Shkruan: Mustafë Krasniqi
Më 28.05.2022, në parkun e lojërave „Voglsam“ në Schönau të Mynihut, në kuadër të aktiviteteve për vitin shkollor 2021-2022, të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH-i) u realizua ekskursioni i nxënësve të Shkollës Shqipe në Bavari.
Në këtë ekskursion përpos nxënësve, mësimdhënësve, e pranishme ishte edhe kryesia e LAPSh-it me disa prindër, të cilët kishin për qellim përcjelljen e nxënësve. Në këtë eveniment morën pjesë 135 nxënës nga shkollat: e Mynih-ut, Holzkirchen, Starnberg-ut, Freising-ut, Mainburg-ut, Rosenheim-it, Deggendorf-it, Nürnberg-ut, Abensberg-ut, Landau-t, Fürstenfeldbruck dhe Dingolfing-ut.
Për organizimin e këtij ekskursioni u kujdes grupi për Kulturë i Këshillit të Arsimtarëve, në bashkëpunim me mësimdhënësit, kryesuesin e Këshillit të Prindërve dhe kryesin e LAPSH-it. Por, ajo që zgjoi një dashur të këndshme ishte udhëtimi me autobus i nxënësve, të cilët posa u ulën nëpër vendet e tyre filloi të buqas kënga shqipe, tashmë këngë e preferuar “xhamadani vija-vija”.
Ekskursioni u realizua sipas agjendës së grupit për kulturë, duke filluar që nga lojërat për fëmijë e deri te surprizat e shumta, që i bënin nxënësit e lumtur dhe të buzëqeshur. Përpos lojërave, nxënësit filluan shkëmbimin e bisedave mes tyre, diku të buzëqeshur, diku në lojëra e vrap së bashku. Por më në fund në një lendinë të parkut u shtrua sofra me përgatitjen e ushqimit tradicional shqiptare nga nënat e nxënësve dhe mësimdhënëset. Duke filluar nga flija, pitja, djathi, byreku, ëmbëlsirat e etj., gjë që kjo i bashkoi nxënësit, mësimdhënësit dhe kryesin e LAPSh-it rreth sofrës së madhe të improvizuar. Pas mbarimit të drekës nuk mungoi as kafja në xhezve, biseda e mësimdhënëseve, hedhja e valles nga nxënësit, kënga që i dhanë një shkëlqim parkut, por ajo që i bëri më të kënaqur nxënësit ishin lojëra të ndryshme, që në kthim për në shtëpi të gjithë nxënësit e shprehnin me admirim këtë ekskursion.
Për mbarëvajtjen e ekskursionit u përkujdes grupi për kulturë, mësimdhënësit dhe kryesia e LAPSH-it, po ashtu kontribuuan: „Besa Foundation“ dhe „Sozialreferat München“ për mbështetjen financiare. Kompania e autobusëve „Polluzha Tours“, Xhamia e Nürnberg-ut, Firma „Tafa“ për pijet dhe ushqimin dhe prindërit që i shoqëruan fëmijët për gjatë tërë ditës.
Ekskursioni përfundoi me kënaqësinë, buzëqeshjen e nxënësve dhe me thirrjen e shokëve të tyre, që t’ju bashkohen për ta vijuar shkollën shqipe!