Bora ka mbuluar gjithë Qarkun e Kukësit, ku në qytet trashësia arrin deri në 10 centimetra. Fillimisht pati reshje të dobëta shiu, por rreth mesditës të së dielës, shiu pushoi për t’i lënë vendin dëborës, e cila solli dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve, por edhe të njerëzve. Për pastrimin e rrugëve nga bora shërbimet e bashkisë angazhuan dy borëpastruese duke hedhur kripë me qëllim të mos krijimit të shtresave të akullit. Si pasojë e reshjeve të dendura ka vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa akse në Qarkun e Kukësit, ku këshillohet lëvizja me zinxhirë. “Situata në përgjithësi paraqitet pa ndonjë problematik të theksuar. Situata në Tropojë është pak më e vështirë për shkak se atje trashësia e borës arrin deri në 10-15 cm, megjithatë rrugët janë të gjitha të hapura. Ka një angazhim të të gjitha firmave sipërmarrëse, të cilat kanë sasinë e duhur edhe të kripës dhe të mjeteve të nevojshme”, shprehet Abdulla Domi, Shtabi i Emergjencave. Vështirësi në qarkullim e automjeteve pati edhe në Rrugën e Kombit, më konkretisht në afërsi të tunelit të Kalimashit, ku katër borëpastruese nisën punën për pastrimin e këtij aksi dhe hedhjen e kripës. Si pasojë e ngricave dhe reshjeve të dëborës në aksin rrugorë Tuneli Kalimashit- Morinë, policia u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të ecin me shpejtësi të kufizuar, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Gjithashtu dhe Juglindja e vendit i është rikthyer të ftohtit dhe temperaturave të ulëta. Mëngjesin e së dielës reshje të dendura bore janë regjistruar në zonat malore duke kaluar trashësinë deri në 20 cm në zonat më të larta, ndërsa rrethi i Devollit ka qenë gjatë gjithë ditës nën reshje intensive bore. Sipas të dhënave në gjithë Qarkun e Korçës bora është regjistruar vetëm në zonën e Devollit dhe në fshatin turistik të Dardhës, duke u shoqëruar edhe me disa probleme në akset rrugore, ndërsa temperaturat kanë rënë ndjeshëm. Trashësia maksimale e borës ka arritur në pikën turistike të Dardhës, ku janë regjistruar 20 cm borë ndërsa më pak reshje ka pasur në Devoll, ku trashësia ka arritur 10 cm. Pavarësisht fenomenit të zakonshëm për stinën, situata në aksin Korçë-Kapshticë ka qenë e rënduar dhe në disa zona ishte e pamundur qarkullimi i automjeteve të papajisura me zinxhirë.Masa janë marrë edhe nga njësia e qarkullimit rrugor, e cila ka ngritur postblloqe në disa prej pikave më problematike për të shmangur bllokimin e aksit dhe aksidentet. Sipas të dhënave situata në akset dhe rrugët e tjera të qarkut raportohet normale. {SH.K}.