
Çerçiz Loloçi/
E kam lexuar dy herë romanin e sapopublikuar “Flijimi i maskave” të Bujar Skëndos: një herë në dorëshkrim siç ngjet zakonisht mes të njohurve të hershëm dhe herë tjetër pasi ka dalë në shtyp nga botimet Onufri. Është romani i dytë i autorit, po me të njëjtin botues që dëshmon se është një zë i veçantë në letërsinë bashkëkohore shqipe.
I njohur kohë më parë si redaktor në të përjavshmen ‘Drita’ dhe kritik arti, me të dy librat e botuar njeri pas tjetrit, Bujar Skëndo ka hedhur një hap të sigurt në prozën romaneske, si për temat e mprehta që trajton ashtu edhe në kompozicionin e veprës e skalitjen e personazheve.
Ndjesia e parë që merr nga romani i dytë, “Flijimi i maskave” është kurajoja intelektuale për të dhënë mjeshtërisht ‘anatominë’ e shoqërisë së sotme shqiptare që është kapluar nga korrupsioni, krimi, pasiguria; përzierja e fortë e niveleve më të larta të katër pushteteve me botën e nëdhsheshme që shfaqet në mori formash e që duket sikur grish edhe qiejt me shumëkatëshet, restorantet, baret e hotelet që në metropole europiane kanë dashur disa dekada për t’u ngritur.
Duke jetuar midis Nju Jorkut dhe Tiranës, autori sjell mjedise dhe personazhe shqiptare, jo thjesht si raportime mediash që janë vetvetiu lajmësit e parë të dukurive negative në një shoqëri, por duke operuar me dy linja: e para me një biznesmen që rikthehet në vendlindje për të ngritur bizneset e tij dhe që tashmë kërkon të gjejë edhe shoqen e jetës dhe linja e dytë, ajo e individëve që janë pasuruar me gjithfarësoj mënyrash dhe tashmë duan të hyjnë në politikë, madje duke pasur edhe përfaqësuesit e vet në pushtetin më të lartë, atë legjislativ.
Një temë aktuale si ajo që krimi shfaqet në majat më të larta dhe prek çdo nivel, kriminalizimi i një shoqërie të tërë, pra kjo temë ka përherë një rrisk, atë të rendjes pas paraqitjes së dukurive më të shëmtuara, por jo e ardhur artistikisht me mjetet që kërkon romani.
Autori këtij rrisku i ka shpëtuar mjeshtërisht jo thjesht e vetëm sepse e ndërton veprën e vet me pak personazhe, por sepse ai arrin një krijim artistik që sa i përket botës shqiptare, aq mund të gjendet edhe në atë serbe, maqedonase, bosnjake, në krejt Ballkanin Perëndimor ku ka demokraci hibride, nuk funskionon asnjë pushtet, shtetet kanë një shkëlqim të rremë fasadesk e zhurmues po brenda saj do të gjesh shëmti dhe akte të frikshme, dhunë, kaos, zgjedhje jo të lira, autokratë nga të gjitha krahët që shkon sa te njeriu më i zakonshëm e deri te kreu i vendit.
I konceptuar në dy linja dhe me dymbëdhjetë kapituj romani spikat për zhbirime të thella psikologjike, për personazhe që kanë veçantitë e tyre dhe fate të ndryshme; nga njëra anë është biznesmen Dritani me Emën, ish aktore e Teatrit Popullor dhe tashmë drejtuese e një program televiziv që duan të kurorëzojnë lidhjen e tyre mes të njohurish të hershëm në lokalin misterioz “Korbi i bardhë”.
Linja e dytë ka gjithashtu një personazh interesant, Leoni, që i përket botës së krimit, por që arrin edhe në sferat e larta të politikës; çunat e tij besnikë janë atashuar me një parti kapobande që gjithçka e arrin me para, dhunë, vrasje dhe krime të tjera.
Poeti i mirënjohur Sadik Bejko vlerëson te Bujar Skëndo “gjuhën artistike të romanit, fjala e gjetur me saktësi e ngarkesë emocionale dhe stili i rrjedhshëm. Problematika e romanit është e mprehtë dhe e guximshme. Në roman ka figura të realizuara mjeshtërisht si Leoni, Ema, Dritani etj”.
Ndërsa profesor Bardhosh Gaçe veçon trajtimin e problemeve mprehta të tranzicionit tonë në romanin ‘Flijimi i maskave’, për përplasjen e interesave të qytetarëve me ato të politikanëve dhe për shtrëmbërimet e demokracisë në vendin tonë. Ai tha se i kam pritur këto romane nga Bujar Skëndo. E dija që një ditë ato do vinin”. Gaçe vlerësoi, gjithashtu, nivelin e lakmuar të shprehjes, stilin dhe nëntekstet e fjalës e të mendimit.
Vetë autori në promovimin e librit te librari ‘Onufri’ pohoi se në këtë libër kemi një realitet i pangjashëm, i dhunshëm, armiqësor, i korruptuar nga zyrat më të rëndësishme të shtetit, në qeveri, në Kuvend, nëpër drejtori tenderash… Krimi, pasi pastroi paratë dhe vetveten, hodhi edhe një hap më tej: Joshi me para dhe korruptoi politikën, u fut në parlament e qeverisje. Dhe politika, qëllimimisht e me dëshirë të pafre, ndau pushtetin me krimin. Por krimi nuk u ndal me kaq. Korruptoi edhe edhe një pjesë të qytetarëve, votën e tyre. Maskën e vetvetes ua vendosi, në fillim politikanëve e më pas edhe qytetarëve, të cilët e pranuan atë. Pushtetarë me maska e pa fytyrë. Ose me fytyrën e dytë a të tretë… Dhe me po aq maska. Dëshiroj të theksoj se romani është një refuzim artistik i kriminalizimit të vullnetshëm të pushtetit dhe të çdo aspekti të jetës së vendit. Është një mospajtim, një pakënaqësi, një dyshim i madh, të përthyera të tëra këto nëpërmjet artit të së vërtetës. Sepse letërsia nuk është thjesht tregim i të vërtetës, por art i të vërtetave të jetës. Në roman, nëpërmjet figurash artistike e ngjarjesh, episodesh rrëqethëse zbulohen artistikisht të këqiat e këtij tranzicioni të tmerrshëm. Dhe po ashtu të këqinjtë, djajtë e vërtetë të këtij vendi”.