ATENTATI TERRORIST U KRYE NE KOHEN KUR REDAKSIA E REVISTES SATIRIKE CHARLIE HEBDO” ISHTE NE MBLEDHJE/
Policia franceze njofton se të paktën 12 persona u vranë gjatë të shtënave në zyrat e revistës së përjavshme satirike Charlie Hebdo në Paris.
Sipas njoftimeve të shtypit të paktën dy persona të armatosur hapën zjarr me automatikë dhe një raketalëshues brenda ndërtesës, ku gjenden zyrat e revistës. Besohet se autorët e sulmit u larguan me dy makina.
Sipas njoftimeve, redaksia ishte në mbledhje kur ndodhi incidenti.
Presidenti francez Francois Hollande e quajti sulmin një akt terrorist. Ai tha se asnjë sulm terrorist nuk do ta shuajë lirinë e shtypit.
Franca ka rritur gadishmërinë kundër terrorizmit në shkallën më të lartë.
E njohur për stilin e saj mjaft të hapur, kjo revistë e majtë komenton shpesh për fenë dhe kulturën. Ajo kishte botuar sot në mediat sociale një karikaturë satirike të udhëheqësit të grupit Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, ku ai paraqitet si njeriu që uron mirëqenie për vitin e ri.
Në vitin 2011 zyrat e revistës u sulmuan me bombë me benzinë pas botimit prej saj të një karikature të profetit Muhamed.
Shtëpia e Bardhë e dënoi sulmin e sotëm.