Skena e Butrintit do të mirëpresë Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove nga data 18-23 korrik. Janë tri kompani teatrore të huaja pjesëmarrëse dhe ato nga vendet fqinje dhe dy të tjerat janë shqiptare. Dita e parë e festivalit do të hapet me teatrin bullgar, i cili do të ngjitë në skenë shfaqjen “Dekameroni” nën regjinë e Diana Dobrevës.
Në ditën e dytë do të jetë teatri “Silence” i Bergamos, në Itali që do të ngjitë në skenë veprën “Zëra të huaj” nën regjinë e Luigi Pezzoti-t.
Në ditën e tretë do të jetë teatri “Aleksandër Moisiu” i qytetit të Durrësit, që do të ngjitë në skenën antike të Butrintit një nga pjesët më të suksesshme të këtij viti, “Elektrën” nën regjinë e Laert Vasilit.
Më pas në skenë do të ngjitet trupa e teatrit të komedisë së Shkupit, për të ngjitur në skenë “Lisystratën” e Aristofanit, nën regjinë e Natasha Poplavska.
Ditët e edicionit të 13-të të festivalit të Butrintit do të mbyllen nga një vepër e njohur që vjen nën interpretimin e aktorit shqiptar Mirush Kabashi. Ky festival realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.