Gjekë Gjonlekaj/New York
Këto ditë Britania e Madhe dhe mbarë njerëzimi i tha lamtumirën e fundit Mbretëreshës Elisabeth II. Për Mbretërinë e Bashkuar, Mbëretëresha Elisabeth e II ishte bijë, motër, nënë dhe gjyshe. Pas Nënës Tereze ishe gruaja më e përmëndur në botë. Ajo e mbajti në kokë kurorën mbretërore për 7 dekada dhe biografët e saj thonë se ishte gruaja më e respektuar në botë sepse përveç titullit të monarkes jetoi me nder, respekt e dinjitet pothuajse një shekull të tërë. Ajo u percollë në amshim me nderimet më të larta që janë parë ndonjëherë në hstorinë e njerëzimit. Këto ceremoni mortore prej 12 ditësh zgjuan shumë emocione edhe në familjet shqiptaro-amerikane, duke evokuar ndjenja për nënat dhe gjyshet tona. Kjo ceremoni madhështore bëri që t’i nderojme dhe t’i kujtojmë ato pak nëna e gjyshe këtu në Amerikë që erdhen me ne në moshën e granisë, por për më shumë se 40 dekada ato u bënë gjyshe dhe katragjyshe. Sipas Kodit Moral të Malësisë së Madhe nënat dhe gjyshet ishin shumë të nderuara në familje dhe në fis. Ato mbartin detyra me rëndësi në familje dhe në shoqërinë e asaj kohe, bile zoja e shtepisë në ato kohëra mbante titullin e mbretëreshës përbrënda familjes. Nënat dhe gjyshet tona kishin rolin e dytë pas zotit të shtëpisë në familje. Shumica e grave në atë kohë ishin mburojë e fortë në ruajtjen e dinjitetit të familjes dhe respektit në shoqëri.
Këtu në Shtetet e Bashkuara nuk kemi shumë gjyshe, sepse pleqëria e ka bërë të vetën dhe shumica nga ato nuk jetojnë më. Është fjala për ato që kanë lindur dhe janë rritur në Malësi. Këto gra të moshuara ruajnë shumë kujtime dhe përjetime nga vendlindjet tona. Disa nga ato e kanë kujtesën e fortë dhe i mbajnë mend shumicën e ngjarjeve të vendlindjes dhe më gjerë.
Kohë më parë kisha rastin të bisedoj me njërën prej nënave dhe gjysheve shumë e përmendur në Komunitetin tonë të Malësisë në New York. Kjo është Dilë Gjonja e Gjo’Gjekës së Trieshit patriotit dhe mësuesit të përmendur në Malësi. Është nder dhe privilegj me qënë bijë e këtij atdhetari shumë të qytetërur. Ishte kënaqësi me bisedua me Dilen, ngase mbante mend për mrekulli historinë e familjes dhe të Trieshit! Dila gjatë kësaj bisede ishte shumë fisnike dhe nuk kishte asnjë pretendim personal ose familjar për madhështi. Ishte shumë modeste pavarësisht se babai i saj Gjon Gjeka kishte njohuri të gjëra për Malësinë tonë dhe më gjerë. Pyetjes sime si ishte Gjoni në familje Dila iu përgjegj:” Babai im ishte shumë i mirë në familje, shumë i qetë, por nuk ishte ishte shumë i kujdesshem për pune ekonomike me fjalë të tjera nuk ishte aspak i dhënë pas punëve shtëpiake”. Disa herë bëne gabime, bile i merrte delet tona nga livadhet tona dhe i fuste nën ahër duke menduar se janë delet e huaja. Kur shkonim për t’i sjellur në shtëpi delet tona nuk ishin aty. Kërkonim orë të tëra dhe nuk i gjënim. Ai na tregonte se i kishte gjetur ato dele në livadhet e tij dhe i kishte mbyllur nën ahër. Ç’me pa ato ishin delet tona. Gjoni kishte prirje për kulturë por më shumë për kulturë gjermane, por Ai kishte edhe kulturë fetare dhe e nderonte Jezu Krishtin si Zot dhe njeriun më të mirë që kishte dhënë njerëzimi gjatë gjithë historisë. Gjon Gjeka, tregon Dila kishte respekt të veçantë për libra dhe dokumente të shkruara. Por kishte një dobësi se shumë herë ua jepte njerëzëve për t’i lexuar dhe nuk i kthenin mbrapa kurrë. Babai im tregon Dila e kishte ruajtur arkivin e kishës së Trieshit, bile këtë të vërtëtë e pohoi edhe Patër Mirash Marinaj gjatë një interviste me Zërin e Amerikës më rastin e 250-Vjetorit të Famullisë së Trieshit në verën e vitit 2013. Ato kishin qënë arkiva me shumë rendësi që do të ishin zhdukur sikur të mos ishte Gjon Gjeka. Sipas rrëfimeve të Dilës Gjoni kishte deshirë që të gjitha bijat e tij të martoheshin në Hot, duke menduar se Hoti ishte njëra prej krahinave më patriotike të Malësisëe së Madhe. Kështu ishte bërë dhe 4 bijat e tij ishin martuar në Hot. Ajo tregon se Gjoni fliste natë e ditë për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar, por kurrë nuk fliste keq për kombet e tjera dhe kështu ruhej nga akuzat dhe shpifjet e bashkëvëndasëve që një pjesë e dukshme e tyre ishin të dhënë me mish e shpirt për qëllimet sërbo malazeze. Pavarësisht se Gjoni jetonte në një shoqëri që ishte vështirë për ta kuptuar. Ai për ceremoni të ndryshme qofshin ato dasma ose vdekje vishej në kostume qytetare dhe vente kravatën. Dila mund të fliste orë të tëra për historinë e Tij dhe nënës Prenë Mires bijë nga Kelemendi. Ne ishim shumë fëmijë, dhe nëna e kishte të vështirë kujdesin për ne tregon Dila. Pavarësisht vështirësive anjë herë në jetë nuk e kisha dëgjuar që të ankohej për diçka, edhe pse nga ana e gjinisë ishte shumë e vetmuar. Prenë Mirja kujtohet sot e kësaj dite për qëndresën e mrekullueshme për vdekjen e djalit të saj të dashur Profesor Agron Lucaj.
Dila e Gjo’Gjekës gjatë jetës së saj 85 vjecare përjetoi dhimbje të mëdha për vdekje tragjike të motrës Pashkë Gjonja dhe vëllaut Agron Lucaj, dhe gjatë jetës Dila humbi 11 anëtarë të familjes ku përfshihen burri i saj Martin Gjoni Gjelaj i cili vdiq para 8 vjetësh. Ajo përjetoi vdekjen e djalit të saj të dashur Markut i cili vdiq në New York para dy vjetësh në moshë relativisht të re. Edhe prindërit ishin të dhimbshëm pavarësisht se ishin të moshuar. Katër vëllazër: Toma, Agroni, Noshi dhe Nikolla ishin shumë të dashur me njëri tjetërin dhe me prindër e motra. Në këto humbje bëjnë pjesë edhe tri motra të saj. Përveç Agronit dhe vëllazërve tjerë Dila ruan kujtime shumë të mira edhe nga Toma i cili në Triesh njihej me emërin Toli i Gjo’Gjekes, që kishte emigruar në Gjermaninë Perëndimore menjëhërë pas Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht se ishte larguar nga vendlindje në moshë të re Ai kishte treguar interesim të madh per familjen dhe për vendlindjen e tij. Kohë pas kohe dërgonte dhurata për familjarët e tij, pastaj për kishën e Trieshit kishte dhënë një kontribut të konsiderueshëm, ashtu siç kishte dhënë edhe për rregullimin e varreve të fshatit ku kishte lindur. Fëmijët e Tomës dhe zonja e tij gjermane vinin për vizita në Triesh, pavarësisht se nuk flisnin shqip ato ishin me fat se gjyshi i tyre Gjon Gjeka fliste gjermanisht, që në këtë rast luante rolin e përkthuyesit në familje dhe në shoqëri. Dila tregon shumë edhe për tezen e saj Drane Miren qe kishte kontribuar këmbanën e kishës së Trieshit dhe po ashtu kishte dhënë ndihmë për ndërtimin e saraxhës së kishës. Sot familja e Gjon Gjekës Lucaj është një prej familjeve më të mëdha të Trieshit por pothuajse shumica janë në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani. Atje jeton vëllau i saj që në Triesh njihej me emërin Zefi i Gjo’ Gjekës, bijat e të cilit janë shkolluar për mrekulli, bile vajza e madhe Lena ka doktoruar në shkencat shoqërore në Gjermani. Edhe fëmija e Tomës janë shumë të shkolluar. Pas vdekjes së babës dhe nënës, Dila shumë herë luante rrol me rëndësi për të mirën e Familjes së Gjon Gjekës. Por ishte e mrekullueshme edhe në shtëpinë e Martin Gjonit Gjelaj ku ishte martuar. Ajo me djemte e saj dhe me Familjen e Nikollë Gjonit treguan interesim të jashtzakonshëm për nderimet e Gjonit dhe Agronit pas vdekjes, duke organizuar konferenca shkencore dhe orë përkujtimore për vëllaun e tyre të dashur Agronin. Dilë Gjonja e Gjo’Gjekës së Trieshit kishte mësuar shumë nga babai i saj shumë i permendur. Edhe djemte e saj u shquan në veprimtari të ndryshme. Djali i saj i ndjerë Marku ishte mjeshtër i madh,ndërsa Zefi është njëri prej malësorëve më të sukseshëm në biznes, është bujar dhe shquhet për donacione për të mirën e shoqërisë dhe të Malësisë. Edhe djali i saj më i riu Koti është me profesion inxhinier në New York. Djemte e vëllaut Nikollës janë shumë të sukseshëm në fushën e tyre të biznesit. Prej saj mesuam shumë të vërteta përTrieshin dhe për Malësinë. Dilë Gjonja është si një nanë e madhe(matriarch) siç e quan bota anglo-saksone. Nënat dhe gjyshet si Dilë Gjonja kanë dhënë dhe japin kontribut të jashtzakonshëm që fëmijët e brezave te ri të Amerikës të mësojnë gjuhën shqipe, traditat dhe historinë e venlindjeve tona. Ato lujnë rrol me rëndësi në lidhjet ndërfamiljare, që shumë herë edhe mund të luhaten.Të gjitha nënat dhe gjyshet që kanë lindur atje kanë shumë rëndësi që të mos e harrojnë tokën e të parëve të tonë.
Dilë Gjonja është një grua tani plakë e jashtzakonshme e cila me sjelljet e saj fisnike nderon familjen dhe krahinën e Trieshit dhe të Hotit ku ishte martuar shumë dekada më parë.. Dilë Gjonja më kujton ato gratë e kohërave klasike. Çdo herë që e kam takuar kam mësuar diçka të re prej saj. E konsideroj si një prej mësueseve të mia, sepse Ajo flet jo nga librat por nga përvoja e jetës më shumë të hidhur se të ëmbël. Dilë, dhe në fund të uroj shëndet e jëtë.