• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lista e zezë dhe rubrika, qytetari dixhital denoncon!

July 15, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) Për herë të parë denoncimin si akt qytetar, e ndesha këtu ku jetoj sot. Në Amerikë. Një mëngjesi herët. Nxitoja për në punë…, fqinja ime si zakonisht në atë orë nxjerr shëtitje qenin. Ajo është në pension, por punon me kohë të pjesshme, ose privatisht, kryesisht mbrëmjeve. Si fizoterapiste që është, ruan akoma një numër klientësh të kufizuar dhe u bën masazh. Përpara se t’i përgjigjej mirëmëngjesit tim, më kërkoi llogari duke më kujtuar me pyetje se, unë me patjetër që kisha gjetur një njëri që të kujdesej për tim bir. Nuk e lija vetëm në shtëpi? Po ta lija, veproja kundër ligjit. Dhe ajo, jo që nuk përtoi të ma kujtonte, por shtoi se do të merrte në telefon, pasi rreth e qark nesh ka edhe një liqen. Dhe nuk ia mbante zemra të dëgjonte ndonjë gjëm mbytje.

Mbeta si i shushatur. Pasi e kisha ndihmuar disa here. I nxirrja koshat e plehrave. I kisha pastruar makinën. Rregulluar ndonjë bravë dere. Im bir e donte gjithashtu. Lozovitej me qenin e saj. Rrokulliseshin barit. Ndërkohë që ne bisedonim. Ime shoqe e respektonte gjithashtu. Flisnin. U kujtova se një here i kisha folur për koston e lartë të çerdheve a kopshteve. Ajo më ishte përgjigjur se, kjo është Amerika. Nëse nuk të mjafton një punë, bën dy a tri. Ndërsa unë prisja pak mëshirë. Nuk e di pse e dëshiroja një lloj qaravitje timen. Dhe një mëshirë prej tjetrit. Punë mentaliteti, a punë kurbetlliu. Akoma nuk i kam dhënë përgjigje.? Por mbeta si i pa gojë. Dhe nxitova. Im bir flinte. Ashtu e lija gjithmonë. Fjetur. Ose ashtu e linim. Megjithëse kishte pasur raste që edhe ai të ishte pjesë e turneve tona. E shkëmbenim diku në rrugë. Ia dorëzonim shoqi-shoqit. Nga ana tjetër mora time shoqe në telefon. Ajo kthehej nga turni i natës. Ishte duke ardhur. Pra nuk qe hera e pare që vepronim kështu. Ajo vinte e unë ikja. Takimi bëhej në telefon. Kurse djalin e linim në gjumë. Kujdeseshim me turne. Jetonim me turne. Punonim me turne.

2) Mirëpo fqinja, fqinjët, si qytetarë në vendin e tyre, atë punë kishin. Një e më dy telefonin. Qoftë edhe për një ngritje zëri të televizorit. A një grindje familjare. Mbaj mend që erdhi policia vringthi kur ca shtëpi më poshtë një nënë i grishej së bijës. Vendi ra qetësi. Edhe mua më erdhën vringthi pse po tentoja të mbidhja ca lule tek porta. Më kujtuan kontratën, rregullin, nuk mund të bëja asgjë më shume se çfarë ishte aty në bazë të projektuesve. Ndaj dhe paguaja kuotën mujore për çfarë kisha përreth. Po ku dija unë nga këto… shikoja qiellin dhe thosha nga e morën vesh këta.?! Përqark qe zbrazëtirë dhe këmbë njeriu se çapitej. Unë vija nga ajo botë, kur dikush në oborrin e tij bën çfarë i do kokrra e qejfit. Dhe aq i plas për fqinjin. Madje si e si ta shtrydhi tjetrin nervash. Si ta bëj që ta vdesi nga marazi. Vija nga ajo botë ku fqinji ta zbras kamionin e zhavorit tek dera e shtëpisë. Dhe nëse i thua gjë, të tregon çiften me dy gryka. Nga ajo botë, ku gjithçka hidhej në rrugë, në daç ato të bahçes, në daç plehrat e brendshme, ujrat e lavamanit, të halesë etj. Gjithçka i ha rruga. Rruga shtrydhet, shtypet, ngjeshet, dredhohet, kthesohet, kurbëzohet, bllokohet. Rruga e shkretë, edhe pse e gjora ajo… atje në krye, ka një tabelë me emrin e një të shquari. Rruga i ha të gjitha. Kurse ti mender mutin t’i hash atij tjetrit. Fol po ta mbajti. Pra për kësisoj problemesh, se për të tjerat. Se me kë e lë ti fëmijën, ligjin. Probleme sociale që ia shpall koha njeriut të saj… as që duan t’ia dine. Ose po denoncove. Të quajnë spiun.

3) Aktualisht kjo po ndodh në Shqipëri. Aq sa sot një shoqëri e tërë është brenda një kolapsi social dhe e ka të vështirë të bëj dallimin midis aktit qytetar dhe spiunllëkut. Ose e ka pasur prej kohësh të vështirë. Për rrjedhoj shqiptarët presin gjithçka nga shteti. Ndërkohë që shtetarët luftojnë ashpër njëri-tjetrin. Me të njëjtat mjete, me të njëjtat strategji. Gjithçka duhet ta bëj shteti. Kjo është mendësia jonë. Madje jemi gati ta mallkojmë vetveten. Se pse ky shtet nuk na jep dhuntinë që të reagojmë si qytetarë. Ashtu siç bën bota. Të denoncojmë. Por në vend të këtij akti qytetar, mallkojmë vetveten. Sa të pafat që jemi?! Na u ngjit kjo sëmundja e spiunit dhe s’ka karantinë trajtimi ta mposhti. Nuk ndodh kështu në Gjermani përshembull. Në Zvicër. Në Francë…., se në Amerikë jo.

4) Unë nuk e di se sa seriozisht e ka Rama me këtë rubrikën e qytetarit që denoncon. Dhe që i fton të qeverisin kështu. Dhe këtë mund të na i provojnë vet shqiptarët në një të afërme, javësh, a muajsh. Por kaq gjë ua them me bindje se, të denoncosh, është akt qytetar, jo spiunllëk. Unë nuk e di pra se sa seriozisht e ka Rama. Me listat. Këtë që shumë kanë filluar ta quajnë si listë e zezë. Dhe që dikush tjetër e krahason me listat e Shindlerit. Janë shembuj të pa krahasueshëm. Pasi listat e Shindlerit, i përkasin sakrifices, sublimes, shpëtimit të jetëve nga një njeri. Kundrejt pambarimsisë së listave të shfarosjes së hebrejve në Poloninë e viteve të Hitlerit. Kohë lufte. Luftë midis shteteve. Dhe është tjetër lufta brenda gjakut. Dhe nuk e kuptoj përse shumë nga ata që gjejnë emrat aty ndihen të fyer. Flasin për persekucion publik. Luftë breznish, shkollash etj. Dy janë shkollat në Shqipëri… komunizmi revolucionar. Dhe e patriotizmi me metodat komuniste. Dhe një është mendësia administrative tek ne. Gjej një vend pune për të rjepur të tjerët. Jo për të shërbyer. Dhe po një është mendësia intelektuale. Nxë, a studio, a mëso…, për t’u mburrur, për t’u dukur, për të sunduar. Dhe jo për t’i sherbyer popullit tend. E tërë jeta jonë është lufta e klasave që shqiptarët nuk duan të përfundoj asnjëherë.

Unë nuk e di pra, se, sa seriozisht e ka, por di që Rama tallej me denoncimet, përshembull të shqiptarëve. Të cilët nga halli që nuk ua shikon, nuk ua beson kush statutet në fb. I dërgojnë ato tek rubrika qytetari dixhital denoncon, e Sali Berishës. Por di të them se, si Rama, si Sali Berisha…, janë dy ideatorët e denoncimit dixhital. Dhe gjykoj se nuk e kanë për të mirën e shqiptarëve. Dy burra shteti që ecin në gjurmët e njëri-tjetrit, nuk ka si mendojnë për qytetarët. Njëri e quan shantazh, njëri spiunllëk. Të dy të njëjtin avaz. Me të njëjtën strategji. Deri sot shqiptarët njohin vetëm një arritje, nga kjo. Nxjerrjen e syve njëri-tjetrit. Pasi askush nuk është dënuar nga denoncimet e njëshave. Veçse kanë plotësuar para kohe planet, a normën e organeve të akuzës. Me dosje, me letra, që pluhur janë bërë. Askush. Veç votave sa në një krah në tjetrin, sa për Berishën, sa për Ramën. Dhe jo për veten tuaj.

Eshtë koha të denonconi nga muret tuaj, jo nga fb i Ramës a Berishës. Pasi vendi vërtet ka nevojë për qytetarë.

Filed Under: Analiza Tagged With: dixhital denoncon!, Ilir Levonja, Lista e zezë dhe rubrika, qytetari

Deklaratat e pamatura politike po dëmtojnë marrëveshjet për koalicione

July 12, 2017 by dgreca

3 kandidatetFormimi i Qeverisë së re të Kosovës mund të hyjë në një fazë krize nëse partitë politike nuk ulen në negociata për formimin e koalicionit dhe formulës së ardhshme qeverisëse. Kështu parashikojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, sipas të cilëve, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, tani u mbetet partive politike që të mendojnë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Analistët konsiderojnë se partitë politike duhet t’i lënë anash inatet politike dhe sa më parë të shënojnë përparime në negociata.

Aktualisht, nisma për formimin e Qeverisë së re i takon kandidatit të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, Ramush Haradinaj.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, i tha Radios Evropa e Lirë se deklaratat e liderëve të partive politike, që në fillim kanë nisur ta komplikojnë procesin e krijimit të institucioneve.

“Bazuar në vet rezultatet dhe në deklaratat e subjekteve politike, për të kundërshtuar pjesëmarrjen në një Qeveri ku është edhe PDK-ja, duket se e bëjnë të komplikuar procesin në krijimin e Qeverisë, dhe si të them, shtrirjen e një Qeverie me një bazë të gjerë të spektrit politik”, tha Kryeziu.

Sidoqoftë, ai citon edhe kandidatin e koalicion PAN, i cili vazhdon të besojë se do ta formojë Qeverinë e re.

“Tani kandidati nga PAN-i, zoti Haradinaj, në deklarimet e tij publike ka bërë të ditur se veç i ka numrat e mjaftueshëm për krijimin e Qeverisë“, tha ai.

I nominuari për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj ka përmendur si mundësi lidhjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën, por këto tri parti nuk e kanë konfirmuar këtë aleancë paszgjedhore, dhe kanë refuzuar të jenë pjesë e takimit të ftuar nga zoti Haradinaj, të martën më 11 korrik.

Ndërkohë, analisti Ismail Hasani, konsideron se partitë politike fituese të zgjedhjeve të fundit, po i komplikojnë vetë gjërat dhe çështjet që ndërlidhen me ndërtimin e institucioneve. Ai thotë se Ramush Haradinaj me deklaratat e tij se ka numrin e votave, e që siç thotë ai, nuk i ka, ka vështirësuar nisjen e mbarë të takimeve dhe arritjen e marrëveshjeve.

“Është një problem ekstra i cili vështirëson edhe komunikimin sa u takon përpjekjeve të mandatarit për të kontaktuar, qoftë në mënyrë formale qoftë joformale, grupe të ndryshme politike“, tha Hasani.

Ai parashikon vështirësi në krijimin e koalicioneve paszgjedhore, pasi që sipas tij, tash për tash nuk po shihen rrethana që shpejt mund të ketë ndonjë marrëveshje.

“Drita nuk shihet në fund të tunelit, sa i përket përpjekjes së parë të nominuarit [nga koalicioni PAN] për të formuar Qeverinë. Diskrecioni i Presidenti mbetet për t’u parë, në çka dyshoj, dhe ka një barrikadim, do të thosha”, tha Hasani.

Nga ana tjetër, Ismet Kryeziu konsideron se pavarësisht deklaratave refuzuese të partive politike se tash për tash nuk duan të bashkëpunojnë, në fund, ato mund të lëvizin nga qëndrimet fillestare dhe të arrijnë deri te marrëveshja.

“Marr parasysh deklaratat e partive politike, ne kemi përvoja të ndryshme. Kemi raste kur këto deklarata janë shuar dhe vendimet kanë ndryshuar. Kështu që ende nuk kemi një zhvillim të negociatave të subjekteve politike, por kemi vetëm deklarimeve publike, të cilat duke u bazuar në përvojat e kaluara, nuk do të qëndrojnë të tilla deri në fund“, tha Kryeziu.

Analistët thonë se negociatat që do të zhvillohen ditëve dhe javëve në vijim, mund të sjellin formula nga më të ndryshme për formimin e Qeverisë. Kurse, përfaqësuesit ndërkombëtar në Kosovë u kanë bërë thirrje partive politike që të mos vonojnë në krijimin e institucioneve të reja dhe të formojë një Qeveri pro-evropiane dhe të qëndrueshme.(Kortezi:Anton Konushevci-RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: deklaratat e pamatura, Koalicionet e Kosoves

Ilir Rusmajli shut up your mouth dhe kërko ndjesë për bëmat e tyt eti

July 12, 2017 by dgreca

Prej kur Pjetër Arbnorin e larguan nga Kuvendi i Republikës të Shqipërisë dhe e zëvendësuan me Ilir Rusmajlin, PD ishte kthyer në parti motër me PS./

1 elida

Nga Elida Buçpapaj/

Ilir Rusmajli po shet dëngla demokracie.

Po flet me sloganët e Bill Clintonit!

Por harron themeloren se Bill Clintoni nuk ishte i biri i Çajup Rusmajlit, që kish përndjekur inteligjencien shqiptare, por biri i Amerikës të lirë, që diktatura e konsideronte armike të PPSH.

Andaj mbylle gojën, shut up your mouth Ilir Rusmajli.

Mos i bëj ti moral PD-së.

Sepse ti s’ke moral.

Ti ende nuk ke kërkuar ndjesë për bëmat e tyt eti.

Anija e PD-së e ka nisur fundosjen më 1996. Shkaku kryesor është se hoqi dorë nga kauzat e 1992.

I tradhtoi ish të përndjekurit,

I tradhtoi ish pronarët.

Ish të përndjekurit i zëvendësoi me bij anëtarësh të Komitetit Qendror,
që kishin persekutuar elitën gjatë diktaturës, bij persekutorësh të egër që i kishin torturuar artistët;

Ish pronarët i zëvendësoi me pronarët e rinj që u pasuruan brenda natës.

Prandaj shut up your mouth Ilir Rusmajli.

PD-ja kishte marrë fund si parti e qendrës së djathtë kur e zëvendësoi Pjetër Arbnorin me Ilir Rusmajlin, të birin e persekutorit Çajup Rusmajli.

Kur Ilir Rusmajli u zgjodh deputet në vitin 2005, ndërsa Pjetër Arbnorin e nxorrën në pension, PD si parti e idealeve të 22 Marsit 1992 kish pushuar së qeni.

Që kur të birin e persekutorit të diktaturës,  PD e emëroi Ministër të Drejtësisë, shteti ligjor ishte vithisur, sepse Ilir Rusmajli duhej ta niste nga i jati funksionimin e shtetit të së drejtës.

A e ka dëgjuar kush të kërkojë ndjesë Ilir Rusmajli për bëmat e të jatit!

Askush! Kurrë!

Prej këtij çasti PD i kishte shitur idealet e lirisë me bijtë e etërve të PPSH.

Prej kur Pjetër Arbnorin e larguan nga Kuvendi i Republikës të Shqipërisë dhe e zëvendësuan me Ilir Rusmajlin, PD ishte kthyer në parti motër me PS.

Prandaj shut up your mouth Ilir Rusmajli.

Kërko ndjesë dhe qendroi sa më larg PD-së.

Sepse ti je i biri i persekutorit, ndërsa PD-ja e 1992 ishte parti e të persekutuarve, që e çliroi popullin nga prangat e diktaturës pas një terrori gjysmë shekullor!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bill Clintoni, Cajup Rusmajli, Elida Buçpapaj, Ilir Rusmajli

Eshtë anormale në Shqipëria kultura për njohjen e votes

July 12, 2017 by dgreca

1-ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/

Berisha bën mirë që nuk kthehet.…Po, po bën mire që nuk kthehet. Ndofta më e mira punë që po bën. Ja ca shpjegime përciptas.

1) PD-ja e ka të domosdoshme një gjullurdi të tillë. Pasi i takon vet asaj, të ribëhet a të shpërbëhet. Me dhimbje, por këto janë proçese të domosdoshme për një forcë politike.

Sidomos për një të tille si ajo. Ka pasur mbështjen të gjerë votuesish. Ka pasur me dy duar. Aq sa nuk ka ditur se çfarë të bëj me pushtetin. Dhe krejt naïve ka bërë ca gjyqe kafesh, apo politike. Pa u ndarë qartasi me të shkuarën e mbrapshtë dyzetë e pesë vjeçare të diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave. Ca reforma që i zgjasnin pushtetit, si ajo e tokave, e pronave, duke shëndërruar ca kaptera ushtrie, ca mistreca të diktaturës në bosë të ndërtimeve, karburanteve. Apo lekëve…, mjaft të kishe qënë mistrec në diktaturë. Dhe bëheshe demokrat race. Demokratët e vërtetë iknin në mërgim. Dhjetoristat i kishte dëbuar. Ose i linte pa mbështetje për shkak të ca aleancave me bijtë e nomeklaturës. Madje bujarisht u dha mandate deputeti për shkak të një opozitarizmi brenda llojit. Por koha vertetoi shpejt se, reformat nuk bëhen për vete, bëhen për vendin.

2) Dhe fatkeqësia më e madhe, (nga reformat), drejtësia, arsimi, administrat, besimet fetare. Mjeksia as që çohet nëpër mend… Mirëpo, shteti bëhet me profet të fjalës dhe ligjit. Jo me jurista 6 mujor. Me prurje si planet pesë vjeçare të Enver Hoxhës. Nuk mbeti agronom apo gango diktature. Gango mistrec, vetëm e vetëm pse thoshte që jam kulak. Pa u bërë dikushi. Madje edhe dekoruar. Nuk ishte për gjë që, një i dënuar për vjedhje në diktaturë, të shpallej i persekutuar. Të rifitonte të drejtë studimi. Kur të tjerët konkuronin. Të fitonte gjithçka. Dhe mjaftonte një kollaro a një kostum firmato. Ai bëhej intelektual. Kjo ishte epoka e ironisë qytetare, në lidhje me identitetin social. Gjatë dyzetë e pesë viteve, shqiptari rendi të bëhej me teserën e komunistit. Si ai me njollë si ai pa njollë. Tashmë në demokraci, prapë, si ai me njollë si ai pa njollë, rendnin pas asaj të kulakut. Kam njphur njerëz që çfarë nuk bënin të hiqnin njollat e biografisë dikur. Deri ditët e fundit. Ashtu siç njoha të tillë tashmë që nuk lane gjë pa shpikur për sa më shumë njolla. Kjo nuk kam frikë ta them ka qënë dhe epoka e paburrërisë. Sytë e shqiptarit lëvrinin nga lakmia, jo nga bukuria.

3) Filloj dhe një frymë mentale, e blerjes së vendit të punës. Sa edhe sot e kësaj dite mendësia e rryshfetit, e dhënies së lekut është dominante.

Nuk bisedon dot me një njeri në Shqipëri. Për çdo gjë. Për çdo shërbim…, të thonë, nuk bëhet…, do lekë. Duan lekë ata. Nuk ta japin….Nuk merret shkolla, duhet leku që ta marrash.

Nuk gjehet punë. Duhet lekë. Nuk bën dot gjë, nuk ndërton dot, duhet lekë. Aq sa sot diferenca mes qytetarit shqiptar dhe qytetarit perëndimor qëndron në një fakt të diametraisht angllish. Ai perëndimori njeh dokumentin. Për shqiptarin dokument është vetëm leku. Blihet një vend pune, jo me dokumenta. Se ato si ha as dreqi në Shqipëri. Po me lekë. Dhe me një çmim që nuk e kap as paga vjetore. Por kjo ndodh për faktin se njeriu i ri shqiptar, e shikon administratën, vendin e punës. Jo për pagën. Por përfitimet nga dhënia e vertetimeve, çertifikatave, tapive, pronave e dreqi e merr vesh. Ato që në botë janë shërbime të detyrueshme dhe me shpenzime taksative të publikuara në xham. Tarifa që i shkojnë shtetit, jo nëpunësit.

4) Heshtja karshi prurjeve të misionarëve fetarë. Me naivitet revolucionarësh të rinj. Aq sa sot, ortodoksët shqiptarë falen greqisht, Sikur greqishtja të ketë qënë gjuha e krishtit. Po, katolikët shqiptarë, italisht. Dhe myslimanët shqiptarë janë totalisht turq. Dhe kontigjent i radikalizmit dhe shtetit të xhihadistëve. Na falen e hanë shesheve sikur me qënë koha nga modeli i mencave dhe kapanoneve. Sa përshembull sot kisha shqiptare e Fan Nolit është akoma një kishë në arrati.

Në një lloj persekutimi të vazhdueshëm.

Por për tmerrin e kohës paradoksale që na ka pllakosur, nuk gjen një fetar shqiptar të flasi për kombin. Njeriu i Zotit është njeri kombëtar. Eshtë patriot. Por pikërisht patriotëve tanë, si nga orotodoksia, si nga katolikët, ashtu dhe nga myslimanët…, u a kemi lëruar nënat. Dhe pirdhemi në këtë xhihadizmin e pa fe, pa besim të shqiptarëve, që besojnë veç përciptas.

Shteti nuk ndërhyn në punët e fees. Po shteti rregullon me kushtetutë se si duhet të veprojnë besimet. Megjithëse kësaj prove, kanë dështuar të gjitha qeversjet tek ne. Por kjo nuk e lehtëson aspak të shkuarën e PD-së. Që është edhe Berisha.

5) Ne shqiptarët kemi një shprehje… ç’të mbjellësh, do të korrësh. Mbase mund të mos jetë plotësisht shqiptare, Por na shkon për shtat. Këtë mbollën politikanët tanë gjatë këtyre viteve. Kulturën e Unit. Të të fortëve. Të mos njohjes asnjëherë të vullnetit të popullit. Të votuesve.

Eshtë anormale në Shqipëria kultura për njohjen e votes.

Anormale rregulli i lojës.

Filed Under: Analiza Tagged With: ben mire qe nuk kthehet, Berisha, Ilir Levonja

HEQIN SHQIPONJËN E VËNË NJË QAFË PATE NË FLAMURIN E PAVARËSISË

July 12, 2017 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/Alardo Kastrioti 01Një flamur me shqiponjë qafëgjatë si qafë pate na e paska valëvitur në ballkon të Vlorës Plaku Ismail Qemali në 1912. Na paska mashtruar të gjithëve, madje ka mashtruar edhe ata që e kanë parë dhe prekur me dorë atë flamur. Magji u paska bërë Plaku i madh i Vlorës. Nuk i paskan pas sytë në ballë Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Dom Nikollë Kaçorri apo dhe Lef Nosi. Kësisoj si në një lojë kungulleshash, sa të ketë në Tiranë televizione e gazeta, historia ndryshon more tungjatjeta.

Por ky nuk është zbulim por spekulim kokë e këmbë. Megjithëse nuk ka as kokë e as këmbë ky studim i thellë në pus të cekët, por ka veç bisht. Bisht si i dhelprës ardhur ndoshta nga qymezet e fqinjëve ballkanikë, se ata e duan Shqipërinë pa histori. E duan gjithçka të dyshimtë e pa taban. Siç patën shkruar dikur në gazetat e tyre fqinjët ballkanikë, se shqiptarët janë njerëz të egër, janë njerëz me bisht, por ua dha përgjigjen At Gjergj Fishta në një konferencë ndërkombëtare. Le ta lexojmë me vemëndje këtë histori jo vetëm për të qeshur, por edhe për të menduar se në çfarë bataku na duan oreks-mëdhenjtë ballkanas për trojet shqiptare, e gjithashtu si duhet t’ua tregojmë vendin që u takon atyre që na e shtrembërojnë historinë me një të rënë të lapsit.

Rrinte në këmbë Fishta ynë i madh.

I tha kryetari që hapte konferencën

“Ulu Atë!”

Po Fishta ngulmoi të mos ulej duke kërkuar një karrige tjetër me vrimë.

“Po pse e do me vrimë?”- i thanë.

“Të vë bishtin!”- ua ktheu.

Aty ishte dhe shkrimtari serb që kishte shpifur për shqiptarët dhe gjithë salla qeshi me atë shkrimtar shovinist.

Tani erdhi koha të qeshim edhe ne me një skicë të një grafisti të panjohur në vitin 1912, e bërë me nxitim në ndonjë kafene të Vjenës për ndonjë honorar, që sipas një “zbulueseje”, ndryshoka realitetin shqiptar të 28 nëntorit 1912 pas një shekulli e kusur. Kështu tregohen përralla në shtypin shqiptar. Dhe  meseleja e përrallës për flamurin me qafë pate gjen jehonë marramendëse në të gjitha televizionet ordinere që nuk kanë as minimumin e njohurive historike apo të kulturës kombëtare. Dhe historianët profesionistë që marrin rrogat nga paratë e popullit, nëpërmjet taksave qeveritare, heshtin si mumje egjiptiane. Pse të prishin qejf ata. Rrogat i kanë të majme, vetë janë si gica, dhe asnjë njeri në pushtet nuk u kërkon llogari sikur të mos ketë qeverisje në këtë vend. Por piramida e mumjeve është vetë Akademia e Shkencave në Tiranë, që hesht dhe ajo si një varrezë.

Ndoshta dikush ua paguan edhe heshtjen.

Por le të tregojmë diçka për flamurët, por edhe për zbulim-shpifjen për portretin “Motra Tone” që nuk na qenka vepër e Kol Idromenos, por e memurëve të qorollepsjes që nuk dinë çfarë të bëjnë e lozin derën.

Në Vjenë është punuar edhe Flamuri i Deçiqit,  një vit më parë se të botohej ajo grafikë ilustruese në Vjenë, që i turbulloi mendjen “zbulueses” si në librat me përralla për fëmijë, pra në mars 1911. Flamuri i Deçiqit është i fotografuar nga Kel Marubi në verë të vitit 1911, se ndryshe edhe këtë si qafë pate apo si sorrë do të na e përshkruanin zbuluesit e shekullit 21. Por shqiponja në flamurin e Deçiqit nuk është një shpend qafëgjatë. Nga kjo del se qarqet në Vjenë e dinin modelin e flamurit shqiptar, por ai grafisti i gazetës ka punuar kuturu në atë model flamuri të stilizuar dhe tani e mbështet si një realitet i padyshimtë dhe kjo studiuesja jonë në një shkrim që nuk ka të bëjë në asnjë drejtim me argumente apo fakte historike. Dhe këtë skicë që e quajnë zbulim epokal në mediat mediokre të Tiranës, e kemi parë me qindra herë në mediat sociale via internet. Madje këtu e shumë vite me parë se kjo studiuesja që e zbulon në facebook të na e servirte. Por ne kemi thënë se ai që e ka bërë, ka stilizuar se nuk e ka pasur të qartë se cili është flamuri i shqiptarëve. Kështu mosdija kthehet në “dijë” prej mjerimit kulturor bashkëkohor.

Po ju përcjellim në vëmendje një flamur shqiptar i dizenjuar dhe shpërndarë nga Parisi nga Alardo Kastrioti që në vitin 1902, që e konsideronte veten pasardhës të Gjergj Kastriotit. Dy flamurë të tillë dhuratë nga Alardo Kastrioti, siç paraqitet në këtë kartolinë të vjetër të asaj kohe,  i ka sjellë fshehurazi nga Parisi në Shkodër Dom Ndoc Nikaj në vitin 1902.Edhe Flamurin e Deçiqit po Alardo Kastrioti e ka paguar. Prandaj këto hamendësime që në Vlorë është shpalosur një flamur tjetërsoj me shqiponjën si portretet e femrave qafëgjata të Pikasos, pra qafë pate, janë sa të pavërteta po aq dhe groteske.

Çfarë nuk ndodh në këtë konfuzion total në shoqërinë shqiptare ku dëshira e shkatërrimit qenka më zotëruese se ajo e ndërtimit. Hidh një i paditur një gurë në ujë dhe shfaqet zbulimi i shekullit ndër shqiptarë të paditur.

Jo pak ditë më parë kështu e hodhi një gur në ujë të turbulluar edhe një restaurator veprash të kishave mesjetare, kur tha se Kol Idromeno nuk e ka pikturuar Motrën Tone. Dhe ngul këmbë si mushka ne shtyp e intervista të fryra kacek, duke mos sjellë asnjë argument shkencor. Të tillë mohues të vlerave kombëtare nuk ja ndjejnë aspak nevojën arsyetimit, por as dhe fakteve. Mjafton zhagitja  në idenë e ngulitur se ata e vetëm ata kanë të drejtë.

O Tempera o Mores! E dimë nga kemi ardhur, por nuk po e dimë nga po shkojmë me këto pasione mohuese. Mbase e bëjnë se, të pazot të ndërtojnë, duan të bëhen të famshëm e të ngelën në histori duke mohuar e shkatërruar si Neroni.

Etja për lavdi është në zenit në tymnajat e Tiranës. Shpifjet e denigrimet në këtë kohë janë në mode. Kohë të marrësh!

 

12 korrik 2017

Filed Under: Analiza Tagged With: Heqin shqiponjen, Kolec Traboini, ne Flamurin e Pavaresise, vene paten

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 557
  • 558
  • 559
  • 560
  • 561
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT