• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SE BETEJAT O FITOHEN O HUMBEN…

March 10, 2022 by s p

Frano Kulli/

Pas zgjedhjeve të pjesëshme në gjashtë bashki të Shqipërisë, ku partia demokratike, në krye të së cilës, ju zoti Basha jeni prej tetë vjetësh nëpër nëntë, deklaruat, se “unë nuk kam humbur asnjë betejë”. Ti nuk ke humbë asnjë betejë ?!…Nuk e di se ç’betejës suaj mund t’i shkonte kjo deklaratë, se edhe nuk dihet se ç’betejë tjetër, përveç pjesëmarrjes në fushata elektorale ju ka rastisur të merrni pjesë, po sa për betejat elektorale, ju i keni humbur të gjitha. Po të gjitha, të gjitha. Kjo s’don mend as kalem e është e dukshme në dritë të diellit, zoti Basha.Fundja numëro një që ke fituar. Se betejat o fitohen o humben.

            -M’i kanë vjedhur-thatë ju, duke dashur të përforconi deklaratën tuaj me themele në akull dhe pohuat se do të vijoni të qëndroni përsëri në krye. (Në krye të humbjes, sigurisht). Dhe thatë se këtë do ta bëni për Shqipërinë…Po për cilën Shqipëri ? Gjasme po doni me thanë se jeni kaq i dobishëm për Shqipërinë se Shqipëria s’ban pa ju ? Me të vërtetë e besoni ju këtë që thoni ?…

            Më vjen me e përmendë jo rrallëherë një rrëfim të at Anton Harapit, i botuar in memoriam, në “Gjergj Fishta-botim përkujtimuer 1941”. Tregon padër Antoni: “Kam ndodhë vetë aty kur nji shqiptar i vjetër, tue u ankue një ditë me At Fishtën për shpërdorime të disa nënpunsave të shtetit, gadi si i dishpruem i thotë: “Pater Gjergj, shporru Shqipniet, persé (sepse) Shqipni nuk ka!” Fishta, i prekun prej shfrimit të plakut edhe i zemruem, por jo i trazuam, po don t’ia spjegojë bashkëfolësit se njerzit e shtetit s’janë Shqipnia… E atëherë plaku, për me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë Fishtës: “Po na s’e kemi ditë mor Zotni, veç prej jush e kemi mësue se shka asht Shqipnia… “

            Biseda e kahershme është bërë në vitin 1923, pra është e 99 viteve më parë, periudhë në të cilën kjo Shqipëria jonë ka kaluar nëpër tri forma të shtetit të vet të pavarur, sistemi demokratik i atyre viteve qyshkur prej vitit 1921 është mbledhë Parlamenti i parë (Asamble Kushtetuese), mbas 1924 kur vendoset regjimi monarkik, pas 1944 e deri në vitin 1990 regjimi despotik e obskurantist komunist, më i egri i regjimeve të përbotshme dhe prej andej e deri këtu, jemi në sistemin pluripartiak demokratik. Së paku, në formë kështu. Se në thelb, si mendësi e si veprim demokratik, jemi atje ku ishim atëherë. Në 1923-shin pra!

            Prijësat këtu, njerëzit e politikës e të shtetit, prapë e quajnë veten se janë Shqipëria. Dhe thonë se pa ata Shqipëria s’bën. Ani pse, ata na kanë bërë me dije prej kohësh, se janë ndër më fort faqezinjtë sesa zbardhafaqësit e Shqipërisë. Ashtu si dikur edhe sot, “rrugaçat, sallahanat, vagabondat, shakllabanat, rriqnat e ndyet, mikrobt e kqi, që të mjerës moj Shqipni, kthelltë hi i kanë n’mushkni, pa dhimbë gjakun tuj ia pi”. E ju, zoti Basha po na thokeni se për Shqipërinë do të jeni prap në rradhën e parë të prijësave?! Edhe pse ndër prijësat ju jeni shfaqë si udhëheqësia më e dobët  e politikës krejt pak të dobishme shqiptare. Ju jeni njëri ndër dëmtorët e mëdhenj të Shqipërisë, Zoti Basha. Dhe dëmi juaj i madh, më i madhi dëm që i është bërë demokracisë në Shqipëri në këtë dekadën e fundit dhe që ia keni bërë ju është shpartallimi i opozicionit politik. Ju, me veprimin e mosveprimin tuaj si prijësi politik e keni gjymtuar demokracinë premature shqiptare. Dhe sot, prej kësaj ajo është më e dobët se kurrë. Shpresa e shqiptarëve sot është më e rrënuar se kurrë, shpresa për të ardhmen gati e paqenë, siguria për të e frikëshme.Mungesa e opozicionit është asfiksia e sistemit demokratik,kjo është e ditur e herëshme. Dhe ju jeni kontribues shembullor për gjithsa më sipër po themi, zotëri.Kurrë ne nuk mund të gjendeshim në këtë autokraci qeverisëse, nën dhunën e papërgjegjësisë së njëshit sot pa mbështetjen sistematike që ju, në krye të opozicionit politik, i keni dhënë asaj.

            Ndaj sot, më tepër se kurrë duhet t’ia kujtojnë e rikujtojnë zotit Basha se në politikë ka hyrë me katapultë, i reklamuar si një yll, gati dy dekada më parë. Por i ndriçuar prej një tjetër planeti dritërues… Trajektorja e përvojës së tij politike ka qenë gjithnjë nën aureolën e “engjëllit të tij mbrojtës”. Fati i ka buzëqeshur si kërkujt tjetër në demokracinë tonë, e cila po plaket e brishtë, ku hierarkinë e vlerave e bën njëshi dhe jo demos-i (populli). E gjithë karriera e tij ka kaluar, gjithherë nëpër maje; deputet dhe fill ministër, ministër, kryetar, kryetar… Gjithmonë me bekimin e engjëllit mbrojtës… Dhe kur i erdhi radha e vendimeve të mëdha gaboi. Gaboi në 2017,gaboi në 2019, gaboi në 2020-tën, gaboi në 2021. Së fundi, gaboi se deshi të këpusë fillin që e mbante lidhë me “engjëllin mbrojtës”.

            I duhet kujtuar, sot më shumë se kurrë se betejat e tij kanë qenë lojcake, kanë qenë të faluna e  nuk kanë qenë kurrë beteja. Ndaj ai nuk e dallon mirë as humbjen prej fitores në betejë…

            Gjithësesi kjo është punë për të e ta bëjë si të dojë. Ai dhe ata që e mbajnë. Po sa për Shqipërinë,…mos rri, po ik me vrap, zoti Basha. Ti, duhet të kishe ikë para se të vije, për të mirën e Shqipërisë. Unë për vedi e kam menduar e thënë këtë, me gojë e me shkrim, qysh kur ti ke ardhë.

Filed Under: Analiza

Në politikë vlera matet në administrimin e humbjes!

March 9, 2022 by s p

Bujar Leskaj/

Në politikë vlera matet në administrimin e humbjes! Kur fiton merr përsipër përgjegjësinë dhe peshën e fitores e përgjegjësisë. Kur humbet qëndron pas dhe ndjek vendimet e shumicës. Nuk hedh gurë. Këtë përcaktojnë rregullat e demokracisë dhe rregullat e moralit dhe etikës. Në politikë madhështia e liderit matet dhe duket jo tek fitorja, por tek administrimi i humbjes. Një humbje në politikë nuk sjell fundin e botës. Por analiza realiste e gjakftohtë dhe administrimi i humbjes, në rast se është realiste mundet të sjellë fundin e gabimeve, ose, në rast se është katastrofike mundet të sjellë një dëm edhe më të madh nga vetë humbja dhe fundin e një epoke.Në demokraci opozita është pasqyra ku pozita duhet të shikojë veten e të korrigjohet.Sot demokratët gjenden përpara një udhëkryqi jashtëzakonisht të vështirë dhe një dileme të vërtetë ekzistenciale, sepse dëmi që i është bërë opozitarizmit dhe demokracisë në Shqipëri është shumë i rëndë.Demokratët duhet të fillojnë menjëherë dhe pa asnjë paragjykim procesin e vështirë, por të domosdoshëm të bashkimit. Asnjëra palë nuk duhet të anatemojë, intimidojë apo paragjykojë palën tjetër. As të flasë me “arrogancën” e “fituesit”.Përkundrazi!Mos të harrojmë, “përballë” nuk duhet të jenë ata demokratë që dje ishin përkrah dhe duhet që nesër të jenë bashkë me ne kundër kundërshtarit të vërtetë të demokratëve dhe shqiptarëve. Në fund të fundit, pavarësisht divergjencave kundërshtari i vërtetë sot është grabitësi i zgjedhjeve të 25 prillit, Rama dhe sekti i tij, që ka kapur për gryke dhe po mban peng Shqipërinë, të ardhmen e saj, ekonominë, mirëqenien dhe perspektivën e shqiptarëve.Natyrisht, këtë sekt në qeveri, e rrëzon vetëm një Parti Demokratike, e bashkuar, e hapur, e fortë; e cila do të përthithë të gjitha forcat progresiste dhe të funksionojë në bazë të njohjes së fraksioneve dhe pranimit të mendimit ndryshe.Procesi i bashkimit në PD duhet të vijë pa sforco, por duke pasur disa parime elementare të demokracisë: institucionin e dorëheqjes, votën e lirë dhe dhënien vlerë asaj, primaret, meritokracinë dhe duke shmangur gjuhën e urrejtjes dhe përçarjen e bazës.Modeli i primareve duhet të implementohet në çdo strukturë të Partisë Demokratike, vertikalisht nga poshtë- lart dhe jo nga kryetari në bazë. Primaret, të iniciuara e zbatuara nga Foltorja, duhet të thellohen me kritere të qarta meritokracisë, politike, intelektuale, qytetare dhe të shërbejnë si model politik për të gjithë në të ardhmen.Gjatë gjithë kësaj kohe mendjet e ftohta kanë këmbëngulur jo te përçarja, por tek bashkimi i PD.Dhe bashkimi në Partinë Demokratike si proces duhet të nisë sa më shpejt, në të kundërt rrezikohet seriozisht opozitarizmi dhe vetë Demokracia. Partisë Demokratike nuk i tepron asnjë demokrat!

Filed Under: Analiza

Nikollë Camaj, kryetari i LDSH telegram urimi kryetarit të Vatrës Elmi Berisha

March 7, 2022 by s p

I nderuari z. Elmi,

Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike Shqiptare, të cilën e drejtoj, ju përgëzoj për rizgjedhjen në postin e kryetarit të Federatës Panshqiptare Vatra. Jam më se i sigurt se devotshmëria juaj në drejtimin e kësaj vatre kombëtare, si edhe deri më tani, do të jetë në të mirë të Vatrës, komunitetit dhe të krejt shqiptarëve. Linja kombëtare Vatrës kurrë nuk i ka munguar, por me ju në krye është përforcuar edhe më tepër. Është nder e privilegj, por edhe obligim, të drejtoni një Federatë me traditë qindvjeçare, të drejtuar nga figura të ndritura të kombit tonë, dhe kjo, edhe figurës suaj, me mënyrën si po e drejtoni, i siguron vendin në sofrën e burrave të kombit.

Ju prift e mbara!

Me respekt,

Nikollë Camaj

Filed Under: Analiza

E THUKËT, KUNDËRVEPRUESE, E VENDOSUR: ËSHTË EVROPA QË DUHET

March 7, 2022 by s p

Nga WALTER VELTRONI/

Në zemrën e mësymjes së një Vëndi sovran, nën kërcënimin e një lufte bërthamore, me një milion të ikur, qytete të rrethuar dhe fëmijë të vrarë, me gra atdhetare që organizojnë mbrojtjen e tokës së tyre, me gërmadhat e shtëpive e të shpirtërave mbi tokë, Evropa dhe Perëndimi po na japin shënja të një gjallësie të dëshpëruar, të zgjimit e të ndryshimit. Tani nuk e dijmë nëse mjafton. Por ai që e ka filluar këtë veprim kriminal merrte me mënd se ai n’Evropë do të kishte shkaktuar ndarje t’ahpra e do të kishte pjellë, së shumti, ndonjë komunikatë proteste dhe ndonjë sanksion të butë. Siç qe më së fundi me bashkëngjitjen e Krimesë.

Ndërsa kësaj here Perëndimi dijti të kundërveprojë dhe Evropa të tregohet e thukët. Sanksionet nuk kanë qënë ujë trëndafili, evropianët nuk janë frikësuar nga llogaritja e ndonjë flijimi të mëtejshëm. U punua , nga ana e qeverive në një sinergji të përgjithëshme, siç tregon vendimi i mbylljes së hapësirës ajrore, ose ai i mbështetjes, jo vetëm me fjalë, të qëndresës ukrainase. U lanë mënjanë ndarjet mbi temën e të mërguarvet dhe u hap një garë prekëse ndërmjet kujt do t’i priste me më shumë bujari ata evropianë në ikje nga lufta. 

Gjermanët kanë tejkaluar caqet që i kishin vënë vetes mbas luftës së dytë botërore. Është e rëndësishme që këtë e bëri një kançelar socialdemokrat, në krye të një koalicioni me liberalët e të gjelbërit. Anglezët kanë parë me kthjelltësi rrezikun e kanë qënë në një mëndje me Evropën, në të cilën, dashje o pa dashje, ndjehen pjesë. Polonia, Hungaria, deri tani nuk kanë luajtur ndeshje të ndara. Deri edhe Suedia e Finlanda, historikisht të pandjeshme, kanë kthyer vështrimin nga NATO.

Nëse një nga pasojat shtyrëse të kësaj mësymjeje kriminale duhej t’ishte për të ndarë Evropën dhe frikësuar Perëndimin, nuk ka pasur asnjë efekt. Sot i veçuar nuk duket ai që është sulmuar, por ai që ka sulmuar. Nuk është pak. Nuk ishte e sigurtë.    

Por të themi të vërtetën: thënia për Evropën e dobët e të pasigurtë, shpesh e pathemeltë, ishte krisur nga kundërveprimi i institucioneve kontinentale kundrejt pandemisë. Nuk u ndigjua vetmia n’atë krizë. Mekanizmi i “mbështetjes së ndërsjelltë”, që shkrepi me një shpejtësi të pazakontë, u dha mundësi ekonomive kombëtare të merrnin frymë e të përballonin çmimin e frikshëm, njerëzor e shoqëror që shkaktoi virusi.

Evropa, e udhëhequr nga një grua, nuk ka qënë kurrë kaq e bashkuar dhe nuk ka treguar kurrë kaq frymë e aftësi zgjeruese si në këto dy kriza, që rrezikojnë të shkatërrojnë arkitekturën e përbashkët dhe të çligjësojnë Perëndimin si vënd demokracie, lirie e paqeje. Vlejnë fjalët e Mario Dragit në Parlament: “Nuk mund të lemë që n’Evropë të kthehet një sistem në të cilin kufijtë të përcaktohen me forcë e ku lufta të jetë një mënyrë e pranueshme për të zgjeruar zonën e ndikimit. Respektimi i sovranitetit demokratik është një kusht i bazës së një paqeje të qëndrueshme”.

Në parathënien e botimit të vitit 1944, Manfesti i Ventotenes, i shkruar ndërsa Evropa digjej e ndarë, tregonte rrugën e një utopie mbikombëtare – atëherë ishte sigurisht e tillë – që u sendërtua plotësisht: “Të tillë parime mund të përmblidhen në pikat e mëposhtëme: ushtri e përbashkët federale, bashkim monetar, heqje e gardheve doganorë e të kufizimeve të mërgimit ndërmjet shteteve pjesëmarrës në Federatë, përfaqësi e drejtpërdrejtë e qytetarëve në kuvendet federale, politikë të jashtëme të përbashkët”.

Nga gjashtë synime t’ëndërruar nga ai internim, katër tashmë janë të sendërtuar. Dy të tjerët, politika e jashtëme dhe e mbrojtjes të përbashkëta, kanë marrë në këta muaj një shtysë të fuqishme. Nuk njohim sot përfundimin e kësaj krize, që është edhe kundërvënia e dy ideve të qeverimit të bashkësisë e të marrëdhënieve ndërkombëtare. asaj të “demokraturës” që i kufizon në siguri thjesht formale liritë – sa gjatë Evropa ka bërë sikur nuk i shihte në disa Vënde kundërshtarët e arrestuar ose të zhdukur dhe kundërshtinë të shtypur! – e zhvendos ndyrësisht barazpeshën vendim-marrëse mbi figurën e një kreu autoritar e n’atë të demokracive të papërsosura e të çala të kontrolluara, do t’ishte një gabim të mos jemi të vetëdishëm për paqeverisshmërinë e mungesën e identiteteve të forta politike. Demokraci të drobitura nga helmi i populizmit dhe i kundër evropianizmit. Në kllapinë e muajve të shkuar gjithshka dukej e pranueshme: dalja nga Euro, mbështetja jelekëve të verdhë, Putini i ngritur në model të udhëheqësit liberal. Të gjitha gjëra që tani janë mbas krahëve tonë, dhe është mirë kështu. Është një fakt pohenik, nuk duhet të jetë sot lëndë e një propagande përçarëse.

Demokracia, bijë e vuajtjes dhe e gjakut evropian të Nëntëqindit, tregoi aftësi kundërveprimi.

Joe Biden, në mungesën e përgjithëshme të interesit, foli muaj më parë për nevojën e një aleance të demokracive. Sepse synimi i vërtetë i shumë proçeseve në veprim, përfshirë edhe këtë luftë absurde, është pikërisht zëvëndësimi i demokracisë me të tjera forma qeverish, të llojit autokratik.

Jemi të zhytur në një krizë në të cilën nuk do të kishim dashur kurrë të jetonim, në dyert e diçkaje dramatike e të panjohur. E për të cilën duhet të shpresojmë se do të zgjidhet me armët e bisedimeve, të vetmit e mundëshëm. Ajo zgjidhja paqësore e kërkuar nga të gjithë njerëzit e vetëdijshëm. Por ka edhe një tjetër arsye themelore në këtë kundërveprim të papritur ndaj agresionit. Është zbritja në fushë e opinionit publik në të gjithë botën. Vlerat e paqes, të mbrojtjes së lirive, mospranimi i autoritarizmit, kanë çuar milionë njerëz të manifestojnë, të luten, të protestojnë. Ose, siç kanë bërë të rinj, artistë dhe personalitete të sportit ose t’ekonomisë ruse të marrin qëndrime shpesh të rrezikëshme për vetë sigurinë e tyre.

Dukej gjithshka e mbaruar, dukej se qënieve njerëzore të këtyre kohëve nuk i mbetej tjetër veçse të ishin spektatorë. Përkundrazi, pyetjes së dytë retorike – ku janë paqësorët? – këtë herë i janë përgjigjur në tërë botën një lëvizje njerëzish, sidomos të rinj, që nuk kanë praktikuar ideologjizma të një tjetër kohe, të rehatëshme, të barazlarguar e tjetërsime ngushulluese.

Miliona qënie njerëzore që janë rrjeshtuar për liritë e paqen, në këtë kohë të çoroditur e të rrezikëshme.

“Corriere della Sera” 3 mars 2022    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza

Prelud i luftes ne Ukraine

March 7, 2022 by s p

Jani Gjoni/

Une nuk besoja se Rusia do te sulmonte Ukrainen megjithese presidenti i SHBA po deklaronte se sulmi do te fillonte ne 48 ore e me pas ne 24 ore, nderkohe qe Putin e mohonte kete ne menyre kategorike dhe publikisht. 

Po perse une nuk e besoja?

Do te mundohem te permbledh arsyet te cilat me cuan ne ate konkluzion.

. Rusia i kshte kapacitetet ushtarake per te realizuar nje sulm ushtarak me sukses ne Ukraine.

. Kercenimi i Putinit per nderhyrje me force ne Ukraine me dukej si forma me e larte e presionit nderkombetar per te perfituar maksimalisht ne kerkesat qe parashtroi.

. Ekonomikisht Rusia nuk eshte ne gjendje te perballoje nje lufte te gjate edhe sikur te mos kete embargo nderkombetare. Ajo nuk eshte nje shtet i zhvilluar, eshte thjesht nje gas station.

. Financiarisht Rusia e ka te pamundur perballimin e kostove qe krijohen nga lufta. Ajo financiohet vetem nga shitja e produkteve natyrale te pa perpunuara.

. Politikisht nuk perfiton asgje me nderyhrje ushtarake ne mes te Evropes. Asnje lloj mbeshtetje nga askush dhe asnje simpati pervec popullit serb.

. Globalisht Rusia nuk ka aleanca te qendrueshme me shtete te konsoliduara ekonomikisht e ushtarakisht pervec Kines qe kerkon te perfitoje nga cdo konflikt ne Evrope apo kudo tjeter ne bote.

. Historikisht, te dyja palet ne konflikt humbasin, pushtimet gjithnje kane qene te perkohshme panevaresisht nga suksesi ne lufte. E pamundur te mbash nje shtet apo komb nen thunder pergjithmone.

Kjo ishte linja e te menduarit perpara fillimit te veprimeve ushtarake nga ana e Rusise. Ndonjehere me ngacmonte llogjika se perendimi e donte kete ingranim te Rusise ne Ukraine. Me poshte do te shpreh ndonje ide se perse me dukej edhe keshtu. Pra, nuk shikoja arsye thelbesore per te filluar nje lufte, ndoshta arsyetimet e shumta dhe te thella te cojne larg realitetit per te dalluar pretekset nga arsyet e verteta, ato jane gjithnje feminore ne pamje sepse behen per propogande. Nderkohe, lufta ka filluar dhe analizat fillojne me perplasjet e ideve e mendimeve per te zbuluar te verteten.

Fillimi i agresionit Rus ne Ukraine.

Opinioni i pergjithshem ne media dhe nga shume specialiste politik e ushtarak ishte se forcat ruse do te pushtonin Kievin dhe qytetet kryesore me nje lufte rrufe brenda 24 – 48 oreve.

Nuk ndodhi dhe akoma sot pas 12 ditesh nuk ka ndodhur. Perse?

Le te bejme nje parashtrim para se te japim arsyet qe kane ndikuar ne mos realizimin e objektivave ushtarake.

Deri me sot po shikojme forcat ruse duke u perballur me popullsine civile, me shkaterrimin e ndertesave rrugeve, e objekteve te tjera ne qytete. Natyrshem vjen pyetja “kjo eshte lufta?”, po c’eshte lufta?

Eshte lufte ? Le te arsyetojme mbi faktet.

Putini dekelaroi se eshte “Operacion Special Ushtarak” me dy objektiva startegjik:

“denazifikimin e shoqerise ukrainase dhe demilitarizimin e vendit” me vone ato u ndryshuan dhe vazhdojne te ndryshojne. Sot Putin kerkon:njohjen e Krimese, te dy republikave te reja dhe neutralitetin e Ukraines (kurre te mos hyje ne NATO).

Generali Prussian Carl von Clausewitz na meson se: ”Lufta eshte nje akt force per te detyruar amikun ti nenshtrohet kerkesave tona” dhe “Lufta eshte vazhdimi i politikes me mjete te tjera”

Duke analizuar me arsyetimin e Clausewitz shohim se eshte Lufte.

Po perse eshte termi “Special” (Operacion Special Ushtarak)?

Mendoj se eshte bere me qellimin per te maskuar luften e hapur per pushtimin e Ukraines si dhe te parandalonte kryengritjen popullore deri ne arritjen e objektivave ushtarake. Pra me pak fjale, nuk kemi problem me popullin ukrainas, por vetem me nazistet (duke revokuar sentimentet e Luftes se Dyte Boterore, ku te dy popujt luftuan sebashku) dhe me regjimin e droguar e degjeneruar qe po shkaterron jo vetem ruste ne Ukraine por te gjithe popullin. “Ne jemi clirimtaret!”

Psikologjikisht eshte perpunuar me kujdes por nuk funksionoi. Perse?

Ky “Operacion Special Ushtarak” u mendua te imitonte veprimin e ushtrise amerikane ne Irak, Afganistan, Siri me nderhyrje kirurgjikale dhe pa shume collateral. Perse deshtuan? Per kete duhet te bejme nje analize me gjykime ushtarake. 

Shume ushtarake te larte nga vende te ndryshme kane dhene mendimet e tyre rreth luftes ne Ukraine. Une po mundohem te bej nje permbledhje pa reference duke perfshire edhe mendimin tim per kete konflikt.

. Generalship, ose kendveshtrimi politiko ushtark me i larte ne Rusi nuk ishte ne nivelin e reliteteve te kohes. 

Ne rrafshin startegjik:

-Drejtuesit e larte ushtarak perfaqesojne doktrinen ushtarake te luftes se ftohte me perplasje klasike forcash ne fushebeteje.

-Inteligjenca Ruse u bazua ne informacione te gabuara dhe jo realiste.

-Nuk planifikuan luften mediatike ose deshtuan plotesisht ne ate qe ndertuan per te fituar zemrat e njerezve, te opinionit te gjere. E kunderta u vertetua “urrejtja” per Rusine.

-Drejtimi dhe komandimi nuk arriti kordinimin e nevojshem te forcave ne veprime luftarake. Ato ngelen pa lidhje, te shperndara dhe pa kohezion.

-Nuk rrealizuan “gravitetin” ne perqendrimin e forcave por is shperndane ne 4-5 drejtime te dryshme.

-Planizim i dobet llogjistik, mungesa ne furnizime me karburant, ushqime, armatim etj.

-Nuk realizuan “air supremacy” kontrollin e hapesires ajrore.

Ne rrafshin Operacional dhe Taktik:

-Planizim shume i dobet me formacione te ngurta, pa hapesira dhe objektiva konkrete.

-Kollona te stergjatura e te trasha ne gjithe gjeresine e rruges qe nuk krijon asnje mundesi                                                             manovrimi te forcave ne veprime luftarake. 

-Pergatitja dhe Trajnimi i dobet i forcave perpara se te hynin ne veprime luftarake. Afersisht 75% e tyre eshte rekrute, jo profesioniste.

-Mungesa e moralit dhe inspirimit te tyre.

Dy jane elementet mbi te cilat ushtria Ruse mbeshtetet (fuqia e madhe e Zjarrit dhe Manovra te shpejta me mjete te mekanizuara e tanke). Te dyja keto nuk u shfrytzuan sepse ruset prisnin perballjen me formacionet e ushtrise ukrainase, por u detyruan te ballafaqohen me luften urbane qe konsiderohet si “lufte me intesitet te ulet”.

Planifikimi i ushtrise ukrainase synoi te terhiqte forcat ruse ne perplasje me popullin ukrainas qe te realizonte kryengritjen popullore, unitetin kombetar dhe urrejtjen ndaj agresorit qe e realizuan me shume sukses. Gje qe nuk ishte parashikuar nga shtabi i forcave ruse.

Lidershipi ushtarak Ukrainas u tregua is suksesshem si ne planin startegjik edhe ne ate operacional e taktik. 

Udheheqesit politik te Ukraines u treguan teper aktiv, si ne planin nderkombetar per te krijuar perkrahjen e nevojshme edhe ne ate te brendshem per forcimin e unitetit kombetar dhe formimin e moralit te larte. Komunikimi live virtual pati nje impact te larte simpatizues dhe inspirues duke fituar luften per opinionin publik. Kjo fitore ka ndikuar edhe ne opinionin public rus, protestat kunder luftes ne Rusi po rriten nga dita ne dite megjithese nuk eshte ne nivelin kritik. Ai do te arrije atje pasi arkivolet me ushtaret e vrare te zgjojne shpirtin dhe mendjet e trazuara nga propoanda shteterore.

E fundit qe do doja te debatojme eshte Elita Ruse! Cilat jane Opsionet e saj?

Historikisht Elita Ruse ka qene ne anen e gubernes, asnjehere ne anen e popullit. Perse?

Sepse aje eshte krijuar nga vete qeveria me korrupsion e padrejtesi. Kjo eshte oligarkia e sotme “Elita Ruse”. Ajo nuk eshte e panvarur e meritokratike prandaj eshte e detyruar te mbeshtese Putinin dhe rregjimin e tij ne Rusi. Rusia nuk eshte demokraci panvaresisht se bejne zgjedhje, ato jane farse. 

Vetem Demokracia ofron premisat, kushtet dhe mundesite per ndertimin e nje shoqerie te shendetshme, nje shtrese te mesme dhe ate elite kurajoze e dinjitoze qe mund ti kundervihen gubernes ne cdo kohe qe nuk eshte ne linje me interesat publike.

Pytje ne vazhdim:

  1. A eshte ky konflikt fillimi I Luftes se Trete Boterore?
  2. A do pe pershkallezohet ne perdorimin e armeve berthamore?

Jani Gjoni

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 202
  • 203
  • 204
  • 205
  • 206
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT