• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadorët e BE-së konfirmojnë Sorensenin emisar për dialogun Kosovë-Serbi

January 24, 2025 by s p

Gjeraqina Tuhina/ RTK/ Bruksel/

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar emërimin e diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen për përfaqësues të veçantë për dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Emrin e Sorensen si pasardhës të sllovakut Miroslav Lajçak, javën e kaluar e ka propozuar shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas.

Sipas disa zyrtarëve të njoftuar me proces, roli i Peter Sorensen në dialog duket se do të pësojë ndryshime, në krahasim me funksionin që e ka bërë Lajçak në gati 5 vitet e fundit.

Përderisa Lajçak ka qenë i angazhuar në tërësi në procesin e dialogut, dhe atë në të gjitha nivelet, tani me ndryshimet në BE pritet që të ketë ndarje të përgjegjësive: emisari për dialog, në këtë rast Peter Sorensen, do të merret me dialog vetëm në nivel kryenegociatorësh, ndërsa Kallas e vetme do ta udhëheqë dialogun në nivelin më të lartë politik – atë të liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

Përderisa procesi i caktimit të emisarit të ri për dialog ka kaluar nëpër të gjitha procedurat e domosodshme, emërimi formal i Peter Sorensen do të bëhet të hënën që vjen në takimin e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ai do e merr detyrën më 1 shkurt, meqë emisarit në largim Miroslav Lajçak i skadon mandati më 31 janar.

Filed Under: Analiza

Përkujtojmë sot në 36-vjetorin e ndarjes nga jeta poetin dhe një prej figurave më të shquara të letërsisë arbëreshe, Vorea Ujko

January 24, 2025 by s p

QSPA/

Vorea Ujko (Domenico Bellizzi) lindi më 1931 në fshatin Frasnita (Frascineto), Kalabri. Studioi në Kolegjin grek të Romës dhe ka qenë prift dhe ka punuar si mësues i letërsisë në Firmo. U shqua me përmbledhjen Zgjimet e gjakut (1971). Spontaniteti i frymëzimeve të tij vijoi në mënyrë progresive duke u perfeksionuar në përmbledhjen Ankth (1979) dhe Këngë arbëreshe (1982). Poezia e Ujkos shquhet për përmallimin dhe krenarinë që ndien poeti për Shqipërinë. Ai bën përpjekje, ashtu si përgjithësisht të gjithë poetët e rinj arbëreshë, që t’i afrohen gjuhës së sotme shqipe. Krijimet e Ujkos janë publikuar në antologji dhe publikime në Itali, Shqipëri dhe Kosovë. Ai është pasardhësi i shkrimtarëve arbëreshë të shek. të 19-të, De Rada dhe Serembe, krijimet e të cilëve ai i njihte mirë dhe i admironte. Në krijimtarinë e Ujkos vihet re jo vetëm ndjenja atdhetare dhe romantike për Shqipërinë, veti kjo e shkrimtarëve shqiptarë në mërgim, por edhe ndjenja e forte e lidhjes së tij me kulturën dhe paraardhësit ballkanas, edhe pse ata kishin pesëqind vjet në dhe të huaj. Vorea Ujko vdiq në një aksident automobilistik në 24 janar 1989.

https://www.jemi.it/…/lettera…/83–sp-353/354-vorea-ujko

Në vegzën në vijim gjeni një letër që poeti Vorea Ujko ia ka dërguar mikut të tij Dritëro Agolli në një letërkëmbim rreth 10-vjeçar që kanë patur mes tyre: https://telegrafi.com/vorea-ujko-dritero-agollit…/

Filed Under: Analiza

Avokat Elton Laska vizitoi Vatrën

January 23, 2025 by s p

Avokat Elton Laska vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u prit nga sekretari Dr. Pashko Camaj, anëtari i kryesisë Ilir Cubi, vatrani Bashkim Shehu dhe një grup atdhetarësh nga New York. Temë kryesore e diskutimit ishte pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje dhe situata politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri. Dr. Camaj në fjalën e tij u shpreh se vota e qytetarëve është garanci dhe siguri për demokracinë funksionale dhe institucionet e qëndrueshme. Avokat Elton Laska, bashkëthemelues dhe Sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes politike “Shqipëria Bëhet” vlerësoi punën e Federatës Vatra në çështjen kombëtare si një nga shtyllat kryesore të atdhëtarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të mirë të komunitetit shqiptar në Amerikë, të e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Av. Laska apeloi për shqiptarët e Amerikës që të jenë aktiv në procesin historik të pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje duke ndikuar drejtpërdrejtë në demokratizimin e jetës politike në Shqipëri. Aktivisti Laska vuri theksin te domosdoshmëria e rrëzimit të kësaj klase politike e cila e ka sunduar Shqipërinë në këto 34 vite duke detyruar shqiptarët që ta braktisin vëndin e tyre më shumë se asnjë komb tjetër në Europë në këto dekada.

Filed Under: Analiza

Kapitali politik i liderëve të Kosovës: Një analizë historike dhe krahasimore

January 22, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Kapitali politik i liderëve të Kosovës është zhvilluar si reflektim i fazave historike dhe ngjarjeve kyçe që kanë formësuar jo vetëm pozitat e tyre personale, por edhe rrjedhën e historisë së vendit. Për të kuptuar më mirë këtë proces, krahasimet me raste të ngjashme nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kroacia janë të rëndësishme. Në këtë analizë, përqendrohemi në katër periudha kryesore: para luftës, gjatë luftës, pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Para luftës (1990–1998): Rezistenca paqësore dhe lindja e organizimit të armatosur

Ibrahim Rugova dhe strategjia e paqes – Kjo periudhë, e njohur si epoka e “gandizmit”, karakterizohet nga rezistenca paqësore ndaj okupimit serb dhe ndërtimi i institucioneve paralele. Rugova promovoi ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe krijimin e institucioneve arsimore e shëndetësore në kushte tejet të vështira.
Institucionet paralele: Rugova organizoi struktura funksionale për të ruajtur identitetin dhe autonominë e popullit shqiptar, ngjashëm me strategjinë e Franjo Tuđman-it në Kroaci.

Referendumi për pavarësi (1991): Një akt simbolik i ngjashëm me referendumin e Sllovenisë, që legjitimoi përpjekjet për shtetësi.

Lobimi ndërkombëtar: Rugova zhvilloi kontakte me liderë botërorë si Bill Clinton dhe Helmut Kohl. Parlamentet perëndimore, veçanërisht Parlamenti Evropian, miratuan mbi 50 rezoluta,(dokumente të ndryshme) dhe 2 rezoluta nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që dënonin represionin serb dhe mbështesnin të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) – Paralelisht me strategjinë paqësore, LPK-ja promovoi rezistencën e armatosur, që kulmoi me formimin e UÇK-së. Adem Demaçi: Me 28 vite burg, Demaçi u bë simbol i qëndresës morale, i krahasuar shpesh me Nelson Mandelën në Afrikën e Jugut.

Adem Jashari dhe shfaqja e UÇK-së: Aksioni kundër stacionit policor në Likoshan (1997) sinjalizoi shfaqjen publike të UÇK-së si forca kryesore për lirinë, një veprim i krahasueshëm me ofensivat e Ushtrisë Kroate (HV) në vitet 1990.

Gjatë luftës (1998–1999): Rezistenca e armatosur dhe ndërkombëtarizimi i konfliktit

Adem Jashari dhe simbolika e sakrificës. Sakrifica e familjes Jashari në mars 1998 mobilizoi shqiptarët e Kosovës dhe ndërkombëtarizoi luftën e tyre. Efekti i sakrificës: Ngjarja krijoi një simbol të fortë për rezistencën shqiptare, duke pasur një efekt të ngjashëm me mobilizimet kroate gjatë operacionit “Oluja” (1995).

Hashim Thaçi dhe udhëheqja politike e UÇK-së

Thaçi luajti një rol kyç në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Konferenca e Rambouillet-it (1999): Thaçi udhëhoqi delegacionin shqiptar dhe pranoi praninë ndërkombëtare, një zhvillim i krahasuar shpesh me negociatat e Dayton-it (1995) për Bosnjën.

Ramush Haradinaj dhe beteja e Dukagjinit

Komandant i suksesshëm i Zonës Operative të Dukagjinit, Haradinaj u dallua për strategjinë e tij ushtarake. Betejat e suksesshme: Operacionet e Haradinajt krahasohen me ato të Ante Gotovina-s, i cili udhëhoqi ofensivat më të rëndësishme kroate. Pas luftës (1999–2008): Kapitali i rindërtimit dhe tranzicionit politik

Hashim Thaçi dhe ndërtimi i institucioneve

Pas luftës, Thaçi përdori kapitalin e tij politik për të ndërtuar institucione dhe për të udhëhequr Qeverinë e Përkohshme. Shpallja e Pavarësisë (2008): Një moment kulminant i karrierës së tij politike, i krahasueshëm me pavarësinë e Kroacisë të udhëhequr nga Tuđman.

Ramush Haradinaj dhe drejtësia ndërkombëtare

Dorëzimi i Haradinajt në Tribunalin e Hagës përforcoi imazhin e tij si një lider i përkushtuar ndaj drejtësisë dhe vendit. Pas shpalljes së pavarësisë (2008 e tutje): Reforma dhe ndërtimi i shtetit

Albin Kurti: Lideri i opozitës dhe reformave

Kurti ndërtoi kapitalin e tij politik përmes sfidimit të elitave tradicionale dhe protestave për reforma. Protestat kundër Marrëveshjes së Brukselit: Këto protesta forcuan Vetëvendosjen dhe e vendosën Kurtin si lider të opozitës. Krahasime rajonale: Kurti mund të krahasohet me Zoran Zaev-in e Maqedonisë së Veriut, i cili udhëhoqi reforma dhe zgjidhje për konflikte të ndërlikuara.

Kapitali politik i liderëve të Kosovës ka evoluar nga rezistenca paqësore dhe sakrifica në luftë, deri te shtetndërtimi dhe reformat demokratike. Krahasimet rajonale tregojnë se liderët e suksesshëm kanë kombinuar veprime praktike me simbolikën dhe legjitimitetin moral. Sfida kryesore mbetet ruajtja e këtij kapitali përballë qytetarëve dhe presionit ndërkombëtar.

Filed Under: Analiza

Komiteti për lirinë e Shqipërisë

January 21, 2025 by s p

Mr.sc.Rezehana Hysa/

Në vigjilje të 120 vjetorit të themelimit të “Komitetit për lirinë e Shqipërisë”                                                                 

Rrethanat politiko-shoqërore që u krijuan në Shqipëri sidomos pas shtypjes së Lidhjes së Pejës ku Porta e Lartë dhe autoritetet osmane i dhanë  goditje të rëndë Lëvizjes arsimore e kulturore të shqiptarëve gjegjësisht me  mbylljen e shkollave shqipe duke përfshirë këtu edhe Mësonjëtoren  shqipe të Korçës më 1902 dhe njëkohësisht  arrestimin  dhe persekutimin e  mësimdhënësve të gjuhës shqipe, mos lejimin e librave shqip,rritjen e taksave etj.krijuan rrethana të reja shoqërore politike për organizim më të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare  dhe nevojën për zgjerimin e lëvizjes së armatosur që do ti bënte ballë situatës së krijuar.Andaj  në nëntor të vitit  1905 me nismën  e Bajo Topullit që në atë kohë ishte pedagog dhe nën drejtor i gjimnazit turk në Manastir u formua në Manastir,”Komiteti për lirinë e Shqipërisë”.Krahas tij  bënin   pjesë edhe  Halit Bërzeshta,Gjergj Qiriazi,Feim Zavalani,Nuçi Naçi etj. 

  “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” ishte  organizatë politiko-patriotike që kishte për synim ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të  popullit shqiptarë për luftë të  armatosur   kundër pushtuesve osman dhe qarqeve shoveniste fqinje me  të ,me idenë absolute se “liria nuk mund të pritej, por të kërkohej”.Bajo Topulli dhe bashkë atdhetarët e tjerë tashmë kishin  gjykuar  se ka ardhur momenti që Perandoria Osmane të detyrohej që edhe me forcën e armëve të pranonte vullnetin e popullit shqiptar. 

Duke synuar një përfshirje më  të gjërë të “Komitetit për lirinë e Shqipërisë” gjegjësisht përfshirjen e saj në të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm,ky Komitet me në krye Bajo Topullin  dërgoi atdhetarë shqiptarë në krahinat e ndryshme të vendit me synimin e qartë  ngritjen e degëve të saj në qendrat më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm me të njëjtin emër. 

  Kështu për një  kohë të shkurtër në shumë krahina të Shqipërisë u formuan komitete të fshehta të cilët kishin lidhje me njëra tjetrën dhe vepronin nën drejtimin e Komitetit të Manastirit .Qëllimi  ishte i qartë  “organizimi i lëvizjes çlirimtare dhe i luftës kundër ndërhyrjeve të huaja”.Për arritjen e qëllimeve kombëtare ata i vinin rëndësi të veçantë bashkimit të shqiptarëve,pavarësisht nga feja dhe krahina,përhapjes së diturisë,agjitacionin patriotik si dhe organizimin e çetave të armatosura.

“Komiteti për lirinë e Shqipërisë” pati edhe statutin(kanonizmën)  që botohej në Sofje dhe programin e saj ku si pik referimi kishte  njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe në shkolla,emërimin  e vetëm të nëpunësve shqiptarë në viset shqiptare,mos dërgimin e ushtarëve shqiptarë në provincat jashtë Europës etj.,ndërsa si mjet kryesor konsideronte luftën e armatosur të çetave shqiptare kundër pushtuesve të huaj në Shqipërinë e kohës.

Në  kanonizëm, thuhej: “qëllimi i këtij komiteti është të ngjallurit e Shqipërisë, duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave që do të shtypen, duke dërguar njerëz në të gjithë anët e Shqipërisë të mbjellin këto mendime… për mbrothësinë e kombit dhe të shpëtuarin nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjendet sot”.

“Komiteti qëndror për lirinë e Shqipërisë”,duke  synuar luftën e armatosur të popullit shqiptarë kundër pushtuesve të huaj dhe  krijimin e një ushtrie kombëtare pati edhe Rregulloren e çetave ose siç e quanin ndryshe “Udhërrëfenjësi i trimave”, ku krahas programit politik kombëtar, përcaktoheshin  edhe rregullat e organizimit, të trupave të armatosura. Sipas “Udhërrëfenjësit”, çetat do të përhapeshin në malet e Shqipërisë,me synim të qartë që të formohej një ushtri kombëtare e shtrirë në gjithë vendin. 

Vendimin për krijimin e  çetave të para,Komiteti i Manastirit e mori në janar të vitit 1906. Mirëpo për mungesë të mjeteve financiare,nuk arriti të armatos qysh në fillim, siç e kishte parashikuar, gjegjësisht 500 luftëtarë në radhët e çetave,por formoi një varg çetash, që vepronin në vise të ndryshme të vendit,e sidomos në Shqipërinë e jugut e të mesme. Çeta e parë u krijua në prillin e   vitit 1906 në Kolonjë të Korçës, me 20 luftëtarë  e cila ishte e  komanduar nga Bajo Topulli. 

Bajo Topulli me bashkëluftëtar

  Në këtë çetë, Çerçiz Topulli, vëllai i tij, ishte luftëtari më i shquar dhe më aktiv. Për të përçuar këtë frymë, çeta patriotike e Bajo Topullit fillojë të lëvizte pothuajse në gjithë territorin e jugut të Shqipërisë. 

Veprimet e së cilës u shtrinë edhe në Gorë, Starovë, Bërzeshtë, Gramsh, Opar e më pas edhe në rrethet e vilajetit të Janinës.
  Në ndërkohë dolën në skenë edhe çetat patriotike të Sali Butkës, Qamil Panaritit, Spiro Ballkamenit,Themistokli Germenjit, Muharrem Rushitit, Demo Eminit etj.,duke përfshirë këtu edhe çetën e Fehmi Zavalanit në Kolonjë si dhe disa çeta të tjera të armatosura, që  ishin më  të vogla por që vepruan fuqishëm sidomos në vitet 1906-1908 në vise të ndryshme të vendit. 

Çeta shqiptare e Sali Butkës

  Sipas një letre të Bajo Topullit  në maj të vitit 1906 ndikimi i Komitetit dhe i lëvizjes së udhëhequr prej tij ishte i gjerë dhe  shtrihej në Janinë, Gjirokastër, Berat, Vlorë, Mallakastër, Myzeqe, Kolonjë, Korçë, Tiranë, Elbasan, Ohër, Dibër dhe në vende të tjera.
Qëllimi i çetave ishte të luftonin kundër bandave të andartëve grekë, që persekutonin atdhetarët shqiptarë dhe përgatisnin truallin për helenizimin dhe aneksimin e Shqipërisë së jugut.

 “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” u lidh edhe me shoqëritë patriotike jashtë atdheut sidomos me ato të Bukureshtit,Sofjes që e përkrahnin plotësisht programin dhe veprimtarinë e saj.

Si rezultat i Komiteteve të fshehta në pranverë të vitit 1906 gjegjësisht me vendim të “Komitetit për lirinë e Shqpërisë”u realizua  një aksion i rëndësishëm i çetave gjegjësisht  vrasja më 22 shtator të vitit 1906 e mitropolit grek të Korçës Fotit,klerik reaksionar i vënë në shërbim të shovenizmit grek në shtator të vitit 1906 që kish organizuar vrasjen e pabesë të atdhetarit shqiptar Papa Kristo Negovani.

 Populli për këtë ngjarje  thuri këto vargje :

“Për tërë natën ç’u dinë (u gdhinë)

në Korçë e zunë pusinë

vranë dhespot mjekërzinë” 

 Luftën e çetave  e përkrahën dhe  propaganduan në mënyrë të veçantë  organet e shtypit atdhetar shqiptar, si “Drita” e Sofjes,“Kombi”(Boston),“Shpresa e Shqypnisë” (Raguzë-Trieste-Romë) etj. 

ndërsa   për hir  të lidhjes së Komitetit   me redaktorin e gazetës “Drita”,  Shahin Kolonjës,gazeta “Drita” e Sofjes u kthye në organ të këtij Komiteti. Në mars të vitit 1906 atdhetarët shqiptarë të kolonisë së Sofjes organizuan një çetë tjetër, nën komandën e Çerçiz Topullit, me të cilin u bashkua shkrimtari atdhetar Mihal Grameno dhe Idriz Gjakova. Çeta kishte si mision të përhapte “ndjenjat kombëtare në të gjitha anët e Shqipërisë”. Andaj në dhjetor të vitit 1906 në  gazetën”Drita” u botua artikulli i Çerçiz Topullit “Ndjenjat e një mëmëdhetari”, në të cilin u bëhej thirrje shqiptarëve “… të bashkoheshin gegë e toskë, të krishterë e muhamedanë, e të luftojmë nga Preveza e gjer në kufijtë e Serbisë e të Malit të Zi”. 

Qeveria turke ra shpejt në gjurmët e Komitetit të Manastirit. Në urdhrin që i dërgoi në fillim të prillit komandës ushtarake të Manastirit kërkonte informata për Komitetin Shqiptar, i formuar në pjesën perëndimore të Shqipërisë,gjegjësisht për veprimtarinë e saj.Madje ndërmori masa të rrepta kundër anëtarëve dhe përkrahësve të Komitetit të Manastirit. Midis tyre pati të  arrestuar edhe shumë oficerë të garnizonit ushtarak të Manastirit dhe nëpunës të aparatit shtetëror, që ishin bashkuar me “Komitetin për lirinë e Shqipërisë”. Me urdhër të vetë sulltanit, në fund të korrikut u arrestua Nafiz Beu nga Ohri, kolonel (lejtnant) i kavalerisë osmane, që pati shkuar fshehurazi në Korçë,Shkup e në Tetovë,për qëllimet e Komitetit të Manastir.

Andaj ndjekjet e autoriteteve turke e vështirësuan veprimtarinë e komitetit si një organ qëndror dhe i detyruan udhëheqësit e saj të shpërngulen në Bukuresht duke lënë në Manastir vetëm një komitet lokal.Formimi dhe veprimtaria e “Komitetit për lirinë e Shqipërisë” ishte dëshmi e ngritjes së nivelit të organizimit më të artikuluar të Lidhjes Kombëtare Shqiptare në këtë periudhe kohore.

  Kur në janar të vitit 1907 u shpallën në gazetën zyrtare të Vilajetit të Manastirit emrat e atdhetarëve, që duhej të dorëzoheshin e të arrestoheshin sa më parë,si Bajo e Çerçiz Topulli, Beqir Sali Butka, Islam Arifi, Ahmet Zylfiqari, Dervish Ismaili, Fejzo Beu nga Dëshnica, Mersin Abdyli etj. u vështirësua veprimtaria e Komitetit të Manastirit si organ qendror,andaj udhëheqësit e saj u  detyruan që të shpërnguleshin në Bukuresht dhe të linin në Manastir një komitet lokal, që mbante lidhje me Bukureshtin.Kështu  vëllezërit Bajo e Çerçiz Topulli në nëntor të vitit 1906   të përkrahur nga shoqëritë atdhetare shqiptare e sidomos nga Shahin Kolonja e Kristo Luarasi në Sofje, nga Pandeli Evangjeli, Rafael Dako, vëllezërit Zografi në Bukuresht dhe dr. Ibrahim Temoja në Kostancë u detyruan të largohen nga atdheu për në Sofje e Bukuresht  ku atje  realizuan  një varg aktivitesh  dhe morën masa për sigurimin e ndihmave financiare për luftën e armatosur të çetave në Shqipëri.Në ndërkohë po  për këtë qëllim Bajo Topulli  shkoi në Paris e SHBA ku me ndihmën e Fan Nolit dhe të atdhetarëve të tjerë të kolonisë shqiptare të Bostonit mblodhi ndihma për “Komitetin e  lirisë së  Shqipërisë”,si dhe organizuan një sërë mitingjesh ,protestash  kundër terrorit osman dhe dhunës së bandave të andartëve grekë në Shqipëri.

Ndërkaq, veprimtaria e çetave nuk u ndërpre por u formuan edhe  çeta të tjera që vepruan në vise të ndryshme të Shqipërisë.

Veprimtaria e klubeve dhe komiteteve shqiptare që vepronin në Shqipëri dhe jashtë saj,kishte kohë që ishin në  qendër të vëmendjes në shtypin e huaj dhe të konzujve të huaj. Në pranverën e vitit 1907 Bajo Topulli, për të qetësuar Vjenën, e cila nuk ishte e prirur të përkrahte veprimet që do të cenonin status quo-në në Ballkan, u deklaroi përfaqësuesve të saj konsullorë se “situata në Shqipëri ende nuk ishte pjekur për një kryengritje të përgjithshme”, por për ta përgatitur atë, “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” do të vazhdonte të organizonte çeta të armatosura, të cilat, do të merreshin me përhapjen e ideve kombëtare të shqiptarëve.

“Komiteti për lirinë e Shqipërisë” realizoi edhe një sërë aksionesh të tjera në qytete të ndryshme të vendit,madje ishte ai që urdhëroi  vrasjen e  Bymbashit turk të Gjirokastrës , Halil Musa më 25 shkurt 1908.

 Pas vrasjes së Bymbashit disa ditë më vonë gjegjësisht   më 18 mars 1908,u zhvillua beteja, e cila në histografinë shqiptare  njihet si Lufta e Mashkullorës. Pavarësisht numrit shumë herë më të madh të ushtarëve osmanë, çeta e Çerçiz Topullit mundi të çante rrethimin edhe pas  gati 15 orë rezistence, duke përfituar edhe nga errësira e mbrëmjes dhe mjegulla e marsit.

 Mihal Grameno në kujtimet e tij shkruan: “Vrasja e bimbashit në Gjirokastër,si dhe fama e luftës së Mashkullores ishin përhapur në Europë, duke u  bërë bujë  në gazetat e mëdha të kohës  andaj   qarqet e larta të Stambollit zunë t’i japin një rëndësi të madhe lëvizjes kryengritëse shqiptare”. 

  Më 1 shkurt 1908 po në gazetën “Drita” u botua shkrimi “Letër nga malet e Shqipërisë”, hartuar nga Çerçiz Topulli si komandant dhe Mihal Grameno  sekretar i çetës, ku theksohej se ushtria e luftëtarëve të lirisë po shtohej dita-ditës dhe se ishte detyrë e çdo atdhetari të ndihmonte “Komitetin për lirinë e Shqipërisë” “në qëllimin e tij të shenjtë ndaj atdheut”.

Në ndërkohë shumë shoqëri dhe komitete të tjera që bashkëvepronin me “Komitetin për lirinë e Shqipërisë”,  i grishnin shqiptarët që të përgatiteshin për kryengritjen e armatosur, e cila parashikohej të shpërthente në pranverën e vitit 1908 me moton:”Një luftë e vërtetë  për lirinë dhe bashkimin e atdheut tonë të dashur”.
Çetat e lidhura me Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë” në maj të vitit 1908 e përbërë prej 63 luftëtarësh, hyri në Sarandë, sulmoi godinat e administratës shtetërore lokale,andaj si rrjedhojë  për të ndjekur çetën, autoritetet osmane dërguan nga Preveza në rrethin e Sarandës forca të tjera të xhandarmërisë, që bënë arrestime të shumta nga popullsia. Më shumë se 70 veta, myslimanë e të krishterë, u dërguan të lidhur në Prevezë e prej andej në Janinë. Ngjarjeve të Sarandës u bëri jehonë edhe shtypi i huaj evropian.

     Zgjerimi i luftës së armatosur të çetave, në Shqipërinë e jugut, të organizuar nga “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” dhe të shumë komiteteve,shoqërive  të tjera   që vepronin si një trup i vetëm si  brenda ashtu edhe jashtë vendit  ishin alibi  se në prag të  Revolucionit xhonturk të korrikut të vitit 1908 Shqipëria ndodhej para një kryengritjeje të përgjithshme.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT