– Tetë vende të BE dhe disa vende të tjera ish komuniste kanë rënë dakord me nismën e qeverisë së Estonisë për krijimin e një trupe ndërkombëtare për hetimin dhe gjykimin e krimeve të komunizmit, sipas modelit të gjyqit të Nurembergut
– Shqipëria, vendi më i vuajtur nga regjimi komunist, – ka bërë më pak se çdo vend tjetër për ndarjen me të kaluarën, vendosjen e drejtësisë dhe të paqes sociale
Përmes një letre zyrtare adresuar Ministrit të Drejtësisë, si autoriteti përgjegjës, si dhe Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të partive politike parlamentare, Instituti i Studimeve Politike i kërkon qeverisë shqiptare të japë miratimin për bashkimin e Shqipërisë me nismën e qeverisë së Estonisë dhe të Bashkimit Evropian për hetim ndërkombëtar të krimeve të komunizmit dhe gjykimin e personave përgjegjës. Nisma e Ministrit të Drejtësisë së Estonisë është mbështetur zyrtarisht nga 8 vende anëtare të BE-së, të cilat kanë qenë vende ish komuniste, si dhe disa vende të tjera aspirante për integrim në BE. Shqipëria ende nuk është shprehur dhe ende nuk ka dhënë shenja bashkimi me këtë nismë.
Konkretisht, në letrën e ISP adresuar Ministrit të Drejtësisë dhe për dijeni institucioneve të tjera kushtetuese dhe politike, theksohet “Kuvendi i Shqipërisë, më datë 30.10.2006 ka miratuar me konsensus politik rezolutën nr.11 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri“. Vendimi pasoi rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nr. 1096 (1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, si dhe atë me nr. 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Pavarësisht rezolutave të miratuara dhe shprehjes zyrtare të Kuvendit të RSH 9 vjet më parë, edhe pas 25 vitesh Shqipëria mbetet një nga vendet e pakta ish komuniste, ku e kaluara nën diktaturë mbetet ende tabu dhe ku ndarja me të vijon të jetë formale, larg modelit të transparencës, drejtësisë dhe paqes sociale.
Në kuadër evropian, në Deklaratën e Pragës (2008) u përcaktua angazhimi i vendeve për të dënuar krimet e komunizmit sipas praktikës së Gjyqit të Nurembergut, si krime kundër njerëzimit. Duke pasur frymën e kësaj deklarate angazhimesh, në gusht 2015 Ministrit i Drejtësisë i Estonisë, z. Urmas Reinsalu, mori iniciativën për krijimin e një grupi hetimor ndërkombëtar për krimet e komunizmit dhe për të vendosur përpara drejtësisë personat përgjegjësi, njësoj si në praktikën e Gjyqit të Nurembergut. Nisma e Estonisë është mbështetur dhe aprovuar tashmë zyrtarisht nga Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Ukraina, Gjeorgjia. Këtë javë nismës iu bashkuan edhe ministrat e drejtësisë së dy vendeve ish komuniste tashmë anëtare në Bashkimin Evropian, Rumania dhe Bullgaria. Konfirmimi erdhi nga samiti i fundit i ministrave të drejtësisë të vendeve të BE-së zhvilluar në Luksemburg.
Siç lehtësisht konstatohet, shumica e vendeve ish komuniste të integruara tashmë në BE ose kandidate potenciale në procesin e integrimit, i janë bashkuar nismës estoneze dhe janë dakordësuar për nevojën emergjente për krijimin e një trupe ndërkombëtare hetimi për krimet e komunizmit dhe ndjekjen e praktikeve gjykuese për personat përgjegjës. Deri më tani, nuk është shprehur publikisht dhe as zyrtarisht Ministria e Drejtësisë dhe asnjë institucion tjetër përfaqësues apo i informuar mbi nismën. Kjo letër synon ta bëjë publike problematikën dhe të apelojë për një reagim institucional sa më të shpejtë.
Ne kemi bindjen se Shqipëria meriton përfshirjen në këtë proces evropian, se Shqipëria duhet të jetë një vend mbështetës dhe kontribuues i nismës së shtatë vendeve anëtare të BE-së dhe disa vendeve të tjera ish komuniste. Shqipëria ka nevojë sociale, interes publik dhe shumë më tepër arsye për të qenë pjesë e këtij procesi dhe për të aplikuar të njëjtën praktikë në gjykimin e krimeve të komunizmit dhe personave përgjegjës të tyre. Vlerësimi se zbardhja e krimeve të komunizmit përbën garanci për parandalimin e çdo forme të genocidit të motivuar ideologjik në të ardhmen, theksuar me forcë nga shteti iniciator, vlen shumë dhe mbetet aktuale edhe për Shqipërinë. Nisma nuk kërkon hakmarrje dhe as revansh, nuk provokon padrejtësi të reja dhe as forma diskriminimi ndaj të drejtave të njeriut, por lartëson drejtësinë dhe paqen sociale, të vërtetën dhe vlerat e larta morale të shoqërive të hapura.
Mbi këtë bazë, Instituti i Studimeve Politike, i cili ka realizuar projektin e suksesshëm të Muzeut të Memories online (www.muzeuimemories.info) dhe është në bashkëpunim të ngushtë për zgjerimin e tij me disa institucione e përfaqësi të rëndësishme perëndimore të investuara në dialogun e hapur mbi të kaluarën komuniste, ju drejtohet Juve me kërkesën legjitime që Ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, të konfirmojë në emër të qeverisë dhe shtetit shqiptar, bashkimin e Shqipërisë me nismën estoneze, dhe nënshkrimin e dokumentit me angazhime reciproke.
Apeli ynë drejtuar Juve zoti Ministër, i është dërguar për dijeni Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe kryetarëve të gjitha partive politike parlamentare, – institucione dhe subjekte, të cilat ftohen të bëhen mbështetëse të këtij akti dhe që kanë potencial për nxitjen e kësaj nisme dhe për vendimmarrje politike dhe institucionale.
Ne mbetemi me shpresë se Ju, me përgjegjësinë zyrtare që ju takon, do të përmbushni detyrimin praktik të shtetit shqiptar për bashkimin me këtë nismë, si shprehje edhe e rezolutës së parlamentit shqiptar dhe detyrimeve që burojnë prej saj.
Me konsideratë të lartë,
Afrim Krasniqi
Drejtor Ekzekutiv
Instituti i Studimeve Politike
HETIMI I KRIMEVE TE KOMUNIZMIT
*Bullgaria, dhe Rumania, i bashkohen iniciativës së qeverisë së Estonise për t’i hetuar krimet e komunizmit/
*Tetë vende të BE, të cilat i përjetuan krimet e komunizmit si: Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Ukraina dhe Gjeorgjia,janë bashkuar me iniciativën e Estonisë, zyrtarisht për krijimin e një trupe ndërkombëtare për hetimin dhe gjykimin e krimeve të komunizmit, sipas modelit të gjyqit të Nurembergut.Kurse,Shqipëria, vendi që e përjetojë me rëndë hesht dhe rivitalizon simbolet e komunizmit/
Nga Beqir SINA/
EUROPE : Ministri i Drejtësisë estoneze, Urmas Reinsalu, kohët e fundit u takua me homologët e tij Robert Cazancuc, rumun, dhe Hristo Ivanov bullgarë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre, për t’u bashkuar me iniciativën estone, për krijimin e një institucioni ndërkombëtar për hetimin e krimeve të komunizmit dhe ata që i urdhëruan ose kryen ato do të jen “Përgjegjës për gjykim”, kështu të paktën thuhet në një deklerat të përbashkët lidhur me këtë inisiativë zyrtare.
Shtypi i këtyre vendeve ka sqaruar lidhur me këtë se në një takim ndërkombëtar është mbajtur para dy maujave në Talin – përkatësisht më 23 gusht 2015, ku ministri Reinsalu, u ka propozuar, kolegeve të tij, për të ngritur një trup ndërkombëtar për të hetuar krimet e komunizmit, dhe, të veprohet ligjërisht për me i ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës, për krimet e komunizmit të kryera në periudhën 1944 – 1990.
Simbas, inisiativës Etoneze, thuhet se duhet të ndiqet një procedur sipas konventave ndërkombëtare “një mënyrë të ngjashme me gjykatën ndërkombëtare të Nurembergut”.
Në deklerat permendet edhe fakti se me rastin e 25 vjetorit të rënjes së Murit të Berlinit, që shënon dhe rënjen e komunizmit në Europën Lindore, janë deri tani 8 vende, të cilat i përjetuan krimet e komunizmit si: Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Ukraina dhe Gjeorgjia, që janë bashkuar me iniciativëne Estonisë, zyrtarisht.
Në kuadër europian, në Deklaratën e Pragës (2008) u përcaktua angazhimi i vendeve për të dënuar krimet e komunizmit sipas praktikës së Gjyqit të Nurembergut, si krime kundër njerëzimit. Duke pasur frymën e kësaj deklarate angazhimesh, në gusht 2015 Ministrit i Drejtësisë i Estonisë, z. Urmas Reinsalu, mori iniciativën për krijimin e një grupi hetimor ndërkombëtar për krimet e komunizmit dhe për të vendosur përpara drejtësisë personat përgjegjës, njësoj si në praktikën e Gjyqit të Nurembergut.
Me këtë rast Ministria e Drejtësisë e Estonisë, zoti Reinsalu, përshëndeti edhe gatishmërinë e Bullgarisë dhe Rumanisë, për t’u bashkuar me nismën e vendit të tij, për gjykimin e krimeve të komunizmit si krime ndaj njerëzimit.
Mbas këtij takimi në emër të Ministrisë së Drejtësisë së Estonisë , thuhet se ministri Reinalu, i ka paraqitur të gjithë ministrave të drejtësisë të Bashkimit Evropian iniciativën e Estonisë, për dënimin e krimeve të komunizmit (1944 -1990) dhe u ka kërkuar bashkëpunimin e tyre.
Ministri i Drejtësisë estonez, Urmas Reinsalu, është shprehur se të gjitha viktimat kanë të drejtë të rivendosjes së drejtësisë duke shtuar se drejtësia është detyrë e përbashkët e Europës, të gjitha gjeneratave të reja të saj.
“Një Gjykimi për krimet e kryera në periudhën e sundimit komunist në këto vende që e përjetuan atë nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të parandalonte gjenocidin e motivuar ideologjikisht dhe do të jet për gjeneratat e reja një e ardhme”, ka deklaruar ministri Reinsalu.
Shqipëria, një nga vendet e ish kampit komunist në Europën juglindore, e cila përjetojë më rëndë regjimin komunist të Enver Hoxhës, për 46 vjet (1944 – 1990), ende nuk është përfshir në këtë proces europian.
Megjithëse, Shqipëria, duhet të jetë një vend mbështetës dhe kontribuues i nismës së 8 vendeve anëtare të BE-së dhe disa vendeve të tjera ish komuniste, për krijimin e një trupe ndërkombëtare, për hetimin dhe gjykimin e krimeve të komunizmit, sipas modelit të gjyqit të Nurembergut, Shqipëria, hesht, bile në disa raste kohët e fundit pushtetarët e sotëm kan rivitalizuar simbolet komuniste, dhe janë treguar nostaligjik për të shkuarën e tyre, dhe baballarëve të tyre.
“Shqipëria, ka nevojë sociale, interes publik dhe shumë më tepër arsye për të qenë pjesë e këtij procesi dhe për të aplikuar të njëjtën praktikë në gjykimin e krimeve të komunizmit dhe personave përgjegjës të tyre. Vlerësimi se zbardhja e krimeve të komunizmit përbën garanci për parandalimin e çdo forme të genocidit të motivuar ideologjik në të ardhmen, theksuar me forcë nga shteti iniciator, vlen shumë dhe mbetet aktuale edhe për Shqipërinë. Nisma nuk kërkon hakmarrje dhe as revansh, nuk provokon padrejtësi të reja dhe as forma diskriminimi ndaj të drejtave të njeriut, por lartëson drejtësinë dhe paqen sociale, të vërtetën dhe vlerat e larta morale të shoqërive të hapura” ka thënë analisti shqiptar Afrim Krasniqi. Drejtor Ekzekutiv Institutit i Studimeve Politike
PERMBYTJET- PERSE VLORA?
NË EMËR TË ZOTI SHI-SI TA PËRBALLOJMË KJO ËSHTË PUNA JUAJ?/
Nga Gëzim Llojdia/
1.Përmbytjet janë refren i çdo stine shiu sidomos në jug.Shiu, që bie nuk është më ai shi, që bie në Tiranë si tregon ai vargëzimi poetik dhe që të bënë romantik ,as shiu që troket në qelqet me butësi si i Kadaresë ,por stuhitë e shiut, që këto vitet e fundit kanë, qenë të shpeshta tregojnë se nga ana astronomike fenomenet në diell, çrregullimet magnetike të tokës,dhe fenomene, që duhet ti shpjegojnë meteorologët kanë ndikuar në vështirësimin e jetës së banoreve. Kemi kapërcyer kaq vite c’prej vitit paranormal ,në historinë e 60 vjetëve të fundit , kur në qytetin detar shpërthyen ujërat dhe fabrika e qumështit në lagjen :”Karabash” u pushtua nga ujërat,ndërkaq vozat e djathit rrokulliseshin drejt rrugëve të qytetit bregdetar. Mirëpo c’prej do kohësh të atij sistemi u ndërtua kanali i sipërm, që do ti derdhte ujërat në lagunën e Nartës. Dhe pas gjithë kësaj përmbytjet vazhduan në qytetin bregdetar.
2.E shtuna në mesnatë ,përmbyti me 170 mm shi, brenda një ore, Vlorën.
Pasojat. Asnjë fotografi nuk e përshkruan dot gjendjen e përmbytjeve në qytetin e Vlorës. Kush e pësoi:Bizneset,banesat,pronarët,banorët pra të gjithë.Të gjithë u prekën nga kjo gjendje,ndërsa kombëtarja fitonte në Armeni pasdite e të dielës ,ujërat qëndronin frikshëm ndër oborre,banesa,biznese. Për të mos harruar fitoren, djemtë e qytetit dolën nëpër ujera me flamurin e kuq. Të hënën, gdhiheshim të ekzaltuar nga fitorja ndërsa qindra të mjerë, nën zë luteshin të iknin ujërat nga pronat,nga banesat njëkatëshe. E marta solli këtë gjendje ujërat ikën ,por balta dhe lluca ishin pushtuesit e radhës, si një litar që i vdekuri lë jashtë.
3.Përse u përmbyt Vlora?
1-Stacioni i pompave ka punuar me një pompë mangut për 24 orë. Një pompë e difektuar. Ujërat kapicë dhe mbeturinat në kanalin e hidrovorit. Vit për vit një histori përsëritet. Problemi hidrovorë nga defektet dhe nga mos-kujdesa e njeriut si dhe nga vjetërsia e pajisjeve. Kur zënë shirat litarë, do Zoti dhe kujton përgjegjësit .Po andej nga hidrovori, c’bëhet? Hidrovori vallë ka punuar me një pompë,ra rrufeja. Këputi një pompë. Po përse rrufeja ra pikërisht aty dhe këtu e gjeti të binte?
4.
Ndërtimi i rrugës transballkanike ,më sak traseja e kësaj rruge është shkaktare që ujërat mbeten dhe flenë në gjysmën e qytetit. Nga niveli i ulët i ujërave,zonat që përmbyteshin para viteve 2000 ishin dy,Colja dhe Kume,pas ndërtimit të transballkanike, “gjeografia e përmbytjeve “ është rritur së të epërmi dhe qyteti tashmë është i gjithi nën ujë. Kush e ndërtoi transballkaniken, që të bllokonte krejt ujërat nga parku i mallrave te parku i tregtisë, gjithë zona sipër saj tashmë është në hartën e përmbytjeve. Vlora nuk përmbytet më historikisht me Colen dhe Kumen,por janë përfshirë lagjet Kushtrimi,28 Nëntori,29Nëntori,Pavarësia etj,pra një ndërtim që nuk ka llogaritur shkarkimin e ujërave ,të mëdha që vërshojnë nga të gjithë anët.
3-Ndërtimet e paligjshme. Mjaftë firma ndërtimi prishën dhe zhvendosën tubacionet të cilat nuk tërheqin dot ujërat e shumta, që vërshojnë në qytet.
4-Firma e pastrimit :”Duka” i ka vendosur kazanët e pastrimit larg nga pallatet ,ndërkohë duke munguar edhe kultura qytetare dhe aksionet vullnetare për pastrimin e pallateve,banorët i hedhin mbeturinat nëpër puseta, rrugë,sheshe,kanale,kur bota të gjobitë përse pështyn në tokë,një sasi e tillë mbeturinash bllokojnë kolektorët jo rrallë herë. A do ti afrojë firma e pastrimit kazanët e mbeturinave pranë pallateve dhe qendrave të banimit apo do të vijojë me këtë histori.
5-A ishin në gatishmëri kanalet e ujërave të bardha në qytet ?
6-Përsëritet një histori. Ngushëllime nga katastrofa e përmbytjeve. Si në ceremonitë mortore. S’na erdhën pushtetarët! Në mos ata të pushtetit,këta të opozitës, u lumçin këmbët a zgjidhën gjë?Edhe kur vijnë vizitorët a zgjidhën gjë,baltën dhe llucën, mobiliet dhe gjithçka që shkatërruan ujërat ,a ua dhanë apo mjaftojnë shqiptarçe me fjalët standarde:Të shkuara të harruara vëlla!Mirëpo kalendari shënon vjeshtë 2015,tetor dhe dimri s’ka trokitur ende. Stuhitë tjera s’kanë nisur si do ti përballojmë?Me urata dhe mashtrime apo si?
Kosovë-Bllokadë, peticion, protestë…
-Kryesia e Kuvendit përgatitje për seancë plenare, opozita paralajmëron vazhdim bllokade, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të fundit në Bruksel, ku edhe sonte pritet takim kryeministror Kosovë-Serbi-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Tetor 2015/ Në Kuvendin e Kosovës është ftuar për nesër mbledhja e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, me vetëm një pikë në axhendë: Përgatitjet për seancën plenare.
Kuvendi i Kosovës, i bllokuar nga opozita e me të gjitha seancat plenare të ndërprera në sesionin vjeshtor rimblidhet këtë javë, ndërkohë që kërkohet zhbllokimi. Por, opozita edhe sot ka paralajmëruar vazhdim të bllokimit të Kuvendit, si dhe protesta, të cilat u zhvilluan edhe gjatë natës së kaluar në Prishtinë pas arrestimit në mbrëmje e deri në lirimin e liderit të parë të LVV-së, Albin Kurti.
Javën e kaluar, pas zhvillimeve gjatë ditës së 8 tetorit me gaz lotësjellës të hedhur nga opozita në mbledhjen plenare të Kuvendit, është mbajtur mbledhja e Kryesisë, së bashku me shefat e grupeve parlamentare. Në mbledhje, ndonëse nuk morën pjesë nënkryetarja e Kuvendit dhe shefat e të tre grupeve parlamentare të opozitës, LVV, AAK e Nisma, Kryesia vendosi për mbajten e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës në 15 tetor, e cila do hapej me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Ndërsa, jo seanca të reja të Kuvendit të Kosovës, pa garantuar mbarëvajtjen e tyre, është opinioni i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili ka dënuar ashpër përdorimin e gazit lotsjellës në sallën e seancave dhe kërkon nga subjektet politike opozitare të ndalojnë praktikën e bllokimit të punimeve në Kuvend.
Në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë të 25 gushtit – të raundit të 28-të të takimeve të kryeministrave dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita kosovare ka organizuar edhe peticion dhe ka mbledhur mëse 200 mijë nënshkrime të qytetarëve, ka bojkotuar tre mbledhjet e kaluara të Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, bojkoton edhe komisionet parlamentare.
“Kryeministri Mustafa ka për obligim kushtetues, qytetar dhe kombëtar të tërhiqet nga ato marrëveshje të dëmshme dhe të pazbatueshme”, thuhej në letrën e opozitës drejtuar qytetarëve javën e kalur.
“E vetmja mundësi reale në këtë situatë është që qeveria të tërhiqet nga këto marrëveshje ose të bie bashkë më to”, ka deklaruar sot në konferencë të jashtëzakonshme për shtyp Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk mund dhe nuk do bëhet tërheqja e nënshkrimeve nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd në Bruksel, që janë ndërkombëtare dhe që bazohen në ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013”, ka theksuar qeveria kosovare.
Pas kthimit nga Brukseli, raundi i 28-të i dialogut me Serbinë në nivel kryeministror, Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katërmarrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.
“Këto marrëveshje janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës, ndërsa kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve tona që ne i kemi krijuar me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013”, është shprehur kryeministri Mustafa.
Kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt nomalizimit të marrëdhënieve pritet të takohen sot në darkë në Bruksel në raundin e 29-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, të nisur në tetorin e para tre viteve me raundin e parë, që pasonte nisjen bisedimeve teknike. Për takimin më të ri, media serbe njofton se kryeministri Vuçiç udhëton sot drejt Brukselit dhe paralajmëron se tema e bisedimeve do të jëtë përparimi i deritashëm në dialogun në normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e marrëveshjeve.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillonjë takimin e gjashtë të tyre, ndërsa nga 28 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
Kush ta bëjë demokratizimin e dytë?!
Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Lexova me mjaft interes analizën e publicistit të mirënjohur, zotërisë Ajet Nuro, me titull, “Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi”, të botuar në 10 tetor 2015 në faqen e internetit “Tribuna Shqiptare”.
Si njëri nga përfaqësuesit e mirënjohur të Diasporës Shqiptare, zotëria Ajet Nuro shpreh me shumë të drejtë shqetësimin e vet intelektual për gjendjen e demokracisë në Shqipëri gjatë këtyre 25 vjetëve. Është e vërtetë se në Shqipëri janë bërë shumë ndryshime, por megjithatë ne jemi ende larg standardeve demokratike në ndërtimin dhe në funksionimin e shtetit ligjor. Populli shqiptar, për fat të keq, ka përfunduar në“skllav” të partive politike, të cilat përpiqen me thonj e me dhëmbë për të kapur majat e pushtetit. Ky i shkretë pushtet në Shqipëri është shndërruar në një lopë mjelëse për politikanët shqiptarë, të cilët vijnë e bëhen milionerë si me forcën e magjisë.
Pjesën më të madhe të kohës gjatë shtatë vjetëve të fundit e kam kaluar te fëmijët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Heraherës atje më ka qëlluar të bisedoj me qytetarë amerikanë për problemet e politikës dhe më ka bërë përshtypje njëfakt interesant: që t’i hysh politikës në Amerikë, duhet të harxhosh para, madje para të madhe, qoftë nga paratë e veta, qoftë nga mbështetja financiare e biznesit privat. Sepse shteti amerikan nuk shpenzon as edhe një dollar të vetëm për partitë politike. Pra, kapitalin atje nuk e vë dot, duke shfrytëzuar postin politik. Figura të tilla politike, si ish-kongresmeni Xhejms Trafikan dhe ish-guvernatori i Ilinoisit Rod Bllagojeviç, të cilët patën shfrytëzuar postin politik për përfitime financiare, patën përfunduar në burg për korrupsion. Ky i fundit, i dënuar në vitin 2011 nga drejtësia amerikane me 14 vjet heqje lirie, po dergjet në një koloni të Kolorados.
Në Shqipëri, përkundrazi, posti politik shfrytëzohet për të vënë miliona dhe askujt nuk i hyn gjemb në këmbë. Të ashtuquajturit krah i majtë dhe krah i djathtë në politikën shqiptare, në të vërtetë, nuk përfaqësojnë as të majtën dhe as të djathtën, në kuptimin euroamerikan të kësaj fjale. Pra, në vendin tonë ekzistojnë dy klane të etura për pushtet që janë pasuruar në një mënyrë marramendëse dhe që, përmes tribunës së parlamentit, po luajnë një komedi të hollë në sytë e opinionit publik, me të vetmin qëllim që të krijojnë përshtypjen sikur janë kundërshtarë të rreptë me njëri-tjetrin.
Ky realitet tragjik ka bërë që populli të mbetet rob i partive, të cilat janë vetë zot e vetë shkop në zgjedhjen e deputetëve që gjoja e përfaqësojnë atë në parlament. Kësisoj të dyja klanet ia kanë mohuar popullit të drejtën për të votuar drejtpërsëdrejti për kandidatët që ai dëshiron, duke e detyruar të votojë vetëm për partitë. Dhe kryetari i partisë, duke qenë fuqiplotë në krye të saj, kandidatët për deputetë i përfshin në listë sipas dëshirës. Kjo mënyrë zgjedhjeje e deputetëve, nuk ka as ndryshimin më të vogël nga praktika e zgjedhjes së deputetëve në periudhën e diktaturës komuniste: listën e tyre e hartonte formalisht Kryesia e Frontit Demokratik të Shqipërisë, por faktikisht vendimin e merrte personalisht Enver Hoxha.
Me këto praktika, karakteristike për një sistem të dështuar politik, nuk mund të ndërtohet demokracia. Nuk mund t’u besohet ndërtimi i demokracisë kryetarëve të partive, të cilët, pavarësisht nga fitoret ose nga dështimet gjatë ndërrimit të pushteteve, nuk dëshirojnë kurrsesi të largohen nga kreu i tyre. Prandaj kryetarët e përjetshëm të partive politike janë një fatkeqësi e rëndë për fatet e demokracisë në Shqipëri. Një fakt i tillë dëshmon fare shkoqur se në vendin tonë nuk u bë përmbysja e sistemit komunist, si në vendet e tjera të Evropës Lindore, me përjashtim të Rusisë. Në vendin tonë u bë thjesht një ndërrim sistemi. Ishët e diktaturës komuniste dhe bijtë apo nipat e tyre, iu përshtatën situatës së re në kushtet e pluralizmit politik. Prandaj ata nuk mund t’i flakin dot nga vetja e tyre mendësitë komuniste. Kjo solli si pasojë që Shqipëria të vazhdojë ende të përjetojë një periudhë të stërgjatur tranzicioni që nuk i dihet fundi ende.
Në këto kushte, zotëria Ajet Nuro, me shumë të drejtë, hedh një ide interesante, sipas së cilës “Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi”.
Mirë do të ishte vërtet që të kishim një valë të dytë demokratizimi. Por problemi është se kush duhet ta ngrejë një valë të tillë. Normalisht, në rastet e nxjerrjes së çdo vendi nga amullia politike, rolin kryesor e merr dhe duhet ta marrë përsipër inteligjencia, sidomos inteligjencia dhe rinia universitare. Në vendin tonë inteligjencia vazhdon të bëjë një gjumë të rëndë letargjik, duke i lejuar klanet politike të tallen me fatet e popullit si t’ua dojë mideja. Dhe tallja e popullit prej klaneve në fjalë ka arritur në përmasa katastrofike, sidomos në proceset zgjedhore. Në këto fushata,klanet politike janë munduar me të gjitha mënyrat dhe ia kanë arritur qëllimit që një masë jo të paktëzgjedhësish t’i kthejnë në mercenarë të vet përmes shitblerjes së votës. Praktika e shitblerjes së votës në Shqipëri përbën një dukuri sa të turpshme, aq edhe skandaloze që vihet re gjatë fushatave zgjedhore.
Shumë e drejtë është ideja e zotërisë Ajet Nuro për rolin që duhet të marrë përsipër Diaspora Shqiptare për ngritjen e valës së dytë të demokratizimit. Jam plotësisht në një mendje me zotërinë Ajet Nuro se në radhët e Diasporës Shqiptare, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka figura të nderuara që kanë bërë emër me punën e ndershme, me djersën e derdhur për lartësimin e figurës së vet dhe që mund të japin kontributin e tyre të drejtpërdrejtë për ngritjen e një vale të dytë demokratizimi në atdheun amë. Por që të vihet në jetë kjo ide interesante, duhet që Diaspora Shqiptare, pikë së pari, të gëzojë të drejtën e votës dhe të drejtën për t’u zgjedhur në atdheun amë përmes votimit elektronik. Veçse për ta siguruar pjesëmarrjen e saj në votime, duhet që e drejta e votës së saj të sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ashtu siç e ka të sanksionuar shteti zviceran. Prandaj edhe 700 mijë zviceranë që jetojnë në diasporë, marrin pjesë rregullisht në zgjedhjet e vendit nëpërmjet votimit elektronik. Për vendin tonë përbën problem fakti që klanet politike nuk e dëshirojnë pjesëmarrjen në votime të Diasporës Shqiptare. Madje klani politik qëështë në pushtet jo vetëm që nuk e dëshiron një pjesëmarrje të tillë, por po krijon kushte të rënda ekonomike edhe për shtresën e varfër, shumë anëtarë të së cilës kanë marrë arratinë nëpër shtete të ndryshme të Evropës, në kërkim të azilit ekonomik.
Një tjetër arsye e vështirësisë së ngritjes së një vale të dytë demokratizimi, qëndron në faktin se klanet politike në vendin tonë, sapo ulen në karrigen e pushtetit, për shkak të frymës së mercenarizmit që i karakterizon në marrëdhëniet me të huajt, vuajnë nga kompleksi i inferioritetit para tyre.
A nuk dëshmon për kompleksin e inferioritetit të klaneve politike shqiptare lejimi i Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse ish-Fanolianepër një periudhë më shumë se 23-vjeçare? A nuk dëshmojnë për një kompleks të tillë të gjitha dukuritë që u vunë re para dhe pas ndeshjes së futbollit me përfaqësuesen e Serbisë? Kompleksi i inferioritetit të palës shqiptare, të përfaqësuar nga Thaçi e Mustafa, është shfaqur pastër fare para Beogradit gjatë gjithë procesit të bisedimeve në Bruksel me krerët më të lartë të qeverisë serbe, tërësisht në dëm të interesave të Kosovës. Dhe inteligjencia kosovare vazhdon të heshtë.
Këto fakte dëshmojnë ditën për diell se klanet politike shqiptare janë të zhveshura krejtësisht nga dinjiteti kombëtar, se dinjitetin në fjalë kanë një çerek shekulli që ia kanë falur Athinës dhe Beogradit. Dhe Athina me Beogradin, në shkëmbim të dinjitetit kombëtar, klanet politike të Tiranës i kanë pajisur me “çertifikatën” e kompleksit të inferioritetit.
Pikërisht ky kompleks i mallkuar inferioriteti ka bërë që të huajt, dhe konkretisht Brukseli zyrtar, ta kenë shumë për zemër ndjenjën e inferioritetit të klaneve politike shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë. Sepse me këto klane politike në pushtet, pa vetëdije kombëtare, në të dyja shtetet shqiptare, ata mund të sillen siç u do qejfi, ashtu siç edhe janë sjellë konkretisht në Shqipëri për një çerek shekulli gjatë vëzhgimit të fushatave zgjedhore dhe siç po vazhdojnë të sillen edhe në Kosovë për më shumë se 16 vjet. Se nuk u bëhet shumë vonë për fatet e popullit shqiptar. Sepse kombin shqiptar, në mungesë të një klase politike me vetëdije të lartë kombëtare, në mungesë të një Kryeshtetari dinjitoz, ata e kanë trajtuar dhe vazhdojnë ta trajtojnë thjesht si një parcelë eksperimentale. Dhe inteligjencia shqiptare vazhdon të heshtë, si pa gjë të keqe.
Tiranë, 12 tetor 2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 747
- 748
- 749
- 750
- 751
- …
- 975
- Next Page »