• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE

January 26, 2023 by s p

Ndonëse është pritur se brenda një dite në Mal të Zi të mbahen zgjedhjet presidenciale e ato parlamentare, opinioni u informua se me 19 mars do të mbahën zgjedhjet presidenciale, ku sipas të gjitha gjasave do të jenë test për ato parlamentare që do të vendoset me vonë në sajë kompromisit politik ne mes shumicës dhe opozitës si zgjidhje të krizës politike në vend.

Nail Draga

Ndonëse të gjitha partitë politike janë deklaruar se mbeshtesin zgjedhjet e parakohshme parlamentare por konkretisht nuk janë angazhuar në këtë drejtim. Çështja qendron të shumica aktuale parlamentare e cila ka 41 mandate, ku pa miratimin e tyre nuk mund të shpërndahet parlamenti dhe të bëhët shpallja e tyre nga presidenti i vendit. Por, duke marrë parasysh krizen aktuale politike e institucionale në vend mbajtja e zgjedhjeve presidenciale, do të jetë në favor të zhbllokimit të situatës e cila është e panjohur në kohën e pluralizmit.
Duke marrë parasysh se në ingerencat e Kuvendit është caktimi i datës së mbajtjës së zgedhjeve presidenciale, ata do të mbahen me 19 mars, që do të jenë të katërtat pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, përkatësisht të shtatat nga vendosja e pluralizmit politik në këtë vend. Këto zgjedhje janë të veçanta sepse mbahen në kohën e Qeverisë në detyrë së cilës i është votuar mosbesimi në gusht të vitit të kaluar.

Presidenti vetëm nga një parti politike
Kujtojmë me këtë rast se nga miratimi i pluralizmit në Mal të Zi(1990) të gjithë presidentët kanë qenë nga radha e një partie politike(PDS). Para, M.Gjukanoviqit, i cili është presidenti aktual dhe kryetari i PDS-it, president i vendit ka qenë F.Vujanoviqi, dhe ate në tre mandate nga viti 2002-2018.
Ndërsa, para Vujanoviqit, president ka qenë M.Gjukanoviqi, në një mandat pasi në tetor të vitit 1997 e ka fituar kundërkandidatin M.Bullatoviqin.
Në zgjedhjet e fundit presidenciale ndonëse M.Gjukanoviqi ndonëse u zgjodh president, ai mbajti edhe pozitën e kryetarit të partisë politike(PDS). Ishte ky një veprim iritues i cili është në kundërshtim ne parimet demokratike, sepse ka qenë e udhës që të tërhiqet nga pozita partiake.
Por, ambiciet lideriste siç duket kanë dominuar mbi logjikën dhe demokracinë pluraliste, sepse presidenti përfaqëson të gjithë qytetarët e jo elektoratin votues të partisë së tij.
Pa kandidatë të paralajmëruar

Për momentin në skenën politike në Mal të Zi enigmatike është se sa kandidatë do të paraqitën në konkurim në pozitën e presidentit, sepse deri më tash nuk ekziston ndonjë kandidat i paralajmëruar. Andaj për momentin mund të spekulohet se shumica aktuale parlamentare e opozita do të paraqitën me një apo me shumë kandidatë.
Nga përvoja e kaluar në zgjedhjet presidenciale më herët është ditur se kush do të jetë kandidatë për president, ndërsa kësaj here është e kundërta, ndonëse jemi dy muaj para votimit opinioni nuk është i informuar për ndonjë individ i cili do të paraqes kandidaturën për pozitën e presidentit.

Gjukanoviqi do të kandidohet përseri(!?)
Duke marrë parasysh animozitetin në mes partive politike si te shumica parlamentare dhe të opozita edhe pse deklarohen se janë për një kandidat të përbashkët, sipas të gjitha gjasave disa parti do të paraqitën me kandidatët e tyre. Por, në skenën politike në Mal të Zi dilemë paraqet mundësia e rikandidimit të presidentit aktual M.Gjukanoviqit edhe për një mandat nga ana e PDS-it, apo kjo parti të kandidojë ndonjë person tjetër, jopartiak apo nga shoqëria civile..
Por, edhe po qe se do të kandidohej ndonjë kandidat tjetër me refernca pozitive qytetare e intelektuale cili nuk është në lidhje me korupcionin e kriminalitetin, duke marrë parasysh mentalitetin e qytetarëve në MZ, është pikëpyetje se a do të kalonte, sepse kemi të bëjmë me një shoqëri e cila ende vlerëson kultin e individit, andaj kandidati partiak vlerësohet më tepër, pa marrë parasysh se çfarë programi prezanton. Në rastin konkret në Mal të Zi, M.Gjukanoviqi ende mbetet personi ma karizmatik dhe me kredivbilitet jo vetëm të elektorati votues i partisë së tij, por edhe të partitë tjera qe ishin me herët në koalicion qeveritar.
Madje ky është i vetmi i cili mund të jetë shpëtimtar i partisë së tij, sepse sipas të dhënave rejtingu i tyre është në rënie të vazhdueshme, ku zgjedhjet lokale(tetor 2022) janë dëshmi e një konstatimi të tillë. Por ai është I vetmi që mund të homogjenizojë elektoratin votues të partisë së tij, por edhe të partive tjera qe e mbeshtesin, ndërsa nga ana tjetër ai mund të motivojë konkurentët të mobilizohen për të fituar kandidati i tyre.
Nuk ka dilemë se do te kemi një garë interesante e cila do të ketë edhe ruandin e dytë, sepse askush nuk beson se presidenti do të zgjidhet vetëm me votimin e parë.
Votat e shqiptarëve janë vendimtare(!)
Duke marrë parasysh raportët aktuale në skenën politike në Mal të Zi, për zgjedhjen e presidentit nuk përjashtohet mundësia që vendimtare të jenë votat e elektoratit votues të shqiptarëve. Një konstatim i tillë nuk është befasi sepse përvoja e kaluar është dëshmi e verifikuar.
Kujtojmë këtu dy raste te cilat ishin vendimtare në rrjedhat politike në Mal të Zi. Fjala është për zgjedhjet presidenciale në vitin 1997, ku në ruandin e dytë u mbeshtet M.Gjukanoviqi dhe fitoi mandatin nga mbeshtetja e shqiptarëve, ndërsa me rastin e votimit të referendumit për pavarësi të Malit të Zi me 21 maj 2006, po ashtu votat e shqiptarëve ishin vendimtare.
Andaj, duke marrë parasysh se raportët në mes pozitës dhe opozitës janë shumë të ngushta, nuk përjashtohet mundësia që edhe kësaj here votat e shqiptarëve të jenë vendimtare në zgjedhjen e presidentit të vendit. Ndërsa cilin kandidatë do ta mbeshtesin shqiptarët mbetet çështje individuale, por nga përvoja e deritashme dihet se kandidati i cili mbeshtet politikën proserbe nuk do të ketë votat e tyre.
Test për zgjedhjet parlamentare
Mbajtja e zgjedhjeve presidenciale nuk ka dilemë se do të jetë një test për ato parlamentare. Ndërsa statistika e dy zgjedhjeve të fundit(gusht 2020 dhe tetor 2022), dëshmon se shumica aktuale parlamentare është në përparësi ndaj opozitës aktuale, çështje e cila do të dëshmohet me 19 mars, si realitet në skenën politike në Mal të Zi, apo ishte një evoluim i paknaqësisë ndaj qeverisjës tridhjetëvjeçare.
Varësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në këtë vit në skenën politike në Mal të Zi janë gjasat reale për dekompozim partiak dhe qeveritar, që do të pasojë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Filed Under: Analiza

ÇËSHTJA E KOSOVËS DHE ROLI I DIPLOMACISË NDËRKOMBËTARE NË PROCESIN E ÇLIRIMIT TË SAJ

January 25, 2023 by s p

Prof. dr. Lulëzim LAJÇI
Instituti Albanologjik, Prishtinë/

Pas Luftës së Dytë Botërore, me dominimin politik serb, çështja e Kosovës u tentua të mbyllej në mënyrë të panatyrshme dhe të kurdisur politikisht. Deri në vitin 1981 shteti jugosllav kishte arritur ta mbante Kosovën jashtë fokusit të informacionit ndërkombëtar.
Demonstratat e vitit 1968, me kërkesën e tyre për Republikën e Kosovës, u paraqitën para opinionit ndërkombëtar si protesta të zakonshme studentësh për përmirësimin e kushteve ekonomike të jetës. Ndërsa shqiptarët e dënuar për veprimtari patriotike konsideroheshin të “burgosur politikë”, po si një dukuri e zakonshme – e natyrshme për të gjithë Jugosllavinë dhe vendet e tjera të bllokut lindor.
Mirëpo, duke filluar nga demonstratat e viti 1981, kur shqiptarët ripërsëritën kërkesën për Republikën e Kosovës, e ku u vranë 9 sipas burimeve jugosllave, ndërsa 300 veta, sipas burimeve amerikane, çështja e Kosovës shpërtheu kornizat jugosllave dhe u bë objekt i shtypit dhe i medieve ndërkombëtare të kohës, por jo edhe i qeverive të shteteve të veçanta apo i organizmave politike ndërkombëtare.
Pra, qeveritë e ndryshme dhe përgjithësisht faktori ndërkombëtar mospërkrahjen ndaj demonstratave të vitit 1981 e manifestoi me heshtje. Federata jugosllave përfaqësonte si për Lindjen ashtu edhe për Perëndimin një hapësirë të veçantë, ku takoheshin e ekuilibroheshin interesat dhe koniunktura e kompromisit të tyre. Për Perëndimin Jugosllavia ishte zonë e erozionit të ndikimit rus, kurse për Lindjen ishte një model i socializmit human në botë. Të dyja palët preferonin ta kishin një shtet jugosllav të vetëm dhe të mos hapnin dritë jeshile për lëvizjet e tjera kombëtare jo vetëm në Jugosllavi, por edhe në Ballkan dhe në Evropë. Prandaj, shtetet evropiane e injoruan me mospërfillje çështjen e Kosovës.
Pas demonstratave të vitit 1981, statusi shoqëror-politik e juridik i shqiptarëve dhe i vetë Krahinës së Kosovës erdhi duke u minimizuar. Ky fenomen u bë i dukshëm pas ardhjes së Millosheviqit në pushtet si president i Serbisë (1985), i cili u mbështet në forcat konservatore e nacionaliste serbe. I inkurajuar nga heshtja e Evropës dhe e republikave të tjera jugosllave ndaj problemit të Kosovës, si dhe për ta rritur autoritetin e tij politik, S. Millosheviqi luajti me kartën nacionale, duke e sensibilizuar opinionin serb për pozitën e pafavorshme kushtetuese territoriale, ekonomike e shoqërore të Republikës së Serbisë në Federatën Jugosllave.
Në rrjedhën e kësaj politike, më 23 mars të vitit 1989, nën gjendje të jashtëzakonshme, nën mbikëqyrjen e më shumë se 16 mijë ushtarëve dhe 10 mijë policëve specialë të policisë federale, në seancën e Kuvendit të Kosovës u aprovuan amendamentet në Kushtetutën e Serbisë. Seanca “solemne”, dy herë e shtyrë, u mbajt më 23 mars dhe në të, pos “shumicës së delegatëve” (siç vlerësoi pa u numëruar, kryetari i Kuvendit Vukashin Jokanoviq, megjithëse as sot nuk dihet numri i saktë i delegatëve të pranishëm) ishin të pranishëm edhe politikanë kosovarë dhe nga Serbia e federata, nga APJ-ja sikur edhe një numër i bollshëm i “delegatëve” nga DB-a (Drzhavna Bezbednost: Sigurimi Shtetëror), të cilët kishin votuar në emër të delegatëve dhe për hir të atmosferës!? Në këtë seancë, pasi që disa delegatë kërkuan të diskutohej (u fol rreth tri orë e gjysmë) kryetari i Kuvendit, Jokanoviq, më së miri shprehu karakterin “demokratik” dhe “juridik” të kësaj seance, duke thënë: “Këtu është çdo gjë e qartë si kristali dhe s’ka për çfarë të debatohet”. Një qëndrim të avancuar mbajti Melihate Tërmkolli, e cila publikisht nuk u pajtua me amendamentet në Kushtetutën e Serbisë, sepse “edhe formalisht krahina e humbi autonominë”, si dhe Riza Lluka, i cili kërkoi që të votojnë vetëm delegatët dhe jo edhe “të tjerët” si dhe të konstatohet numri i delegatëve të pranishëm dhe i atyre që votojnë për dhe kundër. Për t’u aprovuar amendamentet për është dashur të votojnë 126 delegatë, pra dy të tretat e delegatëve të pranishëm. Në këtë akt të rrënimit të konstitucionit të Kosovës fatkeqësisht morën pjesë edhe rreth 100 delegatë të zgjedhur shqiptarë, me çka formalisht e legjitimuan farsën e dytë në historinë më të re, që luhej me votën e përfaqësuesve të popullit shqiptar dhe për këtë historia nuk fal. Me këtë akt u rrëzuan të gjitha strukturat institucionale, politike, ekonomike, gjyqësore, policore, shëndetësore e kulturore autonome të Kosovës dhe gjithçka u vu nën pushtetin e Beogradit.
Dhuna antikushtetuese që ndërmori pushteti serb ndaj strukturave autonome të Kosovës dhe masat represive ndaj popullsisë shqiptare, e përkeqësuan situatën dhe i bën shqiptarët më të vendosur në rrugën drejt shkëputjes. Më 2 korrik 1990, si përgjigje ndaj politikës rrënuese të Beogradit, të 114 deputetë shqiptarë të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese, përmes së cilës de jure Kosova shkëputej nga Serbia dhe linte të hapur mundësinë e participimit në Federatën apo Konfederatën Jugosllave, si element konstituiv i së cilës ishte edhe sipas Kushtetutës së vitit 1974, por kjo lihej varësisht se si do të përcaktoheshin edhe popujt e tjerë të saj. Shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë në një kohë kur ende nuk ishte shkatërruar Federata Jugosllave dhe kur Kosova rrezikohej të bëhej Serbi. Ky ishte edhe hapi më logjik që mund të ndërmerrej.
Meqenëse punimet e seancës së Kuvendit të Kosovës në sallën e parlamentit i pengoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, sërish një serb, Bozhoviq, seanca i zhvilloi punimet në platenë përpara Kuvendit. Deklaratën e lexoi Bujar Gjurgjealo, ndërsa arsyetimin Muharrem Shabani.
Në kuptimin konstitucional Rezoluta e Bujanit është analoge me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, e cila në substancë ishte shprehje e vullnetit politik të popullsisë shumicë në Kosovë për vetëvendosje: “Deklarata Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të Federatës / Konfederatës së Jugosllavisë si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në Federatë / Konfederatë». Lidhur me këtë akademik Gazmend Zajmi shkruante: “Me këtë Deklaratë Kushtetuese, me karakter konstituiv politik, përveç të tjerash, `ipso jure` u bë derrogimi i rezolutës së Kuvendit të Prizrenit të vitit 1945 mbi bashkimin e Kosovës ‘Serbisë federale’” (Leges posteriors priores contrairas abrogant»). Kështu, çështja e Kosovës, pas shpalljes së Republikës së Kosovës, hyn në një fazë të re historike, në rrugën e arritjes përfundimtare të pavarësisë së Kosovës – zgjidhje me peshë madhore e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe me peshë ndëretnike ballkanike.
Pas këtij hapi, një delegacion i Kuvendit, i përbërë nga Muharrem Shabani, Bujar Gjurgjealo dhe Skënder Skënderi, që ditën vijuese pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, ishte nisur jashtë Kosovës, në mënyrë që të vendosnin kontakte me autoritetet e porsazgjedhura sllovene dhe kroate si dhe me qeveritë e vendeve evropiane dhe me atë amerikane, me qëllim që t’i shpjegonin kushtet dhe rrethanat në kuadër të të cilave Kuvendi i Kosovës kishte nxjerrë Deklaratën Kushtetuese dhe mundësisht ta siguronin përkrahjen e tyre.
Pas kësaj pritej se çfarë kundërmasash do të ndërmerrnin Serbia dhe Jugosllavia. Kjo pritje nuk zgjati shumë. Kuvendi i Serbisë më 5 korrik në procedurë të parregullt dhe pa mbështetje kushtetuese nxori vendimin mbi suspendimin e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës dhe vendosjen e administrimit të dhunshëm në Kosovë. Të njëjtën ditë me forca policore nga ndërtesa e Kuvendit u dëbuan të gjithë zyrtarët e lartë e punonjësit e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës. U ndërpre me forcë emetimi i programit të Radiotelevizionit të Prishtinës dhe, pas disa ditësh, edhe gazetës së përditshme “Rilindja” iu bë i pamundur botimi. Në ditët që pasuan nga puna u larguan me dhunë të gjithë të punësuarit në administratën qendrore, numri më i madh i pjesëtarëve shqiptarë të policisë si dhe filloi largimi nga puna i të punësuarve në administratën lokale. Më nuk kishte dyshim se Serbia po vendoste një aparat të okupimit klasik në Kosovë dhe se ajo dëshironte ta sundonte atë si një koloni të saj.
Ndaj këtyre masave të dhunshme të Serbisë faktori shqiptar, i prirë nga partitë e reja politike, që vepronin atëherë, më e madhja ishte LDK-ja si dhe nga Sindikata e Pavarur e Kosovës, filloi të riorganizohet dhe mënyrën e veprimit e rezistencës t’u përshtatë kushteve dhe rrethanave të reja, të cilat i kishte imponuar Serbia. Shumë manifestime, demonstrata dhe forma të reja të rezistencës linin të kuptohej se populli i Kosovës s’do të nënshtrohej dhe se do ta kundërshtonte okupimin e Kosovës nga Serbia. Ky ishte një mesazh i fuqishëm që çdo ditë u dërgohej forcave okupuese serbe në Kosovë dhe faktorit të jashtëm. Shteti shqiptar me një Deklaratë të Kuvendit të Shqipërisë njohu Republikën e Kosovës. Ky qëndrim i Kuvendit të Shqipërisë nuk ishte obligues dhe nuk kishte domethënien e hapjes së mundësisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ishte ky më shumë një akt politik i Tiranës zyrtare për t’i inkurajuar shqiptarët e Kosovës. Në fakt, qysh atëherë u kuptua se Shqipëria nuk ka potenciale reale politike dhe ushtarake për ta ndihmuar Kosovën në rast të shpërthimit të luftës edhe në Kosovë Mirëpo, në anën tjetër, bashkësia evropiane dhe shtetet e tjera të Perëndimit, posaçërisht ShBA-ja, zhvilloi kontakte të shumta politike me udhëheqjen e Kosovës dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë. Përfaqësuesit e shqiptarëve u pritën nga zyrtarët e këtyre shteteve deri në nivelet më të larta shtetërore. Delegacione të shumta qeveritare, parlamentare e humanitare që e vizituan Kosovën, u dhanë përkrahje kërkesave të shqiptarëve dhe e përshëndetën organizimin politik e shtetëror shqiptar. Këto shtete, po ashtu, nxorën shumë rezoluta, në parlamentet kombëtare e të Bashkimit Evropian, në të cilat dënohej dhuna e pushtetit serb në Kosovë dhe përkrahej çështja shqiptare.
Në këto rrethana organet shtetërore të Kosovës bënin përpjekje për ta riorganizuar mënyrën e veprimit dhe përshtatjen e organizimit të veprimtarisë sipas situatës së krijuar. Kuvendi i Kosovës ishte në një gjendje edhe më specifike në këto kushte. Ai kishte një obligim të veçantë që dilte nga pika 5 e Deklaratës Kushtetuese. Ai duhej ta përgatiste dhe ta shpallte Kushtetutën e Republikës së Kosovës me aktet e tjera të nevojshme që nxirreshin në raste të tilla. Kjo e vinte në pozitë të tillë Kuvendin që duhej të organizohej në atë mënyrë që kjo punë të bëhej sa më shpejt dhe sa më mirë. Pothuajse çdo ditë gjatë korrikut dhe gushtit delegatët vinin në Prishtinë, mblidheshin nëpër vende të ndryshme dhe bisedë të vetme kishin si dhe kur të mbahet mbledhja, në të cilën do të shpallej Kushtetuta. Te ta kishte një gatishmëri të jashtëzakonshme dhe mund të thuhet një padurim, shkruan Iljaz Ramajli, që kjo punë të bëhej sa më shpejt, pa marrë parasysh pasojat.
Më 7 shtator 1990 çdo gjë funksiononte në mënyrë perfekte, vazhdon Iljaz Ramajli. Delegatët arritën në Kaçanik në kohën e caktuar, u pritën sipas planit, mbledhja filloi në orën 8 (në mbrëmje), ashtu siç ishte planifikuar dhe përfundoi pa pengesa. Kuvendi në këtë mbledhje shpalli Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktet e tjera përcjellëse, duke e çuar Kosovën në një etapë të re drejt ecjes në rrugën për pavarësi dhe krijim të shtetit sovran.
Pra, ligjvënësit shqiptarë miratuan një Kushtetutë, e cila shpalli që:
“Republika e Kosovës është shtet demokratik i popullit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve dhe minoriteteve me qytetarët e saj: serbët, myslimanët, malazeztë, kroatët, turqit, romët dhe të tjerët që jetojnë në Kosovë… Republika e Kosovës si një shtet është pjesë e komunitetit jugosllav”.
Në anën tjetër Beogradi u përgjigj duke e quajtur deklaratën e Kaçanikut si një akt jokushtetues dhe një sulm direkt ndaj integritetit të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Autoritetet jugosllave arrestuan disa anëtarë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa pjesa tjetër u largua në Kroaci, në Slloveni ose jashtë shtetit për t’i shpëtuar arrestimit.
Kështu konform vendimeve të 2 korrikut dhe në prag të shkatërrimit të Federatës Jugosllave (pasi gjërat në konstitucionin jugosllav u qartësuan politikisht dhe juridikisht), nga e cila po dilnin shtetet sovrane, si Sllovenia, Kroacia, BH-ja, Maqedonia u shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Deklarata Kushtetuese dhe Kushtetuta e Kaçanikut janë aktet më të larta konstitucionale të Kosovës, pas Rezolutës së Bujanit, me çka de jure filloi ndërtimi konstitucional i Kosovës nga përfaqësuesit e popullit.
Ndërkohë agresiviteti i pushtetit serb vazhdoi të rritej. Për rrjedhojë një vit më vonë, më 26-30 shtator 1991, në Kosovë u organizua Referendumi për t’ia dhënë Republikës së Kosovës legjitimitetin e nevojshëm. Tani jo brenda Federatës Jugosllave, por shtet sovran dhe i pavarur. Ky referendum përfundoi me sukses të plotë dhe ishte sanksionim i së drejtës së vetëvendosjes së popullit shqiptar në kushtet e reja të pluralizmit. Republika e Kosovës ishte alternativë e mbijetesës. Kështu, çështja e Kosovës, pas shpalljes së Republikës së Kosovës, hyn në një fazë të re historike, në rrugën e arritjes përfundimtare të pavarësisë së saj. Zgjidhje kjo me peshë madhore të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe peshë ndëretnike në Ballkan.
Çështja shqiptare, si një çështje unike e pazgjidhur e familjes së popujve evropianë, në kushtet e shkatërrimit të Federatës Jugosllave dhe të shpalljes së pavarësisë – Republikës së Kosovës, do të bëhet shqetësim jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për shtetet evropiane e sidomos për ShBA-në.
Karta e legjitimitetit të deputetëve të Kuvendit të Parë Demokratik të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 24 majit 1992 në Kosovë, u dogj pa u konsistuar kurrë ky kuvend. U bë një përpjekje që Kuvendi të mblidhet, porse forcat serbe rrethuan medresenë “Alaudin” të Prishtinës, ku ishte paraparë mbajtja e seancës konstituive e Parlamentit të Kosovës. Në Parlamentin e parë shumëpartiak në Republikën e Kosovës ishin zgjedhur 130 deputetë, prej 22 partive, grupeve dhe shoqatave politike e jopolitike. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pati fituar 547 755 vota apo 76.44 për qind të elektoratit, ndërsa e dyta ishte Partia Parlamentare që kishte fituar 36 549 vota apo 4.86 për qind të elektoratit. Prej 130 deputetëve të zgjedhur në votime të drejtpërdrejta dhe në proporcionale, 96 deputetë ishin të LDK-së, 13 të Partisë Parlamentare, 7 të Partisë Fshatare, 7 të Partisë Shqiptare Demokristiane, 2 kandidatë të pavarur, 5 deputetë nga Partia e Aksionit Demokratik të Kosovës (myslimanë), ndërkaq ishin rezervuar 14 vende për deputetët serbë dhe malazezë (sipas proporcionit). Meqë Kuvendi i parë u zgjodh në kohën kur sapo ishin liruar nga burgu shumëvjeçar qindra të burgosur politikë, në mesin e deputetëve të zgjedhur pati mbi 50 deputetë që kishin vuajtur nëpër burgjet serbe.
Në këtë kohë Bashkimi Evropian dhe shtetet e tjera të Perëndimit, posaçërisht ShBA-ja, zhvilluan kontakte të shumta politike me udhëheqjen e Kosovës e udhëheqës të tjerë shqiptarë. Përfaqësuesit e shqiptarëve u pritën nga zyrtarët e këtyre shteteve deri në nivelet më të larta shtetërore. Delegacioneve të shumta qeveritare, parlamentare e humanitare, që e vizituan Kosovën, iu dha përkrahje kërkesave tona, po ashtu u nxorën shumë rezoluta, në parlamentet kombëtare e të Komunitetit Evropian, në të cilën dënohej dhuna e pushtetit serb në Kosovë dhe përkrahej çështja shqiptare.
Në anën tjetër, përkundër rrethanave të reja, pushteti qendror në Beograd mëtonte ta ruante hegjemoninë që e kishte vendosur mbi këto republika, sovranitetin e tyre, disa nga ato arritën në luftë (Sllovenia, Kroacia dhe BH-ja), ndërsa Kosova u vendos në një “pat-pozicion”, duke e anashkaluar në Dejton.
Shtetet perëndimore në fillim përpiqeshin që në Kosovë të mos shpërthente konflikti i armatosur dhe të zbutet represioni serb, i cili kishte për qëllim ndryshimin e strukturës së popullsisë në Kosovë me anë të spastrimit etnik. Me qëllim që ky konflikt latent të evitohej deri në zgjidhjen definitive të çështjes së Kosovës, kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, parashtroi një plan veprimi prej 10 pikash, ndër të tjera, kërkoi që Kosova të vihej nën protektoratin e OKB-së dhe të ndërmerren masat e duhura në pajtim me këtë akt. Këtë plan të Rugovës e mbështeti edhe Republika e Shqipërisë.
Pikërisht në momentet kur çështja e Kosovës u bë shqetësim për nivelet e veçanta e të përbashkëta ndërkombëtare, kur një konfiguracion i ri etnik e politik u krijua në territorin e ish-Jugosllavisë, sekretari i NATO-s, gjenerali Manfred Vërner, paralajmëronte Serbinë kundër përpjekjeve për spastrim etnik të shqiptarëve nga Kosova dhe nënvizonte se “një zgjerim i luftërave drejt Kosovës dhe një luftë ballkanike duhet të ndalet me çdo çmim”. Kurse ish-presidenti Xhorxh Bush paralajmëroi udhëheqjen serbe në dhjetor të vitit 1992 që ShBA-ja mund ta përdorën forcën në qoftë se Serbia shtrin luftën në Kosovë. Mesazhi i Bushit indirekt thoshte që “në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga serbët, ShBA-ja do të përgatitet t’i përdorë forcat ushtarake në Kosovë dhe Serbi kundër serbëve”.
Një muaj më vonë, përkatësisht më 21 janar 1993, edhe Bil Klintoni në fjalimin e tij të përurimit për president të ShBA-së, në mënyrë indirekte ia dërgon këtë mesazh Millosheviqit: “Çdo herë që interesat tona kërcënohen, ose kurdoherë që vullneti dhe ndërgjegjja e bashkësisë ndërkombëtare përbuzet, ne do të veprojmë me diplomaci paqësore kur është e mundur, me forcë kur është e nevojshme”.
Kështu, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, në vitet ’90 koncepti humanitar fitoi epërsinë mbi konceptin e “interesave të shtetit”, të “integritetit tokësor”, “të sovranitetit absolut”, të mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare. Kjo ishte një risi shumë pozitive me rrjedhime të paparashikuara, por pa dyshim përparimtare dhe e mirëseardhur.
Bota e re filloi kështu një epokë, në të cilën gjykimi dhe ndërgjegjja e opinionit ndërkombëtar po konkretizohen me një të drejtë ligjore ndërkombëtare, që inkurajon “veprime të përbashkëta” në “kuadër të OKB-së”, kundër “shteteve sovrane” që sfidojnë këtë gjykim dhe ofendojnë këtë ndërgjegje, kundër luftërave civile e eksodit dhe urisë masive, kundër gjenocidit etj. Këto ndodhën kur u shua “bota dypolare” apo e “dy superfuqive”, kur ShBA-ja mbeti e vetmja superfuqi e aftë për të formuar dhe drejtuar koalicione për përballimin e situatave ekstreme. Si rrjedhim, me gjithë dëshirën e shumë qeverive të Evropës Perëndimore që ShBA-ja ta luajë rolin e “policit ndërkombëtar”, këtë superfuqi koha e “dënoi” që ta marrë përsipër rolin udhëheqës në krijimin e një rendi të ri botëror.
Dy deklaratat e dy presidentëve të ShBA-së, Xhorxh Bush dhe Bil Klinton, dëshmojnë se koncepti i “sovranitetit” do të kalojë në një fazë transitore për arsye të përparësisë që fiton respekti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos garancia e jetës së lirë. Ky qëndrim inkurajoi popujt e pushtuar-robëruar, pra edhe popullin shqiptar, ta kërkojë me këmbëngulje të drejtën e vetëvendosjes, duke përfshirë edhe pavarësinë e plotë, si mjet i fundit për ndalimin e shkeljes së të drejtave individuale dhe kolektive.
Nga pikëpamja e sigurimit të paqes ndërkombëtare edhe koncepti i mosndërhyrjes në punët e brendshme pësoi ndryshim me rastin e Kosovës, sepse përvoja tregoi se lufta në Kosovë paraqet kërcënim për paqen botërore dhe se imperativi i ruajtjes së paqes imponon si zgjidhje të fundit mundësinë e intervenimit. Rendi i ri botëror imponoi përdorimin e forcës për probleme të reja, siç janë: mbrojtja e një shteti demokratik, mbrojtja e të drejtave të njeriut për grupe të gjera popullsive nga shkeljet e rënda, katastrofat njerëzore: si uria masive, anarkia, eksodi i pafund, pastrimi etnik me anë të dhunës, katastrofat humanitare etj. dhe ndalimi i luftës vëllavrasëse shkatërrimtare.
ShBA-ja, por edhe Britania e Madhe dhe ato shtete që kanë qenë të interesuara për ta nxjerrë Kosovën pa kaluar nëpër përvojën e Bosnjës, janë munduar vazhdimisht të krijojnë parakushte për këtë. Janë munduar që problemin e Kosovës ta zgjidhin shkallë-shkallë, duke i amortizuar pengesat e shteteve, si: Rusia, Kina etj.
Pas të gjitha këtyre zhvillimeve, është e kuptueshme edhe prania e kontingjentit të forcave të huaja në Maqedoni qysh në vitin 1992. Fillimisht i njohur me emrin “Forcat e UNPROFOR-it”. Në përbërje të këtyre forcave ishin dy batalione, të njohura shkurt US-bat (Batalioni amerikan) dhe Nord-bat (Batalioni nordik). Me fillimin e luftës në Kosovë më 1998 institucionet ndërkombëtare dhe shtetet aleate të Paktit të NATO-s e përforcuan pranin e tyre ushtarak në Maqedoni. Në të njëjtën kohë edhe qeveria shqiptare, zyrtarisht kërkonte asistencë ushtarake të huaj, së pari të NATO-s në kuadër të formulës “partneriteti për paqe” (partner ship for peace).
Ekspertët e NATO-s fillimisht propozuan një ndarje joproporcionale të këtyre forcave ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë. U vendosën 18 mijë forca në Maqedoni dhe 2 000 në Shqipëri. Ndërsa rreziku i luftës po bëhej gjithnjë e më i madh, prania ushtarake ndërkombëtare u shtua pa shumë zhurmë e deklarata.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së dy herë mori në shqyrtim gjendjen në Kosovë dhe diskutoi edhe mundësinë e nevojës së ndërhyrjes. U miratua rezoluta që e dënonte regjimin e Beogradit, por nuk u vendos në favor të ndërhyrjes. Në tetor të vitit 1998 në politikën euroatlantike u shfaq një nismë e re për ndërhyrje ushtarake, nisma e NATO-s. Të 19 vendet anëtare të Aleancës arritën në përfundim kolegjial se “Millosheviqi njeh vetëm gjuhën e forcës”.
Duke vlerësuar se rreziku i përhapjes së luftës jashtë kufijve të ish-Jugosllavisë ishte shndërruar tashmë gati në një kërcënim, komanda politike e NATO-s vendosi t’ia drejtojë Beogradit një ultimatum, afati i të cilit skadonte pas dy javësh. Në përfundim të këtij afati do të hynte në fuqi “urdhri i veprimit” (action order). U bë e ditur se urdhrin për veprim do ta jepte J. Solana, nëse Beogradi nuk i tërheq forcat ushtarake nga Kosova dhe nuk e ndal dhunën në Kosovë. Kjo nënkuptonte se në mbarim të afatit të parashikuar në ultimatum nuk do të ishte e nevojshme thirrja e një mbledhje tjetër e anëtarëve të Aleancës.
Mirëpo, ultimatumi i parë i NATO-s “action order” dështoi. Gjatë dy javësh Perëndimi manifestoi pajtim të plotë për ndërhyrje.
Të gjitha vendet anëtare të NATO-s deklaronin se sa forca dhe mjete ishin gati t’i vinin në dispozicion të komandës së operacionit. Mirëpo, natën e përfundimit të afatit, në Beograd gjendej për “bisedime të fundit” ndërmjetësi amerikan Hollbruk. Pikërisht natën e mbarimit të ultimatumit në Itali ndodhi një krizë qeveritare, e cila paralizoi veprimin e Romës dhe e bëri të paqartë mundësinë e shfrytëzimit të bazave të saj. Mirëpo, qeveria italiane u rikrijua me të njëjtën strukturë pa kaluar një ditë e plotë.
Nga ana tjetër, dështimi i ultimatumit e kishte inkurajuar Beogradin të ndërmerrte veprime të reja terroriste kundër shqiptarëve, duke errësuar fatin e tyre. Po ashtu, politikës së Perëndimit për të ndërhyrë ushtarakisht në favor të vënies së krizës nën kontroll, iu kundërvu politika zyrtare ruse. Qëndrimi i Moskës u shpreh në kërcënimet se “bota rrezikonte të kthehej në kohën e luftës së ftohtë”, se do të merrte fund marrëveshja e Rusisë me NATO-n dhe se do të rrezikoheshin seriozisht marrëveshjet e çarmatimit të përgjithshëm bërthamor.
Me gjithë këto rrethana Aleanca Euroatlantike ishte e vendosur për ndërhyrje ushtarake në ish-Jugosllavi, por i diskutueshëm mbetej vetëm karakteri i ndërhyrjes: nëse do të ishte ai paqësor, apo luftarak.
Sensibilizimi i faktorit ndërkombëtar, pas masakrave që bëheshin në Kosovë, e sidomos nga injorimi i marrëveshjes Hollbruk – Millosheviq, sepse gjatë gjithë kohës së ekzistimit të marrëveshjes forcat serbe i vazhdonin arrestimet, vrasjet, zhvillonin luftë të pashpallur, që kurrë nuk pushonte, duke e fyer në këtë mënyrë edhe vetë Misionin Vëzhgues Ndërkombëtar me sjellje jonjerëzore. Për këtë është referuar çdo ditë para faktorit vendimmarrës të botës e sidomos para Aleancës ushtarake të NATO-s. Kjo ishte një fyerje e pashembullt e bashkësisë ndërkombëtare dhe e personave të caktuar që kishin ndikim në rrjedhat botërore të kohës. Një lloj cinizmi, një lloj injorimi që arriti ta hidhëronte tej mase bashkësinë ndërkombëtare.
Në muajin janar 1999 gjendja u rëndua edhe më shumë. Misioni i Hollbrukut dështoi, ndërsa armëpushimi i premtuar mori fund. Regjimi i Beogradit filloi të vepronte në mënyrë kriminale kundër popullsisë civile shqiptare. Vëzhguesit e huaj zbuluan varre masive dhe të dhëna të tjera të masakrimit të shqiptarëve. Përfaqësuesi i posaçëm i OSBE-së për Kosovë, Knut Volebek, paraqiti në mediet botërore pamje të tmerrshme të dhunës serbe, duke përfshirë masakrën e Reçakut, e cila, përfundimisht, hoqi mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në bisedime të drejtpërdrejta shqiptaro-serbe, siç ishte propozuar disa vjet me radhë. U krijua bindja se dhuna serbe kundër Kosovës kishte marrë formën klasike të një gjenocidi të egër primitiv.
Në mbledhjen e 29 janarit 1999, që u mbajt në Londër, Grupi i Kontaktit vendosi thirrjen e bisedimeve politike ndërmjet dy delegacioneve: të Kosovës dhe të Beogradit për të arritur një marrëveshje të re politike për paqen rajonale dhe për statusin e ardhshëm të Kosovës. Grupi i Kontaktit zgjodhi kështjellën e Rambujesë (Rambouillet), rezidencë qeveritare në afërsi të Parisit si vend i mbajtjes së takimit.
Shqiptarët e mirëpritën vendimin e fuqive evro-amerikane për zhvillimin e bisedimeve jashtë Jugosllavisë. Dokumenti i Rambujesë njihet me emrin “Marrëveshje e ndërmjetme për paqen dhe vetëqeverisjen në Kosovë”. Në rrethana mjaft komplekse të bisedimeve në Rambuje arriti sekretarja e Shtetit, Medlin Ollbrajt, e cila bisedoi intensivisht me shqiptarët për t’i bindur që ta nënshkruajnë në mënyrë të njëanshme projektin. Pikëpamjet amerikane në këtë periudhë kritike për fatin e marrëveshjes ishin:

1. Nëse të dy delegacionet do të nënshkruanin, një trupë ushtarake do të vendosej posaçërisht në Kosovë;
2. Nëse marrëveshja do të nënshkruhej vetëm nga pala shqiptare, NATO-ja do ta ndëshkonte regjimin e Beogradit për mospranimin e paqes dhe
3. Nëse as delegacioni shqiptar s’do ta nënshkruante marrëveshjen atëherë do të mbetej të rishqyrtohej edhe një herë mundësia e ndërhyrjes së aviacionit të Aleancës Euroatlantike në ish-Jugosllavi.

Vendimi për pranimin e marrëveshjes së Rambujesë u mor në delegacionin shqiptar, në kushtet e një presioni të fortë psikologjik e politik të jashtëm e të brendshëm. Nënshkrimi i dokumentit të Rambujesë ka qenë fitore politike dhe diplomatike. Prej këtij momenti shqiptarët panë përfundimisht se janë të përkrahur dhe se interesat e tyre nuk janë në kundërshtim me interesat e bashkësisë ndërkombëtare.
Institucionet ndërkombëtare u njoftuan me këtë “gjysmë suksesi”, kurse delegacioni shqiptar fitoi përkrahje në opinionin ndërkombëtar. Më 24 mars, disa ditë pas nënshkrimit të njëanshëm të marrëveshjes nga pala shqiptare në Paris dhe refuzimit të saj nga pala serbe, aviacioni i NATO-s goditi territorin e ish-Jugosllavisë.
Pra, Perëndimi e kuptoi se duhej intervenuar ushtarakisht në dobi të Kosovës, se liria e saj ishte jo vetëm synim i ndershëm i shqiptarëve, por edhe një vlerë e qytetërimit perëndimor.
U bombarduan aeroportet kryesore të ish-Jugosllavisë: në Beograd e në Podgoricë. U bombardua edhe Aeroporti i Prishtinës. NATO-ja nisi goditjet ajrore edhe të objekteve strategjike të Serbisë, industrisë dhe instalimeve ushtarake, rezervave shtetërore e karburanteve, rrjetit televiziv të dezinformimit, institucionet e administratës ushtarake-politike. Këtij veprimi iu nënshtrua edhe ekonomia e Kosovës dhe e Malit të Zi.
Dy muaj pas fillimit të operacioneve ndëshkuese, NATO-ja raportoi se kishte shkatërruar 1/3 e ushtrisë dhe të teknikës serbe dhe në të njëjtën shkallë ishin shkatërruar sistemet makro-ekonomike.
Në anën tjetër si u pritën sulmet e NATO-s në Kosovë më së miri na rrëfen një nga komandantët më të njohur të UÇK-së, Ramush Haradinaj: “Kur kalonin avionët, neve na ngjallej shpresa se nuk ka përfunduar gjithçka… Është e papërshkrueshme goditja e NATO-s në Kralan e Gërgoc, derisa po zhvilloheshin luftimet për mbrojtjen e të vetmit territor të lirë në Kosovë, që ishte prapavija jonë e mbushur përplot me popullatë civile”. Kurse për gjendjen në taborin e armikut thotë: “Pas fillimit të goditjeve ajrore të NATO-s, forcat serbe qysh në ditën e parë e kishin humbur luftën. U ka ra morali dhe vlera si ushtri. Ushtria e tyre nuk ka qenë më ushtri. Kanë qenë grupe njerëzish të dezorganizuar, që kanë vepruar në bazë të logjikës së momentit…”.
Rrjeti televiziv botëror i ndoqi zhvillimet në ish-Jugosllavi hap pas hapi, pothuajse pa ndërprerë, derisa Beogradi vendosi dëbimin e korrespodentëve të huaj. Edhe pas këtij vendimi, vëmendja e ndërkombëtarëve ndaj këtyre ngjarjeve mbeti e njëjtë.
Peshën më të madhe në operacione e mbajtën amerikanët dhe anglezët. Franca vuri në dispozicion të Aleancës avionët “Mirage”, ndër më modernët, kurse Italia lejoi përdorimin e bazës së Avianos.
NATO planifikoi organizimin e misioneve ndëshkuese edhe duke u nisur prej bazave detare në Adriatik.
Kundërshtare kryesore e veprimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi ishte Moska. Ajo u përpoq me çdo kusht t’i jepte krizës në ish-Jugosllavi karakterin e krizës së institucioneve ndërkombëtare, duke e vënë në pikëpyetje aftësinë e tyre për ta mbrojtur rendin botëror.
Megjithëkëtë, NATO në maj të vitit 1999 përmblodhi kushtet e saj për ndërprerjen e bombardimeve në pesë pika të palëkundshme. Një përpjekje për rishikimin e tyre u bë me propozimin italo-gjerman në mbledhjen e Grupit të vendeve të zhvilluara apo G-7 plus Rusisë, që të arrihej një projekt tjetër paqeje me “tetë pika”. Ky projekt kishte pëlqimin edhe të Rusisë. Ai përmbante edhe angazhimin e drejtpërdrejtë të OKB-së për t’u dhënë fuqi ligjore operacioneve të ndërhyrjes me anë të një rezolute të Këshillit të Sigurimit.
Në planet e NATO-s nuk parashihej një ndërhyrje me trupa tokësore. Mirëpo, regjimi i Beogradit i shtoi mbi 40 000 trupa ushtarake përveç formacioneve paramilitare dhe të policisë speciale në Kosovë. Kundrejt popullsisë u bënë masakra dhe barbari që ua kalonin edhe atyre të kryera nga nazifashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shpërngulja masive e shqiptarëve nga Kosova mori trajtën e një eksodi biblik. Në këto rrethana u vendos që të fillojnë përgatitjet për një operacion të këmbësorisë. Për këtë qëllim në Shqipëri u dërgua një teknikë e lartë ushtarake, duke përfshirë edhe helikopterë supermodernë “Apach”. Ndërsa në Maqedoni u instaluan forca të reja ushtarake dhe në javën e fundit të majit u vendos që numri i trupave të NATO-s të dyfishohej deri në 45 000 veta.
Përballë goditjeve shkatërrimtare ushtarake dhe ekonomike, Sllobodan Millosheviqi u përpoq të jepte shenja zbutjeje: liroi tre ushtarë amerikanë të zënë rob në Maqedoni, u përpoq të mashtronte se po fillonte një tërheqje të trupave, si dhe lejonte të shkonte në Itali presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, që ishte mbajtur peng deri atëherë në Prishtinë. Më 27 maj 1999 Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e akuzoi Millosheviqin si kriminel lufte (bashkë me tre pushtetarë të tjerë të lartë) për krime kundër njerëzimit të cilat ishin dokumentuar gjerësisht.
Më 3 qershor 1999 Parlamenti i Jugosllavisë së mbetur u detyrua t’i miratonte parimet e një marrëveshjeje, të paraqitur nga ndërmjetësit ndërkombëtarë. Bisedimet për zgjidhjen e çështjeve teknike për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova nisën në Kumanovë (FYROM), por u ndërprenë pa sukses.
Atëherë, më 8 qershor, u miratua nga G-8 një projektrezolutë, për t’ia paraqitur Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Po atë ditë në Këln të Gjermanisë, me ndërmjetësimin e sekretares së shtetit të ShBA-së, Medlin Ollbrajt, u organizua takimi i udhëheqësve shqiptarë të Kosovës: dr. Ibrahim Rugova, akademik Rexhep Qosja dhe Hashim Thaçi, që ritheksuan se do t`i përmbaheshin Marrëveshjes së Rambujesë, duke kërkuar të drejtën për referendum në fund të protektoratit ndërkombëtar.
Më 10 qershor Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën për Kosovën, në bazë të së cilës, më 12 qershor 1999, trupat e NATO-s filluan të hyjnë në Kosovë krahas tërheqjes së të gjitha forcave ushtarake serbe. Me këtë akt lufta në Kosovë u quajt e përfunduar.
Meqenëse ky vështrim i shkurtër ishte i përqendruar tërë kohën kryesisht në qëndrimin dhe rolin që kishte dhe që pati, faktori ndërkombëtar ndaj çështjes shqiptare, atëherë këtë shkrim tonin po e përmbyllim me fjalët e një përfaqësuesi të lartë ndërkombëtar, paraqitja e të cilit çdoherë ngjallte shpresa te shqiptarët, si brenda në Kosovë ashtu edhe anekënd botës, ku ishin të shpërngulur më se një milion shqiptarë: “Dhe në fund, le të më lejohet të them, shkruan Jamie Shea në shkrimin “Kriza e Kosovës dhe mediet: A e kemi bindur viktimën, shqiptarët e Kosovës, se po e mbrojmë çështjen e tyre? Po, e kemi bërë këtë. Kur unë isha në Prishtinë, vazhdon Shea, menjëherë pas fushatës, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, një zonjë m’u afrua dhe më tha:’ Zoti Shea, ju ishit linja jonë jetësore kah optimizmi”. “Linjë jetësore kah optimizmi”, përsërit Shea.
Kurse komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me rolin e faktorit ndërkombëtar gjatë luftës së fundit në Kosovë, nënvizon: “Lufta jonë u dëshmua jo aq shumë në organizim të fuqishëm, jo me ndonjë kapacitet të madh goditës. Lufta jonë kishte karakter ngacmues ose mbrojtës. Kjo nuk mjaftonte për ta bindur Millosheviqin për të hequr dorë nga Kosova. Kështu që angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare në këtë luftë ishte shumë i dobishëm për ta përcaktuar fitoren. Bile, ne jemi të nderuar dhe jemi fatlumë, sepse nevoja për sakrificë ka mundur të zgjasë me vite të tëra apo edhe në pafundësi”.

Marrë nga libri: “UÇK – vlerë kombëtare”, botim i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Filed Under: Analiza

Dr. Ibrahim Rugova President historik dhe i Pavarësisë së përjetshme të Kosovës u shua para 17 viteve

January 21, 2023 by s p

-Për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së Presidentit historik Rugova, nën përkujdesjen e Presidentes Osmani, ceremonia e vendosjes së kurorave, të pranishëm liderë institucionalë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë/

-Intervistat ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës,  Dr. Ibrahim Rugova që nga e para e Shtatorit 1994 deri te e fundit në Shkurt 2005 dhe deklarata tjera/

  -Disa nga raportimet që kam bërë para 17 viteve, në Janar 2006/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  Janar 2023/ Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti historik dhe i Pavarësisë së përjetshme të Kosovës, ideator dhe arkitekt i së cilës ishte, u shua para 17 viteve në 21 Janar 2006. 

Me rastin e 17 vjetorit, për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së Presidentit historik Rugova, nën përkujdesjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të shtunën e 21 Janarit 2023 nga ora 10 organizohet ceremonia e vendosjes së kurorave, ku të pranishëm do të jenë liderë institucionalë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Në këtë vit 2023 të përvjetorit të 24-të të Lirisë së Kosovës, veprimtaritë përkujtimore zhvillohen në prag të jubileut të  15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008. Në veprimtaritë përkujtimore theksohet se  në Lëvizjen për Liri e Pavarësi Dr. Ibrahim Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

  Që para tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Dr. Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 Dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 Maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) ditën e enjëte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, po edhe në raste të tjera, e falënderonte e vlerësonte shumë Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, korrespondent i së cilës isha mëse çerek shekulli, nga dita e 24 Majit 1992 kur u zgjodh President.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.

Ajo intervistë e parë e një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë zhvillohej në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”. 
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova. 
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. 

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës. 
 “Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai. 
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. 

“Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai. 

Në 11 Tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistën për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në konferencën për shtyp  të para 25 viteve – 6 Shkurt 1998 duke u përgjigjur në pyetjet që i bëja theksonte se Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë në Kosovë para se të ndodhë konflikti, ndërsa reagimi si komb i shqiptarëve është normal dhe e drejtë e çdo populli të rrezikuar.

E pyeta se, duke pasur parasysh intensitetin e shpejtësinë e zhvillimeve të rrezikshme në Kosovë, a priten masa të mjaftueshme e me kohë të bashkësisë ndërkombëtare për parandalimin e konfliktit, ndërsa Presidenti Rugova u përgegjegj:

“Ne kemi kërkuar që bashkësia ndërkombatare të intervenojë në Kosovë para se të ndodhin konfrontimet, e jo pasi të ndodhin, sepse do të bëhej vonë, dhe kemi bërë apel që të çmohet ajo që ka sakrifikuar populli i Kosovës për shumë vite që ta evitojë konfliktin. Masat parandaluese ndërkombëtare në radhë të parë duhet të jenë një presion shumë më i madh mbi Beogradin që ka përqëndruar forca të mëdh dhe kërcënon që edhe ushtarakisht ta godasë Kosovën”.

Në pyetjen tjetër që i bëra, se si i komenton deklaratat e politikanëve shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni, etj., për reagim si komb në rast konflikti në Kosovë, presidenti Rugova u përgjegj:  “Është i natyrshëm dhe mëse normal ky qëndrim i Shqipërisë, përkundër vështirësive që ka ajo sot. Shqiptarët janë të organizuar si shtet e si shoqëri edhe në Kosovë, edhe pse nën okupim. Edhe shqiptarët në Maqedoni kanë një organizim, që dita-ditës po përparon më shumë. Kemi tërhequr vërejtjen dhe të gjithëve u është bërë e ditur se po të fillojë diçka, më e keqja, në Kosovë, atëherë i gjithë rajoni do përfshihej, edhe Shqipëria, Maqedonia, Greqia, gjithësesi Serbia,  Mali i Zi dhe vende të tjera. Prandaj, është një kujdes i shtuar i bashkësisë ndërkombëtare”.

Presidenti Rugova i bëri thirrje Beogradit që t’i kthehet dialogut me ndërmjetësim ndërkombëtar për Kosovën, që të  mos e provokojë edhe më tej situatën dhe të ndërpresë dhunën. Ai tërhoqi vërejtjen edhe për seriozitetin e pohimeve se në Vojvodinë (krahinë në Serbi) regjimi serb po rekruton rezervistë për t’i dërguar në Kosovë…

Me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova kam zhvilluar intervista ekskluzive, së pari për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë e pastaj të tjera për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, isha edhe në konferencat e shumëta për shtyp që mbante para, gjatë e pas luftës në Kosovë, ku bëja pyetje e merrja përgjigje, jam takuar edhe në raste të tjera.

Në dokumentarin televiziv “Fakte – Konferencat për Shtyp të Presidentit Rugova”, autori Adnan Merovci – udhëheqësi i Protokollit të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova gjatë viteve ’90-ta dhe deri në vitin 2000, mes gazetarëve të rregulltë që vendin ku do uleshin e kishin thuese të paracaktuar të parin më përmend mua…

Para 24 viteve, në 5 Mars 1999, një takim i Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Doll – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.

Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999,  u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars paralajmëronte nënshkrimin  para 15 Marsit 1999 të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku isha atëherë korrespondent i Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë,  tani korrespondent i Gazetës DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Dhe, vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i  Ditës së Lirisë -12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë,  në vendin që në 2023-tën feston 24 vjetorin e Lirisë e 15 vjetorin e Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

Ashtu si paralajmëronte Presidenti Rugova, në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën, ndërsa Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake për Kosovën të NATO-s, forcës ushtarake më të madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Në 29 Maj 1998, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s…

 Njëmbëdhjetë vite pas takimit në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në Sheshin me Emrin e Shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit historik të Kosovës Rugova, Presidenti Amerikan Clinton shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

 
Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 i hyrjes së NATO-s në Kosovë,  për Presidentin historik e kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ngjarje e vitit 2000 ishin zgjedhjet lokale të 28 Tetorit në Kosovë, ndërsa ngjarja që do ta shënojë vitin 2001 do të jetë mbajtja e zgjedhjeve nacionale presidenciale e parlamentare.

“Të mira, të mira…”, përsëriti disa herë Presidenti Rugova, derisa e pyeta të deklarojë për gazetën Rilindja se cilat janë parashikimet e tij, në prag të Vitit të Ri 2001, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Për njohjen e pavarësisë së Kosovës “e presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksoi Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur”.

Përgjigja u shoqërua me duartrokitje të gazetarëve të pranishëm dhe me urime, në një atmosferë të gëzuar të pritjes së organizuar në Rezidencën e Rugovës në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë.

Ndërsa, duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, Rugova tha: “Unë nuk i ndërroj fjalët shumë, por kur ndryshojnë gjërat i ndryshoj edhe fjalët. Jam duke punuar në ndryshimin e gjërave të mëdha, pra, si pavarësia, etj, që të njihen”.

Presidenti historik Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve.

 “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretarin Amerikan të Shtetit Igëllberger.

 Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 Nëntorit 2002, derisa në atë kohë kur isha kryeredaktor i gazetës historike në fund të Dhjetorit 2002 zhvilloja intervistën ekskluzive për Rilindjen festive të Vitit të Ri.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte Rugova në intervistën ekskluzive që zhvillova në prag të Vitit të Ri 2003 për gazetën Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Edhe tani dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

Presidenti Rugova kaherë theksonte idenë për autostradën Shqipëri-Kosovë, Rrugën e Kombit, nëpër shtigjet e vjetra historike, derisa shprehej se, “nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”.

Me vendimin e Qeverisë kosovare, është emërtuar “Ibrahim Rugova” autostrada në Kosovë, e ndërtuar në vazhdim të autostradës në Shqipëri nga bregdeti shqiptar-Durrësi deri në portën kufitare në Morinë-Vërmicë, mes qytetit të Lidhjes së Prizrenit dhe Kukësit.

Në Tetorin e vitit 2005,  Presidenti Rugova në takim me projektuesit thoshte se se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës tregon se, “ne jemi të aftë të bëjmë dhe mbajmë shtet, dhe se e meritojmë pavarësinë”.

 “Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova në një intervistë tjetër eksluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja, të 12 Shkurtit 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, theksonte Rugova në intervistën eksluzive që në ballinë të gazetës Rilindja kishte kryetitullin: “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.

“Njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova.

Ndërsa, i pyetur për marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, shembull për rajonin dhe se si e shihte të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet euroatlantike, Rugova thoshte:

“Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë-Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë”.

Me rastin e pritjes që më bëri dhe intervistës ekskluzive në prag të 12 Shkurtit 2005 – ditës së 60 vjetorit të gazetës Rilindja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues e Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Kjo ishte intervista e fundit ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga i cili  kam regjistruar edhe deklaratën e fundit  para përfundimit të vitit 2005.

Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

Ibrahim Rugova u lind në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, ndërsa u shua në 21 Janar 2006.

 “Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar në 21 Janar 2006, në mesditë.

 “Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.

Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA

  Para 17 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, ka raportuar se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.

Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 NJERËZ – MË SE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS, NË SALLËN “1 TETORI”, TE VARREZAT E DËSHMORËVE E HERONJËVE TË KOMBIT NË LAGJEN VELANIA NË BREGUN E DIELLIT I SHPREHËN NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE PRESIDENTIT HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA.

Kryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishte BOTA NDEROI e nëntitulli NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE.

Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe pas luftës në Kosovën e lirë: PRESIDENTI RUGOVA PARASHIKOI DHE KRIJOI TË ARDHMEN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARËVE. TRI INTERVISTA EKSKLUZIVE, E PARA PARA 12 VJETËVE.

Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. IBRAHIM RUGOVA President i Kosovës (1944 – 2006).

DR. IBRAHIM RUGOVA PRESIDENT HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRGJITHMONË, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.

KOMEMORACION NË RILINDJE – NDERIMET MË TË LARTA PËR PRESIDENTIN E PAVARËSISË, DR. IBRAHIM RUGOVA

Prishtinë, 24 janar 2006 /TN /QIK – Ndërmarrja Rilindja në një mbledhje komemorative ka shprehur sot nderimet më të larta për Presidentin e Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova.

Presidenti historik i Pavarësisë së Kosovës me penën, fjalën e veprën e tij madhore gjithmonë ishte dhe do të jetë në Rilindje, tha krytetari i Këshillit Drejtues e Kryeredaktori Behlul Jashari, duke përkujtuar se kishte nderin që Dr. Rugovës t’i dhuronte Pllakatin e Jubilet të 60 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës, të shkruar me ar e argjend. Drejtori i Shtypshkronjës Vesel Makolli në fjalën e tij tha se Rilindja, shtypshkronja e saj, ishte botuesi më i madh i librave – veprës së madhe letrare të Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të Kosovës.

Të pranishmit e shumtë në koomemoracion i shprehën ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjes Rugova.

DISA NGA RAPORTIMET E MIA PËR AGJENCINË SHTETËRORE ZYRTARE TË LAJMEVE TË SHQIPËRISË PARA 17 VITEVE, JANAR 2006:

PIKËLLIM I MADH NË CERRCË, TEK MOLIKA E MBJELLË NGA IBRAHIM RUGOVA

– Nga Behlul Jashari –

     PRISHTINË, 22 Janar /ATSH/ – Pikëllim i madh ka rënë në vendlindjen e Presidentit Ibrahim Rugova, në Cerrcë të Istogut, te molika që ai kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë, kur ishte tetë vjeç. Presidenti Rugova vdiq në moshën 61-vjeçare, molika vazhdon të rritet në vendlindjen e tij edhe pas 53 vjetëve.
     Rreth asaj molike u tubuan njerëzit e fshatit, sapo morën lajmin për vdekjen e Presidenti dhe si në një vend të bekuar qëndrojnë të bashkuar edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 30 orë nga lajmi i hidhur. 
     “Me duart e veta e pat mbjellë këtë molikë”, thotë xhaxhai i Ibrahim Rugovës, Ali Rustë Rugova, njeriu që e rriti dhe e shkolloi dhe që sot pret ngushëllime. “A ende e paske molikën time?”, e kishte pyetur Rugova i lumtur xhaxhain  në vizitën e fundit që i bëri vendlindjes.
     Në luftën e fundit, forcat serbe dogjën e rrënuan shtëpitë e familjes Rugova. Aliu tregon me dorë andej ku tani nuk ka më shtëpi dhe thotë: “Në këtë vend ka lindur Ibrahimi, këtu e kemi pasur truallin e shtëpisë”.
     Por historia e familjes Rugova është edhe më e hidhur. Vetëm një muaj pasi lindi, foshnja që e kishin quajtur Ibrahim, mbeti pa babanë: Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, ndërsa më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë i pushkatuan babanë, Ukë Rugovën dhe gjyshin, Rustë Rugovën. Ky i fundit ishte luftëtar i njohur kundër grupeve çetnike që kishin depërtuar gjatë Luftës II Botërore në krahinën e Rugovës.
     “I kanë vra në Kullën e Popit. I vrau OZNA, UDB-ja. As sot nuk ua dimë eshtrat”, tregojnë njerëzit e familjes Rugova. Më e moshuara e Cerrcës, Rabë Rugova, mbi njëqind vjeçe, tregon edhe histori të tjera. “Uka, babai i Ibrahimit, ka pasë lindë pas gjashtë vajzave dhe ishte gëzim i madh për familjen e farefisin. Kur Ukën e vranë, për Ibrahimin u kujdes vëllau im, Aliu, si për djemtë e vet”.
     Në Cerrcë tregojnë se plaka Rabë shpesh çohet edhe natën dhe e puth fotografinë e të nipit, President i Kosovës. Tregojnë edhe histori të tjera. Tregojnë se tek i biri, Uka, Ibrahim Rugova ka përtërirë emrin e të atit, Ukës së vjetër. 
     Bashkë me të tjerët, pret ngushëllime edhe Ajet Hasanaj, shok i fëmijërisë dhe i shkollës i Ibrahim Rugovës. “Ibrahimi ishte i gjithë Kosovës”, flet ai me dhembje të madhe për humbjen e madhe. “Kosova do shkojë përpara edhe pas Rugovës, se ka veprën e tij të madhe. Ibrahim Rugova do mbetet përgjithmonë President i Pavarësisë së Kosovës”, thonë njerëzit në Cerrcë, në vendlindjen e Presidentit Rugova.
/pas/s.s./

KOSOVË, 15 DITË ZI KOMBËTARE PËR PRESIDENTIN RUGOVA
 

     PRISHTINË, 22 janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Këshilli Organizativ i Varrimit të Presidentit Rugova ka shpallur 15 ditë zi kombëtare në Kosovë, duke filluar nga dita e hënë, 23 janar 2006, për nder të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë të shtunën, më 21 janar 2006. 
     Për katër ditë, prej të hënës deri të enjten, në datat 23-26 janar 2006, institucionet arsimore të të gjitha niveleve në Kosovë nuk do të zhvillojnë mësim. 
     Dita e varrimit të Presidentit Rugova, e enjte, më 26 janar 2006, do të jetë ditë kur nuk do të punohet në asnjë institucion. 
     Këshilli Organizativ i Varrimit të Presidentit Rugova njofton se homazhet publike fillojnë nesër, ditë e hënë, më 23 janar 2006, duke filluar nga ora 12:00, në Kuvendin e Kosovës.      
     Qytetarët do të mund të bëjnë homazhe deri në ora 18:00. 
     Në dy ditët e tjera, të martën dhe të mërkurën, orari për homazhe publike do të jetë prej orës 09:00 deri në ora 18:00. Homazhet bëhen edhe paraditën e së enjtes, deri para nisjes së funeralit për në ceremoninë qendrore dhe varrimin, që do të bëhet në Prishtinë. 
     Qytetarët e Kosovës do të mund të shkruhen në Librat e Zisë për Presidentin e Kosovës,  Ibrahim Rugova. 
     Librat do të vendosen në të gjitha komunat e Kosovës, në Bibilotekën Kombëtare dhe Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Ndërkaq, Libri i Zisë për Trupin Diplomatik do të vendoset në Kuvendin e Kosovës./ a.jor. 

PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Zyra e SHBA-së në Prishtinë uli sot (e hënë) flamurin amerikan në gjysmështizë, në nderim të Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë një ceremonie të shkurtër, të drejtuar nga Shefi i Misionit, Philip Goldberg.
     Në fjalën që mbajti me këtë rast, z.Goldberg tha se me ndarjen nga jeta të Presidentit Rugova, Kosova ka humbur një udhëheqës të madh, por edhe SHBA humbi një mik të madh e të përkushtuar. 
     “Në botë nuk ka shumë udhëheqës apo popuj, të cilët kanë aq shumë dashuri dhe respekt për Shtetet e Bashkuara, siç pati Presidenti Rugova dhe siç ka populli i Kosovës. Dhe, për shkak të respektit për të, për miqësinë e tij me Shtetet e Bashkuara dhe respektit për popullin e Kosovës, unë e ndjej se është me vend që edhe ne të ulim flamurin amerikan në gjysmështizë gjatë periudhës së zisë”, tha z. Goldberg. 
     “Kjo ka një domethënie të madhe për ne dhe jam i sigurtë se do të ketë edhe për popullin e Kosovës”, theksoi ai, ndërsa komandanti i njësisë së Marinës së SHBA-së uli flamurin amerikan në gjysmë shtize. 
    Shefi i Misionit Goldberg solli dhe kujtimet e tij të 18 muajve të fundit, nga koha kur ai drejton Zyrën Amerikane në Prishtinë, si dhe të takimit të parë me Presidentitn Rugova, para njëmbëdhjetë vitesh, në Uashington.
    “Veç asaj që ai bëri si udhëheqës – dhe me të vërtetë si një simbol i Kosovës për botën – unë e njoha atë edhe si një njeri shumë të këndshëm dhe të përzemërt”, tha shefi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë, duke propozuar një minutë heshtje në nderim të Presidentit Rugova.
/klod/pas/

GEORGE Ë. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE

-Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës-


     PRISHTINE, 23 Janar /ATSH Behlul Jashari/ – Zyra e Shtypit e SHBA-së në Prishtinë sapo ka shpërndarë për mediat letrën që Presidenti i SHBA-së George Ë. Bush i ka nisur  familjes së Presidentit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës. Në letrën e nisur nga Shtëpia e Bardhë shkruhet: “Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e Kryetarit Ibrahim Rugova. Kryetari Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqë dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës.
     Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare. 
     Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë dhe Laura i shprehim ngushëllimet tona familjes së Kryetarit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës”.

AEROPORTI I PRISHTINËS DO NDIHMOHET EDHE NGA PISTA TE TJERA FQINJE

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Aeroportit të Prishtinës do t’i vijnë në ndihmë edhe disa aeroporte fqinjë, pasi ky i vetëm nuk mund t’i përballojë fluturimet e shumta speciale të delegacioneve që do marrin pjesë në  varrimin e Presidentit Ibrahim Rugova. 
     Zyrtarë të këtij aeroporti thanë sot (e hënë) se kanë shumë kërkesa për ulje dhe se për shkak të kapaciteteve të kufizuara, shumë fluturime do drejtohen për në aeroportin e Shkupit, në Maqedoni. Sipas të njëjtave burime, do shikohen mundësitë që për këtë qëllim të shfrytëzohet edhe një pistë tjetër uljeje afër Gjakovës.
 /pas/

KOSOVE, RRADHË TË GJATA QYTETARËSH PRESIN TË BËJNË HOMAZHE PRANË TRUPIT TË PAJETË TË  PRESIDENTIT RUGOVA 
 
     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Shumë qytetarë kosovarë janë mbledhur sot (e Hënë) para Kuvendit të Kosovës, në pritje për t’i bërë homazhe Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.   
     Shumë prej tyre kanë ardhur nga e gjithë Kosova dhe hapësirat e tjera shqiptare dhe kanë mbushur sheshin Skënderbej dhe rrugën “Nënë Tereza” në Prishtinë.  Qindra qytetarë presin të nënshkruajnë Librat e Zisë, që janë vendosur në Bibliotekën Kombëtare e Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
     Kosova mban zi sot për Presidentin e saj, Ibrahim Rugova, i cili vdiq të shtunën, në moshën 61 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
/s.s./lira/  

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari

Malësia e bashkuar na thërret

January 20, 2023 by s p

Vilson Sinishtaj/

Malësia, atdheu ynë, po përballet sërish me një sfidë jetike. Zëri i mëmëdheut, zëri i nënës sonë, zëri i deshmorve, zëri i shpirtit tonë po na thërret përsëri. Nuk ka zë më të ëmbël se sa zëri i nënës dhe zëri i vendlindjes, prandaj përgjigja e diasporës do të jetë gjithashtu e ëmbël dhe afirmative. Armiku antishqiptar, i cili me dekada ushtroi presion institucional mbi shqiptarët, i rikthehet sërish zgjedhjeve lokale në Malësi. Ishte viti 2019 kur diaspora e pa se duhej një mobilizim dhe bashkatdhetarët tanë nga SHBA-ja, por edhe nga vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët, erdhën për të votuar në zgjedhjet lokale të atij viti. Bashkimi i partive shqiptare të atij viti, bashkimi i idealeve tona, bashkimi mbarëshqiptarë, na dha detyrim moral dhe kombëtar që të vinim në menyrë masive për të votuar. Dhe ne ia arritëm qëllimit. Shqiptarët u bënë Zot shtëpie në vend të vetë. Malësia merr frymë shqip. Malësia nën administrimin e shqiptarëve po përparon në çdo drejtim, duke e zhvilluar vendin me hapa gjigantë krahasuar me të kaluarën. Malësia tani është bërë një vend i preferuar për investime, për projekte, për ndërtim, për sport, për kulturë, për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, për punë dhe për vazhdimin e jetës dhe rritjen e familjes. E gjithë kjo u arrit falë bashkimit të shqiptarëve. Ne në diasporë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve, prandaj po bëjmë hapa organizativë për të shkuar në vendlindje dhe për të votuar si kurrë më parë.

Organizimi në Michigan është par excellence, duke filluar nga shoqatat shqiptare, qendrat fetare dhe grupet e organizuara enkas për këto zgjedhje një nder të cilat ishte edhe vendimtare në zgjedhjet e vitit 2019, si dhe individët. Kater shoqatat shqiptare që veprojnë në Michigan dhe rrjedhin nga trojet e komunës së Tuzit dolën me mbështetje të unifikuar për Forumin shqiptar, duke i ftuar shqiptarët kudo që janë nëpër botë të bëjnë sakrifica për mbrojtjen e atdheut dhe duke cituar Isa Boletinin, “unë jam mirë, kur asht mirë Shqypnia”, diaspora tregon qartë se ata janë mirë vetëm kur bashkatdhetarët dhe atdheu i tyre janë mirë.

Pritet ardhje masive e bashkatdhetarëve nga diaspora për të votuar në Malësi. Shqiptarët, të gjithë së bashku, janë gati të kthehen në atdheun e tyre dhe të votojnë për identitetin dhe shpirtin e tyre, dhe ai është Forumi shqiptar, i përbërë nga bashkimi i partive shqiptare, apo më mirë të themi i përberë nga shqiptarët e bashkuar. Diaspora gjithmonë ka ëndërruar t’i shohë shqiptarët të bashkuar, si në kohën e Skënderbeut, dhe tani që kjo është arritur, diaspora është e gatshme të mbështesë bashkimin shqiptar dhe fitoren unifikuese në çdo mënyrë.

Për ata që nuk janë të njoftuar apo të informuar mbi gjendjen dhe pozitën politiko-shoqërore të shqiptarëve në Mal të Zi dhe në Komunën e Tuzit, shtrohet pyetja pse zgjedhjet lokale në këtë komunë janë ipso facto të rëndësishme për mbarë kombin shqiptar? Fatkeqësisht, përgjigjen e gjejmë në vuajtjet që ka kaluar populli ynë gjatë gjithë kësaj kohe. Sa për fillim, ia vlen të shikojmë shifrat statistikore, sa ishte numri i shqiptarëve në fillim dhe në mes të shekullit të 20-të dhe sa është tani. Fatkeqësisht, një rënie drastike, e cila ishte rezultat i politikës së vazhdueshme shtetërore, qoftë komuniste apo më pas kuazidemokratike, me qëllim shtypjen e shqiptarëve, me synim të asimilimit të tyre, me synim të pakësimit të tyre. Prandaj, presioni i shtetit dhe shpërfillja dhe lënia pas dore e qëllimshme e vendbanimeve ku jetonin dhe jetojnë shqiptarët, detyroi shumë shqiptarë të largohen nga vendi i tyre, për një jete më të mirë, një jetë që të jep të drejtën për të qenë të lirë. Pastaj shqiptarëve u mohua gjuha, gjuha shqipe nuk ishte fare e pranishme në asnjë institucion deri në vitin 2019. Ata qëllimisht dëmtuan edhe sistemin arsimor të shqiptarëve, duke u përpjekur të deformojnë historinë. Përsa i përket flamurit shqiptar, as që bëhëj fjalë, u deshtë të pritej deri në vitin 2020 që të fitohej nje farë drejte e kufizuar. Madje, shqiptarët u përpoqën t’i bënin edhe terroristë, përmes “Fluturimit të shqiponjës”, aksionit famëkeq të montuar politik, ku shqiptarët u burgosën padrejtësisht, ku i vetmi “faj” i tyre ishte se ishin shqiptar. Prandaj është e një rëndësie vendimtare që edhe shtetet tona shqiptare të informohen për nevojat e Malësisë

Nën ombrellën e institucioneve shtetërore, u nxit përçarja dhe ndarja artificiale mes shqiptarëve, të cilës shqiptarët u përgjigjen më së miri me bashkim dhe unitet vëllazërorë. 

Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për mbarë popullin shqiptar. Më 5 mars, shqiptarët zgjedhin mes vëllait dhe urrejtësit, midis gjuhës shqipe dhe gjuhës së huaj, midis flamurit shqiptar dhe flamurit të Knjazit, midis Skënderbeut dhe Hamza Kastriotit, midis atdheut dhe kuinslingëve, midis nënës dhe njerkës, midis ruajtjes së identitetit dhe asimilimit. Prandaj shpresojmë dhe presim që shtetët tona shqiptare të na mbështesin në këtë mision të shenjtë, ashtu siç na kanë suportuar 4 vite më parë.

Jemi më se krenarë që organizimi i diasporës për këto zgjedhje është një nga organizimet sui generis më të shkëlqyera shqiptare të shekullit të 21-të, sepse numri i bashkatdhetarëve tanë nga diaspora që do të vijnë në Malësi do të jetë aq i madh sa e gjithë Malësia do të lulëzojë në ngjyrat kuq dhe zi. Është koha që ata që janë kundër gjuhës shqipe, kundër identitetit shqiptar, kundër kthimit të tokave shqiptare, ata që përpiqen të ndajnë vëllanë me vëlla, ata që duan të pakësojnë numrin e shqiptarëve, ata që duan të getoizojnë Malesinë, që përfundimisht të shkojnë në anën e errët dhe të harruar të historisë. Malësia dhe Malësorët janë të bashkuar dhe unik dhe shqipëtaret e bashkuar asnjeherë nuk kanë dështuar. Ftojmë të gjithë popullin shqiptar të festojmë së bashku fitoren e Forumit shqiptar më 5 mars në Malësine tonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: vilson sinishtaj

Kryetari i Vatrës emërohet Këshilltar për Çështjet e Ballkanit nga David Phillips

January 19, 2023 by s p

Miku i madh i shqiptarëve, Prof. David Phillips lajmëroi se kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA Ph.D. Elmi Berisha është emëruar Këshilltar për Çështjet e Ballkanit. Posti që do të mbajë z.Berisha është: Senior Adviser for Balkan Issues to the Director of the Program on Peacebuilding and Human Rights at Columbia University. Z.Berisha deklaroi se: “Ky është motiv shtesë që të angazhohem edhe më shumë në prosperitetin e trojeve etnike shqiptare në veçanti dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi nga ky institucion akademik prestigjioz. Puna në shërbim të komunitetit, çështjes kombëtare dhe kombit shqiptar do të jetë misioni dhe angazhimi im i përjetshëm”. Ky sukses dhe angazhim i shtuar është vazhdimësi e punës diplomatike e patriotike nga koha e Presidentit Historik Dr.Rugova, ku z.Berisha prej afro tri dekadash shërben si veprimtar i çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 141
  • 142
  • 143
  • 144
  • 145
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT