• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë, tash pritet interpretimi i Kushtetueses

October 31, 2015 by dgreca

-Mustafa: Gjykata Kushtetuese, vlerësimin më meritor për asociacionin/
-Tituj të shtypit kosovar: Asociacioni në Kushtetuese, reagon Beogradi. MSA-ja mund të pezullohet nëse nuk zbatohen marrëveshjet me Serbinë. Jemi të vendosur ta ndalim ‘Zajednicën’.A do t’ia dalin shqiptarët ta fitojnë betejën ndaj serbëve, kundër Asociacionit autonom!?/
PRISHTINË, 31 Tetor 2015/ Kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e qeverisë ka përshëndetur dorëzimin e kërkesës nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me dhënien e mendimit për marrëveshjen e asociacionit të komunave më shumicë serbe, të arritur në dialogun me Serbinë, në 25 gusht, në Bruksel.
Kryeministri Mustafa tha se ky hap është përshëndetur nga ai edhe nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, edhe në cilësinë e kryetarëve të subjekteve partnere të koalicionit qeveritar.
“Vlerësojmë se është një hap i mirë sepse është Gjykata Kushtetuese ajo që do ta jap vlerësimin më meritor lidhur me atë se a është kjo marrëveshje në harmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës apo jo. Një gjë të tillë ne e kemi paraparë edhe me marrëveshje, që ajo, në të gjitha fazat, të shkojë për mendim në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj, kjo nuk paraqet kurrfarë bllokimi ose suprimimi të marrëveshjes sonë që e kemi bërë në Bruksel, por është një prej procedurave në të cilat ne e verifikojmë përshtatshmërinë e kësaj marrëveshje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa dje pasdite në mbledhjen e qeverisë.
“Asociacioni në Kushtetuese, reagon Beogradi”, është një nga titujt e shtypit të sotëm në Prishtinë, pas zhvillimeve të djeshme rreth Asociacionit të komunave serbe në Kosovës – një nga katër marrëveshjet e 25 gushtit 2015 në Bruksel, të raundit të 28-të kryeministror të dialogut me Serbinë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të Asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga e ka referuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese për të ngritur çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në komunikatën e Presidencës, citon Zëri.
Ndërkohë, ky vendimi i Jahjagës ka nxitur reagime në Beograd. Qeveria e Aleksandar Vuçiçit ka kërkuar menjëherë ndërhyrjen e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në bisedimet e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kësisoj, Vuçiç është shprehur se prej Prishtinës gjithçka mund të pritet, dhe në këtë rast, sipas tij, bëhet fjalë për një lajm shumë të keq.
“Mendoj se bëhet fjalë për një sjellje të papritur dhe thënë me fjalët më të buta, sjellje të papërgjegjshme”, ka thënë ai.
Kryeministri serb ka thënë ndër të tjera së në Bruksel është negociuar me muaj dhe janë bërë shumë kompromise, ndërsa pjesa më e madhe e marrëveshjes ka të bëjë me Asociacionin e Komunave Serbe. “Nënshkrimi im në këtë marrëveshje nënkupton diçka. Nënshkrimet e kujtdo qofshin nga Serbia për mua nënkuptojnë diçka, kurse për ta, përfaqësuesit e Prishtinës, nënshkrimet nuk do të thonë asgjë. Ata e morën këtë vendim një ditë pasi që nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit”, është shprehur ai.
Kurse koordinatori i ekipit të Beogradit për AKS-në, Lubomir Mariç, ka deklaruar se duhet të sqarohet nëse është apo nuk është në fuqi marrëveshja për Asociacionin.
“Kjo është çështje e Bashkimit Evropian. Ne duhet të bisedojmë seriozisht me BE-në dhe se qeveria e Serbisë duhet të kërkojë nga Brukselit sqarime konkrete rreth afatit të formimit të Asociacionit dhe të marrë përgjigje se a është suspenduar marrëveshja për këtë Asociacion”, ka thënë ai.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar mirëkuptim nga deputetët serbë, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për një veprim kushtetues që është nën autoritetin e presidentes. “Shpresoj që Lista Serbe e cila është duke dhënë kontribut në institucionet tona e mirëkupton këtë iniciativë. Kjo është çështje e Kushtetutës të cilës të gjithë ne i bindemi dhe e respektojmë”, ka deklaruar Veseli.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se nëse Gjykata e interpreton këtë marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë ajo nuk do të zbatohet.
Për subjektet opozitare kjo iniciativë nuk do të ndikojë në kundërshtimin e tyre për AKS-në apo siç e quajnë ata “Zajednicës”, shkruan Zëri.
Me titullin, “MSA-ja mund të pezullohet nëse nuk zbatohen marrëveshjet me Serbinë”, Koha Ditore shkrun se, nëpërmjet ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), Kosova zotohet të zbatojë të gjitha marrëveshjet që i ka firmosur deri tash me Serbinë dhe të negociojë me këtë shtet të gjitha çështjet kontestuese.
Tërheqja nga secila marrëveshje ka për pasojë pezullimin e MSA-së nga ana e Bashkimit Evropian.
Këto aspekte trajtohen që në krye të këtij dokumenti 550-faqesh, i firmosur këtë javë në Strasbourg midis autoriteteve kosovare dhe atyre të BE-së.
Projektligji për ratifikimin e MSA-së është aprovuar të premten në mbledhjen e Qeverisë dhe është proceduar për votim në Kuvend. Kuvendi, ndërkaq, e ka vënë në agjendë votimi për të hënën, për kur ka thirrur seancë plenare.
Në nenin 5 të MSA-së theksohet se Kosova zotohet të vazhdojë angazhimin për përmirësimin e dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë dhe bashkëpunimin efektiv me misionin e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes derisa janë në fuqi, siç përcaktohet më tej në nenin 13, shkruan gazeta.
Ndërsa, “Jemi të vendosur ta ndalim ‘Zajednicën’”, është kryetitulli në ballinën e gazetës Epoka e Re.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se çelësi i stabilizimit politik dhe institucional në Kosovë është në dorën e kryeministrit Isa Mustafa.
Në këtë intervistë për gazetën, ai ka vlerësuar se zgjidhja më e mirë për të gjitha palët është pezullimi i marrëveshjes për ‘Zajednicën’. “E vetmja zgjidhje për kryeministrin, për qeverinë, për opozitën e, para së gjithash, për Kosovën, është pezullimi i marrëveshjes për ‘Zajednicën’, për shkak se kjo marrëveshje është antikushtetuese dhe është kundër interesave të shumicës së qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Selimi.
Ai ka thënë se marrëveshja për “Zajednicën” fare nuk do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese meqë, sipas Selimit, kjo gjykatë është në duart e politikës si dhe kredibiliteti i saj nuk është i mjaftueshëm për ta bindur opozitën që t’i besojë.
“Kryeministri i Kosovës kërkon nga ne t’i besojmë një Gjykate Kushtetuese së cilës për një çështje të caktuar nuk i ka besuar ai vetë. Prandaj, Gjykata Kushtetuese është në duart e kryeministrit dhe të politikës. Duke qenë e tillë, fare nuk do të duhej të dërgohej marrëveshja për ‘Zajednicën’ në këtë gjykatë”, ka theksuar ai.
Selimi ka bërë me dije se pas ratifikimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim opozita do të vazhdojë ta bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se sa më kryeneçe të jetë qeveria, aq më i madh do të jetë reagimi opozitar. “Sa më tepër që të ketë masa represive për ta mposhtur opozitën, aq më tepër do të ketë përshkallëzim. Nuk ka variant të kthimit prapa të opozitës si pasojë e trysnisë nga pozita”, ka deklaruar Selimi.
Po ashtu, ai i ka komentuar edhe reagimet e zyrtarëve serbë për mundësinë e pezullimit të marrëveshjes për “Zajednicën”. Selimi ka thënë se ky reagim do të duhej të ishte një argument shtesë për ta kundërshtuar edhe më shumë marrëveshjen për asociacionin e komunave serbe.
“A do t’ia dalin shqiptarët ta fitojnë betejën ndaj serbëve, kundër Asociacionit autonom!?”, është pyetja në titullin e gazetës Bota Sot, ku theksohet: “Jahjaga i drejtohet Kushtetueses, opozita shprehet skeptike”. /b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, interpretimi i Kushtetuses, shtypi i Kosoves

PSE E CENSUROI MEDIA E TIRANES INTERVISTEN E KRYPARLAMENTARIT META?

October 30, 2015 by dgreca

Intervista e Ilir Metës tek Zëri i Amerikës bujë në rrjetet sociale e censurë totale në gazetat e Tiranës/
Nga Elida Buçpapaj/
Ka qenë një hard talk intervista e gazetares të Zërit të Amerikës Ardita Simiçia me kryeparlamentarin e Shqipërisë Ilir Meta. Në fund të fundit gazetarja bëri veç detyrën e saj. Por me një stil krej ndryshe nga gazetarët në Shqipëri që me politikanët kanë lidhje interesash klienteliste. Intervista u prit me entuziazëm nga publiku. U duk sikur njerëzit u zgjuan. Në fund të fundit, këtë pret opinioni publik. Që politikanët shqiptarë të vihen me shpatulla pas murit. Dhe nuk është asfare vështirë. Por mediat në Shqipëri nuk duan, sepse janë bërë pjesë e kapjes së shtetit.
Intervista e Simiçisë u mirëprit nga shqiptarët dhe ktheu kohën kur Zëri i Amerikës ishte një nga faktorët kryesorë që ndikoi në rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Shqiptarët kanë nevojë për mediume të tilla të lirisë, sepse e kanë humbur totalisht shpresën dhe besimin tek televizionet dhe gazetat që përdoren për t‘i manipuluar shqiptarët sepse janë të shitura tek politika.
Por ndërsa kjo intervistë pati jehonë të madhe dhe u mirëprit nga opinioni publik dhe në rrjetet sociale, 180 gradë ndryshe ishte reagimi i gazetave të Tiranës, të cilat nuk i kishin kushtuar asnjë hapësirë dhe vend kësaj interviste, sikur kjo intervistë të mos ishte bërë fare. Do të mjaftonte titulli që kishte e botuar Zëri i Amerikës: Ilir Meta përballë pyetjeve për korrupsionin, për të tërhequr vemendjen e lexuesve dhe megjithëse Gazetat e Tiranës janë të etura për tituj skandalistikë për të shitur stoqet e tyre, ato e censuruan intervistën e Ilir Metës tek Zëri i Amerikës.
Lloji i censurës i ndau gazetat në tri grupe :
Në grupin e parë:
hynin ato gazeta që e kishin censuruar totalisht intervistën dhe i bënin jehonë suksesit të vizitës të Ilir Metës në Kongresin Amerikan. Këtë mbulim kishin bërë Gazeta Telegraf, Gazeta Koha Jonë dhe vetë Gazeta Integrimi, organ i LSI e cila për sfidë botonte edhe fragmente nga intervista tek Zëri i Amerikës.
Në grupin e dytë:
hynin ato gazeta që gjithashtu e kishin censuruar intervistën por kishin nxjerrë nga një theks në një kufizë të vogël që nuk lidhej asfare me thekset e vërteta të intervistës që ishin korrupsioni, lluksi i politikanëve, afera korruptive DIA-CEZ dhe ngecja e reformës në drejtësi:
Ja masakra e gazetave të Tiranës:
Gazeta Panorama: Vizita: Meta në Kongresin e SHBA, takim me liderët e demokratëve.
Gazeta Shekulli: Impulset e reja nuk lidhen me ndryshimet në qeveri
Gazeta Mapo: Impulset s’kanë të bëjnë me ndryshime ministrash
Gazeta Shqip: Impulset në qeveri: Meta: S’fola për emra ministrash
Gazeta Shqiptare: Impulset e reja nuk kanë të bëjmë me emrat por me rezultatet
Gazeta Sot: Kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë një interviste tek Zëri i Amerikës ka sqaruar dje nënkuptimin e sintagmës „impulse të reja“. Sa i takon ndryshimeve në qeveri Meta theksoi.
Në grupin e tretë:
bënin pjesë ato gazeta që e kishin censuruar totalisht intervistën dhe nuk kishin shkuar asgjë, kur nëse do të ishin gazeta të opozitës si pretendojnë të jenë, do të duhej që ta botonin me okelio titujsh e nëntitujsh sikur edhe vetë Sali Berisha do të duhej që të shkruante editorialë gazetash dhe statuse në Facebook. Por jo, për intervistën e Ilir Metës tek Zëri i Amerikës, Sali Berisha e mbajti gojën të mbyllur dhe po ashtu censurë totale edhe Rilindja Demokratike e Gazeta 55.. Të njëjtën edhe Tema e Shqiptarja.com!
Këto statistika të trishta tregojnë qartas për situatën tragjike të shtypit në Shqipëri. Kur arrijnë të censurojnë Zërin e Amerikës, merret me mend se në shtypin dhe mediat e Tiranës gjithçka është nën censurë.
Por pa shtyp të lirë nuk ka as shtet demokratik dhe as demokraci. Pa shtyp të lirë ka vetëm shtet të kapur dhe diktaturë të mafies.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, INTERVISTEN, MEDIA E TIRANES, PSE E CENSUROI

DEKRIMINALIZIMI I SHTETIT DHE DREJTËSISË SHQIPTARE FILLON NGA KTHIMI I PRONAVE

October 30, 2015 by dgreca

ÇELËS PËR TË LUFTUAR KORRUPSIONIN E LIGJËRUAR JANË GJYKATA E STRASBURGUT, FMN, BANKA BOTËRORE DHE AMBASADORËT/
Nga Ing. Isuf BODO/*
Kthimi fizik i pronave pronarëve të vërtetë, në zonat bregdetare Vlorë Sarandë, është hapi i parë nga duhet të fillojë dekriminalizomit të Shtetit dhe drejtësisë Shqiptare.
Qeveria Shqiptare dhe kryetari i saj Z.Edi Rama, me një propagandë të intensifikuar në shkallën më të lartë, por duke e shkelur me të dy këmbët Kushtetutën, flasin se projekt-ligji i hartuar prej Ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço dhe Drejtoreshes së AKKP znj. Sonila Qato, sikur ai do ta zgjidhi problemin e pronave.
Hipokrizia duket që në emërtimin e ligjit të ri duke e quajtur Ligji i trajtimit të pronave. Ky ligj mohon kthimin fizik të pronës të shtetëzuar nga regjimi i kaluar dhe merr përsipër të mbrojë grabitjet dhe abuzimet e bëra nga pushtetarët me pronat në këto 25 vjet pluralizëm.
Kryeministri Z.Edi Rama në ditët fushatës elektorale për pushtet në fjalimet e tij u qau hallin pronarëve të vërtetë duke theksuar se janë sorollatur padrejtësisht për 23 vjet. Marja e maxhorancës në këto dy vjet treguan se deklaratat e tij për pronën ishin të pa sinqerta.
Drafti i Qeverisë e shkel Kushtetutën, mohon përfundimisht të drejtën e pronës, instalon sistemin e vjedhjes së pronës, duke e çuar shoqërinë shqiptare në shkatërrim të plotë. Kërkesa e qeverisë Shqiptare për pezullimin e vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ka për qëllim që problemin e pronave ta mbylli padrejtësisht. Por a do te pajtohet Strasburgu me Qeverine Shqiptare? Mendoj që jo, edhe pse per Shqipërinë Strasburgu në krahasim me vendet e tjera ish komuniste, ka ndenjur i frenuar. Kjo mund të jetë pasojë e personave shqiptarë që punojnë në ato struktura dhe që komandohen më lehtë nga politikanët e Tiranës, por kjo nuk mund të zgjasi sepse Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg nuk është gjykatë politike, por Gjykatë e ligjeve të drejtësisë. Vendimet e Strasburgut për pronat e detyrojnë Shtetin Shqiptar të shpërblejë në para pronarët për mos kthimin e pronës; Qeverisë Shqiptare, kjo zgjidhje nuk i pëlqen. Fajtorë janë drejtuesit e Qeverive që kanë lejuar dhe vazhdojnë të lejojnë grabitjen e pronave, duke legalizuar çdo pushtim, vjedhje dhe ndërtim pa leje, duke e keqësuar situatën. Deklarata e Ministrisë se Drejtësisë se fatura që vjen nga Strasburgu është e lartë dhe mund të falimentojë shtetin, është e vërtetë, por në këto kushte Ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe Kryetare e AKKP znj. Sonila Qato duhet të kuptojë se çdo pronë që Qeveria Shqiptare nuk ja kthen të zotit, Gjykata e Strasburgut e kthen në faturë financiare dhe kjo faturë do të paguhet me çmimet e tregut dhe jo me çmimet e reduktuara që dëshiron AKKP. Kjo është mohim i drejtësisë. Prandaj nëse Kryeministri, nuk dëshiron falimnetimin e drejtësisë dhe të Shtetit Shqiptar duhet te çlirojnë pronat nga aktet NUL dhe pushtimet e bëra pas vitit 1991 dhe të kthejnë fizikisht pronën tek pronari , ti kthejnë atij të drejtën e posedimit të mohuar arbitrarisht nga shteti. Me ligjet aktuale çdo pronar që mund të ankohet në Strasburg për pronën e shpronësuar nga diktatura, do ta fitojë gjyqin si dhe kompensimin me vlerën reale të tregut sepse këto janë modele drejtësie dhe strasburgu nuk mund te veprojë me dy standard. Kjo duket të jetë shkaku pse Qeveria kthen përgjigje nëpërmjet kërkesës së saj se Strasburgu nuk duhet më për ne.
Eshtë fakt që pas vitit 1991Shteti u çmontua dhe u instalua korrupsioni me pronat, institucionet filluan të funksionojnë për të krijuar konflikte në popull. Konkretisht shumë objekte shtetërore ose ushtarake, ndërtuar në tokat e pronarëve në periudhenë 1945-1990 shteti i ka nxjerr në ankand duke i përjashtuar pronarët edhe pse ata kanë paraqitur kërkesat për kthimin e tyre. Kjo është realizuar nëpërmjet komisionit të kthimit të pronave dhe AKKP që i ka mbajtur peng dhe nuk ju ka kthyer përgjigje pronarit për njohjen e tokës.Më vonë pas shitjes së objektit qeveria ka shitur edhe tokën she shumë herë edhe sipërfaqe funksionale për ndërtesa që nuk mund të lishin asnjë funksion veçse për të justifikuar vjedhjen e truallit Kështu Qeveria ka stimuluar korrupsion dhe ka favorizuar njerzit e afërt me qeveritarët. Personat e tretë që kanë fituar me ato vendime janë të ndërgjegjshëm se ajo pronë nuk është e tyre dhe është marrë me akte pa bazë kushtetuese dhe një ditë do ta dorëzojnë, ashtu siç u dorëzuan pronat e përfituara nga reforma agrare e Enver Hoxhës.
Sot zgjidhja e pronës kërkon guxim, ndershmëri dhe patriotizëm nga Kryeministri dhe kryetari i opozitës, kërkon që ata të jenë të çliruar nga interesat personale dhe mbi të gjitha nga politika për të siguruar votat duke prishur strukturën ligjore dhe historike të pronës në Shqipëri. Prona dhe drejtësia duhet të të kushtëzohet dhe monitorohet nga ndërkombëtarët, por jo siç është bërë deri sot për të marrë disa million euro projekte për dekriminalizoimin dhe për të bërë një vrimë në ujë ashtu siç u bë me projektin për regjistrimin e pronave në 26 fshatra te Bregdetit, ku OSBE asgjesoi 1.5 milion Euro të BE. Me kaq ose edhe me më pak fonde, nëse shqyrtohet propozimi i shoqatave të pronarëve do të realizohet një punë e ndershme, duke e zgjidhur problemim e pronës sipas standardeve Europiane, në të gjithë Shqipërinë. Çelësi është Gjykata e Strasburgut dhe ndërkombëtarët. Vendimet që pritet të vijnë nga Strasburgu janë një kontribut që Qeveria ta kuptojë se po ecën në rrugë të gabuar për zgjidhjen e problemit të pronës. Sa më shpejt të veprojnë aq më shpejt do të zgjidhet problemi pronës në Shqipëri dhe pas saj do të vijë stabiliteti, zhvillimi dhe përparimi.

Ing. Isuf BODO
*Pronar nga fshati Dukat Rrethi Vlorë
Tiranë, 30.10.2015

Adresa : Rr. Perlat Rexhepi, Pallati Jeshil Nr.6, Kati 10-të, ap.48.
Cel. 069 40 17 174

Filed Under: Analiza Tagged With: Dekriminalizimi, Isuf Bodo, nis nga prona

HUMANIZMI-“PORTA” E NDRITUR E BASHKËJETESËS SË KOMBEVE

October 30, 2015 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/
Përtej kronikave të luftrave të shumta që ka historia e kombeve, përtej zhurmës së betejave, të humbjeve dhe fitoreve, është ajo pjesë e shpirtit të një kombi, apo dhe disa prej tyre që nuk mund të digjet si kashta e të “vritet”. E kjo ka ndodhur saktësisht edhe me kombin tonë që shumë herë është përballur me sokëllimën e shpatave me artilerinë e rëndë, po gjithmonë i ka mbetur besnik disa cilësive të larta kur ka qenë puna edhe në ballafaqimin me atë që e ka pushtuar. Ndër shekuj, shqiptarët i ka dalluar humanizmi, toleranca, mikpritja, bujaria, virtyte, që janë spikatur edhe në përiudha të vështira të jetës, si evokime tradite.
***
Trojet tona gjithmonë janë përballuar me pushtues. Fatkeqësitë e luftrave me vuajtje të rënda janë shprehur me vitalitetin e kombit. Sidomos, humanizmi njerezor, toleranca e shpirtit bujar janë treguar jo vetëm për vëllezërit e një gjaku, shqiptarët e Kosovës, të keqtrajtuar barbarisht nga makina vrastare e lukunisë serbe me krime monstruoze në këto 100 vitet e fundit, por edhe për banorët çamë, të dëbuar nga trojet e tyre, prehë e masakrave të shovinistëve grekë, edhe duke strehuar e mbrojtur të huajt, të pambrojtur, të vuajtur e në mjerim të thellë shpirtëror, pasojë e përplasjeve të luftrave gllabëruese. Humanizmi, si shembull karakteristik i virtyteve të shqiptarëve nuk harrohet në vitet e Luftës Parë Botërore. U strehuan muhaxhirët boshnjakë në këto ditë të vështira të Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1918 (Lufta I Botërore) ushtarët austro-hungarezët, pas humbjes së luftës, në një gjendje mjaft të mjerueshme, kockë e lëkurë, që të kujtonin lypësat e rëndomtë të rrugëve, shqiptarët, nuk i lanë të vdisnin urie. Bashkëkohësit tregojnë se, ushtarët e uritur, ndërronin armatimin, veshjet dhe pajimet edhe me një copë bukë apo vezë për të mbajtur frymën gjallë. Ato vite për Shqipërinë u quajtën “uria e madhe”, apo koha e “nemces” ku mungonin buka dhe sendet e tjera të ushqimeve, veshmbathjet dhe çdo gjë e nevojshme. Të tjera fakte dhe dëshmi tregojnë për humanizmin e pashoq ndër shqiptarët. Strehimi dhe mbrojtja e hebrenjve prej ndjekjes nga bisha naziste që kërkonin shfarosjen e tyre, qëndron në gurthemelet e shpirtgjërësisë së shqiptarit. Më 8 shtator 1943, Italia fashiste kapitulloi pa kushte dhe vendin e saj e zuri armata naziste gjermane, që vërshoi drejt Shqipërisë, duke zënë pozicionet e lëna bosh. Forcat gjermane, gjatë hyrjes në Shqipëri, mbollën terror në Jug. Nuk harrohet masakra e Borovës, përkundrejt propogandës se nuk janë pushtues dhe se qëndrimi i tyre ishte i përkohëshëm e kalimtar në Shqipëri. Pas kapitullimit të Italisë fshiste, nazistët gjermanët nuk i konsideronin ushtarët dhe oficerët italianë si robër lufte, por tradhëtarë të boshtit, duke i vënë në grykën e armëve, si fajtorë të humbjes së luftës në Gadishullin Ballkanik e Veriun e Kontinentit Afrikan. Pas shpartallimit të ushtrisë italiane, me nacionalizmin e tij të tërbuar, shumë ushtarë e oficerë italianë në Shqipëri, në pamundësi për ikje në vendin e tyre nën këtë terror e zhdukje, gjetën strehë e përkrahje nga familjet shqiptare. Një pjesë e tyre, në tentativë për t’u larguar në Itali, u masakruan në ditët e para pas kapitullimit.
Kryesisht familjet e zonave fshatare me tolerancën dhe shpirtbujarinë i mbrojtën dhe i mbajtën gjallë nga kërcënimi i urisë, dimrit të egër të 1943-1944-rës, ndjekjeve të nazistëve, të cilët me anë të dy operacioneve, të Dimrit dhe të Verës së 1944-trës, nuk kishin mëshirë as për shqiptarët. Ky fakt nuk mund të shuhet nga ndërgjegjjia e popullit tonë, si ditët më të rënda për këtë perandori pushtuese, me ushtarë të katandisur keq e më keq. Është mbresëlënës ky humanizëm dhe me të vërtetë mirënjohës për këta fatkeqë të gënjyer nga fazhizmi, që erdhën si pushtues. Shqiptarët u tregua jo hakmarrës kundrejt tyre, por i strehoi, i mbrojti, duke mos harruar ç`kishin vuajtur nga pushtuesit fashistë, luftërat, reprezaljet, djegiet, vrasjet, masakrat e tyre. Shqiptarët i urryen si pushtues, por nuk i keqtrajtuan dhe nuk dorëzuan asnjë prej tyre nazistëve gjermanë, të cilët, po t’i kapnin, do t’i vrisnin. Ata ishin viktima, që i katandisi fazhizmi, duke i hedhur në këtë cep të Ballkanit, por me shpresën që do vinte fundi i kësaj lufte shkatërrimtare dhe rikthimin e tyre në atdhe. Një pjesë e tyre u inkuadruan në Ushtrinë Nacional Çlirimtare Shqiptare, pjesë e batalionit “Antonio Gramshi” të Brigadës së Parë Sulmuese.
Në gjithë Shqipërinë, me gjithë mjerimin e ulur këmbëkryq dhe kushtet e vështira të luftës, u strehuan dhe ndanë copën e bukës, edhe pse dikush nga këta ushtarë mirësinë e ktheu në tradhëti tek gjermanët. Dëshmitë, si kujtime të kohës, vijnë nga bashkëkohës me copëza ngjarjesh, emra, veprime, kontribute, karaktere të ushtarëve italianë. Mësuesi veteran nga Kamunau i Elbasanit, Riza Cërriku, tregonte: “Ushtarët italianë u strehuan në familjet e fshatarëve të mesëm, por edhe në familje të varfëra. Nga ana tjetër shumica prej tyre treguan se ishin të interesuar të punonin, se s’dëshironin për të luftuar. Kishte nga ata që në fshatrat e krahinës Sulovë treguan se ishin specialistë të mirë si ndërtues, të cilët punonim mirë murin e gurit, por edhe punimet e drurit.” Ata ndërtuan shtëpi, hapën puse uji, vetullorë ullinjsh, shtruan kalldrëme guri etj, që janë edhe sot, si një dëshmi, meritë e punës voluminoze dhe të mirë nga këta ushtarë italianë, të cilat kanë mbetur të emërtuara të italianëve. Gjithashtu punuan në ara, duke ruajtur bagëtitë, mbjellë e krasitur drurë frutorë. Interesant është fakti, se gjatë punës në një arë, zbuluan objekte të vjetra qeramike që i përkasin një vendanimi me histori të lashtë.
Ështe detyrim moral që t’i kujtojmë për shembullin e tyre të njerëzishëm, familjet shqiptare, që i strehuan ushtarët fatkeqë italianë, në krahinat ku në vitin 1944, si nderim për virtytet e traditat e mikpritjes, se kjo luftë ishte bërë temë e ditës dhe po merrte jetë të shumta njerëzore. Ushtarët dhe oficerët italianë disa muaj pas çlirimit të vendit, në pranverën e vitit 1945, u rikthyen në atdheun e tyre, Italinë, pranë familjeve me kujtimet më të mira dhe mirënjohjen edhe për banorët e krahinës së Sulovës, me dëshirën që një ditë do takoheshin e do ta shpërblenin këtë humanizëm. Të moshuarit, bashkohës të atyre viteve, tregojnë se “kur u larguan italianët janë ndarë me të qarë me banorët.” Por rrethanat, që u krijuan në vitet e sistemit të egër komunist, të mbylljes së tij me botën kapitaliste, ua këputën këtë lidhje dhe kujtimet e tyre u zbehën në harresën e 50 viteve, të gjysmës së dytë të shekullit që lamë pas.

* * *
Humanizmi i treguar në mbarë ne shqiptarët, na bën të ndjehemi krenarë për këtë vlerë që lëvrin në deje e ndër breza. Krenari për shembullin e njerëzishëm, por se virtyte të tilla janë zbehur. E në fund të këtyre shënimeve, të cilat kanë qënë objekt ekranizime filmash artistik, por edhe të shkruara në romane, që flasin për këtë humanizëm: si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, “Deti ne mes” i Fatos Arapit, Larg qytetit” i Petro Markos, ”Kurthi” i Stavër Bodurrit etjer, fare do të kujtoja atë pusin e ujit në lagjen e Gjinëve në Mollas të Elbasanit, që edhe sot i thonë “pusi i italianëve?”

Filed Under: Analiza Tagged With: Bashkejetsa e Kombeve, humanizmi, Pellumb Guri

Evropa, një vend pa asnjë kontroll mbi kufijtë e saj

October 30, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/*
Një vend pa asnjë kontroll mbi kufijtë e saj, as ka kontroll mbi të ardhmen e tij./
***
Vetëm meshkuj të rinj të zemëruar dhe të mëdhenj në trup që vijnë. A duan këta burrecë të kenë lirinë? Atëherë dërgoni ata në shtëpitë e veta në mënyrë që vet ata të luftojnë për lirinë e tyre, në vend se të lënë fëmijët, prindërit pleq dhe gratë të qëndrojnë prapa me armë në dorë në luftimet kundër IS.
“Fëmijët” e pashoqëruar që kërkojnë azil në Evropën e largët? Ka këtu tmerrësisht shumë fëmijë me “mjekra”, mendoj unë.
Të gjitha partitë dhe qeveritarët evropian që ende, me dashje dhe vetëdije, punojnë që vendësit të bëhen pakicë në vendin e tyre, janë në thelb racistë.
Historia Evropiane përfshinë edhe “Mesjetën e Errët”. Kjo periudhë ishte shumë më e gjatë se e dy luftërave botërore. Gjithë shkenca dhe liria e shprehjes ishin vënë prapa. Tani shikojmë shenjat e kohës që evropianët janë duke ecur në një terr përkatës.
Si mundet që një organizatë aq e madhe si Bashkimi Evropian (e cila duhet të ketë disa krerë të mençura) arrin të dështojë kështu rrënjësisht në “Krizën e refugjatëve” afrikan/aziatik që janë duke pushtuar Evropën?! – është krejtësisht e pakuptueshme. Gjermania dhe Suedia kanë shkuar në front si “standarde-bartësit e mirësisë”, dhe së bashku me një ushtri gazetarësh utopik budallenj udhëheqin çmendurinë.
Skeptikët janë etiketuar dhe tallur. Idiotët lavdëruar! Merkel duhet të ndiqet penalisht për mospërfilljen e Rregullores në fuqi; pa autorizim në Parlamentin Evropian e ka ftuar gjithë rruzullin tokësor të kolonizojnë Evropën. Nuk i respekton vendimet që edhe vendi saj (Gjermania) i ka nënshkruar, “Marrëveshjen e Shengenit” – që do të thotë se vendet e përfshira, kanë kufij të përbashkët që duhet kontrolluar – duke penguar hyrjen e të paftuarve – por lëvizja e lirë e njerëzve brenda.
Marrëveshja Dublin përcakton se azilkërkuesit që hyjnë në zonën e Shengenit duhet të regjistrohen dhe të merren nën kujdesin e vendit (shtetit) të parë në të cilin ka shkelur këmba e tyre, dhe është shteti përkatës (për shembull Greqia dhe Italia) që duhet të shqyrton kërkesat e tyre për azil e jo si t`u teket qejfi rrugaçëve ekonomik për të kaluar nëpërmjet gjithë shteteve ballkanike dhe gati krejt Evropës deri sa të arrijnë te shtetet më të pasura, Gjermaninë e tezes Merkel apo Suedinë a atij sorollopit Löfven.
***
Natyrisht se nuk është obligimi im të mërzitem për vetë-shkatërrimin e shteteve dhe kombeve evropiane, por pasi edhe Shqipëria ime (e jona) gjendet në Evropë, për të jam duke folur.
Flitet se qeveria shqiptare në marrëveshje të fshehtë me Merkel, synon të pranojë (strehojë) në Shqipërinë e vogël 100 mijë “refugjatë” të rrejshëm afrikan/aziatik; të cilët brenda disa muajsh, nëpërmjet bashkimit familjar (duke sjellë të afërmit) nga vendi i origjinës dhe të lindjeve masive (mesatarisht 6-7 fëmijë për një çift) etj do të shtohen në disa milionë.
Kur Shqipëria është ftuar në ndonjë takim ministror të BE-së, ndoshta ndonjëherë merr pjesë në diskutime. Por pasi nuk është anëtare nuk ka të drejtë vote. As ndonjë detyrim për të ndjekur vendimet që BE-ja miraton.
Kjo do të thotë se qeverinë e Shqipërisë askush nuk mundet ta detyroj të pranon refugjatë në territorin e saj. Vetëm nëse vetë qeveritarëve dhe politikanëve shqipfolës (për interesa private) u kruhet b*** e palarë.
Ne ndikohemi reciprokisht me veprimet e njëri-tjetrit. Nëse dikush provokon me Tradhti Kombëtare duke keqpërdorur postin, Rregulloren dhe Kushtetutën e Shqipërisë, ne do të reagojmë pamëshirshëm. O do ta qeverisin vendin sipas Kushtetutës, o do të përgjigjen për krimin. Kjo vlen edhe për mafiozët Isahashimin me kompani që formuan “Zajednica” e komunave serbe në midis të Kosovës, për ata të FYROM-it Alimenduhin…
I vetmi vend dashamir për ne është USA (Amerika). Shqipëria (qeveria e Ramës) para disa ditësh assesi nuk duheshe të voton kundër SHBA në favor të Kubës, dhe Palestinës. A e dinë zyrtarët kopil bastard shqipfolës që Kuba dhe Palestina janë miqtë më të mëdhenj të armiqve tanë, posaçërisht të serbëve?
***
Korrektësia politike bëhet më e rrezikshme dhe më e rrezikshme, dhe kur ajo është bë kështu atëherë ose njeriu duhet të thotë atë që kërkon Merkel dhe manipuluesit tjerë ose do të etiketohet si racist, islamofob, plehra të bardhë, njerëz që u mungon ndjeshmëria humane.
Më absurde është se asnjë qeveri evropiane (me përjashtim të asaj hungareze) nuk i detyron këta pushtues shtegtar afrikan/aziatik të kthehen nga kanë ardhur pas mbërritjes në kufi dhe nuk i urdhëron të zhduken. Për t`i emërtuar këta islamistë për “refugjatë” nuk është vetëm një nënvlerësim për refugjatët e vërtetet por një krim kundër njerëzimit.
Lufta dhe varfëria nuk janë aspak faktorë që të quhesh refugjat. Refugjatë janë vetëm ata burra të rrallë të persekutuar në vendin e origjinës për shkaqe politike. Prandaj, u sugjeroj mediumeve mos përdorin shprehjen e madhe “REFUGJATË” për njerëzit e vogël, gjuetarët e fatit.
Unë kryesisht dua që të del në shesh e vërteta. Në këtë rast vjen një erë e fëlliqët e abuzimit të qëllimshëm dhe të shtrembërimit të fakteve. Unë nuk kam nevojë për më tepër lek, për njohje ose lidhje nga njerëzit politikisht korrekt. Unë nuk kam ardhur në botë për t`u pëlqyer nga krijesa të tilla.
«Refugjatët” aktual krijojnë varfëri, pabarazi, probleme sociale dhe katastrofë nacionale në vendet pranuese. Ndryshime demografike, ku ardhacakët bëhen shumicë dhe vendësit pakicë që me kohën do të asimilohen.
***
Pretendimi se për shembull Gjermania, Suedia etj ka nevojë për imigracionin është një mit dhe mashtrim që kanë gjetur politikanët në mënyrë që të bindin votuesit, jo diçka që është mbështetur nga zyrat Kombëtare të Kërkimit Ekonomik.
Politikanët dhe qeveritarët e BE-së, të korruptuar nga koncernet e mëdha industriale, e dinë se ardhja në Evropë e konsumatorëve të ri afrikan/aziatik dhe forca e lirë e punës (duke diskriminuar dhe lënë pa punë vendësit) është flori për sektorin e biznesit që ato përfaqësojnë. Prandaj “simpatia” me “refugjatët”.
Ata duket se nuk mërziten aspak kur përhapin dezinformata për të arritur këtë, gjë që provokon. Kur mediat lejojnë që ata të shpëtojnë duke mos i demaskuar, është e pafalshme, dhe kur mediat përveç kësaj bashkëpunojnë duke mbështetur këtë mashtrim është diçka e pakuptimtë dhe e rrezikshme.
Është e trishtueshme për të parë të gjithë ata që në naivitetin e tyre të sillen si njerëz të mirë duke ndihmuar këta imigrantë – gjahtarë të fatit.
Këta “refugjatë” të rrejshëm janë nga njerëzit më të pasur të vendeve të tyre. Një pjesë e madhe janë të rinjtë me prerje të flokëve dhe mjekrave të modës dhe iPhone5, të cilët kanë marrë rrugë të gjatë nëpër shumë vende të qeta me të vetmin qëllim për të përfituar nga kontributet bujare evropiane të rezervuara posaçërisht për refugjatët dhe azilkërkuesit e vërtetë.
***
Paralajmëroj shqipfolësit fanatik “mysliman” të FYROM-it që derdhin lot deveje për “refugjatët sirian” se civilët nuk kanë të drejtë të vendosin se kush janë refugjatë dhe t`i ndihmojnë ekonomikisht duke joshur tjerë, ndryshe janë kontrabandistë që mbushin vendin me të huaj. Ata duhet të dënohen për tradhti kombëtare dhe kontrabandë me njerëz.
***
BE-ja – një lloj interesant i shtetit të dështuar
Shtetet e dështuara karakterizohen si shoqëri civile që u mungojnë administrata dhe institucione të forta sociale/shoqërore. BE-ja ka pasur sukses në krijimin e institucioneve të forta dhe një menaxhim efektiv ligjor dhe ekonomik, por ata kanë dështuar të krijojnë një kulturë politike dhe një angazhim të përbashkët.
Ne kemi një super-shtet evropian, por jo një shoqëri civile evropiane. Unë i përcaktojë shtetet e dështuara si vijon:
1. Humbja e kontrollit mbi territorin e vet ose humbja e monopolit të dhunës legjitime në të njëjtën.
2. Erozioni i autoritetit legjitim të marrin vendime kolektive.
3. Pamundësia për të ofruar shërbime publike.
Karakteristika të tjera të një shteti të dështuar është pushteti qendror që është aq i dobët ose i paefektshëm sa që ai ka pak kontroll praktik mbi pjesën më të madhe të territorit dhe mungesën e shërbimeve publike. Kur kjo ndodh, lulëzon korrupsioni dhe kriminaliteti, nuk ka ndërhyrje të aktorëve shtetërorë, shfaqja e rritjes së refugjatëve dhe një lëvizje të pavullnetshme e popullatës. Një pasojë është rënie e mprehtë ekonomike.
Evropa nuk ka më kontroll të kufijve të saj të jashtëm.
Identiteti evropian, për të cilin flitej 30 vjet më parë, është tani një vizion i ardhshëm nga ditët e vjetra.
Përfshirja e shteteve të vjetra komuniste të Evropës Lindore ka qenë një dështim për synimet e BE-së.
Filmi “Evropa” ishte një shprehje e atmosferës intelektuale në Evropën e asaj kohe kur evropianët perëndimor synonin largim nga shteti komb dhe drejt Evropës.
Kriza e euros, kriza greke dhe “kriza e refugjatëve”, në vend të kësaj ka zbuluar se popullata e Evropës (me arsye) është gjithnjë e më shumë e vendosur në mbrojtjen e identitetit të vet kombëtar/nacional. Partitë politike që dëshirojnë të mbrojnë shtetin kombëtar mbizotërojnë.
Si një figurë politike, “super-evropiani” ka vdekur. Ky është paradoksi tani: Ne më në fund kemi një bisedë të përbashkët evropiane. Por kjo zbulon se kemi një Bashkimin Evropian pa qytetarët evropianë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, Evropa, pa kontroll kufijte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 736
  • 737
  • 738
  • 739
  • 740
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT