• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bashkim Alushi Tregon për magjinë e pikturës

July 23, 2018 by dgreca

BASHKIM ALUSHI : Ju tregoj se si realizova pikturat kushtuar Skënderbeut,Ismail Qemalit,FanNoli dhe Nënë Tereza/

1 Alushi a3 Skenderbeu2 Nene Tereza6 Fadil Hasa4 Enrik veizi6 myzeqarka8 Portret10 Rexhep Qosja9 Diktatori

Intervistoi per Dielli-n Fadil SHEHU/FLORIDA/

Piktori fierak Bashkim Alushi, anëtarë i akademisë së arteve europiane, njihet si një nga piktorët më të sukseshëm, i cili ka dhënë kontribut të veçantë në rritjen e vlerave të reja të pikturës shqiptare.Teknikat e ndryshme në vaj grafikë dhe akrilik, janë vlerësuar dhe në ekspozitën e tij të  hapur  kohët e fundit në Itali dhe së shpejti ekspozitën vetjake në Kroaci.

Pyetje: – Bashkim, keni  vite dashuruar me magjinë që të falë piktura. Si  i kujtoni  trokitjet e emocioneve të pikturave të para?

Pergjigje:- Padyshim që në vitet e fëminisë trokasin shumë pasione.Piktura tek unë starton pikërisht në këtë moshë, por që brenda meje u rrit dhe hodhi shtat gjatë gjithë ecurisë se jetës time.

Pyetje-Mendoni se kjo gjini ju ofroi qysh në vitet e shkollës se mesme, botimin e pikturave të para në disa organe të shtypit të kohës, madje të guxonit të hapnit dhe ekspozita?

Pergjigje: Vërtetë nuk e di. Vazhdimisht kam punuar duke arritur në vitet e para të shkollës së mesme ushtarake“Skënderbej”të botoj piktura me tematikë të ndryshme në organe të shtypit, kryesisht në gazetat“Drita”,“Zëri i Rinisë”,“Luftëtari”dhe revistën“10 Korriku”.

Pyetje: Po ekspozita e parë, ju kujtohet kur e keni hapur?

Pergjigje:- Ekspozita e parë mbetet për mua një nga evenimentet më të veçanta në jetën time.Në vitet studentore kur studioja në degën topografi, u përfaqësova para publikut kryeqytetas me ekspozitën time të parë, e cila u hap në sallën e galerisë së arteve, në pallatin e kulturës në Tiranë.

Pyetje:- Shpesh herë jeni shfaqur me punime në peisazh, portret dhe kompozicion.Në cilën prej gjinive të këtij trinomi  ndjeheni më mirë?

Pergjigje: Mendoj se të treja këto kanë qenë bashkëudhëtare në ecurinë e udhëve në  krijimtarinë time. Pothuajse në të gjitha ekspozitat e çelura në nivele lokale e kombëtare si dhe konkurse të organizuara nga galeria kombëtare e arteve, jam paraqitur me punime në peisazh, portret dhe kompozicion, të cilat edhe sot janë të dashura për mua.Më vjen mirë që ky trinom vazhdon të jetoj prej vitesh si një trup i vetëm.

Pyetje:- Ju keni hapur disa ekspozita personale dhe ekspozita me bashkëautor jashtë vendit. Cili ka qenë reagimi dhe vlerësimi nga ana e artëdashësve të huaj?

Pergjigje: Do të veçoja ekspozitën personale në qëndrën “Galiko Institut”në Athinë, ekspozitën  në “Palazzia Camarda” në Fiera Dela Pesca në Romë, duke mos harruar këtu vlerësime maksimale nga mjaftë artëdashës, teksa ndiqnin me kureshtje punimet, si dhe ekspozitat kolektive në Slloveni, Belgjik, Greqi, Zvicër  dhe Kosovë.

Pyetje: Jeni ndër piktorët më të veçantë në lëvrimin me sukses të gjinisë së portretit.Si jeni ndier kur keni punuar nga afër pertretet e Dritëro Agollit,Kadri Roshit,Liri Belishovës,Rexhep Qosjes,Mevlan Shanaj…

Pergjigje: Padyshim që ndjen një kënaqësi por njëherësh obligim të veçantë për këta njerëz, të cilët nga të gjithë njihen si “ikona” që i kanë shërbyer me devotshmëri çështjes shqiptare në Shqipëri dhe kosovë, popujt e të cilave prej vitesh kanë qenë të diskriminuar nga regjimet totalitare.

Pyetje: Në qytetin e Ankonës në Itali ju keni hapur një ekspozitë me portrete  që i kushtohet grave që luftojnë për liri e pavarësi, midis tyre portrete të nënave shqiptare dhe kosovare,Nënë Terezës,Emma Bonino, zvëndëse presidente e  Senatit italin, E.Bonino, presidente e shoqatës “Qytetare të botës”, Mimoza Ahmetaj, si personalitete të njohura me vlera kombëtare e botërore. Si është vlerësuar nga publiku italian  kjo ekspozitë?

Pergjigje: – Mendoj se çdo njera prej këtyre veprave mbart në vetvete motive të fuqishme emocionale dhe shpirtërore si bamirësja e çmimit “Nobel” Nënë Tereza, gruaja e betejave politike Emma Bonino. Në pah del fisnikëria e nënës shqiptare e cila merr një kult të veçantë emocional, ku shprehen dhimbje, krenari dhe lot, duke veçuar këtu, motivet e hidhura të vitit të zi 97, dhe  nënat e përlotura kosovare nga gjenocidi i egër Serb.

Pyetje: Krijimet tuaja dallohen për cilësi të lartë artistike.Çfarë mesazhi sillni nëpërmjet  kompozicionit kryesisht në pikturat  kushtuar Skënderbeut,Ismail Qemalit,Fan Nolit, Nënë Terezës dhe figurave të  tjera  të shquara shqiptare?

Pergjigje:- Mendoj se këto figura të spikatura duke mos harruar punimet e ndryshme, janë vlerësuar nga auditori shqiptar dhe i huaj,për nivel të lartë në zbërthimin psikologjik të individit,duke ndërtuar karaktere të fuqishme, të cilat në vetvete mbartin forcë,vitalitet dhe jetë.

Pyetje: Zoti Bashkim, në çdo krijim të përfunduar nënshkruani autorësinë tuaj, përse  tek  portreti i shkencëtarit dhe artistit Enriko Veizi, nuk e keni bërë një gjë të tillë?

 Pergjigje: Është  portreti  më i  veçantë  dhe  i  vetëm  që unë e kam bërë një  gjë  të  tillë. Portretin  nuk  e  firmosa,  por  e lashë ashtu të bardhë, ku me shkronja  të   padukshme janë shkruar emrat  e  të  gjithë  atyre  që  do  të  kishin  dëshirën  të  portretizonin  atë. Pra unë dëshiroja të mbetesha anonim. Po, unë e kam bërë Rikun, unë e modelova  portretin  e  tij nga  vetë  mëndja  ime,  si obligim  për  të  gjithë  ata që  jetojnë  përjetësisht. Për ata që nuk vdesin  kurrë. Po unë bëra detyrën time si krijues, për mikun tim, për njeriun fisnik, njeriun e shquar ENRIKO VEIZI.                                                                             

Pyetje:- Krahas“vallëzimt”të penelit prej afro 40-vjet në gishtërinjtë tuaj, pasioni rend dhe drejt përdorimit të spatullës.Çfarë cilësi të veçantë zotëroni në spatull, që krijesa juaj bëhet e besueshme tek auditori?

Pergjigje:- Në lëvrimin pafundësisht në grafikë dhe pikturë, gjatë gjithë jetës në karrierën time qëndron përdorimi i spatullës,e cila brenda vetes mbart energji dhe frymëzim ekspresiv.Gjithëçka ideoj, mundohem ti shpreh nëpërmjet frymëzimit.

Pyetje:- Cili publik ju ka vlerësuar më tepër në ekspozitat e hapura gjatë viteve të fundit?

Pergjigje:- Patjetër  publiku shqiptar, sepse si “zot shtëpie” ai të vendos notën që ti meriton.

Pyetje:- Ç’është arti i pikturës për ju?

Pergjigje:Piktura është natyrë,është qiell,është oqean. . .është jetë.

INTERVISTOI: FADIL SHEHU

Florida, Korrik 2018

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Bashkim Alushi, Fadil Shehu, Interviste

MARJANA BULKU: GJUHA DHE VLERAT,NA BASHKOJNE PER JETE

April 21, 2018 by dgreca

-Nëse do t’i ktheheshit retrospektivës së viteve të fëmijërisë suaj, si do i kujtonit ato?

Ah fëmijëria, ajo është “mbretëria jonë e humbur” (kështu e konsideroj  unë atë) edhe pse ne jemi një brez i rritur në errësirë kishte më shumë lumturi brenda saj, ndoshta për shkak të naivitetit të kohës, të izolimit, pa lirisë, mungesave të disa kushteve minimale që kur ua tregoj fëmijëve sot u duken të pa konceptueshme. E,megjithatë dy gjëra të mrekullueshme  që e kanë mbështjellë fëmijërinë tonë unë dua ti kujtoj gjithmonë. Ato janë:1.Përkujdesja e jashtëzakonshme prindërore dhe 2. Miqësia e mirë. Gjithësesi është mirë që në çdo etapë të jetës, njeriu duhet të gjejë të mirën, ta ruajë atë në shpirt e pse jo edhe tia përcjellë brezave.

-Keni përfunduar studimet e larta në universitetin Histori-Filologji të Tiranës,dega Gjuhë Letërsi dhe më vonë studimet pas universitare, institutin e Studimeve Europiane, Master për Politika  dhe Institucionet në Bashkimin Europian. A e kishit menduar se po bënit zgjidhjen e duhur për të ardhmen tuaj? 

 -Kur përmenda mangësitë e rritjes pak më sipër, kisha parasysh edhe mungesën e lirisë për të zgjedhur profesionin e së ardhmes bazuar në merita dhe preferenca, për këtë as flitej e mendohej para viteve 90-të. Janë mijëra të rinj që u mohohej e drejta e studimit për shkaqe politike dhe qindra të tjerë që nuk e kishin të drejtën e zgjedhjes të degës për të cilën donin të studionin. Duket qesharake sot kur kujtojmë se partia shtet vendoste për ne. Shkollimi i lartë i limituar dhe sistemi i politizuar deri në robëri e kushtëzonte lirinë tonë madje mundej që edhe të na e privonte atë.Brezat e rritur në izolim nuk mundën ta liberalizonin shkollën e lartë edhe pse për hir të së vërtetës ajo konsiderohej “paja” për ne gjeneratat e para 90- tës.Por unë e kam dashur letërsinë edhe pse ëndërra ime ishte mjekësia. E në mangësi të saj fjalën e kam përdorur si “mjet shërimi” pasi vërtet besoj se komunikimi i butë, zbut dhe shëron. Letërsia u bë pasioni dhe profesioni im.

-Ndonëse po i kushtonit kohë dhe vëmëndje letërsisë, mësimdhënies, çuditëtisht  një ditë në jetën tuaj zë vend dhe politika.  Si ndodhi?

  -Politika kjo gjë e ndaluar për qytetarët shqiptarë, ka qenë diku në familjen time, e nëndheshme, e padukshme. Gjyshja e mamës time , një grua stoike siç e përshkruajnë bashkohësit ishte delegate e Dibrës në kongresin e parë të gruas antifashiste në Berat në vitin 1943, madje edhe kishte mbajtur një fjalim atje. Për familjen e saj Kadiu , një derë ku predikohej fe dhe moral kjo nuk ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme, ndërsa për Dibrën e izoluar të asaj kohe, madje edhe të kësaj kohe ky fakt duhej të ishte historik, por historitë tona janë prej lapsi dhe gome …Tek unë u gdhend ajo grua e cila mbajti në shpirt dashurinë për fenë dhe jo për partinë nga e cila familja e saj do të kishte goditje të njëpasnjëshme.Mamaja ime ka qenë kryetarja e parë e Lidhjes Demokratike të gruas në Dibër, lidhje të cilën më pas do ta drejtoja unë. Krijimi i Partisë Demokratike në Shqipëri,pavarësisht turbulencave, kishte mision përmbushjen e të drejtave të mungura, dhe i parë nga ky kontekst ishte domosdoshmëri e vonuar që për shkak të izolimit të gjatë dhe pamësimit me lirinë, derivoi në një lloj pluralizmi kaotik. Unë i përkas asaj shkolle politike mbase pak klasike por që beson se politika është arti i zgjidhjes kur aplikohet nga njerëzit e duhur. Sot tabloja politike është e mjerë por kjo nuk mendoj se duhet ti stepë intelektualët dhe patriotët , përndryshe vendi do ti nënshtrohet një lloj diktature edhe më brutale e më të padrejtë se ajo që na izoloi nga bota e zhvilluar për më shumë se pesëdhjetë vjet.

-Vjen një ditë,largimi nga të afërmit, miqtë, shoqet, vendlindja… Shqipëria,  duke shtegëtuar në Amerikë. E prisnit këtë  shkëputje?

-Ka qenë korriku i vitit 2011, dita kur u larguam nga Shqipëria, jo me një vendim definitiv, por që më vuri përpara një vendimi shumë të vështirë kur im bir fitoi një edicion arkitekture dhe iu rezervua një vend studimi nëe Art and design hight school Manhattan. Aty unë ndalova, mora njëdrejtim krejt tjetër, ishin ëndrrat e tij që udhëhiqnin hapat e mija jo të lehta në Amerikën që nuk ka qenë kurrë destinacioni im për të ndërtuar jetën.

-Sa i vështirë ishte për ju  integrimi në Amerikë,veçanërisht në  jetën  gjigande  Nju Jorkeze ? 

-Për mua ka qenë e vështirë shkëputja nga Shqipëria, ishte një ikje e pa vullnetshme, e diktuar nga rrethanat dy -tri vitet e para pothuajse vetëm fizikisht ndjehesha këtu sepse shpirtërisht dhe mendërisht ndjehesha në Shqipëri, atje ku edhe sot ndjej se jeton pjesa më vitale e jetës time. Njeriu është i detyruar të përshtatet e për më tepër në Nju Jork,në këtë vend ku popullsia pothuajse shumicë emigrantësh, ndjehet ngrohtë në një shtet gjigand si ky ku të gjithë jemi të huaj por askush nuk ndjehet i tillë. Këtë lloj sistemi, adaptimi që vetëm Amerika e ka, fillova ta pranoj , kuptoj dhe sot realisht e vlerësoj shumë si një model kulturor që diversitetin etnik e konsideron vlerë dhe pasuri. Integrimi është një proçes që nis me përshtatjen ndaj një ritmi tjetër pune e përditëshmërie që unë e konsideroj si përvojë. Ka pothuaj tri vjet që unë punoj në shërbimin shëndetsor ambulator brenda një korpusi spitalor nga ku ke aq shumë për të mësuar që nga cilësia e kujdesit për pacientin që këtu konsiderohen si klientë e deri tek teknologjia e avancuar e të dhënave për pacientin, të drejtat e tij dhe rëndësinë e jetëve njerëzore në realitetin amerikan sidomos krahasuar me vendet nga ne vijmë.

-Në shumë shtete këtu në Amerikë,funksionojnë jo pak televizione shqiptare. Përse zgjodhët për të punuar në televizionin“Albanian Culturë” dhe jo në një televizion tjetër?

-Kontaktet e mia me televizionin Albanian Culture kanë qenë rastësore, rastësi e bukur do ta quaja në dy evente prezantime librash ku njërin e moderoja unë dhe tek tjetri thjesht u intervistova nga drejtuesi i këtij televizioni zoti Adem Belliu. Që nga ajo kohë ne kemi një bashkëpunimshumë të frytshëm me televizionin Kultura Shqiptare, i cili tashmë ka një histori më se 20-vjeçare në komunitetin shqiptaro-amerikan këtu. Unë jam part time aty për shkak se puna ime e përditëshme i përket një fushe tjetër por që në fakt shpesh herë bëhet burim frymëzimi për mjaftë emisione, mendime dhe vlerësime për jetën që janë bazë e emisionit tim “Një jetë…disa histori”.

-Prej katër vitesh drejtoni emisionin”Një jetë…disa histori”, ideuar  dhe realizuar nga ju.Si lindi ky produksion?

-Kur u ula për herë të parë në atë studio modeste televizive gjëja e parë që ndesh aty është arkivi i pasur Aty pata rast që vetëm në pak ditë të”njoh” shumë çka nga shqiptaro amerikanët, veprimtari, intervista, kronika, madje pata nxitjen e bashkëthemelueses së këtij televizioni, zonjës Mimoza  Belliu për të vazhduar një cikël të hershëm “Bota e gruas” por jo, tashmë në mendjen time ishte kristalizuar “Një jetë…disa histori “, e cila tashmë është një historizës katër vjeçare.

-Si ndiheni përballë ekranit, i cili padyshim ju merr jo pak kohë që nga projekti, takimin me personazhin, deri tek realizimi i emisionit?

-Ekrani është përgjegjësi ,është komunikim, është qasje me kohën edhe kur koha , dita apo çasti jot ka preokupime të tjera e megjithatë ajo çka është gjithmonë me mua, gjithmonë një është serioziteti në veshje, sjellje,komunikim.Për mua ajo studio është një marrdhënie shumëplanëshe me problematikën,të ftuarit dhe ata që e ndjekin komunikimin. Miqtë e televizionit Albanian Culture, janë shikues konservatorë që vlerat e familjes, traditës , historisë i kanë të shenjta , edhe unë po ashtu , jo vetëm për të qenë sinkron me ta, por sepse ato janë në tërësinë e qenies time.Të ftuarit e mi janë individë të fushave të ndryshme, që të gjithë kanë vëmendjen time maksimale sepse të kuptohemi në shumicën e rasteve ato biseda janë spontane,të natyrshme,  pa  asnjë  truk apo parapregatitje ,por shumë prej të ftuarve janë inspirim për mjaftënga shkrimet e mia për arsye të multi problematikës që derivon nga ai bashkëbisedim historish personale e kolektive.

-Keni mundur të intervistoni personalitete nga fusha të ndryshme të jetës,jo vetëm këtu në SH.B.A.por madje nga Kanadaja dhe Shqipëria. Cilin prej tyre mund të përmendësh  si më mbresëlënës?

-Janë vërtet me dhjetra e   dhjetra personalitete, njerëz të zakonshëm, artistë edhe pse i kam të gjithë në kujtesë nuk do bëj specifikime , janë miq të albanian culture tv, janë në fondin e arkivit dhe kam bindjen që në të ardhmen do jenë në nje botim po me këte titull.

-Cili mbetet çelësi i suksesit në punën tuaj,që pas çdo emisioni, edhe  pse e lodhur,sërish ndjeheni e kënaqur?

-Është kënaqësi kur sheh se ekranit i rritet shikueshmëria ,është edhe përgjegjësi dhe detyrim për të rritur cilësinë, për të sjellë histori por edhe vlera në studio që natyrisht mbart edhe vështirësi objektive brenda.Televizionet shqiptare këtu nuk janë aq të fuqishme në teknologji dhe mjedisin fizik,e megjithatë ato mbeten kampione të mbajtjes gjallë të kujtesës, promovimit dhe ruajtjes së kulturës shqiptare, gjuhës dhe historisë tonë si dhe promovimit të vlerave të fushave të ndryshme, e kjo është jo vetëm kënaqësi por edhe mision që natyrisht mbart shumë aktorë brenda. Pra nëse ka sukses në komunitet ky sukses do të pasqyrohet edhe në ekran,ne jemi një korelacion veprimesh që ekziston dyanshmërisht.

-Çfarë do të thoshit për bashkëpunimin, konkurencën që ekziston  midis  jush dhe kolegëve të televizioneve të tjera?

-Unë  nuk e konsideroj si konkurencë ekzistencën e disa mediave , është një marrdhënie paralele, ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, por në një fushë të lirë veprimi çka nënkupton se ka kaq shumë hapësira në Amerikën e madhe, ku kreativiteti nuk duhet të na bëjë konkurues ndaj njëri- tjetrit por të ndryshëm, të larmishëm dhe partnerë në çështje të përbashkëta.Sa për ta ilustruar:kur në studio kam dibran unë detyrimisht dua të kem në krah Beqir Sinën, dibranin që nuk u ngop kurrë me Dibrën.

-A pretendoni se veten tuaj e shprehni më mirë,kur shkruani artikuj e poezi,apo gjatë punës suaj në televizion?

Unë nuk besoj në përsosmëri edhe pse kam idhuj të cilët i konsideroj të përsosur, por kur dëgjoj veten jam kritike ndaj saj. Mendoj se shkrimi është një mënyrë më e maturuar e prezantimit të mendimit, madje proza ime edhe pse pak  botuar, është më e bukur. Më pëlqen stili telegrafik ku teksti dhe konteksti i shkojnë lexuesit në mënyrë të shpejtē, të ngjeshur, konçize. Kam dashur gjithmonë që çdo akt leximi të nxisë reflektime e kritika dhe të mos jetë vetëm vargëzim shkronjash. Mesazhi e bën veprën jetë gjatë.

-Mendoni se tematika që shtrohet në shkrime apo komunikimet tuaja i jep vlerë atyre? 

-Natyrshëm që tematika, të qenit sinkron me realitetin natyrisht edhe fleksibël, sepse ne jetojmë në SHBA dhe sensi i realizmit këtu apo atje kanë masën e vet çka e bën edhe më të vështirë rolin dhe vërtetësinë e shënimeve, por ky pozicion këtu dhe atje ka edhe bonuset e veta që të vejnë në pozita solide kur lexon objektivisht dhe i nënshtrohesh logjikës të së vërtetave.Është me shumë rëndësi sensibiliteti dhe reflektimi, tipare këto që të mbajnë gjithmonë në kontakt me temat e kohës.

-Ku e shikoni Ju tashmëMarjanën,si nënëe dy fëmijëve, bashkëshorte, njëkohësisht poete dhe gazetare?

-Kur shikoj vitet qërendin,mosha,djemtëqërriten e shkollohen, natyrshëm  aty ështëMarjana dhe Iliri,bashkëshorti im, roli ynëi padiskutueshëm nëkonsolidimin e edukimin  e dy djemve. Padyshim e përditëshmja, e ardhmja  brënda meje ështëpoezi,prozë, letërsi.

-Sa kanë  ndikur tek ju përfundimi  i studimeve Europiane, krijimtaria   juaj si poete, në gazetari , moderim?

-Shkollimi dhe përvoja janë dy anë paralele që nxisin dhe rrisin njëra tjetrën, ndaj dhe pas çdo cikli studimi kam pyetur veten se si do ti ruaj çka mësova edhe nëse ato nuk do më duhen. Dhe e vërteta është se më janë dashur gjithmonë. Dijet nuk të tradhëtojnë kurrë. Në punën e përditëshme mësuesia më vjen në ndihmë kur më duhet ti kujtoj diabetikut dietën, të moshuarit ilaçet, depresivit dashurinë për jetën dhe njeriut në përgjithësi se shëndeti i mirē është kapital.E natyrisht që dijet e studimeve master politikash evropiane janë një bagazh që merr dhe i jep formë çdo komunikimi.Jeta është më e thjesht dhe e bukur kur din, padija të burgos , të bën të pa lirë dhe këtë ne e kuptojmë kur largohemi nga Shqipëria.Megjithatë unë e konsideroj edukimin si një bonus individual që gjithë se cili e ve në përdorim mbi bazën e kapaciteteve personale intelektuale.

 Kohët e fundit, jeni zgjedhur në Kryesinë e Vatrës. Çfarë do të thotë të jesh në Vatër e për më tepër në forumet drejtuese të saj

-Federata Panshqiptare “VATRA” ,është faqja më e bukur e historisë së Shqipërisë, që i dha emër dhe jetë Shqipërisë edhe përpara shtet formimit, është vendi ku të gjithë shqiptarët pavarësisht mureve gjeografikë,apo politikëndarës ndjehen bashkë.E konsideroj përgjegjësi   angazhimin tim apo të çdokujt tjetër aty. Është ai lloj vendi ku ligjëroi Konica e Noli e ku çdo fjalë e mendim duhet të ketë peshë e maturi. Për shqiptarët e vjetër këtu Vatra është lidhja me atdheun ndërsa për ne rishtarët është mohimi i padrejtë i lirisë, prandaj ne kemi të nevojshme ti takojmë këto dy kohë që mbartin shumë histori të pashkruara ende.Le ta quajmë një muze shqiptarie që nëse do ndrijë do na nderojë, e nëse do e denigrojmë do jetë përgjegjësi dhe faj historik. Unë besoj që po jetojmë atë lloj moment historik ku çdo lloj përgjegjësie apo angazhimi shoqëror i duhet dhe i vlen  Kombit sot më shumë se kurrë.

-Çfarë mendoni për rolin dhe cilësinë e shkollave shqipe në diasporë.

 -Pa dashur të paragjykoj ato dua të nxis dhe përkrah çdo lloj vullneti për të mbajtur gjallē gjuhën shqipe. Dhe ky vullnet mundet të vijë nga familja,intelektualët, televizionet, organizatat, individët, nuk ka rëndësi se si vjen por është shumë e rëndësishme që të institucionalizohet  dhe shkolla është vendi i duhur.Nuk ka investim më patriotik sesa ai gjuhësor, ndër të gjitha të shumtat që na ndajnë, gjuha është vlera që na bashkon sot e përjetë.

– Cila ështënjëditëe zakonshme për Ju?

-Gjëja e parë, me të cilën nis dita ime, është kafja,letra dhe lapsi.Tre botimet e librave të mi me poezi“Zemër e Thinjur”, “Lutja e Vetmisë” dhe “Muzg egzistence” që tashmë i përkasin një epoke tjetër  (Qesh ciltërsisht)së shpejti do të shoqërohen nga “lindja “ e një libri të ri,Duke mos harruar kurrësesi prozën,ku po përpiqem të gjej kohën dhe momentin e duhur,të mbledh krijimet e kohëve të fundit,në rrugëtimin e librt të dytë në prozë. Ndonëse këto “hoje mjalti”, i përkasn retrospektivës së disa viteve të mëparshme të Marjanës,e cila fizikisht jeton në Amerikë, por shpirtërisht jetoj në Shqipëri

                                             INTERVISTOI :FADIL SHEHU

                                                        Nju Jork ,Prill 2018

Filed Under: Interviste Tagged With: Fadil Shehu, Interviste, Marjana Bulku

XHEVAT LIMANI: JAM I ZHGENJYER NGA LIDERET- NE KRIJOJME HERONJ PREJ BALTE!

September 7, 2017 by dgreca

xxxximagesUPSIF18Ximg_5891-1thumb117img_1903xhevat-limani-aktor-720x420

Intervistë per Gazeten Dielli ne SHBA e gazetarit Fadil Shehu me regjisorin, shkrimtarin e aktorin Xhevat Limani /

xhevat-limaniScreenshot_20170627-223703_01-343v9n8tslf6ssu7bpr9xmlibratora-shqiptareuntitledxhevati

PYETJE- Çfarë ju kujton Struga e urave magjepsëse,Drinit të kristaltë, njerëzve bujarë,ku çdo vizitor ndjehet si në shtëpinë e tij?

PERGJIGJE-Struga është qytet hyjnor,dhuratë Perëndie dhe privilegj i gjakut arbëror.Tingëllon bukur si në gjuhësi,në këndim,vallëzim,në kostumografi,në arkitekturë dhe koreografi.Arti i popullit rrezaton katërcipërisht i pastër në shqip.Perëndia i fali liqenin ujë kristalor, Drinin përrallor,fushën e begatë drithërore dhe malet me blerim të përhershëm përeth. Aty mjelmat dhe pulëbardhat fluturojnë kaltërsisht ku troftat e ngjalat provokojnë shijen. Dikur shkrova vargjet“O udhëtar bote,në të zëntë nata në rrugë,të lutem ndalu në Strugë…”

Në gjimnazin e këtij qyteti,jeta juaj do të hynte në rrjedhën midis dy dashurive, vajzës esmere dhe dashurisë për artin.Ishit i bindur se të dyja këto do të ishin përjetësisht bashkëudhëtare të jetës suaj?

-Fati u prinë të zgjedhurve vetëm kur ata veprojnë.Në shkollë shkova për mësim duke besuar shprehjen e dishepullit të letërsisë shqiptare, bilbilit Naim Frashëri, se vetëm rrugë e diturisë përpara do na shpjerë.Ditën e parë në gjimnaz më ra në sy e bukura shtatselvi Lule.Zemrën ma shpuan tej e përtej shigjetat e zjarrta të një dashurie çasti që lind dhe përcëllon.Dikur gjatë pushimit e thirra anash tek parku,ku ajo po fliste me shoqet. I thashë qetë me fjalë plumbi.Lule,ti je e zgjedhura ime.Në fillim ajo u hutua dhe filloi të skuqet.E mori disi veten dhe desh ta kalonte situatën si me shaka.Mos u tallni me mua,ju lutem. Jo i thashë Lule. Ky është vendimi im i prerë.Ti do të jesh zonja ime.Unë jam fati yt…mos harro.Ajo donte të thoshte diçka,por unë i vura pikë dialogut si në kuvend të perëndive, kur caktohet fati.Koha dëshmoi se kisha të drejtë.E bukura rrëmbehet dhe nuk mund të pranoja që të jem i zgjedhur viktimë i ndonjë pule të lagur apo pate të ngordhur. Të tjerat rrodhën vetvetiu sipas vullnetit të Zeusit dhe verdiktit të Lules, bashkeshortes sime  të ardhëshme.Zgjedhje më të mire nuk do  e kishte bërë as vetë Perëndia.

-Ikët nga qyteti juaj dhe shkuat në Prishtinë për studime,ku studiuat per aktrim dhe letërsi. Pasi u diplomuat u kthyet në teatrin shqiptar në Shkup si aktor i parë profesionist ndër shqiptarët e Maqedonisë.?

-Në Prishtinë studiova për aktrim dhe letërsi.U diplomova në klasën ku pedagog kishja aktorin e madh të filmit Faruk Begollit.Letërsinë e mora për tia dëshmuar babait tim aftësinë time.Ai në fillim nuk më mbështeti,duke aluduar se unë duhej të studjoja mjekësi apo drejtësi.Por ëndërra ime mund të realizohej vetëm përmes artit dhe letërsisë. Në aktrim ka diçka që të shenjtëron.Përballja me publikun.Të gjithë presin sy e veshë, mendjehapur dhe zemër kurreshtarë.Të thuash të vërtetën e besuar të protagonistit, duke  bërë shpirtin operacion pa anestezi.Dhe kur mbetesh vetëm përballë vdekjes,qoftë ajo imagjinare, artistike,kur dritat fiken ngadalë,paralel dorëzimit të shpirtit trupi bie ngadalë mes ndjenjash makabre.Në terr shpërthejnë eufori duartrokitjesh,ndërsa ti kufoma e gjallë ngjitesh në “Harkun e Triumfit”.Padyshim mendoj se gjuha dhe letërsia e ndihmojnë mjaftë aktorin në zbatimin praktik të fonetikës.Morfologjia ndihmon në formësimin e mendimeve përmes kategorive të ndryshme,emrat,mbiemrat,përemrat, foljet,lakimet dhe zgjedhimet,etj.Letërsia i ndihmon krijuesit për të notuar bindshëm lumenjëve,liqejve,detrave dhe oqeaneve të krijimtarisë popullore dhe autoriale. Në 1974 pas diplomimit në aktrim desha të vija në SHBA, por nuk munda për shkak të shërbimit ushtarak.Atë vit punova si profesor i gjuhës dhe letërsisë në gjimnazin e Strugës. Ndërkohë me gjimnazistë shfaqa dramën e famëshme, “Duke pritur Godonë” të Semjuel Beketit.Në garat e teatrove alternativë të republikës, prej gjashtë shpërblimeve të festivalit që mbahej në Veles,pesë i fitova unë me projektin tim teatror.Ky sukses padyshim, motivoi drejtorin e përgjithshëm të teatrit në Shkup që asokohe thirrej teatri i kombësive,Xhevdet Mustafa,që unë të isha pjesë e këtij  teatri.Në shtator të vitit 1975 fillova punë në teatrin e Shkupit. Atje më pritën mirë.Atëherë kuptova se unë paskësh qenë aktori i parë profesionist ndër shqiptarët nën Maqedoni.

Çdo të thoshit për partnerët dhe kolegët tuaj,në vlera artistke dhe respektin ndaj teje?

-Ishte një gjeneratë e zellshme amatorësh që me përvojën e tyre kishin arritur nivel profesional,natyrisht të ndihmuar nga aktoret kosovar Selman Jusufi dhe Ismail Rama.Më pas erdhën aktorët e posa diplomuar,Sefedin Nuredini,Vebi Qerimi,Teuta Ajdini dhe Refet Abazi.Aty ishte dhe i palodhuri Bajrush Mjaku.U formua një ansambëli vertete artistik,i cili nisi të hapte një faqe të re nëe teatrin shqiptar në Maqedoni.Ne si gjak i ri deshëm të dëshmonim se mund ta mbajmë diellin me një dorë, sado që rrezatonte plagë dhe sakrifica.Ishte një ngjitje sizifjane dhe tepër e vështirë,veçmas kur filluam të bëjmë repertor të dramës kombëtare.Doja të vlerësoja ndihmën e pakursyer nga kolegë dhe personalite jashtë teatrit si Teki Dervishi,Beqir Musliu,Resul Shabani,Xhabir Ahmeti, Nexhat Mustafa etj.

Sipas jush,çdo të thotë të jesh aktor i kompletuar?

Geni i babës,qumështi i nënës,dhuntia apo talenti dhe pak shkollë për të mësuar mjeshtërinë e aktorit,janë kushtet me të domosdoshme për aktorin.Diplomat nuk bëjnë aktorë.Pëlqej një thënien e aktorit të madh Li Strasbergut,i cili thoteë se: “deri më sot asnjë diplomë nuk ka folur në skenë”. Nuk ka kreacione artistike duke pritur muzat,zanat apo shtojzovallet, nëse nuk i nënshtrohesh procesit hulumtues, rikrijues,eksplorues dhe prezentues.Aktori nuk ka moshë.Ka vetëm aktorë që dinë apo nuk dinë të luajnë.

Keni interpretuar më se 100 role,personazhe e karaktere popullore,figura të shquara shqiptare e botërore.Cili motiv ju bënë juve që çdo personazh ta paraqesni me vërtetësi,duke dhënë zemrën në skenë?

Beteja me çdo personazh fillon nga zero.Hulumtimi dhe eksplorimi i personazhit është proces i vështirë.Ku të gërmosh vallë?Në cilin vend?Në çfarë periudhë historike? Sa informata ke në dispozicion nga kronikat, historitë, arkivat, dokumentet, gojëdhënat që nuk ti ofron teksti dramatik?A të mjaftojnë të dhënat dhe kërkesat regjisoriale?Natyrisht që jo. Pasi ti grumbullosh të dhënat vë në zbatim kriterin selektues, imagjinatën krijuese për të shpirtësuar personazhin  në lartësinë e duhur.Artisti ka nevojë të dëshmojë para kombit dhe Zotit, individualitetin e tij  krijues.Sa më shumë të duatrokitet aq më tepër rrezikohet nga pushtetarët vdekatarë që abuzojnë me lirinë e fjalës,mendimit,veprimit dhe ekzekutimit hakmarrës. Ndërsa artisti pranon me vetëdije të vdesë në skenë. Krimbo suzarët trillojnë dhe përgatisin kurthe hakmarrëse, duke mos duruar famën e krijesave hyjnore-artistëve,të cilët njohin vetëm pushtetin e imagjinatës.artisti është opozitë e pushtetit dhe pushtetarëve,të cilët natyrisht janë të lindshëm dhe të vdekshëm.Sa më i besueshëm të jesh në skenë aq më shpejtë çbëhen suzarët, që nuk e njohin dhimbjen dhe skamjen. Korruptimi dhe ligësia e tyre janë kanceroze për shoqërinë dhe civilizimin.

Nëse rolet tuaja do i klasifikoje si në një paradë,cilin prej tyre do të doje të interpretoje po me atë dëshirë si dikur?

Kam shumë mallë dhe plagë për rolet që janë strukur në vitrinat e kritikës, librave, inçizimeve dhe xhirimeve.Do të kisha dashur?! Koha nuk kthehet se mosha  është  pjesë e dialektikës.Ndjej përmallim me Lulashin tek drama“Gof”e Anton Pashkut,Hamidi i verdhë tek“Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”të Teki Dervishit,Klaudi tek”Hamleti” i Shekspirit, b Milosi tek “Varrezë automobilash” të Fernando Arrabalit,Mbreti tek”Genti”të Sherif Delvinës,Kreoni tek“Antigona”të Sofokliut,Argani tek“I sëmuri për mend” të Molierit,profesor Lako dhe Laokonti tek“Përbindëshi” i Ismail Kadaresë,Dr. Adhumudhi tek “Pas vdekjes” të Kristo Floqit,Babazoti tek “Anatema”e Xhevat Limanit,Eminenca tek “Hijesina’ e Nebi Islamit dhe shumë personazhe para të cilëve përulem me respekt,dinjitet e plotë dhembje kujtimesh.Zjarrin dhe flakën e mbajë të ndezur përmes kryepersonazhit {Gjergj Kastrioti -Skënderbeu.

Në trokun e tridhjetë viteve si aktor i skenës,njiheni si skenaristi dhe regjisori i të parit film shqiptar në Maqedoni,“Fatprerët”.Sa është mirëpritur ky film?

“Fatprerët”është filmi i parë me metrazh të gjatë,në krijimtarinë e shqiptarëve nën Maqedoni,të cilin e kam punuar sipas motiveve të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit Murat Isaku. Filmi është mirëpritur nga publiku dhe artdashësit. Veçmas në festivalin e filmit shqiptar në Tiranë.drejtori i festivalit,regjisori i madh, Kristaq Dhamo dhe kolegët e tij Esat Musliu,Mevlan Shanaj,Vladimir Prifti,Natasha Lako,Bujar Asqeriu,u shprehën me shumë dashamireësi për vlerat që mbart brenda vetes ky film.

Ju flisni me shumë pasion për rolin e mbretit tek drama“Antigona”.Ndoshta shpreheni  kështu pasi me këtë rol ju u cilësuat aktori më i mirë i festivalit”Flaka e Janrit,në Gjilan,apo ndoshta dhe për numrin e madh të shfaqjeve mbi 5oo.Vërtetë përse e e vlerësoni disi më shumë këtë rol?

Roli i Lulashit tek“Gof”i Anton Pashkut në regji të Ahmet Jakupit,ishte kthesë për dialektikën time teatrore.Në festivalin e Sarajevës,veç vlerësimeve,nga kritikë të ndryshëm, selektori i festivalit,Dalibor Foretiç,në prani të mjaftë artistëve nga Ballkani do të shprehej se:”E solla këtë shfaqje në festival që artdashësit jugosllav të njihen me energjinë,gjakun, mikroaktrimin dhe një teknikë të paparë e të folurit skenik të aktorit Xhevat Limani.Mbajeni mend këtë emër!” Ishte viti 1979, kur shqiptarët nuk shiheshin me sy të mire skenave të Ish-Jugosllavisë.Rolin e Adhamudhit e kam krijuar më tepër si një provokim artistik ndryshe nga ish kolegë artistë në Shqipëri.Loja disi ndryshe larg formave stereotipe nga të cilat vuante dhe ende vuan aktrimi shqiptar e bënë këtë personazh të mbahet mend.Ndërsa rolin e mbretit Kreon e dua edhe për shkak të atyre gati 500 shfaqjeve.Një mbrëmje vonë, rastësisht po shihja një film dokumentarë të Luanit në savanë.Më la shumë përshtypje raporti i luanit mbret në savanë.Mënyra e të vërejturit, përceptimit,mbajtja e kokës,rrotullimi i syve,ecja,reagimi i shpejtë gjatë sulmit mbi viktimën dhe shumë detaje të tjera,risollën në bindjen time krijuese një konstrukt modelues të cilin, natyrisht gjatë provave do ta qëndisja me detaje që i ka hak personazhi. Shfaqja u pëlqye për shkak kreacionit të veçantë të figurës së mbretit Kreon.Kritika u shpreh me superlative dhe natyrisht se nuk munguan as vlerësimet e jurive nëpër Festivale.

Jeni shprehur se në teatrin e Shkupit,u brumosët,u lartësuat si aktor,madje në këtë strehëz jeni nderuar me tituj e çmime të ndryshme,duke mos harruar kurrësesi suksesin e trupës tuaj të arritur në vitin 1992,në Festivalin botëror të teatrove zhvilluar në Gjermani.Përse  e veçoni këtë eveniment me vlera botërore?

Arësyeja është konkrete dhe tepër afirmative.Drama shqiptare pati projekt të arrirë me cilësi të larta skenike. Përveç trupës që rezultonte një lojë harmonike me energji të paparë skenike, bëhet fjalë për aktorë babaxhanë që shkelnin rëndë në skenë siç ishin Sefedin Nuredini, Bajrush Mjaku, Refet Abazi,Vebi Qerimi dhe Xhevat Limani.Tekstin e zgjedhur dramatik sipas prozës së shkrimtarit kroat Nikolla Shop e vuri në skenë regjizori i njohur i skenave evropiane,kroati Branko Brezovec.Ishte një shfaqje e paparë që në kuadër të selektimit brenda një periudhe dy vjeçare, sfidoi gati të gjitha trupat e teatrit jugosllav dhe u gjend në finalen e madhe në Essen të Gjermanisë,ku merrnin pjesë 32 trupa teatrore nga tërë bota.Në Festivalin”Der Welt theater”,triumfuam ne Teatri shqiptar nga Shkupi, Teatër de soleil nga Parisi dhe Teatri Kabuki nga Tokio. Ishte vërtet një triumf i madh i teatrit shqiptar në përgjithësi. Sukses ky që nuk e ka arritur asnjë teatër shqiptar e as ish-jugosllave.

Keni interpretuar perla poezie,nga krijimtaria e Naim Frashërit,Çajupit,Lasgushit, Jeseninit,Migjenit,Nolit…,Çfarë ndjesi ndjeni ju kur interpretoni këto krijime,ku disa syresh janë aktuale edh sot  për shoqërinë  shqiptare?

Personaliteti im krijues ka dy burime frymëzuese, folklorin dhe perlat poetike.Apostulli im poetik është bilbili i gjuhës shqipe NaimFrashëri.Të gjithë ata që kanë hedhur baltë e gurë mbi atlasin e poezisë shqipe kanë qëlluar veten e tyre.Çajupi,Asdreni,Fishta, Migjeni, Poradeci,janë kolosë poetikë.Misioni i tyre përmes vargut monument kurrë nuk ndalet. Kur lodhem në teatër,film,televizion apo shkrime,punoj me perlat poetike të Kadaresë, Dritëroit,Jeseninit apo Nënës Terezë,Ali Podrimjes,Azem Shkrelit,Resul Shabanit,Teki Dervishit apo Visar Zhitit.Përmes vargjeve të tyre,unë shëroj plagët e popullit tim viktimë nga njerez liliputëe,që  vazhdojnë ende ti ngulin kamat në gjoks. Atdheu im ka nevojë për fjalën,vargun monumental.Vargjet godasin fuqishëm dhe emcionalisht.Unë përjetojë katarzisin tim duke çuar në vend një drejtësi emocionale të vonuar apo që nuk vjen kurrë.

Jeni vlerësuar me çmime e medalje të ndryshme si aktor,regjisor dhe skenarist. Çpërbëjnë për ju  këto trofe, të fituara në skenat  shqiptare dhe vënde të tjera?

Artisti është një personalitet poliedrik.Unë piksëpari jam aktor.Me regjisurë jam marrë paralel si dhe me aktrimin.Në teatrin shqiptar në Shkup ushtroja shpesh detyrën e regjisorit,i pakënaqur nga konceptet e ca regjisorëve jo shqiptarë dhe shqipfolës.Regjisura ime kish dhe ka vulën e sistemit e të menduarit shqip e shqipërisht.E njëjta gjë më nxiti dhe për skenarin si gjini e palëvruar sa duhet me që nuk kishim asnjë institucion ku do të realizonim veprat. Në fillim u mora me skenarë dokumentarë e më pas në redaksinë e programit shqip pranë televizionit në Shkup.Lëvrova me mjaftë sukses për here të parë zhanrin e tele poemës,bazuar kryesisht në perlat poetike shqiptare.Më vonë bëra skenarin e filmit të parë artistik ndër shqiptarët nën Maqedoni “Fatprerët” sipas romanit të Murat Isakut.E them me gojën plot dhe botërisht se të gjitha shpërblimet e fituara në këto fusha kanë qenë fryt i punës sime titanike si institucioni Xhevat Limani. Unë nuk kam pritur asnjëherë nga shteti,të cilin e kishim simbol të së keqes,ligësisë,diskriminimit dhe formave të rafinuara të linçit të kulturës dhe artit shqiptar. Këtë e dinë të gjithë qyqarët dhe lakejtë servile,që ulin bythën e kurrizin para pushtetarëve me shpresë mos u hedhin ndonjë kockë për ta lëpirë.Trofetë e mia janë relike që dëshmojnë betejat e mia në luftën e pambaruar.Kam humbur shumë privilegje shtetërore,por ama, jam krenar që mbaj ndezur flakën prometjane të Shqiptarizmit.Kam triumfuar mbi shijen e keqe siç do të thoshte Teki Dervishi dhe mbeta në “Harkun e Triumfit”duke dëshmuar Shqip,para Kombit e Atdheut.

Njiheni si ndër organizatorët e mitingjeve për aspiratat shqiptare,ndaj diskriminimit nga shteti maqedonas.E kishit menduar se kjo pjesëmarrje do të kishte pasoja ndaj jush?

Kur në vitet 90-të,shqiptarët nën Maqedoni po zgjoheshin me insistim të shumë personaliteteve,unë pranova rolin e tribunit me të vetmin qëllim të ndihmojë popullin tim që pushteti sllavo maqedonas që nga Kushtetuta e arnuar titiste e emërtonte si pakicë,i prirë nga kasapi Gligorov dhe argatët e tij shqip folës, duke dashur të prezantojnë një utopi paqësore.Natyrisht se isha i vetëdijsëm për pasojat.Në fillim kisha frikë,më tepër për familjen se sa për vete,por duke e mundur frikën shesheve të qyteteve bashkë me popullin tim, filluan proceset e zgjimit kombëtar të lëvizin.Merreni me mend në mitingun e parë askush nuk kishte guxim të fliste veç meje. Tani folësa kafenesh e broçkulla të tjera njeriu mund të dëgjojë nga më të marrëzishmet.Unë pranova të flijohem për popullin tim. Fati më desh, dhe Zoti më mori në mbrojtje që unë mbeta gjallë. Ndoshta pse unë ende nuk e kam kryer misionin.Pasojat erdhën atëherë kur u bindën se nuk mund të më blenin për as farë çmimi.Unë isha i bindur shqipërisht dhe sot ndjehem ballëhapur para popullit tim viktimë.Tani që jam arratisur larg,duke dremitur lirinë e popullit tim po e kuptoj pse gjatë leximit të shumfishtë të kryeveprës të Servantesit “Don Kishoti i Mançës”, nuk mund të parapëlqeja asnjë presonazh me formë njeriu,por gjithnjë pa ndonjë analizë të thellë zgjidhja ime ishte kali Rosinanti.Unë isha shpirt kryengritës si aktor,rihulumtues si regjisor me platformë të qartë dramaturgjike shqiptare,poet dhe shkrimtar me vulën e shpirtmërdhirit shqiptar që desha tua falë zjarrin me të cilin ngroheshin vetëm të shiturit dhe Satrapxhinjtë.Së fundi unë isha oratorë me shumë virtyte të larta dhe plotë përparësi që më kthyen në një tribun të vërtetë. Jo vetëm pushteti, por edhe mercenarët e partive shqipfolëse e ndjenin rrezikun e fjalë së lirë shqipe që po lëkundte themelet edhe ashtu të kalbura sintetike të kreaturës Titiste,ndaj vendosën për likuidimin tim.Dhe sot disa prej  gërdallave që ngordhën dhe që kanë gisht në atentatin mbi mua në 22 mars 2002 në Tetovë,në shtëpinë e kulturës,ku demonstrohej paralel koncepti Makiavelist dhe i Monteskiesë,i forcës së pushtetarëve te cilëve po u luhatej posti,karriera dhe privilegja. Fati im ish që akti ndodhi në programin “Luftojmë terrorizmin”,nën tutelën e ambasadës amerikane në Shkup e Tiranë,realizues dhe përgjegjës i projektit isha unë. Desh Perëndia dhe mbeta gjallë.Mjerisht shumë kolegë e“miq”profiterë u gëzuan para kohe,duke menduar se vdiqa.Unë ende nuk e kisha kryer misionin tim.Kur do vijë koha,shpirtin që pranojmë të parin e dorëzojmë të fundit. Natyrisht edhe unë ashtu do të jem i bindur.

Pretendoni se jo në pak raste jeni ndier i zhgënjyer?

Unë jam optimist me parashikim profecie.E di se populli im nuk më ka zhgënjyer.I kërkuam ndihma na dha,e ftuam të dali në rrugë në mitingje e protesta,doli duke pranuar të shqelmohet,të përgjaket dhe të vritet për liri.Por liderët e shpifur nga premtimet e mëdha dhe boshe çfarë i ofruan vallë? Asgjë, përveç vazhdimit të diktaturës dhe robërisë.  Popujt e mëdhenjë lindin nga një burrshtetas të medhenj gati në çdo 3oo vjetë,ndërsa ne krijuam heronjë prej balte dhe dylli. Bile u kënduan edhe këngë,por ata ranë ende pa mbaruar refreni i pare i këngës.Sa mjerim!Ky është zhgënjim për popullin tim durim shpirtmadhin. Asnjëri nga këta udhëheqësa të shpifur nuk reflektoi me vepra në zanatet e e tyre se profesione nuk di a kishin ata mjeshtra ngatërrestarë dhe imitatorë të  inkzistente.

Ndoshta gjatë kësaj periudhe shteti maqedonas,policia kërkuan largimin tuaj nga Maqedonia,Çfarë fshihej pas këtyre kërcënimeve ?

Unë u largova me familjen time me që për kryet tim kishte çmim.Doja ta shpëtoj familjen time.Njërën vajzë e kisha në Tiranë.Ndërsa vajzën e madhe ma larguan nga Akademia e arteve në Shkup,dy ditë pas atentatit që mu bë mua.Ia kanë dhënë dokumentat në dorë duke i deklaruar idiotësisht,”Shko studio në Shqipëri, se babai yt Shqipërinë do”.Erdhi vajza duke qarë.Kjo skenë ish më e rëndë se atentati.Pas disa skenave dramatike në akademi,takova Zana Shuteriqin dhe ajo më këshilloi ta regjistroja në akademinë e arteve në Tiranë.Ashtu veprova. Me mua erdhi dhe Zana të më ndihmoi, por edhe atje burokracia kishte sharruar thellë.Nuk deshin ta regjistronin vajzën për të vazhduar studimet.Pas ecejakeve,korridoreve të ndryshëm institucionalë, ndodhi mrekullia.Më pranoi kryeministri Ilir Meta.E dinte tregimin tim përmes kanalesh diplomatike dhe me urdhër të tij rektori Kastriot Çaushi, solli indeksin në kryeministri. Puna mbaroi përtej situatave të neveritshme. Falenderova kryeministrin dhe të nesërmen u ktheva në Shkup. Pas dy ditësh se bashku me bashkëshorten time,fluturova për New York. Ateroja në tokën e bekuar pa ditur asnjë fjalë anglisht.Aty luhet drama ime personale.

Jeni pjesë e skenës dhe filmit,ndaj të cilave po flisni me shumë pasion dhe dashuri.Në cilën prej këtyre dyjave jeni ndier me i sukseshëm?

Natyrisht në teatër.Aty kam investuar tërë qenien time prej krijuesi.Të vetmin isntitucion  që kishim ne shqiptarët e ngratë atje ishte ai gjysmë teatri.Po them gjysme teatri se skenën e ndanim me dramën turke.Pra diskriminimi fillonte që tek ditët e javës.Çdo teatër normal në botë ka repertoar javor,ndërsa ne kishim program gjysëm javor. Dhe po ta kërkoje të hënën për ditë provash nga administrate shtetërore dhe ministria e diskriminimit kulturor i kishin gati shigjetat plotë helm duke të akuzuar për nacionalizëm e separatizëm.Ky ishte absurditet profesional dhe politik.Po të kërkonim paga si sllavo maqedonasit na thoshin,ndani paratë e buxhetit dedikuar për shfaqje.Teatri pa shfaqje,është teatër.Sa i përket filmit duhet të ishe kuadër“vëllazërim-bashkim”që të hidhnin ndonjë zorrkë qorre sa për tu tallur me aktorët shqiptarë që të përbuznin edhe para opinionit vendës dhe të huaj,se nuk ka aktorë shqiptarë. Aktorë kishte,por filma, projekte,regjisura,skenarë dhe role për krijues me bindje shqip nuk kishte.Kosova filmi që ende e kish frerin e Serbisë na ftonte si individë sipas ndonjë interesi apo profiterie fisnore,klanore,apo kuadro të verifikuar të sistemit.Kur u hap Shqipëria pas viteve 90-të, filloi të na ftojë më tepër nga një detyrim patriotik se sa nga ndonjë rezultantë cilësish artistike.Morën guximin Kujtim Çashku dhe Esat Musliu të cilëve u shpreh mirënjohje publike.Kinostudioja u katandis në mjerim dhe gati po e coptonin ambiciozët për të shqyer kufomën që po drithëronte shpirt.

Njiheni si krijues i dy vëllimeve me poezi,tre librave mbi artin e dramaturgjisë-drama,dhe botimit  të një romani.Ne cilën prej tyre ju jeni përballur me Xhevat Limanin?

Librin e parë poetik“Pranverë dimërore”e botova tek Shkupi, udhëhequr nga Azam Dauti, ku botova edhe librin e dytë “Albaniada” tetë drama. Më vonë në Prishtinë shtepia botuese “Buzuku”më botoi librat“Ora shqiptare”dhe”Anti memorandum”.Bashkë me gazetarin amerikan Gregory Lima.Ai kishte shkruar një novelë, ndërsa botova poemën “Unë Agron Mirdita”në shqip dhe anglisht.Para dy vitesh botova romanin“Artisti pa Atdhe”me elemente autobiografike dhe promemorje të bashkëkohësve të mi,si dhe të pishtarëve që kanë pasur misionin e komb ndriçuesëve.Kritika dhe lexuesi i ka mirëpritur.

Njiheni për skalitjen mjeshtërore artistike,ndaj figurës të Gjergj Kastriotit-Skënderbe,shfaqur me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,ku së bashku me 100 burra struganë,ju përshkuat në këmbë, tre ditë rrugën nga Struga në Vlorë.Si e kujtoni këtë moment historik?

Iniciativa u përket atdhetarëve struganë Agim Dauti dhe Ajrush Miftari.Ata më lutën mua të qëndrojë në ballë të aktivitetit të veçantë kombëtar.Prezent ishte dhe miku im Adonis Filipi,regjisor i cili u entuziazmua nga ideja që me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë,100 struganë, burra dhe gra,djem e vajza, të marshonin nga qyteti i Strugës për  në Vlorën historike.Punuam bashkarisht mbi katër muaj me një grup te mirë atdhetarësh të kulluar.Ftuam shumë personalitete që luhasin kot flamurin e atdhetarizmës, por ata nuk na u përgjigjën.Do të rikujtonim tetë struganët, pjesëmarrës në aktin e pavarësisë së shqipërisë në Vlorë,katër prej tyre firmëtarë të aktit të shpalljes së pavarësisë.Ky numër dinjitoz na motivoi edhe më tepër që të ecnim gjurmëve të rilindasve tanë dhe të ndjeheshim të barabartë me të gjithë të zgjedhurit e tjerë në këtë ngjarje të madhe historike.Unë u vesha me kostumin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe u përkujdesëm që të bëjnë rrugën bashkë dhe Adem Jashari duke e shoqëruar dhe mbrojtur plakun e urtë Ismail Qemali,të cilin e hypëm në një qerre të dekoruar me simbole kombëtare autoktone.Ishte një udhëtim plotë peripeci,lodhje dhe kënaqësi e ndjenjës së triumfit që ne bijt e flamurit me shkabë kujtonim Nënën Shqipëri,bashkë me mendjendriturin Babë,Ismail Qemalin.Pati përjetime të bukura dhe dramatike.Ne qëndruam në nivel të misionit dhe nuk u përulëm para lakejve, mercenarëve dhe argatëve profiterë. Detajet e tjera mund ti gjeni tek romani im “Artisti pa Atdhe”.

Si do e kujtonit sot çastin e largimit tuaj për në Amerikë,duke lënë pas një pjesë të shpirtit tuaj?Ishte Mars i vitit 2002.

Pas atentatit të 22 marsit 2002 u detyrova dhunshëm të largohesha në SHBA,për të shpëtuar veten dhe familjen nga kriminelët,mercenarët dhe tradhëtarët të ndërsyer nga ca laro e balo,që lëpinin kockat e policisë dhe pushtetit.Mora vendim me shumë dhimbje dhe insistim të disa miqve dhe përfaqsues të ambasadës amerikane.Kurrë nuk ma merrte mendja se do ta lëshoja teatrin,atë tempull ku kisha investuar tërë qenien time krijuese dhe vepruese.Prej Shkupi në New York,përmes Vjenës ishte një fluturim i gjatë mbi fole qyqesh e qyqarësh,korbash e laraskash,konesh e zagarësh shpirt mercenarësh, bukëshkalësh  e tradhëtarësh,të cilët ngritën dorë publikisht për të linçuar një Artist. Prijësat e rekruatuar që nuk patën kurrë kod moral shëronin komplekset e tyre duke eliminuar zërin dhe shpirtin kryengritës të Xhevat Limanit, që po kthehej në një tribun absolut. Xhelozia, cmira, urrejtja, tradhëtia dhe ligësi të tjera, kaluronin Iliridës së mjerë. Të shpallen shpëtimtarë ca kalemxhinjë të rafinuar nga përgatitjet nëpër Beograd e Prishtinë,nën tutelën e liberalizmit jugosllav, do të thotë që robërisë sonë po i vazhdohej mandati.Policia vriste shqiptarë.Ushtria bashkë me policinë u shpalli luftë shqiptarëve. Ata rrinin në qeveri dhe kërcënonin luftëtarët, se do ti pastrojnë hesapet me ata banditë që po prishin rendin në”Oazin e Paqes”IRJM-së. Dhe përsëri Tirana e Prishtina nxituan ti marrin në mbrojtje sa edhe ti rehabilitojë këta metuzalemë politik. Nxituan të emërtojnë edhe rrugë. Hipokrizi. A ka burrë nëne të tregojë veprat e mëdha të këtij kalemxhiu anadollak.Intervistat e porosituar me pagesa të majme nuk llogariten vepra.Vetë fakti që shqiptarët nën Maqedoni vazhdojnë me problemet elementare për ta shmangur skllavërinë, flet qartë se atje nuk kishte vizionar, e as politikan të madh.

Sa i vështirë ishte fillimisht për ju,integrimi juaj në jetën amerikane?

Nuk e kisha te lehtë.Nuk dija asnjë fjalë anglisht.Isha i papërgatitur gjuhësisht për Amerikën.Kur nuk di gjuhë je si ai personazhi i Shurdhmemecit të Eugjen Joneskos tek drama “Këngëtarja tullace”. Motivi për të dëshmuar, ambicja krijuese dhe dinjiteti im prej aktori, më dhanë kurajo, forcë e gjetje që të nisë të fluturoj pa krahë. Herë më dukej vetja qesharak e herë idiot,por unë me çdo kusht desha të komunikoj me njerëzit,pra amerikanët.Flisja mbarë e prapsht shqip,frengjisht e gjermanisht tek-tuk vetëm e vetëm të bëj që të më kuptojnë bashkëbiseduesit e mij viktima.Ca ishin miq të mij,ca emra eminentë.Një nga viktimat të cilit i flisja më shumë se tri-katër muaj,duke menduar se ai më merrte vesh. Ishte publicist i madh Gregory Lima, një mik i madh i shqiptarëve dhe njëkohësisht përfaqsues jo zyrtar i zonjës Medlin Ollbrajt,sekretares së shtetit për çështjen  e shqiptarëve të Kosovës në Rambuje.Më vonë e tregoi rrëfimin e bisedave tona duke cituar më shumë se 100 ditë:“Unë nuk merrja vesh asgjë se për cfarë më fliste Xhevat Limani.E luaja kryet dhe i pohoja sikur kuptoja çfarë thoshte ai, vetëm të mos ia ulja moralin dhe zellin që ai demonstronte kinse flet anglisht. Ai ia doli.Unë tani e kuptoj qartë.Jo në perfeksion,por mjaftë qartë.Unë mburrem edhe për këtë veprim timin, nëse mund ta quaj kontribut në suportimin e zotit Xhevat Limani që për bindjen time është një kryeartist. Nuk kam takuar më proamerikan se Xhevat Limani, se sa për shqiptar të madh që është nuk e vë në dyshim. I kam dëgjuar me dhjetra fjalime të tij. Xhevati është një tribun i lindur”,- thekson Gregory Lima (tanimë i ndjerë).Detajet mund t’i gjeni tek libri“Udhëtim në Maqedoni”,nga Gregory Lima.

Si do i vlerësoni bashkëpunimet me artistë shqiptarë në Nju Jork dhe shtete të tjera?

Ka Individë të talentuar por pak punojnë veprimtari artistike. U mungon vetë iniciativa.E kanë të vështirë të sigurojnë ekzistencën. Shumica detyrohen të punojnë punë të rënda.Pak kohë u mbetet për veprimtari profesionale.Artistët nuk mbështeten fare nga milionerët egoist dhe me tangarllëk antikulturë.Faj për këtë mbajnë edhe pushtetarët shqiptarë që sa herë vinë përvidhen mes lakejve dhe surrogatëve, pa suportuar fare individët krijues,qoftë edhe moralisht.Ky është vërtet kapitalizëm i ashpër. Mbijeto vetëm dhe triumfo vetë. Mosprit nga laro balot, të cilët gëzohen shumë nëse i ke punët keq. Artistët shqiptarë nderohen vetëm aq sa për të shfrytëzuar nga fama e tij, qoftë edhe për ndonjë foto hipokrizie.Ka edhe fisnikë që ndihmojnë artin, por ata janë shumë pak.

Keni krijuar Teatrin shqiptar në Amerikë. Ishte ky një hap i guximshëm dhe sakrifikues i juaj apo kishit dhe mbështetje nga artistë të tjerë? Si e vlerësoni punën dhe talentin, përkushtimin e artistëve të kësaj trupe?

Teatri shqiptar në Amerikë“Albanian Theatër in Amerika”, është institucioni i parë teatror ndër shqiptarët e Amerikës.E themelova vetë,pa ndihmën e askujt.Më ndihmoi vetëm aktorja angleze Vanesa Redgrave, me të cilën isha njohur gjatë luftës së Kosovës.Miqësia ime vazhdoi edhe në SHBA me aktoren e madhe dhe njëkohësisht mike të shqiptarëve. Vanesa për bindjen time është një Edith Durham i shekullit tonë.Ajo ka lindur të jetë artiste e madhe, njeri i mirë dhe humaniste e rrallë. Pa dashur të fyeja personalitetin e Konicës dhe të Nolit,prej të cilëve kam pasur çfare të mësoj, deklarova bindshëm dhe shqipërisht ,se as Noli e as Konica nuk dinë për teatër,nuk kanë pasur përgatitje profesionale,as talentin e dhuntinë e Xhevat Limanit. Bëra premierën e parë Anatema, një tekst i imi,me tre personazhe të Babazoti,Djalli dhe Engjëllina.Ishte kjo një histori dramatike ku në bosht të veprimit sillej e pështillej historia shqiptare përtej dhe këtej dymijëvjeçarit tragjik Pellasgo-Ilirik-Arbëror-Shqiptar.Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ngrita projektin, Unë Adem Jashari shkruar nga Lebit Murtishi dhe luajtur bindshëm nga Pajazit Murtishi,një pasionant i rrallë teatror.Deri tani kam punuar tetë premiera.Janë luajtur mbi 2oo here nëpër SHBA-së dhe Evropë.Unë mbaj llogari që në tetarin tim të ketë përparësi drama kombëtare.Të luajnë aktorë shqiptarë me krijues të spikatur shqiptarë.

Kohët e fundit jeni përkushtuar mjaftë realizimit të figurës së Skënderbeut në poemën dramatike“Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.Sa kohë ju desh juve të realizonit  këtë figurë gjigande të historisë të popullit tonë?

Mbi nëntë vite punova tekstin.Kisha shumë informacione historike,dokumentesh kronikale,udhëpërshkrime,letra,përshtypje,vepra autoriale shqiptare dhe të huaja.U njoha me burime folklorike,këngë,tregime,përralla,mite,anekdota dhe natyrisht materiale të panjohura arkivor.Pastaj shtrova platformën se bashku me aktorin holivudian Michael Tylo.Thirra për ndihmë durimin tim kreativ dhe vendosa bindjen time në embrionin e bërthamës për të rilindur burrin e madh,kryeheroin kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeu.Ishte një udhëtim i gjatë fantazmagorik,epik,lirik,dramatik,kronologjik, psikologjik,filozofik e strategjik. Nëse nuk funksionon koha e tashme, kot lodhesh me të kaluarën apo mundohesh për të ardhmen. E dija se po ballafaqohem me përgjegjësinë para publikut,popullit.Ti nuk mund të improvizosh me një figurë apo kryefigurë kombëtare.Duhen hulumtime konkrete në shumë plane,fusha,degë dhe disiplina shkencore,gjuhësore dhe artistike për tu ngjitur në “Harkun e Triumfit’.

Mendoni se mjekra e bardhë origjinale,sytë shkëndijues,fiziku juaj energjik,kanë ndikuar pozitivisht në realizimin me vërtetësi të Skënderbeut?

Aktori është i zgjedhur për shkak të dhuntisë,talentit,imagjinatës,anatomisë fizike, diagramit psikologjik,ngjyrimeve emcionale të gjuhës së tij, qëndrimit dhe raportit për tu distancuar nga e përgjithshmja,kolektivja, nga turmat dhe turret e injorancës kompiluese, plagiatore dhe imituese. Nëse e le figurën me të meta dhe shëmti improvizuese atëherë ti padashur po bën krim.Duartrokitesh apo fishkëllehesh.Ndoshta për hir të edukatës publiku del duke mërmërirë korridoreve apo bifeve teatrore. Në këso raste aktori ka nënshkruar rënien si personalitet krijues.Teatri nuk është jetë private.Është institucion që domosdoshmërisht  i nënshtrohet gjykimit publik.

Një muaj më parë me projektin teatror “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” të Teatrit shqiptar në amerikë, ju organizuat një turne në Europë, Kroaci, Austri, Zvicër, dhe Francë. Kalabri etj.Sa u mirëprit kjo vepër artistike nga publiku europian i këtyre shteteve?

Gjergj Kastrioti Skënderbeu,atleti që mbrojti Evropën nga hordhitë otomane është simbol i dinjitetit evropian Ndjeja një borxh artistik e kombëtar për tia rikthyer Evropës plakë që mjerisht vazhdon me hipokrizi dhe demagogji duke shprehur mosmirënjohje dhe cinizëm nda popullit viktimë-Shqiptarëve. Në bashkëveprim me zotin Shuip Ziberi në Zagreb, zonjën Drita Cacaj dhe regjisorin Safet Musa në Vjenë,me shokun tim të idealeve Agim Sulejmanin në Lucern,me znj. Albana Krasniqi Malaj dhe Gani Bytyqi në Gjenevë dhe me vëllezërit Vardari në Paris,arrita të koordinojmë kohën,terminet,fluturimet dhe rrugëtimet,menaxhimet me teatrot e ndryshëm,prezentimet para publikut,seancat me gazetarët dhe fotoreporterët,mediat e shumta dhe takimet e pranimet nga përfaqsues eminentë të Ambasadave dhe konsullatave të Shqipërisë dhe të Kosovës, bën që ky turne të fitojë dimenzionin përtej artistik,historik e diplomatik.Të gjithë këtyre individëve të shkëlqyer u shpreh mirënjohje dhe falenderim publik ne emër të teatrit shqiptar në amerikë dhe në emrin tim personal.Vërtet u kënaqa me teatër.Veçmas falenderoj publikun shqiptar dhe të huaj që ndanë nga koha e tyre e çmuar dhe me pjesëmarrjen e tyre ngritën nivelin dhe shkallën aristokratike të shijimit të kësaj kryevepre. Kritika e përqafoi shfaqjen me shumë respekt dhe qasje profesionale. Misioni ishte ngadhnjimtar. Një turne të tillë deri më sot nuk ka organizuar asnjë teatër shqiptar, pjesa më e madhe e të cilëve subvencionohen nga shteti dhe taksapaguesit.Le të turpërohen para institucionit tim që po e mbaj gjallë me mendjen,zemrën,shpirtin,dijen dhe paratë e mia.Unë nuk dua të kursejë para nëpër banka.Gjithë pasurinë time dua ta investojë në vazhdimësi për të fisnikëruar popullin e zotit,shqiptarët si raca më e rrallë e sui generisit në Univers. Unë dua ti lë popullit tim, shpirtin dhe gjithë dashurinë time.

Çdo të thoshit për partneren tuaj në këtë shfaqje,sopranon Era Hoxha,e cila është njëkohësisht vajza juaj?

Gjatë kohë mendoja variante si ta prezentoj Donikën,një princeshë tipike e aristokracisë shqiptare,të bijën e Arianit Topisë, të cilën Skënderbeu nuk e bëri vetëm mik, ,por edhe partner strategjik.Skënderbeu theu një kod duke martuar princeshë shqiptare e jo të huaj siç vepronin pararendësit dhe pasardhësit jo të denjë të gjakut arbëror.Kështu ai duke bashkuar zemrat bashkoi kombin dhe dha shembullin më të ndritur si ndërtohet shtetësia dhe si funksionon natyrshëm vazhdimësia e trungut të madh Pellasgo-Ilir.Për skenë kërkoja një prezantim ndryshe.Me guxim dhe bindje angazhova vajzën time, soprano Era Limani-Hoxha në rolin e Donikës.Libretot e shkruara nga unë i kompozoi i shkëlqyeri Aleksandër Peçi, ndërsa Era duhej të këndonte ariet. Kjo nuk ishte  aq e lehtë kur duhet të luante edhe të vallzonte skenat si aktore dhe natyrisht paralel të këndonte. Lypsej një teknikë e përsosur diafragme.E ftova në New York dhe i pagova specializimin gjashtëmujor tek kryemjeshtri i shkollës amerikane z. Kvok…Dhe ia dolëm me sukses. Provat filluan me ritëm uragan në një kohë ngushticë për të arritur termin në prag të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shqipërisë,projekt i cili u shkrua dhe u përgatit enkas për kremten e madhe të kombit shqiptar.Premierën e shfaqëm në tri qendra ne  Tiranë  ne 16 nëntor 2012,Prishtinë 18 Nëntor 2012 dhe Shkup 20 nëntor 2012. Më pas vazhduam edhe në qendra tjera.Ky projekt vazhdon e do të kulmojë me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.Teatri shqiptar do të prijë me flamur këtë kremtim nacional nga dt 5 maji deri në 17 shkurt 2018-2019.Era dëshmoi talentin e saj të rrallë,ndërsa unë mbulova një borxh timin ndaj vajzës sime viktimë,që institucionet televizive antishqiptare nuk e angazhojnë vetëm pse është vajza e një disidenti,artist pa Atdhe.Ajo paguan tagrin e rëndë të politikave diskriminuese antishqiptare.Kjo më gëzon jashte mase.Era shumë shpejt,do triumfojë në shumë skena botërore.

Ndoshta një ditë“Skënderbeu”mund të flas anglisht për publikun amerikan?

Mendoj se kjo ngjarje do të ndodhë së shpejti.Variantin që luhet në shqip e ka përkthyer Michael Chugg,një gjuhëtar i shkëlqyer,me të cilin po mbaj orë perfeksionomi të ngjyrimeve emocionale në gjuhën angleze.Shpresoj se do të jetë një surprizë teatrore që pritet të ndodhë në Brodvej,New York.Shfaqja duhet luajtur anglisht për hir të një frekuentimi më të madh dhe prezentimi para popujve të tjerë që nuk kanë informacione për Shqipërinë dhe për shqiptarët aq sa duhet,për të pasur një imazh më konkret rreth përkatësisë sonë properëndimore.Vetë ideja e prezencës së luftëtarëve në radhët e ushtrisë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga shtatëmbëdhjetë kombe të ndryshëm evropianë për të luftuar perandorinë osmane,rezulton drejt idesë së madhe Nato,që ka për qëllim të marrë në mbrojtje popujt e vegjël dhe të siguroj paqen.Strategjia e Skënderbeut sulmi me tërheqje mësohet lëndë në West Point,akademnë ushtarake në  ShBA-së.Mes tjerash do të nderohet aktrimi shqiptar,i cili nuk qëndron më poshtë se shumë shkolla amerikane.Po përshpejtojmë procesin e rikrijimit të një shfaqje me dinjitet profesional dhe kombëtar.

“Kështjella”më e madhe e artit botëror,Holivudi,ka nisur të mendoj madje po punon për realizimin e filmit“Skënderbeu”ku skenari pothuajse ka përfunduar. Regjisori Joe dio Gruardi po përzgjedh aktorët,ku rolin e Skënderbeut do e luaj Hollivudiani,Russel Crowe.Ndoshta troket fati dhe ju bëheni pjesë e këtij fimi gjigand?

Kam lexuar e dëgjuar thashetheme dhe variante që do të doja të jenë të vërteta. Le të më lejohet të shfaq opinionin tim për këto lojëra jo profesionale.Pikë së pari shkruhet skenari.Joe Dio Guardi,të cilin e njohim dhe respektojmë si ish-kongresmen, i cili udhëheq gjatë kohë me ligën qytetare shqiptaro-amerikane dhe ka bërë shumë për çështjen shqiptare,veçmas për statusin e Kosovës si dhe në avancimin e proceseve në vendet tjera ku shqiptarët mbijetojnë diskriminime,genocide dhe forma të ndyra të skllavërisë moderne.Deri këtu Dioguardi me veprimtarinë e tij është një Skënderbe modern. Padyshim se Rasell Krou është aktor i shkëlqyer, dhe besoj se ai nuk ka nevojë të mërzitet nëse përkrah tij konkuron edhe ndonjë aktor shqiptar.Projekti për filmin Skënderbeu mendoj dhe besoj se duhet të bëhet nga shteti shqiptar në bashkëpunim me institucionet relevante filmike,qofshin ato edhe të kryekështjellës në Hollivud.Filmi i Skënderbeut i përket zhanrit historik dhe ka nevojë për ekspertë kostumesh, armatimesh të ndryshme të Lindjes dhe Perëndimit,shpata,heshta,shigjeta, përdredhore, harqehedhës, gurëhedhës e armë të ndryshme otomane. Vetëm kalorës të Skënderbeut duhen nja dy mijë e pesë qind figurantë kalorës e lere më për të gjetur e ushtruar aktorë, shpatues, mjeshtër skermash,dhe akrobatë të aftë të luftojnë mbi kale në lëvizje.Këto lojëra kërkojnë duzinë ekipe dhe ekspertë të rrallë të fushave specifike. Pa suportin e shtetit shqiptar çdo individ do të përplaste kokën për muri. Kam dëgjuar shpesh se nuk bën filmi i Horavës.Ne nuk kemi të drejtë të shajmë një vepër që është shpërblyer në festivalin prestigjioz të Kanës,aq më tepër nuk kemi të drejtë ta shajmë,pa krijuar një vepër që do te tejkalonte filmin ruso-shqiptar,kështu të themi.Për shumë motive tjera,jam në gjendje ti shtrojë në ndonjë debat profesional mbi filmin e Skënderbut në ndonjë televizion.

Sa ka ndikur prania e bashkëshortes tuaj Lule,si spektatore dhe kritike e parë e roleve dhe krijimtarisë tuaj?

Zonja ime Lule ka qenë,është dhe mbetet kritiku im sekret.Shija e saj e rrallë estetike, kultura e gjërë intelektuale,shoqëruesja dhe njohësja ime e rrallë në shumë aspekte. Durimi i saj për të gjetur detajet që ndonjëherë i kanë dalë mendsh edhe regjisorit,pastaj energjia e saj pozitive për të krijuar e jo për të kritikuar,i japin asaj të drejtë absolute jo vetëm ta shpreh mendimin dhe bindjen,madje të insistoj në rigjetjen e modaliteteve që do të më nderonin mua si aktor,regjisor dhe shkrimtar.Kur unë interpretoj në skenë,e di se ajo dridhet nga frika mos gaboj diku.Ndaj unë ndjej përgjegjësi të dyfishtë para publikut si dhe para kryezonjës sime. Kjo është dhuratë dhe privilegjë.Partnere jete më të mirë nuk do më kish dhuruar as Perëndia.E bukura rrëmbehet ndaj ia vlen edhe të vetëflijohesh.

Talenti juaj si aktor dhe regjisor,ka korrur sukses të padiskutueshëm në skenat mbarëshqiptare, në Shqipëri,Kosovë,Maqedoni,Luginë dhe Malësinë e mbi shkodrës.Cilat prej ngjarjeve më të rëndësishme nga këto vende mbetet ende e freskët në kujtesën tuaj?

Ka shumë por një ngjarje veçohet si e veçantë.Pjesëmarrja në festivalin e teatrove alternativ në Podgoricë në 1989,ku drama shqiptare merrte pjesë me dramën “Varrezë automobilash”,të Fernando Arrabalit.Shaqja ka ndodhur atë natë kur u suprimua  autonomia e Kosovës.Një natë më parë ne pamë një shfaqje të teatrit Zvezdara të Beogradit,me një storie diskriminuese,raciste dhe genocidale në bosht të veprimit. Ne reaguam të nesërmen në këshill të festivalit.Ata premtuan se do kërkojnë falje në buletinin e festivalit,por as kjo nuk ndodhi,se urdhërat vinin nga dedinja e Francuska 7. Ne atëherë në prezencë të publikut në sallë,afer 700 vetë, nuk deshëm të luajmë shfaqje në shenjë proteste. Sipas marrëveshjes me Sefedin Nuredinin e Bajrush Mjakun,unë dola para publikut dhe informova shkurtimisht publikun e pafajshëm,se nëse nuk kërkohet falje publike ne nuk do të luajmë shfaqjen.Ne kishim shkuar në festival për të bërë garë artistike e teatrore e jo të abuzonim ne emër të artit,siç ndodh shpesh me struktura të rekrutuara politike teatrore. Pas një pauze gati mbi një orë, më kujtohet politikani Cetiniç doli para publikut dhe na kërkoi falje publike dhe se raste të tilla nuk do të përsëriten më. Ne e luajtëm shfaqjen me shumë motivacion hakmarrës artistik dhe politik..Pas mbaroi shfaqja shkuam të pushojmë në hotel. Nuk kaloi as një orë,kur erdhën forcat speciale dhe na përzunë prej hotelit dhunshëm. I hipëm autobusit të Latos,një vjetërsirë që nuk ecte më shumë se 45 km në orë , dhe bëmë udhë tërë natën makabër.Kur kaluam Prishtinën, tanket e ushtrisë jugosllave pandalim vinin nga Shkupi. Kishte dy tre sllavomaqedonas në stafin teknik dhe filluan të qanin. Atë natë Serbia pushtoi Kosoven.

Shpesh herë lëvizni në itenerarin Nju Jork-Tiranë-Prishtinë-Strugë.Çdo të thotë për ju,të ndodhesh në këto vende?

Aktori në fillim ka një rrugë,drejt e në çerdhen e tij,në teatër.Foleja ime e pare ishte Shkupi.Kur teatri ynë filloi të korrë suksese të veçanta na u hap rruga për në Prishtinë. Atje sikur verifikonim statusin dhe nivelin e shijes artistike profesionale.Dikur vonë nga vitet 90-te, u hap Shqipëria me rënien e komunizmit dhe ne hapëm edhe kryeçerdhen për të luajtur,vepruar dhe garuam me kolosët e mëdhenjë të artit shqiptar,Kadri Roshin, Sulejman Pitarkën,Ndrekë Lucën,Tinka Kurtin,Margatita Xhepën,Bert Ndrenikën,Agim Qirjaqin,Bujar Asqeriun,Ndriçim Xhepën etj.Pasi filluam të bashkëpunojmë më tepër në lëmin e teatrit se  sa të filmit,kuptuam se edhe gjenerata ime nuk ishim aspak më të vegjël se kolosët e Shqipërisë londineze..Bile takimin e fundit të festivalit mbarëkombëtar e organizuan në Vlorë,ku në shenjë hakmarrjeje dhe animaleske na thyen makinat mua Xhevat Limanit dhe Enver Petrovcit.Organizatorët regrutonin në paravijë ca si kalamuca student regjisure kinse,të cilët sot për fat të keq administrojnë me qasje antishqiptare teatrin kombëtar në Tiranë.Pas atentatit në vitin 2002 unë aterova dhunshëm në New York.Me që nuk dija asnjë zanat tjetër, themelova teatrin shqiptar në Amerikë.

Ende pa marrë“frymë”mirë nga kthimi i shfaqjeve në disa vende në Europë, sërish niseni për në Shqipëri për një tjetër event arti me vlera mbarëkombëtare. Cili do të jetë aktori Xhevat Limani në këtë event?

Asociacioni kulturor “Jehona shqiptare”, e udhëhequr nga znj. Mira Korançe me president juri znj. Margarita Xhepa,në kuadër të festivalit të fëmijëve shqiptarë,pjesëmarrës nga 14 shtete ne botë, për mbrëmjen finale kish paraparë një gala program festiv duke kremtuar edhe 10 vjetorin e Asociacionit.Më bënë ftesën një muaj para,mirëpo unë sikur nuk desha të merrja pjesë pasi sapo isha kthyer nga turneu i madh evropian me projektin Gjergj Kastrioti -Skënderbeu.Pas insistimit të zonjës Mira Korançe, e cila edhe më kumtoi,për ta mbajtur sekret deri natën finale,se mua Xhevat Limnani më kishin shpallur,”Ikonë e Aktrimit Shqiptar”,dhe se do te ishte mirë që te isha prezent.Unë pranova vetëm për faktin se kjo dekoratë ishte artistike e jo politike,se realisht artisti është opozitë dhe vetëm opzitë e pushtetit.Natyrisht dhe me dëshirë e ambicje për të dëshmuar propozova të deklamoj nja dy meze të veçanta të zanatit tim,siç do të thoshte princ Hamlet në Elsinor.

Kthimi nga Kalabria dhe Bujanoci?

Me ftesë të Zonjës Lucia Martino shkova në Kalabri për të parë premierën e komedisë “Kur vemi në New York”.Në Kalabri,veçmas në Frasnita rigjeta ëndrrën e motit të madh. U premtova se do shkoj përsëri për të vënë një dramë me tematikë arbëreshe.Tekstin do ta shkruajmë bashkë me zonjën Lucia Martino dhe natyrisht do te luhet në të folmen arbërisht.Kam zgjedhur disa personalitete të veçantë dhe me talent për të krijuar një vepër të mirëfilltë artistike që do të merrte karakter dhe mision reprezentues të vlerave shpirtëorere,gjuhësore,koreografike dhe kostumografike autoktone të “Motit të Madh” Skenderbegian.Pas vizitës katërditëshe u largova nga Kalabria me mallin e madh dhe etjen të rikthehem për ta plotësuar premtimin e dhënë.Dy ditë më vonë shkova në Bujanoc,në një takim kurbetqarësh e bashkëatdhetarësh.Në sheshin e qytetit u mbledhen mbi 5000 vetë. Atje deklamova shqipërisht Naimin dhe Fan Nolin, dy dishepuj të fjalës së zjarrtë Shqipe.U duartrokita gjatë.Falenderoj publikisht organizatorët,publikun dhe veçmas biznesmenin Aqif Haziri nga Zvicra.

Cili do të jetë nesër,maratonomaku i artit shqiptar Xhevat Limani?

Mendoj se shumëe shpejt do ti përkushtohem filmit.Jam angazhuar në tri projekte filmi, në SHBA,Kosovë dhe Shqipëri.Shpresoj se do të tentojmë të bëjmë diçka konkrete.Po kështu jam në përfundim të dy librave të rinj që padyshim priten të botohen së shpejti.Gjithësesi synoj të jem si kurdoherë me këmbë në tokë dhe optimist për të nesërmen.

                                           INTERVISTOI :FADIL SHEHU

                                                  Florida.Shtator 2017

Filed Under: Interviste Tagged With: Fadil Shehu, HERONJ PREJ BALTE!, XHEVAT LIMANI: JAM I ZHGENJYER NGA LIDERET- NE KRIJOJME

PAS KUVENDIT-Dega Vatrës në Tampa, rizgjodhi kryetarin e saj z. Tasim Ruko

June 23, 2017 by dgreca

-Dega e Vatrës të Tampa ka me se krenohet: Me shkollën Shqipe, që sapo mbylli vitin shkollor, me veprimtaritë humanitare duke i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, me ruajtjen e traditave Kombëtare, me veprimtaritë kulturore e atdhetare…/

1 Bashke2 Kryesia flamure1 edhe kjo me flam1 diskuton1 a gjatsore1 a gjatsore1 qamili

NGA FADIL SHEHU-Tampa-Florida/Në Patricia Av,të qytetit Dunedin,në Florida,në momente optimizmi,krenarie dhe përgjegjësie, zhvilloi  zgjedhjet për kryesinë e re, dega Vatra në Tampa Bay.Në një mjedis admirues përgatitur nga biznesmenë bashkëshortë,vatranët Asim dhe Eva Keta,u diskutua me ndjenjë otimizmi dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie për të ardhmen e kësaj dege dhe komunitetit shqiptar në Florida, duke u ndalur kryesisht në rritjen e vlerave të reja,dhe fuqizimit të radhëve me elementë të rinj. Këto zgjedhje vijnë menjëherë pas Kuvendit të Vatrës në zgjedhjen e kryetarit të ri. Duke patur parasysh takimin e ngrohtë, vëllazëror, që ish kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA Dr,Gjon Buçaj dhe stafi drejtues i kësaj Federate,në qytetin Saint Petersburg,me vatranët e Tampa Bay, dega e Tampes vijon qe te jete nje faktor prijes ne komunitetin e ketushem.Në këtë eveniment mbresëlënës dhe të mirëpritur,kryetari i degës Vatra në Tampa,Tasim Ruko,foli për rrugën e përshkuar deri tani nga ana e kësaj dege,për klimën e ngrohtë që ekziston në rradhët e saj si dhe marrdhëniet e frutshme me komunitetin shqiptar të qyteteve Largo, Cllearewatër,Saint Petersburg,Sarasota,Dunedin,Pinellas, ku kjo degë shtrinë aktivitetin e saj. Përveç të tjerash ai premtoi se në çdo kohë e situatë,dega Vatra në Tampa Bay,do të jetë sërish pranë njerëzve  të cilët përballen me probleme e shqetësime të ditës në familjet e tyre, duke i ndihmuar në zgjidhjen e problemit dhe duke i ndihmuar ata financiarisht,për të lehtësuar sado pak dhimbjen e jetës. Në veçanti zoti Tasim, vlerësoi vlerat humanitare të disa prej vatranëve me përkushtimin e tyre në drejtim të fondeve të mbledhura nga aktivitete të ndryshme artistike dhe kulturore në disa mijë dollarë,ndaj problemeve shëndetësore emergjente për të përballuar dhe larguar sëmundjen.Një punë e admirueshme,dhe e përkrahur nga komuniteti shqiptar në këto qytete,padyshim është bërë hapja e të parës shkollë shqipe në Florida,e cila pak ditë më parë mbylli me sukses vitin e saj të parë. Ndërkohë duke patur si përherë gatishmërinë dhe mbështetjen e plotë të drejtuesve të kësaj dege,e cila ka treguar vazhdimisht përkushtim në vijshmërinë e lartë e të rregullt të proçesit mësimor ku gjithçka financiarisht,në veçanti librat e materialet e mësimit,sërish edhe në vitin e ri mësimor gjithçka do të jetë falas,madje këtë vit të ri shkollor do shtohet dhe një klasë e re.Për gjithçka është bërë deri më tani në këtë shkollë,prindërit e nxënësve,komuniteti dhe vatranët u janë mirënjohës për punën me përkushtim të treguar nga mësuesja e palodhur,e njohur në disa shkolla të cilkit të lartë,në Florida,Yllka Beja dhe organizatores së mjaftë aktivitetve të kësaj dege Zamira Rubjeka.Më tej kryetari i degës vatra në Tampa,Tasim Ruko,u ndal në rolin që kanë treguar vatranët në mbështetje të vlerave historike të shqiptarëve, ekzistecës të mardhënieve të mira reciproke me shoqatat homolge në disa shtete të Amerikës,pa harruar kurrësesi punën plot përkushtim ndaj anëtarëve të kësaj dege,duke punuar me shpirt dhe pasion ndaj vatrës,që nga krijimi i saj.Ndërkohë për sa i përket vështrimit të së ardhmes që vatranët duhet të përshkojnë,u vendos për forcime të reja në rradhët e Vatrës,plot besueshmëri, me trupin dipllomatik shqiptar në Amerikë.Në këtë moment optimizmi për të ardhmen më të mirë të degës Vatra,në Tampa,u zhvillua proçesi i zgjedhjes të kryetarit të ri të kësaj dege.Në fund të këtij eventi vatranët rizgjodhin në krye të tyre,sërish biznesmenin e sukseshëm Tasim Ruko.Mes urimeve dhe fjalëve të mira nga të pranishmit kryetari i posa zgjedhur,falenderoi vatranët,anëtarët e bordit drejtues të degës,për besimin e dhënë.të cilin ai do e justifikoj nëpërmjet punës dhe përkushtimit në çdo kohë e situatë.Në mbyllje të fjalës së tij Kryetari i degës Vatra,prmetoi se në një të ardhme të afërt është menduar që vatranët dhe mbarë komuniteti shqiptar në Florida,do të kenë jo vetëm parkun e tyre,i cili do shërbejë për kalimin e kohës së lirë,dhe në evenimente të ndryshme,por madje dhe një ndërtesë e re.e cila do të jetë në dispozicion të komunitetit shqiptarë në Florida.

                                         

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dega e Vatres ne Tampa, Fadil Shehu, kryetarin, rizgjodhi, Tasim Ruko

BIZNESMENI VATRAN

March 18, 2017 by dgreca

 Njihuni me Piro Poloskën, biznesmenin dhe atdhetarin e palodhur të VATRES në Tampa/

  1 Piro poloska4 Hapja e shkolles shqipe3 Me kryetarin e Vatres5 Duek eprshendetur2 Me vatranetPirro e djali

Ne Foto: Piro Poloska/2- Dega e Vatrës në Tampa/3- Me kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Bucaj 4-Pershendet ne feste Piro Poloska/ 5- Vatranet e deges se Tampes/

NGA  FADIL SHEHU-FLORIDA/

Midis virtyteve më thelbësore që ka në gjak,dhe shoqëron gjatë gjithë jetës së tij shqiptarin, padyshim spikatin: thjeshtësia, njerëzorja,mikpritja.Gjithësesi nuk ka se si te ndodh e  ndryshe, kur përballesh me drejtuesit e degës “Vatra“ Tampa Bay në Florida, të cilët me ngrohtësinë e tyre, të ofrojnë zemrën.Këto cilësi të vyera në çdo kohë e situatë, i gjen tek ata që drejtojnë e mbajnë të ndezur zjarrin e kësaj vatre, idealet e çmuara atdhetare. Padyshim në angazhime dhe përkushtime të tilla, midis atyre që njihen për devotshmëri dhe përkushtim, spikat intelektuali,njeriu që me thjeshtësinë e tij ofron fjalën e gdhendur, fjalën  e dashur dhe të ngrohtë, biznesmeni i sukseseshëm, patrioti dhe një nga themeluesit e degës Vatra në Tampa bay,Piro Poloska. I lindur në fshatin Pendavinj të fushës së Korçës, ku si në një valle të bukur devolliçe, shfaqen zënë dorë për dore, me madhështinë dhe hijeshinë e tyre fshatrat e kësaj zone kaq të njohur për njerëzit punëtorë dhe të kulturuar.

Që fëmijë,te djaloshi bjond me sy të kaltër që i picërinin për natyrën e bukur,rritej dashuria dhe kërshërija për të njohur të panjohurat e natyrës që e rrethonte. Shkollën tetëvjeçare e kreu në vendlindje me rezultate të shkëlqyera. Më pas i duhej që po me atë pasion, ti përkushtohej vazhdimit të shkollës së mesme të përgjithëshme,ku pasioni i tij per dijen e bëri që të përfundonte gjimnazin me notën mesatare 10, duke u cilësuar ndër nxënësit më të talentuar të shkollës.

Mbas mbarimit të shkollës së mesme, Piro vazhdoi studimet në Universitetin “Eqerem Cabej” Gjirokaster. Ky qytet i gurte jugor, me arkitekturen dhe njerezit e tij, u be strehe e enderave te tij rinore. Vendi ku ai, tashmë një djalosh i ri me energjinë dhe pasionin e moshës iu përkushtua studimeve në fushën a Matematikës dhe Fizikës. Edhe këtu puna dhe pasioni që e karakterizon dhanë frytet e tyre. Me rezultatet e aritura, Piro u evidentua si një nga studentët më të mirë të Universitetit dhe njëkohësisht spikati aftësia e tij organizative dhe e lidershipit në komunitetin e universitetit.

Për arësye të centralizimit partiak në emërimin e kuadrit, Piro e fillon karierën, larg vendlindjes së tij, në një trevë dhe qytet ndryshe nga Korça, mësues i Fizikës në shkollën e mesme të përgjithshme “Shefqet Guzi”  të qytetit të Gramshit.

Në harkun kohor gjatë qëndrimit të tij nëntë vjeçar në këtë qytet,ai arrin të vazhdoje studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Natyrore , ku mbron me sukses Masterin në Fizikë. Paralelisht me këtë ai punonte në drejtim të mbrojtjes së Disertacionit shkencor në Fizikë, duke kaluar me sukses provimin Pasuniversitar të gjuhës Ruse dhe filozofisë, si pjesë e këtij disertacioni.

Për të, nuk kishtë rëndësi fakti se ku jetonte dhe shërbente.Të rëndësishëm ishin njerëzit e dashur dhe të respektuar të këtij qyteti, nxënësit të cilëve u jepte dritën e diturisë dhe që i jepnin më shumë kuptim jetës së tij.

Si përherë me buzëqeshjen e tij,të çelur çdo çast në buzë,me mallin dhe nostalgjinë e një kohe të shkuar, Piro tregon: “Nuk e harrroj kurrë respektin, fjalët e ngrohta të njerëzve të mirë të këtij qyteti

tepër të dashur për mua, që zë një vend të rëndësishëm në formimin tim profesional. Ky qytet u bë shtëpia ime e dytë.” Vitet  e qëndrimit në këtë qytet të dashur,bënë që Piro të njihej nga afër me jetën e vërtetë të njerëzve të thjeshtë, të prekte nga afër gëzimet dhe shqetësimet e tyre,çka bënte që ai të lidhej më fort me ta dhe të mbetej  një njeri i dashur, i respektuar dhe i besuar mes tyre.

Ishte koha kur brënda vetes nisi të trokiste e ardhmja e tij si familjar.

Në këtë ambjent intelektual, Piro pati fatin të njihej me mësuesen e re të letërsisë të emëruar në atë shkollë, me vajzën e bukur Korçare, të urtë, të çiltër dhe inteligjente  Arjana Filipi, mbesa e aktorit të shquar të skenës dhe filmit shqiptar, ”Artist i Popullit” Thimi Filipi. Rrugët e tyre të jetës qenë takuar tashmë dhe qenë bashkuar nga dashurija e tyre për tu bërë një , dhe për të vazhduar kështu përgjithmonë. Fryti i parë i dashurisë së tyre ishte ardhja në jetë e fëmijës së parë, djalit Aris. Ky qytet,padyshim edhe sot mbetet ndër vendet më të dashura për çiftin korçar  Piro dhe Ariana Poloska.

Pas afro një dekade në qytetin e Gramshit,Piro rikethehet sërish në strehëzën e tij të vjetër,në Korçë.Kthimi në qytetin e Korçës e gëzoi çiftin e ri me ardhjen në jetë të vajzës së tyre Tea, e cila padyshim sillte një dimension tjetër dhe një gëzim i ri në familjen Poloska.

Eksperienca e tij si mësimdhënës,kualifikimi profesional, Disertacioni dhe mbrojtja e Masterit, kishin bërë që Piro të akumulonte vlera të spikatura në fushën e edukimit, të cilat do i shfaqte me shumë kompetencë më pas.Puna e tij frutdhënëse,cilësitë e tij të admirueshme si njeri me temperament të qetë,kembëngulës në atë që kërkon të arije të realizoje, aftësitë organizative, spikatën në punën e tij  katër vjeçare si drejtor i shkollës së mesme të bashkuar të komunës  së Pojanit, dhe më pas për tre vjet si nëndrejtor i shkollës tetë vjeçare “Sotir Gurra”në qytetin e Korçës.

Në pranverën e vitit 1999,kur lulet në degët e pemëve sapo kishin nisur të çelnin, Piro merr lajmin se kishte fituar familjarisht llotarinë Amerikane të Green Card.Një portë e re po hapej në jetën e kësaj familje. E priste tempulli i lirisë, vendi i shanseve dhe shpresave të mëdha për të gjithë, Amerika.Kurrësesi,largimi nga familja,nxënësit,miqtë dhe shokët…nga Korça plakë, Korça nuse,nuk do të ishte i lehtë.

Piro po linte mes tyre 39 vjetet me te bukura të jetës së tij. Fluturon drejt Amerikës,të njohur veçse në libra,drejt një ëndrre të re drejt së panjohurës.  Ankorohet fillimisht me familjen e tij pranë të afërmëve të tij në qytetin Dallas,Texas.

Mosnjohja në nivele të kënaqëshme e gjuhës angleze,ndihma finanaciare e pa mjaftueshme,motivon Piron dhe bashkëshorten e tij Ariana të përveshin “mëngët”,në punën e tyre të re pa naze apo pretendime duke punuar vetë si kamarier në një nga restorantet e qytetit, kurse bashkëshortja Ariana si shitëse në një supermarket. Krahas punës,ai iu përkushtua prioritetit të asaj kohe, studimeve. Bashkë me bashkëshorten ata ndoqën një kurs intensiv njëvjeçar në Dallas Comunity Colege për mësimin e gjuhës Angleze. I prirur që më shumë flet me vepra se sa me fjalë,i shtyrë nga ne për të  vazhduar rrëfimin e episodeve të veçanta të jetës se tij,Piro shton se:“Ardhja ime këtu në Florida konsistoi me një ftesë për të vizituar Floridën.

Të them të drejtën, Florida më befasoi me ngrohtësinë e saj, me detin dhe natyrën e mrekullueshme. Duke qëndruar si vizitorë dhe duke u bërë pjesë e kësaj jete për për disa ditë, u dashuruam me Floridën dhe nuk e bëmë të gjatë.Morëm vendim të transeferoheshim këtu.

Për afro dy vjet punova në nje kompani te prodhimit të paisjeve kompjuterike në Saint Petersburg.Rrethin e tij familjar e zgjeroi edhe ardhja e familjes së të vëllait Thimaq në atë kohë. Në përsosje të mëtejshme të kualifikimit të tij profesional,ai sërish guxon për të bërë më të mirën e mundëshme për të nesërmen.

Arrin të realizoje ekuivalentimin e diplomës të marrë në Shqipëri, dha provimet  plotësuese ,duke marrë diplomë ekuivalente dhe duke aritë standartet e licensimit në Mësimdhënien e Matematikës në shtetin e Floridës.Kjo i hapi rrugën për të punuar si mësues në Pinellas Co School Board duke iu kthyher në këtë mënyrë profesionit te tij të vjetër, mësimdhënies. Në procesin e blerjes së shtëpisë së tij në Largo,Piro pati rastin të njihej me mekanizmat fillestare të transaksioneve të shtëpive të banimit dhe pasurive të tjera të palujtëshme. Ky ishte një zbulim dhe pasion i ri për të. E tërhoqi sidomos fakti që do kishte shumë më tepër mundësi për të qenë më pranë njerëzve. Nisi kështu të merrte krahë një ëndër dhe karierë e re. Pas licensimit si Real Estate Agent, punoi për një kohë të shkurtër part time krahas mësimdhënies. Nuk u desh shumë kohë, që në vitin 2003 të kalonte si Realtor (Agent Imobilar) me kohë të plotë.

Puna e tij e re i dha kënaqësinë e patjes së mundësisë tu asistojë njerëzve në një nga investimet më të mëdha financiare në jetën e shumicës së njerëzve, siç është shtëpia e banimit.Në veçanti duke punuar nga afër me emigrantët shqiptarë të ardhur në shtetin e Floridës gjatë viteve të fundit,nga Shqipëria,Kosova,Maqedonia,Mali i Zi. Asistenca e tij teknike, duke sqaruar dhe këshilluar njerëzit për detajet ndonjëherë të komplikuara të blerjes dhe shitjes të pasurive të palujtshme ka qenë një ndihmë e madhe sidomos për bashkëatdhetarët e sapoardhur dhe që për këtë arësye nuk kishin njohuritë dhe eksperiencën e mjaftueshme në këtë fushë. Piro drejton sot “The Poloska” Team, i përbërë nga një grup Realtors, expertë në fushën e shitjeve dhe blerjeve të shtëpive dhe bisneseve. Një dimension i ri i aktivitetit të këtij bisnesmeni të suksesshëm si investitor në pasuritë e paluejtëshme është edhe krijimi i kompanisë “Elite RE Investments Inc.”  Djali i tij Aris që nuk ka shumë kohë që është diplomuar në Financë dhe Manaxhim bisnesi, është licensuar gjithashtu si Real Estate Agent dhe punon si Zv/President i kësaj kompanie, duke vazhduar në gjurmët e të atit dhe duke sjellë një frymë dhe energji të re në bisnes dhe njëkohësisht me ekspertizën e tij ka bërë të mundur që të shumëfishohet shifra multi miljonëshe e shumës së vlerës së shitjeve të kryera.

Bashkëshortja Ariana nuk ju nda pasionit të saj të vjetër të edukimit. Sot ajo manaxhon me shumë sukses bisnesin e saj në edukimin e fëmijëve parashkollorë. Vajza Tea, mbas diplomimit universitar në Shkencat Biomjekësore vashdon studimet pasuniversitare për tu bërë mjeke. Me siguri mundet të themi që ajo që ka aritur të realizojë kjo familje në këto vite është një shembull i vërtetë suksesi dhe i mundësive që ofron SHBA.

Portreti i këtij njeriu do të ishte i mangët, po të mos nënvizonim mirë kontributin e tij të veçantë në komunitet. Ai u është ndodhur njerëzve pranë në çdo nevojë, duke i ndihmuar jo vetëm me strehimin por edhe më tej, me çdo gjë që ka patur mundësi. Ndjenja e tij e fortë patriotike kombëtare është evidentuar më së miri gjatë gjithë kohës. Nuk është rastësi që Z Piro Poloska ishte pjestar i grupit nismëtar për krijimin e degës Vatra në Tampa Bay. Duke e mbështetur fuqishëm këtë nisëm dhe duke dhënë kontributin e tij modest në suksesin e kësaj shoqate si Anëtar i Këshillit Drejtues të saj. Çdo bashkëatdhetar që e ka njohur Piron, të flet për të me fjalë zemre dhe mirënjohje për kontributin e tij, për punën e tij të sinqertë, humanizmin e tij të spikatur si patriot i flaktë, intelektual, bisnesmen dhe Vatran i devotshëm.Janë pikërisht këto vlera që lartësojnë personalitetin e këtij njeriu të thjeshtë,të cilat ai i manifestoi me shumë pasion në hapjen e të parës shkollë shqipe një vit më parë,nga dega Vatra,në qytetin Clearwaternë shtetin e Florides.

Eshtë kjo shkollë,e cila falë përkushtimit të kryetarit të kësaj dege,Tasim Ruko, i mbështetur  nga vatranët,beri te mundur që çdo shpenzim,madje dhe mësimi të jetë falas.Padyshim –thotë Piro,-suksesi i aritur na obligon për të punuar me më teper përkushtim dhe dinjitet për çështjen kombëtare në udhën e patjetërsuar që na ka dhënë Fan Noli ynë i madh, per te ruajtur dhe çuar me tej vlerat e atij standarti te larte te trasheguar nga ky vizionar i ralle. E thene shkurt dhe thjesht, ky është portreti i njeriut të mirë,intelektualit patriot,aktivistit të palodhur të degës Vatra në Tampa Bay- Florida,vatrani i nderuar nga të gjithë,Piro Poloska.

                                                                

Filed Under: Vatra Tagged With: biznesmeni, Fadil Shehu, Pirro Poloska, vatran

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës
  • NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN
  • Meet a NYCHA Construction Partner: STV  
  • KUVENDI  I  GREÇES , KRYEKUVENDI  KU MORI  JETË PROGRAMI  POLITIK I PAVARESISË  SË SHQIPERISË…
  • GAZETA E VETME SHQIPE E KOSOVËS “BUJKU” E 23 QERSHOR 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS
  • Mirënjohje dhe vlerësim

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT