• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A MUNDET ME PËRPARUE NJI POPULL NË KUSHTET E MUNGESËS SË NJI STRATEGJIE EDUKUESE?

December 30, 2021 by s p

Filip Guraziu

A egziston strategjia  e edukimit ‘ të brezit të ri në shqipni ?

‘Njeriu’ përban  elementin ma të randësishëm të platformës  së  zhvillimit të  nji shoqnie. Mundesh me investue shuma të mëdhaja për zhvillimin e nji vendi; me ndërtue rrugë, ura , tunele,  etj., por çdo gja mbrapa nuk ka me funksionue si duhet,  nëqoftëse  ‘njeriu’ që i shfrytëzon dhe i përdoron ato vepra nuk ka me qenë i edukuem e kjo, jo vetëm në aspektin  tekniko- profesional , por kryesisht  në aspektin  moral, human dhe  patriotik. Përvoja historike në kët drejtim na jep me kuptue se shoqnia shqiptare nuk mundet me qenë e shëndetëshme dhe e sigurtë në zhvillimin e  përparimin e sajë drejt mirëqenies, nëqoftëse ‘sektori i edukimit’ ku trajtohet brezi i ri nuk ka si udhërrëfyes nji strategji të mirëmendueme  e cila  mëshiron kërkesat e normave morale bashkëkohore që kushtëzon e ardhmja europiane.

Po a egziston kjo strategji në Shqipninë post komuniste? Ndoshta gabohem, por personalishi as nuk e shoh, as nuk e dalloj dhe as nuk e kuptoj egzistencen e kësaj strategjie ! Objektivi  i strategjisë edukuese të nji populli, na radhë të parë, duhet me qenë  “bashkimi shpirtnor kombëtar”, në lidhje me kët objektiv shqiptarët sot përjetojnë mometin ma të vështirë   në historinë e tyne. Ma poshtë shembuj, për aq sa lejon hapsina e nji shkrimi gazetaresk :

a. Dekomunistizimi i shoqnisë shqiptare asht realizue vetem teorikisht për demagogji, në raport me te tretët, me  ato që ” gjoja” na kërkojnë llogari, kurse në praktikë veprohet krejtësisht ndryshe… Interpretimi jo i drejtë dhe i qëllimshëm  i historisë vazhdon me përça shqiptarët dhe shorjenton edukimin patriotik të brezit të ri sidomos në fushën e edukimit shkollor. Kujtoj:  Glorifikimin publik të diktatorit kriminel Enver Hoxha, sot mbas 30 vjetëve të përmbysjes se diktaturës komuniste, që përban  njollë  turpi për demokracinë shqiptare. Kujtoj gjithashtu se ende sot mbas 30 vjetëve përmbysje të diktaturës, të gjithë ” Herojt ideologjikë të diktaturës komuniste” nderohen si ” Heroj të Kombit Shqiptar” ! Nuk dëshiroj të keqkuptohem: Duhen  respektue e nderue sakrificat e reparteve partizane dhe nacionaliste për luftën e tyne kundër okupatorëve ku dhanë jetën shumë e shumë të rij shqiptar idealista, por nuk munden me qenë ” Hero  të Kombit” ato që nuk dhanë jeten në luftë kundër okupatorëve, por vdiqën në luftën civile  vëllavrasëse ndërmjet shqiptarëve për mbrojtjen e idealeve komuniste ose për shkaqe natyrore gjatë jetës së tyne ( shembujt janë të shumtë).                                                                                                                                 .       Shqiptarët e përmbysën komunizmin tue hedhë në kazanin e plehnave propogandën  imorale të ‘luftës së klasave’ e cila ushqente urrejtjen klasore e përbuzjen për klerikët e intelektualët nacionalistë  që konsideroheshin “armiq të klasës”. Sot në demokraci, shqiptarët mburren për qendrimin moralo-patriotik të klerikve të cilët me besimin në Zot iu kundervuen haptas dhunës komuniste. Po kështu asht qendrimi edhe  per intelektualët nacionalistë me bindje liberale të cilët punuen me përkushtim për ngritjen kulturore të shqiptarëve. Këto konsiderata përbajnë  elemente të randësishëm për formimin moralo-patriotik të brezit të ri dhe pranohen nji zani prej forcave politike parlamentare pa përjashtim, por përsëri në praktiken e përditëshme ndodh e kundërta! Në shumë media televizive çfaqen  ditë  e natë filma të prodhuem prej Kinostudios ‘Shqiperia e re’ të përiudhës së diktaturës, ku të rijtë e lindun në demokraci, shohin e mësojnë, pra edukohen me “  imoralitetin e antishqiptarizmin e  klerikëve ”, tradhëtinë e intelektualëve nacionalistë, poshtërsitë e klasës borgjeze e urrejtjen klasore për këdo që mendonte ndryshe etj. (propagandë tipike e diktaturës komuniste)  A duhet lejue kjo? Po  pse kleriket shqipëtar nuk reagojnë ?   Personalisht vlerësoj punën  artistike ( dhe jo helmin ideologjik)  të Kinostudios ‘ Shqiperia e re’, por e çoj zanin qe institucionet përgjegjëse të edukimit e ato të kontrollit të mediave vizive në nivel shtetnor të reagojnë për me kontrollue situatën tue ba seleksionimin e 

filmave që transmetohen                             .                                                                                                                                                             Trajtimi jo i sinqertë i problemit të riabilitimit të shtresës së përsekutuemve politik prej diktaturës dhe zvarritja e qëllimëshme e proçesit të  këthimit të  pronës te ” pronari  legjitim ” së bashku me ligjërimin e përvetësimit me dhunë (fizike e zyrtare) të pronës private dhe asaj shtetnore ka nda shqiptarët në dy kampe kundërshtarësh.

b. Kongresi gjuhësor politik i 1972 me urdhën të diktatorit komunist përçau identitetin shqiptar, por e keqja ma e madhe asht se ende sot nuk dallohet asnji vullnet prej akademikëve dhe politikës shqiptare për rishikimin asaj vepre  antikombëtare tue ndëthurë shkencërisht edhe gegnishten në gjuhën zyrtare! Veprim që kishte me ndikue pozitivisht për unitetin e kombit

c. Korrupsioni masiv në fushën e edukimit shkollor ( disponojnë deri 3 diploma universitare ato që ndoshta nuk kanë marrë as diplomën e maturës), ka pasë dhe vazhdon me pasë për pasojë largimin e të aftëve prej dheut amë dhe vendosjen e të pa aftëve (meritopartia) në pozita drejtuese.

d. Njollosja me mbrapavijë antikombëtare e simboleve të shqiptarizmit; Gjergj Kastriotit dhe Nanë Terezes prej shqipfolësave “të shitun” ndikon negativisht drejt konsolidimit të identitetit shqiptar. Shoqnia shqiptare sot krenohet per disa simbole kombëtare me të cilët lidhet identiteti i Arbërit. Na ndihemi krenar qe jemi bashkëkombas të Gjergj Kastriotit Skenderbeut dhe të Nanë Terezes, çka nënkupton se puna edukuese me të rijtë, në mënyrë të natyrshme, duhet të  bahet e të jetë në kët linie. Fatkeqësisht, në kundërshtim me sa ma nalt, praktikat e kohëve të fundit  provojnë që çdokush, edhe personazhe rruge me identitet të dyshimtë dhe  mbrapavijë të qartë antishqiptare dhe antidemokratike – si rasti i glorifikimit të kriminelit Hoxha, lehtësisht bajnë propagandë krejt të kundërt tue gjetë hapsinë veprimi në media dhe sheshe publike, gja që shorjenton formimin e ndërgjegjës së brezit të ri tue damtue qelizën jetësore të identitetit të shqiptarëve!

Me keqardhje duhet  pranue se organizimi dhe drejtimi institucional-shtetnor shqiptar i ‘sektorit te edukimit’ ende paraqitet i mangët e pa strategji veprimi, për mos me thanë që asht inegzistent. Indiferenca politike për strategjinë e edukimit ‘të brezit të ri’ vështirëson deri në pengesë,  rrugën e shqiptarëve drejt Europës. Kumonat e alarmit po bijnë!  Antishqiptarët punojnë ditë e natë kunder relikeve ma të shtrejta e simboleve të shqiptarizmit, kujtoj: vendosjen e memorialit të nji “kumandari” me origjinë greke, në jug të Shqipnisë, për ” meritën”e tij të masakrimit të shqiptarëve në përiudhën e  pamvarësisë !; ndertimin e  vorrit në nderim dhe  përkujtim të nji ushtari serb, në rrethinat e Shkodrës për ” meritën” e tij që dha jetën në luftën sulmues serbo-malazeze për pushtimin e Shkodrës (1912-1913) !; transformimin e vorreve shqiptare në vorre të ushtarëve grekë, në rrethinat e Korçës e në përgjithësi në jug të Shqipnisë, për “meriten” e tyne se vdiqën  në përpjekje luftarake për aneksimin e tokave shqiptare ( në zonën e ashtuquejtun prej shovinizmit ekspansionist grek  ” vorio epir”) !; vendosjen e memorialit me emnat e 156 ushtarëve turq, në mes të Tiranës, për ” meritën” e tyne  se vdiqën në luftën civile politike në Turqi në mbrojtje të Erdoganit. !; qëndrimin ekuivok dhe servil të politkës shqiptare ndaj kërkesës së shtetit turk , për rishikimin e historisë së pushtimit 500 vjeçar turk.  .!; arrestimin, në kundërshtim flagrant me ligjet e konventave ndërkombëtare, në të cilat  shteti Shqiptar aderon,  e mësuesve turq në Shqipni për ” krimin ” e tyne se paskan pasë qenë  kundërshtarë të politkës së Erdoganit në Turqi !, etj…

Populli thotë “gjejnë shesh e bëjnë përshesh”, po si asht e mundun kjo situatë ?

Sepse  politika  shqiptare  nuk asht as e djathtë e as e majtë, “as mish e as peshk” por asht  “politikë interesi, politikë populiste që  shqetësohet e mendon vetem për interesa klanore dhe thithjen e votës elektorale”, të tjerat…, si edukimi i brezit të ri me moral europian dhe antidiktaturë, bashkimi shpirtnor i shqiptarëve, konsolidimi i identitetit shqiptar, etj., etj., kjo lloj politike  i konsideron  çeshtje të dorës së tretë e pa randësi…, që ndoshta, ndoshta…, ndonjiherë do të zgjidhen vetevetiu, por edhe mos u zgjidhshin…!

 Filip Guraziu

Filed Under: Analiza

POSHTË ALEANCA E MATRAPAZËVE TË TË GJITHA QEVERIVE

December 29, 2021 by s p

 Nga Mehmet PRISHTINA

(Një reflektim mbi terrin që projektohet si faj jetim dhe mbi përvojat e hidhura nga e kaluara me investitorët e huaj, që mund të reprizohen edhe tani)

Se do të ketë krizë energjetike globale, këtë e ka dikur gjithkush, kurse Qeveria jonë mbase ka qenë më e informuara, prandaj na duket e pajustifikueshme që në muajt paraprak nuk është arritur një marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë për një bashkëpunim më emergjent në fushën energjetike. Në anën tjetër, kush mund të na garantojnë se nuk do të përsëriten sjelljet abuzive e korrupitive ndaj investitorëve të huaj edhe nga ana e eksponentëve të tanishëm qeveritar, siç kishte ndodhur disa vite më parë?!

 Nga Mehmet PRISHTINA

Nëse do të donim të bëjmë një rekapitulim të zhvillimeve në Kosovë brenda viti 2021, është e pashmangshme të mos përmendet gjendja aktuale e krizës energjetike që po mbretëron edhe në vendin tonë. Për shkak të kësaj krize, që nga 22 dhjetori konsumatorët po përballen me reduktime të energjisë elektrike prej 2 orësh, ndonëse disa qytetarë kanë raportuar se po kanë reduktime më shumë se 2 orë. Ky ka qenë edhe shkaku që grupe qytetarësh të mllefosur dolën në protestë më 27 dhjetor në Prishtinë pranë ndërtesës së Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe para Qeverisë së Kosovës,  kurse pankartat e tyre që mbanin në duar:  “Duam rrymë e jo arsyetime”, “Asnjë cent më shumë”, “Lëshoje rrymën, largoje KEDS-in”, e shpjegonin më së miri krizën aktuale energjetike.

Megjithatë kjo gjendje nuk përmirësohet as me protesta, as me arsyetime dhe justifikime  të Qeverisë, duke e hedhur komplet fajin te qeveritë e kaluara. Zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit iu dhanë përgjigje adekuate qeverive të kaluara, kështu që kritika ndaj tyre ka marrë formën e një verdikti popullor. Pikërisht edhe për shkak të dobësive në sistemin e furnizimit dhe distribuimit të energjisë elektrtike, qeveritë e kaluara u ndëshkuan në zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërkohë që Qeveria e dalë nga këto zgjedhje do të duhej ta kishte gati strategjinë e daljes nga kjo gjendje.

Në anën tjetër, të gjithë ata që kërkojnë që brenda një kohe të shkurtër të riparohen gabimet dhe lëshimet e bëra në njëzet vitet e fundit, sigurisht që, përveç retorikës opozitare, nuk kanë ndonjë mbështetje të fuqishme argumentuese, ndonëse vend për kritika edhe në adresë të Qeverisë aktuale ka gjithsesi. Në radhë të parë nuk do të guxonte të ndodhte që Qeveria të mos krijonte një mekanizëm mbrojtës ndaj të gjitha keqpërdorimeve që bëhen në sistemin e furnizimit dhe sidomos distribuimit të energjisë elektrike. Me fjalë të tjera, Qeveria nuk guxon të sillet si opozitë por duhet të merr masa adekuate ndaj të gjithë atyre që, siç raportojnë edhe qytetarët dhe mediat, vjedhin ose e sabotojnë furnizimin dhe distribuimin e energjisë elektrike. Qeveria gjithashtu duhet të ngrejë një task force me ekspert më të dëshmuar të fushës që do të ofronte zgjidhje në pajtim me situatën e krijuar.

Se do të ketë krizë energjetike globale, këtë e ka ditur gjithkush, kurse Qeveria jonë mbase ka qenë më e informuara, prandaj na duket e pajustifikueshme që në muajt paraprak (shtator, tetor, nëntor) nuk është arritur një marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë për një bashkëpunim më emergjent në fushën energjetike, duke e ditur faktin se muajt e vjeshtës dhe të dimrit janë mjaft produktiv në furnizimin me energje elektrike në hidrocentralet shqiptare. Na duken të vonuara  disa masa që po ndërmerren tani nga ana e Qeverisë sonë, kur ato kanë mundur të ndërmerren para tre muajve.

Në një shkrim si ky që ka për qëllim rekapitulimin e vitit 2021, është e pamundur të kapërthehen të gjitha dështimet dhe të arriturat, për arsye se ka qëndrime diametralisht të kundërt sa i përket sukseve dhe mosukseve të arritura, si në kohën  e kësaj qeverie, ashtu edhe në vitet e mëhershme kur kanë udhëhequr qeveritë e mëparshme. Tani ka akter politik nga opozita që çdo mossukses të qeverive të kaluara t’ia faturojë Qeverisë aktuale, ndërkohë që ka prirje që edhe Qeveria aktuale për dështimet e veta të justifikohet duke kritikuar qeveritë e kaluara. Megjithatë, do të duhej të klasifikohen dhe kristalizohen disa gjëra që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e qeverive. Në njërën anë, nuk mundet Qeveria aktuale të fajësohet për mosangazhim në tejkalimin e disa problemeve të grumbulluara këtu e njëzetë vite më parë, por në anën tjetër Qeveria aktuale duhet të lirohet nga disa eksponent të saj që ia nxijnë imazhin me veprimet e tyre abuzive, sidom os ndaj bizneseve, duke favorizuar klientelizmin në dëm të projekteve serioze që arrihen me mund të madh dhe duke favorizuar monopolet e reja në dëm të qasjes së lirë të bizneseve në tregun ekonomik vendor. Nëse vazhdon ky trend i sjelljeve abuzive të eksponentëve të caktuar të kësaj Qeverie, atëherë do të vijë momenti që njerëzve do t’iu kujtohet një kohë e mëhershme kur kompanitë dhe korporatat e fuqishme botërore vinin këtu dhe iknin si pasojë e sjelljeve dhe veprimeve korruptive e abuzuese të qeverive të kaluara.

 Madje edhe vet kam qenë dëshmitar i gjallë i sjelljeve të tilla abuzive të ish qeveritarëve. Në shtator të vitit 2008, tregut bankar të Kosovës iu pat shtuar edhe një subjekt i ri financiar. Pronari i CVMR (Chemical Vapour Metal Refining), Kamran M. Khozan kishte shprehur interesim për të hapur një bankë të re në Kosovë, me 635 Mio USD kapital themeltar, dhe të bëjë rafinimin e nikelit. Për këtë ai kishte biseduar edhe me kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçi si dhe me drejtorin e Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi, ndërsa kishte bërë kërkesë për licencë.
Kamran M. Khozan, përfaqësues i tri korporatave do të financonte këto projekte, dhe i kishte njoftuar mediat se kishte bieduar me përfaqësues të qeverisë për investimet në miniera dhe për rafinimin e nikelit, kurse banka që do të hapej, do të lehtësonte këto investime. Sipas tij, fokusimi primar i bankës ishte investimi në projektet e korporatave në kuadër të CVMR, me 12 mijë e 300 punëtorë, e cila përveç nikelit, ishte në gjendje të rafinojë edhe 16 metale të tjera. Të gjitha këto Khozan premtonte se do t’i bëjë me teknologji moderne dhe garantonte sistem me zero ndotje.Vetëm me realizimin e projektit për rafinimin e nikelit do të punësoheshin rreth 2.000 punëtorë, një ndihmesë kjo mjaft domethënëse në zbutjen epapunësisë në Kosovës, ndërkohë që banka e re që duhej të hapej, shihej si aset mjaft atraktiv financiar në tregun Kosovar, përfshi edhe uljen e kamatave në kredi.

Fatkeqësisht CVMR iku nga korrupsioni dhe mashtrimet e eksponentëve të atëhershëm qeveritar dhe e di se porosia e fundit e miqëve të mi nga kjo korporatë gjikante ka qenë: “Pa u konsoliduar një qeveri e pa korruptuar, mos na fto më asnjëherë në Kosovë!”

Tani çka të themi? Ose, ata që do ta lexojnë këtë shkrim, ndonjëri prej tyre a do ta gjej veten këtu, sidomos ndonjë eksponent aktual qeveritar?! A do të mundem t’i ftoj sërish këta miqë të mi investiture dhe miqë të tjerë, dhe kush mund të më garantoj se skena të tilla të turpshme do të reprizohen edhe tani, sidomos me disa eksponent qeveritar të cilët ditën punojnë për Qeverinë  e Albin Kurtit, kurse natën –  për grupe klienteliste të biznesit që nxisin konkurrencën jolojale. Nëse Kryeministri Kurti është i interesuar t’i dijë emrat e këtyre legenave që fshihen pas imazhit të Qeverisë aktuale, unë jam i gatshëm t’ia jap ata emra, me kusht që gjërat të ecin në drejtim të duhur dhe klimën e biznesit ta lirojmë nga matrapazët që ndryshe prezantohen para Kryeministrit, e krejt ndryshe veprojnë kur largohen nga ai. Ky është një kusht shumë i lehtë, vetëm mjafton një vullnet pozitiv nga ana e Kryeministrit Kurti, në mënyrë që Kosovës t’i rikthehen investitorët e zhgënjyer, por edhe disa investiture të tjerë të cilët janë të gatshëm për ngritjen e kapaciteteve për logjistikë portuale në Shëngjin, Durrës apo Vlorë, që do të ishte në shërbim jo vetëm të Kosovës, por të mbarë rajonit dhe për ndërtimin e korridorit hekurudhor Prishtinë – Durrës.
Por, para se të ndodhin këto, duhet ta stabilizojmë sistemin e furnizimit dhe distribuimit të energjisë elektrike dhe ta lirojmë klimën e biznesit nga karikaturat e reformave qeveritare, që si qëllim primar kanë zhavtjen dhe matrapazllëkun.

Prishtinë, 28 dhjetor 2021

Filed Under: Analiza

KRIZA TURKE DHE ZJARRI NË KUFIJTË TANË

December 27, 2021 by s p

Nga FEDERICO FUBINI – “Corriere della Sera”, 17 dhjetor 2021   E përktheu: Eugjen Merlika 

Sot Rexhep Taip Erdogan nuk është më thjesht presidenti iTurqisë. Është një diktator në labirintin e tij, i mundur nga realiteti, i burgosur në një krizë që nga financiare po bëhet shoqërore e ndoshta shpejt mërgimtare e gjeopolitike. Erdogani ka pushuar nga puna një sërë guvernatorësh e funksionarësh të lartë të bankës qëndrore, sepse ata kanë guxuar t’i kujtonin parimin e së vërtetës: ikja e kapitaleve e kthen  një Vënd në zhvillim në një anije pa timon në një det me stuhi. Përgjigja është vetëm ngritja e treguesve të interesit për të frenuar inflaksionin, duke treguar se kuptohen ligjet bazë të një ekonomie me 83 milion banorë.

Erdogani bën të kundërtën. Kundërvepron ndaj zjarrit financiar që ai vetë e ka ndezur si një jo vax i vendosur të kurohet nga Covidi me një shurup magjik. Inflaksioni është tashmë përmbi 20 %, por diktatori vazhdon të detyrojë uljen e përqindjes së interesit. Ka vendosur katër të tilla rrjesht dhe lira turke në 2021 është fundosur me 56 % kundrejt dollarit. Tani rënia vetëm mund të shpejtohet mbas uljes për të satën herë të diktatorit të enjten. Dje monedha ka pësuar një tjetër humbje, një rënie prej 6% kundrejt dollarit në pak orë. Do të rriten çmimet e energjisë, të ushqimeve e të gjitha mallrave të importuara. Inflaksioni do t’I kalojë 30 %. Kursimet e shtresës së mesme po kthehen në pluhur, shtimet e pagave më të ulta nuk do të mjaftojnë për të patur bukë në tryezat e milionë të varfërvet. Në të kundërt, do të ushqejnë shtjellën infernale të çmimeve.

Gjëndja rrezikon të shpëtojë nga duart e nuk mund t’a urojmë atë. Në kufijtë e saj Evropa ka kërcënimin bjellorus, atë të Moskës mbi Ukrainën, fuçinë e barutit libiane. Shfaqja e milionë të mërguarve të ikur nga Venezuela na kujton se njerëzit e varfër largohen nga mbi-inflaksioni, kur mundin. Sot rreziku është në dyert tona, por ne po bëjmë të pamundurën për të kthyer vështrimin nga ana tjetër.

“Corriere della Sera”, 17 dhjetor 2021   E përktheu: Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza

Konflikti i Ukrainës, a mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në Kosovë?

December 27, 2021 by s p

Shqiprim Pula/

Disa po e ndërlidhin si strategji të Putinit rrezikimin e veriut të Kosovës me Ukrainën? A mund të rrezikohet Kosova? Më 1989 u konsiderua e përfunduar lufta e ftohtë, dhe ndërlidhej me rikrijimin e rendit të ri botëror nga sa konsiderohej si dypolare në atë unipolare, në krye me ShBA-të, si superfuqi e vetme globale me NATO-n si mekanizëm që shërben për ҁështje të interesave Euro-Atlantike. Me shpalljen e mëvetësisë së Kosovës, në Shkurt 2008, Rusia pushtoi një pjesë të territorit të Gjeorgjisë (Abkhazia dhe Osetia Jugore) në Gusht 2008, dhe më pas pushtoi territor në Ukarainë (Donbasi dhe Krimea) më 2014, duke i’u kundërvënë perëndimit, me arsyetimin “si nevojë” për popullatën Ruse në këto vende. Ky veprim ushtarak i Rusisë kundrejt këtyre dy shteteve u bë që të pengohej edhe integrimi i tyre potencial në NATO, ngase më 2004 tre shtetet baltike si Lituania, Letonia dhe Estonia i’u bashkuan NATO-s dhe mesa duket ishte një lloj sinjali se duke u zgjeruar aleanca veriatlantike po i afrohej kufijve të Rusise, dhe veproi në Gjeorgji e Ukraine për të parandaluar një anëtarësim të tyre në NATO.Që nga 2014, kur në Ukraine (Donbasi dhe Krimea) u aneksuan ushtarakisht nga ana e Rusisë, Ukraina gjendet në një mungesë balanci politik ndërmejet perëndimit dhe Rusisë, nga konflikti i ngrirë që u krijua dhe me një paqëndrueshmëri reale të perspektivës së saj.Lidhja apo paralelja e ngritur ndërmjet veriut të Kosovës dhe Krimes në Ukrainë, ka një emërues të përbashkët që është mos-administrimi i tërësishëm i territorit nga ana e qeverisë qëndrore në dyja vendet, ndërkaq, duhet theksuar se aneksimi politik e institucional i veriut të Kosovës ka ndodhur në praninë e trupave ushtarake të Francës, pas hyrjes së NATO-s në gjithë Kosovën, kurse aneksimi i territorit në Ukarinë ka ndodhur përmes ndërhyrjes ushtarake të forcave Ruse.Duhet kujtuar që nga fund-shekulli i kaluar i tërë Ballkani ka pasur nevojë për vëmendjen ndërkombëtare e veҁanërisht atë amerikane. Të dyja vendet aktualisht kanë dy të përbashkëta, e para, nevojën e padiskutueshme të ndihmës të ҁfarëdo lloji nga perëndimi për shkak të agresivitetit të Rusisë ndaj Ukrainës ashtu sikurse agresiviteti i Serbisë ndaj Kosovës, dhe e dyta, si Kosova ashtu dhe Ukraina, vazhdojnë të mbetën shtete të cilat nuk ushtrojnë sovranitet të plotë mbi gjithë territorin e tyre, e për rrjedhojë konsiderohet konflikt i ngrirë si për Kosovën me Serbinë ashtu dhe për Ukrainën me Rusinë. Fatkeqësisht, duhet thënë, se në rastin e Kosovës, kemi pasur individë që rastësisht janë gjendur në politikë dhe kanë keqkalkuluar politikisht për të shtrirë dhe mbajtur nën administrim të tërë territorin e vendit. E që nga 1999 e këndej, kohë-pas-kohe, Europa sikur humbiste interesimin ndaj Ballkanit e veҁanërisht Kosovës, shpesh herë duke u shtirur se duan t’a zgjidhin konfliktin e ngrirë në mes Kosovës e Serbisë, por pa ndonjë entuziazem të theksuar!. Madje, pas fillimit të procesit të dialogut më 2011, ata edhe publikisht deklaroheshin se do të pranojmë ҁdo marrëveshje që palët do t’a arrijnë mes vete.

Filed Under: Analiza

EVROPA DHE PUTINI: LOJA E MADHE E GAZIT

December 26, 2021 by s p

Nga PAOLO VALENTINO – “Corriere della Sera”, 19 dhjetor 2021- Përktheu: Eugjen Merlika

Sikur të jenë funksionarët e Brukselit dhe të Berlinit, me shkujdesjen miratuese të qeverisë gjermane, t’i japin shah mat Vladimir Putinit, duke fundosur projektin strategjik që ka më për zemër, pra gazsjellësin Nord Stream 2? Dukej e mbaruar vetëm një muaj më parë, për gazsjellësin ruso-gjerman që vrapon nën detin Balltik, duke i ardhur rrotull Ukrainës, e që kur të hyjë në veprim do t’a bënte udhëheqësin e Kremlinit zotëruesin e vërtetë të furnizimeve energjetike evropiane. Dukej se Putini e kishte fituar ndeshjen, mbasi në maj Joe Biden, n’emër të aleancës me Berlinin, kishte vendosur të mos përsëriste sanksionet jashtëterritoriale kundra ndërmarrjeve që merrnin pjesë në projektin, duke i hapur kështu rrugën plotësimit të strukturës gjatë verës. Dukej se vërtetimi i Autoritetit gjerman për rrjetet dhe provimi i mëtejshëm i Komisionit evropian, do t’ishin vetëm dy kalime vetëm formale.

Sigurisht, ndonjë pengesë e vogël ishte, në kuadrin e ligjëshmërisë së bashkësisë, së cilës i nënështrohet çdo gazsjellës që hyn në territorin e BE. Ajo detyron, ndërmjet gjërave të tjera, t’ashtuquajturin “unbundling”, pra ndarjen e rreptë ndërmjet kompanisë që prodhon, t’asaj që transporton e t’asaj që shpërndan gazin. Është e kundërta e asaj që bën Gazpromi, monopolisti i Shtetit rus. Kështu, më 16 nëndorin e shkuar Bundesnetzagentur-a kishte pezulluar dëshmimin e Nord Stream AG, shoqëria që ndërton impiantin, sepse nuk i është nënështruar së drejtës bashkësore, duke mbajtur selinë ligjore në Zvicër. Megjithatë dukej si një pengesë e parëndësishme dhe e zgjidhëshme: zërat qarkullonin se rregullkërkuesit do të ishin kënaqur me një shoqëri ndihmëse të krijuar enkas nga Gazpromi në Gjermani dhe e caktuar të mbarështonte pjesën gjermane të Nord Stream 2.

Por, pastaj ndodhën dy gjëra. E para që në Berlin u vendos një qeveri e re federale, nën kancelarin Olaf Scholz, me socialdemokratët, liberalët e mbi të gjitha  të gjelbërtit, që prej kohësh kanë kundërshtuar gazsjellësin. E dyta është që kriza ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë përsëri u rëndua, përballë kërcënimit të vërtetë apo të pandehur të mësymjes ushtarake nga ana e Putinit.

Ky skenar lufte ka shtyrë Scholzin dhe rishministren e Jashtëme Annalena Baerbock për të vendosur një “lidhje” ndërmjet krizës ukrainase dhe Nord Stream 2, siç kishin kërkuar aleatët amerikanë: nëse Rusia do të dhunojë integritetin territorial të Kievit, gazsjellësi do të bllokohej përfundimisht. Koncepti është ritheksuar dje nga zëvendës kancelari Robert Habeck, simbas të cilit përballë një agresioni “asgjë nuk do t’ishte e pamenduar” përsa i takon pasojave.

Por fakti i ri  nuk është aq kundërveprimi i mundshëm ndaj një akti lufte (të pamundshëm) të Putinit. Tani kuptohet sepse në 177 faqe të marrëveshjes së qeverisë ndërmjet PSD, PL e të Gjelbërvet Nord Sream 2 as që përmëndet. Në të vërtetë është argumenti juridik formal që e ka vënë në ujdi qeverinë e Berlinit, duke i dhënë të gjithë ortakëve një motivim, në dukje të thatë. Më parë Baerbock, pastaj Scholz e dje së fundi Habeck, kanë përsëritur se gazsjellësi nuk mund të hyjë në veprim, sepse nuk respekton rregullat e konkurrencës në fuqi në BE. Një kryevepër dhelpërie, ajo e Scholz-it, që për këtë dhe tema të tjera si Reforma e Paktit të qëndrueshmërisë do të flasë sot në Romë me Mario Draghin: “Bëhet fjalë për një projekt ekonomik privat dhe duhet të respektojë të drejtën komunitare. Mbi këtë vendos në mënyrë krejtësisht jo politike një autoritet gjerman”. Vetëm me një fjali, kançelari i ri ka hedhur n’erë një copë të Ostpolitikës të dëshiruar nga shoku i partisë Gerhard Schröder  dhe gjashtëmbëdhjetë vjet mos pranimi nga ana e Anxhela Merkel-it për t’a vënë në diskutim projektin.

Konkretisht, Bundesnetzagentur-a ka vënë duart përpara duke thënë se mbi transportin e gazit nuk mund të vendosë më parë se gjysma e vitit tjetër. Pastaj u takon burrecëve të Brukselit të rishikojnë proçedurën gjë që do të kërkojë kohën e saj. Siç thuhej në fillim, janë kode dhe tekste ligjesh të Bashkimit evropian, që po i japin shah matin e parë Vladimir Putinit. Do të shohim cila do të jetë lëvizja e tij e fundit.

“Corriere della Sera”, 19 dhjetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 215
  • 216
  • 217
  • 218
  • 219
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT