
Nga MASSIMO GAGGI“Corriere della Sera”, 19 nëndor 2021 Përktheu Eugjen Merlika/
Punë, punë, punë: duke qëndruar në mendimin që në dhjetëvjeçarët e fundit ka zotëruar politikën amerikane – krijimi i vëndeve të punës – Joe Biden duhej t’ishte në një fuçi hekuri. Infarkti ekonomik i pandemisë jo vetëm nuk ka zhytur Shtetet e Bashkuara në rënie ekonomike, por po e shpie, me gjithë frenimin veror për variantin Delta, drejt një fuqizimi të fortë me papunësinë e ulur në 4,6 përqind. Simbas analistëve të Goldman Sachs, një bankë e njohur e Wall Street-it, të papunët do të vazhdojnë të ulen duke arritur në gjysmën e vitit tjetër në 3,7 përqind e në fund të 2022 në 3,5: në fakt punësim i plotë. Ndërkaq partia e presidentit po shkon drejt një humbjeje kumbuese në votimet e mid term në vjeshtën e ardhëshme, jo vetëm për manevrat republikane mbi kolegjet e rregullat zgjedhore e për aftësnë e së djathtës për të fituar vota mbi “luftërat kulturore”, por sepse inflaksioni ka zëvendësuar punësimin si shqetësimin kryesor të amerikanëve. Rritja e çmimeve – e parashikuar por e nënëçmuar si dukuri e butë dhe e përkohëshme nga Thesari dhe Federal Reserve – është kthyer në një shkëmb që mbyll rrugën e kryesisë Biden. Vetë Goldman Sachs në fakt parashikon që flama e çmimeve (+6,2% në tetor) do të vazhdojë gjatë gjithë dimrit. Gjëndja do të fillojë të përmirësohet vetëm në mes të 2022: me gjasë shumë vonë për të shpërndarë pakënaqësitë e amerikanëve që do të votojnë në nëndor. Biden-i, gjithmonë e më pak popullor në hulumtimet, është i vetëdijshëm: në ndryshim nga ekonomistët e tij të rinj, ka jetuar në kohë të një inflaksioni të lartë dhe e din se gjindja sheh tek qeveria përgjegjësin e asaj takse të fshehtë. Ai thotë se duhet kuptuar dobësia e qytetarëve që shohin të dyfishohet çmimi i karburantit e shpenzojnë shumë më tepër për harxhin e përditshëm. Biden-i e din por është i çarmatosur. Duhet të mbrohet nga padia se ushqen inflaksionin me ndihmat (të dhëna në të njëjtën masë nga ai dhe nga Trump-i gjatë pandemisë) e nuk ka pushtet mbi fajdet industriale, të tregtisë e të punës që shkaktojnë ngritjen e çmimeve. E kur i kërkon OPEK-ut të prodhojë më shumë përqeshet me ligësi: “Bëj vetë: nxirr më shumë naftë nga SHBA”. Por të rihapen puset e mbyllura gjatë lockdown-it nuk është një veprim i lehtë. E po t’a nxiste do të përgënjeshtronte zotimet e tij për dekarbonizimin.
“Corriere della Sera”, 19 nëndor 2021 Përktheu Eugjen Merlika