Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 30 Korrik 2015/-Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar në mbledhjen e mbajtur në 29 korrik 2015 ka aprovuar Programin Stand-By me Kosovën. Ky Program do të zgjasë për një periudhë 22 mujore dhe përmes tij synohet të mbështeten politikat e Qeverisë për reforma fiskale, financiare e strukturore. Këto reforma janë pjesë e Programit të Qeverisë dhe implementimi i tyre direkt do të ndikojë në forcimin e pozitës fiskale të vendit dhe njëherit do të krijojnë parakushte për një rritje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme të ekonomisë së Kosovës.
Ministria e Financave, e cila sapo dërgoi sot njoftimin, si dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për implementim të Programit me FMN janë duke punuar në vazhdimësi për t’u siguruar se të gjitha kriteret e performancës dhe ato strukturore përmbushen sipas marrëveshjes dhe në kohë.
Në fakt, një numër i veprimeve që janë pjesë e Programit tanimë janë përmbushur, siç është rasti me aprovimin e Rishikimit të Buxhetit për vitin 2015 dhe ligjeve që lidhen me reformat fiskale, ndërsa tani do fillojë implementimi i këtyre ligjeve.
Pritet që vizita e radhës e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Rishikimin e parë të Marrëveshjes të jetë gjatë muajit shtator, ndërsa duke filluar nga ky muaj, nën koordinimin e Ministrisë së Financave, do të mbahen takime të rregullta të të gjitha institucioneve përgjegjëse për të monitoruar nga afër implementimin e Programit.
Në 9 qershor 2015 Ministria kosovare e Financave njoftonte se ka përfunduar me sukses vizitën misioni i FMN-së në Kosovë.
“Pas 10 ditë diskutimeve me ekipin e FMN-së përfundimisht kemi arritur në një konkluzion për një program të mundshëm të Kosovës me FMN-në për një periudhë 22 mujore, i cili program i akomodon në tërësi nevojat që ka shteti i Kosovës, ekonomia e Kosovës për të ofruar mundësi zhvillimi për të ardhmen” ka thënë ministri Avdullah Hoti në konferencën e për shtyp me rastin e përfundimit të vizitës së delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Jacques Miniane.
“Programi përfshinë një mbështetje financiare që do të merr buxheti i Kosovës për të mbushur bilancin bankar në mënyrë që ne të kemi siguri të mjaftueshme në financat publike dhe mbi këtë bazë të kemi mundësi të hyjmë në projekte zhvillimore”, ka thënë Hoti .
Ndërsa, shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën Jacques Miniane, ka theksuar se, “Misioni arriti marrëveshje në nivel të stafit me autoritetet lidhur me një program ekonomik i cili do të mbështetej me një Marrëveshje Stand-By (MSB) me FMN-në, në një kohëzgjatje prej 22 muajsh. Qasja e propozuar do të kishte gjithsej SDR (të drejta speciale të tërheqjes) prej 147.5 milionë (rreth €185 milionë), apo 250 për qind të kuotës. Marrëveshja në nivel të stafit duhet të presë aprovimin e Menaxhmentit dhe Bordit Ekzekutiv të FMN-së. Shqyrtimi nga ana e Bordit Ekzekutiv pritet të bëhet deri në fund të muajit korrik”.
“Rritja ekonomike në Kosovë ka mbetur relativisht e fortë dhe e qëndrueshme viteve të fundit, e nxitur pjesërisht nga remitancat e larta nga diaspora. Megjithatë, ekziston një konsensus i gjerë që nevojitet një rritje ekonomike më e lart për t’i afruar të ardhurat në nivel të vendeve fqinje dhe për të siguruar vende pune të cilësisë së lartë, për të cilat Kosova ka shumë nevojë. Për ta arritur këtë, autoritetet synojnë që t’i adresojnë hendeqet në infrastrukturë dhe shkathtësi, t’i adresojnë kostot e larta të punës, t’i heqin pengesat strukturore të kredidhënies bankare, si dhe ta forcojnë mjedisin e biznesit. Veprimet vendimtare në këto fusha do ta ndihmojnë ekonominë e Kosovës që të arrijë një rritje të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse, të nxitur nga sektori privat dhe eksportet”, ka shtuar Miniane.
*Dielli falenderon Gazetarin e njohur nga Kosova, Behlul Jashari,qe percjell per lexuesit tane infomacione, analiza,veprimtari kulturore, arstistike, politike, ne nje kohe rekord.