
- Shumë familje shqiptare kanë ndjerë humanizmin e bashkatdhetarit Tony Musaj, që ka furnizuar me ushqime me shpenzimet e tij dhjetra familje. Aleksander Nilaj me fondacionin e tij është bërë një shembull për njerzit në nevojë….
- SHËN TEREZA:Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe!
NGA DALIP GRECA/
Shën Tereza, ndër mijëra këshilla e fjalë të urat që na ka lënë pas, thoshte: Çdo kush ndihmon me aq sa mundet. Unë vlerësoj njësoj si atë fëmijën që digjet në zheg në radhë për t’më dhuruar një lule, ashtu edhe atë që dhuron miliona. Të dy japin aq sa kanë. E rëndësishme është që i dhurojnë me zemër.
Në këtë kohë të pandemisë, kam dëgjuar, parë, lexuar, me dhjetëra raste kur shqiptaro-amerikanët dhurojnë bujarisht: Dikush vë në dispozicion jetën e tij duke shërbyer në vijën e parë, dikush restorantin, Pizzerinë, dërgojnë ushqime tek spitalet, tek policia, tek njerëzit në nevojë, dikush dhuron maska për mbrojtje. Secili bën sa mundet. Një pjesë propagandohen nga media; për ta përcillen kronika nëpër TV,kronika radiofonike, disa të tjerë nuk ndjehen, nuk bëjnë asnjë shënim në facebook, ku nuk ka nevojë të porosisin gazetarë,apo të ftohen në studio televizive, as t’u telefonojnë mediave, të zëshme, sepse dhurimin e bëjnë me zemër dhe nuk duan që të duken në publik.
Humanistët udhëhiqen nga urtësia e Nënë Terezës: Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe!
Kam parë me sytë e mi, dhe kam marrë telefonata nga miqtë e mi që më tregojnë se si Tony Musaj në New York, dërgon ushqime dhe nuk u merr para familjeve shqiptare në nevojë këtu në New York. Por kur i thashë: Tony, a mund të bëjmë një shkrim për ju dhe familjen, që në këto ditë, jo vetëm po ju shërbeni familjeve shqiptare duke ju dërguar ushqime nëpër shtëpi, por ju keni ndihmuar shumë familje në nevojë, duke mos u marrë para. Tony ma ka ndaluar në mënyrë të prerë: nuk po i bëj këto për të dalë në gazetë. Ma thotë zemra, mua dhe Tinës e fëmijëve. E kam mundësinë, dhe ndihmoj. Ja tash sapo u ktheva nga Lydig Ave në Bronx, ku ndihmova sa munda Aleksander Nilaj, që po shpërndan ushqime për njerëzit në nevojë. Për Aleksandrin dhe fonadcionin e tij humanitar Albanian American Open Hand Association, shkruaj, ai po bën punë të mrekullushme humanitare, – më tha Tony.
Gjatë një telefonate ditën e sotme mësova se çifti shqiptaro – amerikan që jetojnë prej më shumë se dy dekadash në New York, Ilia dhe Agathia Luka,- këto ditë kanë ndihmuar familje në nevojë, të cilat janë të prekura nga Koronavirusi. Kanë ndihmuar me ushqime dhe ndihma financiare, por nuk janë ndjerë. Nuk kam leje prej tyre që të publikoj rastin në fjalë. Komuniteti shqiptar i New York-ut i njeh ata si aktivistë të tij, shumë aktiv në Shoqatën “Motrat Qiriazi” por shumë të pranishëm në organizatat e tjera në komunitet. Bujaria nuk ka çmim dhe nuk ka nevojë për publicitet, por unë thjesht po e bëj këtë shënim pa dijeninë e tyre, se e ndjej se duhet bërë. Personi që më telefonoi dhe më tregoi për aktin e tyre human, nuk më autorizojë që të përmend emra, por unë e bëj këtë sepse e ndjej si detyrë që buron nga misioni i gazetarit. Qofshit të bekuar dhe Zoti Ju ruajtë Ilia dhe Agathia Luka! Mirësia dhe humanizmi juaj marrin vlerë në kohën që jetojmë.
Kjo epidemi që po përjetojmë u ka dhënë shanse njerzëve që së paku të bëhen më të mirë në shpirt, të heqin dorë nga veset, nga shpifjet, prej kurtheve që u ngrenë të tjerëve, thashethemeve që endin përmes telefonatave, emaileve; është koha që të përsosin karakterin, të vetpastrohen, të heqin prej vetes virusin e keq, të vjellin vrerin që kanë akumuluar dhe t’u kërkojnë ndjesë atyre që u kanë rënë në qafë padrejtësisht. Thjesht kanë shansin të bëhen më të mirë.