Nga NELSON CABEJ/
Qytet iliro-epirot në jug të Shqipërisë. (në greqishten e vjetër Butroton (Βουθρωτόν) and latinisht Buthrotum). Të dhënat arkeologjike tregojnë se në Butrintin e sotëm ekzistonte një vëndbanim prehistorik1 iliro-epirot që nga shekulli XII p.e.s. Ky vëndbanim ishte në tërritorin e fisit të madh të kaonëve. Pesë shekuj më vonë, nga fillimi i shekullit VII p.e.s. aty u ngulën aty edhe kolonë nga kolonia greke e Kerkirës dhe formuan një koloni greke. Pas pushtimit romak Butrinti u bë një protektorat romak qysh në vitin 228 p.e.s. e më vonë Jul Cezari e shpalli atë koloni romake dhe rreth vitit 30 p.e.s. shumë kolonë romakë u vendosën në këtë qytet.
Sipas mitologjisë romake, Butrinti u themelua nga trojanët pas shkatërrimit të Trojës nga grekët. Themeluesi mitologjik i qytetit është Helenusi, biri i Priamit, mbretit të Trojës. Sipas Virgjilit, qyteti u ndërtua për t’i ngjasuar Trojës nga Enea pasi shpëtoi “nga grekët fitimtarë’. Poeti romak Publius Ovidius Naso (43 p.e.s-17/18), i njohur përgjithsisht si Ovidi, shkruan: “Pastaj ata shkuan drejt vëndit të pheakasve, të pasur me fruta të shijshme, dhe arritën pastaj Butrintin në Epir, që i ngjante Trojës.”2. Sipas legjendës romake Butrintin e vizitoi edhe Enea, para se të shkonte me ushtrinë e tij në Dodonë për të marrë këshillat e orakullit3.
Në Tabula Peuttingeriana (shekulli IV) qyteti del me emrin Butharoto dhe në shekullin IX flitet për një peshkopatë të Bothrotos të varur nga arkipeshkopata e Naupaktit4. Në shekullin VI, në Hieroclis Synecdemus qyteti del me emrin Βουτρυτός (Butrytos)5.
Në mesjetën e vonë qyteti del në dokumente venedikase me emrin Butrinto. Që këtë emër ata e kanë marrë nga banorët shqipfolës të rajonit kuptohet jo vetëm sepse ata ranë në kontakt të drejtpërdrejtë me të vetëm në shekullin XV, kur morën në zotërim Butrintin, por edhe nga fakti se evolucioni i vëndemërit Buthrotum në Butrint ka ndodhur në përputhje me ligjet fonetike të shqipes e as të italishtes as të greqishtes. Nga e para do pritej që normalisht të binte prapashtesa –um dhe të dilte forma Butroto, e cila ka dalë në fakt dhe është përdorur e vazhdon të përdoret edhe sot në italisht. Forma shqip Butrint u italainizua në Butrinto duke marrë prapashtesën karakteristike italiane -o. Forma italisht u përhap edhe në gjuhë të tjera të Europës perëndimore.
Për greqishten, duhet mbajtur parasysh edhe vwrejtja e Kretschmer-it se prapashtesa -ot- wshtw e huaj pwr greqishten6. Duke qënë një gjuhë conservative, ajo do të ruante formën e lashtë, me të vetmin ndryshim të pritshëm, shndërimin e b-së nistore në v-. Në vënd të kësaj në të folurën e popullit greqisht, siç e ka marrë nga goja e greqishtfolësve dhe e ka hedhur në hartë në shekullin XIX gjeografi gjerman i lashtësisë Heinrich Kiepert (1818 – 1899), ajo ka evoluar në Vutzindro7. Forma Vutzindro, që del dhe në hartën e Turqisë europiane të Kiepertit8, duket qartë se ka kaluar në greqisht përmes shqipes.
Forma Butrint shihet qartë se ka dalë nga evolucioni normal i Buthrotum në bazë të regullave fonetike të shqipes, duke humbur prapashtesën -um dhe duke pësuar shndërrimin e -t- në -nt-, që, sipas Pokorny-t, është karakteristik për shqipen dhe ilirishten9.
Referimet
1. Ceka, N. (2005). Butrint: A guide to the city and its monuments. Tiranë, 1919.
2. P. Ovidius Naso, Metamorphoses, Libri XIII, 719-21: “.Proxima Phaeacum felicibus obsita pomis rura petunt, Epiros ab his regnataque vati Buthrotos Phrygio simulataque Troia tenetur”.
3. The Roman Antiquities of Dionysius of Halicarnassus Libri I, 51, 1.
4. Prinzing, G. (2012). The AutocephalousByzantineEcclesiasticalProvince of Bulgaria: How independent were its archbishops? Bulgaria Mediaevalis, III, 355-383 (376).
5. Hieroclis Synecdemvs: accedvnt fragmenta apvd Constantinvm Porphyrogennetvm servata et nomina vrbivm mvtat. Red. B. G. Teubner, Leipzig, 1893, f. 13.
6. Kretschmer, P. (1896). Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache. Vandenhoeck und Ruprecht, Göttingen, f. 257.
7. Kiepert, H. (1878). Lehrbuch der alten Geographie. D. Reimer, f. 301.
8. Kiepert H. General-Karte von der europäischen Türkei : nach allen vorhandenen Originalkarten und itinerarischen Hülfsmitteln / bearbeitet und gezeichnet von Heinrich Kiepert; Schrift gestochen von W.u.C. Kratz in Weimar ; Terrain radirt von C. Ohmann in Berlin. Në internet:
http://www.lib.uchicago.edu/e/collections/maps/kiepert/
9. Pokorny J. (1959). Indogermanisches etymologisches Wörterbuch. Francke, Bern, 1959-1969. Internet: http://dnghu.org/indoeuropean.html
tz says
zoti historian ne kohen qe eshte formuar butrinti fjala greqi apo greke nuk egzistonte,ata qe e formuan BUTRINTIN ishin fise dardane e pellazge pra shqiptare te ardhura nga troja.do te ishte me shume rendesi ne qofte se nuk e ke lexuar te madhin ARISTDH KOLEN e shume te tjere hidhi nje sy veprave te tyre dhe mos na shit mend me referimet e te tjereve.