
Agim Baçi/
“Nuk ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit”, shkruan shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti, duke shënjuar ndoshta një nga të vërtetat e pas viteve ’90, ku demokracia iu besua shumë prej atyre që kishin qenë pjesë e ingranazheve të mbajtjes së diktaturës. Të futur me shpejtësi në rrugëtimin për të parë përpara, për të rrokur kohën e humbur, shoqëria shqiptare u soll me të shkuarën si struci që fut kokën në rërë, me bindjen se kështu i shpëton asaj që ka ndodhur. Në fakt, e shkuara, duke mos u shëruar me të vetmen ilaç që e shëron atë- TË VËRTETËN-, vijon të mbetet një hije e fortë, e cila ndikon gjer në heshtjen vrastare, çnjerëzore, të atyre që kryen krime, edhe kur bëhet fjalë për të gjetur një varr- një varr për të qarë, për të dërguar lule.
Rrëfimi i Aldo Renato Terrusit, biri i ish drejtorit të Bankës së Vlorës, Giuseppe Terrusi dhe nip i ish portierit fitues të Ballkaniadës në Tetorin e vitit 1946, Giaccomo Poselli, ka mundur të sjellë disa vite më parë rrëfimin “Brenga ime shqiptare”, duke bërë apelin më njerëzor ndaj atyre që kanë dijeni dhe ndaj institucioneve shqiptare- të gjejmë eshtrat e të atit, varrosur në Mars 1952 nën atë që njihet si “qershia e burgut të Buurelit”. Aldo ka mundur, përmes mikut të tij Gëzim Peshkëpia, dhe ish kreut të ISKK, Agron Tufa, të gjejë dokumentet ku rrëzohej e gjithë propaganda e ish diktaturës se drejtusi italian e Bankës së Vlorës, Giuseppe Terrusi, ia kishte dorëzuar vullnetarisht bankën gjermanëve, apo se ishte sjellë keq me punonëjsit apo qytetarë të tjerë në Vlorë.
Pafajësia e të atit është një hap jo i vogël për shpirtin dhe krenarinë e të birit të lindur në Vlorë dhe riatdhesuar vetëm 4 vjeç bashkë me të ëmën e dajën në Itali. Madje, Aldo Terruzi është një leksion për ish të përndjekurit politikë sjqiprarë dhe familjarët e tyre, që pas vitit 1990 duhej të kishin rrëzuar me gjyq vendimet e palogjyqeve dhe palaçodëshmitarëve të organizuar nga ai sistem.
Mosgjetja e eshtrave të Giuseppes dhe shumë të tjerëve të vdekur nga varjet, pushkatimet apo torturat në burgje, që vjen si pasojë e mospendimit të shumicës së ish persekutorëve, vazhdon t’i mbajë mbi shpatulla Aldos një brengë të fortë- një varr për të atin. Një brengë që peshon aq shumë mbi qafat tona, të shoqërisë sonë, që nuk mundëm dot të shkundeshim nga e shkuara dhe që atyre që u pushkatuan pa gjyq apo me prova të falsifikuara, të fabrikuara në zyrat e ish sigurimit të shtetit, t’i gjenim të paktën një varr për t’u nderuar nga pasardhësit.
Në fund të fundit, duhet të pohojmë, se thelbin që duhet të triumfojë brenda nesh, thelbin njerëzor për të pohuar me zë të lartë gabimet e së shkuarës, ne nuk mundëm ta nxirrnim kurrë, duke riposhtëruar edhe një herë ata që ikën dhe pasardhësit e tyre që kurrë nuk mundën ta gjejnë të drejtën përballë këmbënguljes së persekutorëve për të mos u penduar për atë që bënë me bashkëqytetarët e tyre, apo edhe me këdo tjetër që tentoi të jetonte i lirë.
Këtë vit Aldo botoi edhe librin e fundit të tijin, “Italianë të burgosur në Shqipëri”, ku përfshiu rrëfimin për fatin e dhjetra italianëve të tjerë të cilët u burgosën me akuza politike edhe pse nuk kishin asnjë mëkat, përveç të qenurit “ndryshe nga njerëzit që do diktatura”. Me botimet e tij Aldo ka vijuar të këmbëngulë të zbardhë të shkuarën e babait të tij duke u kthyer si zëri i njeriut që nuk duhet të ndalet kurrë përpara atyre që ndërtojnë kurthe që të tërhiqemi për nxjerrjen e të vërtetave.
Aldo Renato Terruzi ndërkohë nuk kursen as hipokrizinë e institucioneve italiane në kohën e pasluftës, që braktisur dhjetra e dhjetra italianë, vetëm e vetëm në interes të politikës “mes komunistëve”.