Sokol Paja/
New York, 1 Shkurt 2025 – Bilall Kasami kryetar i komunës së Tetovës dhe kryetar i Lëvizjes “Besa” në Maqedoninë e Veriut vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u prit nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, anëtari i kryesisë z.Ilir Cubi, editori i Diellit dhe veprimtarë e patriotë shqiptarë në mërgatën e Amerikës: Bashkim Shehu, Shaban Lajçi, Halil Ahmeti dhe Shpend Gjocaj. Në fjalën e mirëseardhjes sekretari Dr. Camaj vlerësoi punën dhe arritjet e kryetarit Kasami në komunën e Tetovës, theksoi rolin në rritje të faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe përpjekjet për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, rolin e shqiptarëve në Ballkan dhe punën kolosale që bën Federata Vatra për shqiptarët e Amerikës dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet etnike. z.Bilall Kasami kryetar i komunës së Tetovës dhe kryetar i Lëvizjes “Besa”, përgëzoi punën patriotike të Vatrës të njëjtë me patriotët e shqiptarisë që themeluan Vatrën, drejtuan e vepruan bashkë me komunitetin shqiptar në Amerikë. “Po punojmë për mirëqenien e shqiptarëve në Maqedoni. Kemi bashkëpunim dhe komunikim politik të ngushtë me të gjithë shqiptarët në Ballkan. Shqiptarët në Maqedoni janë faktor në rritje dhe janë popullsia e dytë shumicë, nuk janë pakicë” u shpreh ndër të tjera z.Kasami. Gjatë diskutimit z.Bilall Kasami solli në vëmendje pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, çështjen e gjuhës shqipe dhe ligjin për gjuhët në Maqedoninë e Veriut, aspekte të kontestimeve në Gjykatën Kushtetuese, aspekte të bashkëpunimit mes pushtetit qeveritar dhe pushtetit lokal, çështjen “Grubi”, raportin e shqiptarëve të Maqedonisë me qeverinë e Shqipërisë dhe Kosovës, aspekte të opozitës në Maqedoni e Kosovë, çështje të mbrojtjes dhe sigurisë në Maqedoni dhe mungesa e përfshirjes së shqiptarëve në strukturat shtetërore, procesin e decentralizimit të munguar që nga marrëveshja e Ohrit etj. Z.Bilall Kasami në fund të fjalës së tij falënderoi Vatrën për rolin e saj historik për shqiptarët e Amerikës dhe çështjen kombëtare.