Papa Françesku, ka folur për dashurinë dhe “vendin e njeriut në univers’, gjatë një bisede telefonike me ekuipazhin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor ( ISS).
Astronauti dhe inxhinieri italian, Paolo Nespoli, ka folur në italisht me Papën dhe ka përkthyer edhe për anëtarët e ekuipazhit, të përbërë nga rusi, Aleskandr Misurkin, Sergei Ryazansky dhe tre amerikanët, Joe Acaba, Mark Vande Hei dhe Randy Bresnik.
Kapiteni i ekuipazhit, Bresnik, i ka thënë Papës se toka mund të shihet nga hapësira, pa kufij dhe konflikte. Ryazansky, ndër të tjera kishte thënë se stafi në hapësirë përbëhet nga “ shtete dhe njerëz të ndryshëm, njerëz të planetit tonë’.
Biseda 20 minutëshe me stafin e ISS, ishte thirrja e dytë e Papës në hapësirë. Edhe Papa Benedikti XVI, kishte bërë një thirrje të tillë në vitin 2011.