• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia- Tragjedi në shtëpinë ku qëndiseshin flamujt Shqiptarë

March 3, 2019 by dgreca

3. Abedin Tyxhari 12. Shtepia e Tyxharëve 21. Familja Tyxhari1

Nga Vepror Hasani/

Në qytetin e “Luleve të Verës” kishte ndodhur një ngjarje tragjike. Kështu e quante Korçën tregtari i madh i këtij qyteti, Abedin efendi Tyxhari. Me këtë emër e pagëzoi kur i ra në dorë libri me poezi “Lulet e Verës”. Ka shumë gjasa që libri t’i jetë dhuruar nga vetë Naimi në vitin 1890, kur kjo vepër e bukur me 16 poezi lirike doli në dritë. Në Stamboll shkonte shpesh. Gjithë jetën ia kushtoi gjuhës shqipe. Aty takohej me vëllëzërit Frashëri, të cilët dëshironin ta kthenin Korçën në qendër të rëndësishme të Jugut. Njohja me frashërllinjtë duhet të ketë qenë me e hershme, pasi edhe studimet Abidini i kishte kryer në Stamboll. Studiuesi Hamza Koçiu vë në dukje bashkëpunimin e Abedin efendi Tyxharit edhe me patriotët e Stambollit: “Patrioti Abedin Seit Tyxhari ishte një nga pjesëmarrësit aktivë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare në Korçë, dhe një nga luftëtarët e vendosur në zhvillimin dhe përparimin e shkollës dhe të arsimit shqip në Shqipëri. Ai u lind dhe u rrit në qytetin e bukur të Korçës, në një vatër të vjetër të familjes së madhe të Tyxharëve, me tradita të mirënjohura shqipdashëse. Ky Rilindas i pasionuar i gjuhës shqipe, ky pishtar i ndritur i saj, ka një biografi të ngjeshur me një sërë veprimtarish të zhvilluara në Korçë, Bukuresht, Manastir e deri në Stambollin e largët”. (Hamza Koçiu, “Portrete patriotësh të qarkut Korçë”, vëllimi I, f. 26). Një prej poezive të vëllimit “Lulet e Verës”, poeti Naim Frashëri e shkroi enkas për Korçën. Nga Korça ishte nëna e tij, Emineja, bijë e Mirahorëve, themeluesve të qytetit të Korçës, saktësisht bijë e Islam Mirahorit dhe e Zymbyles. Vetë Zymbylja (nëna e Eminesë), ishte bijë e Mehmet pashë Zëmblakut, pasardhës të Sinan Pashës, pashait më të fuqishëm të Toskërisë. Emineja u martua në Frashër me Halitin, me të cilin pati 6 djem dhe 2 vajza.

2

Por tashmë në fisin e Tyxharëve, në shtëpinë ku qëndiseshin prej vitesh flamujt shqiptarë, kishte ndodhur një ngjarje e rëndë. Në shtëpinë e madhe ku jetonin, poshtë në bodrum ku mbanin zairenë e dimrit dhe pijet, më 30 prill 1948, duke u gdhirë 1 maj, ishte gjetur i vdekur Shefqet Tyxhari, tregtar i njohur i qytetit të Korçës, djali i patriotit të madh, Abedin Seit Tyxhari. Shefqeti u gjet që në çastin e parë, kur sapo ishte ndarë nga jeta, nga tri vajzat e tij: Verorja, Sajdeja, Erveheja dhe bashkëshortja, Neimeja, Atë çast u gjend aty edhe motra e të ndjerit, Razia, e cila ishte martuar në familjen e Kolanecëve. Gjaku i ngrohtë i rridhte ende nga damarët e prerë të duarve si një rrjedhë që s’kishte të pushuar. Shumë afër me trupin e tij u gjet një thikë e gjakosur. Tyxharët mbetën të shokuar. Ishte vrarë apo vetëvrarë?! Pas pak mbërriti doktori, i cili pasi kreu ekzaminimin, tha: “Shefqeti është vetëvrarë!” Megjithatë, njerëzit e familjes as e pohonin dhe as e mohonin vetëvrasjen, druheshin të shprehnin atë që ndjenin. Thjesht thoshin: “Na iku edhe Shefqeti”, njësoj sikur paralajmëronin vdekje të tjera. Alarmi për vdekjen e Shefqet Tyxharit u dha nga gratë me kujë e vajtime: “Të vranë o bir, të vranë…”. Pas kësaj, zëra të tjerë grash mbuluan shtëpinë: “Mallkuar qofshin ata që ta morën jetën”! Sa herë që në dhomën e të vdekurit hynin gra të tjera, ato që gjendeshin pranë arkivolit, jepnin lajmin e vdekjes me qarje dhe lot: “Na e vranë Shefqet efendinë oiii…”. Vetëm burrat rrinin të heshtur dhe prisnin mysafirët për ngushëllim. Të ardhurit, pasi dridhin cigaren, pyesnin: “Po si ndodhi”? Nipi i Shefqetit, Aliqemal Tyxhari, pasi shpjegonte atë që kishte parë me sytë e vet, shtonte: “Na iku pa e kuptuar as vetë”. “Po përse duhej ta vriste veten”?! – pyesnin njerëzit të habitur. E shoqja e Shefqetit, Neime Rakip Bilishti, nuk përmbahej dot. Fillimisht ajo qe martuar me Neim Abedin Tyxharin, me të cilin pati një djalë, Aliqemalin, por kur i shoqi vdiq, u martua me vëllanë e tij, Shefqet Abedin Tyxharin. Nga kjo martesë lindën Samimi, Verorja, Sajdeja, Skënderi, Nazimi dhe Erveheja; bashkë me Aliqemalin nga martesa e parë, bëheshin 7 fëmijë; 4 djem dhe tri vajza, që të gjithë qanin me mallëngjim e brengë bashkë. Atë çast dukej sikur qante edhe flamuri me shqiponjë, vendosur te muri i odës së madhe, ku prisnin mysafirët.

3

Abedin efendi Tyxhari, (edhe pse i vdekur), duhet ta kishte ndjerë dhimbjen therëse të vdekjes së djalit të tij. Ai ishte ndarë nga jeta, 27 vjet më parë, në moshën 70 vjeç, por dhimbje të tilla trondisin edhe varrin. Nëse do të ishte gjallë, kurrë s’do ta kuptonte dot tmerrin që kishte nisur të përjetonte qyteti i  “Luleve të Verës”, por njerëzve të qeverisë do t’u thoshte: “Tyxharët i shpenzuan florinjtë për mësonjëtoren e parë shqipe, për shkollën e vashave, për çeljen e shkollave të tjera kudo që ishte e mundur, për sigurimin e librave dhe fletoreve të nxënësve, për pagesat e mësuesve etj, etj”. Abedin Tuxhari ishte bërë pjesë e Komitetit kombëtar të fshehtë të Korçës, që nga nisja e përpjekjeve për krijimin e tij më 1885-1886. Në pranverën e vitit 1887, pothuajse gjithçka ishte gati. Më 1888, Komiteti u quajt “Këshilli i mësonjëtores shqipe”. Kjo shoqëri arsimore, sipas studiuesit Hysni Myzyri, “kishte si detyrë të kujdesej për sigurimin e mjeteve financiare e të personelit arsimor, për botimin e teksteve shkollore, për botimin e një gazete javore ose mujore në gjuhën shqipe, dhe të ndihmonte për mbrojtjen e shkollave shqipe nga armiqtë e tyre dhe  kapërcimin e të gjitha vështirësive e pengesave që do t’i dilnin përpara shkollës shqipe”. (Shkollat e para kombëtare shqipe, Hysni Myzyri, f. 69, Tiranë 1973).

Mirëpo për këtë Këshill përmenden vetëm tri emra: Thimi Marko, Orhan Pojani dhe Vani Cico Kosturi, ndërsa lihen pa përmendur Qani bej Dishnica, kryetari i “Këshillit të mësonjëtores”, dora e fortë e tij,  Abedin efendi Tyxhari, truri i kësaj organizate, Sami bej Pojani, botuesi i gazetës së parë shqiptare në Shqipëri, dhe shumë emra të tjerë që tashmë janë harruar, edhe pse kjo shoqëri në krye të herës pati jo 3 anëtarë, por 160. Kështu shkruan studiuesi Hysni Myzyri: “Shoqëria kishte mbi 160 anëtarë, në të bënin pjesë shqiptarë të të dy besimeve dhe u përkisnin shtresave të ndryshe shoqërore”. (Shkollat e para kombëtare shqipe, Hysni Myzyri, f. 70, Tiranë 1973). Por, nga sa kuptohet nga vdekja e Shefqet Tyxharit, njerëzit e ardhur në pushtet kishin vendosur t’i hiqnin nga lista njerëzit e pasur, pavarësisht nga kontributet e tyre.

4

Në vdekjen e Shefqet Tyxharit kishin ardhur edhe tregtarët e Korçës; ishin aty edhe Merdanët, tregtarët e mirënjohur. Me ta kishin patur krushqi të herëpashershme: Nadireja, motra e tregtarit Fuat Merdani ishte martuar në derën e Tyxharëve, me Aliqemalin; kurse Verorja e Tyxharëve, bijë e Shefqet Tyxharit, ishte martur me tregtarin e madh Reshat Merdani. Vite më parë, në vitin 1914, ishte ndarë nga jeta dhe vëllai i Shefqetit, Neim Tyxhari. Gjatë viteve 1910 e në vijim, ai punoi si sekretar në Prefekturën e Korçës. Edhe në ambientet e saj vendosi flamurin shqiptar, stampuar me shqiponjën e gdhendur nga babai i tij, Abedin Tyxhari. Edhe Neimi studimet i kishte kryer në Stamboll; ashtu si i ati edhe ai njihej me Frashërllinjtë. Jepte mësim edhe në Mësonjëtoren e parë shqipe. Nga derë e madhe vinte edhe e shoqja e të ndjerit, Neimeja. Xhaxhai i saj, Halit Arda nga Bilishti, kishte studiuar në Stamboll për arkitekturë. Megjithatë, ai mbahet mend edhe për projekte rrugësh dhe hekurudhash. Fal pasurisë së madhe që kishte, bleu në lagjen e të pasurve “Kadikaj” të Stambollit, përballë me “Urën e Bosforit”, shtëpinë e sulltanit. Vajzën e vet, Myqeremen e martoi me shqiptarin Hilmi Koyaturk, mjek personal i Qemal Ataturkut. Biri i tyre që erdhi nga kjo martesë, Sezai Koyaturk, studioi në Gjermani për ekonomi; fal zotësisë së tij e mbajtën atje edhe pas përfundimit të studimeve. Në Turqi u kthye pas 15 vjetësh, ku iu ngarkuan detyra të rëndësishme shtetërore. Pas vitit 1983-1984, Sezaiu punoi si President i Bankës Industriale të Turqisë. I tillë ishte rrethi miqësor i Tyxharëve, por ditën e vdekjes së Shefqet Tyxharit, të gjithë ndiheshin të mjerë.

5

Shpesh dëgjohej vajtimi drithëronjës i Razies, motrës së Shefqet Tyxharit, të cilën përpiqeshin ta qetësonin dhe nuk e qetësonin dot, teksa shkulte flokët. Po aq të dëshpëruar ndiheshin edhe gjithë të tjerët, e shoqja dhe 3 vajzat, nuk gjenin dot asnjë lloj ngushëllimi. Burrat pinin duhan të trishtuar. Kohët e fundit, Shefqet Tyxharin kishin filluar ta thërrisnin shpesh e më shpesh në degën e Punëve të Brendshme. Herën e fundit i kishin thënë: “Nëse nuk i shlyeni tatimet, atëherë duhet të lini shtëpinë dhe të strehoheni në ndonjë bodrum, qoftë edhe në bodrumin e shtëpive tuaja, sepse sipër jush do të rrinë të tjerë njerëz. Dhe nëse nuk nxirrni floririn e fshehur, shtëpia juaj do të jetë burgu”. Përgjigjja e Shefqet Tyxharit kishte qenë e ashpër. U kishte treguar çfarë kishin bërë Tyxharët për çlirimin e vendit. Shtëpia e tyre ishte shndërrua në një nga bazat më të rëndësishme të luftës për Rëzën e qarkut Korçë, ku ruheshin armë dhe municione, shtypeshin trakte dhe komunikata dhe mjekoheshin të plagosurit. Djemtë e tij: Samimi i studiuar në Itali, pati rolin e intendentit për sigurimin e ushqimeve dhe të hollave për luftën; Skënderi që punonte te mulliri në lagjen “Radanec”, pronë e familjes, mbante me bukë njerëzit e luftës. Doli edhe vetë partizan. Edhe tri vajzat e Shefqetit: Verorja, Sajdeja dhe Erveheja, morën  pjesë në të gjitha aktivitetet ilegale, pa shmangur as studimet në shkollat e kohës. Rol të veçantë luajti edhe nipi i tij, Aliqemali, i cili vuri në dispozicion të luftës shtëpinë dykatëshe, që gjendej në rrugën e Qatromit, mes vreshtave dhe bahçes me pemë dhe dyqanin e tij, ku strehoheshin njerëzit që punonin në fshehehtësi.  Aktiviteti patriotik i familjes u drejtua nga Aliqemali dhe Samimi, por tashmë të gjithë ndjenin se mundi i tyre kishte shkuar humbur. Ndryshe ishte thënë gjatë viteve të luftës dhe ndryshe po vepronin tani. Flitej veç për arrestime e dënime me vdekje.

6
Shefqet Tyxhari u kishte folur edhe për të atin, Abedin efendi Tyxharin. Ndihma e tij për shkollat shqipe s’pati të reshtur kurrë. Sot, përpjekjet e tij i mësojmë nga studiuesi, Hamza Koçiu, i cili shkruan: “Puna e tij e dukshme u konkretizua në mitingun madhështor të Alfabetit shqip, mbajtur më 14 shkurt 1910 në Korçë. Pas këtij mitingu u zgjodh në komisionin që do të merrej me hapjen e shkollave të reja shqipe, dhe  mbrojtjen e tyre nga xhonturqit dhe  kleri ortodoks reaksionar. Sipas gazetës “Lidhja Orthodhokse”, dt. 22 shkurt 1910, në Komision u zgjodhën patriotët: Çerçiz Zavalani, Abedin efendi Tuxhari, Haki Hysen Floqi, Stavre Karoli, Qazim Dërsniku dhe Sulejman Mborja. Po sipas kësaj gazete, Abedin Tyxhari si anëtar i komisionit, mori pjesë në hartimin e alfabetit dhe vuri firmën në këtë dokument ku proklamohej hapur shkrimi dhe leximi në gjuhën shqipe në të gjithë qytetet e Shqipërisë. Ky dokument iu dërgua në Stamboll vezirit të madh, ministrit të Brendshëm, Parlamentit të Turqisë dhe deputetëve shqiptarë. Pas kongresit të dytë të Manastirit (1910) Abedin Seit Tyxhari, i cili mori pjesë edhe vetë në këtë ngjarje të madhe historike për zhvillimin e arsimit shqip, e zhvilloi veprimtarinë e tij në shoqërinë shkollore “Përparimi”. (Hamza Koçiu, “Portrete patriotësh të qarkut Korçë”, vëllimi I, f. 26-27).


7
Që nga kjo kohë, Abedin efendi Tyxhari mbeti i përzgjedhuri i përhershëm me votë të fshehtë i të gjitha shoqërive shkollare. Gazeta “Koha”, shkruan: “Më 5 të këtij, te “Banda e Lirisë” ku gjendet sot shkolla e djemve u mbajt mbledhja e përgjithshme e Shoqërisë Shkollare… Pastaj me vota, u zgjodh sipas kanonizmës, komisioni i përhershëm, kësisoj: Siri bej Leskoviku kontrollor, Riza efendi Leskoviku, Stavre Karoli, Viskë Gorguzi, Qani bej Dishnica, Vasfi Iljaz Kole, Hazo Progri, Kristaq Aristidhi, dr. Haki Mborja, dr. Kristaq Zografi, Mihal Grameno, Qamil Panariti, Mustafa Selenica, Memdu bej Zavalani, Sotir Peci, Spiro Xega, Nepsi Kerenxhi, Vani Qirko, Fehim Xhaferi, Memda Panariti dhe Abedin Tuxhari, anëtarë. …Program dhe qëllimi i kësaj shoqërie është vetëm shkollare dhe do të kujdeset për të përmbajtur shkollat e Korçës edhe qark Korçës, kur të mund t’i përmbajë, andaj nuk dyshojmë që gjithë atdhetarët do ta ndihmojnë këtë shoqëri”. (Gazeta “Koha”, 18 shënëndre 1911).

Edhe një vit më vonë e njëjta gazetë shkruante: “Pas darke u mblodhën të gjithë në shkollën shqipe me shumë zotërinj, të cilët biseduan në duhet mbajtur shkolla apo jo nga shkaku që vjet pleqësia shkollare me shumë mundime mundi t’u përgjigjet nevojave të shkollës se fort pak atdhetarë ndihmuan shkollën dhe vendosën që shkolla do mbajtur. Kështu pra u zgjodh një pleqësi e re, e cila do të përkujdeset nga këta zotërinj: Orhan Pojani, Islam bej Këlcyra, Mina Frashëri, Abedin efendi Tuxhari, Stavri Karoli, Riza efendi Dërsiniku, Idhomene Kosturi dhe Andrea N. Katundi. “Gazeta Koha 22 vjesht e I-rë, 1912).
8

Miqtë më të mirë të Abedin efendi Tyxharit ishin ata që përpiqeshin për gjuhën shqipe. Po përmendim disa prej tyre, për të cilët ka shkruar edhe shtypi: “Atdhetari i Flaktë Emin efendiu, i cili është nëpunës i tapive në Korçë, kuptoi se gjuha e vet lartëson mendimin e njeriut dhe forcon kombësinë, vuri kombin përpara dhe hapi një shkollë në fshat të tij në Selenicë (Frashër)
(Gazeta Korça 20 mars 1909); “ Baba Abedini i teqesë së Frashërit, shtëpinë e tij që ka në fshatin Krushovë, e ndërtoi mirë dhe e bëri shkollë shqipe dhe me qenë se shtëpia është e madhe ka ndarë edhe ca dhoma që të flenë nxënësit, të cilët i kanë katundet larg”. (Gazeta  “Korca”, 18 shkurt 1909); Për Qani Dishnicën, që nuk i trembej as vdekjes, thuhej: “Në çdo çështje kombiare ka qenë i pandarë nga qëllimi kombiar. Vjet mori një barrë fort të rëndë duke marrë kryesinë e Shoqërisë Shkollore, por nuk mundi ta mbushë këtë barrë se një tjetër detyrë kombiare e thirri gjetkë. Qani Dishnica ishte i pari, që rrëmbeu armët dhe mori malet për të kërkuar të drejtat kombiare. Të veçanta karaktere të Qani bej Dishnicës janë këto: popullor, i urtë, i ndershëm edhe një atdhetar i vërtetë”. Kurse vdekja e Ymer Zavalani, helmoi gjithkënd: “Me helm të madh lajmërojmë vdekjen e një atdhetari dhe luftëtari të vjetër,Ymer bej Zavalani, i cili mbaroi jetë më 11 të këtij, pas një sëmundje të gjatë. I ndjeri ishte një luftëtar kombëtar edhe në çdo lëvizje kishte marrë anë duke mbrojtur të drejtat kombiare, andaj gjithë atdhetarët myslimanë dhe të krishterë e shpunë me nder të madh te i përjetshmi vend…” (Gazeta Koha, 30 janar 1913). Nuk po harrojmë këtu as, Orhan bej Pojanin, punëtorin e palodhur të gjuhës shqipe.

9

Më 2 prill 1914, Abedin efendi Tyxhari luftoi pa iu dhimbsur jeta, kundër bandave greke që synonin aneksimin e Korçës. Sipas studiuesit, Hamza Koçiu. Abedin Tyxhari mori pjesë në komisionin qeveritar për mbrojtjen e Korçës. “Anëtarë të komisionit ishin: Emin efendi, Ahmet efendi, Shaqir efendi, Rakip efendi. Abedin efendi Mborja, Miçe Çikozi, Abedin efendi Tyxhari, Andrea Turtulli dhe Xhafer bej Luarasi. Patrioti i ndritur Abedin Seit Tyxhari kurrë nuk e ndau pushkën nga pena dhe asnjëherë nuk u tërhoq në kohën kur Shqipërinë e kërcënonte rreziku i madh i xhonturqve dhe i shovinistëve fqinj”. Gjithashtu, Abedin efendi Tyxhari, u zgjodh anëtar edhe në Komisionin e Marrëdhënieve dhe i të Dërguarve, i cili raportonte gjendjen te autoritetet vendase dhe të huaja. Anëtarë të këtij komisioni ishin: “Kryetar Emin Efendi, anëtarë: Maliq Bej, Ahmet Efendi kryetari i Bashkisë; Shaqir Efendi, Emin Efendi, Rakipi Aga, Abedin efendi Mborja, Miçe Çikozi, Vani Qirko, Abedin efendi Tregtari (Tyxhari), Xhafer bej Luarasi, Mehmet Ali Bej, Rakip Aga Jemenli dhe Andrea Turtulli.”. (Gazeta Koha e shtunë, 24 maj 1914).

10

Dhe megjithse kishin bërë kaq shumë për Korçën dhe vendin, tashmë në shtëpinë e tyre kishin një të vdekur, për shkak të represionit. Megjithatë, me t’u përhapur lajmi i vdekjes së Shefqet efendi Tyxharit, lumi i madh i njerëzve u derdh drejt shtëpisë së Tyxharëve. Respekti për njerëzit e këtij fisi ishte i madh. Abedin efendi Tyxhari dhe pasardhësit e tij ishin bamirësit më të mëdhenj të qytetit dhe gjithnjë të heshtur, nuk i kujtonin kurrë mirësitë e tyre, sepse e quanin mëkat. Studiuesi i mirënjohur Ilo Mitkë Qafëzezi, ndërsa gjen rastësisht një dokument të vitit 1637, ku flitet për një takim, që ndoshta edhe mund të mos ketë  ndodhur, ndërsa vëren se aty mungojnë Tyxharët, habinë e tij e shpreh në këtë mënyrë: “Është për të venë re dhe puna se në këtë lidhje kuvendi janë vetëm shtatë rufetëra zanatçinjësh. Mungojnë sidomos isnafi i math i Kondakçinjvet (dyfekçinjtë) dhe ay i Bakërxhinjvet të cilët kanë  vlukuar (përparuar) me qindvjete në Korçë, sikurse dhe në Voskopojë. Le këta, po mungojnë dhe korporatat e Tyxharëvet!”. (Revista “Leka”, viti 1936). Pra, për Ilo Mitkë Qafëzezin, Tyxharët janë korporata të mëdha të aktivitetit tregtar. Ata  bënin pjesë në shoqërinë “Vëllazëria” që nga viti 1870, për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Qëllimi i shoqërisë në fjalë: “Në vitin 1870 në qytetin e Korçës u themelua shoqëria “Vëllazëria e miqve të të vobektëve” që kishin për qëllim ndihmën e të vobektëve pavarësisht nga feja apo kombësia  Mungesa e dallimeve të tilla për grupin që synonte të mbështeste do të edhe në përbërje. Kështu anëtarësimi në këtë vllazëri nuk kushtëzohej nga profesioni apo feja çka e bënte atë shoqëri të vërtetë filantropike. Veprimtaria e saj nuk do të kufizohej vetëm në ndihmën ndaj të mjerëve por edhe në mbështetjen për hapjen e shumë shkollave të krahinës së Korçës.” (Një vështrim historik mbi zhvillimin e filantropisë në Shqipëri, f. 135).

11

Megjithatë, pas vdekjes se Shefqet Tyxharit, njerëzit e qeverisë u kërkuan Tyxharëve të zbrisnin në Bodrum.  Tyxharët mblodhën gjërat më të shenjta që kishin dhe dolën. Mes sendeve me vlerë ishin edhe dy vula (myhyrë) të Abedin efendi Tyxharit si tregtar, dhe emblemën ku sipkaste një shqiponjë e gdhendur me mjeshtëri. Poshtë saj shkruhet “Rroftë Shqipëria” Me këtë shqiponjë vuloseshin copat e flamurit që qëndiseshin prej grave të kësaj familje të madhe. Edhe flamuri i Krahinës Autonome, që u ngrit në Korçë më 10 dhjetor 1916, kishte të stampuar këtë shqipnjë. Deri më sot nuk ka patur ndonjë shpjegim kur u gdhend së pari modeli i shqiponjës, por mundësia më e madhe është që kjo emblemë të jetë përgatitur për Komitetin kombëtar të fshehtë në Korçë. Gjatë kësaj kohe, Abidin Tyxhari shkonte shpesh në Stamboll, tashmë jo vetëm për çështje tregtie. Më 30 shtator 1879,  patriotët e atjeshëm kishin krijuar “Shoqërinë e  të Shtypurit Shkronja Shqip”, ose siç njihej ndryshe “Shoqëria e Stambollit”, kishin edhe flamurin e shoqërisë së tyre. Ndoshta modeli i shqiponjës ishte marrë prej Shoqërisë së Stambollit. E, pra, të tillë ishin njerëzit e fisit Tyxhari në Korçë, gjithnjë mendonin më të mirën për vendin dhe njerëzit. 

12
Dhe ndërsa zhvendosnin plaçkat drejt bodrumit, kujtonin revoltën e Shefqet Tyxharit përballë njerëzve të Degës së Punëve të Brendshme. Në gjaknxehtësi e sipër ai kishte ngritur zërin edhe më shumë se ata: “Tyxharët kanë lindur në Korçë dhe e duan Korçën, im’at ishte pjesë e Komisionit Qeveritar për Mbrojtjen e saj, për të luftoi edhe me armë në dorë. Ndoshta më duhet t’ju pyes: Ku ishit atëherë ju zotërinj?! Baba im, Abedin Seit Tuxhari shkonte sa në Stamboll në Bukuresht, sa në Manastir dhe në Sofje që ju të mësonit gjuhën shqipe. Seit Abdin Tuxhari ishte në krye të mitingut për alfabetin e gjuhës shqipe, hartoi alfabetin e shqipes. Në shtëpinë tonë mblidheshin njerëz të tillë si Emin Efendi, Ahmet Efendi, Shaqir Efendi, Rakip Efendi, Abedin Efendi Mborja, Miçi Çikizi, Andrea Turtulli Xhafer bej Luarasi  etj, etj, por ata ishin efendilerë. Ishin efendilerë, përsëriti ai. Me fjalën “efendilerë” përmbushi gjithë zemërimin e vet. Pala tjetër kishte mbetur edhe më e irrituar kur dëgjoi të flitej për pasanikë. Për ata, Shqipëria ishte vetëm e të varfërve; të pasurit duhej të vdisnin burgjeve, internimeve dhe bodrumeve. “Ik, i thanë, do ta shohim punën tënde!”. “Nëse do të më burgosni, ua ktheu ai, ejani merrni edhe dy vulat që ka lënë babai im, ku thuhet “Rroftë Shqipëra!” . Pas kësaj ai u gjet i vdekur në bodrum, askush nuk e di si ndodhi…
Më 27.5. 2010, Korça e shpalli Abedin Tyxharin Qytetar Nderi.

Shënim: Ky shkrim i dërguar Gazetës DIELLI u referohet dokumenteve të citura në material dhe kujtimeve familjare të Maksimit, Neimit, Abedin dhe Pëllumb Tyxharit

Filed Under: Featured Tagged With: Familja Tyxhari, Flamuri, tragjedia, Vepror Hasani

FESTIVALI I 57- “Ktheju tokës” e Jonida Maliqit i dha dritë

December 23, 2018 by dgreca

Kënga fituese u shpall, ajo i dha dritë Festivalit; lodhja dhe pasioni i këngëtares u shpërblye. Mundet që gjatë gjithë kohës këngëtarja të ketë menduar: “Vallë, a do të jem unë e para”, ashtu siç mund të kenë menduar gjithë këngëtarët e të tjerët, por vetëm njëri fiton. Gjatë tri netëve gjithçka rrodhi bukur dhe këndshëm:  Një ditë jeton/, Në tjetrën vdes/, Sa mall, pak shpresë/, I vetëm, pa identitet…”./

jondia-maliqi-compressor okfFestivaliInva Mula Viktor Zhusti Ana GoljaokErmal Meta1 bashkekengetaret57-850x491Jonida_Maliqi

Nga Vepror Hasani/Dielli/

Drithërues çasti final. Juria profesioniste prej 9 vetash shpalli fituese këngën  “Ktheju Tokës” të  këngëtares Jonida Maliqi. Duartrokitje të shumta në sallë. Emocion te publiku, ngazëllim te adhuruesit e këngëtares. Tri netët magjike të spektaklit të madh i dhanë kurorën Festivalit të 57- të të Radio Televizionit Shqiptar. Çaste të mrekullueshme përjetimi.Tashmë do të jetë Jonida ajo që do të prezantojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2019, (Festivali Europian i Këngës), në Tel Aviv, më 14-18 maj 2019. Vargjet e këngës së saj do ta drithërojnë publikun edhe atje: “Ti kendon edhe qan/, Në duar lotët mbledh/, I mban…”. Suksese Jonida Maliqi! Thoma Gëllçi, drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, pas një punë të lodhshme që nga dita e parë e punës në këtë televizion, mundi t’i rikthejë besimin publikut. Drejt kësaj arritjeje synoi edhe Drejtorja Artistike e Festivalit, sopranoja Inva Mula. Në konferencën për shtyp në pragnisje të Festivalit, ajo tha: “Objektiv, për mendimin tim, është që ta rikthejmë freskinë dhe entuziazmin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion drejt një publiku i cili ndoshta për arsye të shumta është shkëputur.  Ne duam që ai ta kthejë vështrimin dhe të ketë dëshirën si dikur, ta ndjekë Festivalin, dhe ndoshta të mërmërisi këngët më të bukura të tij…”. Ndërsa prezantuesi i festivalit, aktori i mirënjohur, Viktor Zhusti, tha: “Ky Festival realizohet nën drejtimin artistik të një artisteje të madhe shqiptare me famë botërore, që na ka bërë krenarë kudo që ka kënduar dhe performuar, si brenda kontinentit ashtu edhe përtej oqeanit, diva jonë, Inva Mula”. Ndaj, edhe kur artistët po bëheshin gati në sallat e grimit, dashamirësit e muzikës, prisnin me padurim daljen e tyre në skenë. Emocionet ishin të forta. Prisnin të shihnin një festival ndryshe.

Ndiq ëndrrën…

Kënga fituese u shpall, ajo i dha dritë Festivalit; lodhja dhe pasioni i këngëtares u shpërblye. Mundet që gjatë gjithë kohës këngëtarja të ketë menduar: “Vallë, a do të jem unë e para”, ashtu siç mund të kenë menduar gjithë këngëtarët e të tjerët, por vetëm njëri fiton. Gjatë tri netëve gjithçka rrodhi bukur dhe këndshëm:  Një ditë jeton/, Në tjetrën vdes/, Sa mall, pak shpresë/,
I vetëm, pa identitet…”.
Prezantimi i këngëve u bë gjatë dy netëve: natën e parë u këndua “live” me Orkestrën Simofonike të Radio Televizionit Shqiptar, kurse nata e dytë u quajt “Nata e performancave”, ose  “Nata Eurosong” sepse këngëtari do të prezantohej me të njëjtën paraqitje që do të kishte në Festivalin Europian. Dhe kështu ndodhi vërtetë. Natën e dytë këngëtarët u paraqitën me elemente shtesë artistike dhe skenike. Nata e tretë ishte e nata e konkurimit. Realizimi artistik ishte një hap i dukshëm drejt ëndërrave europiane. Performanca e Festivalit rritej nga njëra natë te tjetra. Një gjë të tillë kishin ëndërruar prej vitesh edhe artistët shqiptarë. Sigurisht, nuk ishte e lehtë. Ndiqni ëndrrën, – tha Ermal Meta, – fituesi i Eurosongut, këngëtari i 124 koncerteve vetëm për vitin 2018. Saktësisht, fjala e tij ishte kjo: “Të ëndërrosh është gjëja më e bukur në botë, por jo të kesh fantazi; ka shumë ndryshim. Ëndërrat janë shumë herë më të forta dhe vrapojnë shumë herë më shumë se fantazitë. Kur ëndërron ke përgjegjësi shumë të madhe, ke ide në mendjen tënde, por kur ato nuk i realizon dhe i lë pas dore, të ndjekin gjithmonë; është mirë t’i ndjekësh ti e jo të të ndjekin ato; ka shumë diferencë”. Dhe Meta ka të drejtë, është tjetër gjë të fantazosh sikur po ngjitesh në skenë dhe tjetër gjë ta bësh realitet duke ndjekur ëndrrën. Në këtë Festival ëndrrën e saj e bëri realitet këngëtarja Jonida Maliqi me këngën e saj mjaft të ndierë.

Nuk është e lehtë

Në festival vihet gjithçka në dispozicion të këngëtarit. Në rastin konkret kontribuan me talentin e tyre kompozitorët, dirigjentët, skenografët, muzikantët, koreografët, balerinët etj, por edhe  dy prezanuesit që i dhanë krahë, hare dhe gëzim Festivalit: Viktor Zhusti, aktor i talentuar dhe me përvojë, fin dhe sigurtë, i zgjuar dhe me humor, i këndshëm dhe fisnik, i mirënjohur dhe i dashur nga publiku, si dhe artistja e shumë arteve, Ana Golja, e cila ishte flutura e gëzimit të Festivalit, ishte një prezantuese krejt ndryshe, e lirshme si ajri, e dashur si flladet që fryjnë behareve dhe e trishtueshme kur ajo linte skenën bosh. Edhe prezantimi i saj për vetëveten ishte i bukur: Mirëmbrema! Unë jam Ana Golja, kisha dy arsye të forta për ta filluar Festivalin me këngën “Ma”; e para sepse kënga “Ma” është fituesja e festivalit të vitit të kaluar; e dyta si vajzë emigrantësh shqiptarë në Kanada është malli për Shqipërinë që na  mban fort  lidhur me origjinën. Është shumë kënaqësi që jam këtu përpara jush, publikut më të mirë në botë! Dhe të gjitha këto ndodhën edhe në saj të drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, i cili me pasionin e tij synon më të mirën. Por sa lodhje ka në anën tjetër, që nuk sheh syri i publikut, këtë e rrëfen Elton Deda: “Është një punë vërtetë shumë e madhe, me shumë stres, me shumë lodhje, me shumë batuta, surpriza dhe situata të këndshme dhe të pakëndshme, por për njerëzit të gjitha këto pak rëndësi kanë; ata vijnë të shohin një festival me kualitet. Unë mendoj se Festivali është serioz, Festivali gjithmon ka qenë serioz. Nga viti në vit po i rikthehen artistë, po i rikthehen emra; të rinjtë janë gjithmonë avangardë me materiale të freskëta dhe të bukura”.

I famshëm brenda natës
Pra, mes kësaj atmosfere shkëlqeu kënga e jonida Maliqit. Një shprehje e mençur thotë: “Që të bëhesh i famshëm brenda natës, duhen shumë vite pune”. Dhe kjo është e vërtetë, artistëve u duhet shumë punë. Nëse e bën këtë gjë, atëherë fati është me ty; shkëlqen brenda një nate të vetme. Mundësitë ekzistojnë. Sipas prezantuesit Viktor Zhusti, “Sot  rrjeti i Televizionit përfshin 9 radio dhe 14 kanale televizive, gjeneraliste dhe tematike, me programe për të gjithë moshat dhe grupet  shoqërore. Programet e Radio Televizionit Shqiptar ndiqen në të gjithë botën. Rrjeti i transmetimeve tokësore digjitale siguron mbulimin e plotë anembanë Shqipërisë. Rrjeti satelitor është shtuar me 6 kanale televizive dhe kanalet e radios.  Shqiptarët në gjithë botën  nga Europa, Azia, Australia mund të ndjekin të gjitha kanalet e Radiotelevizionit Shqiptar, në Television, në radio, dhe nëpërmjet internetit në aplikacione “RTSH Tani”. Pra mund të bëhesh i famshëm edhe brenda një çasti të vetëm, por vetëm nëse lodhur shumë. Shembujt që kanë luftuar shumë duhen ndjekur. I tillë është dhe  balerini Igli Mezeni, pjesë e trupës së Angjelin Prelocaj, E tillë është dhe  partnerja e tij, Luiz Pi. Ata interpretuan në natën finale të Festivalit, një pjesë të krijuar nga vetë Mezini, të titulluar “Fol”, sepse ai mendon se shqiptarëve u duhet të flasin më shumë me njëri-tjetrin. Krijimi la mbresa të pashlyeshme te  spektatori. Edhe Mezini është një artist që punon shumë dhe me pasion.

Mos u bëj i famshëm!..

Vargjet e këngëtares Jonida Maliqi ende kumbojnë në shpirtin e adhuruesve të saj: “Ktheju tokës tende/, O njeri që zemrën lë peng/, Ktheju tokës tende/. Ti e di një zemër të prêt…”Por edhe pas fitores duhet të jesh i thjeshtë ashtu siç ke qenë ditën e parë kur këndove për herë të parë. Kur e pyetën Ermal Metën, fituesin e Sanremos, nëse ka ndonjë sekret si të bëhesh i famshëm, ai u përgjigj: “Dua të bëj një diferencë midis famës dhe suksesit; janë dy gjëra të ndryshme. Sekret nuk ka, ka vetëm punë. Unë kam kaluar shumë vjet vetëm duke punuar nga mëngjesi deri në darkë,  pa bërë asnjë lloj pushimi. Lodhja kur bëhet sukses, bëhet kënaqësi Tjetër sekret nuk ka. … Nuk është se duhet të menaxhosh suksesin, mjafton të vazhdosh të bësh të njëjtë jetë që bëje më përpara. Unë jetoj në të njëjtën shtëpi, nuk ndryshuar asgjë…”.  Festivali veçoi edhe kengë të tjera të bukura: Eranda Libohova për këngën e saj “100 pyetje” mori çmimin e Jurisë së Gazetarve; Marko Strazimiri dhe Imbro, për këngën “Leyla” u nderuan me çmimin e Jurisë të të rinjve. Me çmim u nderua dhe këngëtarja Lidia Lufi për këngën “Rrëfehem”. Një falenderim i merituar shkon edhe për Drejtorin e Radio Televizionin Shqiptar, Thoma Gëllçi, i cili pas një punë të lodhshme mundi të kthejë besimin te publiku. Ishte një festival i veçantë

 

.

Filed Under: Kulture Tagged With: Festivali 57, Jonida Maliqi, Vepror Hasani

Elia Zaharia, princesha e Festivalit mbarëkombëtar të komedisë në Korçë

September 24, 2018 by dgreca

5ELIA 1ELIA 2ELIA 4ELIA 3

Nga Vepror Hasani/

Aktorja Elia Zaharia e befasoi Korçën që në momentin e parë të provave. Ishte tejet e veçantë në rolin e saj. Kush pati rastin ta shihte nga afër, tha se ajo ishte shfaqur si një princeshë në një botë që nuk kishte dritë. Ndaj të gjithë prisnin ditën që do të shfaqej komedia “Vetëvrasësi”. Elia Zaharia kishte rolin e Mashës, bashkëshortes së Simonit që donte të vetëvritej sepse i ishte mërzitur jeta dhe nuk duronte dot më. E kishte të pamundur të jetonte. Shpesh ngrihej në mesantë dhe kërkon koburen që e kishte fshehur në kutinë e zezë të klarinetës, por nuk ka guxim “t’ia heqë vetes”. Edhe komedia kishte patur peripecitë e veta. “Vepra ishte shkruar nga dramaturgu rus Nikolai Erdman, në vitin 1928, por u ndalua të vihej në skenë nga regjimi stalinist, sepse për pushtetarët shfaqja kishte qenë e frikshme. Autori u internua në Siberi. Thuhej që ishte një nga dramat më të mira të shkruara në kohën e Rusisë komuniste. Dhe e vërteta ashtu kishte qenë: komedia-satirë mbeti kryevepra e tij. Deri më tani kjo vepër nuk ishte përkthyer asnjëherë në shqip. Gjithçka u mor përsipër nga regjisori Sulejman Rushiti; edhe përkthimin e kishte bërë vetë. Të gjitha këto e vishnin shfaqjen me mister. Ç’fshihte vallë brenda vetes kjo komedi që kishte trembur më të fuqishmit e Rusisë?! Roli i Elia Zaharisë ngjasonte shumë me atë të princeshës që përpiqej të shpëtonte gjithçka mundej nga ajo botë e frikshme. Qytetarë të shumtë të Korçës prisnin ngjitjen e shfaqjes në skenë. Vetëm atëherë do të mund të mësonin të vërtetat e kësaj komedie. Do të kuptonin nëse shoqëria shqiptare ende vuan nga atavizma të kohës së Stalinit. Shfaqja ishte projekt përbashkët i Teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës me Teatrin Kombëtar të Tiranës. Loja e Neritan Liços (“Vetëvrasësit”) shkëlqente. Edhe skenografia ishte e Sulejman Rushitit.

 “Vetëvrasësi”

Aktorja e mirënjohur Zamira Kita, pjesë e kësaj komedie në rolin e Serafinës, vjehrra e Simonit që kërkon të vrasë veten, shpjegon: “Vetëvrasësi” është një personazh shumë social, por në rrethanat e tij gjithësecili mund të jetë një vetëvrasës. Ai s’ka një rrugë të përcaktur, nuk di ku do të mbërrijë. Jeta e tij është pa zgjidhje, gjendet në udhëkryq. Ka probleme të shumta që e ndjekin pas prej vitesh. Është një burrë që dëshiron të investojë për familjen, por nuk mundet; dëshiron të punojë por nuk gjen dot punë. Jeton fal gruas së tij, Mashës, dhe vjehrrës, Serafinës. I gjendur në këto rrethana, tejet i lodhur prej jetës, befas shpërthen, ngre krye, deklaron se do të vrasë veten, por askush nuk e ndihmon të dalë nga situata ku gjendet. Shoqëria e kohës së tij është e paaftë të gjejë zgjidhje: intelektuali, poeti, gazetari, prifti, gruaja që lufton për të drejtat e grave, dashuria, femra e bukur etj; madje të gjithë personazhet janë qesharakë e të paaftë për të krijuar një shoqëri të denjë për veten e tyre. Përkundrazi, ata i kërkojnë Simonit të vetëvritet për ta. “Ti duhet të vetëvritesh për ne”, është lutja më e thellë e tyre. Pra, ai duhet të vetësakrifikohet në emër të të gjithëve, sepse të gjithë janë si ai, – të pashpresë. Në të vërtetë Simoni nuk dëshiron të vrasë veten, ai e paralajmëroi vetëvrasjen me shpresën se njerëzve do t’u vinte keq dhe do ta ndihmonin, por ndodhi e kundërta, ata nisën t’i kërkonin me ngulm vetëvrasjen, sepse ata të gjithë ishin për të të ardhur keq. Edhe pse gjithçka dukej tragjike, situatat paradoksale sillnin shpërthime të qeshurash pa fund. Të vërtetat thuheshin përmes humori të zi, ndaj edhe të qeshurat ishin me gjithë shpirt. Thuheshin  të vërteta që shpesh ne nuk i themi dot.

Masha

Mes kësaj bote të errët, shfaqej Masha, bashkëshortja e “Vetëvrasësit”,  interpretuar nga Elia Zaharia, e cila shfaqej si një princeshë, sepse ishte e vetmja që qëndronte mbi të gjithë, shpesh mbështetjen e gjente te nëna e vet, Serafina. “Masha punon gjithë ditën në fabrikë, – vijon të na shpjegojë aktorja Zamira Kita, – lodhet shumë mundohet, mban edhe burrin, por për shkak të lodhjes dhe papunësisë së bashkëshortit, acarohet edhe nga konfliktet më të vogla dhe hyn në kontradiktë me të shoqin. Atij i hahet bukë, por lekët që merr nga fabrika nuk mjaftojnë, megjithatë ajo nuk i thotë vdis, nuk ia ndalon bukën, veçse nuk mund të ngrihet në mes të natës t’i shërbëjë të shoqit, sepse ende ka nevojë për çlodhje dhe qetësi. Ndërkaq aktorja Zamira Kita shton:  “Mashka është një nga personazhet kryesore të veprës; fal interpretimit të Elia Zaharisë pamë një personazh shumë të bukur si karakter”. Masha përpiqej të mbijetonte, por e ka të vështirë. Në shtëpinë ku banon ajo, jetojnë dhe shumë familje dhe persona të tjerë që bëjnë jetë të degjeneruar; ambienti ngjason gati-gati me një shtëpi publike, ku brenda saj hyjnë e dalin meshkuj që shkojnë me femra. Në marrëdhëniet me ta krijohen konflikte. Shumë e vështirë për të qëndruar njeri i ndershëm. Atmosfera e krijuar prej lojës së aktorëve plotësohej mjeshtërisht edhe nga kolona zanore, interpretuar prej instrumentistëve Nexhildo Sula, Edi Qesaraka, dhe këngëtares Laxarela Deti.

Testamenti i vetëvrasësit

Jeta e “Vetëvrasësit” bëhej gjithnjë e më e vështirë. Që nga dita kur ai tha se do të vriste veten, intriga u mbajt gjallë. “Albano Prodani në rolin e një “horri” të kamufluar”, siç e përshkruan Josif Papagjoni, mban nën kontroll gjithçka: kontrollon korridorin e përbashkët publik ku flenë shumë familje dhe persona; nxit Simonin të vetëvritet dhe të shkruajë me dorën e tij arsyet pse u vra; nëse e shkruan testamentin, familja e tij bëhet  përfituese e shumave të mëdha. Të tjerëve u thotë: kush merr testamentin, lartëson misionin e vet për të cilin lufton. Për realizimin e intrigave shfrytëzon dhe lokalin e vet ku gjithçka që gëlon aty është degjeneruese dhe amorale. Pas kësaj të gjithë duan të jenë përfitues të testamentit. Testamentit e dëshiron Jegori, gazetari, i cili ka një portal të vetin, ëndërron të jetë i pari në njoftimin e vetëvrasjes dhe  portali të ketë ekskluzivitetin. (Roli i Jegorit, edhe pse ishte djalë u luajt bukur nga nga Paola Kodra). Testamentin e dëshiron edhe poeti, luajtur nga Mateus Frroku për të lartësuar poezinë; e dëshiron gruaja që lufton për të drejtat e grave, luajtur nga Blerta Belliu, që të lartësojë gruan; e dëshiron prifti, luajtur nga Ligoraq Riza, që lartësojë Kishën; e dëshiron vajza e bukur, luajtur nga Olta Gixhari që të lartësojë bukurinë; e dëshiron vajza që josh meshkujt që vijnë në lokal me kërcime mbi tavolinë e tekste provokuese, luajtur nga Ilda Pepi, që të lartësojë dashurinë; e dëshiron më shumë se të gjithë intelektuali, luajtur mjeshtërisht nga Shkëlqim Jaupi, që të çojë përpara vendin dhe shoqërinë. Të gjithë zbulojnë anën falsifitetin e jetës së tyre, dhe të gjithë shikuesit shkulen gazit, sepse sot pazare të tilla janë të përditshme. Në këtë ndërthurje interesash, Albani krijon lidhjen dhe trillin e veprës.

Princesha Elia Zaharia

E vetmja që i dhuronte dashuri “Vetëvrasësit” (Simonit), ishte bashkëshortja e tij, Elia Zaharia, në rolin e Mashës. Me dhembshurinë e saj arriti t’i përcillte fisnikëri botës së pashpresë ku jetonin. Loja e saj ishte e mrekullueshme, mori edhe më shumë dritë fal aktorëve të talentuar që e rrethonin. Roli i Zamira Kitës ishte shumë i bukur, i këndshëm, me shumë humor, sepse vetë karakteri i Serafinës ishte paradoksal. “Ishte një rol që më dha shumë kënaqësi,- rrëfen aktorja Zamira Kita, – u përpoqa t’i shtoj edhe pak humor nga karakteri im hokatar. Më shijoi shumë loja me Neritan Liçaj dhe Elia Zaharinë. Edhe Albano Prodani solli një karakter të bukur, krijoi shumë humor sepse vetë Albano është aktor karakteri dhe humori. Paola Kodra krijoi një karakter unik që rallë e gjen në teatrin dhe dramaturgjinë shqiptare. Ishte rol i dytë i saj që shkëlqente. Olta Gixhari me rolin e vajzës së bukur të dashurisë ishte një vajzë  simpatike, sensuale me karakter shumë të veçantë në vepër. Blerta Belliu solli një rol mjaft të bukur. Intelektuali, i realizuar nga Shkëlqim Jaupi, ishte një rol që ai nuk e kishte patur në jetën e tij aktoriale, krejt ndryshe nga ato që ka luajtur, por solli një rol befasues. Ligoraq Riza pati një interpretim të vërtetë, shumë të brendshëm dhe të bukur. Ilda Pepi me sensualitetin e saj ia doli të përcjellë një vajzë të bukur e të këndshme. Mateus Frroku me kostumin e tij të bardhë, pardesynë vishnjë solli një poet elegant dhe të dashur nga pamja,  karakteri dhe emocioni që përcolli. Por, pa harruar këtu kostumografen Bernarda Gjata që i dha vlera shfaqjes”. Ndërsa Miho Gjini shkruan: “Por le të evidentojmë këtu interpretimin e mrekullueshëm të dy personazheve kryesor Liçaj-Zaharia, ku komiciteti i tyre buronte natyrshëm nga vuajtjet e tyre, pa e “lozur efektin komik së jashtmi”, qe është  e do të mbetet si kriter bazë në konceptimin e përgjithshëm të interpretimit të karakterit të figurës komike, si një evoluim i brendshëm i halleve  të tyre”. Dhe vërtet: Mes aktorëve të talentuar, Elia Zaharia me rolin e Mashës, la mbresat e një princeshe të dashur….(Lexoje te plote ne Dielli online www.gazetadielli.com)

Vetëvrasja

Ditët kalojnë dhe gjendja e “Vetëvrasësit” bëhej më e rëndë. Të gjithë shkojnë njëri pas tjetrit për t’i kërkuar testamentin. Shkonte tek ai dhe vajza e bukur që t’i kërkonte që testamentin ta linte për dashurinë, por vajtjet e saj të herëpashershme krijuan përshtypjen sikur Simon ishte lidhur me të. Ela Zaharia (Masha) fillon të ndihet e shqetësuar, ikën nga shtëpia. Dëshpërimi bëhet edhe më i madh për bashkëshortin e saj Simonin. Banorët që jetojnë në korridorin e përbashkët publik vijojnë t’i kërkojnë vetëvrasjen. Si gjithnjë, në gjendje dëshpërimi Simoni dehet për të harruar gjithçka. Duket sikur është në grahmat e fundit të vdekjes. I kërkojnë të shkruaj testamentin dhe ai e shkruan. Të gjithë mendojnë se vdiq. I përgatisin festën e lamtumirës, i sjellin edhe arkivolin. Elia Zaharia, bashkëshortja e tij, kujton se ai po vdes  dhe atë çast i shpërthen nga brenda dashuria e madhe që ka për të, dëshira për ta ndihmuar që ai të mëkëmbet që së bashku të rrisin jetën familjare dhe bashkëshortore. Loja e Elia Zaharisë rrëmben spektatorin: “Elia Zaharia, thotë Zamira Kita ishte shumë e saktë në lojën e vet, ishte konkrete, kishte shpërthime  të bukura, energji e gjitha në skenë, rruajti ritmin dhe figurën artistike nga fillimi deri në fund. Pra edhe mendimi im ishtë që ajo ishte aktorja më e mirë e Kokofestit (Korca Komedi Festival) dhe juria këtu ka dhënë vlerësimin e duhur. Finalen e shfaqes e sjell me pak fjalë Josif Papagjoni: “Dhe kur plumbi i vetëvrasjes pritet të dalë prej revolverit, shfaqja mbyllet me një paradoks. Dëgjohet një krismë vetëvrasjeje, por jo e tij, është prej dikujt tjetri, e një gazetari të ri, mbase edhe më i parealizuar dhe më i stresuar se vetë Simoni. Vdekja, pra, ndodhi. Dhe në buzë ikën shakaja dhe mbërrin dhimbja…”.

Mesazhi i shfaqjes: Vdes po nuk kam faj!

Për mesazhin e shfaqjes Miho Gjini shkruan: “Edhe kur vendos që t’i japë fund jetës së tij të vështirë e me plot komplikacione, personazhi qendror Simoni, ky lloj tipi krejt i veçantë, do të lërë pas një letër të shkurtër me fare pak fjalë, ku shkruan se, me vetëvrasjen e tij nuk ka faj, por që të gjithë kanë faj! Në këtë hulli është e mpleksur për të e gjithë shoqëria e qeveria, gruaja e të dashurat, miqtë e shokët e afërt, bile edhe komshiu që nuk e lë të qetë, por edhe vjehrra që i fut hundët këtu, në sferën familjare, me maninë, tutelën dhe pangopësinë e saj nga përfitimet që mund të nxjerrë edhe prej kësaj vetëvrasjeje të dhëndrit! Por krejt i ndryshëm është pozicioni i Elia Zaharia (Mashës) në krahasim me shoqërinë që e rrethon. Këtë gjë e vë në dukje edhe Miho Gjini: “Po këta të dy, ndonëse flinin në të njëjtin krevat, dallonin për temperamente krejt të ndryshme, Simon- Liçaj për karakterin e vet të rrëmujshëm, herë brenda tragjedisë që e ka pllakosur e herë në linjën absurde të rrethanave, po të veta, në atë realitet të ashpër, ndërsa Masha-Zaharia mbart përherë  shqetësimin nga ky mizerabilitet i jetës së varur në fijet e perit, me këtë bashkëshort që ajo nuk e sheh dot edhe pse nuk është për të, duke e dashur deri në fund ,- gjë që e lartëson së tepërmi si karakter njerëzor e si grua, në linjën e veprimeve të dyfishta të personazhit” gjë që Elia Zaharisë i lejoj ti jepte personazhirt fisnikëri e të veçonte si princeshë në atë realitet të pajetueshëm.

Çmimet

Në përfundim të edicionit të 5-të të Festivalit mbarëkombëtar të komedisë në Korçë, juria e përbërë nga Enver Petrovci, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Adem Karaga, Rajmonda Bulku ndanë çmimet:

Shfaqja më e mirë, “Vetëvrasësi”, Teatri i Korçës dhe Teatri Kombëtar
Aktorja më e mirë, Elia Zaharia

Artistja e re, Paola Kodra

Filed Under: Featured Tagged With: Elia Zaharia, Korce, Princesha e Festivalit te Komedise, Vepror Hasani

Një Dallëndyshe në Kishën Shën Maria të Bezhanit

August 23, 2018 by dgreca

 

4. NE kISHE ok1. Klodi-Maria Bezhani ok.JPG2. kisha e shen Marise ok.JPG

Nga Vepror Hasani/ *

Atë çast Klodi-Maria Bezhani ishte duke lexuar librin “Bezhani” të shkrimtarit Vangjush Ziko. Befas iu duk sikur një dallëndyshe fluturoi aty pranë. Nuk ishte e sigurtë nëse vërtet kishte qenë një dallëndyshe ose jo, por ndjesia e pranisë së saj ishte e fortë. Mendja i shkoi te fshati i prindërve të saj, në Bezhan të Kolonjës; ai ishte një fshat me shumë dallëndyshe. Vetë Klodi-Maria Bezhani ishte lindur dhe rritur në Korçë; aty kishte studiuar për flaut. Më pas u shkollua për mësuesi, prej 23 vitesh ushtronte këtë profesion. Tashmë ka 5 vjet që jeton në Tiranë së bashku me dy fëmijët e saj; aktualisht studentë. Fshatin e prindërve, Bezhanin, e kishte vizitur vetëm një herë në vitin 2004. Që nga ajo kohë nuk kishte shkuar më. Në momentin e fërfëritjes së krahëve të dallëndyshes, i lindi dëshira të fluturonte edhe ajo drejt Bezhanit për të festuar emrin e saj, Maria, në kishën Shën Maria të Bezhanit. Sigurisht, ishte ndikuar edhe nga libri i Vangjush Zikos. Do të fluturonte edhe ajo si një dallëndyshe në folezën e saj. Po afronte gushti i vitit 2018.

Premtimi

Këtë ide të lindur papritmas ua tha prindërve të saj në Korçë, por i ati, Stavri Bezhani, i mbetur i çuditur nga fjalët esë bijës i tha: “Për çfarë do të shkosh? Kush të pret atje?  Kë do  të takosh?!.  Eh, moj bijë, – vijoi ai,- atje s’ka shkelur njeri që prej një dekade e gjysmë, as gurët s’i kanë mbetur e jo me shtepitë…”.  Dhe ndërsa i fliste për braktisjen e madhe të fshatit, Klodi-Maria Bezhani, dëgjonte dhe qante; lotët i rridhnin faqeve si rrëke shiu. E përlotur, mes dhimbjes që ndjente, i tha të atit: “Unë do të shkoj në Bezhan! Do ta pastroj Kishën e Shën Marisë me duart e mia dhe do t’i mbledh njerëzit! Më 15 gusht kambana e saj do të kumbojë si himn dashurie për të gjallët dhe për zgjjm të kujtimit të shpirtrave të harruar. Do ta bëj! E ndjej detyrim shpirteror e moral ndaj gjyshërve, stërgjyshërve e katërgjyshërve të mi. Me këdo mund të bëj kompromise, por me shpirtin tim e paskam të pamundur.  Ai vend po më thërret baba: “Shko dhe rihape atë shtëpi të Nënës së Dritës, sepse njerëzimi sot më shumë se kurrë ka nevojë për këtë dritë! I ati e vështroj në sy.  Çuditërisht vajza e tij i ngjasoj me një dallëndyshe, madje ajo dukej sikur ishte shndërruar në dallëndyshe.  Ndoshta edhe udhëtimi i saj drejt Bezhanit do të ishte si një fluturim dallëndysheje.

Tokë e shkretë

Po atë mëngjes foli me Gjergji Pantazin, burrë fisnik, prej vitesh përpiqej për kishën e Shën Marisë, e vizitonte shpesh. Kishte çelur edhe dy llogari bankare për mbledhjen e ndihmave. I kërkoi të shkonin në Bezhan. Më 31 korrik, mes peripecish të shumta, herë duke ecur në këmbë, herë me makinë, mbërritën në Bezhan. Ç’të shihje: tokë e shkretë! Gjithçka mbuluar nga bari i lartë e i përzhitur prej diellit. Edhe  varret nuk dalloheshin më. S’dije ku të hidhje këmbët. Gjergji i kërkonte të ishte e kujdesshme: “Shiko ku ecën se ka gjarpërinj!”. Me të kaluar oborrin u shfaq një pamje tjetër më makabre: Kishës nuk i kishte mbetur asgjë, librat e shenjtë, Ungjilli, ikonat i kishte gërryer nga lagështia, koha dhe brrejtja e minjve. Befas u dëgjua  klithma e fortë e Klodi: “Zot! Zonja Shën Mari! Si të paskan bërë kështu! Nisi të ecte mes hapësirës së saj, mbuluar nga gati 2-3 pëllëmbë rëre që presupizohej të ishte suvaja e përdorur me fondet për kishën, për restaurimin e saj. Gjithçka kishte qenë papërgjigjshmëri dhe shpërdorim. Ky vend quhet Bezhan që do të thotë “të ikurit”. Metafore e fuqishme! Ikja, madje arratisja e fshatit klithte frikshëm.

Lotët e Klodi-Maria Bezhanit

“Qaja si fëmijë, qaja e flisja me vete,- tregon Klodi Maria Bezhani. Kisha shpresuar se mund ta pastroja vetë kishën e Shën Marisë, por pashë se atje duhej një brigadë e tërë; burra me karroca e lopata. Gjergji i shqetesuar më tregoi se gjendja kishte avancuar, krahasuar me një a dy vjet më parë. I thashë të më linte vetëm. Filmova e fotografova ç’munda, pasi lotët s’më lejonin pamje të qartë. Qaja mbi ikonat dhe lotët binin mbi to. Nxora nga xhepi kartpicetat, fshiva lotët dhe pastrova fytyrat e Shenjtorëve. I lava me lotët e mi. Dola jashtë në oborr, këputa disa lule të egra ngjyrë lejla, i vendosa te ikona e Zonjës Hyjlindëse dhe teksa u luta, premtova me zë të lartë: të premtoj o nënë e Zotit se kjo kishë do të pastrohet dhe rregullohet siç të takon. Në 15 gusht kjo kishë do të mbushet me njerëz dhe mbi pluhurin e harresës së këtij vendi do mbeten gjurmët tona si dëshmi se nuk të kemi braktisur, por ashtu si djali plangprishës po kthehemi me pendesë sërirsh tek ti. Megjithatë, një çast e humba shpresën se mund ta bënin gati kishën deri më 15 gusht, por çuditërisht atë çast ndjeva fërfëritjen e fluturimit të një dallëndysheje. Mora zemër, Zoti do të na ndihmojë.

Mrekullia

Dhe vërtet, Zoti na ndihmoi. Të gjitha punët u bënë si nga një dorë e padukshme: Thoma Zisi, nënkryetar i Bashkisë Kolonjë dërgoi një brigadë me punëtorë të pastronin kishën, të korrnin barrin rreth saj. Dërgoj dhe një fadromë për sistemimin e  rrugës që të çonte në Bezhan.  E Tëreshenjta e bëri vetë hapin e parë. Atë që unë lusja, atë që i premtova teksa mbytesha në lot por me frikën a do më vijnë të më ndihmojnë që ta pastrojmë kishën Zonja Shën Mari dërgoi në çast engjëjt e vet.  Një ditë para së Kremtes ,së bashku me dy miq bezhanllinj Fillareti Shkrapi Nikolla, Stefi Ziko, dhe ish nxënësi im Niko Pulluqi vuri në dispozicion fuoristraden e tij, mbushëm makinën me ndihma, mbledhur derë më derë për kishën: sixhade, copa të leshta, të punuara si udhë, ikona, karrige, takëme, zbukurimi, kandila, temjan, qirinj bidona 10 l me ujë, fshesa, kova dhe mjete të tjera pastrami. Hymë në kishë plot gëzim. Oborri i kositur të jepte komoditetin të ecje e shkelje pa frikën e ndonjë gjarpëri të mundshëm. Nuk pati nevojë për ndarje detyrash. Secili e gjeti vetë vendin dhe rolin e vet. Nikolini im fshiu gjithë kishën si një nikoqire e mirë. Kur mbaruam gjithçka vura lulet Krizantema qe bleu Filla në vazon e kristaltë, blerë enkas për Shën Marinë nga unë, ndezëm dhe kandilet dhe temjanin.

Dallëndyshja

Pikërisht këtë çast hyri në kishë një dallëndyshe dhe qetë-qetë fluturoi duke përshkuar çdo cep të kishës, kaloi dhe mbi kokat tona dhe doli sërish andej nga erdhi. Ishte më shumë se një zog! Ishte vetë Zonja Shën Mari që i gëzohej hapjes së shtëpisë së harruar. Po kjo gjë ndodhi të nesërmen, më 15 gusht. Kisha u mbush plot, ishin rreth 80 veta. Sapo ra këmbana dhe do fillonte meshimi, hyri sërish dallëndyshja, por këtë herë jo e qetë, hyri zhurrmshëm… Zëri i saj e mposhti atë të priftit… Ajo na dha bekimin prej larti. Zonja Shën Mari e meritonte ta kishte atë shtëpi, që dikur xha Vasili e  ngriti me aq dashuri e perkushtim. Dhe sipas të gjithëve e gjitha kjo ndodhi fal dallëndyshes së quajtur Klodi-Maria Bezhani. Deri në brezin e stërgjyshit paraardhësit e saj janë lindur në Korçë, por para tyre banonin në Bezhan të Kolonjës. Në pemën gjenealogjike të familjes së saj, rrenja nis në fisin Ziko, nga Linotopi, Shën Zagaria. Brezi i 8 i këtij fisi daton më 1767 me Papa Koten, prift dhe dy djemtë e tij, Ziko dhe Pando; ky i fundit prift si i ati. Më 1776 Linotopi u dogj nga turqit që detyronin muslimanizimin e popullatës. Papa Pandoja që në Linotop  shërbente në kishën e Shën Pjetrit, mori sa mundi takëme prej saj që t’i shpëtonte prej djegies dhe bashkë me vellanë i ranë rrotull malit të Gramozit dhe u vendosen në Bezhan. Atje nuk kishte as kishë e as prift dhe ata të dy ngritën kishën e Shën Pjetrit. Kjo kishë u shemb në kohën poskomuniste, ndoshta pas 1990. Fshati u braktis nga bezhanllinjte e ikur në emigrim dhe koha rënoi çdo banese të tyre. E vetmja ndërtesë, madje e quaj pa hiperbolizuar vepër arti, ështe kisha e Shën Marisë, ndërtuar më 1907-1912 prej duarartit xha Vasil Dhimoshit, arti i gdhendjes së gurit, të të cilit gjendet sot në kisha të Greqisë, madje dhe në Mal të Shenjtë, megjithatë gjithnjë do të shfaqet një dallëndyshe që jep shpresë dhe gëzim ashtu si Klodi-Maria Bezhani….(me shume foto i shihni ne fb(dielli vatra)

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: në Kishën Shën Maria, Një Dallëndyshe, të Bezhanit, Vepror Hasani

Shkëlqimi i familjes së madhe, Selim Mborja

July 20, 2018 by dgreca

Seelim-Mborja-e1456425024671

Shkëlqimi i familjes së madhe, Selim Mborja (Venxha), bën dritë edhe sot/

Selim Mborja dhe fabrika e Birres (1)Si i shpëtoi Selim Mborja ekzekutimit nga njësiti gueril i Korçës/

Nga Vepror Hasani/

Atë mbrëmje, Selim Mborja (Venxha) me bashkëshorten e tij, Fitreten, u kthyen vonë në shtëpi. Në Korçë kishin 65 dyqane, kafene dhe banesa, mijëra hektarë tokë dhe pyje. Fillimisht kishin banuar te shtëpia në fshatin Mborje, në krah të kishës së Ristozit, te një ndërtesë e madhe dykatëshe, me pamje madhështore, ndërtuar me gurë të skalitur, me shumë dhoma të dekoruara me elemente druri të gdhendur dhe tavane të zbukuruara, me oborr të madh në pamjen ballore e të thurura me avlli. Përreth kësaj shtëpie ngriheshin shtëpitë e tjera të fisit Mborja (Venxha), Më pas ndërtuan një shtëpi tjetër të madhe dhe të bukur mbi fabrikën e birra Korçës. Tashmë jetonin aty. Me të hyrë në shtëpi vunë re se dikush poshtë derës u kishte hedhur një letër. Selim Mborja e mori dhe nisi ta lexonte. Vështrimi i tij lëvizi i shqetësuar nëpër rreshta: “Unë që po ju shkruaj jam një miku juaj, – thuhej në letër, – nuk pata guximin t’ju sqaroj nga afër sepse kam frikë për veten dhe familjen time, dhe për këtë ju kërkoj ndjesë, por para dy-tri ditësh mora vesh se njësiti gueril i Korçës ka marrë vendimin t’ju ekzekutojë, ndaj duhet të largoheni…”. Bashkëshortja e Selimit, Fitretja, bijë e Neki Starovës, ndër më të pasurit e asaj zone, mbeti e shqetësuar. Trupi i saj dridhej si gjethe në erë. Priste çdo t’i thoshte Selim Mborja. Sido që të ishte vendimi i të shoqit, do të qëndronte me të edhe sikur të shkonin në fund të botës. E adhuronte bashkëshortin. Selimi ishte njeri i zoti dhe me kulturë, kishte studiuar në Perëndim. “Do ta pleqërojmë me njerëzit tanë”, – i tha Selim Mborja, – dhe do të vendosim çfarë duhet të bëjmë. Duhet të ketë qenë shtator-tetor i vitit 1944.

2    –Selim Mborja (Venxha) nuk e besonte dot që do të largohej nga Korça dhe nga Mborja ku kishte lindur. Gjithë jeta e njerëzve të tij, brez pas brezi, i ishte përkushtuar Korçës, dhe sa herë e kishte sjellë rasti kishin dalë në mbrojtje të saj me jetën e tyre. I pari i Venxhave, quhej Banush; ishte një legjendë e gjallë bamirësie, të tillë e mbanin mend edhe më të vjetrit. Emri i tij i mirësisë mbërriti edhe te brezat e rinj. Deri në fund të shek. XVIII kishin jetuar në Greqi, kishin prona të shumta dhe ishin shumë të pasur. Me pasuri të madhe u vendosën edhe në në Mborje. Ndihmonin familjet e varfëra. Banushi kujdesej për ta si për familjen e vet: “Bëj mirë dhe mos e përmend kurrë të mirën që bën”, –  ishte porosia e tij, – Zoti i shikon të gjitha.”. Për shkak të pasurisë së madhe që kishte, në Mborje njihej me emrin Banush Aga ose Banush Efendiu, por shpesh e thërrisnin edhe Banush Venxha, sepse kështu quhej vendi ku kishte jetuar në Greqi në zonën e Grevenasë. Bamirësia e familjes së madhe Mborja (Venxha) nuk shteri kurrë. Banushi la pas 7 fëmijë: Mustafajin, Osmanin, Hysenin, Mehmetin, Saliun, Rexhepin dhe Islamin. Fal kësaj familjeje të madhe që shkëlqente me mirësitë e saj, fshati Mborje mori pamjen e një qyteti, me dyqane dhe kafene të famshme si në asnjë vend tjetër. Vinin aty edhe nga Korça; myslimanë e të krishterë festonin bashkë. Në një nga kronikat e kohës shkruhet: “Nuri Efendiu, avokati, javën që shkoi bëri synet djemtë. Në dasmë kishte ftuar gjithë nëpunësit e qeverisë dhe shumë myslimanë e të krishterë. Darkën e bëri në kafenetë që janë nga Mborja. Një shumicë e madhe të ftuarish, me këngë dhe me muzikat e vendit, u zbavitën gjer në mëngjes. Atë natë shumë fishekë u hodhën sipër në qiell dhe shumë pushkë u zbrazën.”. (Gazeta Korça, 11 qershor 1909).

3-Në mëngjes Selim Mborja shkoi te pazari i Korçës, te  klubi i “Pellallit” dhe i la porosi pronarit të lokalit. Nëse vjen Qemali (djali i xhaxhait të Selim Mborjes), Mehmeti apo Syrjai (kushërinj të tij), sepse lokali ishte i preferuar i tyre, t’u thoshte që i kërkonte Selim Mborja dhe donte t’i takonte patjetër. Mehmet Mborja (Venxha) kishte mbaruar shkollën e policisë “Skuola Alleievi Carabinieri”, në Firencë të Italisë, dhe kishte njohuri mbi grupet e fshehta kriminale siç ishte njësiti gueril i Korçës. Në kryengritjen e ashtuquajtur të “Vorioepirit” më 2 prill 1914, sipas gazetës “Koha”, 15 maj 1914, Mehmet Mborja; komandanti i xhandarmërisë shqiptare, hollandezi Snellen Van Vallenhoven; Themistokli Gërmenji, konsulli i përgjithshëm amerikan Spenser, kapedan Kajo, Dervish File, Turhan Hysen bej Pirgu, Jashar bej Starova, Agush Çaushi e qindra të tjerë, luftuan trimërisht dhe ia dolën të çlironin Korçën. Por Selimi donte me patjetër edhe mendimin e Qemalit dhe Syrjait, nëse duhej të qëndronte apo të largohej përfundimisht nga Korça. U takuan te shtëpia sipër fabrikës së birrës. Bashkëshortja e Selimit, Fitretja, ndoqi me shqetësim gjatë gjithë kohës bisedën e burrave. Rreziku u vlerësua real. Njësitet guerile kishin filluar të eleminonin njerëz që nuk i pëlqenin regjimit që po vinte në pushtet. Miku që u kishte shkruar letrën kishte të drejtë. Ekzekutimi i tij mund të ndodhte nga dita në ditë. U pa e arsyeshme që Selimi të largohej nga Korça sa më parë. Kur kushërinjtë e tij u larguan, Selim Mborja vështroi një çast nga e shoqja dhe i tha: “Do të largohemi!”. Nga syri i Fitretes u shkëput një pikë loti: “Do të vij me ty kudo që të shkosh”, i tha ajo. Dhimbja e fshehur e burrit përshkoi gjithë qenien e Selim Mborjes.

4-Selim Mborja (Venxha) dhe bashkëshortja e tij, Fitreti, ende nuk e kishin vendosur ç’ditë do të largoheshin nga Korça. Për ta gjithçka ishte e padrejtë; vendimi i marrë nga njësiti gueril i Korçës ishte kriminal; po luhej me jetën e një familjeje të madhe patriotike. Babai i Selim Mborjes, Mustafaji, ishte kujdesur gjithnjë që edhe miqësitë t’i bënte me njerëz që e donin vendin. Në një rast të tillë shtypi shkruante: “Myftar Aga nga Sevrani, i cili më përpara ka qenë komandant i Xhandarmërisë së Korçës për të martuar të birë që pat zënë të bijën e Mustafa efendi Mborjes urdhëroi këtu bashkë me dhëndrin, zotin Kadri, i cili ka qenë kajmekan në Leskovik, në Tepelenë në Vlorë e gjetkë. Myftar Aga, si mori të renë, pardje u kthye për në Përmet. I urojmë me gaz dhe martonjësit u trashëgofshin!”. (Gazeta e Korçës, e enjte 22 vjesht’  e II-të).

Vetë Mustafa Mborja (Venxha) doli në mbrojtje të vendit që nga dita e parë e hyrjes së grekëve në Korçë më 7 dhjetor 1912. Ndihmoi kthimin e  njerëzve që ishin larguar për shkak të luftës. Emri i tij gjendet i shënuar te “Komisioni i të ikurve”, renditur me emrat më të nderuar të qytetit të Korçës: “Komisioni përbëhej nga: kryetari Abdyl Ypi. Anëtarë: Riza bej Zavalani, Tefik Rushiti, Qani bej Dishnica, Stavre Karoli, Petraq Kondi, Kristo Dako, Sadik Voskopi dhe Mustafa Mborja.”. (Gazeta Koha, e shtunë, 24 maj 1914).Kurse Abedin Mborja (Venxha), nipi u Mustafait ishte zgjedhur te “Komisioni i Marrëdhënieve”, i cili raportonte gjendjen te autoritetet vendase dhe të huaja. Anëtarë të këtij komisioni ishin: “Kryetar Emin Efendi, anëtarë: Maliq Bej, Ahmet Efendi kryetari i Bashkisë; Shaqir Efendi, Emin Efendi, Rakipi Aga, Abedin efendi Mborja, Miçe Çikozi, ( ka dhe një emër tjetër, por nuk lexohet), Abidin efendi Tregtari, Xhafer bej Luarasi, Mehmet Ali Bej, Rakip Aga Jemenli dhe Andrea Turtulli.”. (Gazeta Koha e shtunë, 24 maj 1914).
Gjatë kësaj kohe, një i afërm tjetër i familjes Mborja, Ismail Sali Mborja, më 1914-1915, sponsorizoi botimin e abetares shqipe të hartuar nga Jashar Agjahu. Botimi i saj u bë nga shtypshkronja “Korça”.

5-Kurse  Haki Mborja (Venxha), djali i xhaxhait të Selim Mborjes shkëlqeu me patriotizmin e vet. Lindi në Mborje më 1876, mësimet e para i mori në Korçë e më pas në Manastir. Studimet e larta për mjekësi i kreu në Stamboll, ku mori gradën më të lartë shkencore, atë të doktorit. Në vitin 1908 u emërua mjek në Bashkinë e Manastirit, ku u njoh me shumë patriotë që synonin krijimin e lëvizjeje për çlirim kombëtar. Në shtator të vitit 1908 u bë pjesë e shoqërisë “Dituria” dhe  “Përparimi”. Pas dy vitesh erdhi mjek në Bashkinë e Korçës. Më 16 qershor 1911, bashkë me botuesin e gazetës “Korça”, Sami Pojani, u bënë iniciatorë të krijimit të Komitetit të Kryengritësve. Po atë muaj Haki Mborja krijoi çetën e parë shqiptare dhe doli maleve. Bashkëpunoi me Bajo Topullin, Qamil Panaritin, Shahin Kolonjën etj. Çeta e tij u bë e njohur me luftimet e saj në Korçë, Devoll, Kolonjë, Opar, Gorë, Mokër, Gjirokastër dhe Elbasan. Përveç gazetave shqiptare për Haki Mborjen shkroi edhe gazeta londineze “Time”, kurse konsulli serb në Manastir i raportonte qeverisë së vet: “Në Korçë ka maleve mbi 500 vetë të prirë nga Haki Beu.”. Në gusht të vitit 1911 mori pjesë në Kuvendin e Kryengritësve të Elbasanit, organizuar në fshatin Shelcan për realizimin e veprimeve të përbashkëta. Më 1912 mori pjesë në shpalljen e Pavarsisë. Pas thyerjes së kryengritjes “Vorioepirote”, çeta e tij u bë mburoja e Korçës: territoret nga Guri i Cjapit deri te Grykat e Mborjes u bënë të pakapërcyeshme nga grekët. Që nga dita e krijimit të çetës së tij, Haki Mborja u quajt “Doktori kryengritës”. Me ardhjen e francezëve, ndihmoi për shpalljen e Krahinës Autonome të Korçës dhe mori pjesë në qeverinë e saj. Gjatë kësaj kohë ndihmoi në hapjen e 60 shkollave në krahinën e Korçës, përfshi edhe shkollën e Mborjes. Gjatë  vitet 1918-1920 qëndroi në mbrojtje të kufijve jugorë të Shqipërisë, mbështeti fort Kongresin e Lushnjës dhe qeverinë e saj. Më 1926 u zgjodh deputet, mori vota më shumë se Fan S. Noli, por më 1928 u largua nga politika sepse mbretërinë e shihte si të parakohshme në një vend si Shqipëria. Vdiq në shtëpinë e tij në vitin 1931.

6-Selim Mborja dhe bashkëshortja e tij, Fitreti, vendosën të shkonin në Selanik, atje kishin prona dhe një hotel, mjetet financiare nuk u mungonin. Ndërsa bënin gati plaçkat, Fitretit nuk i mbaheshin lotët. Një ditë më parë ishte përcjellë me njerëzit e saj në Starovë të Pogradecit.  Tashmë nuk do t’i shihte më të afërmit e vet, edhe kur të vdiset nuk do t’i vinte askush ta qante te varri. Edhe përtej vdekjes do të mbetej e vetmuar. Bashkë me ta kërkoi të udhëtonte edhe Koço Kota. Nuk i thanë jo, të dyja familjet udhëtuan bashkë. Me të mbërritur në Selanik, Selim Mborja u vendos në hotelin e tij privat. Nata e parë larg Korçës ishte e dhimbshme. Njerëz që vrisnin prapa shpine dhe pa asnjë arsye, e kishin detyruar ta linin Korçën. Ajo natë për Selim Mborjen mbeti nata më e vetmuar e jetës së tij. Në Korçë gjendej gjithnjë mes miqësh e shokësh. I pëlqente shoqëria edhe me profesorët e Liceut; takohej shpesh më ta: me Elmaz Ahmetin, Abaz Ermenjin, Fejzi Dobin,  Selman Rizën, Aqif Selfon, Abedin Shkëmbin, Aldo Çobën, Malo Kodrën etj. Profesor në Lice kishte qenë edhe Enver Hoxha, por me të nuk kishin patur ndonjë shoqëri të madhe. Vetë Enver Hoxha te libri i tij, “Kur lindi Partia”, shkruan: “Fundot, me Vangjo Turtullin, me Manot, me Katrot e shumë të tjerë të këtij kalibri si edhe me ata të kalibrit më të ulët, ishin përfaqësuesit e borgjezisë së krishterë… Kurse  Fazlli Frashëri, i vëllai Qazkës, Selim Mborja, Tefik Mborja, Rexhep Merdani e mjaft të tjerë si këta e më të ulët se këta, formonin opinionin e “elitës myslimane” korçare…”. Pra, nga sa shihet, miqësia e Hoxhës me parinë e Korçës nuk kishte ekzistuar. Ndoshta kjo ishte arsyeja që ai kishte kërkuar ekzekutimin pa gjyq të Selim Mborjes. Tejet e trishtuar ndihej edhe Fitreti, gruaja që ishte kujdesur gjithnjë për jetimët dhe familjet e varfëra të Korçës. Nuk kishte ditë të shënuar që ajo të mos pyeste Selimin: “Çfarë do të dhurojmë sot për familjet e varfëra? Dhe bënte të pamundurën që ndihma e ofruar të ishte e vlefshme për të kapërcyer hallet. Ajo ishte vërtet një shenjtore.

7-Fitreti doli në verandë, donte ta largonte mërzinë që po e lodhte aq shumë. Selaniku ishte i bukur, shkëlqente nga të gjitha anët, por edhe Korça e bukur kishte qenë gjithnjë. Që nga viti 1850 e kishin krahasuar me Izmirin, por me qenë se Izmiri cilësohej si Parisi i Mesdheut, për analogji Korçën e quajtën Paris i Vogël. Edhe Korça kishte patur ndriçim vite e vite më parë. Më 1911 instaloi sitemin e ri të ndriçimit: “Qeveria tonë (e Korçës) solli për provë një llampë sistem “Radium” me 350 fuqi dritë qiriri. Llampa ka dritë të bukur dhe kështu së shpejti do të sjellin më shumë llampa të këtilla që të ndritin qytetin dhe rrugët e gjëra. Përgëzojmë z. Ahmet Efendinë, kryesonjësin e qeverisë si dhe gjithë këshillonjësit për përpjekjet që bëjnë për të zbukuruar qytetin…”.  (Gazeta Koha, 17 mars 1911).

Më pas qyteti u pajis me gjenerator, por pas largimit të francezëve në majt të viitit 1920, makineria e prodhimit të energjisë nuk funksionoi më. Gazetat e Korçës shkruanin gjithë ironi: “Korça një goxha qytet, natën është pa drita. Duket se drita u prish sytë korçarëve, të cilët janë mësuar kaq vite tani pa drita natën. Nuk na pëlqen që ta besojmë se Bashkia nuk përkujdeset për të ndritur Korçën natën. Dimë që makina elektrike që kishin francezët mbeti këtu, përse nuk përdoret?” (Gazeta e Korçës, 21 korrik 1920).

Megjithatë, edhe viti 1924 Korçën e gjeti pa drita. Më 1925, Bashkia shpalli kushtet e tenderit për elektrifikimin e Korçës. Në lojë ishin dy shoqëri: “Xheneral Elektrik” e Selim Mborjes dhe  “Manseman”, shoqëria gjermane. Oferta më e mirë u dha nga Selim Mborja. Më 18 shtator 1925 filloi ndërtimi i centralit elektrik. Në prill të vitit 1926, plotësoi një pjesë të nevojave për energji. Elektrifikimi i plotë i  Korçës u njoftua nga shtypi: “Që pardje, me një marrëveshje të kryetarit të Bashkisë, shoqëria “Xheneral Elektrik” zuri të japë dritë për tërë qytetin e jo si më parë që jepte gjer më një pas mesnate.”. (Gazeta Koha, 6 nëntor 1926).
Vetëm që qyteti i Korçës të kishte dritë, shoqëria “Xheneral Elektrik” e Selim Mborjes shpenzoi tej parashikimeve. Gazetat  shkruanin: “Shoqëria “Xheneral Elektrik” për të kënaqur gjithë klientët e saj nuk mori parasysh shpenzimet e rënda që i ngarkohen, sepse populli dhe klientët dëshironin dritë.”. (Gazeta Koha, 6 nëntor 1926).

Pranë stacionit elektrik u ndërtua edhe një mulli i fuqishëm bluarje. Më vonë në vitin 1936, “Xheneral Elektrik” e Selim Mborjes ndërtoi në Vithkuq hirocentralin e parë në Shqipëri.

8-Selim Mborja nuk i kursente lekët kur e shihte se ndihma e tij ishte e nevojshme. Pasuria e tij vlerësohej nga të gjitha bankat: “Agjenti i Bankës vjeneze mori vesh kur ishte në Selanik, se një person nga qyteti i Korçës zotëronte një sasi të konsiderueshme monedhash floriri. Ai quhej Selim Mborja. Erdhi e takoi në shtëpinë e tij. Selimi e mirëpriti propozimin e agjentit për t’i depozituar në atë bankë florinjtë, por me një kusht, që përqindja e interesit t’i paguhej duke llogaritur jo sasinë e monedhave, por peshën e tyre në kilogram. Sekseri, i habitur për këtë kërkesë të padëgjuar gjer atëherë në asnjë vend të botës, njoftoi Bankën e Vjenës, duke thënë se ky bej korçar nuk i kishte paratë me grushte, por me bidona teneqeje. Banka mblodhi këshillin për të vendosur. Të nesërmen, gazetat vjeneze dhanë lajmin sensacional: “Një pasanik shqiptar detyron Bankën e Vjenës t’i bëjë një shtesë rregullores së vet!”. (Vangjush Ziko, Korça, kujtime dhe qyteti).

Kjo ishte dhe arsyeja pse Selim Mborja gjatë gjithë kohës që qëndroi në Korçë, ose ishte anëtar, ose kryetar në të gjitha shoqëritë e krijuara, sepse gjithkush e dinte që ai nuk kursehej financiarisht; mbështetja e bashkëshortes nuk i mungoi kurrë; ajo ishte një shpirt i dhimbsur. Emri i Selim Mborjes gjendet në federatatën “Vatra e Shqipërisë” me qendër në Korçë, te “Kryqi i Kuq”, te  “Sport Klub Korça” te komisioni për mbledhjen e ndihmave për ngritjen e Liceut të Korçës, pasi fondi prej 50.000 franga nga buxheti i shtetit ishte i pamjaftueshëm, te “Shoqëria Cinematro”, te “Oda Ekonomike”, te  “Tenis klub Korça”, te shoqëria “Këneta e Maliqit” etj, etj. Në vitet 1921-22 botoi gazeten “Jetë e re”, së bashku me Fazlli Frashërin.

9-Të gjitha këto bashkëshortët Mborja, i kujtuan natën e parë të mbërritjes në Selanik. Në mëngjes Selim Mborja u takua me sportelistin e hotelit. I vuri përpara një monedhë ari dhe i tha: “Një monedhë të tillë do ta marrësh çdo mëngjes, por nëse në hotel vijnë njerëz dhe pyesin për mua, ti do do t’u thuash “Selimi sapo doli” dhe ndërkohë do të më njoftosh. Përpiqu të mbash mend ç’tipare kishte personi, si ishte veshur etj.”. Njësiti gueril i Korçës mund të vinte edhe aty, dhe Selimi kishte patur të drejtë. Pas disa ditësh, dy persona pyetën nëse Selim Mborja ndodhej në hotel. Kishin arrestuar Koço Kotën dhe donin të merrnin me vete edhe Selim Mborjen. Makinën e kishin lënë diku afër hotelit. Operacioni sekret drejtohej nga Koçi Xoxe: “Selim Mborja, sapo doli,- u tha sportelisti, –  me të ardhur ai, vij unë te makina juaj dhe ju them.”. Ndërkaq vuri në dijeni Selim Mborjen. Sportelisti bërë përshkrimin e personave. “Paska ardhur Nevzat Haznedari!”, tha Selim Mborja. Mori të shoqen dhe dolën nga dera e prapme e hotelit. Do të shkonin në Stamboll. Para se të largohej porositi sportelistin: “Pas 5 minutash, shko thuaji personave që Selim Mborja u nis për në portit, do të shkojë në Turqi.”. Me të mbërritur te anija, i kërkoi drejtuesit të mjetit të priste edhe 5 minuta pasi i duhej të takohej me dikë. Dhe sërish Selim Mborja kishte patur të drejtë. Pas 5 minutash mbërriti Nevzat Haznedari: “Desha t’ju takoj…”, – i tha ai. “Dëgjo ti këlysh i Xhemiles, – i tha Selim Mborja, – familjen tënde e kemi mbajtur me bukë, por dije se do të vijë një ditë që gjithkush do të pështyjë në fytyrë.”. Pas këtij shkëmbimi replikash, anija nisi lundrimin drejt Stambollit.

10-Atë çast ia desh shpirti të pinte një birra Korça. E kishte ndërtuar vetë atë fabrikë, bashkë me italianin Umberto Uberti. Projekti i fabrikës “Birra Korça” u hartua vitin 1928. Ndërtimi i saj nisi në tetor të vitit 1929, mbi një sipërfaqe prej 20,000 metra katrorë me vlerë 350,000 franga ari, pronë e Selim Mborjes. Ujin e sollën nga mali i Moravës, 8 km, larg prej fabrikës. Fabrika u pajis me makineritë më të mira të kohës. Më 1931 filloi prodhimi. Regjistrimi i shoqërisë “Birra Korça” u bë në Odën Ekonomike të Korçës më 18 dhjetor 1933:  “Në bazë të shkresës nr. 2215 datë 18.12.1933 të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, me anë të së cilës urdhërohet transkriptimi i kopjes së aktit konstitues të shoqërisë anonime “Birra Korça” në regjistrin e tregtisë konform nenit 11 të Kodit Tregtar në fuqi, vërtetohet se akti konstitues i shoqërisë anonime “Birra Korça” i omolguar prej Gjyqit Kolegjial të Korçës (dega tregtare) me vendim nr 1, datë 8 nëntor 1933, u transkriptua në radhorin e posaçëm të Odës së Tregtisë së Korçës me nr 1 datë 18 dhjetor 1933. Shoqëria, siç rezulton nga kontrata me datë redaktimi 1 prill 1933, fillon më 1 prill 1933 dhe mbaron më 31 dhjetor 1956. (Gazeta e Korçës 19 dhjetor 1933).

Inaugurimi u bë pas 6 muajve: “Të hënë, më 4 të këtij muaji, më ora 5.30 pasdreke, u bë inaugurimi i fabrikës “Birra Korça” të shoqërisë Umberto-Mborja. Ishte ftuar një shumicë e madhe me autoritetet në krye. Të ftuarit e shumtë vizituan më parë fabrikën, e cila ishte në punim e sipër dhe admiruan maqinerinë e fabrikës ku ishin shtruar pa kursim birra me mezera të zgjedhura. Birra Korça është me të vërtetë prej kaliteti më të mirë se shumë birra të huaja, dhe e njëjta më atë të fabrikave më të dëgjuara gjermane. Z. Umberto Uberti dhe Selim Mborja pritën urimet e sinqerta të të gjithëve për mbarëvajtjen e shoqërisë së tyre. Shitja e birrës së Korçës filloi që dje. Çmimi i saj u caktua prej shoqërisë 4 lekë për shishet e mëdha dhe 2 për të vogla.”. (Gazeta e Korçës, e mërkurë 6 qershor 1934).Shoqëria punësoi 220 shqiptarë dhe 25 specialistë italianë. Ndërsa për t’u ardhur në ndihmë fermerve ngritën dhoma frigoriferike për prodhimet e qumshit. Fabrika u bë e njohur edhe për prodhimin e ujit “Kristal”.

11-Ndërsa po udhëtonin me anije, e shoqja iu drejtua Selim Mborjes: Si thua, a do të vijë dita të kthehemi përsëri në Korçë? Do të na marrë malli për njerëzit tanë? Fitretja fliste me zë të dridhur. Ndoshta, – iu përgjigj Selim Mborja, por e rëndësishme është që ne bëmë gjithçka për qytetin tonë. Nëse kthehemi, ti si gjithnjë do të merresh me bamirësinë, atje ku gjen kënaqësi shpirti yt.”. Fitretes sërish i rrëshqiti një pikë loti. Të kujtohet, i tha Selimi, pasi vizituam jetimoren, dhuruam edhe truall për ngritjen e spitalit të Korçës.  Në fytyrën e saj ndriti buzëqeshja. Veç kësaj Selim Mborja furnizoi me ujë të pijshëm një pjesë të qytetit; krijoi shoqërinë e tenisit, mbështeti grupet muzikore etj, etj. Shpresonte shumë që edhe të afërmit e tij të bënin gjithçka për Korçën. Dhe ata nuk e zhgënjyen: Selaudin Mborja, (kushëri i tij), liceist, përfundoi shkëlqyeshëm studimet për mjekësi në Sorbonë të Francës. Karrierën si mjek e nisi në spitalin Umberti I, në Romë. Me kthimin në atdhe punoi për shumë vjet në qytetin e Shkodrës. Sot njihet si një nga personalitet e mjekësisë shqiptare dhe si një nga themeluesit e spitalit ushtarak. Në vitin 2004 Selaudin Mborja u shpall “Nderi i Qarkut Korçë”; emrin e tij e mban poliklinika e qytetit të Korçës, kurse emrin e Haki Mborjes e mban shkolla 9-vjeçare e fshatit Mborje dhe një rrugë e qytetit të Korçës. Të gjithë fëmijët e Haki Mborjes shkëlqyen në profesionet e tyre. Skënderi studio për mjeksi në Turqi, nuk u kthye më në Shqipëri, u vendos në Australi ku shërbeu edhe si këshulltar i kryeministrit të asaj kohe;  vdiq në Australi. Saliu shërbeu si profesor në liceun e Korçës, kishte studiuar në Francë për shkencat botanike, më pas punoi si pedagog në Universitetin e Tiranës dhe si sekretar i Kuvendit Popullor. Petriti studioi në Hungari në degën ushqimore, kurse Demir Mborja, një tjetër person i këtij fisi të madh, ndërtonte me shpenzimet e veta çezma në lagjet e Korçës; si çezma më e bukur e tij përmendet “Çezma e zonjës” në lagjen Kasaba.

12-Në fisin e madh të Mborjarve (Venxhave), shkëlqyen edhe gratë.  E para ishte, Fitretja, bashkëshortja e Selim Mborjes, sipas shtypi të kohës: “Fitrete Mborja ishte aktiviste e shoqërive të emancipimit të gruas, kish lindur rreth vitit 1893. Ishte anëtare e shoqërisë “Gruaja Shqiptare dhe ka organizuar festime, ballo mondane në vitet 30. Gjithashtu, çifti  Mborja solli në Korçë për herë të parë një piano me porosi në Paris. Emiri i saj përmendet edhe për bamirësi të ndryshme. Së bashku me Ballkëze Frashërin, Ismete Sali Zavalanin, Drita Elmaz Vilën, Zenepe Dalip Sheqerxhiun, Asije Ymer Fazlliun, Nevrije Leskovikun etj, u bënë bashkëpunëtoret më të mira të princeshës Senije Zogu, kryetare e Grave të Shqipërisë”.

Haki Mborja kishte tri vajaza: Liria studioi për drejtësi, Shpresa për mësuesi, ndërsa Drita shkëlqeu si aktiviste në shoqatën e grave. Reshideja, bija e Mehmet Mborjes (Venxha), u martua me Asim  Mborjen, i cili kur pa se ndërtimi i spitalit të Korçës po vonohej, ndërtoi me shpenzimet e veta një ndërtesë dykatëshe me 28 dhoma, e cila shërbeu si spital nga viti 1930 deri në vitin 1935.

Kurse Ifetja, mbesa e Sali Haki Mborjes u martua me Tosun Selenicën. Shtypi i asaj kohe shkruante:  “Që njëdizaj nisi në Prefekturë zyra e Xhandarmërisë Ndjekse nën komandën e z. kapiten Ferid Frashëri dhe togerit Tosun Selenica.”. (Gazeta e Korçës, 9 tetor 1920).

Kurse Naxhia, bija e Sulejman Mborjes, bashkë me Tefik Mborjen shënuan martesën e parë civile në gjithë prefekturën e Korçës. Shtyi njoftonte: “Dje Bashkia jonë afishoi shpalljen e parë për martesë.  Z. Tefik Mborja, shef i seksionit të administratës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe zonjusha Naxhie Sulejman Mustafa Mborja, kërkuan shpalljen e martesës së tyre e cila do të celebrohet në Bashkinë e Korçës. Z. Tefik Mborja, i cili inauguroi martesën civile në Prefekturën tonë, njihet mirë midis të gjithëve për inteligjencën dhe kulturën e tij. Çiftit të parë që po martohen, i urojme jetë të gjatë e të lumtur!”. (Gazeta e Korçës, 25 prill 1929).

Pra edhe gratë e fisit Mborja (Venxha) ishin një hap më përpara nga gratë e tjera të prefekturës.
13-Me të mbërritur në Stamboll  bashkëshorët Selim dhe Fitrete Mborja u vendosën në shtëpinë e Idaetes, vajza e Sulejmanit, vëllai i Selim Mborjes, që ishte martuar në Stamboll. Atje qëndruan deri në fund të jetës së tyre. Thuhet se në vitet e pleqërisë Fitretja  pati një mall të madh për t’u kthyer në shtëpinë e saj. “Kishim një shtëpi të bukur, – thoshte gjithnjë ajo, – me pemë e lule.”. Mrekullia e hapësirës që rrethonte shtëpinë e tyre i dedikohej Qemal Mborjes, djalit të xhaxhait të Selimit, i cili kishte studiuar për agronomi në Turqi. Ishte një nga specialistët më të mirë të Korçës së bashku me Demir Alizotin. Ai mbolli rreth shtëpisë së Selimit të gjitha llojet e pemëve dhe të gjitha llojet e luleve. Shtëpia dukej si një parajsë që as në përalla nuk e gjeje dot. Fitretja i gëzohej gjithçkaje që ishte e bukur. Ashtu si gjithë të tjerët edhe Qemali ishte i pasur, kishte aksione në Minierën e Mborjes, kurse biri i tij, Fiqiri Venxha, studioi për Drejtësi. Punoi si kryesekretar i Gjykatës së Korçës; implementoi me sukses, sipas frymës perëndimore, Kodin Civil dhe Tregtar. Megjithatë, edhe pse kaluan vite e vite, as Fitretja dhe as Selim Mborja nuk u kthyen më në qytetin e Korçës. Selim Mborja u nda nga jeta më 3 prill 1952, e shoqja vdiq vite më vonë me brengën për t’u kthyer edhe një herë në shtëpinë e saj, por vila ku banonte ajo, ishte bërë rezidenca e Enver Hoxhës, aty qëndronte ai, sa herë vinte në Korçë për të kaluar pushimet e verës. Megjithatë, përsa i përket bamirësisë ndaj jetimëve dhe të varfërve, bashkëshortja e Selim Mborjes, Fitretja, mund të quhet pa asnjë dyshim, Zonja e Parë e Korçës.

Shënim. Për realizimin e këtij shkrimi u ndihmuam edhe nga kujtimet e të afërmëve të Selim Mborjes.

Filed Under: Histori Tagged With: bën dritë, edhe sot, Selim Mborja (Venxha), Vepror Hasani

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar
  • “Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të interesave Kombëtare”!
  • Kalendar: 24 Marsi 1999, Dita që i hapi shteg Lirisë e Pavarësisë së Kosovës
  • LIRIE (LYDIA) MEMETI, NJË HISTORI SHQIPTARE FRYMËZUESE
  • Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë!
  • Tregimi për zonjat e suksesit shqiptar- ideja që jeton pa kohë
  • Ish-diplomati Syla, ftesë qeverive tona t’i promovojnë shtetet në SHBA, Kanada dhe Izrael

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT