Prof.Muhamed Mufaku/
Të martën më 6 shkurt u mbyll Panairi Ndërkombëtar i Librit në Kajro, që sivjet mbushi 55 vjet dhe që konsiderohet një ndër panairet më të mëdha në Lindjen e Mesme. Vërtet, viteve të fundit, kemi konkurrencë midis panaireve të Kajros, të Bejrutit, të Riadit dhe Abu Dhabisë, kështu që çdo njëri shpallet më i madhi sipas kritereve të ndryshme: numri i vizitorëve, numri i botuesve, numri i aktiviteteve dhe vlera e shitjes së librave. Sa për Kajro, me numrin e vizitorëve (4.5 milionë) del i pari, gjë që është e natyrshme për një shtet me 110 milionë banorë, kurse vjen i dyti me numrin e botuesve (700 botues) dhe me numrin e aktiviteteve letrare e kulturore (550).
Megjithatë, për ne Panairi i Kajros ishte i pari, pasi që për herë të parë në mesin e aktiviteteve u mbajt një tryezë kushtuar letërsisë shqipe, përkatësisht shkrimtarit Besnik Mustafaj, i cili tani njihet mirë në atë rajon pasi që iu përkthyen tri libra në arabisht. Vërtet, shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare iu botuan në arabisht më shumë vepra, nja 10 romane, por ai ishte i zënë kur botuesi i tij libanez e ftoi që të jetë mysafir nderi i Panairit Ndërkombëtar i Librit në Bejrut më 2009, me rastin e botimit të ri të romanit “Kështjella”, përkthyer kësaj here nga anglishtja, pasi u përkthye së pari nga shqipja e më vonë nga frëngjishtja, duke dalë me tre tituj të ndryshëm.
Pa dyshim, ardhja e Besnik Mustafajt në Kajro, si mysafir nderi i Panarit Ndërkombëtar i Librit, ishte një ngjarje për kulturën shqiptare dhe për lexuesit e tij në arabisht që u ndanë të kënaqur me nënshkrimin e tij në romanin “Dëmtuar gjatë rrugës” që u promovua gjatë Panairit. Tryeza u përcoll nga media egjiptiane arabe duke afirmuar mirë veprat dhe mendimet e tij.
Megjithatë, u vërejt në tryezë dhe në promovim mungesa totale e ambasadës shqiptare në Kajro. Vërtet, kohëve të fundit, mjaft flitet për “diplomacinë kulturore” dhe efektin e saj në afirmimin e Shqipërisë dhe Kosovës, përkatësisht e kulturës shqiptare. Disa ambasadorë tanë e sprovuan këtë në disa vende, sikurse në Arabinë Saudite, në Katar e në Abu Dhabi, duke treguar se dhurata më e mirë për mysafirët e tyre në ambasadë mund të jetë një libër për kulturën shqiptare në gjuhën arabe.
Megjithatë, siç duket për rastin e Kajros, qëndron diçka tjetër. Besnik Mustafaj u prezantua në tryezë edhe si ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë që vetë dha dorëheqje më 2007 që t’i kushtohet letërsisë. Si i tillë, ambasadori shqiptar në Kajro, Eduard Sulo, mori edhe informata nga Ministra e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke treguar për ardhjen e Besnik Mustafajit e duke kërkuar asistencë logjistike. Mirëpo, jo vetëm se ambasadori nuk erdhi, por nuk u paraqit asnjë prej stafit të ambasadës në tryezë, sikurse Shqipëria nuk ka ambasadë në Kajro.
Mungesa e ambasadorit, që mund të kuptohet për një arsye, si dhe mungesa e ambasadës, tregojnë se ç’bën inati atje ku nuk duhet. Ambasadori Sulo ishte ambasador në Budapest gjatë mandatit të Besnik Mustafajit si ministër i jashtëm 2005-2007. Atëherë ndodhi një skandal në ambasadë dhe u thirr ambasadori në Tiranë për një hetim dhe mbeti atje. Pasi që Partia Socialiste u kthye në pushtet më 2013, ai u rehabilitua dhe u dërgua ambasador në Tanzani, prej nga u emërua ambasador në Kajro dhe në Amman (jo rezident) më 2015, ku ia paraqiti mbretit Abdulla kredencialet me kravatën time që e mbajti për kujtim.
Ndonëse mbeti në Kajro për një mandati tjetër, ardhja e ish-ministrit Besnik Mustafaj si mysafir nderi në Panairin Ndërkombëtar të Librit ndezi inatin e vjetër që nuk ka vend në këto raste. Ndoshta Ambasadori ka mundur të arsyetohej me ndonjë pretekst për mosparaqitjen e tij fare gjatë qëndrimit të Mustafajit, por ka mundur t’ia lejojë stafit të ambasadës të ndjekë në tryezë sipas porosisë së MPJ-së në Tiranë. Aq më tepër, vendimi veç kishte dalë në Tiranë për emërimin e një ambasadori të ri, kështu ambasadori Sulo ka mundur ta mbyllë mandatin e tij në Kajro me një gjest profesional që i takon kodit diplomatik, por inati te ne ende e bën të veten.