
Agim Baçi/
Filozofi italian, Umberto Galimberti, është një prej zërave më të fortë që prej vitesh ka ngritur alarmin për pasojat e komunikimit të vështirë që kanë sot prindërit me fëmijët e tyre adoleshentë. Kjo, sipas tij, ka ardhur pasi nga njëra anë shumë fëmijë kanë një fjalor gjithnjë e më të mangët për të shpjeguar gjendjen e tyre emocionale dhe nga ana tjetër prindërit mbajnë ende në mendje modelin e edukimit nga etërit e tyre pa mundur të lexojnë realitetin. Por si duhet të sillemi ne me fëmijët teksa fuqinë e komunikimit në familje, në rrugë e në shkolla e ka marrë tregu i zbavitjes dhe konsumit? A jemi ne të rriturit të përgatitur për t’i dalë zot botës së fortë të ankthit që krijon besimi te konsumi, te zbavitja?
Përgjithësisht ata që kanë kaluar të tridhjetat e kanë të qartë fuqinë e komunikimit në një komunitet banorësh ku ka bashkëveprim, ku bashkëmoshatarët luajnë me njëri-tjetrin. Por fëmijët e sotëm janë një brez që kanë dijeni për gjithçka që është në shitje, për gjithçka që mund të jetë e reja më e fundit teknologjike, e megjithatë nuk arrijnë të orientohen përballë fqinjit apo fqinjës së tyre, përballë shokëve të klasës. Një brez i tillë, i gjendur nën pushtetin e fortë të ankthit për t’u bërë i famshëm, rrezikon të mbetet peng vetëm i rezultatit, pa kuptuar se jeta e njeriut kalon në zigzage ulje-ngritjesh, ku humbja mund të jetë një stacion i mirë për të njohur veten dhe tjetrin, ndërsa fitorja mund të shkaktojë përgjumjen përballë botës së vërtetë.
Por, kushdo që mendon se kjo situatë është individuale e fëmijës së tyre, apo vetëm e shoqërisë shqiptare, gjykon gabim dhe rrezikon të prishë urat e komunikimit me to. Një situatë e tillë ka nevojë për një debat sa familjar e shkollor, aq edhe mbarëkombëtar, ku të mos i hapim udhë lumit të pesimizmit, pasi një lumë të tillë nuk dërgon asnjë varkë në një breg zgjidhjesh.
Në lumin e pesimizmit dhe të mos komunikimit fiton vetëm ankthi i përkohësisë, vetëm bota që shkakton zemërimi dhe frika. Ndërkohë që ne të gjithë e dimë se ajo që e mban fillin e fortë mes nesh është besimi dhe dashuria, është empatia dhe solidariteti dhe jo vetmia.
Ne si prindër duhet të kuptojmë se premtimi për një të ardhme më të mirë, sot nuk vlen njësoj me fëmijët e sotëm, të cilët gjenden të kërcënuar nga “droga e famës”, nga ethet e pasurimit të shpejtë, të cilat, në fund të rrugëtimit mund të rezultojnë vetëm një larmi vuajtjesh dhe padurimi. Nën ndikimin e spektaklit e të konsumit dhe të kërcënuar gjithnjë e më shumë nga rezultati dhe jo nga qëllimi i asaj që bëjnë, fëmijët do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të përcaktojnë emocionalisht kufijtë e kënaqësisë për atë që kanë dhe për atë që duan të bëjnë me jetët e tyre. Mungesa e qëllimeve për të nesërmen e ka kthyer të tanishmen në një diktaturë padurimi, por për ta lexuar si të tillë, ne, prindërit, duhet të gjejmë udhën e një leximi të përbashkët me bijtë e kohës, me sfidat e së tashmes që na paraqitet çdo ditë si e vetmja rrugë.
Gjatë gjithë prej kohësh ne shohim se si ndeshen të rinjtë me pyetësorë pa fund, me sondazhe që kërkojnë përgjigje të ngutshme dhe dhënie opinionesh, me statistika dhe kërkimet të tregut. Po kështu, thuajse çdo prind, me shumë gjasë, është përballur me emocionet që shkaktojnë te fëmijët rrëfime individuale në programe të përditshme televizive e sidomos në video të shpërndara, përfshi këtu deri ne limitet e fundit te intimes. Këto projekte e emisione i kthejnë të rinjtë në një gjah të konsumit të së sotmes, pa pasur fuqi të mendojnë për nesër, pa mundur të ëndërrojnë. Nën këtë presion, shumë fëmijë nuk e kuptojnë dot që, ajo që duhej të ishte vetëm e tyrja, është sot e gjithë publikut, pasi është bërë pjesë e show-t, duke u shpërndarë, pa ditur se kjo i bën më pas ata të pafuqishëm për t’iu kundërvënë makthit të spektaklit.
Sepse pak njerëz arrijnë ta kuptojnë se gjithçka është e jona kur kemi ditur ta ruajmë si të tillë, ndërkohë që kur e humbim, nuk varet më vetëm nga ne. Ndaj me përgjegjësi duhet t’u themi fëmijëve se informacioni nuk është mençuri, por vetëm një mundësi. Duhet t’u themi me qetësi se reflektimi ynë është i rëndësishëm dhe jo ajo që sugjeron bota e spektaklit. Përndryshe, nëse nuk ua themi hapur, do kemi murin e indiferencës së tyre ndaj asaj që do t’u kërkojmë më pas.
Ky mur indiference, zemërimi dhe nervozizmi që shfaqin të rinjtë mund të shembet nëse vendosim ura të vërteta bashkëbisedimi, pa u ankuar për atë që nuk kemi patur ne në kohën tonë dhe pa dramatizuar atë që ata na kërkojnë ata për shkak se janë bij të kohës së tyre.
Filozofi italian Umberto Galimberti në librin e tij, “Bujtësi turbullues”, shkruan se për të kuptuar sa të rëndësishme janë për jetën raporti me humbjen, zgjidhja e konflikteve, solidariteti dhe empatia, duhet që të mos lejojmë që fëmijëve tanë t’u bëhet baby-sitter televizioni apo aparati celular.
Nëse nuk arrijmë dot të ndërtojmë pyetjet e duhura në familje e shkollë, nuk ka pse, më pas, të bëjmë si të tmerruar nga dhuna që pason shoqërinë tonë, nga cinizmi i të rinjve, të cilët pa përgjigjet e bazuara te fuqia e dashurisë dhe besimit, do të zgjedhin atë të talljes, të vënies në lojë dhe të zemërimit dhe ankthit. Nëse nuk i drejtojmë sytë nga dashuria, nëse zemrën e tyre e lëmë në dorë vetëm të rezultatit dhe arsyes, atëherë duhet të llogarisim se mund të jetojmë në mbretërinë e indiferencës së tyre jo vetëm për ne, por për gjithçka rrotull tyre.
Ndaj, le të mos ngurojmë që t’u themi fëmijëve se, nëse ke një zemër të ndjeshme, nuk është dobësi, por është forcë për të kuptuar. Le t’u themi me forcë fëmijëve tanë se të kesh sa më pak rroba në trup ku duket lakuriqësia jote nuk do të thotë se je më i hapur ndaj të tjerëve. Natyrisht, të lakuriqësosh shpirtin është më e rëndë se sa të lakuriqësosh trupin. Por ne duhet të këmbëngulim që ata të dinë se të heqësh gardhin e turpit nuk do të thotë se me tjetrin je kuptuar. Përkundrazi, mund të lëndosh ata që të kanë menduar të jenë të afërt, pasi rënia e murit të turpit për intimen është jo vetëm humbje e dinjitetit por njëkohësisht edhe përjashtimi i atyre që na duan dhe duam nga të qenurit për ta dhe me ta.
Ne kemi në dorë të rilidhim sërish në një botë të përbashkët konsumi shpirtin dhe mendjen, duke mos ia lënë pushtetin e së sotmes trupit, që të mos jetë ajo drejtuesja e botës së sotme të konsumit. Përndryshe, askush nuk mundet t’ia dalë përballë fuqisë që ka bota e mbështetur te rezultati, te klikimet, te strategjia që vendos turpin te të qenurit truptrashë, e jo trutrashë- siç vë re me të drejtë shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti.