
Prof.asoc.dr. Myrvete Dreshaj-Baliu
Prof. dr. Begzad Baliu
Universiteti i Prishtinës
- BOTIMI I VEPRËS SË NOLIT NË PRISHTINË
- 1. Shqipërimet
Ndryshe nga shkrimtarët bashkëkohës të tij, që kanë krijuar në Shqipëri dhe në diasporë, Fan S. Noli ka pasur një fat më të mirë historik të receptimit të veprës së tij në Kosovë. Veprat e tij origjinale dhe sidomos përkthimet kanë filluar të botohen në vitet ’50 dhe ’60, ndërsa në të njëjtën kohë, kur më shumë e kur më pak, janë bërë objekt studimi në ato përmasa që nuk janë studiuar veprat e bashkëkohësve të tij. Po t’i bëhet një prerje e përgjithshme kohës së botimit të veprës së tij, përkthimeve dhe krijimtarisë origjinale, nuk është vështirë të shihet se periudha e parë përfundon në vitin 1968, kur botohet një variant i korpusit të veprave të tij të plota, ndërsa po këtë vit botohet edhe kompleti i veprave të Shekspirit, ku përfshihet edhe vepra më e mirë e tij e shqipëruar, ndërkohë që po gjatë këtyre dy dekadave ishin botuar dhe ribotuar edhe shqipërimet më të bukura të tij të letërsisë botërore nga Servantesi, Khajami dhe Ibanjezi.
Në Prishtinë, fillimisht janë botuar disa nga veprat e tij të përkthyera nga shkrimtarët e përbotshëm Uilliam Shekspiri dhe Ibanjezi. Për herë të parë, në vitin 1952 botohet kryevepra e shqipërimeve të tij “Hamleti: princ i Danimarkës”, e cila përcillej gjithashtu edhe me një introduktë të tij, e ribotohet edhe në vitet ’60, madje dy herë, si botim i veçantë dhe brenda kompletit të Shekspirit, ndërsa një vit më vonë botohet edhe vepra tjetër e Shekspirit “Jul Qesari”, nga po i njëjti botues. Po në këtë kohë botohen veprat e tij të shqipëruara: “Armiku i popullit” dhe dy kryeveprat e letërsisë së përbotshme “Don Kishoti i Mançës” dhe “Rubairat” e Omer Khajamit, e cila ribotohet përsëri pak vjet më vonë, më 1965. Kulmi i botimeve të veprave të shqipëruara nga Noli do të arrihet në fund të viteve ’60, kur do të botohen dy vepra të tjera të shqipëruara nga ai: “Kasollja” e Ibanjesit dhe “Zonja Ingra e Ostrotit” e Ibsenit; si dhe kur do të botohet kompleti i veprave të Uilliam Shekspirit, brenda të cilit do të përfshihen edhe shqipërimet e Fan S. Nolit: “Hamleti: Princi i Danimarkës”, “Makbethi”, “Tragjedia e Othello’s – Arapit të Venedikut” dhe “Jul Qesari”. Pas botimit të përkthimeve të tij, në Prishtinë do të marrë përmasa të tjera edhe botimi i veprës autoriale, në fushë të letërsisë, të historisë dhe të publicistikës.
Si në periudhën e parë (1950-1968) ashtu edhe në periudhën e dytë (1969-1988), kur botohet edhe versioni i dytë i plotësuar i veprave të tij, përkthimet, përkatësisht shqipërimet e tij, si dhe veprat origjinale do të vazhdojnë të botohen edhe të ndara sipas interesave të dedikuesve: me karakter akademik apo si lektyrë shkollore.
I.2. Veprat autoriale
Pas botimit fragmentar të poezisë, prozës historike, mendimeve kritike dhe sidomos të letërsisë së përbotshme, në vitin 1963, në Prishtinë, për herë të parë botohet vepra e tij Sulm e lot. Po këtu, pak vjet më vonë, botohet edhe kryevepra e kërkimeve të tij shkencore “Historia e Skënderbeut, kryezotit të Arbërisë (1405 – 1468)”. Vepra u botua, sikur thuhet në tekstin përcjellës, me rastin e pesëqindvjetorit të vdekjes së trimit legjendar Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1468-1968). Botimi u bë sipas versionit të fundit të Federatës Pan-shqiptare “Vatra” të Bostonit, të vitit 1950. Pas botimit dhe ribotimit të këtyre dy vëllimeve më të rëndësishme të veprës së Nolit, po në këtë vit botohet kompleti i veprave të tij në shtatë vëllime.
Pas botimit të kompletit të veprave në Kosovë kanë vazhduar të bëhen disa ribotime të veprave të Nolit veç e veç, por më parë se sa ribotime të veprave kishim studime të veprës së tij, duke përfshirë këtu edhe dy konferenca shkencore, të organizuara nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Më vonë, në vitin 1988 u botua prapë kompleti i veprave të Nolit në shatë vëllime, por me prurje të reja të teksteve të tij origjinale, të dokumenteve dhe të studimeve më të reja për jetën dhe veprën e tij.
I.3. Struktura e editimit të veprës së plotë
Megjithëse edhe botimi i dytë i kompletit të Nolit do të konceptohet në shtatë vëllime, ai në vetvete përfaqëson edhe shumë materiale të tjera dhe e bënë veprën shumëfish më të pasur. Po të shohim vetëm vëllimin e parë dhe të shtatin, nuk është vështirë të vërejmë dallimin e tyre. Në botimin e vitit 1968, vëllimi i parë kishte 153 faqe, përkatësisht të gjitha poezitë e botimit të parë të Albumit, ndërsa në botimin e vitit 1988, në vëllimin e parë kemi edhe krijime të tjera autoriale dhe të përkthyera, që bëjnë një përmbledhje prej 390 faqesh. Po kështu mund të thuhet edhe për vëllimin e shtatë. Në botimin e parë kemi tekste të zgjedhura në 242 faqe, ndërsa në botimin e dytë ky vëllim përfshin 680 faqe. Kompleti i veprave të Fan S. Nolit në Prishtinë është botuar vetëm një vit pas botimit të veprave të përzgjedhura të tij në Tiranë. Ndonëse nuk është botuar i plotë në Tiranë, pjesa më e madhe e vëllimeve iu detyrohet studiuesve Vehbi Bala e Nasho Jorgaqi për përgatitjen dhe pajisjen me shënime. Kjo është edhe arsyeja pse ky botim në Prishtinë është më i plotë tematikisht se sa ai që është botuar në Tiranë, por profesionalisht i atyre përmasave që i ka botimi i Tiranës.
Në vëllimin e parë të botimit të fundit në Prishtinë janë botuar poezitë e përmbledhura në Albumin I, II, drama Israelitë dhe filistinë, vepra e Khajamit Rubairat dhe variantet e tjera të poezive të lëna në dorëshkrim. Ndryshe nga botimet e mëparshme, të cilave ju printe parathënia e Hilmi Aganit apo Dhimitër Paskos, ky botim hapet me Parathënien e Vehbi Balës “Fan Noli – poet”, dhe vetëm më pas, kapitulli i përmbledhjes së poezive Albumi I, hapet me studimin e Mitrush Kutelit, ndërsa Albumi II, me “Parathënien” e Qerim Panaritit. Në fund të vëllimit botohen edhe kriteret metodike, tematike dhe gjuhësore, të cilat i kishin parasysh përgatitësit e këtij vëllimi.
Vëllimi i dytë dhe i tretë Publicistika 1095-1925, janë përgatitur për shtyp nga Ali Rexha, por sikur është shënuar në tekstin përcjellës, në esencë fjala është për shkrimet publicistike të përzgjedhura, të përgatitura dhe të pajisura me shënime nga Koço Bihiku dhe të redaktuara nga Kristaq Prifti. Karakteristikë e këtij botimi është se asnjëri nga këto dy vëllime prej 485 faqesh, nuk hapen as edhe me një parathënie modeste, por vetëm mbyllen me shënime përcjellëse në fund të tyre. Le të theksojmë në këtë rast, se në bibliografinë e gjerë të studimeve për Nolin, ndonëse asnjëherë nuk ka munguar vlerësimi i oratorisë dhe publicistikës së tij, përkundrazi ato theksohen shumanshëm në të gjitha shkrimet dhe studimet për Nolin, këto dy vëllime publicistike hapen dhe mbyllen pa një parathënie a pasthënie modeste. Për më tej, gjer më sot, në dijen shkencore për Nolin nuk gjejmë një monografi nderimi për publicistikën e tij, e cila nuk do t’i shërbente vetëm kujtimit për të e për kontributin e tij, por do t’i shërbente edhe dijes shqiptare për studimet politike, për kulturën e komunikimit, të oratorisë dhe të sjelljes publike.
Në vëllimin e katërt është botuar njëra prej kryeveprave të tij dhe e gjithë historiografisë shqiptare në studimet skënderbegiane Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-1468). Ndonëse, në shënimin hyrës thuhet se ajo është përgatitur sipas botimit të parë të Nolit, të vitit 1947, në botimin e Prishtinës është ruajtur tërësia e botimit të parë, por duke ia paravënë “Parathënies” së Nolit edhe studimin e gjerë të historianit Aleks Buda, me titull “Fan S. Noli, historian i Skënderbeut”. Ashtu si vlerësimi për Nolin: historian i merituar i Skënderbeut, edhe për Aleks Budën mund të thuhet se ai e ka bërë vlerësimin më emblematik të kohës për monografinë e Nolit.
Në vëllimin e pestë janë përfshirë dy vepra të veçanta të Nolit: Autobiografia dhe Bethoveni dhe Revolucioni francez, që të dyja vepra brilante në natyrën e tyre. Nëse në të parën, në mënyrë modeste, Noli i madh paraqet jetën e tij subjektive, në të dytë na jep një nga veprat e papërsëritshme në studimet shqiptare të shekullit XX.
Në vëllimin e gjashtë për herë të parë, janë përfshirë jo vetëm Introduktat dhe Ligjërimet, por edhe një numër Letrash të përzgjedhura të Fan Nolit, të cilat nuk ishin botuar në vëllimet e tjera deri atëherë. Pas vëllimit me poezi, në krijimtarinë letrare, publicistike dhe shkencore, introduktat dhe ligjërimet kanë qenë pjesa më e diskutuar dhe më e popullarizuar e krijimtarisë së Nolit, në të gjitha studimet e gjertanishme në Prishtinë. Prej studimeve të gjertanishme për Nolin nuk është vështirë të shihet se studimet e Profesor Rexhep Qosjes për krijimtarinë e Nolit kanë filluar me vlerësimet e tij për introduktat dhe ligjërimet; se tekstet studimore të Mensur Raifit fillesën e kanë pikërisht te introduktat dhe fjalimet e tij; se pothuajse të gjitha tekstet e shkruara në kontekst të përvjetorëve të tij, të botimit të veprave të tij dhe të mendimeve të tij, vlerësimin për introduktat, ligjërimet dhe oratorinë e tij e vënë në plan të parë.
Vëllimi i shtatë me titull Jeta dhe vepra (Studime dhe materiale për një monografi), prej 681 faqesh është plotësim i vëllimit të shtatë të botimit të kompletit të parë më 1968, që atëherë mbante titullin Ndër bashkëkohasit. Në të vërtetë, botimin e parë të këtij vëllimi e ka përgatitur Ali Rexha, ndërsa të dytin Fahredin Gunga. Botimi i parë i vitit 1968 ka 245 faqe dhe përmbledh rreth njëzet tekste të zgjedhura nga studiues shqiptarë dhe një numër deklaratash të albanologëve të huaj, të cilët e kanë njohur Nolin. Në këtë vëllim, veç tjerash, janë përfshirë studimet historiko-letrare dhe gjuhësore të Vehbi Balës, dy studime të Dhimitër S. Shuteriqit, pastaj studimet e Hilmi Aganit, Shefqet Musarajt, Rexhep Qosjes, reflektimet e Lefter Dilos, deklarata e Faik Konicës, studimi gjuhësor i Jup Kastratit, kujtimet e Nonda Bulkës, Odhise Paskalit, Mitrush Kutelit, deklaratat e disa shkrimtarëve shqiptarë e të huaj me rastin e vdekjes së Nolit: Sterio Spasses, Eqrem Çabejt, Fatmir Gjatës, Dritëro Agollit etj.
Vëllimi i shtatë me titull Jeta dhe vepra (Studime dhe materiale për një monografi), është projektuar si një vepër e studimeve komplementare për jetën dhe veprën e Fan S. Nolit. Kapitulli i parë i këtij vëllimi hapet me tri studime brilante mbi individualitetin krijues e njerëzor të Nolit, shkruar prej tri personaliteteve emblematike të dijes shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX: Eqrem Çabejt, Idriz Ajetit dhe Aleks Budës. Në kapitullin e dytë janë botuar katër studime të përzgjedhura mbi jetën dhe veprën poetike-letrare dhe krijuese të Nolit, shkruar nga Vehbi Bala, Rexhep Qosja, Sabri Hamiti dhe Koço Bihiku, por në këtë kapitull mungon studimi prijës në studimet noliane, ai i Mitrush Kutelit, pasi është përfshirë në vëllimin e parë. Në kapitullin e tretë janë botuar disa studime, të cilat jetën dhe veprën e Nolit e kanë trajtuar në përmasa më të veçanta: kritike dhe krijuese. Studiues të specializuar në fushë të kritikës, estetikës, folklorit, mitologjisë, stilistikës, teorisë së letërsisë, dramës etj., si: Ibrahim Rugova, Nasho Jorgaqi, Alfred Uçi, Fatos Arapi, Bajram Krasniqi, Ali Aliu etj, në tekstet e tyre kanë trajtuar pikëpamjet estetike letrare, procesin krijues, simbolet mitologjike të poezisë së Nolit, evolucionin krijues, botëkuptimet dhe stilin, konceptet mbi dramën dhe strukturën ideo-tematike të poezisë së Nolit. Në kapitullin e katër janë botuar dy tekste, në të cilat autorët e tyre, Koço Bihiku dhe Piro Tako, diskutojnë dhe vlerësojnë publicistikën dhe oratorinë e Nolit. Kapitulli i pestë ka titullin “Me të bukurit e mendimit njerëzor në gjuhën amtare dhe begatinë gjuhësore të saj”, ndërsa brenda tij janë përfshirë tekstet e studiuesve Kudret Velça, Ramadan Sokoli, Muzafer Xhaxhiu, Shaban Demiraj, Rexhep Ismajli dhe Mahir Domi. Tekstet e tyre merren me krijimtarinë gjuhësore, letrare, muzikore, stilistike të Nolit, dhe në këtë mënyrë përplotësojnë disa aspekte dhe disa pamje të jetës dhe në mënyrë të veçantë të veprës së Nolit, duke e parë atë edhe në kontekstin historik e shoqëror.
Vëllimi i shtatë me titull Jeta dhe vepra (Studime dhe materiale për një monografi), përmbyllet me disa tekste të karakterit dokumentar, sikur është ai për planet e Nolit mbi botimin e veprave të tij poetike, me dy vështrime të Koço Bihikut dhe të Nasho Jorgaqit për krijimet e fundit të Nolit, me një paraqitje të Shkëlzen Raçës për vendin e Nolit në Enciklopedinë e Madhe Greke dhe me një fjalë të Nolit të lexuar në një nga përvjetorët e Vatrës.
Ndonëse, edhe para këtij vëllimi edhe pas tij, janë botuar shumë vëllime me studime e të karakterit monografik, edhe sot mund të thuhet se ky vëllim i shtatë i kompletit të veprave të plota të Nolit, më së miri i plotëson kushtet për një ‘Monografi noliane’.
Në këtë periudhë botimesh, vlerësimesh e prezantimesh të veprës së tij, një arritje tjetër përfaqëson botimi i poezisë së tij të zgjedhur në gjuhën serbokroate nga studiuesi dhe përkthyesi Mensur Raifi, më 1987, si dhe botimi i vëllimit të tij me poezi Album, me Alfabetin Braille nga Lidhja e të Verbërve të Kosovës.
II. STUDIMI I VEPRËS SË FAN S. NOLIT NË PRISHTINË
II.1. Fan Noli – idealist i madh, atdhetar i vërtetë
“Emni i Fan Nolit qëndron thellë në zemrat e Shqiptarëve përparimtarë dhe të gjithë njerëzve tjerë që kanë pasë rasën ta njohin nëpërmjet veprave të tija ose nëpërmjet kritikës letrare e aftësisë oratorike.
Po t’a studiojmë me një sy kritik jetëshkrimin dhe veprimtarinë e tij letrare, menjëherë dallojmë se simbas rrethanave dhe gjendjes kritike t’atherëshme të Shqipnis, Fan Noli asht nji ndër pionierët me të vlefshëm shqiptarë, jo vetëm si patriot i mirë, por edhe si letrar në za për botën shqiptare. Ai u përpoq pa pra për shlirimin e Shqipnis nga zgjedha e huej, u përpoq gjithashtu, edhe për përforcimin e vetqeverimit të saj patriotësh të mirë dhe të ndërgjegjshëm për popullin e mbrapambetun shqiptar, në kurriz të të cilit ishin mësue të ladrojshin cok ata që ia kanë pi gjakun dhe rjepë lëkurën.
Fan Noli radhitet në radhën e parë të listës shqiptare, po të peshojmë punën e tij si patriot, si shkrimtar e si përkthyes. Idealist i madh, atdhetar i vërtetë, e si i tillë tanë veprimet e veta i ka lidhë me shlirimin e Shqipnis nga zgjedha e huej ose nga sundimi i mbrendshëm dhe me përparimin e saj si shtet i qytetnuem”.
Po e hapim kapitullin për studimet noliane në Kosovë, me këtë tekst sintetizues e studimor për jetën dhe veprën e Fan S. Nolit, me një vlerësim të parë të Profesor Idriz Ajetit, të vitit 1952, të cilin pa të drejtë studimet shqiptare, e madje edhe bibliografitë shqipe për Fan Nolin nuk e kanë përfshirë në radhorin e tyre. Fjala hyrëse e Profesor Idriz Ajetit për Nolin, në antologjinë Nga letërsia shqipe, e përcjellë edhe me poezi origjinale dhe përkthime të Nolit në këtë vëllim, përfaqëson disa nga premisat themelore që e kanë përcjellë studimin e mëtejmë të Nolit gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX.
Diskursi i fjalësit dhe togfjalëshit, simbolika e mendimit dhe mesazhi i përcjellë nga njëri paragraf në tjetrin, përfaqësojnë që në fillim atë koncept shkencor, kritik dhe publicistik, i cili do ta përcjellë vlerësimin për Nolin, pavarësisht nga njohja e pjesshme apo e plotë e veprës së tij. Në një mënyrë a një tjetër, Noli dhe vepra e tij gjatë gjithë kësaj kohe bashkohen në kultin e personalitetit dhe të veprës së tij, njëkohësisht. Për autorin e këtij teksti, Profesor Idriz Ajetin, “Emni i Fan Nolit qëndron thellë në zemrat e Shqiptarëve përparimtarë”, ndërsa kjo paradigmë ndërtohet mbi tri premisa të tjera: “veprat e tija” (sado prej veprës së tij lexuesi në Kosovë njihte ndonjërën prej poezive të tij, si “Himni i Flamurit” dhe “Shpell’ e Dragobisë”, të njohura kryesisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe ndonjë fragmenti të përkthyer nga Shekspiri); “kritikës letrare”, (sado, nuk ishin të njohura asnjë nga introduktat e tij); dhe “aftësisë oratorike” (sado fjalimet e tij në konferenca ndërkombëtare dhe institucionet politike vendore, as atëherë as sot, pothuajse ende nuk janë të njohura plotësisht).
Po kështu mund të diskutohen edhe shprehjet dhe cilësorët a epitetet, që identifikojnë dhe ju referohen përbërësve jetësorë e letrarë të Nolit: “nji ndër pionierët me të vlefshëm shqiptar”, “patriot i mirë”, “letrar në za”; dhe “çlirimtar nga zgjedha e huej”, “përforcues i vetëqeverimit” etj., për të përfunduar në mënyrë emblematike: “Fan Noli – idealist i madh, atdhetar i vërtetë”.
II.2. Tekstet apologjike të periudhës së parë
Vit pas viti, studimet, artikujt përkujtimorë, vlerësimet për gjuhën, trajtesat për kritikën dhe paradigmat shoqërore e kulturore që e kanë nxitur krijimtarinë shkencore të Nolit, nuk kanë munguar asnjëherë, përkundrazi, janë zgjeruar në aspektin sasior dhe janë thelluar në aspektin teorik e filozofik, sidomos pas fillimit të botimit të veprave të tij veç e veç dhe në komplete. Bartës të këtyre tekste kanë qenë studiuesit nga radhët e gjuhëtarëve, kritikëve dhe publicistëve në Kosovë.
Të parë, në një kontekst të përgjithshëm, artikujt e kësaj periudhe gjysmëshekullore do të mundë të ndaheshin në ata me karakter gjuhësorë, letrarë, kritikë dhe përkujtimorë a përgjithësues. Bibliografisë së teksteve të kësaj natyre ju prijnë artikujt me përimtime gjuhësore të Latif Mulakut, për të vazhduar më dendur me artikujt për krijimtarinë letrare, të cilët i shkruajnë jo vetëm studiuesit e letërsisë, po edhe ata të gjuhësisë e të publicistikës letrare: Hilmi Agani, i cili merr e trajton në një tekst mjaft përgjithësues jetën dhe veprën e Fan Nolit, me qëllim që ajo të përfaqësojë dijen e kohës për jetën dhe krijimtarinë letrare të Nolit dhe me intencën themelore që ajo të bëhet fjalë hyrëse e veprës së parë të Nolit, të botuar në Prishtinë; Petro Janura, i cili sjell një portret me karakter publicistik për hapësirën dhe lexuesin shqiptar në Maqedoni; Ali Jasiqi, i cili në rastin e parë sjell një vlerësim përgëzues për botimin e vëllimit të parë të Fan S. Nolit në Prishtinë, në rastin e dytë merret esencialisht më poezinë elegjiake të Nolit, ndërsa në rastin e tretë sjell një portret poliedrik të Nolit në letërsinë dhe kulturën shqiptare; Hysni Hoxha, i cili në kontekst të vdekjes së Nolit, bën përpjekje për të shpjeguar disa kategori estetike dhe etike të mesazheve historike dhe letrare të jetës dhe veprës së tij; Xhevat Gega, i cili në tekstin e tij përvijon sociologjinë e disa prej poezive, paradigmat politike dhe motivet jetësore të Nolit, të shfaqura në pothuajse të gjitha poezitë e tij; Jusuf Buxhovi, i cili personalitetin e Nolit e sjell në ndritën e sfondit kulturor të shoqërisë shqiptare etj.
Pas botimit të kompletit të veprave të zgjedhura të Fan S. Nolit në vitin 1968, rrethi i studiuesve të jetës dhe veprës së tij, si dhe i temave të trajtuara do të zgjerohet dukshëm. Për veprën e tij do të shkruajnë dhe do të rishkruajnë gjuhëtarët, historianët e letërsisë, specialistët e përkthimit, kritikët, studiuesit e letërsisë krahasimtare, epistemiologët, biografët dhe bibliografët etj. Rëndësia e studimeve të kësaj periudhe, qëndron edhe në faktin se ato mbështeten edhe në metoda dhe shkolla të reja, dhe në terminologji bashkëkohore të studimeve historiko-letrare. Të kësaj natyre janë tekstet e studiuesve: Rexhep Qosja, Mensur Raifi, Agim Vinca, Abdullah Karjagdiu, Hilmi Agani, Ramiz Kelmendi etj.
II.3 Përlindja noliane
Në studimet noliane të gjysmës së dytë të shekullit XX, janë shkruar monografi, trajtesa, ese, studime të thelluara apo të përgjithësuara, por në këtë rrafsh nuk mund të gjejmë një studiues a një seri studimesh me të cilat studiuesi është identifikuar me personalitetin e autorit, në ato përmasa me të cilat është identifikuar Profesor Rexhep Qosja. Studimet e tij të karakterit sintetik dhe ato historiko-letrar, që marrin përmasa monografie, polemikat e tij të pashembullta në letrat shqipe, analizat e tij politike në kontekst të jetëshkrimit të tij, shënimet e anëshkrimet në shenjë të përvjetorit të tij dhe përngjasimet sa me veprën aq edhe me jetën në biografinë e tij, kapin një periudhë të gjerë dhe një vëllim të madh tekstesh e trajtesash.
Është vështirë të gjendet një vepër shkencore a dokumentare e studiuesit Qosja, në të cilën nuk përmendet emri i Nolit, nuk diskutohet vepra e tij apo nuk problematizohen fenomene dhe dukuri në kontekst të jetës dhe të veprës së tij. Në kontekstin historik ajo përshkon periudhën nga fillimet e shkrimeve të tij, pra nga vitet ’60, ndërsa në kontekstin kronologjik ajo përshkon periudhën nga vepra e parë me studime Episode letrare (1967), deri te vepra e fundit Dëshmitar në kohë historike (2016). Bibliografia e studimeve, eseve, trajtesave, kritikave, analizave, përkujtimeve, fillon me një studim sintetik mbi mendimin kritik të Nolit, me titull “Gjurmave të një kritiku letrar”. Mbase ky studim i Qosjes, i cili trajton njërën prej fushave më të veçanta të mendimit nolian, kritikën krahasimtare, e bën autorin që t’i rikthehet Nolit me studimin “Fan S. Noli (1882-1965)”, një qasje kjo historiko-letrare dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha fushat e dijes së tij, ku ai ka dhënë kontribute të çmuara. Profesor Qosja madje veprën e Nolit e ka vënë në plan të parë krahasues e vlerësues edhe në monografinë e tij me ndikim në studimet historiko-letrare, Asdreni – jeta dhe vepra.
Studimi i parë me karakter monografik për Fan Nolin do të bëhet madje edhe shkaktar i një moskuptimi mes Profesor Rexhep Qosjes dhe Hilmi Aganit, por ‘mëkatet’ e këtij moskuptimi do t’i bartë Profesor Rexhep Ismajli, studimi i të cilit “Ҫështje nga studimi i stilit të Nolit”, do të bëhet objekt diskutimi polemizues ndërmjet Rexhep Qosjes e Rexhep Ismajlit në librin mbamendës të Profesor Qosjes Morfologjia e një fushate (1980)! Nëse në studimin e parë Profesor Qosja theksonte se krijimtaria poetike e Nolit ishte antologjike, në ato përmasa që nuk i ka shënuar asnjëri prej poetëve të letërsisë shqipe, në studimin e dytë historiko-letrar për Nolin, Profesor Qosja theksonte: “Ai ka punuar tejet pak, por ka punuar tejet bukur. Përpos vjershave Fryn moj erë dhe Jepni për nënën, të gjitha vjershat e tij të tjera kanë vlerë antologjike. Në antologjinë e poezisë patriotike shqipe, Noli do të hynte me vjershat Hymni i flamurit, Syrgjyn–vdekur, Shpell’ e Dragobisë dhe Thomsoni dhe kuçedra; në antologjinë e poezisë erotike do të hynte me vjershat Plak, topall dhe ashik dhe Sofokliu; në antologjinë e poezisë sociale me vjershat Anës lumenjve dhe Rent, or Marathonomak, kurse në antologjinë e përgjithshme të poezisë shqipe me të gjitha vjershat e tjera plus me këto që u përmendën”. Vetëm një vit më vonë, kur Profesor Qosja do të përgatisë vëllimin “Antologji e lirikës shqipe” (1970), Nolin do ta prezantojë me gjashtë poezi Moisiu në mal, Marshi i Krishtit, Marshi i kryqëzimit, Kryqësimi, Rent, or Marathonomak! dhe Anës lumenjve, ndërsa në parathënien e tij, veç tjerash, poezinë e Nolit do ta quajë “shembull i një poezie retorike, e një vargu të zhveshur prej figurës, që efektin e vet e mbështet në kuptimin universal, simbolik ose alegorik”, ndërsa “ekspresionin muzikor, si një mjet ngapak unik edhe në poezinë botërore”. Në studimet historiko-letrare të Rexhep Qosjes, emri i Fan S. Nolit dhe krijimtaria poetike e tij do të kulmojnë në manifestin e kritikës letrare Tri mënyra të shkrimit shqip (2004), emri i Nolit në kontekstin modern të letërsisë shqipe do të shquhet më shumë se te cilido autorë tjetër.
Në fillim të viteve ’80, kur shumë institucione shqiptare shënojnë përvjetorin e lindjes së Fan S. Nolit, Profesor Qosja boton trajtesën “Fan Noli dhe modeli kritik i kulturës shqiptare” (1982), ndërsa në vitin 1990 mban një fjalë në Akademinë kushtuar 25-vjetorit të vdekjes, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, “Fan S. Noli dhe çështja shqiptare” (1990). Si në tekstin e parë ashtu edhe në tekstin e dytë, trajtesat e tij marrin dimensione të reja, tash jo vetëm vlerësuese e historiko-letrare, po edhe konceptuale e ideore. Nëse në studimet e periudhës së parë autori krijon portretin intelektual e historiko-letrare të Nolit, në trajtesat e periudhës së dytë, më shumë se me tekstet letrare e historike merret me personalitetin e tij, me veçoritë jetësore të të cilit duket se identifikohet jo njëherë në jetën e tij. Kur biografët e Qosjes do të merren me disa anë të etikës së tij, nuk do ta kenë të vështirë, që veçori të caktuara të sjelljes dhe të mendimit të tij t’i gjejnë në jetën dhe në veprën e Fan S. Nolit.
II.4. Një shikim tjetër në jetën dhe veprën e Nolit
Në fillim të studimeve noliane në Kosovë, me tekstet e tij paraqitet edhe studiuesi i letërsisë krahasimtare Mensur Raifi. I specializuar për poezinë moderne dhe krahasimtare, Raifi fillimisht botoi disa studime të karakterit teorik dhe teoriko-letrar, e teoriko-historik, si: “Gjeneza e një traumatizimi personal e kombëtar”, “Aliteracioni në poezinë e Fan Nolit”, “Fan Noli historian kritik”, “Introduktat dhe aktualiteti i shqipërimeve”, “Kritika e Fan S. Nolit” etj., por me veprën letrare të tij, vazhdoi të merret jo vetëm njëherë dhe jo vetëm në një mënyrë. Në studimet e tij ai reflektoi burimet personale dhe historike të poezisë së tij, e kjo do të thotë paradigmën psikologjike dhe gjenezën e rrethanave shoqërore.
Po të kësaj periudha janë edhe disa studime të historianit të letërsisë dhe të përkthyesit e studiuesit të letërsisë krahasimtare Abdullah Karjagdiut, sado ndryshe nga bashkëkohësit e tij, Qosja e Raifi, ai nuk do të merret më tej me studimet noliane. Në tekstet e tij të një karakteri përgjithësues, Karjagdiu ka trajtuar disa aspekte të interesimeve të tij letrare, teorike, historike dhe madje gjuhësore, kryesisht të përkthimeve të Nolit, si: “Noli – përballë metaforikës shekspiriane”, “Veprat e para të Shekspirit në shqipet në përkthimin e Fan Nolit”, “Huazimet, barbarizmat dhe kompozitat”, “Shqipëruesi i frymëzuar i Rubairave” etj.
Në rrethin e studiuesve që me jetën dhe veprën e Nolit do të merret më shpesh dhe në vijimësi shquhet kritiku dhe historiani i letërsisë Profesor Agim Vinca. Ndonëse nuk do të shkruaj ndonjë monografi të veçantë, apo studim të karakterit monografik, ashtu sikur kanë shkruar disa nga paraardhësit e studimeve noliane (Qosja e Agani) apo disa nga bashkëkohësit e tij (Raifi e Zajmi), Profesor Agim Vinca për Fan Nolin do të shkruaj disa herë në mënyrë të veçantë dhe do ta përfshijë në disa nga veprat e tij studimore. Vështirë të gjendet një vepër e tij, në të cilin të mos i ketë bërë ndonjë portret, a të mos e ketë diskutuar ndonjë nga poezitë e tij. Interesimet e tij për Nolin shfaqen fillimisht me studimin “Dy poetë në syrin e një kritiku (Mitrush Kuteli për Fan Nolin)”, recensionin “Një botim i rëndësishëm”, kushtuar veprës së Piro Takos Rron or rron e nuk vdes shqiptari – pjesë të zgjedhura nga publicistika edhe letërkëmbimi, e cila pati zgjuar interesimet e lexuesve të shumtë, për të vazhduar me trajtesat sintetike “Shkrirja e erudicionit me elokuencën (Noli si publicist e orator)”, dhe “Fan S. Noli si polemist”, si dhe portretin mbamendës “Noli bashkëkohësi ynë”, lexuar në Akademinë solemne kushtuar Fan S. Nolit, me rastin e 25-vjetorit të vdekjes, mbajtur në 31 maj 1990, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Po me këtë pasion, Profesor Vinca do të vazhdojë ta trajtojë portretin e Nolit dhe ta vlerësojë veprën e tij edhe më vonë në analizat, studimet dhe recensionet: “Noli interdit (Noli i ndaluar)”, “Fan Noli afrohet”, “Gjurmimi i pasionuar i jetës së Fan Nolit”, “Fan S. Noli – institucion i kulturës shqiptare” etj.
Vlerësimet e Ibrahim Rugovës dhe Sabri Hamitit, në rrjedhë të studimeve noliane, nuk do të shquheshin në mënyrë të veçantë për qasjen e tyre, por për vendin që ia bënë Nolit në Antologjinë e mendimit kritik shqiptar. Në këtë vëllim të mendimit historiko-letrar, kritik dhe estetik, Fan Nolit i është dhënë një vend posaçërisht i merituar me numrin e teksteve dhe me modelet e tyre. Në këtë vëllim të teksteve të përzgjedhura të studiuesve dhe kritikëve letrarë, autorët Rugova&Hamiti, Nolit do t’ia njohin dy merita, e para tematike dhe e dyta metodologjike: meritë e parë, sipas tyre, është interesimi i tij për letërsinë botërore, ndërsa meritë e dytë, është risia në metodën e kritikës. Introduktat e Nolit, vlerësojnë këta studiues, inkuadrojnë në kritikën tonë një krah të studimeve sociologjike dhe psikologjike të letërsisë.
Në këtë rrjedhë, me jetën dhe veprën e Fan S. Nolit, kur më shumë a kur më pak janë marrë edhe studiues të tjerë: gjuhëtarë, kritikë, studiues të letërsisë, historianë, publicistë etj., si: Hilmi Agani, Rexhep Ismajli, Sefedin Fetiu, Mahmud Hysa, Ramiz Kelmendi, Ali Sutaj, Hasan Kaleshi etj., të cilët kanë trajtuar tema nga më të ndryshmet, të lidhura ngushtë me jetën dhe veprën e Fan S. Nolit, me stilin krijues dhe gjuhësor të tij, me përmbajtjen dhe vlerat estetike të dramës së tij, me poezitë veç e veç dhe me përngjasimet e tyre, me përkthimet poetike, me përvjetorët e lindjes dhe të vdekjes së tij, me studimet noliane përgjithësisht dhe me polemikat e tij etj.
III. KONFERENCAT SHKENCORE PËR NOLIN
III.1. “Fan Noli – një burrë i rrallë i botës mendore shqiptare”
Krahasuar me numrin e madh të veprave të botuara dhe me ndikimin intelektual dhe letrar që ka pasur Fan Noli në zhvillimet kulturore në gjysmën e dytë të shekullit XX, në Kosovë nuk janë organizuar shumë konferenca shkencore për të dhe për veprën e tij, në ato përmasa që janë organizuar për disa nga personalitetet më me ndikim të kohës.
Prej të dhënave të shtypit ditor dhe shkencor, prej projekteve e konferencave shkencore, shihet se gjatë kësaj kohe, për Nolin në Instituti Albanologjik në vitin 1982 është organizuar njëra prej konferencave më të mira dhe më të pasura. Po atë vit janë përmbledhur dhe botuar materialet e kësaj Konferenceje në një vëllim më vete, Fan S. Noli, në 100 – vjetorin e lindjes 1882-1982. Siç thuhet në Parathënien e këtij vëllimi dhe nga fjala hyrëse e Profesor Idriz Ajetit, konferenca u organizua dhe madje vëllimi u botua menjëherë (siç nuk ishte praktikë e kohës), dhe për pjesëmarrje ishin ftuan disa nga personalitet dhe studiuesit më të mirë të kohës, të cilët me veprën e Nolit merreshin tri dekadat e fundit, si dhe një brez i ri i studiuesve të kohës, që me metodat bashkëkohore të qasjes së tyre ndaj letërsisë së traditës dhe asaj bashkëkohore, sillnin gjithashtu edhe rezultate të reja.
Vëllimi “Fan S. Noli, në 100-vjetorin e lindjes 1882-1982”, është konceptuar në shtatë tërësi, duke përfshirë këtu edhe fjalën emblematike të Profesor Idriz Ajetit, me titull “Fan Noli – një burrë i rrallë i botës mendore shqiptare”.
Në sythin për kontributin e Fan Nolit në fushë të letërsisë janë botuar shtatë kumtesa nga studiuesit Sabri Hamiti, Sefedin Fetiu, Agim Vinca, Bajram Krasniqi, Ramadan Musliu, Zeqirja Neziri dhe Emin Kabashi. Në studimet dhe në trajtesat e tyre ky brez i ri studiuesish të kohës trajton elemente të reja të autobiografisë së Nolit (Sabri Hamiti), erudicionin dhe elokuencën e tij (Agim Vinca), strukturën poetike të simboleve noliane (Emin Kabashi) si dhe botëkuptimin dhe stilin e Nolit (Bajram Krasniqi). Një përmasë të veçantë të kërkimeve në veprën e Nolit paraqesin studimet përimtuese për disa nga poezitë më të mira të tij: Shën Pjetri në mangall (Sefedin Fetiu); Anës lumenjve (Ramadan Musliu) dhe Rent, or Marthonomak (Zeqirja Neziri). Mbase karakteristikat e të gjithë pjesëmarrësve i ka projektuar më së mirë studiuesi Bajram Krasniqi me dy vlerësime mjaft përmbledhëse: së pari, me konstatimin se “studiuesit dhe kritikët e shumtë, duke shkruar për Nolin si poet dhe demokrat nga kënde të ndryshme, e në raste jo të rralla, duke e shkoqur nga rrjedhat e përgjithshme historiko-letrare dhe shoqërore-politike, kanë krijuar mitin për Nolin-njeri dhe shkrimtar”; dhe së dyti, me vlerësimin emblematik: “duke qenë se Noli demokrat doli nga lëvizja dhe Revolucioni Demokratik i Qershorit, si i papërsëritshëm në historinë e popullit tonë, edhe Noli si poet është i papërsëritshëm, qoftë me vizionin, qoftë me shumanshmërinë e interesimeve, qoftë me stilin e tij origjinal”.
Nëse, në këtë vëllim, kërkimet për autobiografinë e Nolit janë të karakterit semiologjik, ato për aspektet semantike të veprës së tij janë të karakterit përgjithësues e rimarrjet e tyre kanë karakter kryesisht vlerësues, ndërsa studimet për poezinë e tij dhe ndikimet në brezin e kohës përfaqësojnë vazhdimësinë e reflektimeve të Profesor Qosjes, si dije e shkollës strukturaliste të Prishtinës.
Le të theksojmë më në fund se, ndryshe nga tekstet studimore për letërsinë e Fan Nolit të shkruara për rreth një gjysmë shekulli në Tiranë dhe në Prishtinë, studimet e kësaj konference të botuara në këtë vëllim, i tejkalojnë disa përmasa të njohjes dhe paraqitjes së gjeratëhershme. Dhe i tejkalojnë, qoftë me mënyrën se si janë përzgjedhur krijimet poetike të Nolit, qoftë me mënyrën se si janë trajtuar ato.
III.2. Fan S. Noli si kompozitor dhe studiues i muzikës
Në 120-vjetorin e lindjes së Fan Nolit dhe në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës – Seksioni i Arteve, organizoi konferencën “Fan S. Noli si kompozitor dhe studiues muzikor”, në të cilën kumtesat e tyre i lexuan akademikët Engjëll Berisha dhe Zeqirja Ballata. Arsyeja e një aktivitetit të tillë lidhej me faktin se studimet tona e kishin trajtuar kontributin e Nolit në të gjitha fushat me të cilat është marrë ai, por jo edhe në fushë të kompozimit dhe të muzikologjisë. Në fjalën e tij Engjëll Berisha paraqiti vlerësimet për kontributin e Fan Nolit në fushë të muzikës sakrale, të ritit lindor, pjesë e së cilës është edhe kontributi i tij në përkthimin e këngëve sakrale nga greqishtja në gjuhën shqipe.
Akademiku Zeqirja Ballata në kumtesën e tij përvijoi përkushtimin e Nolit ndaj muzikës jo vetëm në fëmijërinë dhe rininë e hershme, po edhe në një moshë mjaft të shtyrë, kur ai ndërmori iniciativën për të studiuar Kompozicionin në Konservatoriumin e New England-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si karakteristikë të kësaj përpjekjeje të Nolit, padyshim, do përmendur faktin se ai diplomoi në këtë fushë me poemën simfonike “Scanderbeg”. Në këtë mënyrë ai i dha një dimension tjetër poemthit të shkrimtarit amerikan Henry Wodsworth Longfellow, të cilën e kishte përkthyer me sukses.
IV. TIPOLOGJIA E SHKRIMEVE
Sikur i tha më lart, jeta dhe vepra e Fan S. Nolit ka filluar së vlerësuari në Kosovë, para se të botohej e plotë në një vëllim më vete. Por, ajo më parë se sa të botohej e plotë, në vëllime të veçanta, në libra shkollorë apo në antologji letrare, është botuar në përmasa mjaft gjithëpërfshirëse dhe madje është botuar si krijimtari origjinale dhe si krijimtari e përkthyer. Në të vërtetë, pjesë të krijimtarisë së tij origjinale dhe të përkthyer, janë botuar duke e vlerësuar dhe përzgjedhur përmbajtjen patriotike të veprës së tij dhe përkthimet brilante. Kjo është edhe arsyeja pse, që në vitin 1951, në vëllimin Nga letërsia shqipe, Noli, më parë se sa me poezinë e popullarizuar, “Shpell’ e Dragobisë”, përfaqësohet me përkthimet e tij të letërsisë botërore, me poezinë “Korbi” (Edgar Allan Poe); me tragjedinë “Makbethi” (Shekspiri), me poemthin “Skënderbeu” (Henry W. Longfellou), dhe me “Jul Qesarin” (Shekspiri), ndërsa vetëm në fund, me një fragment nga vepra e tij “Skënderbeu – jeta dhe vepra”, dhe me elegjinë për Bajram Currin.
IV.1. Veprat me karakter monografik
Pas dy studimeve me karakter monografik të Hilmi Aganit dhe të Rexhep Qosjes, në fund të viteve ’60, si dhe një monografie të Agim Vincës (temë magjistrature), në të cilën vepra e Nolit kishte përmasa gjithëpërfshirëse, në fillim të viteve ’70, studiuesi Mensur Raifi botoi dy herë monografinë e tij Noli dhe Migjeni, si dhe ribotoi një monografi të zgjeruar në gjuhën shqipe Lasgushi, Noli dhe Migjeni dhe në gjuhën serbokroate Tri moderna albanska pesnika: Ljasguš Poradeci, Fan Noli, Miđeni (1987). Në fund të dekadës së shtatë, temat e magjistratures për Nolin dhe veprën e tij i paraqiten Jusuf Gërvalla, Naxhie Deva dhe Avni Spahiu, ndërsa profesori Yll Zajmi mbrojti disertacionin e doktoratës me titull Fan Noli – jeta dhe vepra, të cilin e botoi në një vëllim më vete në vitin 1986. Së fundi, Mensur Raifi botoi një monografi të llojit të saj Fan Noli dhe çështja e Kosovës (1995), në të cilën bëri përpjekje për të zbardhur disa anë të panjohura të qëndrimit të Fan Nolit ndaj kosovarëve, të lidhura ngushtë me Revolucionin e Qershor (1924) dhe me rikthimin e Ahmet Zogut në krye të Qeverisë së Shqipërisë.
IV.2. Yll Zajmi, Fan Noli – Jeta dhe vepra
Vepra e Yll Zajmit, Fan Noli – Jeta dhe vepra, është njëra nga monografitë e veçanta në studimet e kësaj kohe, si për kompetencën autoriale ashtu edhe për mënyrën se si i është qasur veprës së Nolit.
Profesor Yll Zajmi është njëri prej pedagogëve të shquar të jetës arsimore në Kosovë. Ai gjatë gjithë jetës është identifikuar për përkushtimin e tij në mësimdhënien e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, për formën dhe mënyrën e ligjërimit, për subtilitetin e tij prej edukatori atdhetar të gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, për dijen e gjerë dhe për pasurinë intelektuale me të cilat ishte formuar dekada me radhë. Në të vërtetë, ai, më parë se sa me kërkimet shkencore, në jetën e tij prej mësimdhënësi, është shquar për përcjelljen dhe perceptimin e gjithë atyre arritjeve që shënonte brezi i tij, i historianëve të letërsisë.
Profesor Yll Zajmi gjatë gjithë jetës së tij do të shquhet edhe për një përkushtim të veçantë: studimin e letërsisë së periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe pasardhësve të saj. Në këtë rrjedhë, nuk është e rastit pse ai për projekte jetësore zgjodhi dy nga personalitetet më të shquara dhe më të popullarizuara të kohës: Pashko Vasën dhe Fan Nolin; te i pari, duke shquar krijimtarinë letrare dhe publicistike, ndërsa te i dyti, krijimtarinë letrare, publicistike dhe historike. Si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin, ai bashkoi me përkushtim jetën dhe veprën e pasur të tyre. Jetën e pasur prej veprimtarësh politikë dhe krijimtarinë letrare e publicistike, me të cilën ata e bënë të pavdekshme historinë e tyre.
Monografia e Profesor Yll Zajmit, Fan Noli – Jeta dhe vepra, është njëra prej monografive më të popullarizuara të kohës. Fillimisht e mbrojtur si tezë doktorate dhe më pas e botuar si vëllim më vete. Vepra përbëhet nga dy tërësi të mëdha: pjesa e parë sjell një paraqitje kronologjike e sistematike e jetës dhe angazhimit të tij; ndërsa pjesa e dytë një paraqitja kronologjike – deskriptive të krijimtarisë letrare, historike dhe publicistike. Nëse në pjesën e parë, kronologjia e jetës së tij shfaqet në vazhdimësinë e zhvillimeve të historisë së popullit shqiptar, në pjesën e dytë, krijimtaria e Nolit shfaqet si vazhdimësi e këtyre zhvillimeve dhe e pjesëmarrjes së tij në to, pjesë e së cilave ishte në vitet më të vështira dhe më të rëndësishme të popullit shqiptar.
Në pjesën e parë, jeta e Fan S. Nolit paraqitet në pesë kapituj, në të cilat autori sjell të dhëna të reja apo edhe sinteza për familjen dhe fëmijërinë e tij, si dhe për shkollimin dhe rininë; për udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendin e tij në lëvizjen kombëtare atje; për kthimin në Shqipërinë e pavarur dhe angazhimin e tij deri në Revolucionin e Qershorit dhe zgjedhjes së tij kryeministër; si dhe për kthimin e tij përsëri në Amerikë dhe emërimin në krye të Kishës Autoqefale. Në tërësinë e pjesës së parë dhe në kapitujt veç e veç Profesor Zajmi trajton kur aspekte të përgjithshme të jetës shqiptare, e kur çështje më të veçanta të jetës dhe vendit të tij në Lëvizjen Kombëtare. Shpesh trajtimi i temave të kësaj natyre duket sikur tejkalon përmasën biografike të Nolit, por nga leximi i mëtejmë nuk është vështirë të shihet ndikimi madh i Nolit në këto ngjarje (Rëndësia e Vatrës në botën shqiptare, Lidhja e Kombeve, Revolucioni i Qershorit, etj), apo edhe ndikimi i këtyre zhvillimeve (fundi i vendlindjes së tij, zhvillimet në Shqipëri në prag të Revolucionit të Qershorit, emigracioni politik në Perëndim etj), sa në jetën aq edhe në veprën letrare dhe shkencore të Nolit.
Pjesën e dytë të këtij vëllimi e përbëjnë pesë kapituj, brenda të cilëve trajtohet krijimtaria letrare: dramaturgjia dhe poezia e tij, vepra monografike për Skënderbeun, përkthimet letrare, kritika letrare dhe muzikore, si dhe publicistika dhe oratoria. Prej studimit të karakterit kronologjik dhe historik nuk është vështirë të shihet se autori i ka diskutuar veprat letrare e shkencore të Fan Nolit duke u mbështetur në tipologjinë e gjinisë a të llojit, por pa i përjashtuar asnjëherë zhvillimet historike, politike e shoqërore, që shpesh dhe aq shumë i kanë shkaktuar përmbajtjet dhe motivet e tyre. Në këtë rrjedhë ai ka diskutuar poezitë dhe dramën e tij mbështetur në paradigmën historike të tyre, më parë se sa me paradigmën estetike; e ka studiuar veprën monografike për Skënderbeun mbështetur në traditën e veprave të kësaj natyre nga Barleti, te rilindësit dhe koha jonë, duke përfshirë këtu edhe variantet e tyre; i ka vlerësuar, i ka diskutuar dhe i ka analizuar thellësisht e gjerësisht përkthimet letrare të veprave më të mira të letërsisë botërore etj.
Njohës i thellë i historisë së letërsisë shqipe dhe i letërsisë botërore, edukator i shumë brezave në këtë fushë të dijes dhe bard i mendimit historiko-letrare në studimet shqiptare, Profesor Zajmi, në këtë pjesë, sikur edhe në dhe kapitujt pasvajtës “Kritika letrare dhe muzikore” e ka diskutuar përvojën letrare të tij për disa nga temat e tij të preferuara në fushë të përkthimit dhe të muzikës, në fushë të kulturës enciklopedike të Nolit dhe në fushë të letërsisë krahasimtare. Nuk është i rastit fakti se monografia e tij mbyllet me kapitullin e ndërlidhur për kontributin e tij në fushë të publicistikës dhe të oratorisë. Në radhë të parë Profesor Zajmi merret me tekstet e publicistikës, më pastaj me oratorinë e tij dhe shembujt e dorës së parë të polemikave në Parlamentin Shqiptar dhe në Konferencat e diplomacisë ndërkombëtare, ndërsa në fund edhe me çështje të veçorive të stilit të tij, duke i parë ato jo vetëm në kontekstin tematik e gjuhësor, po edhe në kontekstin stilistik.
Në studimet noliane në Kosovë, kjo vepër përfaqëson konceptin popullarizues të leximit dhe të vlerësimit integral të krijimtarisë së Fan S. Nolit, prandaj nuk është e rastit pse ajo pati edhe lexuesit edhe botuesit e saj.
IV.3. Avni Spahiu, Noli: Jeta në Amerikë
Avni Spahiu është njëri prej atyre studiuesve, i cili ka treguar përkushtim të rrallë në studimet noliane. Siç e ka theksuar në disa nga bisedat, përkushtimin e tij ndaj Nolit e ka udhëhequr edhe një fat i përhershëm, të cilin nuk e kishin edhe studiuesit e tjerë të brezit të tij. Në të vërtetë, përkushtimin e tij ndaj Nolit, që fillimisht e tregoi duke përkthyer disa nga veprat e tij, pati fatin ta zgjeronte edhe me caktimin e tij gazetar për shumë vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, ndryshe nga bashkëkohësit e tij, të cilët jetëshkrimin për Nolin dhe poezinë, publicistikën, oratorinë dhe historinë e tij e studionin nga veprat pak a shumë të njohura deri atëherë, Avni Spahiu iu përkushtua temës së tij me biografinë, kryesisht të panjohur dhe të pasur të jetës së Nolit prej krijuesi, misionari e intelektuali të tërhequr nga jeta politike. Këtë vepër e përshkojnë një numër i madh i dokumenteve origjinale, duke përfshirë këtu edhe diskutimet e incizuara e të panjohura deri atëherë.
IV.4. Mensur Raifi, Tre poetë të tri situatave të ndryshme
Pas artikujve shkencorë e kulturorë për Fan S. Nolin, profesori i Universitetit të Prishtinës, përkthyesi dhe kritiku Mensur Raifi, përgatiti dhe botoi dy herë vëllimin me studime monografike Fan Noli dhe Migjeni, ndërsa vetëm disa vjet më vonë, duke parë interesimin e madh të lexuesve për tre nga krijuesit më të shquar ndërmjet dy luftërave botërore, përgatiti dhe botoi fillimisht në gjuhën shqipe vëllimin me tri studime monografike Lasgushi, Noli dhe Migjeni, e pastaj edhe në gjuhën serbokroate, Tri moderna albanska pesnika: Ljasguš Poradeci, Fan Noli, Miđeni.
Vëllimit i prinë një hyrje e përbashkët, që më shumë se një Hyrje (5-12) është një sintezë e jetës dhe e veprës së tre autorëve të letërsisë moderne shqipe të gjysmës së parë të shekullit XX, të parë gjithnjë në përngjasim dhe në kontekst të njëri-tjetrit apo të epokës në të cilën jetuan.
Le t’i referohemi studiuesit Mensur Raifi: “Tre poetë modernë shqiptarë që janë objekt i këtij studimi paraqesin në të vërtetë tri zgjidhje të veçanta të angazhimit letraro-artistik, tri qëndrime të njeriut dhe shkrimtarit për t’i dhënë një domethënie epokës së tyre. Lasgush Poradeci (1899) vetërealizohet me “ikjen nga realiteti” në, do të thosha, burrërinë e ëndërrimeve boshlarjane, sepse vetëm këto janë jashtë ndikimit të indoktrinimeve të të gjitha llojeve, pra edhe të atyre fashiste të epokës; Fan Stilian Noli (1882-1965) kërkon dhe gjen në poezi të vetmin strehim dhe lehtësim e shfrim pas disfatës së tij në politikë ashtu siç e mendonte vetëm ai vetë, kryeministër i qeverisë shqiptare të dalë nga Revolucioni demokratik borgjez i qershorit të vitit 1924; Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni (1911-1938) bie viktimë e agresivitetit të tij të papërpunuar, me ndjenjë faji, në utopinë e tij poetike të socializmit. I pari shkruan poezi të pastër, simboliste, i dyti poezi politike, i treti poezi sociale”
Më tej Noli trajtohet në kapitullin me titull Misioni i Fan S. Nolit (35-50) dhe nënkapitujt Misionari i shfronësuar dhe Marthonomaku; në Shtojcën I, (76-80); në antologjinë e poezisë së përzgjedhur (109-118), si dhe në Shtojcën II: Bibliografi kronologjike e shkrimeve mbi Fan S. Nolin dhe Revolucionin e vitit 1924.
Në të tri vëllimet, përkatësisht në pesë botimet e tyre, Fan S. Noli është prezantuar në ato përmasa letrare, estetike, historike, kulturore dhe politike dhe në të tri botimet është analizuar me metodën psikologjike, sepse, shkruan autori në hyrje të studimit të tij “…kur poeti bëhet kryeministër, atëherë situata e tij mund të analizohet me metodën psikologjike”, për t’iu referuar më tej “Autobiografisë” së Nolit, ku ai e konsideronte veten “kalorës të Skënderbeut dhe misionar të Krishtit në popullin shqiptar”.
I gjithë studimi monografik i autorit përvijon kur në mënyrë historike e kronologjike, kur në mënyrë kritike e psikanalitike jetën dhe veprën e Nolit, për të parë mbase në një mënyrë të veçantë anët jetësore dhe historike, si dhe aspektet e karakterit vetjak të Nolit, të cilat ndikuan në motivet dhe në strukturën estetike e etike të krijimtarisë së tij letrare. Megjithëse në dukje të parë monografia është shkruar me metoda të kritikës bashkëkohore, ajo nga brenda nuk është tjetër veç se një tekst i mbyllur brenda deskriptivitetit biografik, autobiografik dhe politik, brenda të cilit shihen edhe nuancat letrare e politike të poezisë së tij në përgjithësi dhe në përzgjedhjen antologjike të tyre në veçanti: Kirenari, Kryqësimi, Rent, or Marthonomak, si dhe Anës lumenjve.
Në këtë monografi dhe në shtojcat e saj biografike e bibliografike, sillen të dhëna jo shumë të njohura në biografinë e Nolit, sikur është ajo për doktoratën e tij në Universitetin e Bostonit, si dhe specializimin e tij për historinë e Lindjes së Afërme dhe të Rusisë. Karakteristikë e paraqitjes së Nolit në këtë vëllim është edhe mënyra se si është konceptuar bibliografia e shkrimeve për Nolin, duke i lidhur ato jo vetëm për jetën dhe veprën e tij, po edhe për Revolucionin e Qershorit të vitit 1924, një model të cilin nuk e gjejmë te bibliografia për Lasgushin apo për Migjenin.
IV.5. Naxhije Deva, Orientalizmat në krijimtarinë artistike, publicistike dhe shkencore të Fan S. Nolit (1983)
Monografia në dorëshkrim e studiueses Naxhije Deva është një kërkim gjuhësor në veprën origjinale dhe të përkthyer të Fan S. Nolit. Në studimet noliane nuk kanë munguar asnjëherë kërkimet për gjuhën e tij dhe në mënyrë të veçantë leksikun e tij oriental, por deri në këtë kohë nuk kemi një studim shterues, apo së paku në këto përmasa, të cilën e ka bërë studiuesja Naxhije Deva. Pasi ka caktuar disa koncepte teorike-gjuhësore për probleme të natyrës leksikore në letërsi dhe në një shoqëri të caktuar, autorja ka nisur kërkimet e saj në leksikun oriental të krijimtarisë origjinale, përkatësisht atë shkencore, duke e parë dendurinë e leksikut oriental (antroponiminë, patroniminë dhe fjalësin) dhe burimet e tyre; për të vazhduar me botimet shkencore për Skënderbeun, si dhe introduktat dhe krijimtarinë e përkthyer (dramën, romanin dhe poezinë).
Fjala është për një kërkim sistematik dhe sintetik të leksikut oriental, të cilin autorja e ka klasifikuar në: leksik oriental të asimiluar, leksik oriental të domosdoshëm, leksik oriental të përdorur me qëllim, leksik oriental vetëm me funksion stilistik etj.
Ky dorëshkrim nuk u botua asnjëherë i plotë, por një pjesë e zgjedhur e tij u botua si kumtesë në vëllimin kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Nolit, botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.
IV.6. Magjistratura e pambaruar e Jusuf Gërvallës
Përveç doktoratës së botuar të Yll Zajmit, magjistraturës së mbrojtur dhe të botuar pjesërisht të Naxhije Devës, një projekt në fushë të arteve kushtuar Fan Nolit, do të mbetet i papërfunduar. Këtë njoftimin, të cilin si indicie e kanë theksuar disa biografë të Jusuf Gërvallës, fillimisht më të plotë na e jep Kadri Rexha, të cilit i jam referuar edhe unë, por tash së voni titullin e temës së magjistraturës së tij e saktësoi plotësisht Profesor Rexhep Qosja në ditarin e tij: “Jusufi ishte regjistruar në studimet e shkallës së tretë. Për temë të magjistraturës kishte poezinë e Fan Nolit, kurse titulli i temës ishte Muzika në poezinë e Fan Nolit. Për fat të keq kjo temë mbeti vetëm në fillimet e saj. Aktiviteti politik dhe atdhetar në Lëvizjen ilegale e pengoi që të thellohej në studimet historiko-letrare.
IV.7. Fan Noli në Ditarin e Rexhep Qosjes
Po të vërehet me kujdes bibliografia e studimeve për Fan Nolin, nuk është vështirë të shihet se tekstet më të shumta i takojnë publicistikës. Megjithëse, tekstet e shkruara prej autorëve të shumtë dhe me përgatitje profesionale të ndryshme, prej të cilëve shquhet dhuntia e Fan Nolit për letërsinë, oratorinë, poezinë, përkthimin, teologjinë, kompozimin, publicistikën, historinë, kritikën, politikën, muzikologjinë, dramaturgjinë etj., në të vërtetë të gjitha tekstet e tyre nuk e kalojnë përmasën publicistike të gjuhës, diskursit dhe terminologjinë, për të mos thënë gjuhën panagjerike, me të cilën janë shkruar. Ato janë shkruar në të gjitha periudhat dhe vazhdojnë të shkruhen edhe sot.
Fan Noli së fundi është bërë edhe objekt i një Ditari, në atë përmasë që nuk janë bërë edhe disa nga personalitetet e gjalla të kohës, kur është shkruar ky ditar. Pasi e ka trajtuar Nolin në kontekstin historiko-letrar, politik, eseistik dhe konceptual, në botimet e mëhershme, akademiku Rexhep Qosja, pikëpamjet e tij për Nolin dhe vlerësimet për te, i ka shprehur edhe në shënimet e mbajtura në ditarin e tij: “Fan Noli, poeti, kritiku, historiani, publicisti, gojëtari i jashtëzakonshëm dhe politikani e shtetari i pafat në historinë kulturore dhe politike shqiptare do të mbetet shembull i krijuesit, i cili e ka shkruar shqipen më ngjeshur, më qartë dhe më kuptimshëm se asnjë shkrimtar tjetër shqiptar deri sot kur po e shkruaj këtë fjali. Po të mos ishte numri i madh i fjalëve të huaja, që ka përdorur në shkrimet e tij, do të mbetej stilisti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Por, Fan Noli do të mbetej edhe politikani e shtetari më i madh shqiptar sikur të mos ishte ngritur i gjithë primitivizmi politik, feudal e fshatar i vendit kundër tij. Fan Noli ishte paraqitur para kohës në historinë shqiptare: populli shqiptar, as në pikëpamje politike, as në pikëpamje kulturore, as në pikëpamje qytetare, nuk ishte i përgatitur që të pranonte një mendje të tillë, me një pamje kombëtare, politike e shtetërore, modernizuese të tillë, që e kishte paralajmëruar ai”.
Prej përvojës së Fan Nolit dhe sidomos prej biografisë së tij, me kohë, sa duket, ka mësuar shumë edhe autori i këtij vlerësimi, Rexhep Qosja dhe me kohë, me gjasë, ka mësuar dhe është ngushëlluar prej joracionalizimit të botës shqiptare.
IV.8. Rezultate të pritshme
Mbështetur në kërkimet e reja që sjellin hulumtuesit nga arkivat e ndryshme për Nolin, studiuesi i brezit të mesëm Sevdai Kastrati pritet të sjellë mjaft të reja në studimet noliane, për dy arsye: e para, ai ka shumë vjet që jeton në Amerikë dhe ka treguar pasion të veçantë në kërkimet e tij për Nolin dhe Konicën; dhe e dyta, ai tashmë ka sjellë rezultate të reja me kërkimet e tij, jo vetëm për jetën politike dhe shoqërore të Nolit, për çka pritej edhe më parë, por edhe për krijimtarinë letrare të tij. Në këtë rrjedhë ai tashmë ka hulumtuar dhe gjetur një numër të madh tekstesh letrare, por edhe politike dhe historike të Fan Nolit, jo vetëm në shtypin shqiptar po edhe në shtypin amerikanë, austriakë e gjermanë, si dhe disa versione e variante të krijimtarisë së tij origjinale: poezi dhe përkthime. Studiuesi Sevdai Kastrati tash sa vjet punon në përgatitjen e veprave të plota të Fan S. Nolit, të cilat (me të gjitha tekstet në versione dhe variante) pritet të kapin rreth pesëmbëdhjetë vëllime.
PËRFUNDIME
Tradita gjysmëshekullore e studimeve historiko-letrare në Kosovë ka dalluar tre prej krijuesve të gjysmës së parë të shekullit XX: Fan S. Nolin, Lasgush Poradecin dhe Millosh Gjergj Nikollën – Migjenin. Janë të rrallë studiuesit në Kosovë të cilët nuk kanë shkruar një tekst historiko-letrar, publicistik, historik, biografik, përkujtimor dhe madje letrar, ku njëri prej këtyre krijuesve të mos jetë bërë objekt qasjeje. Ndryshe nga Migjeni dhe Lasgush Poradeci, të cilët i kishin adhuruesit e tyre kryesisht nga radha e krijuesve, Fan S. Noli adhuruesit e tij i kishte nga radhët e të gjithëve: studiuesve, publicistëve, akademikëve dhe krijuesve. Prej bibliografisë së pasur të veprës së tij nuk është vështirë të shihet se studiuesi, i cili gjatë gjithë jetës së tij u përpoq t’i ngjante me jetën dhe me veprën ishte Profesor Rexhep Qosja.
Interesimi për Nolin lidhet me krijimtarinë e tij origjinale dhe përkthimet në mënyrë paralele, me përpjekjet e tij kombëtare dhe me studimet historike skenderbegiane, me tekstet e tij polemizuese dhe me oratorinë e tij, gjithashtu. Por, në mënyrë të veçantë studimi i krijimtarisë dhe i përkushtimit të tij do të lidhet me botimin sa më të plotë të veprës së tij në Prishtinë. Vlerësimet karakteristike dhe të veçanta, në radhë të parë, do t’i bëhen nga Profesor Idriz Ajeti në vitet ‘50, për të marrë dimensione më të përshtrira në studimet historiko-letrare, trajtesat politike, polemikat dhe vlerësimet intelektuale të Profesor Rexhep Qosjes, në fund të viteve ’60 dhe ’70, për të vazhduar me studimet e Hilmi Aganit, Rexhep Ismajlit, të kurorëzuara me dy monografi të Mensur Raifit dhe monografinë e Yll Zajmit, në fillim të viteve ‘80.
Fan S. Noli ishte krijues me dhunti të madhe intelektuale dhe me biografi të pasur, prej së cilës studiuesit kishin çka të reflektonin në horizontet e historisë dhe në situatat e reja bashkëkohore; ai ishte krijues me pasuri të madhe gjuhësore, prej së cilës studiuesit kishin çka të qëmtonin; ai ishte orator me kulturë të gjerë, modelet e të cilit shumë publicistë dhe studiues të kohës sonë përpiqeshin t’i përvetësonin; ai ishte krijues me perceptim të veçantë estetik, prej të cilit pasardhësit kishin çka të merrnin. Prandaj, interesimet e studiuesve dhe krijuesve të shumtë për pasurinë atdhetare, intelektuale dhe krijuese të Nolit, në vitet ’80 do të shquhen dhe do të provohen madje edhe me metoda të reja kërkimore nga studiuesit: Agim Vinca, Sabri Hamiti, Sefedin Fetiu, Bajram Krasniqi, Shkëlzen Raça etj.
Prej hulumtimeve dhe studimeve të gjertanishme në Kosovë, po sigurisht edhe prej atyre të bëra në Shqipëri dhe në diasporë, mund të themi se bibliografia e Fan S. Nolit është e pasur po aq sa janë të pasura edhe bibliografitë e etërve të letërsisë dhe të kulturës shqiptare: Jeronim De Radës, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Migjenit, Esad Mekulit, Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes dhe Dritëro Agollit.