
Prof.Lush Culaj*/
Me fitoren e marsit 1922 mbi kundërshtarët politikë të Qeverisë Ypi, Ahmet Zogu u tregua një figurë e përshtatshme për vendosjen e rendit dhe për ta kapërcyer anarkinë. Shmangia e gjakderdhjes u mirëprit nga pjesa dërrmuese e qytetarëve dhe nga kjo përfitoi Ahmet Zogu si ministër i brëndshëm, reputacioni i të cilit u ngrit. Nga Qeveria u krijua një gjyq ushtarak për ndjekjen penale të kundërshtarëve qeveritarë. Kundërthëniet ndërmjet nacionalistëve nga Kosova dhe Qeverisë Shqiptare u ashpërsuan edhe më shumë. Nga ky shkak Bajram Curri dhe shumica e luftëtarëve të çetave të Kosovës në përpjekjet e tyre për rrëzimin e qeverisë ishin të ndjekur nga Qeveria Shqiptare e Tiranës, pothuaj aq sa edhe nga Qeveria e Beogradit.
Fillimet e kundërthënieve në raportet ndërmjet dy grupimeve politike ishin edhe më të hershme, por ato u vërejtën qartazi me rastin e themelimit të kabinetit qeveritar të Hasan Prishtinës, më 7 dhjetor 1921.
Në vitin 1922 konsiderohej se në Zonën Neutrale të Junikut nën udhëheqjën e Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Sadik Ramës Azem Bejtës etj numri i të arratisurve ishte mbi 2.000 vetë. Në rrethanat e krijuara Qeveria Shqiptare ishte e interesuar për vëndosjën e rendit dhe qetësisë në mbarë kufijtë shtetëror.
Këshilli i Lartë e caktoi, më 2 dhjetor 1922, Ahmet Zogun në postin e kryeministrit. Në fjalën që ai mbajti në Parlament propozoi një varg masash për përmirësimin e gjendjes së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ai vuri në dukje se Shqipëria, si shtet i vogël që ishte, duhej të ndiqte një politikë të jashtme të qartë dhe pa iluzione. Pas ardhjës të Zogut si kryeministër në mes drejtuesve të Komitetit të Kosovës u zhvilluan debate lidhur më qëndrimin që do të mbante kjo organizatë. Bajram Curri, Hasan Prishtina e disa të tjerë ishin kundër çdo lloj bashkëpunimi me Qeverinë e Zogut duke u treguar të vendosur të fillonin një kryengritje të armatosur kundër kësaj qeverie. Pjesa tjetër e nacionalistëve kosovarë si Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Beqir Vokshi etj, kërkonin arritjen e një marrëveshtje me qeverinë, duke u deklaruar se ndërmarrja e veprimeve të armatosura kundër saj dëmtonte interesat e shtetit.
Bajram Curri, Hasan Prishtina, Sadik Rama Hysni Curri etj, të pa kënaqur me pushtetin që kishte Zogu, organizuan në janar të vitit 1923 një goditje të re të armatosur kundër forcave qeveritare në Prefekturën e Kosovës. Ata zunë Tropojën dhe rrethuan Krumën, por edhe kjo kryengritje dështoi. Pasi u thyen nga forcat qeveritare kryengritësit kaluan në Zonën Neutrale të Junikut.
Edhe pas shuarjës të Zonës Neutrale Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe mbështetësit e tyre nuk hoqën dorë kundër qeverisë të Zogut. Në pranverë të vitit 1923, ata kishin hartuar një plan veprimi për debimin e trupave ushtarake të qeverisë shqiptare në viset e Shqipërisë Veriore. Me 13 prill 1923, qeveria miratoi kërkesat e drejtuesve të forcave ushtarake në terren për ti sulmuar kryengritësit por udhëzoi që, nëse pranonin Bajram Curri dhe Hasan Prishtina tu jepej leje që të dalin jashtë shtetit, kurse mbeshtetësit e tyre të çarmatoseshin.
Për veprimtarinë e tij antiqeveritare Bajram Curri ndiqej këmba-këmbës. Në mbledhjen e 31 majit 1923 kryetari i Parlamentit Eshref Frashëri e vendosi në rend dite faljen e disa personave të dënuar për faje politike. Nga kryetari i komisionit për Drejtësi, Ali Këlcyra, lexohet raporti i cili kishte vendosur njëzëri që personat që ishin në listë të faleshin. Komisioni propozon të amnistohen edhe Abdi Toptani, Ismail Haki Kuçi, Bajram Curri e Kadri Prishtina.
Kelcyra i ftoi deputetët në ndërgjegjen patriotike e njerëzore dhe mbi armiqësitë personale ta vënë dorën në zemër dhe të deklarohen se a mund të jenë tradhtarë dhe të rrezikshëm për atdheun njerëzit që i kanë bërë kaq shumë shërbime kombit? Kryeministri Zogu theksoi se Ali Këlcyra foli si patriot gjaknxehtë pa i vështruar faktet. Duke i propozuar Parlamentit që të pranohet vetëm lista e paraqitur nga Qeveria kryeministri tha: “Ali Këlcyra thotë se kanë qenë patriotë. Mund të kenë qenë por e kaluara nuk i fal për një faj të tillë për përpjekjet për përmbysjen e shtetit.” Edhe deputeti Luigj Gurakuqi, kërkon që të falët edhe Bajram Curri. Në vijim deputeti Ali Këlcyra, duke e quajtur ironi të fatit që atij po i takonte ta mbronte Bajram Currin dhe Abdi Toptanin në Parlament deklaron se në asnjë mënyrë nuk mund ta pranoj që të tillë njerëz të quhen tradhtarë. Duke parashtruar pyetjen: Pse luftohet sot Bajram Curri? Pse akuzohet si tradhtar? Çka bërë kundër këtij atdheu? Në sallë dëgjohen zëra se ai ka marrë armët dhe po i vret ushtarët tanë. Deputeti Këlcyra përgjigjet se ka të drejtë t’i marrë armët kushdo të jetë kur e sheh se miqtë dhe shokët i harrojnë shërbimet e tij e po dëshirojnë ta vrasin në pyjet e Malësisë.
Sot nuk po e mbroj Bajram Currin e Abdi Toptanin, por dinjitetin dhe nderin e kombit shqiptar. Kryeministri Zogu, u shpreh se nuk thashë që Bajram Curri asht i rrezikshëm por po vret edhe njerëz. Sot në grykë të Dragobisë janë vrarë dy ushtarë. Përballë këtyre fakteve a është e nevojshme të tregohet patriotizmi i kaluar?
Deputeti Bedri Pejani, në fjalimin e vet, ndër të tjera, do të theksonte: “Bajram Curri është përpjekë mjaft për çështjen shqiptare dhe unë e kam pasur nderin që për njëzet vjet të bashkëpunoj më të, por duhet ta dini se kurrë patriotizmi nuk i jep të drejtë një njeriut të përdorë armët kundër atdheut të vet. Ata kanë përdorur armët kundër një shteti që është formuar me ligje, kundër një shteti të dobët që ka arritur në këtë shkallë falënderuar qindra sakrificash. Duke përmendur edhe sakrificat e popullit të Kosovës për çështjen kombëtare Pejani shprehet se një atdhe që është bërë me kaq sakrifica e pengesa të mëdha kundër këtij atdheu nuk ka të drejtë askush t’i përdorë armët.”
Deputeti Halim Gostivari në vijim do të theksonte: “ Patriotët e vërtetë lavdërohen pasi të vdesin, në mënyrë që të jetë i pandryshueshëm gjykimi që do të bëjë historia mbi ta. Me lavde që bani Ali Këlcyra në vend që ata t’i puthi i hëngri. Përfundimisht Parlamenti vendos që t’u falet dënimi vetëm 80 personave emrat e të cilëve figurojnë në listën qeveritare. Në këtë listë nuk gjenden emrat e Bajram Currit dhe Abdi Toptanit.
Me gjithë problemet e natyrave të ndryshme në vitet 1920-1924 në Parlamentin shqiptar çështja e Kosovës ishte e pashmangshme. Karakteristike është se ajo u ridimensionua në hapësirat e politikës dhe realpolitikës shqiptare të kohës. Mu për këtë çështja e Kosovës në Parlament nuk u shtrua si çështje e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Madje, për shkak të rrethanave lëvizja irredentiste ka qenë objekt kritikash, ndonëse këtë lëvizje e udhëhiqnin personalitete të shquara kombëtare.
Arsyet e armiqësisë ekstreme të Bajram Currit ndaj qeverisë të Zogut ishin komplekse. Këtu ndikonte edhe armiqësia përsonale me Ahmet Zogun si dhe qëndrimi i moderuar i qeverisë ndaj Kosovës. Bajram Curri nuk luftonte për pushtetin e tij përsonal, por për idealin e tij, për Kosovën. Vlen për tu theksuar se Curri nuk e kuptonte mënyrën e funksionimit të një shteti modern dhe nuk arrinte ta ndante opozitarizmin nga armiqësia ekstreme politike e personale. Pra Bajram Curri nuk arriti të kuptonte se objektivat e tij dhe kërkesat që kishte ai ndaj qeverisë për çeshtjën e Kosovës ishin të pa realizueshme. Një politikë ngacmuese dhe pretenduese kundër Mbretërisë SKS mund ta fuste shtetin e brishtë shqiptar në konflikte që mund ta rrezikonin edhe vet Shqipërinë londineze.
Për meritat e tij dhënë çështjes kombëtare, ndonëse kishte kundërthënie dhe divergjenca me qeveritarët e Tiranës, Parlamenti i mori në konsideratë meritat e tij. Në mbledhjen e 30 tetorit 1926 me qëllim që t’u lehtësohet gjendja e vështirë financiare familjeve të Bajram Currit dhe Hysni Currit u jepet pension mujor.
*Kumtesë e mbajtur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës më 17. 10. 2025, me rastin e 100 vjetorit të vrasjës së Bajram Currit.