• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MË 9 GUSHT NË RUDINË TË NIKMARASHIT DO PËRKUJTOHET LUCË GJO’ MATI I TRIESHIT

July 6, 2023 by s p

Nga Gjekë Gjonlekaj/ New York/

Është detyrë njerëzore dhe kombëtare,nderimi,kujtimi dhe respekti për ata malësorë dhe malësore që vepruan e luftuan për të mirën e vendlindjes dhe kombit. Popujt e qytetëruar tanimë e kanë bërë traditë ndermin  e rasteve më të ndryshhme, duke thënë lutje dhe fjalime pranë varrezave dhe monumenteve ku ata pushojnë në përjetësi. Në përvjetoret e ndryshme ata vendosin kurorë lulesh dhe simbole kombëtare e fetare pranë varrezave ose bustave të atyre personaliteteve që e deshtën aq shumë vendlindjen e tyre në vecanti dhe kombin në përgjithësi.I tillë ishte Lucë Gjo’ Mati i Trieshit. Për këtë burrë të madh dhe shumë të nderuar kisha dëgjuar  qysh në fëmijërinë time të hershme.Dita e mortit më mirë me thënë dita e hatrit të Lucë Gjo’ Matitt ishte tepër e dhimbshme por më shumë se zakonisht sepse një burrë kaq i përmendur nuk kishte lënë djal dhe nga kjo anë hisja e tij ishte shkretëruar. Më kujtohen ato ditë bile edhe pas mortit triesh të parët e mi flisnin me shumë dashuri për këtë burrë të dalluar. Edhe gjëmëtarët e permendur sic kishin qënë Zef Tomë Hasuri, Nikollë Gali dhe Hilë Toma dhe shumë malësorë të tjerë  në gjëmët  e tyre epike kishin thënë shumë për këtë trim të përmendur të Trieshit. Zeri  i tyre kumbonte dhimbshëm deri në majat e maleve  të Vistarit, Sukës së Grudës dhe Kazhenikut. Natyrisht se ata e krahasonin Lucë Gjo’Matin me trimat më të njohur të Malësië. Një kapitull i vecantë i historisë se tij ishte udhëtimi shumë i  gjatë dhe shumë i rrezikshëm  për në ” Dheun e Përpjetjes” sic e quanin në atë kohë malësorët  Rafshin e Dukagjint. Në atë kohë një grup banditësh shqiptarë të atij Rrafshi kishin rrëmbyerë pranë një burri të moshaur një vajzë të vendlindjes së tyre. Një vepër e mbrapshtë si kjo ishte e papranushme në shoqërinë e Malësisë. Lucë Gjo’Mati e Mal Vuksani kishin rënë dakord që  së bashku do të shkojnë për të dënuar rrëmbyesin, Baram Bekën. Misioni i tyre kishte qënë shumë i rrezikshëm sepse do të kalonin nëpër male, fusha dhe pyje te panjohura. Kishte qënë rrugë  e gjatë 7 ditëshs. Për atë kohë kjo rrugë ishte tepër e vështirë sepse do të  kalonin malet pranë Bjeshkëve të Nemuna dhe ato lartësi të frikshme te Alpeve shqiptare. Është thënë e kënduar shumë për këtë ngjarje,Disa rapsodë të njohur në botën shqiptare kanë kënduar me shumë respekt e dashuri për Lucë Gjo’Matin dhe Mal Vuksanin, megjithatë në disa shënime kjo vepër është ekzagjeruar për shkak të lidhjeve familjare. Për njerun normal është e pabesueshme se nëna e Bajram Bekës i kishte shpëtuar pasi Luca e Mali kishin vrarë djalin e saj Bajram Bekeën. Për Luë Gjo’Matin nuk kishte nevojë të sajonin prralla për cfarë nuk kishte nevojë as për Mal Vuksanin.
Lucë Gj’ Mati ishte emër shumë i vecantë në Triesh dhe në Malësi, ngase ishte dalluar edhe në luftëra për lirinë e vendit. Këtë trimëri prej atdhetari e kishte treguar edhe në Luftën e Lemajës në tetor të vitit 1907. Për pjesëmarrjen e tj  në këtë Luftë shkruan Gjergj Nikprelaj  në një studim për Trieshin që ka mbetur në dorëshkrim. Gjergj Nikprelaj shkruan se Lucë Gjo’ Mati kishte marrë pjesë në Luftën e Lemajës. Kjo vepër shumë e mirë për të kaluarën e Trieshit nuk ka parë kurrë dritën e botimit. Të jetosh pothuajse një shekull sic ka jetuar Lucë Gjo’Mati ishte një sfidë e vërtetë. Të bësh një jetë aq të gjatë dhe kurrrë të mos cnjerëzohesh me asnjë malësorë tregonte më së miri se kush kishte qënë ky burrë i Trieshit. Lucë Gjo’ Mati kishte shërbyer për një kohë të gjatë si roja më besnike e Vojvodës së Trieshit, kapedan Marasha Markut. Pas shumë luftërash e tmerresh që kishte pësuar Trieshi, Marash Marku si vojvodë e kapedan kishte hyrë në shërbim të Malit të Zi, por me  kusht  që refugjatët trieshianë mund të ktheheshin në vendlindjen e tyre duke vazhduar traditën  dhe duke ruajtur gjuhën dhe fenë e të parëve pa  asnjë shtrëmbërim. Marash Marku ishte autoritet  shumë i nderuar në Triesh. Knjaz Nikolla i kishte dhënë shumë pushtet. Ai kishte edhe burgun në shtëpinë e tij për ata që bënin faje kundër njëri tjetërit. Sundimi i tij prej burri të fortë nuk solli asnjë të keqe në Triesh. Si roje personale Lucë Gjo Mati nuk ishte cnjerëzua  me asnjë trieshianë. Marash Marku nuk kërkonte kurrë vepra të dhunshme nga Luca, pavarësisht se ishte i armatosur e bëntë këtë me qëllim që të mos prishte imazhon e tij prej njeriu të ndershëm dhe atdhetar. Edhepse shërbeu për pothuajse dekada si roje personale  e armatosur e Marash Markuty Lucë Gjo’ Mati nuk prishi miqësinë me asnjë trieshian, duke mos sharë ose fyerë asnjë bashkëvendas të tij. Trieshianët shumë herë kërkonin që  Luca to mos ua lidhte duart që ishte procedurë e arrestimit por për të evituar këtë lloj turpërimi Luca kërkonte prej të akuzuarëve që t’i jepnin besën se nuk do të bënin përpjekje për arrati. Të pandehurit në rrugë e sipër për në Burgun e Marash Markut në Nikmarash arrinin marrëveshjen e pajtimit për teë mos iu nënshtruar denimit të Marsha Markut. Kjo kishte ndodhur mes dy burrave  nga Delajt. Katundi  Nikmarashi është mbase fshati më i përmendur i Trieshit kur është fjala për luftërat anti sërbo-malazeze. Për qëndresën e Nikmarashit është shkruar disa herë në revistat dhe gazetat e Shqipërisë sic është “Hylli i Dritës”.  Këtu kanë lindur shumë trima dhe trimëresha të cilët me pushkë e pëndë e mbojtën nderin dhe dinjitetine Trieshit dhe  kombit. Trieshianët  sipas Marash Markut betoheshin në armët e Skenderbeut dhe sundonin me  Kanunin e Lekë Dukagjinit. Për historinë e këtij vendi ku lirisht mund të përfëshihet edhe Lucë Gjo’ Mati mund të shkruen kapituj të shkëlqyeshëm të historisë së Malëssiëë së Madhe dhe shqiptarisë. Lucë Gjo’Mati ishte shumë i nderuar në kuvendet dhe takimet e Trieshit. Për këtë trim të përmendur dhe shumë të vecantë në oborrin e Kishës së Trieshit ruhej një gur i vecantë ku gjithëmonë do të ulej ky burrë fisnik Trieshit. 
Kohë më parë vëllazërit Vasel, Rrok dhe Nik Gjonaj kishin vendosur të nderojnë këtë emër shumë të njohur të fisit të tyre Gjonaj.Bile babai i tyre Vsel Marku në kohën e rinisë së tij kishte jetuar për një kohë të gjatë në shtëpinë e Luë Gjo’Matit. Natyrisht se ishte kujdesur për të si të kishte qënë djali i tij.Vëllazërit Gjonaj që jetojnë në Shtetete e Bashkuara në Neë York dhe Michigan vëndosën ta përkujtojnë në mënyrë bujare, duke ngritur një gur varri ku është gëdhëndur portreti i tij dhe një epitaf. Udhëtarët mund të ndalen dhe të shikojnë atë portret të  dhe lexojnnë  ato fjalë të bukura për këtë trim të  përmendur të Trieshit.Vlen për të shënuar se Lucë Gjo’Mati trashëgohet nga shumë nipa e stërnipa, mesa dhe stërmësa. Të gjithë këta janë nga dy bijat e tij të martuara në dy nga familjet e njohura të Lulgjurajëve të Grudës.Bile këtu në Neë York jeton  nipi i tijj Lekë Gjoku Lulgjuraj shumë i ndruar kë komunitetin tonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjeke Gjonlekaj

GËZUAR 247 VJETORIN SHBA

July 4, 2023 by s p

 ASLLAN  BUSHATI/

 4 Korriku i këtij viti, është 247 vjetori i SHBA-së. Kanë të drejtën legjitime ta festojnë me shumë krenari këtë ditë madhore të historisë tyre  Kombi i madh Amerikan, fuqia më e madhe politike, ekonomike , diplomatike e ushtarake e botës. Kanë të drejtë të jenë kryelartë për ate cfarë ky Komb ka bërë për qytetarët e vet, si vendi i lirisë, demokracisë, përparimit e prosperitetit. Vendi i mundësive të mëdha  në arsim, shkencë, ekonomi, biznes, kulturë, sport e gjithcka  tjetër të mundëshme  për një shoqëri të lirë. Kanë të drejtë të jenë kryelartë për gjakun që kanë derdhur për lirinë e kombeve të tjerë në dy luftërat botrore dhe në ato rajonale, të cilat kanë sjellë lirinë, demokracinë, përparimin  e progresin në mbarë botën. Kanë të drejtë të mburren me lidershipin  e fuqisë drejtuese të botës për gati 80 vite  dhe e vetme për 33 vitet e fundit.

Shqiptaro- amerikanët dhe ato në trojet etnike e në diasporë, po ashtu kanë plotësisht të drejtë ta festojnë këtë ditë të lumtur përkrah Kombit të madh Amerikan, sepse pa ndihmën e tij sot nuk do të kishte as Shqipëri si  shtet sovran dhe as Kosovë shtet të pavarur e demokratik. Kujtojmë se më 4 korrik 1918 (105 vite më parë), Presidenti Willson i premtoi Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra (Fan Noli), se në Lidhjen e Kombeve do ta mbronte pavarsinë e Shqipërisë  nga synimet pushtuese të fqinjëve ballkanik dhe do ta përdorte fjalën dhe votën e SHBA-së që vendi ynë të bëhej antar i Lidhjes dhe shtet sovran.

Vendosja e marrdhënieve diplomatike midis SHBA-së dhe Shqipërisë, ngriti në një shkallë më të lartë afërsinë midis dy popujve dhe lidhjen e fortë shpirtërore midis shqiptarve dhe Kombit Amerikan. Këto lidhje u dëmtuan në vitet 1946- 1990 nga diktatura komuniste në Shqipëri, por pas viteve 1990, shqiptarët panë tek SHBA mikun e madh, shpëtimtarin, aleatin e vetëm strategjik dhe u bënë populli më amerikandashës në botë.

Shpërbërja e Jugosllavisë dhe agresiviteti serb, shtoi shtypjen, represionin, dhunën, arrestimet, burgosjet, vrasjet, përdhunimet, heqjen e lirisë në Kosovë dhe  gjenocidin e shumanshëm mbi një popull nga më të vjetrit në Europë dhe autokton në trojet e tij etnike mijra vjecare – Kosovën Dardane.

Ishte fat i madh për shqiptarët, qenia në postin e Presidentit të 42- të SHBA-së e Bill Clinton, i cili me një  lëvizje strategjike e rreshtoi NATO-n në transhenë shqiptare kundër pushtuesve serb, fitoi luftën, shporri serbët nga Kosova  dhe krijoi mundësinë që në vijim ajo të bëhej shtet demokratik e i pavarur. Ai sot është për vizitë në Shqipëri, të cilin e përshëndesim me përzemërsinë më të madhe dhe me të drejtë ai konsiderohet nga cdo shqiptar si heroi i Kombit tonë.

Mirënjohje dhe respekt pakufi edhe për Presidentin George H Bush i cili i tregoi në krishtlindjet 1990 vijën e kuqe Sllobodan Milloshevicit. Mirnjohje  edhe Presidentëve: George W Bush, Barak Obama, e Joe Biden që që bënë gjithcka për mbrojtjen, përkrahjen, mbështetjen  e pa kursyer e të  gjithanëshme  për Kosovën dhe përparimin e Shqipërisë.

Mirnjohje për SHBA-në në ditën e tyre të flamurit, kanë edhe  gjithë popujt europiano-perendimorë, sepse pa ndihmën amerikane ata do të ishin nën thundrën nazifashiste dhe nën kërcënimin e tankeve sovjetike  e sot ruse. Po ashtu mirnjohje kanë edhe popujt e Europës Lindore të cilët pas rënies së komunizmit patën përkrahjen amerikane në rrugën e demokracisë dhe integrimit në NATO si elementi më themelor i ombrellës tyre mbrojtëse.

Mirnjohje për SHBA-në sot kanë vecanërisht ukrahinasit të cilët luftën e tyre të drejtë për mbrojtjen nga agresioni rus, nuk do të kishin mundësinë ta realizonin pa ndihmën e gjithanëshme amerikane.

SHBA-ja ka gjeneruar e gjeneron energji të gjithanëshme, besim e shpresë për qytetarët e vet, (pjesë e të cilve jemi edhe ne shqiptaro- amerikanët), por edhe për qytetarët  e botës demokratike. Lidershipi, fuqia e madhe ekonomike, politike, diplomatike e vecanërisht ushtarake e bën ate symbol të sigurisë për të ardhmen.

Ne shqiptarët, lypset ti përafrojmë qëndrimet tonë me aleatin tonë strategjik.  Të jemi më të kujdesshëm (por jo servilë), më bashkpunues dhe jo inatcor.

 SHBA e gëzofsh 247 vjetorin dhe mijra të tjerë pas tij. God bless America.

    ASLLAN  BUSHATI

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati

MËSIMET NGA LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT PËR AKTUALITETIN POLITIK MBARË SHQIPTAR: A EKZISTON MË BESA SHQIPTARE?

July 3, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Përball aktualitetit konfliktual politik në trojet shqiptare, por edhe duke marrë parasysh situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe reagimet e ndërkombëtarëve për shtensionimin e menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës, ndërsa paralajmëruan pasoja në rast të dështimit – përfshir sanksione të njëanshme kundër Republikës së Kosovës – ndoshta ia vlen të shikohet se çfarë mësimesh mund të nxirren nga Lidhja Shqiptaer e Prizrenit në 145-vjetorin e saj.  Në një kohë kur sot, jo shumë ndryshe nga atëherë, rrezikohet copëtimi i trojeve shqiptare. 

Historia e shqiptarëve na tregon se kurdoherë që trojet shqiptare kërcnoheshin nga fqinjtë dhe armiqtë e jashtëm – shqiptarët bashkoheshin dhe thirrnin mbajtjen e kuvendit dhe lidhnin Besën për të mbrojtur, të gjithë së bashku, interesat e Kombit shqiptar në të gjitha trojet e veta. Përball rreziqeve të shumta që i kanoseshin krahinave shqiptare në atë kohë nga fqinjtë grabitqarë hidhet kushtrimi për mbajtjen e Lidhjes Shqiptare në Prizren në mbrojtje të tokave, interesave dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve.  Nuk ishte pra ky një takim krahinor ose gjysëm përfaqësues, por ishte mbarë kombëtar.  

145-vite më parë, me 10 Qershori të vitit 1878 është mbajtur Kuvendi Kombëtar në Prizren, aty u përfaqësuan të gjitha krahinat e Atdheut, me qëllim, sipas fjalëve të Abdyl Frashërit, “Që t’u presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”, ka thënë ndër të tjera, Abdyl Frashëri, përfaqsuesi kryesor i Lidhjes së Prizrenit.  Aty u vendos njëzëri themelimi i “Lidhjes Shqiptare”, si organizata e vetme kombëtare shqiptare, objektivi i të cilës do të ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve në luftën për të mbrojtur territoret autoktone shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare të gjithë Shqiptarëve.

Me atë rast, një Komitet Qendror u krijua për të drejtuar Lidhjen e Prizrenit, ndërkohë që u morën vendime me rëndësi historike për Kombin dhe i cili do të ushtronte kontroll mbi të gjitha degët e tija. Ky Komitet, si enti përfaqësues më i lartë i Lidhjes së Prizrenit, kishte një përfaqësi mbarëkombëtare prej 47 anëtarësh nga të gjitha trevat shqiptare. 

Kush mund ta marrë me mend sot një organizim të tillë mbarëkombëtar – përball konflikteve aktuale politike brenda dy shteteve shqiptare dhe përball mosmarrveshjeve të vazhdueshme politike midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, në lidhje me çeshtjet më madhore të Kombit. 

Qershori i vitit 1878 ishte muaji i Lidhjes së Prizrenit, por edhe i memorandumeve, peticioneve që hartuan shqiptarët në mbrojtje të të drejtave të tyre kombëtare dhe të tërësisë tokësore, por edhe i protestave të organizuara anë e mbanë trojeve shqiptare.

Në një memorandum të datës 13 qershor, 1878, shkodranët i shkruajnë, ndër të tjera, kryeministrit britanik të asaj kohe, Lordit Beaconsfield: “… Ashtu si nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu e kundërshtojmë me të gjitha forcat tona cilindo që do të dëshironte të na bënte sllavë, ose austriakë ose grekë… Ky karakter kombëtar që nuk është përgënjeshtruar kurrë dhe që ka luftuar ngadhënjimisht kundër egërsisë osmane për më shumë se katër shekuj, nuk mund dhe nuk duhet të zhduket tani në këtë shekull qytetërimi nga dora e aeropagut evropian…”.

Nga protesta e 16 qershorit, 1878 në Shkodër, në një memorandum të nënshkruar nga 320 përfaqësues të popullsisë së rretheve të Tiranës, Durrësit, Krujës, Lezhës, Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Podgoricës e tjera, ndër të tjera thuhet: “Ne të nënshkruarit, në emër të të gjithë popullit, kemi nderin të shpallim se kombi shqiptar, qoftë mysliman, qoftë katolik, që ndryshon prej sllavëve… është njëzëri i vendosur të mbrojë Atdheun e vet kundër ndarjes së territorit që është projektuar, si një veprim që është në kundërshtim me historinë e tij, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij…”

Ndërsa në memorandumin drejtuar ministrave të jashtëm të Fuqive të Mëdha, disa personalitete shqiptare që ndodheshin në Stamboll, shkruajnë: “Duke i parashtruar Kongresit dëshirat e veta dhe duke iu lutur që t’i marrë ato parasysh, populli shqiptar proteston përball Evropës kundër aneksimit të cilësdo pjesë më të vogël të truallit të tij nga një komb tjetër dhe shpall se është gati të bëjë fli të gjitha fuqitë e veta jetësore dhe ushtarake për ta mbajtur këtë vendim suprem, të cilin e konsideron si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar…”

Në letrën protestë kundër popullsisë së sanxhakut të Prishtinës drejtuar Kongresit të Berlinit më 25 qershor, 1878 kundër mizorive të kryera mbi popullsinë shqiptare prej ushtrive serbe, ruse, malazeze dhe bullgare, shkruhet: “…Po qe se do të ndodhte flijimi i kombit tonë dhe ky do bëhej viktimë e padrejtësive të lartpërmendura…ne do të vdesim me nder deri tek njeriu i fundit, që të mos jemi aspak viktima e këtij nënshtrimi…”.

Dhe në vendimin që mori Lidhja Shqiptare për Jugun në mbledhjen që u bë në Janinë me 24 korrik, 1878 për t’i kërkuar qeverisë osmane bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi, theksohet se, “Shqiptarët, të udhëhequr nga ndjenjat e natyrshme patriotike, e gjithë Toskëria dhe Gegëria, u betuan dhe lidhën besën me shkrim për të mbrojtur tokën e shenjtë të vendlindjes…”. (Citimet e mësipërme marrë nga libri “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881”, Kristo Frashëri).

Ja ku jemi sot! Është korriku i vitit 2023 – 145-vite ç’prej themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kombi shqiptar — përball kërcnimeve të vazhdueshme të fqinjve ndaj të drejtave të shqiptarëve, sidomos nga Serbia me mbështetjen e Rusisë — as sot nuk po gjenë paqën në trojet e veta. 

Zëri i burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bën sot jehonë liderve të kombit, në këtë 145-vjetor të saj. U bën thirrje, në emër të karakterit të përbashkët kombëtar, që të dilni ngadhënjimtarë nga ky kaos dhe egërsi politike në të cilën e kini hedhur vendin, qoftë në marrëdhëniet me njëri tjetrit, qoftë në marrëdhëniet rajonale.  Burrat e Lidhjes së Prizrenit ishin më të përparuar dhe më patriotë se përfaqësuesit e sotëm të klasës politike shqiptare, megjithëse kushtet politike, ekonomike dhe shoqërore ishin shumë më të vështira për ta, në krahasim me gjendjen e sotme të shqiptarëve. Besëlidhja e tyre kundër armikut dhe sfidave të përbashkëta konsakrohej me besën shqiptare! 

Përball rrezikut të brendshëm dhe të jashtëm, liderët shqiptarë aktualë, në vend që të lidhin besëlidhje me njëri tjetrin. në emër të interesave madhore të Kombit për zgjidhjen e sfidave dhe të kundërshtimeve politike trokasin dyerve të kancelarive evropiane – jo për të mbrojtur interesat kombëtare kundër synimeve armiqësore të të huajve – por për tu ankuar kundër njëri tjetrit, para autoriteteve të huaja. Miqët perëndimorë i duan shqiptarët të bashkuar në objektivat e përbashkëta në mbrojtje të të drejtave të tyre shekullore dhe në miqësi me kombet fqinje.

Në qoftë se qershori i vitit 1878 ishte muaji i shpresave për Kombin Shqiptar, i besëlidhjes dhe i besës për të shpëtuar Kombin nga kërcënimet e armiqve të jashtëm, qershori i vitit 2023 – pa dyshim është muaji dhe viti i zhgënjimeve politike e shoqërore, të brendshme dhe të jashtme.  Zëri i burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bën sot jehonë, në këtë 145-vjetor të saj. I bën thirrje Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare — në emër të karakterit dhe interesave të përbashkta kombëtare, të dilni ngadhënjimtarë nga ky kaos dhe egërsi konfliktesh politike, në të cilën i kini hedhur dy shtetet shqitare dhe Kombin mbarë. 

Besoj se duhet të jeni të vetëdijshëm se, në qoftëse me të vërtetë reflektoni mbi veprimet tuaja politike sot – si në arenën kombëtare ashtu dhe ndërkombëtare — ato janë në kundërshtim të plotë me historinë e Kombit shqiptar, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij kombëtare dhe politike, “si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar…”. Por edhe në kundërshtim të plotë me Besëlidhjen e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në Lezhë dhe të Besës Shqiptare të Lidhjes së Prizrenit. 

Jeni në rrugën e gabuar dhe në kundërshtim të plotë me dëshirat e shumicës së shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë. Si të tillë, në qoftë se vazhdoni në këtë rrugë, do të poshtëroheni politikisht dhe do të dënoheni moralisht – si politikanë individë dhe si grup politikanësh – nga ky brez dhe nga brezat e ardhshëm të shqiptarëve, për mos përfilljen e të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve.

Shqiptarët kanë dy shtete të vetat në Ballkanin Perëndimor. E kini në dorë të bëni ndryshimin e madh për të cilin pret Kombi shqiptar: Për një jetë të paqë e pajtim midis shqiptarëve pa dallim, në siguri dhe në harmoni recipkroke bashkjetëse me fqinjët, në familjen e madhe euro-atlantike, ku shqiptarët e kanë pasur gjithmonë karrigën e vet. Por, nëqoftse shqiptarët nuk kujdesen për veten, për interesat e njëri tjetrit dhe për të mirën e përbashkët afatgjatë si komb, atëherë, pse të lodhen të huajt me ne, kur e shohin se shqiptarët nuk kanë as një kompaktësi as unitet objektivash madhore kombëtare.

Pa një bashkrendim të ideve dhe qëllimeve të përbashkëta mbarë-kombëtare – bazuar në Besën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit — nuk besoj se diplomacitë solo nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, në lidhje me krizën në veri të Kosovës do të çojnë drejt përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të krizës aktuale në veri të Kosovës, por as të krizave të ardhëshme me të cilat do të përballet kombi shqiptar në vitet dhe dekadat e ardhëshme. Tre dekadat e kaluara të tranzicionit politik na kanë mësuar tanimë, që sipas thenjes së romakëve të vjetër, “të mos shpresojmë pa dyshuar, por dhe të mos dyshojmë pa shpresuar.”  Shpresa, thonë se vdes e fundit! Por shënjat, nuk duken të mira. Nuk e di pse, por përball krizave të sotme me të cilat përballen shqiptarët – po më shkon mendja larg tek ata që së janë më, por që janë të pranishëm me veprat e sidomos me idealet dhe përpjekjet e tyre — besa besë – në mbrojtje të interesave kombëtare.

Sot realiteti i egër e kërcënues, në forma të ndryshme, ndaj fateve dhe interesave të Atdheut dhe Kombit po shfaqet gjithnjë e më shumë – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar – por Besa Shqiptare e Lidhjes së Prizrenit – arma më e fortë, historikisht, e shqiptarëve për tu përballur me kërcënimet ndaj Kombit: Nuk është më, fatkeqsish!

Frank Shkreli

SHABAN HYSA | Artist, Painting, Art

                (Besëlidhja Shqiptare (Shaban Hysa, tablo 3 vitit, 1978)

A picture containing clothing, painting, building, art

Description automatically generated
A group of men in military uniforms

Description automatically generated with low confidence
A picture containing outdoor, building, clothing, funeral

Description automatically generated

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

VIKTOR STRATOBËRDHA, 13 MUAJ KINEAST

July 1, 2023 by s p

Rreth librit me të njetin titull të përgatitur nga regjisori i njohur Kristaq Dhamo

Nga Skifter Këlliçi

Një ditë vere të vitit 2010,  në shtëipnë time në Boston, ku jetoj dhe punoj prej 24 vitesh, më erdhi me postë një libër që ma dërgonte miku im, regjisori i njohur Kristaq Dhamo, që jetonte aso kohe në Nju Jork, pranë së bijës së bashku me të shoqen Dhorkën, historiane e arteve. Libri i shkruar prej tij, titullohej “Viktor Stratobërdha, 13 muaj kineast”. Qe një e papritur shumë e këndshme, sepse, siç do të rrëfej më poshtë, ruaja edhe unë disa kujtime për Viktorin, këtë  kineast të talentuar, mbi  supet e të cilit  për disa dekada rëndoi pesha mizore e diktaturës komunisto-enveriste me internime dhe burgime. Duke shfletuar librin të pajisur me foto edhe nga veprimtaria krijuese aq e pakët e tij në fushën e kinematografisë,  m’ u fanitën disa kujtime të pakta, por kuptimplote që lidhen  me takimet që kisha pasur edhe unë me të gjatë kohës që Viktori kishte qenë  dënuar në Berat në vitet 60-të të shekullit të kaluar, kur unë punoja arsimtar në atë qytet, dhe për të cilat do të rrëfej më poshtë së bashku me përshtypjet e mia për këtë libër.

 … Një pasdite, aty nga fillimi  vitit 1953, unë atëherë 15-vjeçar, me fëmijë të tjerë mësuam se nga Bashkimi Sovjetik kishte ardhur një grup kineasësh dhe aktorësh sovjetikë, për të xhiruar  skena të filmit ”Skëndërbeu”, ku luanin e dhe aktorë shqiptarë. Ne kishim kurreshtje të shihnim, sidomos aktorin e madh gjeorgjian Akaki Horava, të cilin e kishim parë në filmin sovjetik “Gjergj Sakadze”, një hero i Gjeorgjisë së  Mesjetës, që do të luante rolin e Gjergj Kastriotit tonë.

 Mësuam se pjesëtarët e grupit  bujtnin në hotel “Dajti”, prandaj një pasdite u sulëm andej. Patëm fat, sepse, ndërkohë, pamë disa prej aktorëve  që bisedonin në sheshin e vogël të  këtij hotel. Njohëm edhe Horavën, ose më mirë një burrë i ri që i shoqëronte aktorët na tregoi se cili ishte Horava , sepse ai nuk kishte as mjekërr, as mburojë dhe shpatë, siç e kishim parë në film.  Madje burri i ri , diç i tha  Horavës, që u kthye nga ne dhe na përshëndeti me bujari.

Mësuam se ky burrë ishte Viktor Stratobërdha dhe  punonte me    regjisorin  e madh  madh Jutkjeviç, emrin e të cilit e kishim parë dhe në filma të tjerë sovjetikë. Me fjalë të tjera, mësuam se ai ishte ndihmës i tij  në filmin “Skënderbeu”.

 Ky  ishte takimi   imi I parë me Viktorin, emri i të do të bëhej i njohur  vetëm me tre filma  të tjerë dokumentarë dhe asgjë më shumë, sepse pas Konferencës famëkeqe të  Tiranës në prill të viti 1956, ai së bashku me Nesti Zoton, atëherë drejtor i Konostudios “Shqipëria e  Re” dhe  me rreth 200 intelektualë të tjerë, ish-partizanë komunistë, drejtues institucionesh të rëndësishmë të larta partiake dhe shtetërore, specialistë në fusha të ndryshme, gazetarë profesorë, u   dënuan drejtpërdrejt nga diktatori Enver Hoxha, sepse  me guxim dhe çiltërsi, siç do të vë në dukje më poshtë, ngritën zërin kundër udhëheqjes së Partisë së Punës, e cila  po shkëputej  nga masat e gjera të popullit, që  po varfërohej gjithnjë dhe më shumë.

   Duke lexuar librin e mësipërm të Kristaq Dhamos, mësojmë së një ndër ta ishte dhe Viktor Stratobërdha, i cili, nga ish-partizan, u bë komunist, shkoi tërë entuziazëm në Bashkimin Sovjetik për t’u bërë regjisor filmi, u kthye po me atë entuziazëm që andej pas  gjashtë  vitesh studimi me regjisorë nga më të njohurit edhe në botë, Pudovkin, Dovzhenko, Rom, Gerasimov, Jutkjeviç, i cili, ndonëse nuk ishte delegat në këtë konferencë, mbështeti hapur diskutimet  e mësipërme, ashtu siç i kishte mbështëtur edhe në mbledhjen e organizatës së Partisë së Kinostudios, dhe shprehet kështu në faqet e librit: “Konferenca e Tiranës ishte përplasja e parë e të gjithë ish-partizanëve komunistë, idealistë me një realitet që kishte zhgënjyer ëndrrat tona rinore, që na bënë të dilnim malit për çlirimin e Shqipërisë. Aty të gjithë ata që nuk donin që të merreshin nëpër këmbë synimet e larta të luftës së tyre liridashëse dhe demokratike, i bënë atentatin e parë kultit të individit, polarizimit të jetës, dogmatizmit dhe sektarizmit enverist”.

Ndër viktimat e para që ndëshkoi Enver Hoxha pas kësaj konference, ishte edhe Viktor Startobërdha, edhe  sepse pas   punimeve të saj  tërë dufi ishte shprehur një kolegu komunist me fjalët:”Atje ia thyen hundët Enver Hoxhës”. I përjashtuar nga partia,  dëbohet  nga Konostudioja dhe degdiset  …drejtor  i së së vetmes kinemaje  të Beratit. “Ma merr mendja se  duhet të jetë një rast i veçantë dhe unikal në rruzullin tokësor, që një regjisor, duke qenë mendërisht  dhe fizikisht tepër në regull, të ketë një jetëgjatësi kaq të shkurtër, – vë në dukje Stratobërdha në një letër dërguar Kristaq Dhamos më 21.12.1998, kur ndodhej i mërguar në  Greqi, ecila është përfshirë në libër .- Vetëm në një diktaturë si  kjo jona dhe që bota nuk arrin ta kuptojë, ndodhin të tilla fenomene”.

Mesditë  vere e  vitit 1960. Gazetar prej dy vitesh në Radio Tirana së bashku me Petro Kitën, atëherë nëndrejtor i saj, ndodhem në Berat. Ai për një konferencë politike dhe unë për një reportazh. Dhe ja, pas drekës, kur  ndodhemi në një kafene, shohim të na afrohet një burrë  ende i ri. Takohet me me Petro Kitën. Mezi e njoh. Eshtë Viktor Stratobërdha. (Ishte koha kur diktatura  komuniste nuk i kishte shtrënguar dhe më shumë burgjitë, prandaj dhe ata biseduan përzemërsisht, doemos pa përmendur Konferencën e Tiranës, pas së cilës  ishte kritikuar nga lart edhe Petroja, si anëtar liberal  i Byrosë së Partisë së Radios  që kishte miratuar  diskutimin  e rreptë të  gazetarit Niazi Demi në këtë konferencë) .

 Pastaj Viktori na tregoi edhe kinemanë që që kishte shndërruar në një sallë të këndshme. Asnjë fjalë midis tyre për atë… konferencën e nëmur as edhe, siç u mor vesh vite më vonë, për pyetjen më të tmerrshme që i kishte sugjeruar ai Nesti Zotos që ta përfshinte në diskutimn e tij në konferencë: ”A ka dijeni K.Q. për varfërinë  në vend dhe cili është shkaku i kësaj varfërie?”.  Me kaq  u ndamë nga ai.

  Tri  vite më pas Viktori arrin të bëhet regjisor i Estradës së Beratit, që nga e dobëtat nën drejtimin e tij, u bë nga më të  mirat e vendit. ”C’mund të kishte ndodhur? Rehabilitim,? Zbutje e  vijës së Partisë? Keqardhje? Asnjera. Gjithçka në vazhdën e politikës sënjohur të  “shtrëngimit dhe lirimit paksa të vidave,” – vë në dukje Kristaq Dhamo në librin e tij. 

Por, ndërkohë që pritet që  të mbarojë afati i dëbimit të tij nga Berati dhe të rikthimit në Kinostudio, Viktorit i komunikohet nga Komiteti i Partisë së Beratit një pesëvjeçar tjetër  qëndrimi  në këtë qytet. Ka një arsye. Në një nga shfaqjet  më të sukseshme të Estradës së Beratit, ai ka vënë në skenë një skeç të marrë ng a Estrada e Elbasanit, ku angazhimet e bujshme të fundvitit që nuk realizohen, kthehen në parodi. Por Viktori shton nje detaj shumë të mprehtë: Angazhimet janë materializuara në  një arkivol që e mbajnë në supe katër aktorë, të shoqëruar nga një marsh funebër. Për më tepër  që  ato ditë Berati ishte nderuar me Flamurin e Garave të ashtuquajtura Socialiste, ku në fakt të dhënat, si gjithnjë, ishin të fryra, ndryshe  nga   të vërtetat. “Drejtuesit e partisë së rrethit të Beratit, – shkruan Kristaq Dhamo në librin e tij, – e cilësuan këtë skeç si denigrim të qëllimshëm të ’’sukseseve socialiste”. Dhe si pasojë këtu fillon edhe kalvari i gjatë i punëve të krahut në gurore, pyjore, ndërtim, ndërmarrje bujqësore”.  Me të ashtuquajturin qarkullim kuadri, edhe mua në vitin 1966 më emëruan arsimtar në Berat. Dhe në këtë qytet, që atëherë kishte  vetëm një rrugë-shetitore, ishte e pamundur që një ditë të mos takoja edhe Viktor Stratobërdhën. Ndodhi krejt rastësisht. Një ditë dimri të vitit 1967, në kinemanë e Beratit, ku ai  vite më parë kishte qenë drejtor, po shfaqej filmi “Skënderbeu” në të cilin, siç përmenda më sipër, kishte qenë ndihmës i regjisorit  sovjetik Jutkjeviç. Filmi shfaqej vetëm nëpër rrethe, dhe jo në Tiranë, sepse ishte prodhim …sovjetik, ndonëse ishte realizuar në vitin 1952-53 në periudhën staliniste dhe ndihmës regjisor…Viktor Stratobërdha. Paradoks qesharak!…

Me të mbaruar filmi, tek po dilnim nga kinemaja, befas u ndodha bri tij. Pandeha se nuk do të më njihte. Por dy shokë të tij që e shoqëronin, e kujtuan kush isha. Më mbante mend. Bëmë një bisedë të shkurtër, por kur mendova të ndahesha, dy shokët që nga pamja e jashtme dukeshin punëtorë me të cilët punonte, më ftuan të gjerbnim kafe bashkë me të. Pranova. 

Më tha se me kishte ndjekur emisione letrare të Radios që përgatitja unë dhe më pyeti nëse po shkruaja ndonje libër. Iu përgjigja se pas disa muajsh do të botohej një vëllim imi me tregime. Më uroi të shkruaja më pas një skenar filmi, siç ndodhi vite më vonë.

Pata dhe raste të tjera të bisedoja me Viktorin, që, me sa mbaj mend, ishte martuar me një vajzë nga nje derë e fisme beratase, por “e prekur”. Sidoqoftë, ndjeja një farë shqetësimi që këto takime, të cilat dëshiroja t’i kisha më të shpeshta, ata të partisë në Berat nuk do t’i shihnin me sy të mirë.

 Por ndodhi diçka që më shqetësoi dhe më shumë. Zakonisht drekën e haja në restorantin  “Berati”, ku  drekonin edhe shefi i  Deges së  Punëve të Bredshme me zëvendësin e tij,  të dy të ardhur nga Tirana, që në biseda  me mua  më dukeshin të çiltër. Dhe ja pas disa ditësh zevendësshefi me të ciin ndodhesha vetëm në një tryezë të restorantit, më tha me zë të ulët që  të kisha kujdes për dy gjëra: T’u shmangesha bisedave me Viktor Stratobërdhën dhe të mbaja sa më ulët volumin e Radios  në dhomën ku banoja, kur dëgjoja lajme dhe muzikë nga RAI. 

“Më ka  ardhur dhe më  ka takuar enkas filani në zyrë,-  vazhdoi ai dhe përmendi emrin e një ish-oficeri pensionist që banonte  në hyrjen përballë  hyrjes ku banoja unë  dhe më ka raportuar se ti dëgjon atë ” Radion  e degjeneruar italiane”. Veç kësaj më ka thënë se ti takohesh edhe  armikun Viktor Stratobërdha, madje ka qëlluar edhe para pallatit ku banoja. Prandaj edhe një herë, ki kujdes”. 

Kështu që nga ajo ditë unë nuk munda ta takoja më Viktorin, aq më shumë se ai u caktua të punonte në një  gurore larg Beratit, nga ku kthehej shumë vonë në shtëpi. Veç kësaj, unë nga fundi i vitit vitin 1969 u riktheva në Radio dhe pastaj në Televizion dhe nuk pata më rast të takohesha me të.

 Mirëpo, në vitin 1972, kur nisi një pranverë e vogël në artin dhe kulturën tonë, si pasojë e zbutjes të së ashtuquajturës “luftë e klasave”, (për shembull, Festivali i  11-të i Këngës  në RTVSH),  mora vesh se, pa pritur, Viktorin e  kishin emëruar sërishmi regjisor në Estradën e Beratit. Gjykova me shokë se tashmë kishin marrë fund hallet dhe dertet e tij. Por kjo zgjati pak kohë, sepse pas Plenumit të 4-të KQ të Partisë, siç dihet, Enver Hoxha nisi një kryqzatë në lëmim e kulturës dhe artit , pastaj  kundër kuadrove të lartë të ushtrisë, ekonomisë, që solli si pasojë që Viktor Stratobërdha në vitin 1975, pas një mbledhjeje demaskuese si armik I popullit,   të arrestohej dhe të dënohej me 10 vjet burgim për… agjitacion dhe propagandë.

“Lirohem nga burgu pas nëntë vjetësh, – shkruan ai në letrën drejtuar  Kristaq Dhamos, që kam cituar më lart. – Pas kryerjes së dënimit, jetë eremiti. Në ngjarjet e hyrjes nëpër ambasada, (korrik 1990), nuk munda të çaja. Isha i vonuar. Në 91-shin marr arratinë    për ku të dalë, por nuk më eci. As me tragetet e marsit.  Atëherë, më këmbë për  në Greqi”.

  Në vitin 1992, kur po shkruaja “Historinë e Radio-Televizionit Shqiptar, (1938-1990), botuar në vitin 2004,  u njoha në Arkivin e Shtetit me dosjen e Konferencës së Tiranës, (4-8 prill 1956), me rreth 400 faqe të shaptilografuara, ku përfshiheshin të gjitha dikutimet e delegatëve pjesëmarrës në këtë konferencë, shumica dërmuese e të cilëve kritikuan ashpër udhëheqjen e partisëdhe shtetit për probleme që janë trajtuar më lart në këtë shkrim.

   Mbi bazën e këtyre diskutimeve aq tronditëse, në shkurt të vitit 1995 në  një gazetë të përditshme  botova një dosier prej rreth 20 faqesh, që pati  jehonë të  madhe . Dhe kjo, sepse ishte hera e parë që tregohej publikisht dhe me fakte  e vërteta tragjedia  e kësaj konference, e cilësuar nga Enver Hoxha si “komplot i përgatitur nga Ambasada Jugollave në Tiranë dhe agjentët e saj renegatë, armiq  të partisë dhe popullit”. Dhe ja, disa javë më vonë më ndali në rrugë një i panjohur. Pandeha se do të më pyeste për ngjarje dhe rezultatë sportive, siç  na ndodhte jo rallë  neve komentatorëve radiotelevizivë të futbollit. Por jo. Ai më tha: ” Ke shumë të fala nga Viktor Stratobërdha, i cili  është emigrant si unë  në Greqi. Të kujton me shumë mall dhe të përgëzon për dosierin aq të goditur për Konferencën e Tiranës. Të përgëzon edhe për dy filmat e Xhanfise  Kekos dhe  Gëzim   Erebarës me skenarët e tu  që ka parë në kanalet shqiptare. Kur të vijë ndonjëherë  në Shqipëri, ka shumë dëshirë  të të takojë.”  Por kjo  mjerisht nuk ndodhi…Në vitin 1999, u zhvendosa dhe unë me familien në Amerikë. Nuk dija si të lidhesha me të. Dhe ja, në maj të vitit 2000,  pasi  ishte vendosur   si emigrant politik në   Kanada,  mora vesh me shumë keqardhje se Viktor Stratobërdha ishte shuar përgjithnjë. ç’përkim i çuditshëm! Kishte lindur në maj të vitit 1925 dhe ishte ndarë nga jeta në maj të 75 viteve më pas.  

“Do të kishte qenë një nga figurat më të më mëdha  të kinematografisë sonë,- më thoshte Kristaq Dhamo në biseda telefonike, ai në Nju Jork dhe unë në Bostoni, në të cilat bisedonim  kryesisht për kinematografinë. – Por do të shkruaj për të”.

Dhë kështu  ndodhi.  Kristaqi shkroi për të një libër të vogël, por me vlera të mëdha, të shoqëruar me intervista të botuara në gazeta dhe revista, kushtuar atij, si dhe  përshtypje, së pari nga e bija, F lutura,psikologe dhe  të shkrimtarëve dhe artistëve që e kishin njohur nga afër, Dionis Bubani,  Arian  Myrto, Xhovani Shyti… Shkroi si artisti për  artistin,  i shtyrë dhe frymëzuar nga dashuria dhe respekti për ato  që Viktor  Stratobërdha  kishte mundur  të bënte  vetëm për  13 muaj  regjisor, siç e ka titulluar librin e tij. Në gusht të vitit të kaluar edhe   Kristaq Dhamo u nda  nga jeta, por në  moshën 89-vjeçare,  veç të tjerash, besoj,  edhe me kënaqësinë që  pas filmave të tij  mbresëlënës ,  na la   dhe një libër shumë  domethënës në bibliotekën e kinematografisë shqiptare, për Viktor Stratobërdën.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Skifter Këlliçi

Dy botë

July 1, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Qëllimi është një, rrugët për arritjen e tij janë të ndryshme. Kjo është idea. Mitet synojnë t’i fusin popujt e ndryshëm në rrugë të ndryshme drejt një synimi.

Në mitologjinë hitite, ekziston: “Në qiej, një mbret sundoi për nëntë vjet rresht dhe u rrëzua nga i biri. Në betejën e perëndive, Kumarbi, i biri i perëndisë Anu, kafshoi nga organet gjenitale të të atit. Sperma e zotit ra në tokë ku lindi dy fëmijë, lumenjtë Eufrat dhe Tigër”.

Ky mit është pothuajse identik me atë të rrëzimit të perëndisë Uran nga froni nga djali i tij Kronus. Në mitin grek, Cronus preu organet gjenitale të babait të tij, duke marrë kështu pushtetin. Nga gjaku që ra në tokë, lindën disa hyjni, më kryesorja perëndesha Afërdita. Nuk është e lehtë të zbulosh se cilët njerëz e kanë huazuar mitin, edhe pse gjithmonë ekziston rasti i një origjine të përbashkët.

Në mitologjinë japoneze është historia e perëndisë Izanagi që donte të shihte sërish motrën e tij, e cila ndodhej në botën e nëndheshme:

“Ai i kërkoi asaj të kthehej me të në botën e perëndive sepse krijimi nuk kishte përfunduar ende. Por ajo u përgjigj se kishte ngrënë tashmë nga ushqimet e errësirës dhe për këtë arsye nuk ishte në gjendje të kthehej në botën e perëndive”. Në mitologjinë greke, Zeusi urdhëron Plutonin t’ia kthejë Persefonin nënës së saj, Demeter, të cilën Plutoni e kishte vjedhur dhe e kishte sjellë në Hades si gruan e tij. Por Plutoni u përgjigj se kjo nuk ishte e mundur, pasi Persefona kishte ngrënë një kokërr shegë ndërsa ishte nëntokë”.

Fiset Korekore të Zimbabvesë në Afrikë kanë mitin në lidhje me perëndeshën e tokës Givanguru:

“Ajo ishte e veshur me një lëkurë dhie. Perëndesha kishte gjithashtu një bri që i jepte pasuri dhe bollëk”.

Leximi i këtij miti e bën të pamundur të mos mendosh për Bririn e Amaltheas, një dhi – dhe nga briri i saj Zeusi ushqehej gjatë foshnjërisë. Që atëherë, briri i ‘dhisë së malit’ ka qenë simboli i bollëkut.

Në mitologjinë greke, çifti i parë hyjnor është Urani (qielli) dhe Gaia (dheu-toka). Nga bashkimi i tyre lindën të gjithë perënditë e tjera si dhe çdo gjallesë n Tokë. Sipas sumerëve:

“Qielli u bashkua me Dheun. Më pas (Toka) mbeti shtatzënë. Urani mbolli tek ajo farën e heronjve, pemët dhe kallamishtet”. Të njëjtat ide i gjejmë në mitet afrikane: “Toka ka një bukuri të rrallë. Zoti i qiellit e fekondoi me bubullima dhe shi, dhe ajo lindi një jetë të re”.

Edhe më larg, në Oqeanin Paqësor, fiset Maori kanë një mit të ngjashëm krijimit: “Zoti i qiellit dhe perëndesha e tokës ishin prindër të shumë perëndive”.

Janë edhe mitet e indianëve të Amerikës:

“Qielli plehron Tokën”.

Pas shumë kohësh, njeriu u rebelua. Prej tij lindi shkenca qe thotë se gjithçka u krijua nga një “big bang” dhe njeriu nga një bakter i vetëm.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 127
  • 128
  • 129
  • 130
  • 131
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES
  • Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës
  • FESTA E SHQIPTARËVE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT