• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ulqini, Sheik Alabari dhe Plazhi i Madh- Saga e Rërës së Artë që shitet me zbritje 100-vjeçare!

April 12, 2025 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Në një takim të përzemërt (dhe të paprotokolltë) me gazetarët në Tivat, investitori arab Mohamed Alabar, pronar i kompanisë “Eagle Hills” – ose siç e quajnë vendasit, “Shqiponja që fluturon mbi rërë” – deklaroi se nuk është aspak i interesuar të blejë apo të marrë me qira tokë në Mal të Zi. Jo, jo! Ai dëshiron që shteti vetë të vijë me tokën për dore dhe ta futë në projektet e tij si dhuratë fejesash. Toka është jona, projektet janë të tijat – një martesë moderne me kontratë para-martesore.

Kujtojmë se edhe kryeministri Milojko Spajiq e ka pohuar këtë dashuri të re shtet-kapital në një intervistë për Televizionin Malazez. Dashuria lind nga sytë dhe, duket, nga ofertat me plazh të gjerë.

Zoti Alabar gjithashtu u shpreh se ka biseduar disa herë me ish-kryeministrin Dritan Abazoviq – që si duket e kishte përmendur projektin e famshëm të “Plazhit të Madh” për herë të parë, ndoshta mes një cigareje dhe një dosjeje investimesh që përfundoi në ndonjë sirtar plazhi.

Kur u pyet nga gazetarët e TVMZ se përse mori pjesë në tenderin për qiratë e plazhit në Ulqin, Alabari, me një buzëqeshje prej beduini të pasur dhe një vështrim plot diplomaci, u përgjigj: “Epo, ma kujtoi Abazoviqi atë ide, ndaj dhe vendosa të mendoj më seriozisht… për të blerë një copëz parajse nën çadër shqiptare.”

Megjithatë, ai këmbënguli se nuk është e vërtetë që kërkon gjithë vijën bregdetare 13-kilometërshe të Plazhit të Madh. Ai është një njeri modest – vetëm gjysmën e saj kërkon, ndoshta edhe më pak. Me kusht që shteti, komuna dhe ndonjë sorrollatë letrash ta mbështesin me zemër të hapur.

Për të hequr çdo dyshim ekologjik nga sytë e publikut të shqetësuar, sheiku Alabar theksoi se kompania e tij është garanci për mbrojtjen e zogjve të rrallë në zonën e Kripores. Në fakt, ai madje u zotua që do t’u ndërtojë zogjve vila me pamje nga deti, nëse është nevoja.

Në fund të ditës, gjithçka që shkëlqen nuk është ar… ndonjëherë është thjesht rërë e lagur nën një marrëveshje që vetëm zogjtë e kuptojnë.

Po a janë heshtësit… të mençur?! Jo, jo! Janë të rehatuar, janë pasivë, janë konsumatorë të luksit të mosveprimit. Janë ata që shesin filozofi nga kafenetë dhe i mbyllin sytë kur qyteti u shembet nën këmbë. 

E për çfarë? Për të ruajtur qetësinë e vet, për të mos prishur raportet me partinë, kushëririn e punësuar në komunë apo me tenderuesin që ndan fitimet me “besnikët”.

Heshtja në Ulqin është bërë profesion. Diplomë pa shkollë, lavdi pa kontribut! E për fat të keq, është edhe virtyti më i vlerësuar nga partitë shqiptare që e kanë kthyer këtë qytet në një minierë personale për vota dhe pazare.

Unë? Unë mund të hesht – lehtë fare nuk jam ulqinak por jam shqiptar dhe më vlon në gjak ashtu si për Durrësin tim.  Dhe oreksi i Alabarit , filloi nga Beogradi i Vuçiqi, tek Durrësi i Ramës dhe tek vëllai i vogël kaçurrel Abazoviqi…

Po të dielën kur qyteti duhej të zbrazej nga shtëpitë dhe të mbushej rrugëve, heshtja ishte tradhti! Do të heshtja vetëm po të shihja që Ulqini më në fund po zgjohej. Por jo – mentaliteti i vjetër: “Çka muj unë me ndrru?” është ende gjallë. Dhe këtë e kanë mbjellë vetë partitë politike, për të na mbajtur në gjumë dhe në varësi.

Të dielën duhej të kishte një zinxhir njerëzor prej Plazhit të Vogël deri mbas Pazari. Duhej të dilte vetë Bashkia për të shpjeguar se çfarë po ndodh – jo të fshihej pas “transparencës digjitale” dhe premtimeve për një Dubai!

Po pse të dalin? Ata kanë rrogat. Kanë makinat. Kanë zyrat me kondicioner dhe kafen me sheqer të shtuar me tenderë. Kanë pasaportat gati nëse bëhet ndonjë rrëmujë. Ulqinin? Ulqini është thjesht një objekt kontrate për ta!

Askush nuk është kundër zhvillimit. Ne jemi kundër zhvillimit të mjegullt, me letra të fshehura, me nënshkrime nate dhe mendje që nuk flenë për qytetin, por vetëm për xhepin e vet!

Ulqini nuk ka nevojë për Dubai. Ka nevojë për kanalizime ujërash tw zeza që nuk shpërthejnë në sezon. Ka nevojë për trotuare që nuk mbarojnë nëpër mure. Ka nevojë për parkingje që nuk janë fusha të baltës. Ka nevojë për ndreqje – jo për zbukurim të përkohshëm para shitjes 100 vjeçare!

Kalaja po shembet, shkëmbi po copëtohet, qyteti po zbrazet nga të rinjtë, e këta vazhdojnë të na flasin për “investitor strategjik”. A investitor strategjik është një që merr Plazhin e Madh për 100 vjet dhe s’jep asnjë garanci për pjesën tjetër të qytetit?! 

Jo, kjo nuk është strategji – kjo është grabitje me ligj! Njësoj në Durrës njësoj në Ulqin.

Dhe për ironi të fatit, qeveria zgjodhi një “biznesmen” nga Emiratet – ndoshta me shpresën se emri dhe etnia do të mbulojnë çdo pikëpyetje, e do të joshin votuesit me ndjenja fetare myslimane. Sa poshtë kanë rënë, sa e lirë është bërë politika në Ulqin: një bastard nga shkretëtira na zgjidh problemet!

Por çfarë bën Bashkia jonë? Asgjë. Përdor fjalorin e diplomacisë: “jemi të hapur për bashkëpunim”, “nuk është ende e finalizuar”, “do të bëhet analizë”. Po po! Analizë bëjnë – si ta shesin më mirë, si ta përfundojnë mandatin me sa më pak valë!

Ulqinaku? Ai ose është i lodhur… ose është dorëzuar. Tjetër nuk ka. Sepse nuk ka si të jesh ndryshe kur për 30 vjet je përdorur vetëm si numër në listë zgjedhore dhe je harruar sapo janë mbyllur kutitë e votimit.

Plazhi i Madh është zemra e Ulqinit. Kush e shkëput atë, po e gjymton qytetin. Po ua dorëzon arteriet kryesore investitorëve të përkohshëm që shohin vetëm rërën dhe jo rrënjët. Dhe kur të bëhet vonë, atëherë do të pyesim: ku ishim? Pse heshtëm?

A kanë dalë në protestë ulqinakët të dielën ?

Jo, jo!

Ulqini nuk ka nevojë aq shumë për investimet që ia ka falur Perëndia, Ulqini ka nevojë për investitor për të ndrequr shkatërrimet që ia ka bërë dora njeriut!

Në këtë farsë bregdetare, shteti hyn me tokën, sheiku me portofolin, populli me rërën… dhe zogu me këngën. Plazhi është i madh, por rrëfimi i shitjes është gjithmonë i vogël – mbështjellë me pak beton, një gotë shpresë dhe një çadër që thotë 

“Plazh privat – hyrja me leje nga Sheiku”.

Filed Under: Analiza

“Balkanweb”: PD dhe koalicioni opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” çelin zyrtarisht fushatën elektorale, i pranishëm edhe Chris LaCivita (VIDEO+FOTO)

April 12, 2025 by s p

11 Prill, 2025 19:35

PD dhe koalicioni opozitar  “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, çelin zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Qytetarë të shumtë janë grumbulluar në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Në podium janë ngjitur edhe kryetari i PD, Sali Berisha e drejtuesi i fushatës, strategu i fitores së Donald Trump, Chris LaCivita.

foto galeri
foto galeri
foto galeri
foto galeri
foto galeri
foto galeri

Një pjesëmarrje e madhe, siç shihet edhe nga pamjet.

Me ardhjen e Berishës është zbuluar dhe kolona zanore e fushatës, Eye of the Tiger (Sytë e Tigrit) nga grupi Survivor, e njohur gjerësisht si muzika e filmit Roky Balboa.

Në këtë çelje të fushatës nuk kanë munguar dhe këngët e grupit legjendar rrok, ACDC “Thunderstruck”.

Filed Under: Analiza

Në Albany, kryeqytetin e Nju Jorkut mësohet shqip nga Alba Life, rrjeti më i madh i shkollave shqipe në diasporë

April 12, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Edhe pse është një shkollë e re e hapur, më 17 janar, mësuesit dhe nxënësit po ecin suksesshëm dhe vetëm në rritje për të arritur në objektivin dhe detyrat e larta që i kanë venë vetes për të mësuar gjuhën tonë hyjnore, Gjuhën Shqipe. U nisëm nga Nju Jorku së bashku me z. Qemal Zylo, vizionarin, themeluesin dhe drejtuesin e TV dhe 7 shkollave Shqipe “Alba Life” për të udhëtuar në Albany atje ku kemi një shtëpizë të bukur shqiptare, një fole shqiponjash të komunitetit shqiptar në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut, atje ku mësohet Gjuha Shqipe. Çudi si fluturojnë 6 orë vajtje ardhje!

Është tejet emocionuese të hysh në mjediset e bukura, komode dhe të dëgjosh në klasat e shkollës publike amerikane “Sand Creek” Middle School, Gjuhën Shqipe. Është një ndjesi që të pushton të tërën, të rrëmben dhe bëhesh njësh me nxënësit kur flasin, interpretojnë dhe vallëzojnë shqip.

Ja hymë në klasën e më të rriturve që drejtohet nga mësuese Era Çorbaxhi njëherazi dhe koordinatore e kesaj shkolle, me të cilën bashkëpunuam fort për hapjen e shkollës shqipe së bashku me bashkëshortin e saj fisnik z. Algert Çorbaxhi. Pasi i përshëndetëm përzemërsisht dëgjojmë orën e mësimit ku klasa e mbushur plot përgjigjej me vëmendje pyetjeve të drejtuara me kompetencë dhe profesionalizëm nga mësuesja. Në këtë klasë ndihmon mësuesen asistente Briana plot dashuri dhe respekt.

Ajo e nisi orën duke dëgjuar nxënësit se si kishin kaluar javën e tyre duke i praktikuar përgjigjet e tyre në shqip. Pasi përforcoi gjithë shkronjat që kishin mësuar deri tani vazhdoi me shkronjën e re Gj të madhe të shtypit dhe gj të vogël të shtypit. Së bashku me nxënësit mësuan fjalët që fillonin me këto shkronja.

Në gramatikë morën, kur mund të përdorin i/e dhe të ndërtojnë pyetje me si? Nxënësit interpretuan poezi nga Gjergj Fishta, Asdreni etj. Mësuesja pasi përsëriti duke përforcuar çka ata kanë mësuar në këto tre muaj filloi mësimin e ri që paraqiti mjat interes për nxënësit. Mësuese Era stimuloi bukur të menduarit kritik duke i nxitur ata nëpërmjet organizimit dhe duke i quajtur një partner të dobishëm në komunikimin shqip në klasë.

Është një traditë e jashtëzakonshme për 18 vjet pa u ndalur të përdoren këto metoda bashkëkohore të mësimdhënies duke i kombinuar me ato të traditës dhe në fund shikon efikasitetin e plotë të zbatimit të tyre me përgjegjësi të plotë.

Në këtë klasë në gjysmën e orës së fundit u zhvillua dhe kërcimi i valleve të bukura si “K’cimi i Tropojës” që është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jo materiale të Njerëzimit në UNESCO dhe vallja e Katjushkës.

Në klasën e më të vegjëlve të mësuese Edvina Belishta dëgjuam klasën të mbushur me cicërima zogjsh që dëgjonin me aq vëmendje mësuesen e tyre me përvojë nga shteti amë dhe që po e ushtron profesionalisht dhe në Albany. Gjuha Shqipe në këtë klasë përbën një prej elementeve bazë të mësimdhënies sepse ajo është bazike dhe hap një dritare të re në trurin e nxënësve. Mësuesja pas i pyeti nxënesit se si kishte kaluar java i njohu me mësimin e ri që shpjegoi në dërrasë shkronje Ë të madhe të shtypit dhe shkronjën ë të vogel të shtypit. Ndërkohe iu shpjegoi se si emrat e përveçëm fillojnë me shkronjë të madhe.

Ata punuan të pavarur ushtrime në tekst.

Bukur zbatoi dhe lojnat mësimore duke përsëritur numrat matematikor nga 1 deri në 10. Mësuesja i ndau nxënësit në dy grupe përballë njeri tjetrit ku u vendosën numrat e njejtë. Asistente Lusiana mbante shaminë dhe thërriste në numër, kurse shaminë e rrëmbente më i shpejti.

Ata pësëritën këngën Qengji i vogël pse mendueshëm dhe kërcyen vallen e pogonishtes.

Natyrisht një moment I bukur është dhe takimi me prindërit dhe gjyshërit. Gjate përvojës sime më së shumti ka ndjerë lotët e ngrohtë të gjyshërve dhe bekimin që i japin Alba Life për mësimin e gjuhës shqipe mbesave dhe nipërve të tyre. Dihet që mijëra fëmijë në botë nuk dinë të flasin shqip për shkak të emigrimit dhe të asimilimit të tyre në vendet e huaja.

Unë bisedova me shumë prindër të tjerë ku midis tyre me emocion dëgjova një prind të dy fëmijëve Arjana Delia para kamerave të TV “Alba Life”. Ajo shprehu mirënjohjen e thellë që fëmijët e saj po mësojnë shqip nga dy mësueset e përkushtuara, por njëkohësisht ajo tha se si ata lidhen me njeri tjetrin si shqiptarë. Së shpejti tha se do të sjellë dhe vajzën e vogël që kishte në krah, çka ne si bord e vlerësojmë shumë sepse tregon se sa të kënaqur janë prindërit me këtë program prestigjioz, professional dhe shumë të dashur për nxënësit që ulen në bangat e shkollës.

Ajo na uroi me zemër për ta vazhduar përgjithmonë këtë Mision Kombëtar. Ndërsa ndahesha me ta përzemërsisht në mendje dhe në buzë pëshpërisja vargjet e Naim Frashërit si: Vëllezër shqipëtarë/ Qasuni më dëgjoni/ Sa të mundeni më parë/ Gjuhën tuaj mësoni. Është krenari të kemi shkollë shqipe në Kryeqytetin e Nju Jorkut e cila na ka dhënë një ndjesi mikpritjeje të jashtëzakonshme, kemi qenë disa herë deri të ftuar në Parlament dhe në Senatin e shtetit të Nju Jorkut. Shkollat Shqipe “Alba Life” ne NY, u nderuan në Parlamentin dhe Senatin e Shtetit të Nju Jorkut, për punën dhe përkushtimin e palodhur duke pasur një Rezolutë në emër të “Alba Life”.

Ne u ndamë përzemërsisht me nxënësit, mësuesit prindërit duke iu uruar pushime të mbara të pranverës dhe mirë se të vinë prapë në shkollë në Albany, kryeqytetin e Nju Jorkut atje ku mësohet shqip nga Alba Life, rrjeti më i madh i shkollave Shqipe në Diasporë.

Autorja e shkrimit është shkrimtare, autore e tetë librave, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë New York-un dhe në Albany si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

11 prill, 2025

Albany, New York

Filed Under: Analiza

Këngët Burimore Kërçovare

April 11, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Unë i kam dëgjuar këto këngë. I kam dëgjuar kur bora mbulonte rrugët e qytetit dhe errësira binte me një heshtje të trashë mbi Kërçovën. Ishim në vitet ’80-ta, në ato dimra që zgjateshin më shumë se vetë koha. Nëpër konakë të nxehtë, mbushur me zëra të thellë dhe avull çaji, kënga burimore kërçovare ringjallej si një e vërtetë e vjetër që nuk pranonte të fshihej.

Nuk ndodhte kjo më në vetë fshatin Kaleshe. Shumica kishin zbritur nga mali në qytet, por kënga nuk kishte zbritur – ajo kishte ardhur me ta, si frymë që nuk ndahet nga trupi.

Shpesh vinin edhe miqtë e vjetër nga Prapadishti, Qafa, Tuhini, Cërvica, Kolibartë, Zajazi, etj., etj… Nga këto fshatra vinin mysafirët – burra që dinin të këndonin dhe respektonin rregullin e pathënë të konakut: askush nuk këndonte për vete, as për lavdi, por për tingullin e një kohe që s’kishte orë. Në secilin konak, nata kishte zërin e saj – dhe asnjë nuk ngjante me tjetrën, por të gjitha kishin një të përbashkët: zërin që mbante peshën e kohës.

Konaku nuk ishte sallë, as vend për biseda të gjata. Ishte një dhomë e ngushtë, me një dritë të zbehtë që përthyhej në xhamin e avulluar dhe një oxhak që flakëronte më shumë për sy sesa për ngrohje. Aty nuk bëhej muzikë – muzika ndodhte.

Kënga fillonte gjithmonë pa paralajmërim. Një burrë ngrinte sytë nga çaji, lëshonte një fjalë që s’ishte as varg, as thirrje, por një ton i ngulur, si gozhdë në gur. Të tjerët e ndiqnin me kujdesin e atyre që nuk shpejtojnë – sepse kënga burimore nuk lejohet të nxitohet. Duhej të mbante ritmin e kujtesës, jo të melodisë. Ishte një polifoni e heshtur, ku çdo zë ngjitej si gur mbi gur – pa rënë, pa u kthyer mbrapsht. Zëri i parë nisej qetë, si një tonik i vendosur mbi heshtje. Pastaj vinte dominanta, që e shtynte përpara melodinë, si një udhë që nuk kthehej më pas. Në fund, kadenca e plotë – një zë i ulët, i trashë, që mbyllte rrethin, pa i dhënë fundin. Sepse kënga s’kishte fund – ajo ngelte pezull në ajër, si aroma e barit pas shiut.

Në ndonjë strofë, një thirrje e thellë hapte një derë të padukshme – një zë që dukej se vinte prej larg, si jehonë që kishte kapërcyer bjeshkët, si për të nxjerrë një emër, një plagë, një ndodhi të vjetër. Kur zërat ulej, vinte kavalli – frymë e qetë, që s’donte të bënte melodi, por të shprehte diçka që nuk formulohej dot me fjalë. E luanin herë një burrë plak me sy të mbyllur, sikur fliste me të shkuarën, herë dy shokë të quajtur Nasuf – njëri nga Kaleshet, tjetri nga Hasket – dhe ajri merrte formën e një kujtese që dridhej lehtë mbi zjarre.

Isha i vogël, por e ndjeja peshën e asaj atmosfere. E kuptoja se çfarë ndodhte përballë meje nuk ishte thjesht muzikë. Ishte një akt solemn, ku zëri nuk ngrihej për të treguar forcën, por për të shpëtuar një copë kujtese.

Në atë dhomë, muzika nuk vinte nga instrumentet – vinte nga njerëzit vetë. Ata e mbartnin, si amanet që s’e lëshonin nga shpatulla. Të moshuar, por jo të lodhur. Të heshtur, por jo të zbrazët. Këndonin jo për t’u dëgjuar, por për të ruajtur një dinjitet që nuk hynte në libra, as në radio. Një këndonte për të atin e rënë në luftë. Një tjetër për motrën që s’e pa më. Një i tretë, për askënd – vetëm për këngën vetë.

Konaku në ato çaste bëhej tempull pa emër, dhe unë, fëmijë që ndjeja më shumë sesa kuptoja, e kuptova se po më jepej një thesar pa çelës.

Gjyshi im, Fehimi, nuk këndonte. Nuk e kishte zakon. Ai rrinte në qoshe, duke dëgjuar, me një vështrim që të mbetej gjatë në mendje. Ai dinte diçka që të tjerët shpesh e kalonin me nxitim: heshtja është këngë më vete, nëse e dëgjon me shpirt. Më tregonte. Mua. Jo si lexues i një libri, por si një dorëshkrim i gjallë i një kohe pa datë.

— Zëri është i shenjtë, më tha një herë. Nuk përdoret nëse nuk e ndjen peshën e fjalës.

Më tregonte më pas se çfarë kishim dëgjuar: kush ishte përmendur në këngë, pse ishte thënë një emër, çfarë historie fshihej pas një vargu. Ai e dinte se kënga ishte ligj, dhe ligjet nuk i thyenin as fjalët.

Më rrëfente për Sulltanën, që s’ishte vetëm legjendë – ishte realitet i këngës. Për Sefer Zajazin, që e kënduan të gjithë me zë të ngritur, sikur të ishin ende në luftë.

Tani që jeta më ka çuar në udhën e muzikës – mes akademish, partiturash, sisteme harmonike e emrash të mëdhenj – e kuptoj se ajo që kam dëgjuar në konakët e Kërçovës ishte më e ndërlikuar se çdo analizë muzikore. Ato këngë nuk kishin autorë, as skenë, as copyright – por kishin tingull të drejtëpërdrejtë, të vërtetë, të palyer.

Struktura e tyre? E pasur, por natyrore. Modaliteti vinte nga rrënjët më të lashta shqiptare. Nuk kishte modulime të mëdha, por kishte rrjedhë, përmbajtje, ajër që mbushej me kuptim. Ishte muzikë që s’mund të studiohej pa u jetuar.

Dhe unë e pata fatin ta jetoj. Jo si studiues. Jo si muzikant. Por si një djalë i vogël, i ulur në qoshen e konakut, që pa bërë zhurmë, mësoi më të shtrenjtën e të gjitha mësimeve: Kënga nuk është gjithmonë për të dëgjuar – ndonjëherë është për të mbajtur brenda në shpirtë.

Në ditët e sotme, kur gjithçka kërkon dëshmi, botim, dokument, më vjen ndërmend ajo natë kur gjyshi, pasi u larguan burrat, më tha thjesht:

— Mos e harro këtë zë. Se është i yti.

Dhe ashtu ndodhi.

Nuk harrova.

E ruajta.

Si shkronjë pa ngjyrë. Si tingull pa tel.

Si këngë që nuk pushon, sepse jeton atje ku s’ka më konak – por ka kujtim.

– – – – – – – – – – – – – – –

Filed Under: Analiza

Edhe 1000 vite të kalojnë krimet e komunizmit nuk harrohen!

April 11, 2025 by s p

Besim Ndregjoni/

Sot mbushen 40 vite që “Hitleri” i pas luftës së dytë botërore Enver Hoxha cofi më 11 prill 1985! Shqipëria ishte katandisur në një pronvicë të Europës, ku mohohej besimi në Zot, ku mohohej mendimi ndryshe, ku mohohej dija. Ku zhvillohej lufta e klasave si në mesjetë. Ku mijëra shqiptarë dergjeshin në kampe përqendrimi duke mbijetuar vuatjeve dhe masakrave anti njerzore! Mijëra shqiptarë pushkatoheshin pa faj! Mijëra familje persekutoheshin pa faj vetem se nuk ishin komunista. Mijëra shqiptarë u mohoej arsimimi!

Bilanci i humbjeve njerëzore mbasi cofi krimineli ishte mbi 6000 të pushkatuar pa faj, sot mbas 35 viteve pa varr!

-36.000 të burgosur politik -sot pa asnjë shpresë për shtet të së drejtës.

-60.000 familje me pleq, femi gra shumica nga veriu i Shqipërisë të internuar ne kampet fatkeqe te Tepelenes, Lushnjes, Portopalernos. Sot te degdisur neper bote si emigrante!

– 100.000 familje te shpallura “kulak” dhe te deklasuar sot pa asnje shprese per te ardhmen e vendit!

-35 vite tranzicjon që ideologjia e tij vepron ne kete tranzicjon si batica -zbatica dhe nuk lejon shtetin e se drejtes!

Ne gjygjin e Nurembergut bashkepuntori i ngushte i Hitlerit kur u pyet per kampet çfarosese te ndertuara nga nazizimi se ai kishte ndertuar, ai u pergjigj: Jo nuk kam ndertuar kampe ato i ndertoi Adolf Hitleri, por nuk mund ta mohoj per krimet qe u kryen ku pjesmarres isha dhe Une, dhe pergjigja ime eshte po!

Edhe 1000 vite do te kalojne keto krime do te rendojne mbi Gjermanine.

Dhe mbas ketij postulati une deshmitari i asaj asaj tragjedie u deklaroi poltikaneve shqiptar sot ne 40 vjetorin e cofjes se kriminelit Enver Hoxha, se sado koha kalon dhe ju ne heshtje imitoni Hitlerin shqiptar Shqiperia do te turperohet per kete hitler , por krimet e tij nuk do të harrohen edhe 1000 vite të tjera për shqiptarët.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 985
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT