Akademik Beqir Meta/
Pjesa e parë…
Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër i 29 korrikut 1913, konsiderohet si akti themelor ndërkombëtar i krijimit dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Por ky vendim është sfiduar nga rrethanat historike dhe më së shumti nga vetë vendimmarrësit në atë Konferencë, të gjithë së bashku, në blloqe politiko-ushtarake, ose nga shtete të veçanta.
Vendimi ishte një kompromis i vështirë midis dy Blloqeve të mëdha politiko-ushtarake: Antantës, e cila më së shumti ishte kundër pavarësisë së Shqipërisë, ose për krijimin e një shteti shqiptar tërësisht të reduktuar dhe anemik, i cili do ta kishte të pamundur mbijetesën e tij dhe do të ishte një pre e lehtë për t’u gëlltitur nga fqinjët e tij; dhe Bllokut Trepalësh që përbëhej nga Austro-Hungaria, Italia e Gjermania, të cilat synonin të krijonin një shtet sa më të aftë për të mbijetuar në territoret natyrale që banoheshin tërësisht ose në shumicën dërrmuese nga shqiptarët. Kjo strukturë e Konferencës do të ndikonte jo vetëm në krijimin e një shteti shqiptar të cunguar e të dobët por edhe në efektivitetin dhe soliditetin e këtij akti ndërkombëtar.
Ky akt ndërkombëtar rezultoi i brishtë në disa momente delikate gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.
– Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve u sfidua fill pas marrjes së tij. Sfiduesi i parë serioz dhe i rrezikshëm që provoi se vendimi i Londrës i 29 korrikut 1913 ishte i brishtë ishte Greqia e cila orkestroi dhe realizoi të ashtuquajturën lëvizja “vorio-epirote”. Ajo ishte e detyruar të njihte vendimin e lartpërmendur formalisht dhe të deklaronte tërheqjen e trupave të saj pushtuese nga Shqipëria e Jugut. Por nga ana tjetër, ushtarë të saj, së bashku me bandat e kriminelëve nga Kreta, të maskuar si kryengritës “vorio-epirotë”, sfiduan ushtarakisht shtetin e ri, duke e detyruar qeverinë shqiptare të pranonte të ashtuquajturin Protokolli i Korfuzit, i cili çonte drejt copëtimit të shtetit të ri të njohur nga Konferenca e Ambasadorëve. Fuqitë e Mëdha, jo vetëm nuk e penguan këtë tragjikomedi, por e sanksionuan atë, madje dhe duke ushtruar presion kundrejt qeverisë shqiptare, dhe duke marrë dhunshëm edhe disa kompetenca të saj nëpërmjet Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK). Gjithashtu KNK ndaloi princ Vidin të dërgonte forca ushtarake në Jug për të shtypur forcat greke të maskuara si “autonomiste”.
– Sigurisht brishtësia u dëshmua më qartë me Traktatin e Fshehtë të Londrës të vitit 1915, ku 4 nga 6 Fuqitë vendimmarrëse në këtë konferencë, nënshkruan asgjësimin dhe copëtimin e mëtejmë të shtetit shqiptar. Kështu u zhvleftësuan plotësisht vendimet e Konferencës së Londrës.
-Pas Fillimit të Luftës Botërore, edhe Austro-Hungaria e cila kishte qenë mbështetësja kryesore e krijimit të shtetit shqiptar, u fut në negociata me Italinë për copëtimin e Shqipërisë midis tyre, dhe gjithashtu zhvilloi negociata me Greqinë për ta tërhequr në anën e saj, duke i premtuar përfitime në Shqipërinë e Jugut.
Po kështu veproi dhe Gjermania e cila i premtoi Athinës konstandiniste se do të mbështeste ambiciet e saj territoriale kundrejt Shqipërisë.
– Gjatë Luftës Botërore, dy akte të tjera ndërkombëtare dëshmonin zhvleftësimin e vendimit të vitit 1913 dhe këto ishin deklarata austro-hungareze për autonominë e Shqipërisë nën protektoratin e saj e vitit 1917 dhe deklarata e ngjashme italiane.
– Sfidë madhore ishte mbajtja e ushtrive pushtuese, italiane, serbe dhe franceze brenda territorit të shtetit shqiptar edhe pas përfundimit të Luftës.
– Ndërsa sfida më e madhe, ku u provua qartë se Konferenca e viti 1913 ishte zhvleftësuar, ishte Konferenca e Paqes e viteve 1919-1920, ku Fuqitë e Mëdha fituese të Antantës si dhe fqinjët ballkanikë u sollën sikur kjo konferencë ndërkombëtare gjithëpërfshirëse të mos kishte ekzistuar. Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha evropiane e vlerësuan si veprim të parakohshëm njohjen ndërkombëtare të pavarësisë dhe krijimit të shteti shqiptar më 1913. Po kështu edhe propozimet e qeverisë amerikane për aneksimin e Vlorës nga Italia, aneksimin e Gjirokastrës, nga Greqia, për protektoratin italian mbi shtetin e mbetur shqiptar, ishin injorim i vendimeve të vitit 1913.
Për më tepër, tre fuqitë kryesore evropiane iu përveshën punës për zhbërjen e shtetit shqiptar. Dy marrëveshje të konferencës që fatmirësisht nuk u realizuan, Memorandumi anglo-franko-amerikan i dhjetorit 1919 dhe i ashtuquajturi kompromisi Nitti ose marrëveshja anglo-franko-italiane e 13-14 janarit 1920 cenonin rëndë, madje akti i fundit e zhbënte tërësisht vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913. Fati i Shqipërisë ishte se Fuqitë fituese dhe aleatët e tyre ballanikë nuk arritën të dakordësohen plotësisht për këto propozime dhe për çështjet e tjera të kontekstit Adriatik. Po ky ishte dhe shansi i rikthimit tek vendimet e vitit 1913. U desh kundërshtimi amerikan kundër copëtimit të plotë të Shqipërisë që shkaktoi këtë ngërç, evoluimi i politikës britanike dhe lufta heroike e shqiptarëve në Vlorë, që të ndryshohej trajektorja zhvleftësuese e vendimeve të Konferencë së Londrës 1913. Madje edhe pas kësaj, në nëntor 1920 kishte ende dilema.
– Kështu fillimisht Lidhja e Kombeve e hodhi poshtë argumentin e paraqitur nga qeveria shqiptare se shteti shqiptar ishte njohur ndërkombëtarisht de jure dhe de facto nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1913. Këtë pozicion ajo do ta ndryshonte vetëm tri javë më vonë, kur Shqipëria do të pranohej në Lidhjen e Kombeve dhe ujdia e vitit 1913 do të konsiderohej e ligjshme.
– Megjithëkëtë u desh një vit tjetër përpjekje, ankthi e debatesh që Fuqitë e Mëdha të rinjihnin shtetin e pavarur shqiptar, përmes vendimit të një konference tjetër ambasadorësh, tashmë në Paris, i cili u dha më 9 nëntor 1921.
Vendimi i vitit 1921 i bëri disa ndryshime vendimit të vitit 1913, ndonëse ruajti thelbin e tij për njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar.
- Ai i qethi edhe disa territore të tjera Shqipërisë, duke sfiduar edhe një herë vendimin e vitit 1913.
-Cenoi pavarësinë e saj, duke i njohur Italisë një rol specifik në Shqipëri për mbrojtjen e shtetit shqiptar.
-I vetmi akt pozitiv ishte tejkalimi i kontrollit ndërkombëtar mbi shtetin e ri, pra nuk u rinovua ekzistenca e një Komisioni Ndërkombëtar Kontrolli me atributet e atij të vitit 1913, ndonëse një komision hetimor i LK u dërgua për të ndjekur funksionimin e shtetit të ri dhe zhvillimet politike në vend.
Nga ana tjetër, duhet theksuar se vendimi i Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1921 u dëshmua më solid se ai i vitit 1913. Por edhe ai pati limitet e veta të respektimit, si akt i rëndësishëm ndërkombëtar.
Ky vendim ndikoi pozitivisht për konsolidimin relativ të shtetit shqiptar në vitet 1922-1939, por u dëshmua në disa raste edhe brishtësia e tij.
Gjatë krizës së brendshme serioze që kaloi Shqipëria në vitet 1922-1924, jo vetëm që Italia sfidoi në fshehtësi vendimin e vitit 1921, duke nxitur destabilizimin e shtetit shqiptar me qëllim që të fitonte pozita politike dhe ekonomike monopol, por pas kryengritjes së Qershorit 1924 dhe destabilitetit të thellë në Shqipëri, edhe Londra shqyrtoi opsionin e rishikimit të vendimit të vitit 1921 pra edhe të vitit 1913.
Gjatë viteve 1925-1934 Londra u përpoq të amortizonte përpjekjet sfiduese dhe presionet imperialiste të Italisë ndaj Shqipërisë. Pra ajo u përpoq të mbronte legjitimitetin e vendimeve të viteve 1913 dhe 1921. Por pas kësaj kohe, ajo u tërhoq nga kjo politikë dhe toleroi politikën agresive italiane që po i sfidonte ato.
Sfida me madhore ndaj vendimeve të viteve 1913 e 1921 si dhe ndaj ekzistencës së shtetit shqiptar ishte agresioni italian i 7 prillit 1939. Brishtësia e këtyre vendimeve u shfaq edhe më e qartë kur Britania e Madhe dhe Franca nuk e denoncuan agresionin italian dhe shkeljen flagrante të ligjit ndërkombëtar, e konkretisht të vendimit të Konferencave të Ambasadorëve të viteve 1913 e 1921.
Për më tepër, edhe gjatë luftës, Britania e Madhe që ishte Fuqia më e madhe antifashiste me ndikim në Ballkan dhe Evropë, si dhe arkitektja e vendimeve të viteve 1913 e 1921, i dhunoi ato. Më 17 dhjetor 1942, ministri i jashtëm britanik deklaroi në parlament se kufijtë e Shqipërisë do të rishikoheshin dhe diskutoheshin pas luftës; se qeveria e tij do të njihte pavarësinë e Shqipërisë, por kjo nuk do të paragjykonte riorganizimet federative ose konfederative që do të bëheshin në Ballkan pas luftës. Pra ishin dy cenime të rëndësishme substanciale të vendimit të vitit 1913 dhe të vitit 1921. Ky qëndrim u shoqërua edhe me disa akte të tjera diskriminuese e sfiduese që cenonin statusin dhe legjitimitetin ndërkombëtar të Shqipërisë të përcaktuar në Konferencat e Ambasadorëve më 1913 dhe 1921: me mosnjohjen e një qeverie shqiptare në ekzil si përfaqësuese e Shqipërisë; mosnjohjen e statusit të Mbretit Zog njëlloj si homologët e tij ballkanikë; ndalimi më forcë i tij për t’u angazhuar në luftën antifashiste; ndalimi me forcë i tij për aderimin e Shqipërisë në Kartën e Atlantikut dhe në Kombet e Bashkuara; refuzimi i kërkesës së Shqipërisë për të marrë pjesë në Konferencën e San Franciskos dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara; përpjekja britanike për të lënë një shteg për diskutimin e kufijve të Shqipërisë, në notën e njohjes së qeverisë së Enver Hoxhës më 1945, e cila u dekurajua nga aleatët e saj amerikanë.
Pas kësaj ekspozeje mund të shtrohen edhe dy pyetje të tjera: a- Përse ishin të brishta vendimet e Konferencave të Ambasadorëve për Shqipërinë? b- Cilat ishin arsyet që vendimi i vitit 1921 ishte relativisht më i qëndrueshëm se vendimi i vitit 1913?.
Brishtësia e vendimeve të Konferencës së vitit 1913 dhe disi më pak e theksuar e konferencës së vitit 1921 lidhet me një sërë faktorësh të cilët janë të sferës së raporteve ndërkombëtare gjatë shekullit XX, por edhe me faktorë të brendshëm shqiptar, pra me gjendjen politike, arsimore, kulturore dhe shkallën e zhvillimit të kombit shqiptar.
Shkak themelor ishte fakti se vendimi i vitit 1913 krijoi një shtet liliput, të dobët që shtrihej në më pak se gjysmën e territoreve të banuara tërësisht ose me shumicë nga shqiptarët ( 28 000 nga 75-76 000 km2) dhe përmblidhte rreth 1/3 e popullsisë shqiptare (700 000 nga rreth 2 milionë banorë). Kjo krijoi një disbalancë të panatyrshme me madhësinë dhe potencialet njerëzore, ekonomike, politike dhe ushtarake të shteteve fqinje (Serbisë, Greqisë, e Bullgarisë). Gjithashtu ky vendim preu korridoret ekonomike të komunikimit të trojeve shqiptare me Ballkanin dhe kontinentin evropian, si dhe ndau tregjet natyrale shqiptare të zhvilluara gjatë shekujve nga zonat që mbeten brenda shtetit të ri. Pra, thelbi dhe substanca e vendimit të vitit 1913 ishte shkaku kryesor i dobësisë së shtetit shqiptar, por edhe i brishtësisë së vetë këtij vendimi, i cili do të sfidohej shumë herë në të ardhmen.
Për më tepër, duke qenë një vendim tërësisht i padrejtë dhe në dëm të kombit shqiptar, ai do të sfidohej nga të gjitha anët: Do të sfidohej nga fqinjët agresivë të cilët, duke pasur nën sundimin e tyre popullsi të konsiderueshme shqiptare, u interesonte ta dobësonin dhe kontrollonin sa më shumë shtetin shqiptar, madje edhe ta ri copëtonin e zhduknin atë nga faqja e dheut; Do të sfidohej nga Fuqi të Mëdha, (rasti i Italisë, Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Austro-Hungarisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe rasti i Italisë dhe Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.); Së fundi, do të sfidohej edhe nga vetë shqiptarët, të cilët nuk do të hiqnin dorë kurrë nga e drejta natyrale dhe legjitime për bashkimin e kombit të tyre të copëtuar në dimensione të thella nga më të thellat në Evropë.
Konferenca e Londrës 1913 u zhvillua në prag të konfliktit të madh botëror dhe të shpërbërjes së “Koncertit Evropian”. Koha provoi se të gjitha palët e konsideruan vendimin e saj të përkohshëm. E. Grey do të deklaronte se ky vendim kishte si synim kryesor të shmangte luftën evropiane. Kështu që, kur ajo filloi, askush nuk u ndje i obliguar ta respektonte më tej atë. Pra, ndonëse pavarësia e Shqipërisë ishte rezultat i një kompromisi të vështirë ndërkombëtar dhe ishte miratuar nga të gjitha Fuqitë Evropiane , ajo do të ishte tepër e brishtë dhe madje fluide.
Brishtësia e vendimit të vitit 1913 lidhet me ndryshimin drastik të balancës së forcave dhe raporteve ndërkombëtare, pothuajse menjëherë pas marrjes së tij. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, ndryshimet drastike brenda aleancave të kohës dhe konjunktura e re politike që u krijua në përfundim të Luftës, ishin arsye themelore të minimit dhe asgjësimit të këtij vendimi. Me fillimin e Luftës së Madhe të gjitha palët u ndjenë të çliruara nga respektimi i kompromisit të vështirë që kishin arritur në vitin 1913, madje edhe mbështetësit kryesorë të shtetit të ri, Austro-Hungaria dhe Italia. Për më tepër, Italia ndryshoi anë, duke u bashkuar me Antantën në vitin 1915, çka hodhi tërësisht në erë vendimin e vitit 1913, pasi një nga kushtet e aderimit të saj ishte pikërisht zhbërja e shtetit shqiptar.
Përfundimi i Luftës dhe fitorja e Antantës ishte një zhvillim negativ që sfidoi hapur vendimin e vitit 1913. Tashmë nuk ekzistonin dy Blloqet dhe arkitektura ndërkombëtare e paraluftës, e ndërtuar si rezultat i balancave të fuqisë dhe interesave midis tyre, ishte shkërmoqur. Anulimi apo injorimi i vendimit të vitit 1913 ishte njëra nga shtyllat që do tentohej të rrëzohej. Kjo lidhej me faktin se dy Fuqitë kryesore- Britania e Madhe e veçanërisht Franca, kishin qenë në anën e kundërshtuesve të krijimit të shtetit shqiptar. Për më tepër, Italia që tashmë ishte një fqinj fitues, nuk kishte rival të fuqishëm kundërbalancues në Shqipëri siç kishte qenë më parë Austro-Hungaria, prandaj ajo kishte ndryshuar në mënyrë drastike edhe politikën e saj, duke vënë si objektiv revizionimin fondamental të vendimit të vitit 1913.