
Nebil Çika/
Sot, dita evropiane e viktimave komunizmit dhe nazizmit !![]()
Sot përkujtohen të gjithë Evropën demokratike viktimat e sistemeve totalitare, komunizmit dhe nazizmit .
Shqipëria është vendi që vuajti më shumë se kushdo në Evropë diktaturën komuniste që shkaktoi më shumë viktima për frymë se në të gjitha vendet e tjera.
Sot përkujtojmë me dhimbje, krenari dhe nderim, njerëzit tanë të dashur, martirët e viktimat, ata që nuk ja dolën dot edhe ata që mbijetuan .
Përkujtojmë e nderojmë të vrarët me dhe pa gjyq, fëmijët, gratë dhe pleqtë që vdiqën nga torturat dhe sëmundjet në kampet komuniste të shfarosjes në masë, të vrarët në kufi, të burgosurit , të internuarit e të dënuarit për motive politike, shumica e tyre ende pa një varr !
Dhimbje dhe nderim !
Lutemi për ta !![]()
Po sot kujtojmë me zemërim dhe neveri edhe ata që e shkaktuan këtë gjëmë, më të madhen e më të keqen në historinë tonë kombëtare. Kujtojmë faktin që drejtësia për këto krime nuk u vendos dot por edhe faktin më trishtues që vrasësit janë ende në pushtet.
Sot 32 vjet pas rënies së diktaturës ne diskutojmë ende ne se vrasësit dhe bashkëpuntorët e tyre duhet të jenë në pushtet.
Po sot është edhe dita e viktimave të nazizmit .
Shqipëria mburret se nuk dorëzoi asnjë hebre gjatë luftës së dytë botërore por ata njerëz që ja bënë këtë nder historik Shqipërisë duke shpëtuar hebrenjtë nga holokausti nazist, nuk mundën shpëtonin dot veten dhe familjet e tyre nga holokausti kumunist . Shumica e atyre burrave që shpëtuan hebrenjtë u pushkatuan, burgosën u arratisën nga vendi dhe familjet e tyre gra e fëmijë përfunduan në kampe komuniste të shfarosjes, të ngjashme me ato naziste, në mos më keq .
Sot është edhe ditë për reflektim, jo vetëm i familjarëve dhe të afërmve të viktimave por të gjithë shqiptarëve të ndershëm, atyre që nuk morën pjesë në krimet e komunizmit . Shoqëria shqiptare është në borxh me martirët e sajë !
Po sot mund të jetë edhe një ditë lutje e pendimi për ata që nuk e dinin çfarë bënin apo u detyruan të bënin keq, me shpresën që Zoti ti falë për gurët që hodhën kundër Tij, klerikëve, besimtarëve dhe shqiptarëve që donin e luftonin për lirinë, besimin e demokracinë .
Duhet ta kuptojmë që komunizmi është nëna e të gjitha të këqijave , jo vetëm dje në diktaturë por edhe sot me tentakulat e zgjatura të tij në këtë, pothuaj, demokraci.
Duhet të kuptojmë se pa u shkëputur nga e kaluara kriminale komuniste nuk kemi të ardhme të mirë e të sigurt. Shoqëria shqiptare është në amnezi dhe duhet të dalë pa tjetër nga kjo “koma” post komuniste.
Kjo bëhet me kurajë dhe ka vetëm një rrugë për ta arritur këtë : duke njohur e pranuar të vërtetën si mundësia e vetme e ndarjes së të mirës nga e keqja dhe dinstancimin përfundimtar prej kësaj të fundit. Asnjëherë nuk është vonë për këtë.
Raporti me të vërtetën është dhe ngelet problemi ynë më i madh kombëtar.
Pa e zgjidhur drejt këtë do të vuajmë në vazhdimësi nga e keqja që përsëritet e përsëritet në pafundësi .
Daullet bien për ata që kanë vesh !!!