë libra që dikur bënin pjesë në librat e bibliotekave të Arhidukës Ferdinand t’Austrisë, të Mbretit Kostandin të Greqisë, dhe në mos gabohem dhe të Napolon Bonopartit, të sulltanëve e të Mahmud Pashë Shkodrës. (Referuar “Hylli i Dritës” 1940, nr.1, f. 61)
Vijimi i traditës
Tradita e bibliotekave të xhamive, teqeve, medreseve, vijoi ashtu si më parë. Krijimi i bibliotekës së Medresesë së Përgjithshmë është një shembull i tillë.
Kryesia e Medresesë së Përgjithshme themeloi këtë institut si seminar për klerikët e religjionit muhamedan në Shqipëri, e pajisi me bibliotekë dhe i dha emrin “Biblioteka e Medresesë së Përgjithshme.”. Kjo bib1iotekë u themelua në vitin 1932. Veç librave të botuara nga Këshilli i Lartë i komitetit muhamedan, koleksioneve të revistës “Zani i naltë” dhe libravet të ndryshëm të botuar prej klerikëve muhamedanë, biblioteka ka edhe 1000 copë libra të tjerë në gjuhët arabike, persiane, engleze, franceze, ku shumë prej tyre janë dhuratë e shoqërive të studentëve muhamedanë të Hindisë, Egjiptit e gjetke. Kjo bib1iotekë pasurohet dita-ditës me vepra të ndryshme të qëllimit që ndjek dhe shërben shumë për profesorët, studentët, kleriket dhe për çdo njeri tjetër që dëshiron të studiojë. (Referuar “Hylli i dritës” 1940, nr. 2, f. 53)