• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Kurti pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”: Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharëve

March 7, 2024 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani Sadriu, Kryetarin e Kuvendi, Glauk Konjufca dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në vazhdën e aktiviteteve për nder të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se në Prekazin heroik dhe historik kthehemi dhe rikthehemi, që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë, të cilën e gëzojmë.

“Të gjithë dhe secili duhet të vijnë në këtë vend, që të mos harrojmë dhe që të mos devijojmë. Që të mos e harrojmë të kaluarën dhe që të mos devijojmë drejt së ardhmes”, tha ai.

Duke çmuar lartë sakrificën, vetëflijimin e vetëmohimin e Jasharëve, kryeministri Kurti tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare është në themelet e çlirimit të vendit tonë dhe se ajo paraqet edhe dhembje e krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë.

Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, Familjes Jashari, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!

Pas homazheve, Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani-Sadriu, Kryeparlamentarin Konjufca dhe ministra të kabinetit qeveritar vizituan familjen Jashari, ku u pritën nga Rifat Jashari.

Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Në Prekazin heroik dhe historik kthehemi dhe rikthehemi, që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë të cilën e gëzojmë.

Të gjithë dhe secili duhet të vijnë në këtë vend, që të mos harrojmë dhe që të mos devijojmë. Që të mos e harrojmë të kaluarën dhe që të mos devijojmë drejt së ardhmes.

Vetë flijimi, sakrifica, vetëmohimi i Jasharëve, është Epope e Ushtrisë Çlirimtare në themelet e çlirimit të vendit tonë, e që paraqet edhe dhembje e krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë.

Me përkulje respekti dhe me ndjenjë admirimi, gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharëve.

Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, Familjes Jashari, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!

Filed Under: Analiza

Katolikët, martirë ose…të përdorur prej pushtetit?

March 6, 2024 by s p

Frano Kulli/

Me 4 mars 1946, si sot 78 vjet më parë, pa zbardhë dita, do të pushkatohej Jezuiti At Danjel Dajani, nga Zadrima. I ri, pa i mbushë 40 vjeç. Rektor i Seminarit Papnor në Shkoder. Ndër të parët klerikë që do të pushkatohej prej rregjimit, një vit pa një ditë mbas dom Lazer Shantojës poet. Vetëm se ishte prift katolik…e jepte mësim e drejtonte në një shkollë katolike. Në të njëtën ditë, në të njëjtën orë do të pushkatohej, bashkë me At Gjon Shllakun e me jezuitin tjetër At Giovani Fausti nga Brescia (Itali), seminaristin Mark Çuni e besimtarët Gjelosh Lulashi, e Qerim Sadiku , edhe ai katolik në besim… (Të pestit këta, së bashku edhe me 33 të tjerë , janë të shpallur Martirë prej Kishës, kurse At Anton Harapi ende jo. Se, prap diç i ngatërrohet nëpër grremçat e mosdashjes së pushtetit, në formën e stërholluar të kolaboracionistit, siç dhe e pati pushkatuar rregjimi).

Në oren e mbrame para pushkatimit, një tjetër katolik, Tonin Miloti, qe caktuar që të dënuarve prej “gjyqeve të popullit”, t’ua merrte ai fjalën e fundit… Aspirant Tonin Miloti qe zgjedhur të formalizonte aktin e pushkatimit dhe në fund të proces verbalit, ai firmosë amanetet e tyre. Proces verbalit, në krye të të cilit shkruhej ende: Vdekje fashizmit-Liri Popullit, anipse fashizmi ishte mundur dy vjet e sa më parë. Qe zgjedhur ai edhe pse qe…zëvendësi i prokurorit dhe jo prokurori vetë. Mbasi prokurori vetë duhej me deomos të qe prej të tjerave krahina. E mbas këtij akti nuk vonon shumë e vetë ky Tonin Miloti, pason fatin e viktimave të veta martire… Ai rregjimi që nuk i donte të diturit do t’ua merrte jetën veçse rrezatonin dije dhe dijen e shpërndanin megjith devocionin e forcën e besimit tek të gjithë ata që e donin dijen dhe kishin nevojë për të.

Në të vërtetë, nuk është vështirë të dallohet se vetëm në këto dy mënyra e mbi këta dy kategoritë e përmendura në titullin e këtij shkrimi ka qenë e mundur të ndërtohej një mardhënie e shtetit shqiptar me katolikët e veriut të Shqipërisë, me përfaqësinë më të zgjedhur të tyre, në rend të parë. Në rregjimin e Hoxhës, që përbën gati gjysmën e kohës së qenies së shtetit shqiptar, mardhënia me katolikët u shfaq që heret, në fillesë si një patologji urrejtjeje. Një urrejtje që mbështetej mbi diferenca ideologjike me elitën e katolikëve. Jo veç prej formimit të tyre në shkollime perëndimore, por edhe për shkak të mardhënies së tyre dashurore me vendin e popullin e vet. Ata, me bindje të palëkundëshme, përgjithësisht ishin kundërshtarë që në zanafillë të ideve komuniste. Por urrejtja mbështetej edhe mbi disnivele kulturore e prirje qytetrimore të ndryshme e madje krejt të kundërta.

Nëse katolikët, elitat e tyre më së pari ishin prirja dhe krahu i oksidentit, vijimtarë në hullitë e herëshme të orientimit të shqiptarëve, prijësit e ri komunistë i kishin ngulë piketat e orientimit të tyre në tjetrin krah, andej kah ishte shfaq “ai dreqi i kuq”. Dhe elita e katolikëve, ”fara e zgjedhur”, si me thanë, ishin gjithashtu edhe prelatë të kishës. Edhe atëherë kur kjo elitë, në ballë të rilindjes së kombit, do të bashkëngjitej natyrshëm me themelimin e me ringjalljen e shtetit shqiptar, megjithatë mardhëniet me prijësat e tij nuk është se kanë shkuar vaj. Jo veç Fishta e Mjeda a Nikollë Kaçorri, që ishin edhe klerikë por edhe Gurakuqi, një gur i randë fort në themelet e shtetit shqiptar e kontribues i paepur i tij, duke qenë kundruall arbitraritet të prijësve u gjend pabesisht i vrarë…Pastaj, një dekadë e diçka më vonë edhe shkollat katolike, ani pse ishin më të mirat e shkollave të pakta të Shqipërisë, u tentua të ndalen e më pas të mbyllen. U mbyllen, në kohën e Mbretërisë e u bë e mundur të rihapeshin mbas një vendimi të gjykatores së Naltë të Europës. Për prijësit e shtetit shqiptarë, gjithëherë katolikët kanë qenë të padashtun. Shembujt e historisë, e shumta e vertetojnë këtë, kurse të paktë fort janë shembujt që vertetojnë të kundërtën. Në respekt e nderim të së vërtetës do pohuar kjo.

Kurse komunistët dhe prijsi i tyre paranojak, i demonstroi të gjitha mënyrat edhe më monstruozet për t’i asgjësuar “armiqtë“ katolikë. Me një strategji të kopsitur e të lidhur me “dredhat e djallit” siç do të thoshte Fishta , të egër e të akullt, sikur të kishte përballë e në kundërshti njerëz “të përtej detit” e jo bashkëkombas të vet, me të gjitha djallëzitë i luftoi deri në sfilitje asgjësuese ata. Direkt me dhunë e egërsi, por tërthorazi edhe me metodat otomaniste, të përdorimit të të vetëve. Punë kasnecësh e njerëzish të vegjël kjo punë. Se njerëzit e mëdhenj, rilindës të vërtetë prej tëcilëve e kemi Shqipërinë, të tjera sjellje e të tjera kode kanë pasë…Eqrem Çabej, albanlogu i famshëm nga Gjirokastra, në një kartolinë urimi do t’i shkruante lirikut të vlertë pogradecar, Lasgushit sqimatar: Lexova “Lahuten…” e u mrekullova. Jam magjepsuar prej saj dhe jam gati të bëhem katolik prej Fishtës. Mardhënia me katolikët e prijësve të shtetit, përposë egërsisë së skajshme e ka pasë edhe këtë dukurinë e

ndërmjetme; ka pasë katolikë shërbyes, që në fillesë janë thirrur atje si përfaqësim në zyrat e shtetit, por kjo vetëm sa për dukje (fasadë). Se më pas janë përcjellë që andej pak a shumë me të njëjtin fat, kur shërbesa e tyre nuk ka gjalluar mâ si nevojë. Porse shëmbëlltyra e deformimit të kësaj mardhënie të katolikëve të veriut me shtetin siç ka qenë, vijon të jetë e njëjtë, sot e gjithë ditën. Kemi parë e provuar në institucionet më të larta të ngrehinës së shtetit, si përfaqësimi të katolikëve të veriut, “katolikë” që raportin e vetëm me institucionet e shtetit e kishin pasë me institucionin e riedukimit, kryesisht. Në atë aulën e shenjtë, siç është parlamenti për një komb të qytetruar. Në ndejëset e deputetëve veriorë; të Gurakuqit, të Fishtës, të Mjedës, të Maliq Bushatit, të Hilë Mosit e Riza Danit… Vetëm e vetëm si nevojë përdorimi për pushtetin. Për ta siguruar më së pari atë…

Filed Under: Analiza

David Kostelancik ripropozohet nga Biden si Ambasador i Amerikës në Shqipëri, Senatori i Ohios J D Vance ka bllokuar emërimin në 2023

March 4, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë nuk ka Ambasador që nga muaji qershor 2023. Diplomati i karrierës David J. Kostelancik, i propozuar nga Presidenti Joe Biden vitin e kaluar, për të zëvendësuar në këtë detyrë ish-ambasadoren Yuri Kim, është bllokuar nga Senatori i Ohios J. D. Vance. Rregullorja për emërimet e pakonfirmuara i njeh Presidentit të drejtën ta paraqesë kandidatin për herë të dytë dhe Shtëpia e Bardhë e ka dërguar emrin e z. Kostelanick në Senat për seancën e vitit 2024. Në kalendarin ekzekutiv të Senatit, seanca figuron të jetë caktuar për datën 27 prill. https://www.congress.gov/nomination/118th-congress/135

Siç e parasheh procedura, konfirmimi i David Kostelancik, si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, paraqitet në Komisionin e Punëve të Jashtme pranë Senatit, ku ambasadori duhet të raportojë dhe t’i përgjigjet përsëri pyetjeve të Senatorëve. Nëse propozimi refuzohet apo nuk kalon për herë të dytë atëherë presidenti duhet të paraqesë një kandidat tjetër.

Në një letër të Këshillit Shqiptar Amerikan drejtuar Senatorit të Ohios J. D. Vance në 16 janar 2024 theksohet rëndësia që ka vota e tij për miratimin e z. Kostelancik në postin e Ambasadorit të Shqipërisë, “një vendi kyç për forcimin e partneritetit dhe përballjen me sfidat e periudhës që po kalojmë.” Letra shtron argumentet për pasojat e dëmshme lidhur me mungesën e ambasadorit amerikan në Tiranë për sa i takon fushës kritike të sigurisë për Ballkanin Perëndimor dhe gjithë rajonit. Në anën tjetër, vakumi i përfaqësimit në nivel ambasadorial të një vendi të NATO-s “dëmton interesat amerikane dhe ato të aleancës” sepse lejon hapësirë për influencë nga palët kundërshtare si Rusia dhe Kina, thuhet në letër. Veçanërisht “takimi i ardhshëm i NATO-s në muajin korrik në Uashington e rithekson përparësinë dhe urgjencën e emërimit të Ambasadorit amerikan në Shqipërisë.”

“Si diplomat karriere me përvojë të gjatë dhe të shumanshme, z. Kostelancik gëzon përkrahjen e bashkësisë shqiptare amerikane përfshirë komunitetin tonë në shtetin e Ohios,” thuhet aty.

Letra thekson kualifikimin profesional të z. Kostelancik si në shërbimin diplomatik ashtu edhe në sferën e kulturës, e përforcuar edhe me njohjen e mirë të gjuhës shqipe. Ai ka qenë përfaqësuesi për çështjet politike dhe ekonomike në Ambasadën amerikane në Tiranë në kohën e rihapjen e saj në vitet 1992-1994. Në postet dhe detyrat e karrierës 30 vjeçare si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Drejtor për Çështjet e Evropës Lindore dhe Jugore, ai ka qenë vazhdimisht i angazhuar dhe i mirinformuar për etapat që ka kaluar vendi dhe gjithë rajoni.

Në përgjithësi votimet në Senat ndjekin linjat partiake. Për shkak se në këtë Senat, partia republikane dhe ajo demokrate kanë 50 anëtarë, kjo i jep potencialisht një vote fuqi vendimtare.

Një prej lajmeve të fundit nga Senati mund të jetë me pasoja për vendimet e ardhshme të tij. Kryetari i mazhorancës republikane Senatori 82 vjeçar i Kentakit, Mitch McConnell, një politikan i regjur dhe me influencë, pas 40 vjet shërbimi në Senat, tha se do largohet nga ky post drejtues në fund të vitit. Mbetet për tu parë se cili do jetë ndikimi i tij tek kolegët republikanë për votimet në Senat nga tani deri në nëntor, një prej të cilave, me rëndësi për shqiptarët, është miratimi i emërimit të Ambasadorit amerikan në Shqipëri, David Kostelancik.

Filed Under: Analiza

Shprehje që mbesin

March 1, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Ndikimi i William Shakespeare në teatër, letërsi dhe gjuhën angleze është vështirë të nënvlerësohet. Ai shkroi rreth 39 drama dhe 154 sonete dhe konsiderohet gjerësisht si shkrimtari më i madh në gjuhën angleze. Një shkrues i komedive, historive, tragjedive dhe romancave, ai mbuloi një sasi të madhe territori, duke ekzaminuar gjendjen njerëzore duke krijuar personazhe ikonë si Hamleti, Makbethi, Otello, Romeo dhe Zhuljeta.

Shekspiri shkroi dramat e tij për t’i shijuar të gjithë dhe turmat e tij përmbanin njerëz nga të gjitha sferat e jetës. Në Teatrin Globe, të ndërtuar nga kompania e teatrit të Shekspirit në 1599, njerëzit më të varfër do të qëndronin në zonën qendrore, të zbuluar. Ndërkohë në galeri ishin ulur fisnikëria dhe qytetarë të tjerë të pasur, të mbrojtur nga moti dhe turma e zhurmshme poshtë. Aftësia e Shekspirit për të tërhequr një audiencë të përzier ishte pjesë e suksesit të tij dhe gjithashtu një nga arsyet pse fjalët dhe frazat e tij depërtuan në të gjithë shoqërinë.

Në kohën e vdekjes së tij në vitin 1616, në moshën 52-vjeçare, shumë prej frazave dhe idiomave të tij kishin fituar një bazë në gjuhën e zakonshme. Aq shumë, saqë ende përdoren disa prej tyre sot – shpesh pa e kuptuar se janë shpikur nga Shekspiri. Nëse po përpiqeni të “thyeni akullin” në një festë, ju jeni duke cituar Shekspirin.

“Dashuria eshte e verber”

Shekspiri e përdori këtë frazë në tre nga dramat e tij, duke iu referuar mënyrës se si dashuria mund të na bëjë të anashkalojmë të metat e atyre që duam (për mirë dhe për keq). Në “Tregtari i Venecias”, Xhesika thotë: “Por dashuria është e verbër dhe të dashuruarit nuk mund të shohin marrëzitë e bukura që bëjnë vetë”. Mbetet një frazë e zakonshme sot.

“Përbindësh me sy të gjelbër”

Kur Iago i keq mbjell farën e dyshimit në mendjen e Otello-s për besnikërinë e gruas së tij, ai i thotë: “O, kujdes, zotëria im, nga xhelozia! Është përbindëshi me sy të gjelbër që tallet me mishin me të cilin ushqehet.” Ne ende përdorim “përbindësh me sy të gjelbër” në lidhje me xhelozinë në të gjitha format e saj.

“Gjak të ftohtë”

Kur Konstanca shpreh zemërimin e saj ndaj aleatëve të saj të supozuar, ajo u kundërvihet atyre me “Ti skllav gjakftohtë, a nuk ke folur si bubullimë nga ana ime?” Shekspiri përdori “gjakftohtësi” përpara se të përdorej në një kuptim biologjik (për zvarranikët dhe peshqit), për të shprehur një veprim të pandjeshëm, të pashpirt ose qëllimisht mizor. Sot përdoret shpesh për t’iu referuar “vrasësve gjakftohtë”.

“Ditët e sallatës”

Kleopatra i referohet marrëdhënies së saj të mëparshme me Jul Cezarin si ndodhi gjatë “ditëve të mia të sallatës, kur isha e gjelbër në gjykim”. Ditët e sallatës i referohen një kohe pafajësie të shkujdesur dhe papërvojë rinore (sallata është jeshile, si në të papjekur). Ne e përdorim shprehjen në një mënyrë të ngjashme sot, megjithëse mund t’i referohet gjithashtu një kulmi ose “viteve të arta”.

“Thye akullin”

Kur Tranio flet me Petruchion-n se si të joshë Katerinën zemërgur, ai i thotë atij që “…thyeje akullin dhe bëje këtë punë, arrije të moshuarin, liro të riun”. Thye akullin, në këtë kuptim, është një metaforë për Katerinën e ftohtë. Sot ajo ka një përdorim më të përgjithshëm, që do të thotë për të lehtësuar tensionin ose për të nisur bisedën në një festë ose mbledhje të tjera shoqërore, ose kur njerëzit takohen për herë të parë.

“I vdekur si një gozhdë dere”

Kjo shprehje ka qenë në përdorim që nga shekulli i 14-të dhe ishte e zakonshme në kohën e Shekspirit. Por mbijetesa e saj deri më sot ka të bëjë shumë me paraqitjen e saj në dramën e Shekspirit, kur udhëheqësi rebel Jack Cade thotë: “…eja ti dhe pesë burrat e tu dhe nëse nuk ju lë të gjithë të vdekur si një gozhdë, I lutem Zotit që të mos ha më kurrë bar.”

“Mizor të jesh i sjellshëm”

Pasi e vrau Poloniusin më herët në skenë dhe duke qortuar nënën e tij Gertrudën, Hamleti thotë:

“Duhet të jem mizor vetëm që të jem i sjellshëm.” Ai i thotë Gertrudës se duhet të jetë mizor ndaj saj për të mirën e saj – në të njëjtën mënyrë në të cilën ne përdorim shprehjen sot.

“Përfundim i paramenduar”

Pasi Othello pa një ëndërr në të cilën e dashura e tij Desdemona e tradhtoi, ai u bind se ishte e vërtetë: “Por kjo tregonte një përfundim të paramenduar”. Fraza ka mbetur që nga viti 1604.

“Bota është guaska juaj”

Gratë e Gëzuara të Windsor

Kjo frazë ka ndryshuar pak gjatë shekujve. Fillimisht u shfaq në një rresht nga personazhi Pistol: “Pse atëherë guacka ime e botës, të cilën unë me shpatë do ta hap”. Në kontekstin e shfaqjes, ajo kishte një konotacion të dhunshëm, pasi Pistol donte të hapte me forcë guackë deti metaforike për të marrë para. Tani ne e përdorim atë në një mënyrë shumë më pozitive, për të përcjellë se gjithçka është e mundur dhe gjithçka mund të arrihet.

Photo by: fineartamerica.com

Filed Under: Analiza

Pelasgologët, humbologët, torolingologët

March 1, 2024 by s p

Dr. Sadik Bejko/

Nga dita që një peticion nga gjuhëtarët tanë akademikë ka dashur t’i vërë një ledh turbo- gjuhëtarëve, pelasgologëve, ka ndodhur ajo dukuria e hedhjes së gurit në një pellg që trufullon i turbullt sa më nuk ka.

Të duket se janë rreshtuar dy taborre. Njëri që mbron gjuhën dhe tjetri që me kazmën e tij të profanit e profanon gjuhën. Kjo disi nuk qëndron. Na kanë përjashtuar nga fusha ne letrarët. Sipas një pikëpamjeje, ne shkrimtarët e bëjmë gjuhën, ne e gatuajmë në magjen e gjallë materien e gjuhës. Skencëarët e gjuhës vijnë pas nesh. Si kosëtari që vjen pas të korrash.

Ç’është e vërteta, si punëtor në lëmë të gjuhës së lëvruar në letrat shqipe, unë i quaj turbogjuhologët a pseudot a pelasgologët kërpudha helmuese mbirë në trung të gjuhës, në këtë trung me rrënjë te rilindasit, te ata burrat që i kënduan me vargjet më të bukura gjuhës shqipe. Edhe sot i adhuroj e i them përmendësh vargjet e atyre burrave të themelit të kombësisë sonë si ideologji e filozofi kombëtariste. Ata nuk qenë shkencëtarë dhe rrënjët e gjuhës i gjetën në mitologji.

Po kështu nuk vazhdohej.. Ideologjia është veçan nga shkenca.

Me kohë erdhën shkencëtarë si Gustav Majeri (1850-1900) dhe të tjerë të huaj si ai, të cilët me argumente e mjete të ftohta të njeriut të shkencës, por dhe me ndjeshmëri të njeriut të një kombësie e shteti tjetër, pra, të neutralit si nacionalitet, provuan shkencërisht jo me mitologji, me “gjuhësi” që shqipja është gjuhë indoeuropiane, që shqipja është gjuhë me prejardhje nga ilirishtja etj.

Prof. Xhevat Lloshi me mjetet e tij financiare ka shkuar atje ku ka jetuar Gustav Majeri, (Grac, Austri) ku ka kërkua varrin e tij, dorëshkrimet e tij… por këtij burri që nuk na njihte, që nuk pa ku ishim e kush ishim, burrë që nuk u financua prej nesh për studimet që bëri, i bëri në një kohë kur as shteti shqiptar nuk egzistonte në ndonjë hartë të botës, këtij Majeri që dhe nuk fitoi ndonjë grosh për studimet mbi gjuhën e shqiptarëve… në ditët tona nuk ia gjen as varrin mbi tokën ku jetoi, nuk i gjen as dorëshkrime në ndonjë arkiv…

Pelasgologët e sotëm me orientim të fortë nacionalist nuk kanë treguar kurrëfarë shpirti aq të fortë e të paanshëm profesionalisht sa ky Gustav Majeri që me librat shkrimet e tij në buletinet shkencore më prestigjoze, na bëri të njohur shkencërisht \ ndërkombëtarisht, pa na njour e pa e ditur se cilët jemi.

Ndërkohë këta pelasgologët, pseudot, turbogjuhologët tanë janë më të lavdishmit në mediat tona postmoderne. Në asnjë konferencë a bulletin shkencor me prestigj ndërkombëtar (siç bëri Gutav Majeri) nuk i njeh njeri.

Si letrar, flas për studime postmoderniste… Studime postmoderniste në shkencë? Kjo mund të jetë ndonjë dukuri tjetërsoj e shkencës gjuhësore shqiptare. Nuk flas për ndonjë vepër letrare, si roman a dramë a poemë qoftë, nuk po flas për një vepër fiction të një drejtimi postmodernist. Po flas për postmodernizëm si dukuri shkencore, shfaqje krejt të panjohur në ndonjë fushë të shkencave botërore. Postmodernizëm në gjuhësi? Ky është një hyner, një gjasë e pandodhur kurrë në ndonjë truall shkencërisht të gjallë në botë, kjo është veç një shpikje e shëmtuar e “shkencave” tona jo shkencore, apo një trill fare i marrë i fictionit tonë shkencor në albanologjinë e zuzar-amatorëve.

Thashë që Gustav Majeri bëri shkencën e tij në një kohë kur nuk kishim as media , nuk kishim asnjë vend në hartën e botës dhe nuk pyeti se e pranon, se e dëgjon apo se nuk e dëgjon njeri ndër pelasgologët. Ai vdiq, i humbi dhe varri… Por, mirë a keq, edhe sot mbeti, edhe sot i përmendet vepra e tij.

Turboalbanologët e sotëm nguten, duan të jenë asa, të imponueshëm qoftë dhe dhunshëm në tregun e sotëm mediatik. Arrogantë, të urrejtshëm si ikonoklastët ata thyejnë e shkelin ikonat klasike të albanologjisë tonë. Pa arritur shkencërisht as te thonjtë e këmbëve të tyre

Gustav Majeri shkroi dhe heshti. Turbologët, pelasgologët tanë duan të jenë të adhurueshëm me zor, u drejtohen medjeve për t’u afirmuar. Ngatërrojnë me dashje mejdanin ku duhet të përballohen. Nuk kishte media elektronike në kohën e G. Majerit. Ishin katedrat e universiteteve që verifikonin arritjet shkencore të dijetarëve. Edhe sot janë katedrat universitare, edhe sot janë konferencat shkencore forumet që i shkojnë në sitë të hollë prurjet shkencore. Në këto katedra u afirmua fillimisht dhe Anjshtajni, Darvini etj. Katedrat universitare janë vendet ku turbogjuhologët tanë nuk zbarkojnë dot. Shumica e tyre janë grafologë pa pikë kredie. Njerëz pa asnjë kredi si gjuhëtarë të profesionit, pa asnjë dijeni mbi gjuhët e huaja të sotme a mbi gjuhët klasike greko-romake.

Nëse nuk pëlqejnë forumet shkencore shqiptare, pse nuk u drejtohen tryezave shkencore ndërkombëtare? Kush i pengon?

Si letrar jam i bindur se gjuhën e krijojnë shkrimtarët, poetët … jo turbo-budallët, pelasgologët. Jam me letrarët, prozatorët, poetët, fjalëbukurit, estetët, eseistet, analistët, mjeshtrat e tekstit të shkruar të kësaj gjuhe. Turbopelasgologët si kërpudhat kanceroze peshojnë në trung, në rrënjë, në fletë të gjuhës shqipe… shpërthejnë si shtëllungat helmuese të Hiroshimës. Shumica e pelasologëve nuk e kanë profesion gjuhësinë. Le të kthehen në shkenëcat e tyre. Në këtë lëmë që nuk është i tyre janë, e pakta të themi, sharlatanë të diskredituar. Pa asnjë të ardhme. Pa dafina. Pa truall.

Dy nga nga mjeshtrat e shkrimit shqip Konica dhe Noli ishin dhe shkencëtarë. Po ata e shkruan bukur shqipen pa kërkuar nëse fjala shqipe ka rrënjë a ka hambar ndër pellasgë a… le të themi, në Alaskë.

Pelasgologët janë emër-vdekur… që kur kanë zgjedhur të hyjnë të verbër në trojet e Konicës, të Nolit. të Naimit, Poradecit, Kutelit, Koliqit, Fishtës, Mjedës. …Këta burra e shkruanin shqipen shqip pa pyetur ç’do të thonë pelasgologët, humbologët, torolingologët…

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT