
Si kemi ardhur deri këtu?
Hë si?
( harrojini për një çast, shëmtitë, gjëmat, ligësitë,e të ligjtë e kësaj bote)
…Dhe rrini e habituni..,hë si? Megjithë këto bukuri e mrekulli krijuar nga i Madhi Njeri!
Nuk kanë fund gjetjet, shpikjet, mrekullitë, bukuritë e krijuara nga Qënia Njeri.
Art. Shkencë. Rrokaqiej. Ura gjigande. Macro/Botë e eksploruar. E qëndisur. Micro/botë mikroqëniesh, virusesh, zhbiriluar në thellësi. Mjekësi që rrëmben gjithnjë e më shumë sekrete jete
Komunikim në distancë (Pasqyra magjike e lashtësisë)
Fluturim qiejve me shpejtësi marramendëse (Qilimi fluturues imagjinatë e “ fandaksur” e paraprirësve tanë primitivë)
Nuk numërohen dot.
Po si, u arrit deri këtu?
Do të thoshit:
“Ç’na habite! Ç’u habite?!
Edhe kur sot? Kur edhe kalamajt e vegjël mësojnë të përdorin celular: Just touch screeen. Kur edhe Elon Musk, drejton avionin. Një farë autisti miliarder. Mrekulli më vete( ç’do bënte ky si autist, jo 1000
por edhe 100 e më pak vjet më parë)
Keni të drejtë….
Por…Gjithsesi…po te mendohesh pak…
…Ne e dimë se si.
Zjarri i vjedhur perëndive nga Prometeu, lëshoi shkëndia e shkëndia pa fund e u shpërnda anembanë në ca shpirtra njerëzish e jo vetëm. Hyrë edhe në gene e kaluar brez pas brezash në të tjerë, njerëz patur fatin, ngrohur brenda zjarresh hyjnorë e shkëndijash krijimi.
Ca pak që i ruajnë këto shkëndi, të ndezura, rindezin me to zjarre të mëdhenj krijimi. Zjarre që më pas i ngrohin të gjithë.
Këta që rindezin janë Gjenitê. Këta janē më pranë perëndive. Këta hapin udhë të reja për të gjithë njerëzinë. Udheheqës shpirtrash e mendjesh! Ajnshtajn! Bethoven! Da Vinći! Muhamet! Jesus! Budë! Andaj mos e përdorni kaq lehtë për konsum këtë fjalë: Gjeni! Është për hapës udhësh e udhërrëfyes të mëdhenj.
Ndonëse edhe këta të gjithë kanë qenë njerëz të gjallë, dikur fëmijë. (Kjo i ngatërron prindërit e “gjenive” pa numër, që nuk kanë zjarrin e krijimit hyjnor, por ndoshta veçse dhuntinë e imitimit)…
…Pas gjenive të paktë, vinë të tjerë. Ca më të shumtê, që kanë ditur të ngrohen në këto zjarre e dinë të “vjedhin” zjarr hyjnor me të gjitha shqisat. Që vazhdojnë të marrin soje shkëndija e të ndezin zjarre të tjerë me to. Këtyre njerëzve u thonë talente. E ka mes tyre shkencëtarë, artistë, krijues, akullthyes tokash e kontinentesh të reja për njerëzinë…Homer! Lui Pastër! Picasso! Jobs! Amundsen! Edison!Të mençur, krijues edhe këta. Tē guximshëm. Këta ja bëjnë më të bukura, më të gjera, më komode jetën e ëndrrat njerëzisë.
Zotat i kanë mëkuar. Zoti i bekoftë…
Gjenitë e njerëzimit. Talentet…
Pishtarët e tyre, të ndezur që nuk shuhen kurrë, vijojnë ndër rrugët e reja dorë më dorë…Janë maratonomakë të Zotave…
Marrin e dorëzojnë stafeta…në Olimpe…në përjetësi…Marrin e përcjellin Mesazhe perëndish.
U thonë Zotave ne emër tonë
“Ne Njerëzimi, jemi e do jemi.
E meritojmë Tokën, Shtëpinë e madhe, kaq të bukur që na dhatë.
Por edhe zjarrin që bëtë sikur, jua vodhi Prometeu për ne. Ja dhatë ju. Por e bëtè që ta merrte me vuajtje e vështirësi. Që të na mësonit se nuk ishte lehtë të zbuloje sekretet e të jetuarit në Tokë.
E ata që morën zjarrin e Prometeut e mësuan këtë prej tij. Nga ai mësuan ta mbajmë zjarrin ndezur. Me pishtarë të atij zjarri, të zbulonin sekretet e Tokës. Me lodhje e vështirësi. Me vuajtje e me shpirt. Për ta mbajtur e bërë Tokën gjithmonë e më të gjallë e të magjishme. Akoma më të mirë e të bukur…
Harrojini pra për një çast, shëmtitë, shkatërrimet, dëmet, ligësitë,e të ligjtë e kësaj bote mbi këtë botë…
Apo kuptojini si vështirësitë e zbulimit të sekreteve ende të pazbuluara të kësaj bote.
Atij që kur të zbulohet do ta bëjë epokën tonë të sotme të quhet “ disi e bukur por ende primitive”
Epokë kur akoma njerëzit vrisnin njeri tjetrin, sepse nuk e kishin zbuluar se Toka u qe dhënë dhuratë të gjithëve. E shkëndijat e zjarrit hyjnor atyre që hapnin udhë të reja për të gjithë e të bënin të ëndërroje bukur
Jo ca të tjerëve që vrasin të bukurën e ëndrrat e as nuk duhen përmendur si njerëz…
Prof. Dr. Ylli Pango