Vulaj: Europa e ka manifestuar tendencën pro serbe si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Tërheqja e amerikanëve nga njëra anë dhe arsyetimi me aktakuzat ndaj UÇK-së në anën tjetër, mund t’i shërbejnë europianëve si mbulesë për t’i mundësuar Serbisë hyrjen drejt Evropës…
Nga Rafaela Prifti/
-Shkrimin tuaj të publikuar para pak kohe me titull “Rreziqet Përpara”, ju e hapni me fjalët: Kosovës po i kanoset një ciklon i vërtetë politik. A mund ta përshkruani këtë ciklon si e shikoni ju? A e kemi përjetuar diçka të tillë më parë në historinë tonë?
-Kushtet e këtij cikloni konsistojnë në tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të
acaruara nga mbarëvajtja e procesit dhe rrëshqitjen e Kosovës në duart e një Europe tradicionalisht pro serbe, këto të dyja të kombinuara me ngritjen e aktakuzave ndaj UÇK-së çka iu dhuron europianëve edhe një mbulesë morale.
Europa e ka manifestuar tendencën pro serbe si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Tërheqja e amerikanëve nga njëra anë dhe arsyetimi me aktakuzat ndaj UÇK-së në anën tjetër, mund t’i shërbejnë europianëve si mbulesë për t’i mundësuar Serbisë hyrjen drejt Evropës dhe njëherit shansin për t’u arsyetuar përse po i pengojnë shqiptarët të ecin përpara. Në këtë rast ata e lënë Kosovën në një geto politike dhe i përdorin shqiptarët për të amortizuar influencën e Turqisë në Evropë. Unë nuk pretendoj se kjo do të ngjasë por në këto momente, shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të përqiqen ta parandalojnë këtë variant që është realisht krejt i mundshëm. Për sa i takon rasteve të ngjashme në histori, mund të
përmend konferencën e Berlinit kur Serbia, Mali i Zi dhe Greqia ngritën
pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, dhe pa pjesëmarrje të njëmendtë nga pala shqiptare, gjysma e trojeve u copëtuan. Sot aktakuzat kundër UÇK-së dhe luftërat e brendshme politike midis shqiptarëve e kanë dobësuar procesin negociator nga niveli ku duhej të ishte dhe kanë amplifikuar mundësinë që fati i Kosovës të vendoset nga Fuqitë e Mëdha pa pjesëmarrjen e plotë të shqiptarëve.
-Duke dhënë përshkrimin e ciklonit apo shtrëngatës, a keni synuar të jepni një sinjal alarmi të cilin nuk e kanë ndjerë sa duhet politikanët, apo diaspora? Apo të dyja këto bashkë?
– Po! Kemi arritur në një pikë kritike, ku duhet të sigurojmë pjesëmarrjen e
vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara si edhe hartimin e një strategjie të
njësuar kombëtare. Përndyshe rrezikojmë që çështja e Kosovës të lihet pas dore pafundësisht në rastin më të mirë ose të ketë pasoja të padëshirueshme në rastin më të keq.
-Pak ditë përpara takimit midis Ambasadorit Grenell dhe disa përfaqësuesve të komunitetit në fund të muajit qershor, ju ripublikuat një artikull shkruar nga ju për rolin e diasporës, i botuar për herë të parë në 2013. Aty shtuat një koment se duhet të jesh pjesëtar në proces që të arrish të ndikosh mbi procesin. Kur unë ju pyeta nëse diaspora duhet të jetë pjesëtare në bisedimet që do të mbaheshin në Uashington në fund të qershorit, ju thatë se “deri tani nuk ka luajtur rol konstruktiv.” A jeni i këtij mendimi sot?
– Diaspora ka dhënë kontribut gjatë gjithë historisë por tradicionalisht ka mbajtur qëndrim konservativ ose ekstrem. Kështu ndodhi edhe para pak kohe me kritikën e ashpër ndaj procesit negociator dhe administratës. Shumë individë janë pozicionuar madje pa pasur asnjë komunikim me administratën dhe pa pasur njohuri për vetë procesin. Nuk mendoj se kjo ka sjell dobi. Megjithatë, dëshiroj që diaspora të jetë pjesëtare në proces qoftë edhe për ta kuptuar më mirë realitetin e procesit dhe prej andej t’ia transmetoj këtë mbarë diasporës sonë. Për këtë, diaspora do duhej të informohet më mirë dhe ta vendosë pozicionin e vet nisur nga ky informacion dhe jo nga paniku dhe manipulimet.
-A ka pasur reagime për shkrimin tuaj? Çfarë ju kanë thënë politikanët, aktivitstët e bashkësisë?
– Reagimet kanë qenë pozitive dhe këndvështrimi im i paraqitur aty është
vlerësuar. Kam biseduar me disa politikanë jashtë për ta përforcuar pikën
kryesore. Koncepti ka fituar përkrahje por druaj se interesat partiake do
vazhdojnë të dominojnë mbi ato kombëtare.
-Qeveria e Kosovës krijoi Këshillin e Ekspertëve muajin e kaluar për të cilin
kriktikët thonë se është një shtesë tjetër burokratike. A e shihni se mund të
angazhohet në proces? Për bisedimet Kosovë Serbi, një nga rekomandime tuaja është krijimi i një Ekipi Unik Negociator? Si do të dukej ky ekip?
– Këshilli i Ekspertëve kryen funksione konsultuese dhe u krijua nga zyra e
Kryeministrit për t’i dhënë mundësi të përftojë nga përvoja dhe ekspertiza në fusha të ndryshme. Ky organizëm nuk ka kompetenca vendim-marrje. Unë sugjerova krijimin e një ekipi negociator që përfaqëson partitë e mëdha shqiptare në parlament, dhe ku secili përfaqësues është pjesëmarrës në vendim- marrje. Krijimi i këtij organizmi sjell stabilitet politik pa zgjerim të qeverisë.
Në këtë moment maxhoranca qeveritare (61 nga 120 vota) është e brishtë dhe delikate ndaj presioneve. Pjesëmarrja e partive politike në ekipin negociator efektvisht e zgjeron qeverinë duke shangur makinacionet politike për ta rrëzuar atë, dekretimin e VV si fituese e zgjedhjeve të fundit për të krijuar qeverinë e re, pritjen për tu përmbushur afatin kohor sipas Kushtetutës dhe kalimi i kompetencave tek partia tjetër për të krijuar qeverinë. Shumë humbje kohe kur nuk kemi kohë për të humbur, Përfshirja e opozitës me të drejtë vendim-marrje në ekipin negociator krijon stabilitetin e nevojshëm politik për të çuar përpara dhe njëherit rrit besimin dhe kredibilitetin e procesit në sytë e popullit.
-Ambasadori amerikan Frank Wisner, ish emisari i bisedimeve për statusin e Kosovës, e ka cilësuar situatën e krijuar si krizë politike dhe kushtetuese? Cili është komenti juaj?
– Mendoj se është krizë politike dhe jo konstitucionale. Deklarata shokuese
nga ana e Prokurorit Special praktikisht e ka lënë anash Presidentin dhe më së paku është bërë pengesë për bisedimet. Megjithëse nuk janë paraqitur formalisht aktakuzat, nuk ka shumë gjasa që bashkësia ndërkombëtare të ulet në bisedime me Presidentin derisa çështja të qartësohet dhe ndërsa maxhoranca e qeverisë është shumë e pakët. E gjitha kjo krijon paqëndrueshmëri politike që duhet të tejkalohet për t’i hapur rrugën Kosovës të ecë përpara. Gjithsesi, nuk është krizë kushtetuese.
-Ambasadorët amerikanë Frank Wisner and Nicholas Burns kanë shprehur
kundërshti për sa i takon mbajtjes së bisedimeve në Shtetet e Bashkuara duke argumentuar se kjo e thellon ndarjen midis Europës dhe Amerikës. Si mendoni ju?
– Z. Wisner and z. Burns janë diplomatë me shumë përvojë dhe besoj se e shikojnë këtë çështje nga një këndvështrim tradicional diplomatik. Faktet kane tregua” se midis Evropës dhe Amerikës ekziston ndarje e thellë për procesin e paqes në Kosovë. Shpallja e Prokurorit Special (i cili e pranoi se synonte të ndikonte tek bisedimet) mund të shihet si manifestim i dallimeve mes tyre. E vërteta është se Evropa e ka pasur në dorë këtë çështje qysh nga mbarimi i luftës në 1999.
Pas 8 viteve pa rezultat, ishte Amerika që doli përpara dhe e shpalli Kosovën të pavarur. Përsëri Evropa kryesonte në procesin e “dialogut” që nga viti 2011 pa hapa të dukshme përparimi. Edhe pasi Kosova i përmbushi të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, Evropa nuk e mbajti fjalën as për atë. Në mënyrë konsistente Evropa është treguar e pazonja kur vjen fjala te zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe për ta mundësuar atë të ecë përpara drejt të ardhmes evropiane, Prandaj, pa pasur Amerika vendin drejtues ky proces nuk shkon askund.
-Z. Harry Bajraktari ka bërë thirrje për ta shpërndarë Gjykatën Speciale të Kosovës duke e quajtur humje kohe, burimesh dhe për ndërhyrje në procesin politik? Ç’mendim keni ju?
– Harry Bajraktari është aktivist, protagonist dhe investues në Kosovë. Ai
është një nga njerëzit më të rëndësishëm të bashkësisë sonë për çështjen e
Kosovës dhe shumë të tjera. Thirrja e tij është shfaqje e acarimit me
mënyrën sesi e ka trajtuar bashkësia ndërkombëtare çështjen e Kosovës dhe reflektim i padrejtësisë së papranueshme me të cilën shihet dhe trajtohet Kosova. Mendo për një moment se kur të paraqiten aktakuzat nga Gjykata Speciale, numri i kosovarëve të akuzuar për krime lufte është shumë më i madh sesa i serbëve. Kjo është e paimagjinueshme dhe e paarsyetueshme!
Shqiptarët duhet të bëhen bashkë dhe të hartojnë një strategji kombëtare për këtë situatë dhe për të dalë prej saj. Evropa gjthmonë i ka favorizuar serbët ndërsa i ka parë shqiptarët me skepticizëm. Ne mund të gjendemi në një situatë ku europianët e kanë gjetur justifikimin për tu dhënë dorën serbëve dhe shqiptarët t’i lënë në një geto politike për t’i pasur si mburojë ndaj influences së Turqisë në Evropë. Prandaj mendoj se shqiptarët duhet t’i mbajnë parasysh të gjitha variantet e mundshme por mos të nguten.
Shqiptarët duhet t’i kuptojnë mirë pasojat që mund të sjellë çdo hap që hedhin përpara se të marrin një vendim dhe mbi të gjitha, të mos e rrezikojnë marrëdhënien me Amerikën. Nëse ka një rrugëzgjidhje, ajo kalon nga Uashingtoni.
-Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit do mbajnë takim të kryesuar nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel. Ambasadori Grenell ka publikuar këtë deklaratë: Jemi të kënaqur që Evropianët do organizojne takim me 10 korrik per bisedime te metejshme me Kosoven dhe Serbine. Çfare prisni ju nga takimi zoti Vulaj?
– Fakti qe takimi po mbahet ne nivelin e Makronit dhe Markel eshte diçka pozitive por historia e Evropes me Kosoven me ben te ndihem skeptik. Besoj se per te rikthyer besimin tek procesi dhe per te arritur sukses, duhen realizuar kater pika:
1. Miratimi i liberalizimit te vizave. Çeshtja e vizave nuk eshte e lidhur me dialogun por do jepte nje sinjal te qarte se Evropa ka marre drejtim serioz dhe te koordinuar.
2. Nderrimi i synimit te dialogut nga “normalizimi i marredhenieve” ne “njohje dypaleshe”. Kjo do harmonizonte pozitat e Evropes dhe Amerikes ashtu si paraqitet ne dy letrat e Presidentit Trump drejtuar presidenteve te Kosoves dhe Serbise. Me kete sigurohet edhe mundesia qe Kosova te arrije shtetesine e vet dhe te mund te integrohet ne NATO dhe OKB dhe eventualisht ne BE. Me formatin e tanishem kjo nuk eshte e qarte. Ne fakt, ka mundesi qe formati aktual te mundesoje Serbine qe te plotesoje artikullin 35 te kerkesave te BE dhe t’i jape dore Serbise te ece perpara dhe potencialisht te lere Kosoven aty ku eshte sot.
3. Evropa duhet të kerkoje nga 5 vendet anetare te BE-se qe nuk e njohin Kosoven qe t’i japin siguri se ato do ta njohin ose, se, te pakten, do te abstenojne nga procesi, qe te mos te behen pengese siç kane qene deri me sot edhe per çeshtjen e vizave.
4. BE duhet te jape nje program per bisedimet, ku paraqiten çfare pritet nga takimet ne momentin kur fillojne dhe te shmangen sorrollatjet e panumerta qe kane ndodhur me proceset e kaluara europiane.
Mendoj se te kater pikat jane shume te realizueshme dhe do te siguronin jo vetem besim tek procesi por edhe suksesin e tij. Pa u ndermarre keto veprime, kam ndjenjen se do hyjme edhe nje here ne rruge pa drejtim ku nuk ka as rezultate te qarta dhe as afate kohore.