Në Bujanoc, qytet në Luginën e Preshevës të banuar me shumicë shqiptare, është hapur panairi i bujqësisë dhe potencialeve investive, ku për tre ditë do të prezantojnë prodhimet e tyre para konsumatorëve dhjetëra kompani nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Serbia.
Ky panair është organizuar për të shtatën herë nga komuna e Bujanocit në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të rrethit të Jabllanicës e Peinjës dhe është mbështetur nga Ambasada e Austrisë në Serbi.
Zv/ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Shqipërisë, Brunilda Paskali, tha se potencialet e dëshira për të investuar nuk mungojnë, në mënyrë që kjo trevë të zhvillohet ekonomikisht.
“Kemi nevojë që të thithim investimet e huaja, në mënyrë që rinia të punësohet, të ulet papunësia dhe të rritet mirëqenia e qytetarëve. Për të arritur këto duhet të bashkëpunojmë të gjithë dhe të zhvillojmë trevat shqiptare”, tha Paskali.
Ajo ofroi mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, për zhvillimin e këtyre zonave dhe premtoi lehësira.
Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit, tha se qëllimi i panairit është që investitorëve t’iu prezantohen potencialet e kësaj komune e më gjerë, planet investive, projektet e bizneseve dhe që ekspozuesit nga pesë shtete përrreth në biseda të drejtëpërdrejta me partnerët e interesuar të diskutojnë format e mundshme të bashkëpunimit dhe investimeve.
“Bizneset duhet të bashkohen e jo të ndahen, në mënyrë që të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të këtyre trevave dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, tha kryetari i Bujanocit.
Kryetari Arifi u shpreh se sot kanë festë të madhe për arsye se jo vetëm që kanë ditën e komunës, por edhe atë të shkollës dhe panairin ndërkombëtar të bujqësisë.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, theksoi se bizneset nga të gjitha viset shqiptare duhet që të vijnë të investojnë edhe në Luginën e Preshevës, me qëllim që edhe kjo anë të zhvillohet ekonomikisht.
“Kosova dhe Serbia duhet të eliminojnë barrierat për shkëmbime tregtare dhe të krijojnë lehtësira për lëvizje më të lira dhe më të shpejta. Lugina e Preshevës duhet të ketë mbështetje me të madhe në mënyrë që të ketë zhvillimin ekonomik, vende të reja pune dhe jetë më të mirë për qytetarët”, tha Shahini.
Kryetari i AKB-së, tha se kjo anë do të ketë mbështetje nga shteti i Kosovës ashtu edhe nga Shqipëria dhe nga të gjitha bizneset e trevave shqiptare. Ai shtoi se, bizneset shqiptare duhet të mbështesin Luginën e Preshevës për zhvillimin ekonomik. Shahini po ashtu ofroi përkrahjen edhe nga Dhoma Kombëtare Tregtare.
Johannes Eigner, ambasador i Austrisë në Serbi, vuri në dukje se vendi i tij vazhdon të përkrah fuqishëm këtë rajon për zhvillimin ekonomik dhe secila iniciativë do të ketë mbështetje.
“Bujqësia është prioritet dhe duhet që të ketë prodhime të shëndosha, ku edhe investitorët austriakë do të vijnë e marrin këto prodhime”, u shpreh ambasadori austriak.
Goran Joviç, kryetar i Odës Ekonomike të Leskocit (qytet në Serbi), tha se me këtë panair tregohet përkushtimi për të përmirësuar ekonominë e këtij rajoni, bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe zhvillimin ekonomik.
Ndërkohë, Nazmi Ejupi, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, tha se ky panair është mundësi e mirë për bashkëpunim dhe zhvillimin ekonomik. Ai ofroi përkrahjen ngainstitucionet e vendit të tij.