Njihuni me Piro Poloskën, biznesmenin dhe atdhetarin e palodhur të VATRES në Tampa/
Ne Foto: Piro Poloska/2- Dega e Vatrës në Tampa/3- Me kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Bucaj 4-Pershendet ne feste Piro Poloska/ 5- Vatranet e deges se Tampes/
NGA FADIL SHEHU-FLORIDA/
Midis virtyteve më thelbësore që ka në gjak,dhe shoqëron gjatë gjithë jetës së tij shqiptarin, padyshim spikatin: thjeshtësia, njerëzorja,mikpritja.Gjithësesi nuk ka se si te ndodh e ndryshe, kur përballesh me drejtuesit e degës “Vatra“ Tampa Bay në Florida, të cilët me ngrohtësinë e tyre, të ofrojnë zemrën.Këto cilësi të vyera në çdo kohë e situatë, i gjen tek ata që drejtojnë e mbajnë të ndezur zjarrin e kësaj vatre, idealet e çmuara atdhetare. Padyshim në angazhime dhe përkushtime të tilla, midis atyre që njihen për devotshmëri dhe përkushtim, spikat intelektuali,njeriu që me thjeshtësinë e tij ofron fjalën e gdhendur, fjalën e dashur dhe të ngrohtë, biznesmeni i sukseseshëm, patrioti dhe një nga themeluesit e degës Vatra në Tampa bay,Piro Poloska. I lindur në fshatin Pendavinj të fushës së Korçës, ku si në një valle të bukur devolliçe, shfaqen zënë dorë për dore, me madhështinë dhe hijeshinë e tyre fshatrat e kësaj zone kaq të njohur për njerëzit punëtorë dhe të kulturuar.
Që fëmijë,te djaloshi bjond me sy të kaltër që i picërinin për natyrën e bukur,rritej dashuria dhe kërshërija për të njohur të panjohurat e natyrës që e rrethonte. Shkollën tetëvjeçare e kreu në vendlindje me rezultate të shkëlqyera. Më pas i duhej që po me atë pasion, ti përkushtohej vazhdimit të shkollës së mesme të përgjithëshme,ku pasioni i tij per dijen e bëri që të përfundonte gjimnazin me notën mesatare 10, duke u cilësuar ndër nxënësit më të talentuar të shkollës.
Mbas mbarimit të shkollës së mesme, Piro vazhdoi studimet në Universitetin “Eqerem Cabej” Gjirokaster. Ky qytet i gurte jugor, me arkitekturen dhe njerezit e tij, u be strehe e enderave te tij rinore. Vendi ku ai, tashmë një djalosh i ri me energjinë dhe pasionin e moshës iu përkushtua studimeve në fushën a Matematikës dhe Fizikës. Edhe këtu puna dhe pasioni që e karakterizon dhanë frytet e tyre. Me rezultatet e aritura, Piro u evidentua si një nga studentët më të mirë të Universitetit dhe njëkohësisht spikati aftësia e tij organizative dhe e lidershipit në komunitetin e universitetit.
Për arësye të centralizimit partiak në emërimin e kuadrit, Piro e fillon karierën, larg vendlindjes së tij, në një trevë dhe qytet ndryshe nga Korça, mësues i Fizikës në shkollën e mesme të përgjithshme “Shefqet Guzi” të qytetit të Gramshit.
Në harkun kohor gjatë qëndrimit të tij nëntë vjeçar në këtë qytet,ai arrin të vazhdoje studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Natyrore , ku mbron me sukses Masterin në Fizikë. Paralelisht me këtë ai punonte në drejtim të mbrojtjes së Disertacionit shkencor në Fizikë, duke kaluar me sukses provimin Pasuniversitar të gjuhës Ruse dhe filozofisë, si pjesë e këtij disertacioni.
Për të, nuk kishtë rëndësi fakti se ku jetonte dhe shërbente.Të rëndësishëm ishin njerëzit e dashur dhe të respektuar të këtij qyteti, nxënësit të cilëve u jepte dritën e diturisë dhe që i jepnin më shumë kuptim jetës së tij.
Si përherë me buzëqeshjen e tij,të çelur çdo çast në buzë,me mallin dhe nostalgjinë e një kohe të shkuar, Piro tregon: “Nuk e harrroj kurrë respektin, fjalët e ngrohta të njerëzve të mirë të këtij qyteti
tepër të dashur për mua, që zë një vend të rëndësishëm në formimin tim profesional. Ky qytet u bë shtëpia ime e dytë.” Vitet e qëndrimit në këtë qytet të dashur,bënë që Piro të njihej nga afër me jetën e vërtetë të njerëzve të thjeshtë, të prekte nga afër gëzimet dhe shqetësimet e tyre,çka bënte që ai të lidhej më fort me ta dhe të mbetej një njeri i dashur, i respektuar dhe i besuar mes tyre.
Ishte koha kur brënda vetes nisi të trokiste e ardhmja e tij si familjar.
Në këtë ambjent intelektual, Piro pati fatin të njihej me mësuesen e re të letërsisë të emëruar në atë shkollë, me vajzën e bukur Korçare, të urtë, të çiltër dhe inteligjente Arjana Filipi, mbesa e aktorit të shquar të skenës dhe filmit shqiptar, ”Artist i Popullit” Thimi Filipi. Rrugët e tyre të jetës qenë takuar tashmë dhe qenë bashkuar nga dashurija e tyre për tu bërë një , dhe për të vazhduar kështu përgjithmonë. Fryti i parë i dashurisë së tyre ishte ardhja në jetë e fëmijës së parë, djalit Aris. Ky qytet,padyshim edhe sot mbetet ndër vendet më të dashura për çiftin korçar Piro dhe Ariana Poloska.
Pas afro një dekade në qytetin e Gramshit,Piro rikethehet sërish në strehëzën e tij të vjetër,në Korçë.Kthimi në qytetin e Korçës e gëzoi çiftin e ri me ardhjen në jetë të vajzës së tyre Tea, e cila padyshim sillte një dimension tjetër dhe një gëzim i ri në familjen Poloska.
Eksperienca e tij si mësimdhënës,kualifikimi profesional, Disertacioni dhe mbrojtja e Masterit, kishin bërë që Piro të akumulonte vlera të spikatura në fushën e edukimit, të cilat do i shfaqte me shumë kompetencë më pas.Puna e tij frutdhënëse,cilësitë e tij të admirueshme si njeri me temperament të qetë,kembëngulës në atë që kërkon të arije të realizoje, aftësitë organizative, spikatën në punën e tij katër vjeçare si drejtor i shkollës së mesme të bashkuar të komunës së Pojanit, dhe më pas për tre vjet si nëndrejtor i shkollës tetë vjeçare “Sotir Gurra”në qytetin e Korçës.
Në pranverën e vitit 1999,kur lulet në degët e pemëve sapo kishin nisur të çelnin, Piro merr lajmin se kishte fituar familjarisht llotarinë Amerikane të Green Card.Një portë e re po hapej në jetën e kësaj familje. E priste tempulli i lirisë, vendi i shanseve dhe shpresave të mëdha për të gjithë, Amerika.Kurrësesi,largimi nga familja,nxënësit,miqtë dhe shokët…nga Korça plakë, Korça nuse,nuk do të ishte i lehtë.
Piro po linte mes tyre 39 vjetet me te bukura të jetës së tij. Fluturon drejt Amerikës,të njohur veçse në libra,drejt një ëndrre të re drejt së panjohurës. Ankorohet fillimisht me familjen e tij pranë të afërmëve të tij në qytetin Dallas,Texas.
Mosnjohja në nivele të kënaqëshme e gjuhës angleze,ndihma finanaciare e pa mjaftueshme,motivon Piron dhe bashkëshorten e tij Ariana të përveshin “mëngët”,në punën e tyre të re pa naze apo pretendime duke punuar vetë si kamarier në një nga restorantet e qytetit, kurse bashkëshortja Ariana si shitëse në një supermarket. Krahas punës,ai iu përkushtua prioritetit të asaj kohe, studimeve. Bashkë me bashkëshorten ata ndoqën një kurs intensiv njëvjeçar në Dallas Comunity Colege për mësimin e gjuhës Angleze. I prirur që më shumë flet me vepra se sa me fjalë,i shtyrë nga ne për të vazhduar rrëfimin e episodeve të veçanta të jetës se tij,Piro shton se:“Ardhja ime këtu në Florida konsistoi me një ftesë për të vizituar Floridën.
Të them të drejtën, Florida më befasoi me ngrohtësinë e saj, me detin dhe natyrën e mrekullueshme. Duke qëndruar si vizitorë dhe duke u bërë pjesë e kësaj jete për për disa ditë, u dashuruam me Floridën dhe nuk e bëmë të gjatë.Morëm vendim të transeferoheshim këtu.
Për afro dy vjet punova në nje kompani te prodhimit të paisjeve kompjuterike në Saint Petersburg.Rrethin e tij familjar e zgjeroi edhe ardhja e familjes së të vëllait Thimaq në atë kohë. Në përsosje të mëtejshme të kualifikimit të tij profesional,ai sërish guxon për të bërë më të mirën e mundëshme për të nesërmen.
Arrin të realizoje ekuivalentimin e diplomës të marrë në Shqipëri, dha provimet plotësuese ,duke marrë diplomë ekuivalente dhe duke aritë standartet e licensimit në Mësimdhënien e Matematikës në shtetin e Floridës.Kjo i hapi rrugën për të punuar si mësues në Pinellas Co School Board duke iu kthyher në këtë mënyrë profesionit te tij të vjetër, mësimdhënies. Në procesin e blerjes së shtëpisë së tij në Largo,Piro pati rastin të njihej me mekanizmat fillestare të transaksioneve të shtëpive të banimit dhe pasurive të tjera të palujtëshme. Ky ishte një zbulim dhe pasion i ri për të. E tërhoqi sidomos fakti që do kishte shumë më tepër mundësi për të qenë më pranë njerëzve. Nisi kështu të merrte krahë një ëndër dhe karierë e re. Pas licensimit si Real Estate Agent, punoi për një kohë të shkurtër part time krahas mësimdhënies. Nuk u desh shumë kohë, që në vitin 2003 të kalonte si Realtor (Agent Imobilar) me kohë të plotë.
Puna e tij e re i dha kënaqësinë e patjes së mundësisë tu asistojë njerëzve në një nga investimet më të mëdha financiare në jetën e shumicës së njerëzve, siç është shtëpia e banimit.Në veçanti duke punuar nga afër me emigrantët shqiptarë të ardhur në shtetin e Floridës gjatë viteve të fundit,nga Shqipëria,Kosova,Maqedonia,Mali i Zi. Asistenca e tij teknike, duke sqaruar dhe këshilluar njerëzit për detajet ndonjëherë të komplikuara të blerjes dhe shitjes të pasurive të palujtshme ka qenë një ndihmë e madhe sidomos për bashkëatdhetarët e sapoardhur dhe që për këtë arësye nuk kishin njohuritë dhe eksperiencën e mjaftueshme në këtë fushë. Piro drejton sot “The Poloska” Team, i përbërë nga një grup Realtors, expertë në fushën e shitjeve dhe blerjeve të shtëpive dhe bisneseve. Një dimension i ri i aktivitetit të këtij bisnesmeni të suksesshëm si investitor në pasuritë e paluejtëshme është edhe krijimi i kompanisë “Elite RE Investments Inc.” Djali i tij Aris që nuk ka shumë kohë që është diplomuar në Financë dhe Manaxhim bisnesi, është licensuar gjithashtu si Real Estate Agent dhe punon si Zv/President i kësaj kompanie, duke vazhduar në gjurmët e të atit dhe duke sjellë një frymë dhe energji të re në bisnes dhe njëkohësisht me ekspertizën e tij ka bërë të mundur që të shumëfishohet shifra multi miljonëshe e shumës së vlerës së shitjeve të kryera.
Bashkëshortja Ariana nuk ju nda pasionit të saj të vjetër të edukimit. Sot ajo manaxhon me shumë sukses bisnesin e saj në edukimin e fëmijëve parashkollorë. Vajza Tea, mbas diplomimit universitar në Shkencat Biomjekësore vashdon studimet pasuniversitare për tu bërë mjeke. Me siguri mundet të themi që ajo që ka aritur të realizojë kjo familje në këto vite është një shembull i vërtetë suksesi dhe i mundësive që ofron SHBA.
Portreti i këtij njeriu do të ishte i mangët, po të mos nënvizonim mirë kontributin e tij të veçantë në komunitet. Ai u është ndodhur njerëzve pranë në çdo nevojë, duke i ndihmuar jo vetëm me strehimin por edhe më tej, me çdo gjë që ka patur mundësi. Ndjenja e tij e fortë patriotike kombëtare është evidentuar më së miri gjatë gjithë kohës. Nuk është rastësi që Z Piro Poloska ishte pjestar i grupit nismëtar për krijimin e degës Vatra në Tampa Bay. Duke e mbështetur fuqishëm këtë nisëm dhe duke dhënë kontributin e tij modest në suksesin e kësaj shoqate si Anëtar i Këshillit Drejtues të saj. Çdo bashkëatdhetar që e ka njohur Piron, të flet për të me fjalë zemre dhe mirënjohje për kontributin e tij, për punën e tij të sinqertë, humanizmin e tij të spikatur si patriot i flaktë, intelektual, bisnesmen dhe Vatran i devotshëm.Janë pikërisht këto vlera që lartësojnë personalitetin e këtij njeriu të thjeshtë,të cilat ai i manifestoi me shumë pasion në hapjen e të parës shkollë shqipe një vit më parë,nga dega Vatra,në qytetin Clearwaternë shtetin e Florides.
Eshtë kjo shkollë,e cila falë përkushtimit të kryetarit të kësaj dege,Tasim Ruko, i mbështetur nga vatranët,beri te mundur që çdo shpenzim,madje dhe mësimi të jetë falas.Padyshim –thotë Piro,-suksesi i aritur na obligon për të punuar me më teper përkushtim dhe dinjitet për çështjen kombëtare në udhën e patjetërsuar që na ka dhënë Fan Noli ynë i madh, per te ruajtur dhe çuar me tej vlerat e atij standarti te larte te trasheguar nga ky vizionar i ralle. E thene shkurt dhe thjesht, ky është portreti i njeriut të mirë,intelektualit patriot,aktivistit të palodhur të degës Vatra në Tampa Bay- Florida,vatrani i nderuar nga të gjithë,Piro Poloska.