PËR DR. LAZËR RADIN,
një ditë pas datëlindjes së tij
dhe 107 vitesh të tjera…
Mall për Ty… Ka 15 vjet që ke ikur, por prapë je, jo vetëm kujtesë dhe imazh, por dhe vepër dhe frymë…
Jo të gjithë mundin të të kujtojnë, edhe pse ishe mik i madh, as institucionalisht, megjithëse dhe vetë mbetesh një institucion, por edhe kanë frikë prej teje, megjithëse ishe tejet njerëzor, i urtë, at’ dhe kryefamiljar në atë kasollen tënde, në internim, se familjen nuk e bëjnë muret e pallatit, pasqylirat, pasuria, por dashuria dhe përkushtimi dhe dinjiteti…
Më shfaqesh në rrugët e Lushnjës, kur vije nga internimi për ndonjë punë, i heshtur dhe vetmitar, truplartë, me çizmet e zeza të baltës dhe thinja shenjti, vërtet monumental.
E dija që im atë të kishte mik, pastaj dhe unë, u miqësova me djemtë e tu, Ninin dhe Luçin, me dhëndrin, Dinen, kemi qenë bashkë në burg, flisnim dhe për ty, kur ti ishe liruar, por në internim gjithmonë, për dorëshkrimet e tua, esenë për Migjenin, që e kishe patur shok, kjo më mrekullonte atëhere, lexova dhe kujtimet e tua për vitet ‘30, sa shumë mësova e kuptova dhe ende nuk di gjë më informuese dhe më të bukur se libri yt. Të kam ardhur dhe në kasolle, në internim, ku përreth nuk kishte vetëm lehje qensh, por dhe spiunë, edhe në Tiranë, te ajo vilëz, ku u kthyet, edhe në Nju Jork u takuam, kur ti bridhje si djalë i ri, me Ervisin, nipin, ndoshta kujtoje vitet studentore në Romë. Atje studiove në Universitetin “La Sapienza”, shok me shkrimtaren Musine Kokalari, ajo studionte për letërsi e ti për jurisprudencë. Ti vije nga Prizreni, nga kryeqyteti historik i Bashkimit të shqiptarëve, erdhe në Tiranë, në kryeqytetin e ri, i ikët përndjekjes serbe, shkove në Shkodër, kryeqytet shpirtëror, u njohe me Profesor Ernest Koliqin, me Prof. Mirash Ivanaj, me të parin do të ishit bashkë në Romë, me të dytin dhe në burg, u shquajte dhe si gazetar dhe u doktorove në Kryeqytetin e Përjetshëm, siç e quajnë Romën dhe do të shkruaja për ty që ishit njeriu i kryeqyteteve, një metaforë kjo, për të treguar klasin tënd. U ktheve në Atdhe, të shërbeje, por fitimtarët, që mbas Luftës II Botërore dhe deri sa ra perandoria komuniste, një gjysmë shekulli të mbyllën si kundërshtar burgjeve dhe internineve. Edhe andej shkruaje, poezi, studime, përktheje… Dhe kanë frikë ende nga ty, edhe tani që s’je, edhe ata që s’janë dhe bënë diktaturën, që s’i dënoi e ardhmja, askush s’mbajti përgjegjësi, s’kërkuan falje dhe pasuesit e tyre, sundimtarë të rinj, politikanë, deputetë, akademikë, kritizerë, poetë, etj, kanë ndërruar maskat, veturat, vendet, mbase dhe sjelljet, por jo mendësinë dhe qendrimet, as strategjinë e harresës dhe të kujtesës së tyre…
Prandaj dhe Lazër Radi duhej të lihej, ja ashtu si dikur, në terrin e burgjeve dhe në braktisjet internimeve. Sidomos vepra e tij. Vuajtjen edhe mund t’ia nderojnë, edhe mund ta kenë dekoruar, atë a bashkëvuajtës të tij, aq më mirë pas vdekjes, thonë ata, por veprën jo, librat, poezinë, nuk ia durojnë dot, ka shkruar në burg, në internim, ku nuk lejohej dhe letërsia ishte e shtetit, i shërbente sundimtarëve ashtu siç i shërbyen ata dhe e kanë të pamundur shkëputjen si shkëputje nga vetja. Nuk e përballojnë dot, janë mësuar me poshtërimin e tyre fatlum e nuk besojnë gjë tjetër. Poetët janë të emëruar njëherë, hierarkia s’mund të prishet. Kjo është çështja…
e tyre. Se librat e tu, gjithë ajo letërsi që erdhi nga burgjet dhe internimet janë pasuri kombëtare, kulture e përbashkët…
Lazër i dashur,
fola gjatë dhe nuk s’t’u drejtova me “Ju” si dikur, kur ishit mes nesh, as Zotni Lazër, sepse tani je shpirt dhe frymë dhe frymëzim. Je shkrirë në ne…
Lejomë të kujtoj dhe humorin Tuaj, shakatë dhe po e mbyll bisedën me një të tillë, se mërzia është kudo, e di. Kam lexuar një tregim të tanishëm për një zoti Shyti, gjithollog si atëhere dhe tani, që befas i vjen një ide dhe bën propozimin e çuditshëm, që në letërsi të mos jepen vetëm çmime për veprat, por dhe përçmime, Përçmimi I, II, III.
Dhe e di çfarë mendova, e pse të mos jepen çmime dhe për vepra letrare që nuk janë bërë e nuk do të bëhen kurrë? Janë më të mirëprituarat dhe më të lavdêruarat sot, për të mos patur shqetësime e ngatërresa, sidomos me të kaluarën, se atë s’dimë ta bëjmë, thoshte Orwelli, se të ardhmen po, disa e kanë dhe të sigurtë.
Eh, buzëqeshin dhe ata që s’janë më këtu…
Tani më lejo të vë disa fotografi tuajat në fb, s’kam marrë leje kurrkund, po kështu bëhet tani, merren prona, ide, emocione poezie, gjetje të tuat në roman, se u duket se u takojnë gjithmonë atyre, tjetërkujt, sa më i dikurshëm, përkthime, psh, ato që keni bërë në burg ju me shokë, kanë dalë me emra të tjerë, etj, etj.
Fotografitë nuk ma hoqën mallin, por ma shtuan, jeni Ju i ri në Romë, me shoqe, shokë, pastaj burrë me thinja, familjar, me Zonjën Tuaj, asgjë s’thashë për të, por dhe ajo ka qenë në burg e qëndroi e ju ndejti pranë, besnike dhe e fortë, perëndesha e familjes, jeni ju me djemtë e rritur, shoh rrudhat në fytyrë – sa të mira, si llogore, ku u fute ti, për të ruajtur veten, se të tjerët ishin nëpër istikame kundër të tjerëve, po sa më pëlqen fotografia e Prizrenit, ku jeni fëmijë me prindërit, është historike, zaten çdo gjë juaja e tillë është, vura dhe foton që bëmë në shtëpinë tuaj, mes nesh është albanalogu i mrekullueshëm Robert Elsie dhe unë jam me Edën time, ja, dhe librat, i pari Juaji me Jozefin, at’ e bir bashkautorë, parathënien e shkruajta unë, pastaj librat e tjerë, sa ka punuar Jozefi për korpusin e veprës Tuaj, vërtet është si një ringjallje, ndërkaq kam vënë dhe një roman timin, do ma pranoni, besoj, “Në kohën e britmës”, ku jeni personazh, përgjysmë se gjysma tjetër është im atë dhe kam ato poezi që ju kushtohen…
Përzemërsisht,
V