• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diktatura vdiq, Korça është gjallë

December 20, 2015 by dgreca

U përpoqën për ringjalljen e Korçës, përfunduan në burgje dhe internime. Diktatura vdiq, Korça është gjallë/
Nga Vepror Hasani/
Pas vitit 1912 banorët e Korçës kaluan vite të vështira. Me ardhjen e ushtrisë greke, (7 dhjetor 1912), pazari u plaçkit dhe banorët morën arratinë. Qytetit i mbetën vetëm muret. Mjerimi dhe tmerri ishte i madh. U kthyen sërish kur erdhën francezët, 22 tetor 1916. Me ikjen e tyre, (24 prill 1920), nisën të mendonin për ringjalljen e Korçës. Nuk ishte e lehtë, por e kishin ngritur me duart e tyre dhe u dhimbsej. Kur Korça iu bashkua Qeverisë së Tiranës, më 26 prill 1920, festuan deri në agim.
***
Muaj më vonë, më 28 nëntor 1920, festuan në Xhami ngritjen e flamurit. Këndonin dhe qanin. Festa nisi dy ditë para. Qyteti u mbush me flamurë:
Pas të premtes, “Të shtunë mbrëmanet, 27 nëntor, më ora 7, banda kombëtare “Vatra” vajti në gjithë zyrat qeveritare dhe lojti disa marshe të zgjedhura, dhe pastaj shëtiti në disa rrugë të qytetit duke u pasuar (shoqëruar) prej një shumice të madhe prej popullit. …Të dielë, 28 nëntor, më ora 9 në mëngjes, u bë në Xhami lutje ku u ndodhë gjithë zyrtarët dhe një shumicë e madhe prej populli sa nuk i nxinte Xhamia. … Që nga Xhamia të gjithë vajtën në Kishën e “Shën Gjergjit” ku u bë lutje…”.
(“Gazeta e Korçës”, e mërkurë, 1 dhjetor 1920)
***
Korça priste t’i rikthehej shkëlqimi. Nga banorët e saj u mendua ngritja një godine të madhe dhe të bukur qeveritare ku të vendoseshin të gjitha zyrat e shtetit sepse qyteti ishte zgjeruar mjaft. Fshati Peskëpi, ose Varoshi, siç u quajt më vonë, ku jetonin ortodoksët, tashmë ishte pjesë reale e Korçës. Përpjekjet e para për të qenë bashkë u bënë më të prekshme më 1879 kur Korça u bë bashki, por dy komunitetet vijuan të qëndronin të ndara së paku deri në vitin 1914. Ideja e ngritjes së godinës qeveritare u kundërshtua nga një grup banorësh të Varoshit. Për ta, gjithçka e re duhej të ndërtohej në Varosh. Varoshi do të ishte Korça e re. Si u zgjidh ky konflikt? Përgjigjen e gjeni në fund të këtij shkrimi, por nëse dëshironi të krijoni një ide më të qartë, ndiqeni rrëfimin që nga ngjarja e parë.
***
Një nga ngjarjet e para që u prit me kënaqësi ishte krijimi i xhandarmërisë:
“Që njëdizaj nisi në Prefekturë zyra e Xhandarmërisë Ndjekëse nën komandën e atdhetarëve z. kapiten Ferid Frashëri dhe togerit Tosun Selenica”.
(“Gazeta e Korçës”, 9 tetor 1920”

Korça i kishte 4 ndërtesa ushtarake të ndërtuara që nga viti 1892:
“… Këto janë 4 ndërtesa të reja të bukura që u ndërtuan nga themelitë më 1892 më të mëngjër të udhës së madhe kur shkojmë në Manastir, ndë mes të lumit të Barçit dhe Shelgjeve të Gorgurit. E para nga këto, që është edhe më e bukura, është për kryetarët e ushtrisë, e mesmja është për të mbajtur rroba, armë dhe të tjera gjëra të ushtrisë, të dyja këto janë me dy kate; edhe e treta për të ndenjur ushtarët, është e vogël me një kat se Korça është vend klyç ushtrie (pra nuk është vend stategjik). E katërta ndërtesë, e cila është prapa së mesmes, është e vogël, e mbuluar mirë, e mbështjellë me mure të forta; këtu mbajnë fishekë, barutnë etj, të cilat më parë i mbanin më një ndërtesë të vogël afër Qeverisë dhe Burgut. Prapë një ndërtesë e vogël është në lindje të Qeverisë, të cilën edhe këtë e kanë për të ndenjur ushtria që bën shërbimin në qytet (xhandarmëria).
(Ilia Ballauri, Korça Encyclopedica, Nr. 6 f. 103)
***
Banorët Korçës u ndjenë të lumturuar kur vunë re se në qytetin e tyre po vinin sërish njerëz të artit dhe të kulturës, këngëtarë dhe prestigjiatorë për të dhënë shfaqje. Korça nuk kishte vdekur:
“Një dervish jabanxhi prej Shkodre, nesër të diel do të dëftejë disa mrekulli të Rafahive, të vërteta. Ay që s’beson mund të vijë të shikojë ato shishe, të cilat do të jepen në dorë për të besuar. Sefte ngulen shishkat, pastaj shuhet hekuri i kuq me gjuhë dhe së fundi merr topuzë e theret me të. Biletat shiten në han të Alo Beut në “Udhën e Postës” që më ora 3-5, dhe astaneli fillon që më ora 5”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë 28 korrik, 1923)
***
U mendua për një spital të ri. Selim Mborja dhuroi truallin për ndërtimin e tij:
“Në numrin e njëditshëm patëm shkruar se Selim Mborja dhuroi në jetimët e Jetimores nga një kostum, rroba për shpirt të të ndjerëve, atit dhe vëllait të tij, kështu edhe një arë (truall) që t’ia falë Bashkisë për një spital. Sot po marrim vesh se z. Selim Mborja po përpiqet për ta mbaruar me qëllim që të shkruhen emrat e të ndjerit Mustafa dhe Selim Mborja si shenjë mirësie….” (Spitali do të mbante emrin Selim dhe Mustafa Mborja)
(Gazeta “Koha”, 26 korrik 1924)
***
Për vajzat dhe gratë u hapën vende pune. Nazima Ypi ngriti trikotazhin e Korçës. Shtypi njoftonte:
“Një rast i mirë për vajzat dhe gratë që dëshirojnë të mësojnë mjeshtërinë e trikotazhit dhe të qepurit. Ju bëhet e njohur të gjithë të intersuarëve që dëshirojnë të punojnë në fabrikën tonë, për të marrë gjithë çkoqitjet le të adresohen në godinën e Ali Efendi Qytezës ku ishte internati i vajzave që u transferua tani. N. Ypi&C”.
(“Gazeta e Korçës” e mërkurë 28 korrik 1926)
***
Për Korçën teatri ishte bërë domosdoshmëri. Lëvizja teatrore mori jetë për herë të parë nga klubi i shqiptarëve “Dituria shqip” e Orhan bej Pojanit më 1908. Tashmë udhën e tij po e ndiqte profesor Ali Cungu:
“Një pjesë e djemve të shkollës teknike po bëjnë një turne në tërë Shqipërinë duke shfaqur drama dhe komedira. Këta djem janë nën drejtimin e profesorit të asaj shkolle, të zotit Ali Cungu…”
(“Gazeta e Korçës”, e mërkurë, 28 korrik 1926)
***
Spitali i Selim Mborjes nuk po ngrihej. Kryetari i Bashkisë, Vasil Avrami, siç njihet prej kronikave të kohës, zvarriste realizimin e projekteve. Banorët e Korçës e zgjidhën vetë. Mehmet Panariti vuri në dispozicion shtëpinë e tij:
“Spitali i shtetit, i këtushëm, transferohet prapa Xhamisë së Madhe në shtëpinë e Mehmet Panaritit, cilido që të ketë nevojë, le të urdhërojë atje”.
(“Zëri i Korçës”, e martë 5 tetor 1926)
***
Korça me radiogram. Te Xhamia u vendos edhe një zyrë radiogrami për t’u ardhur në ndihmë njerëzve për dhënie-marrjesh njoftimesh dhe lajmesh. Post-Telegrafa, siç dihet, funksiononte që nga viti 1871:
“Sikundër ishte vendosur para një viti, arritën këtu veglat e një radiogrami të vogël dhe po instalohet në një shtëpi pranë Xhamisë”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 18 shtator 1926)
***
Në xhami u instalua energjia elektrike:
“Këtë javë u instalua elektrik në Xhaminë e Madhe të qytetit tonë , jashtë dhe brenda. Pas pak kohe do të instalohet dhe në dy xhamitë e tjera. Përgëzojmë iniciatorët e kësaj vepre se është një vepër përparimtare”.
(“Zëri i Korçës, 23 tetor 1926)
***
Fazlli Frashëri, mik i Faik Konicës, mori përsipër ringjalljen e shoqërive sportive të filluar nga klubi i shqiptarëve “Ditura shqip”:
“Këto ditë u themelua këtu në Korçë klubi sportiv nën kryesinë e z. Fazlli Frashëri, i cili kohët e fundit po tregon një energji me pasion për organizimin e sportit. Këto ditë do të kërkojnë lejen e qeverisë dhe do të nisin nga veprimet…”.
(“Gazeta e Korçës”, 17 gusht 1926)
***
Agronomi Demir Alizoti u kujdes për krijimin e hapësirave të gjelbra në qytet, mbjelljen e luleve, pemëve etj. Ai u vu në krye të një shoqërie të madhe bujqësore, ndihmoi edhe prodhimin bujqësor. Nën kujdesin e tij u krijua lulishtja “Princesha Senije Zogu”, “Themistokli Gërmenji” dhe “Lëndina e Lotëve”.
(Referenca, “Gazeta e Korçës”, 15 mars 1927
***
Tefik Lamçe krijoi shoqërinë “Shëndeti”, për realizimin e ndërtimeve që përmirësonin cilësinë e jetës së banorëve, si: furra buke, fabrikë biskotash, hamame dhe ndërtime të tjera të këtij lloji:
“Në tri vitet e fundit qyteti ynë pati fatbardhësinë të zbukurohet me disa ndërtesa moderne e sistematike. Një prej këtyre që u nis vjet në verë është në të mbaruar e sipër. Kjo është ndërtesa e banjove që ngriti shoqëria thjesht shqiptare “Shëndeti”, pranë Jetimores. Sipas informatave që kemi, për së shpejti do të bëhet inaugurimi i banjave, të cilat plotësojnë një nga nevojat më të para që ka patur qyteti ynë. Është e para ndërtesë kësidore që ndërtohet në Korçë dhe ndofta e vetmja në tërë Shqipërinë dhe nga më të mirat në tërë Ballkanin”.
(“Zëri i Korçës”, 15 maj 1928)
***
Demir aga Mborja vendosi të ndiqte shembullin e Mehmet pashë Plasës, i cili në vitin 1798 ndërtoi ujësjellësin e parë të Korçës. Edhe Mborja gjithçka do ta bënte me shpenzimet e veta:
“Z. Demir aga Mborja, i cili nga koha në kohë ka lënë kujtime duke ndërtuar çezma, disa ditë më parë, me shpenzimet e veta ndërtoi një tullumb uji në Pazarin e Madh të drithit. Vepra e tij duhet të bëhet shembull për të tjerë dhe gëzohemi që ay të lërë kujtime të tjera si këto ngaqë është i pasur dhe ka qëllimin kurdoherë për bamirësi. Shpresojmë se mirëbërësia e tij do të vazhdojë për të mirën e popullatës”.
(“Zëri i Korçës”, 1 mars 1930)
***
Kaluan 6 vjet, spitali nuk po ndërtohej. Atëherë, Asim Mborja, një tjetër banor i pasur i Korçës, vendosi të ndërtonte një spital me shpenzimet e tij:
“Marrim vesh se zoti Asim Mborja po ndërton një ndërtesë shumë të mirë ndë anë të qytetit, në udhën e Kolonjës. Ca miq të tij i thonë që ta bëjë në (atë) mënyrë që të shërbejë si spital sepse, siç është e ditur, nuk kemi ndonjë ndërtesë të saktë për t’u instaluar spitali i shtetit të këtushëm”. (Spitali pati dy kate dhe 28 dhoma)
(“Zëri i Korçës”, e shtunë, 23 gusht 1930)
***
Ringjallja e sportit, krenari për Korçën. Fazlli Frashëri kërkoi ndihmën e Qemal Omarit dhe Servet Teufik Agajt të linin Stambollin e të vinin në Korçë: Dhe ata e lanë Stambollin, erdhën të dy. Omari mori rolin e kapitenit të përgjithshëm. Në një nga kronikat e shtypit thuhet:
Z. Qemal Omari ka njëzet vjet që po merret me futbollin. Disa vite më parë ka marrë pjesë edhe në skuadrën nacionale të Turqisë, vjete me radhë ka qenë sekretar i përgjithshëm i Federatës së Stambollit, ku shërbeu për sa u kthye në atdhenë e tij. Është një arbitër internacional me kartë arbitri FIFA-s (Federation Internacional de Football Association). Në kohërat e fundit organizoi në Stamboll një shoqëri të re sportive “Istambulspor”, e cila sot ndodhet në kategorinë e parë dhe skuadra e saj futbollistike fitoi vjet kupën e atij qyteti”. (Më 1933 Korça u shpall kampione).
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 6 qershor 1931)
***
Korçës i duhej një gjykatë e re. Ajo u ndërtua nga deputeti Bexhet Frashëri:
“Gjykatorja e këtushme u instalua në godinën moderne të ngritur rishtazi prej deputetit z, Bexhet Frashëri. Kjo godinë u rindërtua sipas dëshirës dhe planit të kërkuar prej nëpunësve dhe ndodhet në mes të Tregut, ku nevojtarët gjejnë lehtësirat e duhura, pasi lokali i mëparshëm ndodhej larg nga Tregu”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë 26 shtator 1931)
***
Major Hysni Dema formoi shtëpinë e oficerëve:
“Të dielën pasdreke u bë inaugurimi i shtëpisë së oficerëve të trupave të Korçës që do të shërbejë me restorant, kafe e sallë këndimi. Shtëpia u formua me iniciativën e komandantit të grupit z. major Hysni Dema, që pat formuar shtëpinë e oficerëve në Shkodër”
(“Gazeta e Korçës”, e martë, 15 dhjetor 1931)
***
Për burrat mundësi të reja punësimi. Selim Mborja ngriti fabrikën e birrës. U punësuan 220 veta dhe 25 specialistë italianë:
“Të hënën, më dt 4 të këtij muaji, ora 5.30 pas dreke, u bë inaugurimi i fabrikës “Birra Korça” e shoqërisë Umberto-Mborja. Ishte e ftuar një shumicë e madhe me autoritetet në krye. Të ftuarit e shumtë vizituan më parë fabrikën, e cila ishte në punim e sipër dhe admiruan makinerinë e fabrikës. Ishin shtruar pa kursim birra me mezera të zgjedhura
Birra e fabrikës Korça është me të vërtetë prej kualiteti më të mirë se shumë birra të huaja. Ajo është e njëjtë me atë të fabrikave më të dëgjuara gjermane. Uberti dhe Selim Mborja pritën urimet e sinqerta të të gjithëve për mbarëvajtjen e shoqërisë së tyre. Shitja e birrës së Korçës filloi që dje. Çmimi i saj u caktua prej shoqërisë 4 lekë për shishet e mëdha dhe 2 lekë për të voglat”.(Konstituimi i fabrikës ishte bërë më 18 dhjetor 1933)
(“Gazeta e Korçës”, e hënë, 4 qershor 1934)
***
Për prodhuesit dhe tregtarët, ambiente frigoriferike. Bashkëpronari i “Birra Korçës”, Umberto Umberti, pohon:
“Ishim të parët ne që u pajisëm me ujë e korent, (energji elektrike) ujin e famshëm të malit Morava që e solli fabrika jonë, furnizon sot një pjesë të madhe të qytetit. Ishim të parët në Shqipëri që krijuam për të mirën e vendit magazinat figoriferike, me të cilat do të pasurojmë më vonë tërë qytetet, atje ku prodhohet më tepër djathi, bulmeti u përmirsua dhe njëkohësisht prodhonjësit e tij shpëtuan nga spekullimet e specialistëve të huaj. Nuk është një gjë e vogël kjo, kur mendojmë se Shqipëria prodhon një sasi të madhe bulmeti, sasia që gjen sot prodhimin e saj më të përsosur”.
(Gazeta “Tomorri”, 18 korrik 1942, shkruar nga Petrit Avreni)
***
Më në fund, pas 11 vitesh spitali u ngrit mbi truallin e Selim Mborjes, por as dje dhe as sot, spitali nuk mban emrin e Selim dhe Mustafa Mborjes edhe pse amanetin nuk e tret as dheu.

Selman Xhuçi ngriti në oborrin e spitalit një shatërvan:
“Në kopështin përpara godinës sëspitalit të shtetit u ndërtua një shatërvan i bukur me të hollat e dhuruara prej Selman Xhuçit”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë 31 gusht 1935)
***
Mbështetje për institucionet arsimore. Xhafer Luarasi dhe Lutfi Zvalani shtëpitë e tyre i kthyen në konvikte për liceun e Korçës:
“Internati i liceut kombëtar të Korçës, siç dihet, ndodhet pranë shkollës fillore mashkullore nr 1 te ura e Hyqymetit të vjetër. Ndërtesa është prona e trashëgimtarve të Xhafer Luarasit. Shtëpia është mjaft e përshtatshme, sidomos me ndërtimet e reja, me të cilat është plotësuar kohë pas kohe, ka dy kate, përveç katit pas tokës dhe nga një oborr mjaft të gjerë në të dy anët e saj. Në 2-3 vjetët e fundit është marrë me qira edhe një ndërtesë aty pranë, kundrejt Postës së vjetër, një shtëpi e mirë e Lutfi Zavalanit”.
(“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 6 nëntor 1937)
***
Tashmë kemi mbërritur te ngritja e godinës qeveritare.
Çfarë ndodhi? E mësojmë tani. Kërkesa e parë për ngritjen e kësaj ndërtese u bë më 1921, por gjithnjë thuhej: Nuk ka fonde.
“Këshilla administrative vendosi që të ngrihet një ndërtesë e madhe ku të përmblidhen të gjitha zyrat qeveritare. Por, me qenë se për ndërtimin e kësaj, arka publike jep vetëm 93.000 franga ar, dhe se për të mbushur shumën duhet të formojë një komision për të mbledhur të holla nëpër popull. Ndërtesa do të ngrihet përsëri në atë vend ku ishte hyqymeti i vjetër në kohën e Turqisë.
(“Posta e Korçës”, 6 shtator 1921).
***
Kërkesa e banorëve të Korçës për ngritjen e godinës qeveritare nuk reshti asnjëherë, por asgjë nuk bëhej. Pas 15 vitesh çështja u mor sërish në shqyrtim:
“Me iniciativën e prefektit z. Ismet Kryeziu, pardje u bë një mbledhje e gjerë për çështjen e ngritjes së godinës qeveritare në këtë qytet. Pas shpjegimeve që dha zoti prefekt mbi dobinë e madhe të kësaj vepre, për të cilën ka siguruar edhe një shumë të hollash nga shteti, mbledhja pranoi me duartrokitje proponimin e zotit prefekt dhe u formua një komision për të mbledhur ndihma. Në fushatën e ndihmave do të marrë pjesë i tërë qarku. Iniciativa e zotit prefekt meriton tërë lavdërimet se ndërtimi i një godine qeveritare ku të përmblidhen të gjitha zyrat është një lehtësi e madhe për popullin dhe më anën tjetër edhe qyteti do të zbukurohet me një godinë madhështore. Prandaj jemi të sigurtë se populli nuk do të kursejë ndihmat, por me kënaqësi do të përgjigjet për ngritjen e godinës qeveritare”.
(Gazeta e Korçës, 9 janar 1936).
***
Një grup tregtarësh të Varoshit dolën kundër godinës qeveritare. Në faqet e shtypit shkruhej:
“Odës së Tregtisë iu paraqit një shkresë me shumë nënshkrime prej tregtarëve të qytetit, të cilët kërkojnë prej asaj Ode, që të intervenojnë pranë Komisionit për ngritjen e godinës qeveritare, që kjo të mos ngrihet atje ku është vendosur, por në vendin ngjitur me Bankën Kombëtare, pasi ky vend është në qendër dhe më i përshtatshëm”.
(Gazeta e Korçës, e premte 24 janar 1936)
***
Kërkesa e tregtarve të Varoshit u shpërfill edhe nga mbreti Zog. Banorët e Korçës e ngritën ndërtesën qeveritare me shpenzimet e tyre. (Sigurisht një pjesë e fondeve u dha nga shtetit, por dhuruesit ishin të shumtë). Projekti u hartua nga arkitekti Qemal Butka. Ndërtesa qeveritare ka 2 kate, 85 dhoma dhe 1 kat të nëndheshëm. (Në këtë ndërtesë u vendos Prefektura, sot Bashkia e Korçës). Guri i parë në themelet e ndërtesës u vu nga ministri i Brendhshëm Et’hem Toto. Ja çfarë tha ministri për grupin e Varoshit që doli kundër godinës qeveritare:
“Pastaj e mori fjalën shkëlqesi e tij, ministri Toto, i cili çfaqi kënaqësinë e tij të madhe për hedhjen e gurit të parë të themelive të kësaj ndërtese madhështore në qytetin më të bukur të Shqipërisë.
Për këtë vend, (vendi ku u ndërtua godina qeveritare) – shtoi z. ministër, – u bënë shumë fjalë, porse ato kanë patur qëllime personale. Korça, e cila ka dhënë gjithnjë shembull atdhetarie dhe që në vija të përgjithshme përparimi e zhvillimi qëndron më lart nga çdo qytet tjetër i Shqipërisë, nuk duhet të ketë parasysh interesat individuale, porse të mejtojnë gjithnjë për të mirën e kolektvitetit. Është koha që të gjithë shqiptarët të mejtojnë shqiptarisht…”
(“Gazeta e Korçës”, e martë, 11 gusht 1936)
***
Pas tri vitesh Shqipëria hyri në luftë. Me përfundimin e saj u instalua diktatura. Ata që u përpoqën për ringjalljen e Korçës përfunduan në burgje dhe internime, u arrestuan si borgjezë, si pronarë dyqanesh, hotelesh, magazinash, hanesh, fabrikash etj. Korça u rrëmbye nga diktatura. Gjatë kësaj kohe Korça pësoi gjymtime të herë pas herëshme, por ajo sërish shkëlqen si për t’u treguar të gjithve se është e papërsëritshme.
***
Dhuruesit
Lista e tyre është tepër e gjatë, për këtë arsye veçuam dhuruesit nga 100 franga ari e lart:
Selim Mborja 1000
Rexhep Merdani 500
Ismail Haki Deveja 500
Muhamet Zavalani 400
Bexhet Frashëri 400
Sali dhe Rexhep Qeska 400
Adem Vila 300
Kristaq Kosturi 300
Afëz Xhafer 300
Muhamer Abidin Liço 300
Shefqet Abidin Tuxhari 240
Vëll. Baçe Mborja 200
Faik Dishnica 200
Tefik Panariti 200
Qazim Frashëri 200
Tefik Mborja 200
Qani Sulejman 200
Maliq frashëri 200
Hysen Nikolica 200
Qamil Qyteza 200
Hysen Refit Dvorani 120
Shaban Plasa 200
Kasëm Sakolli dhe shoku 150
Emin Menkulasi 150
Elmas Ahmet 150
Hysen Iljaz Kole 150
Musa Hoshi 150
Mehmet R. Babani 120
Osman Dalip Zeme 120
Selim Mborja 100 franga ari
Lytfi Zavalani 100
Xhemal Kostreci 100
Vëllazëria M. Mano 100
Vëllez. Ll. Terova 100
Faber dhe Avakian 100
Hysen Myteveli 100
Bektash Melçani dhe shoku 100
Mehmet Shtylla 100
Sheraf Emin 100
Vllazëria Haxhi Zëmblaku 100
Hysen Qyteza 100
Izet Adem 100
Rifat dhe Selim Kacithika 100
Dr. Hivzi Kasimati 100
Neki Jaup Frashëri 100
Muharrem Pepellashi 100
Ing. Sotir Plluska 100
Myrteza Haki Bejlli 100
Subhi Arif Bejlli 100
Vëllazaria Zahara 100
Fadil Ismail Garo 100
Petraq Katro dhe vllezëria 1000
Fiqret Hasan Çelo 100
Bijtë e K dhe M. Lakos 100
Baba Zylfo 100
Orgonizata koperativa 100
Tashko Ilo 100
Sali Doko 100

NDIHMAT QË ERDHËN NGA FSHATRAT
(Në franga ari)
Melçani 140
Biranj 180
Vinçani 431
Dvoran 358
Voskop 925
Pendavinj 233
Nizhavec 164
Kreshpanj 79
Plasë 387
Zëmblak 854
Podgorie 424
Pojan 1234
Zvezdë 700, dhuruan edhe 15.000 ok gërqele, dorëzim në Korçë
Pirg 161
Libonik 147
Çaushli 160
Kolanec 189
Sovjan 124
Zvirinë 48
Bickë 57
Senishtë 43
Plovisht 35.50
Leminot 38
Symizë 26
Gocë 17.80

Filed Under: Histori Tagged With: Diktatura vdiq, Korça është gjallë, Vepror Hasani

Mustafa Aranitasi, themeluesi i qeverisë së parë shqiptare në Korçë

November 20, 2015 by dgreca

Nga Vepror Hasani/
 Qeveria shqiptare e Korçës e krijuar nga Mustafa bej Aranitasi dhe e mbështetur nga oficerët hollandezë mbahet mend për mposhtjen e kryengritjes së armatosur “vorioepiriote” të 2 prillit 1914 dhe ngritjen e flamurit kuq e zi mbi Korçë. Nga kjo kryengritje e përgatitur prej dhespotit Gjermanos për të kërkuar bashkimin e Korçës me Greqinë mbetën 112 të vrarë.
 Ngjarjet rrodhën me shpejtësi. Ushtria shqiptare prej 250 vetash hyri në Korçë më 2 mars 1914. Koloneli grek Kondulis nënshkroi dorëzimin e Korçës. U formua Këshilli i Qeverisë shqiptare. Oficeri hollandez, major Johan E. Snellen van Vollenhoven mori komandën e Mbrojtjes së Korçës. Bashkë me kapitenin Jetze Doorman organizuan xhandarmërinë shqiptare. Vunë në në përdorim vulën zyrtare me shqiponjën dykrenare në mes, me nënshkrimin “Comission de Controle Provisore Korça” (Komisioni i Kontrollit të Përkohshëm, Korçë. I kërkuan dhespot Gjermanos shpërndarjen e “batalioneve të shenjta” (Ierus loqus), të krijuara prej tij pas vizitës së Jorgos, birit të mbretit Kostandin në Korçë, më 16 maj 1913.
 Qeveria pati këtë përbërje: Pandeli Vangjeli, prefekt; Abdyl Ypi, nënprefekt; Themistokli Gërmenji, shef policie dhe Hysen Nikolica, komisar policie. Pas kësaj, Mustafa beu shkoi në Kolonjë për ngritjen e qeverisë shqiptare edhe atje. Përplasja mes forcave të Qeverisë së Korçës dhe andartëve të dhespot Gjermanos nuk do të vononte.
 Dhespoti i Korçës ndihej i favorizuar. Ushtria greke kishte bërë sikur ishte larguar, por në të vërtetë një pjesë e saj ishte fshehur në Mitropoli, të tjerë te spitali grek dhe pjesa tjetër përrenjve përreth Korçës. Batalionet e shenjta prej 1000 vetash qëndronin të armatosura.
 Qeveria shpejtoi ngritjen e trupës së parë të xhandarmërisë. Organizoi paradën e parë ushtarake për të demonstruar forcën. Njerëzit vetofroheshin për të qenë në shërbim të Korçës. Për këtë arsye ata u quajtën “vetëdashës”. “Kurrë s’do të harrohet dita e diel, që për të parën herë në histori të Përlindjes së Shqipërisë, nacionalistët mundën të shikojnë një nga dëshirat e gjalla që ëndërronin; kurrë s’do të harrohet themi, se të gjithë që muarrë këtë detyrë ishin me gjithë zemër vetëdashës dhe jo zordashës si ishte në kohët e kaluara, vinin nga frika e kërbaçit dhe e bajonetës…”
(Gazeta “Koha”, 18 mars 1914).
 Fillimisht numri i xhandarëve ishte 120, por çdo ditë regjistroheshin të tjerë. Edhe Gjermanos vijonte me përgatitjet. Nga trupa e vetëdashësve nisën të dilnin qëllonjëtarët e parë (snajperat), si Kristo Pema, Qerim Butka, Koli Kaluci Zenel Plasa etj, prej të cilëve do të krijohej batalioni i qëllonjtarëve. Në Moravë u dërguan 1500 burra të armatosur për të qenë gati në mbrojtje të Korçës.

Dita e kryengritjes mbërriti. Më 2 prill 1914, rreth orës 03-04.00 të mëngjesit, qeveria shqiptare u sulmua nga kryengritësit e dhespot Gjermanos. “Batalionet e shenjta” u vunë nën komandën e Jorgji (Gjergji) Sulios. Gaqo Busho zuri vend te vreshtat e qytetit për të mos i lejuar kapedan Kajos hyrjen në Korçë. Doktor Harisiadhi, (Epaminodha i Mit’hat Harizit), me 400 veta do të pengonte ardhjen e mborjarëve në ndihmë të Korçës.  Ushtarët grekë që rrinin të fshehur përrenjëve, u lajmëruan të niseshin urgjentisht.
 Kryengritja zgjati 5 ditë e 5 netë. Në krye të forcave të qeverisë dolën: komandant i Mbrojtjes së Korçës, majori Johan E. Snellen van Vollenhoven; kapiteni Jetze Doorman; kapiten i xhandarmërisë Leopold de Gilard; kapiteni i misionit hollandez, Reimers në Pogradec;  konsulli amerikan, major Harold Sherëood Spencer; Themistokli Gërmenji, Abdyl Ypi, Hysen Nikolica, major Mustafa Elmazi, kapiteni Sadik Rexhepi, doktor Osman Feriti, leitant Ismail Hakiu, Ferit Frashëri, Riza bej Helmësi, Dervish Filja i teqesë së Turanit etj. Princ Vidi përcillte urdhërat nga Durrësi dhe ndiqte më vëmendje çdo hap të kryengritjes. Fundi i kryengritjes u shënua me ardhjen e çetave të kapedan Kajos, Agush Çaushit, Muharrem Moglicës, Zalo Prodanit, Gani Butkës etj. Nëpër rrugët e Korçës u gjetën 112 të vrarë
 Andartët e dhespot Gjermanos u mbyllën në shtëpitë e tyre duke nxjerrë nëpër dritare flamujt e bardhë të dorëzimit. Më pas nisën të dilinin me duartë lart. U bënë shumë arrestime. U arrestua edhe dhespoti Gjermanos.
 Në mbrojtje të Korçës mbërritën edhe gegët. Tmerri i grekomanëve u bë edhe më i madh. Përgjonin me ankth çfarë do të ndodhte. Hajdar Blloshmi në krye të 300 trimave tha: “Neve gegët e kemi për detyrë të vijmë në ndihmë dhe të luftojmë për të shpëtuar dhe liruar Toskërinë nga armiku barbar, më parë edhe për Korçën se është e ditur dhe e provuar që Shqipëria pa Korçën s’mund të rrojë dhe të përparojë siç duhet”.
(Gazeta “Koha”, 3 maj 1914).
 
Bashkë me Hajdar Blloshmin kishte mbërritur dhe Shaban Blloshmi me të tjerë. Më pas arriti edhe tabori i xhandarmërisë së Tiranës: “Ardhja në Korçë e taborit të xhandarmërisë së Tiranës nën komandën e z, Shaban Adil lë të kuptohet edhe një herë më shumë vëllazëria e shqiptarëve. Vetëdashësit e Korçës duke bërë nderimet dhe gjithë populli e pritën me një gëzim të madh dhe me këngë kombiare”.
(Gazeta “Koha”, e shtunë, 3 maj 1914)
 Princ Vidi vijonte të interesohej për Korçën, dërgonte armë dhe veshje për ushtrinë, ndërsa grekomanët ende nuk gjenin dot qetësi:  “Gjer më sot arrinë nga Durrësi në Korçë 400 barrë me armë dhe 500 barë me fishekë. Armët janë nga më të mirat, të sistemeve të reja. Gjithë oficerët që kemi pyetur kanë mbetur fort të kënaqur … Nesër priten të arrijnë në Korçë dhe 12 topa që dërgoi qeveria jonë nga Durrësi. Topat, siç mësojmë, janë nga më të mbaruarat (përkryerat) që kanë dalë deri më sot”… Uniformat që porositi Qeveria e Korçës për ushtrinë e Korçës është fort e pëlqyer dhe e bukur. Pas tri ditësh shprehemi që do të jenë gati të vishen nga ushtria…”.
(Gazeta “Koha”, e shtunë, 3 maj 1914)
 Ndërkohë u ngrit një komision për analizimin e ngjarjes, ku “…të fajimit do të gjykohen prej komisionit nderçim (të ndershëm), që u formua nga z, prefekt Pandeli Vangjeli, nënprefekt Abdyl Ypi, komandanti hollandez Snellen van Vollenhoven, dhe Kristo Floqi”
(Gazeta “Koha” e enjte 17 prill 1914)
Grekomanët prisnin të merrnin vesh kush do të arrestohej…

Filed Under: Featured Tagged With: Mustafa Aranitasi, shqiptare në Korçë, themeluesi i qeverisë së parë, Vepror Hasani

Dy amerikanët, engjëjt mbrojtës të shkollës së parë shqipe të vashave në Korçë

November 17, 2015 by dgreca

Amerikanët Rev. Phineas Kennedy dhe zonja e tij Violet Kennedy, engjëjt mbrojtës të shkollës së parë shqipe të vashave në Korçë
Nga Vepror Hasani/
Kur shkolla e parë shqipe e vashave në Korçë, 7 vjet pas çeljes së saj, (1891-1908), rrezikonte të mbyllej, motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi kërkuan mbrojtjen dhe përkrahjen financiare të misionit protestant anglo-amerikan. Nuk vonoi shumë dhe ata dërguan njerëzit e tyre. Më 26 mars 1908 mbërritën në Korçë bamirësit protestantë amerikanë Rev. Phineas Barbour (Barber) Kennedy dhe zonja e tij Violet R. (Bond) Kennedy, bijë e misionarit protestant Luis Bond. Sevastia nuk po u besonte syve: Bordi amerikan me qendër në Boston kishte dërguar në Korçë shoqen e saj të fëmijërisë Violet Bond.
Qiriazët ishin nga fshati Perasi i Kolonjës, por rrugët e emigrimi i çuan fillimisht në Tërnovë dhe më pas në qytetin e Manastirit. Aty u njoh me Violeta Bond (Kennedy). Vitet e fëmijërisë i kaluan bashkë. Kur ishte 4-5 vjeçe, Sevastia shkoi në një shkollë greke, por për shkak të shëndetit të keq që pati ato kohë, nuk qëndroi gjatë aty. U regjistrua në shkollën plotore amerikane të Manastirit që e kishte afër shtëpisë. Pas përfundimit të saj, vijoi studimet në kolegjin amerikan të vajzave në Stamboll. Ëndërronte të bëhej mësonjëse e vashave. Kjo ishte dhe ëndrra e vëllait të saj, Gjerasimit, edhe mëmëdhetarët prisnin të shihnin mësonjësen e parë shqiptare.
Që t’i përfundonte studimet sa më shpejt, u regjistrua në vitin e dytë. Provimet e vitit të parë i dha me sukses. Pas tre vjetësh, në qershor të vitit 1891, me diplomë në dorë, e veshur si djalë, shkoi në burgun Jedi Kule. Lajmin e parë që ishte bërë mësuese deshi t’ia jepte Koto Hoxhit, që mbahej në burg. Koto Hoxhi nuk donte ta besonte. Sevasti Qiriazi kishte hyrë në qelinë e tij. I tha që ishte bërë mësuese, që do t’u mësonte vashave shqiptare gjuhën shqipe, që vëllai i saj, Gjerasim Qiriazi kishte përgatitur çeljen e shkollës së parë shqipe të vashave në Korçë etj, etj. Thonë që në sytë e Koto Hoxhit pati lot.
Përgatitjet për nisjen e Sevastisë drejt Korçës u bënë pa vonesë. Naim Frashëri, që atë kohë punonte në Ministrinë e Arsimit, regjistroi diplomën saj. Leja për çeljen e mësonjëtores u dha me dekret perandorak. Shkolla u regjistrua në emër të Gjerasim Qiriazit, përfaqësues i “Shoqërisë Biblike” britanike në Stamboll për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Mësonjëtorja do të kishte mbrojtjen e “Shoqërisë Biblike” angleze. Ajo kishte lejen e Portës së Lartë për të ushtruar veprimtarinë e saj në Perandorinë Osmane. Mësonjëtorja u çel më 23 tetor 1891. Një vit më pas, Gjerasim Qiriazi themeloi shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore”. Edhe kjo shoqëri do të ishte në mbrojtje të shkollës. Megjithatë, që nga dita e parë e çeljes së mësonjëtores e deri më tani kur mbërriti çifti Kennedy (mars 1908), vështirësitë për të mbajtur mësonjëtoren hapur kishin qenë të shumta.
Sevastia e njohu z. Rev. Phineas Kennedy dhe shoqen e saj të fëmijërisë Violet Kennedy me vështirësitë që kishte kaluar shkolla shqipe e vashave. Intrigat dhe sulmet e klerikëve të kishës greke në Korçë nuk kishin patur kurrë të pushuar. Gjithçka gjendet e shkruar edhe në kronikat e kohës:
“U fol shumë se gjoja shkolla e re synonte t’u prishte fenë ortodokse shqiptarëve, se, duke frekuentuar atë shkollë, vajzat do të bëheshin protestante, se rruga e shkollës shqipe dhe gjuha e përdorur në të ishte në kundërshtim me parimet fetare dhe me mësimet e Krishtit etj, etj. Njkohësisht përhapën fjalë nëpër qytet se prindërit myslimanë që do të dërgonin fëmijët e tyre në këtë shkollë do të internoheshin menjëherë nga autoritetet qeveritare”.
(Hysni Myzuri, “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Tiranë 1973, f 101.)
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, dhespoti i Korçës kishte kërkuar vrasjen e Gjerasim Qiriazit. Në pragvjeshtën e parë u tentua atentati i parë, dy muaj më vonë u tentua për herë të dytë. Fatmirësisht vrasësit u zbuluan në kohë në të dy rastet. Patën frikë ta shkrehnin armën. Mësonjëtorja ishte nën mbrojtjen e misionit anglo-amerikan, dhe kjo gjë u shkaktonte frikë. Nuk mund të dilnin hapur. Megjithatë, Mitropolia e Korçës ia arriti qëllimit. Kur Gjerasimi pati një gjendje jo të mirë shëndetësore, njerëzit e kishës bashkëpunuan me mjekët. E helmuan më 4 janar 1894, kur ishte 32 vjeç.
Ndaj, kur Sevasti Qiriazi pa të vinte në Korçë shoqja e saj e fëminisë me bashkëshortin mori frymë e lehtësuar. Mësonjëtorja e vashave do të ishte më e sigurtë. Mbrojtja e shkollës nga amerikanët ishte vërejtuar edhe nga Edit Durham që nga viti 1904, kur vizitoi Korçën. Në librin e saj “Brenga e Ballkanit” shkruan:
“…Meqenëse Korça është një nga qytetet që Greqia kërkon ta aneksojë, dhespoti grek i Korçës është kundër mësimit të gjuhës amtare. Kurse shkolla e vajzave deri tani i ka bërë ballë çdo furtune, sepse është nën mbrojtjen e austriakëve dhe amerikanëve”.
Pas ardhjes së çiftit Kennedy mësonjëtorja e vashave u ndje më e qetë. Ata u bënë engjëjt mbrojtës të mësonjëtores nga sulmet e Mitropolisë greke dhe vrasësve të paguar prej saj: Në atë kohë Phineas B. Kennedy shkruante:
“Ata (klerikët grekë) mund të kërcënojnë prindërit dhe fëmijët , por ne do të vazhdojmë t’i mbajmë brenda shkollës në konvikt dhe e vetmja gjë që mund të bëjnë është që të më marrin mua nga shtëpia me forcë – sepse unë kurrë nuk do të lejoj të mbyllet kjo shkollë’’.
Rev. Phineas Kennedy dhe zonja e tij Violet Kennedy praktikuan metodën amerikane të studimit, sollën një mendësi tjetër, mbajtë ngjallë dëshirën e vashave për të mësuar gjuhën shqipe, ndihmuan familjet e varfëra të vajzave, jetimët dhe të vobektët e qytetit të Korçës dhe të fshatrave. Por me të mbërritur ushtria greke në Korçë, ata u vunë nën kërcënimin e armëve. I detyruan të largoheshin. Gjatë vitit 1914, Phineas dhe Violeta ofruan ndihmën e tyre për njerëzit që ishin vendosur te ullinjtë e Vlorës për shkak të maskrave të kryera në Shqipërinë e Jugut nga ushtria greke.

Rikthimi i çiftit Kennedy pas Luftës së Parë Botërore

Për rikthimin e Phineas dhe Violeta Kennedy-it në Korçë iu referuam kryesisht shtypit të kohës Ngritja e jetimores prej tyre ishte një vepër e lavdërueshme për banorët e qytetit. Ja çfarë shkruhet:
“…Me të filluar kjo jetimore prej Kryqit të Kuq amerikan u mblodhë mjaft fëmijë jetimë të cilët qenë hedhur rrugëve prej fatit të keq, ku u mveshën dhe u ngopnë me bukë. Kështu që sot ndodhen përmbi 20 fëmijë në jetimore. Përkujdestarë të jetimores me të filluarit u emërua zonja dhe zoti Thanas Mborja, të cilit kanë vënë një rregull kaq të mirë sa s’bëhet. Jetimët gjetën në këta, nënën dhe atin, të cilët bota e shkretë s’i la të shijojnë dhe ata dashurinë e prindit…”
“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 7 gusht 1920)
Me të ardhur në Korçë çifti Kennedy u vendos pranë Xhamisë së Madhe të qytetit. Në lagjet e Kasabasë ekzistonin kushtet dhe mundësitë që ofronte koha. Banesat e saj vijonin te jepeshin me qira edhe më vonë. Dy konviktet e vajzave të Liceut Kombëtar ishin: njëra shtëpia e Xhafer bej Luarasit dhe tjetra e Lutfi bej Zavalanit. Për vajzat e trikotazhit u mor si konvikt shtëpia e Ali efendi Qytetzës. Qeveria e Krahinës Autonome e Korcës u vendos në shtëpinë e Lutfi bej Mehmetit. Aty u akomoduan edhe murgeshtat katolike gjatë kohës së luftës. Në shtëpinë e tyre pranë xhamisë mblidheshin të rinj, të rritur, gra dhe fëmijë. Në një prej kronikave thuhet:
“Duke nisur që të dielën që vjen (25 të këtij muaji) do të bëhet lëçitje në gjuhën inglisht çdo të dielë mbrëma më ora 7.30 në shtëpi të zotit Kennedy, prapa Xhamisë së Madhe. Thema këtë të diel do të jetë: Të rinjtë dhe qëllimet e tyre”. Të tjera mbledhje që bëhen atje janë: të dielave, mësim i së dielës për fëmijë më ora 9-10 edhe lëçitje për njerëz të tjerë më ora 10.30-11.30. të premteve mbledhje pasdreke për gra me zonjën Kennedy më ora 3-4”
(“Gazeta e Korçës”, e mërkurë, 21 nëntor 1923)
Violeta Kennedy-in e gjejmë edhe si nënkryetare të grave të Korçës:
“Dje pasdreke, një shumicë gra të mbledhura në sallën e kinemasë “Majestik”, formuan degën e shoqërisë ‘Gruaja shqiptare” që është themeluar para ca kohe nën kujdesin dhe patronazhin e Nalt Madhërisë së Saj, Mëmës Mbretëreshë dhe nën kryesinë e Naltësisë së Saj, Princeshës Sanije Zogu… Kryetare e mbledhjes u zgjodh zonja Violet Kennedy dhe sekretare zonja Eftimia Loni Kristo. Zonja Kennedy mbajti një fjalë të shkurtër dyke shpjeguar rëndësinë e mbledhjes… Pasi u përndanë biletat filloi votimi, i cili u bë me vota të fshehta dhe rezultoi kështu: zonja Violet Kennedy, nënkryetare me vota të plota, zonja Eftimia Loni Kristo, sekretare me 30 vota, zonja Efigjeni Mëria, arkëtare me 24 vota. Këshilltare: Zonja Ismete Sali Zavalani me 31 vota, zonja Viktori Mosi me 23 vota, Zonja Balkëze Frashëri me 15 vota dhe zonja Fiqiret S. Mborja me 14 vota…”
(“Zëri i Korçës”, 9 korrik 1929)

Gjithashtu, në saj të kronikave mësojmë se Phineas dhe Violet Kennedy blejnë në Korçë një truall për shkollë dhe punë evangjelistike:
“Pardje, të diel, në bregun e njohur si bregu i Onço Kullës, i blerë prej Rev. B. Kennedy për shkollë dhe punë evangjelistike për mësim amerikan, u vu përpara një shumice njerëzish, guri i themelit për një ndërtesë të vogël, e cila do të përdoret si një pjesë e shkollës misionare. Toka e sipërpërmendur u ble me ndihmat e bashkënxënësve dhe miqve të Rev.Ph Kennedy dhe zonjës së tij nga Universiteti Princeton dhe nga Kolegji Mount Holyoke, për punë filantropike në misionin amerikan. Pas një fjale që mbajti Rev. Ph. Kennedy shtoi që toka dhe çdo tjatër ndërtesë që mund të ndërtohet dedikohet për shërbim te Perëndia dhe për të ruajtur principet e fjalës së Tij për të shpëtuar karakterin e këtij kombi”
(Gazeta e Korçës, e martë, 19 maj 1931)
Ardhja e Kennedëve në Korçë u prit me kënaqësi të veçantë. Këtë të vërtetë e gjejmë edhe te një artikull përmbledhës për ta, të cilin po e sjellim paksa të shkurtuar:
“…Zoti dhe zonja Kennedy në vendin tonë kanë një lidhje miqësie dhe dashurie që zë vëndin e parë në kronikën e lëvizjes shoqërore shqiptare të shekullit të njëzet.
Z. Kennedy, ky amerikan shpirtmirë, ka ardhur në shqipëri më 1908. Gjatë këtyre 29 vjetëve aktivitetin e tij, këshillat e tij i ka konsakruar për shqiptarët dhe për vendin tonë. Nuk ka dhënë kontributin e tij vetëm në edukime dhe ngushëllime morale, po ka shtrirë dorën dhe me të holla për fatkeqët. Si i ngarkuar nga Kryqi i Kuq e nga të tjerë mirëbërës amerikanë në kohërat më të kritikshme t’okupacionit të huaj në Shqipëri, ka shëtitur dhe nëpër fshatra për të shpërndarë ndihma në të mjeruarit. Për të mos hequr dorë nga qëllimi dhe nga parimet e tij të përcaktuara ka duruar me stoicizëm të gjitha peripecitë e vështirësitë. E kanë shtrënguar disa herë nevoja të lërë shqipërinë e të vejë në Amerikë që prej 1908, po asnjëherë nuk e harroi vazhdimin e misionit në këtë vend që i ka dashur aq fort, veçanërisht në Korçë e në qarkun e këtij qyteti. Z. Kennedy ka fituar një popullaritet me rrënjë. Në tërë kohën që veproi, shkolla e tij në edukatë e në methodha të ndjekura, u gjend një njeri i denj për barrën q’i qe besuar. Aktivitetin e tij e ka përdorur në të gjitha sheshet që kanë patur nevojë shqiptarët. Qytetarë dhe fshatarë kanë gjetuar pranë tij lehtësira e udhëzime për shumë çështje dhe korrespondenca që kanë patur të bëjnë me Shtetet e Bashkuara. Për njerëz më terë kuptimin e fjalës, altruistë si zoti Kennedy dhe Zonja Kendey bota shqiptare duhet të jetë mirënjohëse. Për njerëz që nuk lëvizin këmbë e duar për rroga, po bashkë me lodhjen tretin dhe pasuri për t’u fshirë lotët fakir-fukarasë, shoqëria duhet të jetë shumë detyronjëse…”
(Gazeta e Korçës, e martë 13 prill 1937)Rev. Phineas Kennedy dhe zonja e tij Violet Kennedy qëndruan deri në vitin 1939. Ata do te mbahen mend gjithashtu për shkollën e parë amerikane në vendin tonë.
“Arsimi dhe pedagogjia amerikane e kanë zanafillën e tyre në Shqipëri që në vitin 1908, atëherë kur erdhi në Korçë çifti amerikan Violeta e Fines Kenedi”.
(I. Gogaj: Shkolla teknike e Harri Fulci, f.7)

Filed Under: Histori Tagged With: dy engjej mbrojtes, Korce, Phineas dhe Violet Kennedy, te shkolles shqipe, Vepror Hasani

Teodor Vaso dhe emra të mëdhenj sportistësh i dhanë dritë futbollit shqiptar

October 31, 2015 by dgreca

Ne foto: Teodor Vaso/
Përgatiti për Diellin Vepror Hasani/
Për mjeshtrin e merituar Teodor Vaso, dekoruar me medaljen e artë për merita të shquara në sport, futbollist nga vitet 1957-1973 dhe trajner nga viti 1973 e deri pak vite më parë, vijnë një sërë vlerësimesh nga koleget e tij, nga trajnerët, gazetat vendase dhe të huaja. Bashke me emrin e Todo Vasos gjejmë dhe shumë emra të tjerë futbollistësh të talentuar. Të gjithë së bashku formojnë një konstelacion yjesh që nuk do të kenë të shuar. Cilët janë ata? Do t’i gjeni më poshtë.
Trajneri sovjetik N.M Lukshinov, nëntor 1960:
E gëzueshme për futbollin shqiptar është se kanë dalë mjaft të rinj: Halili, Pano, Bushati, Frashëri, Dingu, Pilika, T. Vaso, Mema etj, që janë një e ardhme e mirë e futbollit tuaj.
Gazeta Hurriyet, 14 aralik 1970, Turqi-Shqipëri:
Vlerëson me skedinë me nota yje ekipin shqiptar: Dinella 1 yll 2 zëvëndësues, Dhales 2, Berisha 2, Ziu 2, Vaso 4, Çeço 3, Ragami 3, Pano 3, Zhega 2. Gazeta vlerëson me 4 yje Teodor Vason si lojtarin më të mirë të ekipit shqiptar për ndeshjen
Gazeta “Hurryet”, 14 aralik 1970: Turqi-Shqipëri:
Golin e shënoi Ziu, kurse mesfushori rregullator i lojës Vaso dhe centëralfi Bizi ishin maja e shkëlqyer e lojës së tyre
Helmut shën, 17-12.1967: Unë dua t’i bëj një kompliment shumë të madh skuadrës shqiptare dhe trajnerit të sajm kolegut tim Loro Boriçi. Më pëlqyen Shllaku, Pano, Mema dhe Vaso. Shllaku është një kapiten i mirë. Dëshiroj që skuadra shqiptare të luajë përherë kështu: mirë, fort, bukur.
Helmut shën, 17.02.1971: ndonse fituam, barazimi do të ishte më i drejtë, pra do të isha dakord edhe me rezultatin 1-1. shqiptarët nuk shënuan më shumë se ne. më pëlqyen lojtarët tuaj sidomos Bizi, Vaso, Dinella e si ngaherë Pano
Koço Dinella, “Sporti popullor”, 26 tetor 1982:
Shembuj të një pune të tillë unë i gjeta aty në ekip: Janku, Frashëri, Vaso, Mema etj u bënë për mua frymëzues për stërvitje me ngarkesa të larta
Ilia Shuke, trajner i kombëtares shqiptare në lokalin “Berluskon”, pas bisedës në RTVSH: “30 vjet ndeshje me RFGJ”
Teodor Vaso është mbrojtësi i majtë më i mirë deri më sot i ekipit kombëtar shqiptar
Maksim Tuxhari, trajner i Skënderbeut 1974-1981:
Të jesh i suksesshëm duhet të jesh njeri me vlera dhe pikërisht ky është çelësi i suksesit në karrierën futbollistike të mikut tim Todo Vaso. Në memorien time nuk shlyhen kurrë pamjet e lojës së tij si mbrojtës i nivelit ndërkombëtar. Ai fiton gjithmonë duelet futbollistike me sulmuesit rivalë, por njëherësh duke u bërë konkludues i shquar i golave për skuadrën tonë Skënderbeun; si kapiten i ekipit ishte organizator i cilësuar.
Besnik Dizdari, “Sporti shqiptar” 26.03.1995:
Edhe unë, si shumë të tjerë, e dua Skënderbeun, historinë të cilën e ka bërë Samsuri, e Plluska, Servet Gora e Klani Marjani e madje dhe Anton Mazreku. Mbas luftës Skënderbeu është personifikim i koçes, Larës, Qirinxhiut, Ndinit, Lubonjës, Çelës, Miles, tuxharit, Prodanit, Dvoranit, Pilikës, e raqi piskut, të cilët vetëm luftuan të mbanin një traditë. Skënderbeu është i Todo Vasos – legjendës së kombëtares së Shqipërisë, stoikët e paharrueshëm të Gjermanisë
Sabah Bizi, gazeta “AKS” 3.4 qershor 1995
Të luaje me futbollistë të tillë shqiptarë, si F. frashëri, L.Shllaku, R. Ragami, T.Vaso, e P. Pano ose kundër Shnelinger, Overat, Bekenbauer, Myler, Xhoiç etj., është jo vetëm një kënaqësi por edhe obligim i madh
“Intervista”, 5 tetor 1998:
Todo Vaso, idhulli i tifozave korçarë
Dhimitër Xhambazi 1999, në shpalljen e 11 futbollistëve më të mirë korçarë për shekullin:
Idhulli im ka qenë Teodor Vaso. Unë u them brezave të futbollit që janë edhe sot, të mësojnë jo vetëm nga niveli futbollistik, por nga gjithë jeta e tij, nga gjithçka sesi ai jeton regjimin që ka vënë në shërbim të futbollit
Medin Zhega, trajner i kombëtares shqiptare 2001 nga biseda, , në RTV Shqiptar, mars 2001
Kishim një ekip me futbollistë shumë të talentuar, mund të them se këta janë këtu: Teodor Vaso, Ali Mema, që ishin anëtarë të atij informacioni të madh 1976, sigurisht edhe P. Pano, më i madhi futbollist shqiptar, S.Bizi, R. Ragami, unë thashë Teodor Vaso, Ali Mema, L. Shllaku, M. Gjika.
Besnik Dizdari, “Futbolli shqiptar- magazinë”, 08 tetor 2003:
Forca dhe elasticiteti i portierit Mikel Janku, përballë të cilit qëndronte treshja e pakalueshme e mbrojtjes Mihal Gjika- Spiro, Gjika- Teodor Vaso, e udhëhequr prej përvojës së pagabueshme të korçarit të madh, 11-shi i trajnerit Refik Resmja regjistronte në historinë e tij një kujtim madhështor të futbollit. Është një perlë që vazhdon të shndrisë. Dy ndeshje Partizani-Torino kupa e kupave të Evropës.
Ramazan Bigza, “Sporti shqiptar”, 4 maj 2006:
Dikur ka ekzistuar karakteri sportiv. Në fushat e futbollit nuk ka më futbollistë si Muhamet Dibra, Preng Gjeloshi, Skënder Halili, Refik Resmja, Frederik Çapaliku, Hajrullah Lekaj, Teodor Vaso, Sabah Bizi, Lefter Millo etj. Ata i dhanë lojës shpirtin e pastër, gjithçka, që do të thotë forcë karakteri. Është kjo arsyeja pra, forca e karakterit, që i ngriti ata në lartësitë e të quajturit symbol.
Kostaq Mizaku, “Panorama sport”, 9 shkurt 2006:
Emri më i madh i futbollit korçar në gjithë historinë e tij është ai i mjeshtrit të merituar të sportit Teodor Vaso, i cili pa asnjë dyshim përbën një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar për shekullin e kaluar
Mexhit Haxhiu, Mjeshtër i madh, nëntor 2013:
Cilësitë e spikatura të lidershipit, kondicioni i shkëlqyer fizik
Pandi Balli, trajner kombëtar, në librin “100 vjet sfida sportive të qytetit tim”:
Vaso ka luajtur në të gjitha rolet përjashto portier në ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Është shënues i shumë golave, në veçanti me ekipin e Skënderbeut në sezonin 1968-1969. Futbollisti i talentuar, Teodor Vaso, nuk do t’i ndahet futbollit, vazhdon edhe në të ardhmen të japë kontributin e tij të çmuar si trajner me moshat e vogla dhe me të rinjtë. Vlerat e tij kanë qenë dhe mbeten tepër të mëdha. Shembull frymëzimi për brezat që do të pasojnë, shpirti i tij luftarak për t’u admiruar.
Vladimir Muzha, 4 nëntor 2013:-Është kënaqësi e veçantë për mua të shpreh mirënjohje dhe respekt për këtë figurë të shquar të sportit shqiptar dhe nder për Korçën që lindi këtë djalë. Pata rastin të takohem me Teodor Vason në Korçë pak javë më parë dhe u ndava i përmalluar dhe i pangopur për të shijuar mirësinë dhe kulturën e këtij sportisti të madh. Profesor Vaso, respekte!
Niko Faberi, takimi i Todo Vasos me trajnerin gjerman:Mund të them shumë për cilësitë sportive dhe morale të Vason, që janë faktuar gjatë 50 vjetëve. Dua të veçoj atë që nuk e kam lexuar në dhjetra vlerësime. Helmut Shën, trajneri i shquar i R.F Gjermane në përfundim të ndeshjes me kombëtaren tonë më 1967, përpara tribunës qendrore të stadiumit “Q. Stafa”, ka shkuar posaçërisht dhe i ka dhënë dorën Vasos për lojën e shkëlqyer që zhvilloi. Ja një personalitet që Bashkia e Korçës është e vonuar për ta bërë qytetar nderi.
Vladimir Ngjela-Teodor Vaso, një emër i madh i futbollit shqiptar, ka skalitur veprimtarinë e vet futbollistike në mermer për të mos u harruar kurrë. Me një shkëlqim të fortë në lojën e tij ai interpretonte me mjeshtëri të lartë veprimet mbrojtëse dhe sulmuese të lojës moderne në rolin e mbrojtësit të krahut.
Vepror Hasani

Filed Under: ESSE, Sport Tagged With: emra te medhenj, sportistesh, Teodor Vaso, Vepror Hasani

Histori mërgimtarësh-Vdekja misterioze e poetit dhe piktorit 18- vjeçar, Bledi Llangozi

September 26, 2015 by dgreca

Nga Vepror Hasani/

 Bledi do të kthehej në shtëpi të shtunë, më 26 korrik. Ishte viti 1997. E pritëm gjithë ditën ardhjen e tij, por ai nuk po dukej. Kur po afronte mbrëmja nisëm të shqetësoheshim. E motra, Mira, priste që të hapej dera dhe ai të hynte brenda nga çasti në çast. Ndoshta do ta pyeste: “Pse u vonove vëllaçko, të kemi pritur gjithë ditën!” Edhe i vëllai, Artani, nuk po dukej më i qetë. E përhumbur kishte mbetur edhe nëna e tij. Sytë e saj dukeshin sikur pyesnin vazhdimisht: “Shumë na u vonua ky djalë sonte, duhej të kishte ardhur deri më tani? Ti ketë ndodhur gjë, që po vonohet kaq shumë?”…  Mua nuk po më mbante më vendi. Një parandjenjë e keqe po na mbante peng të gjithëve…” Me këto fjalë e  nis rrëfimin e tij për djalin e vet Elmaz Llangozi, ushtarak, me origjinë nga Berati, banues në Korçë që nga viti 1963, tashmë i moshuar, emigrant në Selanik, e ndërsa flet sytë i mbushen me lot. Ai e ndjen që po loton, por nuk mundet ta fshehë dot trishtimin. Vështron i dëshpëruar dhe duket sikur kërkon të thotë: “Më falni, po nuk e mbaj dot veten. Dhimbja ime është e madhe, ajo do të më ndjekë hap pas hapi deri në fund të jetës time. Nuk kam për ta harruar kurrë lajmin e zi të asaj dite. Një orë më vonë shqetësimi ynë u bë edhe më i madh,- vijon rrëfimin e vet Elmaz Llangozi. Djalit tonë diçka i kishte ndodhur. Befas na mbërriti lajmi i zi. Dikush na tha se Bledi ishte gjetur i mbytur në detin e Halkidhiqisë. Atë që sapo kishim dëgjuar nuk mund ta besonim dot. Pata përshtypjen se qielli u përmbys dhe ra sipër nesh, na zuri poshtë të gjithëve. Mbaj mend  që m’u errësua gjithçka. Përpiqesha të bindja veten se asgjë nga ato që thuheshin nuk ishin të vërteta, por lotët nuk po më ndaleshin. Në të njëjtën gjendje ishin nëna e tij, Përparimja, (në Greqi e mbante emrin Parashqevi), e motra, Mira dhe i vëllai Artani. vetëm qanin, ishin shndërruar në klithma rrëqethëse. 

Ekspozita

Ndoshta djali ynë, Bledi Llangozi, nuk do të kishte shkuar në Halkidhiqi, por ashtu e sollën punët,- vijon rrëfimin e tij, Elmazi. Ato kohë ne jetonim si emigrantë në Greqi. Aty vazhdojmë të jemi edhe sot. Ditë më parë, Bledi kishte dëgjuar se në kuadrin e shpalljes së Selanikut “Qytet i Kulturës Europiane” do të hapej një ekspozitë në pikturë dhe ai që nga ajo ditë nuk fjeti asnjë natë. Punoi shumë. Kishte me dhjetra piktura të përfunduara, por krijoj edhe të tjera. Dëshironte të ishte i pranishëm në atë konkurim, të provonte veten. Ishte i bindur që do t’ia dilte mbanë. Zgjodhi 10 nga pikturat e tij më të mira dhe me to u paraqit në konkurim. “Do të prezantoj Shqipërinë time”,- ishte shprehja e tij më e preferuar e atyre ditëve. Pikturat e Bledit u pranuan. Ekspozita u hap më 15 qershor 1997. Foli një greke. Vlerësimi për pikturat e tij ishte i veçantë. Pastaj për të pranishmit u dha një koktej. U bënë shumë fotografi. I pranishëm isha edhe unë. “Eja edhe ti baba”,- më tha Bledi, dhe unë shkova bashkë me të. Nga ajo ditë ruaj si gjënë më të shenjtë foton ku dola bashkë me Bledin. Sa herë që e vështroj, kuptoj lumturinë që dritëzon te sytë e tij, më vështron i qeshur e duket sikur më thotë: “E sheh baba, ia dola mbanë!” Dhe unë gjithnjë i përgjigjem: “ Po biri im, ti linde për të qenë i pavdekshëm”, po lotët përsëri më rrjedhin vetiu nëpër faqe, sepse e tillë është jeta e tij. Nuk di pse kam dëshirë t’ua tregoj të gjithëve, ndoshta nga që vdekja e tij më duket e pabesueshme. Kur të jeni njohur edhe ju me këtë histori të dhimbshme, lutem më thoni, a  mund të ishte i vërtetë lajmi që më sollën për vdekjen e djalit? Unë ende nuk jam i bindur.

Në Halkidhiqi 

Në përfundim të ekspozitës së 15 qershorit, njëri prej organizatorëve, një mësues rumun, ftoi piktorët pjesëmarrës për një pushim një javor në bregdet. U ra dakord që takimi të bëhej, më 22 korrik 1997. Që të gjithë do të takoheshin në bregdetin e Halkidhiqisë në Selanik. Unë dhe Bledi u kthyem në shtëpi. Ato 32 ditë kaluan shumë shpejt. As sot nuk e di se si ikën ashtu ato ditë. M’u duk sikur Bledi u ngrit në mëngjes dhe më tha: “Baba po nisem  për pushimet një javore që na u premtuan nga profesori rumun”. “Për sot e keni lënë”,- e pyeta. “ Po baba,- tha ai,- sot është 22 korrik”. “Çfarë dite është sot?”- e pyeta. “E martë”,- ma ktheu ai  Nuk e di pse u drodha i gjithi. Përse ikja e tij nga shtëpia, kishte qëlluar në një ditë tersi. Nuk më erdhi mirë. U hidhërova, por djalit i urova pushime të bukura.  Pastaj ai u kthye nga e motra, Mira, që ndodhej aty dhe i tha: “Unë po iki motër, ti do të mbetesh me “Nasin e Vogël”, kështu më quante mua, pasi përveçse isha i vogël nga trupi, hallet e emigrimit më kishin bërë edhe më të vogël akoma. Edhe emrin nuk e kisha më Elmaz, por Thanas, edhe gruaja ime nuk ishte më Përparime, e quanin Parashqevi. Kështu bënin të gjithë shqiptarët: ndërronin emrat që të bëheshin sa më të pëlqyeshëm për grekët.  “Çfarë po më thua kështu,- ia ktheu e motra, – rrugë të mbarë dhe të na vish shëndoshë e mirë!” Ai qeshi, ashtu siç bënte gjithnjë dhe pastaj iu përgjigj: “E thashë kot motër”. Bledi ishte nisur për udhë. Mbaj mend që i dhashë disa dhrahmi që m’u ndodhën në xhep. I mori duke më falenderuar. Vetëm atë çast u kujtova se tre ditë më parë, dolëm si familje në pazar për të gjetur rrobat më të bukura për Bledin. I blemë pantallona të bardha, bluzë, këmishë e ku di unë ç’gjëra të tjera. Dëshironim që edhe Bledi ynë të ishte i barabartë me të tjerët. E pashë të lumtur atë mëngjes tek ishte nisur për udhë, por nuk e di pse fjalët që i tha së motrës kur po përcillej nuk po më hiqeshin nga mendja. Ai bënte shpesh shkaka, por mua mendja nis të më mbetej tek ai deri ditën që do të kthehej nga bregdeti i Halkidhiqisë. Diku në një poezi kishte shkruar: “Një i dytë jetën do të ma marrë!”. Ç’të ishte vallë ky i dytë? Mos vallë ishte një metaforë dhe asgjë më shumë, apo një hije që jetën e tij e ndiqte nga pas?

Piktori

Lajmi që na sollën ishte vërtet tronditës. Nuk mund ta besoja dot që ai ishte mbytur, sepse Bledi nuk ishte notar i mirë dhe nuk i pëlqente të hynte në thellësi. Gjithë kërshëria e tij ishte të ulej diku në breg të detit a mbi një shkëmb e të pikturonte kreshtat e valëve që për të ishin një botë magjepse. Isha i sigurtë se ditët e tij në bregdetin e Halkidhiqisë i kishte kaluar duke pikturuar dhe asgjë më shumë. Nëse vërtetë ishte mbytur, kush do të ma thoshte vallë si kishte ndodhur?  Ëndrra e tij e vetme ishte piktura dhe poezia. I mbaj mend çastet pas përfundimit të ekspozitës. Im bir ishte vlerësuar për pikturat e tij dhe ndihej i lumtur. Nuk dinte si të ma shprehte gëzimin e tij. Dëshironte të më fliste për gjithçka, por në të njëjtën kohë donte të ishte edhe i përmbajtur. Edhe unë ndihesha po aq i lumturuar sa ai. I gëzohesha gëzimit të tij. Nuk kisha asnjë dyshim që Bledi do t’ia dilte mbanë. Talenti i tij nisi të shfaqej që kur ai nisi të shkonte në kopësht. Ulej dhe vizatonte. E vështroja dhe mbetesha i befasuar, nuk e besoja dot që ai fëmijë aq i vogël përpiqej të vizatonte. Më dukej diçka e jashtëzakonshme. Nisa t’i blija të gjitha revistat e kohës për fëmijë. “Fatosin”, “Pionierin”, libra me figura etj. (Edhe tani ato ndodhen në raftin e librave ku i ka vendosur ai. Shkoj pranë tyre dhe i përkdhel me mallin që nuk më shuhet kurrë) Talenti i tij u shfaq më së miri kur ai ishte 6-7 vjeç. U bë edhe më i dukshëm kur shkoi në shkollën fillore. Ishte një nxënës i mrekullueshëm. Mësonte shumë. Dhe ishte kaq i dashur me shokët. E adhuronte shoqen e tij të bankës, por në të vërtetë ai i tillë ishte me të gjithë. Tashmë këtë fëmijë nuk e kisha më, e kisha humbur në ujërat e deteve të Greqisë. Për mua nuk mund të ishte e vërtetë. E pavërtetë do të mbetet edhe për nënën e tij, motrën dhe vëllain.

Poeti 

Bledi ishte një fëmijë që do të na befasonte vazhdimisht. Ai nuk paskësh patur pasion vetëm pikturën. Në shpirtin e tij flinin ëndrra dhe poezi, fjala e magjishme, ngjyrat dhe dritëhijet, piktori dhe poeti, por edhe mesazhet e çuditshme që dukej sikur atij i zbrisnin nga një botë tjetër. Ai rritej dhe shpirti i tij zgjohej. Kur ishte në klasë të dytë apo të tretë, nisi të tërhiqte edhe vëmendjen e mësuesve. Në këtë kohë mësueses së tij i kushtoi vjershën e titulluar “Mësuesja”. Ishte i dashuruar mbas dijes. “Shkolla ime”, ishte një vjershë tjetër e tij, e shkruar me sinqeritetin fëminor. Por edhe nga piktura nuk u nda për asnjë çast. Shkruante dhe pikturonte. Kur ishte në klasën e gjashtë çoi në shkollë një pikturë të titulluar: “Malësori me pushkën pranë këmbës”, ndërsa me poezitë e tij shokët dhe shoqet e klasës njiheshin herë pas herë. “Manushaqja” ishte një prej poezive të tij të pëlqyera. Fliste për një manushaqe që kishte mbirë pranë një varri. Një nënë shkonte atje dhe qante çdo ditë. Qante birin e saj të vdekur. Ndodhi që lotët e saj ranë edhe mbi manushaqen dhe manushaqja nisi të thahej, u venit dhe humbi, nuk ishte më. Ishte një poezi e çuditshme. Ishte aq i vogël dhe fliste për vdekjen, për varreza, për lot dhe manushaqe të thara buzë varreve, ku brenga e nënës do të shuhej vetëm me ikjen e saj nga kjo botë. A thua se të gjitha këto ai i kishte shkruar për veten e tij?  Ai ishte një nxënës i çuditshëm, gjithnjë në qendër të vëmendjes të të gjithëve. Herë-herë rrethohej edhe nga xhelozia e bashkëmoshatarëve që nuk arrinin dot të ishin si ai. Zilia e adoleshentëve ndodh që të jetë edhe e pafre. Mësuesit kishin filluar të habiteshim me përkushtimin dhe talentin e tij. “Regjistroheni në shtëpinë e pionierit për pikturë,- na porositën, dhe ne e regjistruam që të nesërmen,- na tregon babai i Bledit, Elmaz Llangozi. I blemë bojra, lapsa, fletore vizatimi e gjithçka tjetër. Në atë kohë këto lloj materialesh gjendeshin me vështirësi.

Televizioni grek

Lajmin e zi të 26 korrikut 1997, që ne nuk e besonim dot, e dëgjuam edhe nga televizionet greke. Në njoftimin e shkurtër u përmend emri i Bledi Llangozit. Cilësohej si një piktor i talentuar. Ishte gjetur i mbytur në detin e Halkidhiqisë. Ishte ky çast që shtëpia jonë u drodh. U duk sikur do të shembej nga klithmat, dhimbja dhe vajtimet. Djali ynë nuk jetonte më. Ditë më të vështirë se atë të 26 korrikut nuk kisha përjetuar deri atëherë. Ime shoqe u shemb përdhe, pothuajse e vdekur. Mira, vajza, ra pa ndjenja dhe për një çast menduam se e humbëm dhe atë. Unë me djalin e madh, Artanin, përpiqeshim të kujdeseshim për të tjerët, por nuk ishim të zotë as për veten tonë. O Zot, çfarë dhimbje kam provuar! Ndihesha i dërrmuar tërësisht. Gjithë jeta e Bledit kishte qenë një brengë e madhe. Kur Bledi erdhi ne Greqi, në vitin 1996,e regjistruam në vitin e tretë gjimnaz dhe në një shkollë private për pikturë, për të cilën paguanim 50 mijë dhrahmi në muaj. Ai gjithnjë kishte menduar se përtej kufirit do të gjente një botë tjetër, më të bukur, më njerëzore dhe më mikpritëse, por në të vërtëtë u përball vetëm me zhgënjimin. Kur mësuesit e shkollës greke, lexonin emrin e tij, Bledi Elmaz Llangozi, ai nuk ndihej mirë. Të gjithë nxënësit grekë vështronin nga ai. Gjithkush prej tyre me heshtjen e vet dukej sikur  pyeste i habitur: “ Po ti qenke mysliman!” Emrat myslimanë kishin një konotacion të papranueshëm për ta.  Mbi të gjitha, emri Elmaz u kujtonte emrin e turkut Mensud Elmaz. Kur Bledi u ndesh për herë të parë me këtë fenomen, hyri në shtëpi i mërzitur dhe tha: “Ah, more baba, si ta vunë këtë emër, Elmaz! Sa herë përmendet emri yt në shkollë më shohin me sy tjetër. “Ti je turk?”- më pyesin të habitur. Por unë nuk nguroj baba, t’u them që jam shqiptar. Përpiqem t’u shpjegoj bashkëmoshatarëve të mi grek se mes tyre dhe meje nuk ka asnjë ndryshim. A nuk jemi të gjithë njerëz?- i pyes. Për të gjithë njerëzit e planetit,  a nuk ekziston vetëm një Zot? A nuk i falemi të gjithë të njëjtës Perëndi? A nuk shohim të gjithë të njëjtën hënë, së cilës në çdo vend të botës i thurin vargje?  A nuk ngrohemi nga i njëjti diell? A nuk është toka shtëpia e të gjithë njerëzve të këtij planeti? Gjithë trishtimin e tij, ai e shprehte herë pa herë: “Ah more baba, këta janë  kaq shumë të dhënë pas fesë sa harrojnë çdo gjë tjetër që ekziston në këtë botë!  Më pas në poezitë e tij gjeta të shkruar: “Më ngjisni atje lart se këtu në tokë shumë zili më kanë!“

 

Elmazi

Trupi i Bledit kishtë përfunduar në morg. Shkova në polici për të mësuar mbi rrethanat si ishte mbytur djali im, por nuk mora asnjë përgjigje. Ndoshta do të kisha mësuar diçka rreth ngjarjes, por kur polici dëgjoi emrin tim “Elmaz” u vrenjt i gjithi. E pyeta disa herë, por nuk më dha asnjë përgjigje. I kërkova gjithashtu të më jepte një shënim që të tërhiqnim nga morgu trupin e pajetë të djalit për ta varrosur në Korçë, por sërish ai nuk më dha asnjë ndihmë. Trupi i Bledit qëndroi në morg deri ditën e hënë. Ndoshta do të kishte qendruar atje për ditë të tëra me radhë, por fal ndihmës së ofruar nga Komuniteti Europian për Kulturën dhe Artin, shoqatës bamirëse “Omonia”, me kryetar Vasil Leskovikun dhe shoqatës së vllehëve, mundëm të merrnim Bledin nga morgu, dhe po atë ditë, të hënën, u nisëm drejt Korçës. E varrosëm djalin në qytetin e lindjes. Kishim bërë sakrifica të panumurta për të shkuar në Greqi, por atje humbëm djalin tonë. Filimisht në greqi shkoi djali i madh Artani. Ai shkonte dhe vinte, por më në fund, më 1995, mundi të sistemohej në Selanik. Pas kësaj shkuam të gjithë me radhë. Në fillim iku bashkëshortja ime, Përparimja, vajzën e nisa nga Maqedonia, Bledin e nisa me autobuz, ndërsa vetë kalove maleve dhe pyjeve për të mbërritur pranë familjes. U mblodhëm të gjithë bashkë më 26 korrik 1996. Një vit më vonë, po në këtë datë, më 26 korrik 1997, djali ynë Bledi humbi jetën në detin e Halkidhiisë. Të ishte rastësi?!

 

13 vjeç

Në të vërtetë dëshira e Bledit për të shkuar në Greqi kishte qenë e madhe, pasi atje ndodhej edhe vëllai i tij, Artani. Pas përfundimit të shkollës 8-vjeçare, në vitin 1993,hapi ekspozitën e parë të titulluar “Vërshim pranveror”, me rreth 60 punime në pikturë; pastel, bojra tush, vaj, akurel etj. Në gusht të vitit 1993 dha provim për t’u pranuar në shkollën e pikturës “Tefta Tashko”. Sigurisht që doli me sukses, ishte vlerësuar me notën 9. Më 15 shtator 1993, u regjistrua në degën e pikturës, por nuk mundi t’i vazhdonte studimet. Nxënësit po braktisnin shkollat. Dëshironin të shkonin në një vend tjetër, në kërkim të një jete më të mirë. Në tetor të atij viti, biri im,bashkë me dy shokë të tjerë, Olsin dhe Stavron nga Turani, u nis drejt Greqisë. Lekët i kishte siguruar duke u shitur disa piktura turistëve anglezë që ato ditë ndodheshin në Korçë. Kishte mundur të siguronte 40 dollarë. Ishte vetëm 14 vjeç. Aventura e tyre mbeti e paharruar. Kaluan male dhe pyje, lumenjë dhe shtigje, rrugë pa krye dhe humnera të frikshme, por më në fund ia dolën të mbërrinin në një fshat. Punuan disa ditë për mbledhjen e mollëve. Me të siguruar disa të holla, u nisën drejt Selanikut; aty i hipën autobuzit për të mbërritur në Athinë dhe që andej me tren shkuan në Kallamatë. Fati nuk kishte qenë më ta. U desh të punonin si barinj në një fshat të largët, të quajtur Katherol. Flinin në një kasolle të ftohtë, që gjendej në një vend të frikshëm. Ndodhi që një nga delet të thyente këmbën dhe për kaq gjë, pronari grek u vuri çiften në ballë. Tre fëmijët u përballën me tmerrin. Për një çast e përfytyruan veten të vdekur, por greku e uli armën. I mbajti në punë, por tashmë do të punonin pa pagesë. E gjithë kjo kishte qenë një lojë. Peripecitë e tyre nuk do të kishin marrë fund kurrë, nëse vëllai i Bledit, Artani, nuk do t’i kishte gjetur ku ndodheshin. Kishin 5 muaj që gjendeshin në tokë të huaj. Ai i nxori që andej dhe i ktheu në Shqipëri, por ajo që u kishte ndodhur nuk do ta harronin dot kurrë.

Kthimi në shtëpi

Nuk e harroj dot kthimin e Bledit në shtëpi,- vazhdon të tregojë Elmas Llangozi. Ai erdhi na takoi, shkoi te rafti i librave, mori një libër dhe nisi të qante. Qau pa pushim. Kishte humbur një vit shkollë dhe nuk kishte fituar asgjë. Kishte humbur poezinë dhe pikturën. U betua se nuk do emigronte më kurrë në jetën e tij. Gjatë kësaj kohe përgatiti vëllimet me poezi “Meditime”, dhe “Si gjithmonë në shtegtim”, ku përshkruan jetën e tij në emigracion. Në shtator të vitit 1994, Bledi hyri përsëri në shkollën e pikturës, ku ia filloi sërish nga e para. Në dhjetor 1995, mori pjesë në konkursin e shpallur nga UNICEF, për luftën kundër drogës dhe duhanit. U vlerësua për tablonë e realizuar, ku binin në sy dy të rinjë të përqafuar, ndërsa më tej një arkivol i hapur. Më poshtë një nënë që qante birin e saj. Atë mbrëmje Bledi u ftua edhe nga Televizioni Shqiptar. Idhulli i tij në poezi ishte Dritëro Agolli. Bashkëmoshatërët e tij kishin nisur të ndiheshin xhelozë për suksesin e tij. Në një prej këtyre ditëve e qëlluan me thikë. Iu desh gati një muaj përpjekjeje që të rikthehej sërish në jetë. Jeta e tij kishte nisur të bëhej e vështirë. Sot ai ka së paku 7 vëllime me poezi dhe me dhjetra piktura e vizatime. Një thesar i vërtetë pikturash prehet në shtëpinë e tij. Megjithatë nuk kam harruar kurrë betimin e tij: “Nuk do të emigroj më kurrë në jetën time!”, por jeta e desh që ai të vinte sërish në Greqi, kundër dëshirës së tij.

 

Për nënën

Kur Bledi emigroi për herë të parë në Greqi mungesën e nënës e vuajti shumë. Nuk e harroi dot asnjëherë. Brenga e tij lexohet nëpër vargje: Po të shkruaj sot o nëna ime/, Se po më vijnë në mendje, të bukurat mendime/. Se dua të jem sa më pranë me ty/, Të të puthe në faqe, të të puth në sy/. Thesar që nuk shkëmbehesh je në botë/, Nga gjiri i yt kam dalë, përherë derdh lot/. Më solle në jetë si një lule, si një  margaritar/, Më dhe pasion, më dhe në zemër zjarr/. Më dhe mendim të qartë: ta dua jetën/, Të luftoj të ligën, të mbroj të vërtetën/. Ta dua Atdheun si shqipja folenë/, Të eci përpara, gjunjët të mos më lenë. (Shkurt,1993). Malli i Bledit për nënën sa vinte dhe rritej. Kur gjente mundësinë e merrte në telefon dhe dëgjonte zërin e saj që qante: Ti qan dhe unë  duroj/, Tani dhe unë vajtoj/, Ti më pret në telefon/, Mbase zërin tim dëgjon/. Po unë nga çasti në çast duroj/, Me mall e brenga larg jetoj/. Të dy një Zoti i falemi/, Që në jetë kurrë mos ndahemi/. Dhe presim çastin e shumëpritur/, Që një ditë të takohemi pa ditur/. Nata dhe dita shpejt të afrohet/, Po malli në zemër shumë zë e shtohet/. Dhe pres këtu larg, me dit’e orë/, Këtu larg pret zemra e gjorë/. Jeton me frik’e shumë  shpresë/, Që një ditë të takohemi në mëngjes/. (Kallamat, Katherol, shkurt 1994). Mes shumë poezive të tij gjendet edhe këto vargje: Të lashë që të qash e përvëluar/, Për t’i mbledhur kujtimet më të shtrenjta/ Në pikën e lotit ku ‘Breng’e Mallkuar“/ Të djeg e të gërryen përbrenda/. Dhe nëse më kërkon, patjetër do më gjesh, Në një pasqyrë… lum a det…Gjurmat e kujtimeve do t’i lesh/, Të pacenuara për jetë e mote. Po koha erdhi, të të them: Harroje!/Atë që zemra kurrë s’ka për t’a shkelur/, Atë që t’i me zjarr e dëshiroje’, Të ishe si dikur e çelur dhe e  qeshur, harroje. (Korrik 1994). Duket se Bledi gjithnjë ka një parandjenjë të keqe. Ndoshta do të ikë shpejt nga kjo botë dhe nëna e tij do ta harrojë gëzimin për birin e vet.

Misteri

Vallë çfarë donte të thoshte me vargjet: “Dhe nëse më kërkon, patjetër do më gjesh, në një pasqyrë… lum a det…”. Bledi na la edhe nje porosi tjetër, kujton me dhimbje Elmaz Llangozi: “Babi, kur të mos jem, më kujtoni me një gotë verë për shpirtin tim të ri!”- na thoshte ai. Ç’të ishte vallë gjithë kjo parandjenjë e keqe e tij?! Edhe sot e kësaj dite nuk e kam të qartë çfarë ka ndodhur: u vetëmbyt apo e mbytën, cila hije e ndoqi pas deri në fund të jetës? Ai u nda nga jeta në moshën 18- vjeçare, (lindi më më 14 shkurt 1979), por për ne prindërit mbeti gjithnjë si 13 vjeç, mosha kur ai nisi të shkruante e të pikturonte

 

Filed Under: Emigracion, Histori Tagged With: Bledi Llangozi, vdekja misterioze, Vepror Hasani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan
  • ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”
  • Eksperimenti, Asociacioni/Bashkësia …!
  • Department of State Signals Pressuring Kosovo to Discuss the EU Proposal, Vucic “Drama Queen” Says President Osmani
  • ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE
  • Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl
  • VATRA PROMOVOI “DIKTATI I ADM NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”, BOTIM I GJENERAL ASLLAN BUSHATIT MBI ARMËT BËRTHAMORE DHE SIGURINË KOMBËTARE
  • Biseda me Mjeshtrin e Fotografisë Roland Tasho
  • Deputeti i Parlamentit të Kosovës Prof. Besnik Tahiri mbajti fjalën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
  • ÇËSHTJA E KOSOVËS DHE ROLI I DIPLOMACISË NDËRKOMBËTARE NË PROCESIN E ÇLIRIMIT TË SAJ
  • ZËRI DHE FJALA MAGJIKE…
  • Nderim 179 vjetorit të lindjes dhe 104 vjetorit të vdekjes së Themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemal Vlora
  • Përse akoma në vend numëro?!
  • Njё arap Vlore qё quhet Otello
  • JU MIRËPRESIM SONTE TE VATRA

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT