Nga Astrit Lulushi/
Thuhet se një sistem i mirë shkurton rrugën drejt suksesit – kjo ndodh me një burokraci konkuruese ose nën kontroll. Por jo rrallë, burokracitë nuk përballen me konkurrencë reale prandaj veprojnë si çdo monopol tjetër që përdor burimet e veta pa-efikasitet, sepse nuk i duhet të konkurrojë.
Sociologu gjerman Max Weber ka argumentuar se burokracia e kontrolluar përbën mënyrën më të mirë për organizimin e aktivitetit njerëzor dhe se proceset sistematike dhe hierarkitë janë të nevojshme për të mbajtur rendin, për të maksimalizuar efikasitetin dhe për të eliminuar favorizimet. Por Weber gjithashtu e shihte burokracinë e pakontrolluar si kërcënim për lirinë individuale, dhe se një shtim në burokratizimin e jetës njerëzore mund t’i bëjë individët ta ndjejnë veten si të mbyllur në kafaz.
Termi “burokraci” rrjedh nga frëngjishtja dhe është kombinim i fjalës franceze bureau – zyrë ose tryezë pune – me fjalën greke kratos – sundim ose pushtet. Shprehja u krijua në mesin e shekullit të 18-të nga ekonomisti Jacques de Gournay dhe kishte kuptim satirik. Gournay kurrë nuk e shkroi atë, por në një letër nga një bashkëkohës citohet: I ndjeri Gournay ndonjëherë thoshte: “Në Francë kemi një sëmundje e cila i jep të drejtën vetes për të shkatërruar francezët, kjo sëmundje quhet byromani.”
Që nga koha e krijimit, fjala “burokraci” ka zhvilluar kuptime negative. Burokracitë janë kritikuar si joefikase dhe poshtëruese për individin. Pasojat dehumanizuese të burokracisë së pakontrolluar u bënë temë kryesore në punën e shkrimtarit Franz Kafka dhe pjese qendrore për romanet e tij Procesi dhe Kasta. Burokracia jashtë kontrollit apo buromania pati pasoja tepër të thella tek Kafka, nëse nuk harrohet fakti se për vitet që jetoi (1883 – 1924), ai nuk botoi asnjë roman dhe 90 për qind të krijimtarisë së vet, e dogji – që mund të kuptohet edhe si zhgënjim në dukje pafund i përpjekjeve të njeriut për të dalë kundër sistemit, dhe ndjekja e kotë dhe e pashpresë e një qëllimi të paarritshëm.