
Nga BEPPE SEVERGNINI/ E përktheu “Corriere della sera” Eugjen Merlika/… An amusing Prime Minister, një kryeministër zbavitës. A do të mjaftojë? Çështja është e gjitha këtu, por është një çështje me përgjegjësi. Duke përjashtuar stërkëmbësa të pamundëshme parlamentare – shumica e konservatorëve në Dhomën e Komuneve është e cunguar – Boris Johnson do të jetë kryetari i ardhshëm i qeverisë britanike dhe do të hyjë në numurin 10 të Downing Street. E njëjta adresë e Winston Churchill-it, e Harold Wilson-it, e Margaret Thatcher-it, e Tony Blair-it. Çfarë e dallon Boris Johnson-in nga paraardhësit? Nuk respekton kodikët, pritjet dhe hipokrizitë elegante të lidhura me detyrën. Është oportunist, hutaq, me hënë, i padisiplinuar, vagëllimthi i pabesueshëm. Kundërshton vetveten e mburret për të. Ka patur një karrierë aventureske dhe një jetë sentimentale të çrregulltë: nuk dihet madje as sa fëmijë ka. Njeriu që, si kryetar bashkie, ka drejtuar ngjitjen ndërkombëtare të Londrës – që kulmoi në Olimpiadën e 2012 – u rrjeshtua befas me “Anglinë e vogël” dhe në 2016 u martua me mallin e Brexit. Pastaj u shmang. Pastaj u rikthye, si ministër i Jashtëm. Pastaj u zhduk përsëri. Së fundi, mbas dorëheqjes së Theresa May-t, është rikthyer, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Por burri – e përsërisim – është zbavitës: e ka treguar edhe dje, në fjalën e pranimit. Është i zoti: arrin të bëhet i falur për shumë gjëra. Njerëzia e dëgjon dhe ka përshtypjen se kupton çfarë thotë. Papërsosmëritë e tij gjykohen si siguruese. Kur hyn në një dhomë – si Ronald Reagan, Bill Clinton, Silvio Berluskoni, Donald Trump – e mbush me buzëqeshje, kujdesje e anekdota. Është autoironik e ngushullues: i bën të ndihen mirë me vetveten bashkëbiseduesit. Dje nga tribuna e fituesit tha se “konservatorët janë të zot të kuptojnë instiktet e natyrës njerëzore”. Partia, ndoshta, ai me siguri. Thjeshtësia e tij cek prirjen për t’i thjeshtuar gjërat, por Borisi – kështu e thërrasin të gjithë – është një orator i përkryer. Në Eton dhe në Oxford ka mësuar të flasë me dobi e bindje për gjëra që nuk i njeh, ose i njeh pak. Fizikisht është i ngathët e luan me të. Qëndron i varur në një teleferik të Londrës me një helmetë në kokë e një flamurth në dorë. Theresa May do të ishte futur në dhe nga turpi, ai e ka kthyer aksidentin në një vegël propagande.
Çfarë ka të çuditëshme e shqetësuese atëherë? Që e gjithë kjo për anglezët është e re.Pregatitja, parimësia dhe saktësia ishin quajtur cilësi të domosdoshme për një drejtues. Që nesër, me shumë mundësi, Mbretëria e Bashkuar do të ketë një kryetar qeverie të papërshtatëshëm e tërheqës, si demokracitë e tjera. Sigurisht: në ndryshim nga të tjerët zgjedhja është bërë jo nga ndonjë votim i përgjithshëm, por i ka takuar 92.153 antarëve të partisë konservatore. Mbetet habia e, bashkë me të, vetëdijësimi: jemi bërë si të tjerët. Një Vend shkularak, ja se ç’është Britania e Madhe më 2019. Shkularak dhe i zënë ngushtë. Çështja Brexit – tre vite dhe asnjë zgjidhje në dukje – nuk është humoristike: është komike dhe dramatike, sepse rrezikon të çojë në rrënim ekonominë dhe në shpërbërjen e Mbretërisë së Bashkuar (Skocia e ka ndërkaq një këmbë jashtë derës). Sigurisht mbarështimi ka qenë i padenjë për një komb i cili, për shekuj, ka besuar se mund t’i mësonte demokracinë botës (me ndonjë titull, duhet t’a themi). Flisni me anglezët: do t’a pranojnë. Bindja krenare se zotëronin klasën më të mirë politike i ka lëshuar vëndin poshtërimit të përbashkët. A do të mjaftojë një kryeministër simpatik të ndryshojë së pari humorin e më pas historinë e Vëndit shkularak? E urojmë. Sepse Britania e Madhe prej kohësh ka pushuar së qëni një fuqi e madhe, por mbetet një komb i madh i Evropës. Edhe kur të dalë nga Bashkimi Evropian: e kjo nuk duhet të kishte ndodhur.
“Corriere della sera” E përktheu Eugjen Merlika