• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A PARAQET MARRËVESHJA E OHRIT ZGJIDHJE TË DREJTË PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE NË MAQEDONI?

August 24, 2024 by s p

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua në Ohër më 13 gusht të vitit 2001. Atë e kanë nënshkruar: kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh), Arbën Xhaferi (1948-2012), kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Imer Imeri (1942-2008), kryetari i VMRO-DPMNE-së, njëherazi edhe kryeministër, Lubço Georgievski (1966- ), kryetari i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Branko Cërvenkovski (1962- ) dhe kryetari i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski (1956-2004).

Si lehtësues ndërkombëtarë të dialogut, dokumentin e kanë nënshkruar edhe politikani francez Fransua Leotar (François Gérard Marie Léotard, 1942-2023) dhe ish-negociatori amerikan në Ballkan, Xhejms Perdju (James William Pardew, 1944-20121).

Marrëveshja ka tri shtojca: Shtojca A – amendamentet kushtetuese, Shtojca B – ndryshimet në legjislacion, Shtojca C – implementimi i marrëveshjes për të cilin do të diskutohet në Kuvendin e Maqedonisë.

Në Marrëveshjen e Ohrit, ndërmjet tjerash thuhet: “Sovraniteti dhe tërësia tokësore e Maqedonisë si dhe karakteri unitar i shtetit janë të pacenueshëm dhe duhet të ruhen. Për çështjet etnike nuk ka zgjidhje territoriale”. Fjalia e fundit e parimit të sipërthënë ka këtë kuptim: “Çështja shqiptare në Maqedoni nuk është çështje territoriale. Me fjalë të tjera, shqiptarët në Maqedoni nuk kërkojnë territor, nuk luftojnë për territor”. Në marrëveshje thuhet: “Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike”. Sikundër shihet, në marrëveshje nuk flitet për shtet dyetnik apo dykombësh (binacional). Në vend të kësaj, flitet për “shoqëri maqedonase shumetnike”. Me fjalë të tjera, shoqëria (dhe jo shteti) në Maqedoni na qenkësh shumetnike. Marrëveshja e Ohrit duhej të zbatohej brenda një periudhe katërvjeçare, përkatësisht në vitin 2004. Ka shqiptarë që thonë se kjo marrëveshje sot e kësaj dite nuk është implementuar.

* * *

Shqiptarët në Maqedoni sot e gjithë ditën nuk e kanë të qartë sa duhet se çfarë statusi politik dhe juridik u siguron Marrëveshja e Ohrit.

Ç’janë shqiptarët sipas Marrëveshjes së Ohrit:

– Popull shtetformues; apo

– Pakicë me të drejta të caktuara kombëtare, të garantuara me kushtetutë?

Situata rreth statusit të shqiptarëve mbetet nebuloze dhe e mjegullt. E tillë mbetet për dy arsye:

– e para, nga mosdija, dhe

– e dyta, partia shqiptare në pushtet parapëlqen të manipulojë dhe të thotë: ”jemi popull shtetformues”.

Me rastin e kremtimit të Ditës së alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, qëllon të vijë edhe ndonjë ministre nga Shqipëria. Njëherë, njëra sosh tha: “Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues”. Pas pak, e njëjta shtoi: “Kemi ardhur këtu në Bitola…”. Kjo ministre nuk ka njohuri të mjaftueshme për të kaluarën dhe të tashmen e shqiptarëve në Maqedoni. Ajo s’ka dot njohuri politike dhe juridike të mjaftueshme, për të mos thanë fare s’ka njohuri se ç’kuptohet me “popull shtetformues”.

Ku është dallimi midis pakicës, në një anë dhe popullit shtetformues, në anën tjetër. Çfarë atributesh posedon një popull me status shtetformues? Këta terma apo këto koncepte mësohen në Fakultetin e Drejtësisë, përkatësisht në atë të Shkencave Politike. Mediokri apo pseudo-intelektuali i gjithëdijshëm i provincës pandeh se këto njohuri mund të mësohen edhe në çajtoren, në ëmbëltoren dhe në byrektoren e qytezës.

* * *

Çdo marrëveshje që vjen pas një lufte apo pas një konflikti, paraqet kompromis midis palëve. Kur mbyllet një marrëveshje ndërmjet palëve ndërluftuese, asnjëra prej tyre nuk është plotësisht fituese apo plotësisht humbëse. Në një marrëveshje që arrihet pas një lufte apo konflikti të armatosur, rëndom merr pjesë edhe faktori ndërkombëtar influent.

A i plotëson Marrëveshja e Ohrit kërkesat e shqiptarëve? A e ka zgjidhur Marrëveshja e Ohrit çështjen shqiptare në Maqedoni? A janë të kënaqur shqiptarët me Marrëveshjen e Ohrit dhe sa janë të kënaqur? A është vjetruar Marrëveshja e Ohrit? A është zbatuar Marrëveshja e Ohrit plotësisht? Gjatë periudhës së zbatimit, a ka pësuar ndryshime dhe interpretime të njëanshme?

* * *

Ka qenë vështirë të arrish marrëveshje me sllavo-maqedonasit. Këta kanë qenë dhe janë antishqiptarë të përbetuar. Që nga viti 1912, sllavo-maqedonasit me ndihmën e Serbisë kanë ushtruar dhunë ndaj shqiptarëve, dhunë dhe gjenocid. I kanë dëbuar për në Turqi. Kanë bërë pastrim etnik.

Politika antishqiptare e sllavo-maqedonasve është mbështetur fuqimisht nga Serbia. Kundër të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni kanë qenë edhe Greqia edhe Bullgaria.

* * *

Në kohën e pluralizmit Maqedonia ka qenë e mbrojtur nga ShBA-ja. Tërësinë tokësore të saj s’kanë mundur ta vënë në dyshim as faktori i brendshëm – shqiptar, as faktori rajonal – Bullgaria, Serbia dhe Greqia.

Në krye të Marrëveshjes së Ohrit thuhet: “Sovraniteti dhe tërësia tokësore e Maqedonisë si dhe karakteri unitar i shtetit janë të pacenueshëm dhe duhet të ruhen. Për çështjet etnike nuk ka zgjidhje territoriale”.

* * *

Duke pasur në qeveri apo në pushtetin qendror pesë apo gjashtë ministra shqiptarë, zëvendësministra, shefa kabinetesh, këshilltarë, drejtorë të përgjithshëm, funksionarë prej eshalonit të parë deri në të katërtin, duke qeverisur pushtetin vendor në mbi pesëmbëdhjetë bashki, krijohet përshtypja se shqiptarët gëzojnë një sasi të madhe të drejtash.

Mirëpo në këtë mes nuk merret parasysh fakti se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni burojnë nga:

– Argumenti historik, që do të thotë se shqiptarët në Maqedoni janë popull autoktonë;

– Argumenti i bashkëkohësisë, që do të thotë se shqiptarët në Maqedoni përbëjnë tridhjetë për qind të popullsisë së saj; dhe

– Argumenti hipotetik, që do të thotë se midis konfliktit dhe paqes, shqiptarët në Maqedoni janë përcaktuar për paqe dhe janë faktorë qëndrueshmërie në vend dhe në rajon.

Shqiptarët janë faktor demografik, intelektual, ekonomik, prodhues, biologjik, krijues, kulturor, mbrojtës.

* * *

Me Marrëveshjen e Ohrit:

– Nuk u krijua një Maqedoni federative;

– Nuk u krijua një Maqedoni dyetnike, dykombëshe apo binacionale;

– Nuk u krijua një entitet shqiptar brenda Maqedonisë, siç është Republika Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë;

– Gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në tërë territorin e Maqedonisë;

– Nuk kemi një kuvend dydhomësh: Dhoma e Qytetarëve dhe Dhoma e Bashkësive Etnike;

– Shqiptarët në Kuvend nuk e kanë të drejtën e vetos. Parimi i Badinterit nuk është zëvendësim përkatës i vetos;

– Flamuri i shtetit është flamur i sllavo-maqedonasve. S’ka shqiptar në botë që e respekton këtë flamur, përpos në raste ceremoniale apo protokollare;

– Himni i shtetit është himn i sllavo-maqedonasve. S’ka shqiptar në botë që e respekton këtë himn, përpos në raste ceremoniale apo protokollare;

– Nxënësit sllavo-maqedonas nuk e mësojnë gjuhën shqipe nëpër shkolla, madje as në komunat ku shqiptarët paraqesin shumicë absolute. Nxënësit sllavo-maqedonas duhet ta mësojnë gjuhën shqipe që nga klasa e tretë fillore, sikundër e mësojnë maqedonishten nxënësit shqiptarë;

– Lufta e vitit 2001 nuk hyri në tekstet e historisë të Maqedonisë;

– Statusi i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nuk u zgjidh me ligj;

– Statusi i invalidëve të luftës së 2001-shit, nuk u zgjidh me ligj;

– Data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit duhej të ishte ditë feste shtetërore në Maqedoni;

– Formimi i qeverisë duhej të ishte rregulluar me ligj. Qeveria duhet të formohet nga fituesi i zgjedhjeve në bllokun shqiptar si dhe nga fituesi i zgjedhjeve në taborin sllavo-maqedonas.

Nuk je popull shtetformues, jo, se po të ishe, shqipja nuk do të figuronte si gjuhë që e flasin 20 % e popullatës.

Me këtë shpërngulje dhe dyndje të popullatës, mund të ndodhë që shqiptarët të bien nën 20 %. A thua vallë, ç’do të ndodhte pas kësaj?! A mund të rrezikohet e drejta e përdorimit të flamurit dhe të gjuhës amtare?! Maqedonia është krijuar si shtet në trojet shqiptare. Ardhacakët ia kufizojnë të drejta një populli që është ndër më të vjetrit e gadishullit.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë kapacitetet shtetformues, por nuk e kanë me kushtetutë statusin politik dhe juridik të popullit shtetformues.

Kjo ndodh për dy arsye:

– E para, nga mungesa e diturisë së duhur, dhe

– E dyta, nga korrupsioni. Nuk mund të zhytesh në korrupsion dhe njëherazi të realizosh kërkesa kombëtare për popullin tënd. O pasurim brenda nate të një grupi apo koniunkture, o realizim kërkesash në interes të përgjithshëm. Armiku nuk t’i jep të dyja.

Sllavo-maqedonasit e kanë kompleksin e të dobëtit. Mbase ata mendojnë kësisoj: “Po t’u japim shqiptarëve të drejta sa s’bën, atëherë ekziston rreziku që ta gllabërojnë krejt shtetin”. Prandaj si zgjidhje e shohin shtratin e Prokrustit. Nuk shkon edhe Marrëveshje e Ohrit edhe shtrati i Prokrustit.

* * *

Në Maqedoni nuk u zgjidh as statusi i ish-të burgosurve dhe i të përndjekurve politikë shqiptarë të cilët u dënuan nga regjimi monist me dënime drakonike.

* * *

Marrëveshja e Ohrit duhej ta kishte parasysh edhe çështjen e zhvillimit ekonomik të viseve me shumicë shqiptare, që nga Struga deri në Likovë. Ekonomia e këtij vendi, sistemi bankar dhe ai financiar kryekëput janë në duart e sllavo-maqedonasve. Investimet dhe grantet shkojnë në pjesën lindore të këtij vendi, ndërsa viset me shumicë shqiptare janë anashkaluar.

Marrëveshja e Ohrit duhej t’i kishte pasur parasysh edhe shqiptarët në rajonet ku ata dhunshëm janë shndërruar pakicë, si: në Ohër, në Manastir, në Krushevë, në Resnjë, në Prespë, në fshatrat e Velesit apo të Prilepit, në Çashkë, Rostushë, Dollnen, në disa komuna të qytetit të Shkupit etj.

Krejt punët s’ka se si të jenë objekt i Marrëveshja e Ohrit. Maqedonia e Veriut është lidhur me autostrada me fqinjët e tjerë – Serbinë, Greqinë dhe Bullgarinë, por jo edhe me Shqipërinë dhe Kosovën.

Por ka do punë që ndërlidhen me Marrëveshjen e Ohrit. Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë shteti më i nacifikuar në Evropë. Si është e mundur që në një qytet me shumicë absolute shqiptare, rrugët dhe shumë shkolla të mesme, sot e kësaj dite mbajnë emërtime të figurave sllavo-maqedonase. Po të ndërmarrësh diçka për t’i ndërruar emërtimet e shkollave, nxënësit sllavo-maqedonas, të mbështetur nga partitë politike antishqiptare, organizojnë protesta. Kjo s’është veçse dobësi e politikës shqiptare. Ismail Kadareja kishte ardhur në Tetovë në Festivalin ndërkombëtar të poezisë “Ditët e Naimit”. Drejtori i festivalit, Shaip Emërllau më tha ta presë autorin e “Pallatit të ëndrrave” në gjimnaz. Me të hyrë në oborrin e shkollës, e lexoi në ballë të ndërtesës emërtimin e mësonjëtores. Ishte (dhe vazhdon të jetë) emërtim sllav. Shkrimtari i shoqëruar nga Elena Kadare, më pyeti: “Ç’është ky emër kështu. Unë e dija se vij në një shkollë shqipe…”. U stepa, nuk dija çka t’i them. Rreth 80 për qind e nxënësve të gjimnazit, në mos më shumë, janë shqiptarë. Nxënësit sllavo-maqedonas nuk mësojnë në atë ndërtesë. Ata ndjekin mësimin në objekt tjetër. Megjithëkëtë, shkolla me nxënës dhe me kuadër arsimorë shqiptarë mban një emër që fare s’ka të bëjë me historinë dhe kulturën shqiptare. Për më keq, pothuajse të gjitha shkollat e mesme e kanë të njëjtin problem.

Shënim: Kadareja me gruan e vet u pritën nga drejtoria e gjimnazit, nga të gjithë profesorët si dhe nga qindra nxënës. Shkrimtari të gjithëve na mbajti një ligjëratë që zgjati disa minuta. Ata qëndruan në shkollë rreth dy orë.

* * *

Shqiptarët diskriminohen në shumë lëmenj. Spitalet e qyteteve shqiptare në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut nuk krahasohen dot me klinikën e Shkupit. Kjo klinikë ka krijuar monopol dhe pjesa më e madhe e mjeteve financiare të buxhetit derdhen aty.

Duhet cekur se Maqedonia e Veriut është një shtet, sistemit të drejtësisë të të cilit i besojnë vetëm dy për qind e qytetarëve të tij. Duket e pabesueshme, por kjo shifër vjen nga nivelet më të larta të politikës. E dhimbshme. Mjerë ky popull në çfarë shteti jeton. Kështu nuk pranohesh dot në BE.

* * *

Ta kesh ministrin shqiptar në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Financave apo në Ministrinë e Punëve të Jashtme, s’ka fije dyshimi se është arritje që çmohet lartë nga qytetarët shqiptarë. Ta kesh shqiptar kryetarin e Kuvendit të shtetit, s’ka fije dyshimi se është arritje që çmohet prej shoqërisë shqiptare. Ta kesh shqiptar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut është një arritje që duhet vlerësuar.

Mirëpo, nuk duhet harruar se ministrat shqiptarë, kryetari shqiptar i Kuvendit të shtetit apo edhe kryeministri shqiptar, respektojnë dhe zbatojnë ligjet e këtij shteti dhe kushtetutën e këtij shteti.

Duhet parë në ka ligje diskriminuese dhe restriktive ndaj shqiptarëve.

Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit ky shtet në shumë raste ka ushtruar dhunë dhe opresion ndaj shqiptarëve.

Shqiptarët në Maqedoni asnjëherë nuk e kanë provuar dhe nuk e kanë praktikuar veprimin jashtë-institucional. Ka raste kur nuk mund të arrish një kërkesë kombëtare pa e kushtëzuar palën tjetër me veprim paqësor jashtë institucioneve të pushtetit qendror. Faktori ndërkombëtar nuk mund të të detyrojë të hyjsh në qeveri në emër të ruajtjes së paqes dhe të qëndrueshmërisë në rajon. Kjo s’është veçse një klishe. Paqja dhe lufta në çdo pikë të rruzullit dihet se në duart e kujt janë.

Në Maqedoni edhe sot ka kauzë shqiptare. Kauza shqiptare nuk është mbyllur. Ajo duhet të zgjidhet me mjete politike, në rrugën demokratike dhe institucionale. Një faktor politik i përçarë dhe që rend pas pushtetit, kurrë nuk mund ta zgjidhë një çështje kombëtare. Këtë e dëshmon historia.

Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të reduktohet kryesisht në punësimin e të rinjve. Punësimi është vetëm një dimension i çështjes. Kauza nuk zgjidhet me nepotizëm dhe me mbingarkimin e zyrave apo të administratës. Kjo nuk parqet zgjidhje. Zgjidhjet paliative apo gjysmake nuk mundësojnë perspektivë. Rrugëdalje duhet kërkuar në investimet e huaja dhe në zhvillimin e sektorit privat.

Marrëveshja e Ohrit sot nuk i plotëson kërkesat e shqiptarëve. Por, asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe përpos siç ka ndodhur. Marrëveshja e arritur midis dy popujve zgjat rreth një shekull. Marrëveshjet nuk denoncohen dhe nuk arrihen kur t’i kujtohet dikujt dhe si t’i kujtohet dikujt. Për një marrëveshje të re shqiptarët duhet të presin. Të presin momente historike të reja, siç ishte rënia e murit të Berlinit, shpërbërja e perandorisë sovjetike, shembja e Jugosllavisë së Josip Brozit.

Edhe lufta nuk bëhet kur t’i kujtohet dikujt. Putini hyri në luftë por Rusia s’di si të dalë prej saj.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza

Si e zgjidhi DNC problemin me Joe Biden

August 23, 2024 by s p

Gomarët e injoruan elefantin në dhomë. Dhe funksionoi.

Nga  Zack Beauchamp “Vox” përktheu Rafael Floqi

US-VOTE-POLITICS-DEMOCRATIC-CONVENTION

Me Presidentin Joe Biden duke folur në rolin kryesor, natën e parë e konventës së Demokratëve dukej sikur do të ishte ceremonia për kalimin e pishtarit. Dhe nuk ishte se demokratët në skenë e bënë këtë të qartë.

Fjalimi i Biden ishte vonë. Filloi rreth orës 23:30 me orën Lindore, aq vonë sa disa ekspertë vendosën që DNC e kishte varrosur fjalimin e tij me qëllim (një teori që zyrtarët e konventës e mohuan). Kur presidenti më në fund foli, ai e kapërceu plotësisht pyetjen e qartë të ngritur nga prania e tij: Pse ajo dhe jo ai? Biden shpenzoi pjesën më të madhe të fjalimit duke promovuar rekordin e tij në detyrë, duke e vënë Harrisin si një kampion të trashëgimisë së tij pa shpenzuar asnjë fjalë të vetme për të shpjeguar se përse i duhej një kampion në radhë të parë.

Në këtë, Biden nuk ishte i vetëm. Gjatë gjithë natës, demokratët u siguruan që të mos pranonin lëvizjen e paprecedentë që çoi në mbajtjen e fjalimit kryesor në vend të fundit të konventës nga presidenti në detyrë. Konventa në thelb veproi sikur Biden të ishte një president i mandatit të dytë të ndaluar ligjërisht nga kandidimi për postin, jo një president i shtyrë mënjanë nga partia e tij.

Kjo mund të duket e pakëndshme. Por kjo ishte ndoshta mënyra më e mirë e mundshme për të trajtuar situatën.

Elefanti në dhomën e gomarit?

Konventat politike janë, në teori, reklama informative shumëditore për palën pritëse. Ata duhet të llogariten me kujdes për ta paraqitur partinë në dritën e saj më të mirë, duke theksuar çështjet e saj më të forta, politikanët më të talentuar dhe pikat më të qarta të unitetit.

Për momentin, demokratët kanë një histori mjaft të mirë për të treguar. Harris po rritet në sondazhe, i nxitur nga një nivel entuziazmi në mesin e bazës partiake që nuk është parë që kur Barack Obama kryesoi biletën. Ekonomia është e fortë, krimi është ulur dhe nuk ka trupa amerikane që vdesin në luftëra të huaja në shkallë të gjerë. Gjërat janë aq të mira, në fakt, sa modelet e zgjedhjeve dhe tregjet e parashikimit tani e kanë atë si një favorit të lehtë për të mundur Donald Trump në nëntor.

Gjëja e fundit që dëshironi të bëni është të prishnin partinë duke u ndalur në të kaluarën e afërt – veçanërisht në luftën e brendshme të keqe, ende të freskët nëse duhet zëvendësuar Bideni me Harris. Megjithatë, a mund ta shmangnin vërtet demokratët pranimin se partia sapo kishte bërë histori duke shkëmbyer një kandidat presidencial pas zgjedhjeve paraprake?

Po, rezulton – ata mundën.

Për pjesën më të madhe të natës, kjo ndihej e natyrshme. Programi u fokusua në zgjedhjen me të cilën përballen votuesit në nëntor, duke bërë dallimin e Harris (e mirë!) me Trump (i keq!). Kishte pak nevojë për t’u ndalur te Biden sepse ai nuk është në fletëvotim.

Kjo filloi të ndihej e çuditshme vetëm kur nata u zhvendos drejt adresimit të Bidenit, me fjalime nga figura të botës së Bidenit: Senatori i Delaware Chris Coons, zonja e parë Jill Biden dhe vajza e presidentit Ashley. Ka raporte se presidenti mbetet i zemëruar dhe i zemëruar për të gjithë këtë gjë, dhe është e vështirë të imagjinohet që fjalimi i tij të shtyhet deri aq vonë, që të mos ndihej si kripa në plagë.

“Kjo është e tmerrshme. Ai krijoi fjalë për fjalë një fushatë dhe ua dorëzoi atyre – a duhet ta hiqnin atë nga prime time ?” pyeste një ndihmës i Bidenit gazetari i Axios, Alex Thompson.

Megjithatë, kur erdhi koha, Biden i qëndroi skenarit. Ai foli për veten e tij, natyrisht, por nuk tha apo bëri asgjë që mund të perceptohej, si rrush i thartë për Harrisin. Ai, si gjithë të tjerët, thjesht e injoroi çështjen e trashëgimisë. Dhe problemi pak a shumë u kujdes vetë.

Kjo pajtueshmëri pasqyron stilin më të përgjithshëm politik të Bidenit.

“Biden vërtet ndërtoi dhe varej nga një koalicion në vend të një kulti personaliteti, në një shkallë më të madhe se pothuajse çdo POTUS modern,” shkruan politologu i Georgetown, Matt Glassman. “Ai thjesht nuk është i dashur siç ishte Obama, Klintoni apo Regani apo, mirë, edhe Trumpi. Kjo ndodh në qasjen e tij ndaj politikëbërjes, qasjen e tij ndaj marrëdhënieve me publikun dhe marrëdhëniet e tij me fraksionet e partisë.”

Me sa duket, kjo është arsyeja pse Biden u tërhoq në mes të presionit të partisë, kur Trump nuk do ta bënte (pas regjistrimit të Access Hollywood, të themi, ose trazirave të Kapitolit të 6 janarit). Por shpjegon gjithashtu se pse Bideni mund t’i rezistojë tundimit për të qëndruar në largimin e tij dhe për të ecur përpara sikur të mos kishte ndodhur kurrë.

Në fund të fundit, ai është një burrë partiak.

Filed Under: Analiza

Fan Noli në Lidhjen e Kombeve, simpozium përkujtimor në OKB

August 19, 2024 by s p

Për herë të parë, brenda sallës së selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, do të flitet për kontributin e madh të Fan Nolit për kombin shqiptar! Një simpozium përkujtimor dhe historik do të mbahet me rastin e 100-vjetorit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Takimi do të zhvillohet në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, më 9 shtator 2024, nga ora 11:00 deri në 13:00!

Ky organizim historik realizohet me iniciativë të Bibliotekës së Fan Nolit në Boston, VATRA-s, gazetës “Dielli,” dhe pjesëmarrjen e disa akademikëve, studiuesve dhe autorëve të ndryshëm, për të nderuar trashëgiminë shumëdimensionale të Fan Nolit.

I gjithë ky aktivitet zhvillohet nën mikpritjen dhe mbështetjen e ambasadorëve të Shqipërisë në Amerikë dhe në Kombet e Bashkuara.

Nëse dëshironi të dhuroni/donacione për realizimin e këtij eventi të rëndësishëm Ju lutem klikoni linkun:

https://www.zeffy.com/…/d4a782b8-54d3-4343-8e31…

Organizatorët:

Neka Doko – Bibloteka Fan Noli Boston

Ilir Ikonomi – Gazetar/Studiues e autori Nolit Washington

Rafaela Prifti – Editore e Gjuhës Angleze në Gazetën “Dielli” Nju Jork

Mentor Maksutaj – Kryetari i VATRA në Boston (sponsor)

🇺🇸
🇦🇱
🇽🇰

P.S. Të gjithë donatorët do të përmenden gjatë aktivitetit dhe falenderohet në rrjetet sociale!

Filed Under: Analiza

ALEATI DHE FJALËT QË PESHOJNË

August 16, 2024 by s p

Nga PAOLO MIELI – “Corriere della Sera”, 12 gusht 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Ec e beso në Italinë si aleate. Kundrejt kalimit të kufirit ukrainas në territorin rus, Evropa me një deklaratë zyrtare ka gjykuar : “Ukraina ka të drejtë të sulmojë armikun kudo që ajo t’a quajë të nevojshme”. Shtetet e Bashkuar, nëpërmjet zëdhënësit të departamentit të shtetit, Matthew Miller, ka thënë pak a shumë të njëjtën gjë: “I takon Ukrainës të vendosë sa i takon kësaj mësyemje”. Edhe se nuk e ka nxitur të shtyhet shumë “përtej kufirit”. Italia është shkëputur haptas e është hera e parë që kjo ndodh që nga fillimi i luftës. Së pari ministri i ynë i Mbrojtjes Guido Crosetto ka theksuar se kurrë arma italiane nuk do të duhej të kishte shtënë edhe një plumb të vetëm përtej kufirit që ndan Ukrainën me Vendin pushtues. Deri këtu asgjë e re, mbetemi në dallimin tradicional hipokrit ndërmjet përdorimit “mbrojtës” e përdorimit “sulmues” të armëve të dhëna qëndresës ukrainase. Ndërmjet të tjerash dhuratat tona, nga sa dihet, nuk janë të tilla për t’u mbajtur në konsideratë për një mësymje të llojit t’asaj të kryer nga Zelenski në truallin rus. Aq është e vërtetë sa që Shtatmadhoria e Kievit, gjithnji simbas asaj që del, nuk ka parashikuar përdorimin.

Ministri mund të ndalohej këtu. Por, madje ka menduar të shtojë se “asnjë Vend nuk duhet të mësyjë një tjetër Vend”, duke vënë kështu në heshtje, në të njëjtin rrafsh “dy mësyemjet”, atë ruse dhe atë ukrainase. Ka shtuar pastaj se me qenë se, simbas mendimit të tij, “lufta do të bëhej akoma më e ashpër po të zhvendosej në territorin rus”, sulmi në drejtim të Kurskut “do të largojë gjithënjë e më tepër mundësinë e një armëpushimi”. Me fjalë të tjera, Ukraina nuk ka aspak të drejtë të sulmojë armikun (siç pohojnë SHBA dhe Evropa) “kudo që e quan të nevojshme”, por duhet të luftojë vetëm brënda kufijve të saj. Përndryshe ajo bëhet fajtore sepse ka ndaluar pritmërinë e paqës. Herën tjetër do të thuhet se Zelenski, për të mbajtur pushtetin, dëshëron t’a zgjasë luftën në përjetësi.

Ministri i Jashtëm Antonio Tajani me zë të përvajshëm u vu në rradhë me të. Matteo Salvini, siç ishte e parashikueshme u ngazëllua duke ripropozuar vënien në diskutim të gjithë politikës së dërgimit të armëve në Kiev. Një pjesë e vogël e Pd – Quartapelle, Guerini, Sensi – u alarmua për këtë ndryshim petku të ministrit. Me ironinë që nuk i mungon, kushtetuetari Michele Ainis e ka këshilluar Crosetton (tek Fakti i Përditshëm) të bëjë edhe një hap të mëtejshëm e t’i propozojë NATO-s dërgimin e F16 Rusisë së “mësyer” nga Ukraina, në funksion mbrojtës, kuptohet. E në respektimin e nenit 11 të Kushtetutës.

Në të gjithë këtë, Giorgia Meloni, ka lënë të nënkuptohet, ndërmjet shënimeve të zakonshme jo zyrtare, një murmurimë mos miratimi kundrejt ministrit. Por shënimet e Melonit janë jo zyrtare deri n’atë pikë sa të mos kuptohet se mendimi ndryshe i kryeministres dhe ministrit është apo jo një lojë palësh.

Në të vërtetë, për të dalë nga e gjithë kjo që mban një erë hipokrizie, duhet thënë se misioni i Zelenskit në tokën ruse duket sheshit se shëmbëllen me diçka më shumë se një kundërsulm për të goditur bazat nga nisen raketat vdekjeprurëse që godasin tregjet, centralet elektrike e spitalet ukrainase. Duket se priret më shumë në pushtimin e një zone (në brëndësi të së cilës ka një çentral bërthamor) që të mund të shkëmbehet pikërisht për të krijuar kushtet e një armëpushimi. Për shembull me atë të Zaporizhias, çentralit bërthamor me të cilin rusët ende këmbëngulin. E mundëshme por jo e sigurtë që ukrainasit të arrijnë në synimin, shumë të qartë për Putinin, veprimi i Kurskut – në ndryshim nga ajo që thotë Crosetto – mund t’a bëjë të mundur një traktativë paqeje. Prandaj Evropa dhe Shtetet e Bashkuar, edhe se parandjejnë rreziqet, nga çasti që nuk kanë harruar përfundimet e kundër mësymjes së verës së shkuar, nuk e kanë penguar.

Në këtë pikë duhet thënë, edhe këtu pa hipokrizi, që një dinjitar i lartë i Shtetit siç është ministri i Mbrojtjes do të duhej të kishte kujdes, kujdes të madh në përdorimin e foljeve e të fjalëve. Ka një ndryshim të madh ndërmjet atij që “mësyn” një Vend për t’a pushtuar ose, gjithsesi për të mbajtur një pjesë të mirë të tij për një kohë të pacaktuar) dhe atij që kalon kufirin për të goditur sheshet nga nisen raketat që, prej dy vite e gjysëm, shkaktojnë shkatërrime e vdekje. Apo – nëse është me gjasë e mundëshme hamëndja që kemi formuluar – për të pasur diçka për “të kthyer” në synimin për të mbajtur një pjesë të tokës së Ukrainës, që ende nuk është e pushtuar tërësisht nga armiku.

Të lihet të kuptohet se bëhet fjalë për dy “mësymje” të barabarta o, sidoqoftë, të gjykueshme me të njëjtin metër nuk është e ndershme. Për më tepër t’a bësh në këtë mënyrë, ndërsa Evropa, Britania e Madhe (dje me një deklaratë të vendosur të kryeministrit Keir Starmer) e Shtetet e Bashkuar marrin qëndrime krejtësisht të ndryshëm, është shprehje për të satën herë e provës se në çaste të vështira Italia nuk është një aleat i besueshëm.

Crosetto nuk është i pari, e druajmë, nuk do të jetë i fundmi për t’u tërhequr kur në horizont të duket vagëllimthi rreziku i humbjes. E do t’ishte një padrejtësi të ngarkohej mbi shpatullat e tij një gjykim kaq i ashpër mbi besueshmërinë e Vendit tonë. Por është po aq e vërtetë se në disa çaste si ky nga një hollësi e vogël shihet se nga çfarë stofe janë bërë klasat tona drejtuese. Fatkeqësisht, pothuaj se gjithmonë nga e njëjta.

“Corriere della Sera”, 12 gusht 2024 Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza

DON MARJAN MARKU NGA KOSOVA NJE PRIFT KANONIK NE ZVICER

August 15, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Don Marjan Marku, i lindur në fshatin Binçë, komuna e Vitisë, është prifti i parë kanonik jozviceran i zgjedhur në Kapitullin e Katedrales, Ipeshkvia e St. Gallen-it, Zvicër dhe i pari klerik shqiptar në këtë pozitë. Prejardhja e tij nga një familje martire e kishës katolike dhe edukata e fortë familjare e çuan natyrshëm në shërbim të Hyjit dhe njerëzve. Ai thotë se e veçantia e meshës së sotme është se bekohet bimësia për efektet kuruese fizike dhe shpirtërore. Prandaj, në shërbesën e tij për festën e ngritjes së Zonjës në qiell, Don Marjani do meshojë tek shpella e Zojës së Bekuar, ku, sipas një tradite të vjetër, bekohen bimët dhe barishtet e llojllojshme që shërbejnë për shërimin e trupit dhe të shpirtit.

Ai e konsideron kishën “busull që i drejton njerëzit drejt vlerave kombëtare dhe fetare, drejt të mirës dhe drejt Hyjit.” Duke e pasur këtë busull orientuese, Don Marjani thotë se tri parimet themelore të mërgimit duhet të jenë: parimi fetar që lidh besimtarin me Hyjin, parimi kulturor, që ruan lidhjen e mërgimtarit me vendlindjen dhe ai integrativ që e axhornon mërgimtarin me qytetarin vendor.

Ipeshkvia e St. Gallen është një nga vetëm dy të tilla në botë ku kanonikët janë këshilltarë që kanë edhe privilegjin për ta zgjedhur vetë ipeshkvin, ngjashëm me zgjedhjen e Papës nga kardinalët. Ruajtja e riteve dhe nomeve klerike është pjesë e identitetit të dioqezës së St. Gallen. Ipeshkvia ku ai është kanonik ndodhet në St. Gallen, në pjesën lindore të Zvicrës, rreth 90 km (56 milje) larg nga Zyrik. Qyteza e ka marrë emrin nga misionari kelt Shën Gall, i cili në shekullin e shtatë ndërtoi këtu një azil lutje për ermitët, prej nga mori nisjen vendbanimi.

Don Marjani ka kryer studimet teologjike në Sarajevë dhe më tej ka vazhduar me gradën shkencore të magjistraturës kushtuar Shën Niketës, Ipeshkvit të Remesianës, i njohur ndër shqiptarët si Shën Niketë Dardani (340-420). *Remesiana e atëhershme sot quhet Bella Pallanka, rreth 40 kilometra larg prej Nishit në drejtim të Bullgarisë. Gjatë takimit tonë në Ferizaj, përpara se të udhëtonte për Zvicër, ai, me buzëqeshje dhe elokuencë, hyn shumë natyrshëm në biseda, ku menjëherë vërehet niveli dhe diapazoni i tij i gjerë shumëdisiplinor. Diskutimi për kuptimin e “termit “kanonik” si një emërtim i vjetër i kishës, që nuk gjendet sot në strukturën kishtare shqiptare, hap temën e vjetërsisë së Kishës katolike shqiptare. Me anë të studimeve dhe burimeve historike, ai e shtjellon qëndrimin se shqiptarët nuk e morën fenë nga romakët.

“Shqiptarët nuk e morën fenë nga Romakët,” Don Marjan Marku

Për sa i takon tezës se “shqiptarët e morën fenë nga romakët,” Don Marku thotë se kjo nuk është fare e vërtetë. “Kisha katolike deri në vitin 313 ka qenë e persekutuar prej Romakëve. Të gjithë ata që kanë besuar në ndonjë fe tjetër kanë qenë të persekutuar prej perandorit, i cili konsiderohej të ishte edhe perëndi. Momenti kyç për njohjen e lirisë fetare për të gjithë popujt e perandorisë ishte Marrëveshja e Milanos e vitit 313 nënshkruar midis mbretit Konstatini I dhe Licinius, Një nga provat se deri në vitin 313 pas Krishtit të krishterët kanë qenë të persekutuar janë shenjtërit e parë, si Ipeshkvi Shën Asti në Durrës në vitin 98. Ai u persekutua dhe u var në kryq, i lyer me mjaltë për tu pickuar nga grenxat dhe insektet, për t’ia shtuar dhembjet. Në Ulpian kemi dy martirë në shekullin e dytë, Shën Flori dhe Shën Lauri, të martirizuar për shkak të fesë. Meqë nga vdekja e Krishtit, diku në vitin 30 pas Krishtit e deri në vitin 313 të gjithë të krishterët kanë qenë të persekutuar nga Romakët, atëherë si është e mundur që shqiptarët ta kanë marr fenë prej romakëve?” argumenton Don Marjani.

Menjëherë pas vendimit për liritë fetare kemi pasur shenjtërit ilirë, siç janë Shën Niketa (340-420), Ipeshkëv i Remesianës dhe Shën Jeronimi (340-420) prej Dalmacisë. Sipas burimeve historike, delmatët, kanë qenë fis ilir që kanë ruajtur delet dhe nga kjo janë quajtur delmatët ndërsa kroatët kanë ardhur në shekullin e shtatë në Dalmaci dhe në trojet kroate. Prifti teolog Gennadius nga Marseja, reformator monastik i shekullit të pestë, shkruan se Shën Niketa është autor i dy veprave që kanë shërbyer si literature për përgatitjen e kandidatëve për pagëzim. «Nëse ndokush dëshiron të ketë diçka në dorë mbi Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt, në formë thelbësore dhe të shkurtër, le ta lexojë librin mbi besimin, që e ka shkruar Ipeshkvi Niketa. Kështu lexuesi do t’i plotësojë njohuritë e mësimit qiellore përmes një trajtimi të thuktë e të përmbledhur dhe do t’i afrohet vështrimit (shikimit) Hyjnor». (Don Marjan Marku, Shën Niketa, Ipeshkëv i Remesianës, fq 21).

Për jetën e këtij shenjti ilir kemi të dhëna nga Shën Paulini prej Nolës i cili i shkruan dy poezi për mikun e tij. Aty vërejmë se Shën Niketa ka vizituar Nolën dy herë, në vitin 398 dhe në vitin 402 dhe se ata janë bërë miq në vizitën e parë. Në vargjet e poezisë Shën Paulini pyet se a do të largohet me të vërtetë nga miku i tij dhe është i bindur se pavarësisht nga ndarja fizike, ai do të mbetet pranë tij shpirtërisht: «Ti do të kalosh nëpër fushat, rrafshirat e Filipit në Maqedoni; do të kalosh nëpër qytetin Tomi dhe si mysafir i Dardanisë dhe të shkosh për në Scupi, që është fqinj i atdheut tënd» (po aty, fq 15-16). Shën Niketa mendohet se është autor i himnit «Te Deum laudeamus» por kjo është ende e diskutueshme në aspektin shkencor.

Provë tjetër se Kisha ndër ilirë ka qenë e organizuar është përkthimi i Shën Jeronimit të Biblës nga origjinali, pra nga gjuha hebraike dhe greke në gjuhën latine, që njihet si teksti «vulgata». Duke qenë se dokumentet provojnë se ka pasur ipeshkvi, është e qartë se ekzistenca e ipeshkvive flet për një kishë të organizuar në fiset ilire.

Fëmijëria në Kosovë dhe thirrja në shërbim të Hyjit dhe njerëzve

Unë jam lindur në Bincë, komuna e Vitisë, në një familje shumë fetare, e cila ka pratikuar shumë fenë katolike. Në kohën e fëmijërisë sime shkonim për çdo të diel në meshë, në Kishë dhe në mësimin e fesë. Në familje u luste për çdo ditë rruzarja dhe kur binte këmbana për Engjëllin e Zotit – kjo ndodh tri herë në ditë, në mëngjes, në drekë dhe në mbrëmje – pavarësisht se ku gjendeshin prindërit e mi, në fushë, në punë apo në rrugë, ata ndërprisnin punën dhe lusnin uratën «Engjëlli i Zotit». Kjo traditë fetare ka ndikuar shumë në thirrjen time meshtare për të qenë në shërbim të Hyjit dhe të njerëzve. Përmes lutjes ne jemi të lidhur me Hyjin, bisedojmë me Hyjin, dhe duke qenë të lidhur me Hyjin, bekimin që marrim prej Hyjit e ndajmë me të tjerët.

Për thirrjen time meshtarake që e kam ndier qysh në shkollën fillore ka ndikuar edhe prejardhja ime nga një familje martire. Të parët e mi, si nga ana e babait po ashtu edhe nga ana e nënës kanë qenë të gatshëm për të vdekur për Krishtin, duke mos u frikësuar nga perandoria Osmane dhe duke mos e ndërru fenë katolike në atë islame. Nga fshatrat e Karadakut, ku kanë jetuar të parët e mi, diku 200 njerëz janë deportuar në Muhaliq (Anadoli) në vitin 1846, për shkak se nuk dëshironin ta pranonin fenë islame. Prej atyre 200 vetëve janë kthye diku rreth 90 veta pas dy viteve, pas intervenimeve nga Franca dhe Austro Hungaria. Rreth 120 njerëz janë vra, janë persekutu dhe kanë vdek vetëm pse kanë qenë katolik dhe nuk kanë dashur ta marrin fenë islame. Shën Tertuliani ka thënë: “Gjaku i martirëve është fara e krishërimit.” Me siguri se gjaku i tyre është një farë e mbjellur në tokën e fshatrave të Karadakut dhe për atë arsyje në këtë pjesë ka shumë thirrje meshtarake dhe të murgeshave.

Familja dhe edukimi e formimi shpirtëror

Në formimin tim shpirtëror kanë ndikuar shumë prindërit e mi, Frroku dhe Antonina (Tanina) Marku dhe dy vëllezërit e mi: Nou dhe Zefi. Ata me jetën dhe veprën e tyre kanë qenë shembull për jetën dhe rrugëtimin tim. Për thirrjen time meshtarake kanë ndikuar edhe famullitarët që kanë shërbyer në bashkësinë famullitare të Binçës ku jam rritur, siç janë: Don Nikolla Duckic, Don Pjetër Berisha dhe Don Ndue Gjergji. Shumë ndikim ka pasur edhe motra Luiza Stoshiq, e cila me ka dhënë mësim fenë.

Persekutimi i klerit katolik nga regjimi komunist – Pasojat për shoqërinë tonë

Për mua, martirët janë pishtarë drite që e ndriçojnë kombin dhe bëjnë dritë në qiellin e njerëzimit. Persekutimi i klerit në shtetet komuniste veçanërisht në Shqipëri ka qenë shumë i rreptë. Sipas të dhënave historike, gjatë regjimit komunist në Shqipëri u vranë pesë ipeshkvij, 60 meshtarë, 30 rregulltarë françeskanë, 23 jezuitë, dhjetë seminaristë dhe tetë motra rregulltare a murgesha, pa llogaritur shumë laikë të tjerë. Dy ishin zakonisht akuzat me të cilat arrestoheshin, torturoheshin dhe dilnin para gjyqit, i cili e kishte gjithnjë gati paraprakisht vendimin e dënimit: spiunë të Vatikanit dhe bashkëpunëtorë të nazizmit a të fashizmit, në varësi nga kontaktet që kishin me Evropën. Meqë shumë meshtarë katolikë shqiptarë e misionarë ishin të shkolluar, duke i zhdukur fizikisht, i jepnin edhe një goditje të rëndë vetë identitetit kombëtar, në formimin e mbrojtjen e të cilit, ata, pa dyshim, kishin kontribuar shumë. Gjatë regjimit komunist burgosja, torturat dhe nënshtrimi ndaj proceseve të rreme bëheshin në përpjekje për ta çrrënjosur Ungjillin nga kultura e një populli të tërë. Martirët shqiptarë, si Imzot Vinçenc Prenushi me 37 shokë, kanë qenë të shkolluar në Austri, Francë apo në Itali dhe përveç teologjisë kanë studjuar edhe letërsinë, muzikën, artin. Ata ishin elita e popullit shqiptar. Gjithmonë më vjen në mend sesi Dom Lazër Shantoja, meshtar e atdhetar i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, ishte masakruar deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin një orë e më parë, në moshën 54 vjeçare.

Kisha katolike në vendet amëtare dhe në diasporën e sotme

Historikisht Kisha ka një rol shumë të rëndësishëm në diasporën tonë. Ardhja e perandorisë Otomane ka sjellë humbje të kulturës dhe traditës së lashtë, krahas humbjes së fesë. Tekstin e parë të shkruar në gjuhën arbërore e kemi formulën e pagëzimit të shkruar nga Imzot Pal Engjëlli në vitin 1462: “Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Librin e parë të shkruar në gjuhën arbërore kemi Mesharin shkruar në vitin 1555 nga Gjon Buzuku, dhe shumë vepra të tjera.

Kisha duhet të ketë rolin busullës, e cila i drejton njerëzit drejt vlerave kombëtare dhe fetare, drejt të mirës dhe drejt Hyjit, duke i lidhur njerëzit me Hyjin dhe me njëri-tjetrin.

Për mua, mërgimi duhet të mbështetet në tre parime: parimi i parë është ai fetar ku lidh besimtarin me Hyjin, parimi i dytë është ai kulturor, i cili lidh mërgimtarin me vendlindjen e tij dhe parimi i tretë është ai integrativ, ku lidh mërgimtarin me qytetarin vendor.

Cili është shqetësimi juaj më i madh sot për edukimin shpirtëror në përgjithësi?

Edukimi shpirtëror ka rëndësi sepse çdo njeri duhet ta di se kush është, prej nga vjen dhe ku dëshiron të shkoj, dhe ku është caku i tij. Nëse na ka krijuar Hyji, atëherë ne jemi shtegëtarë dhe udhëtarë drejt tij. Dhe kjo është fryma që duhet ta ketë çdo besimtar, të jetë i vetëdijshëm, se kush është dhe ka shkon, se është në rrugë drejt amshimit.

Shqetësimi im është që bota disi është materializuar për së tepërmi. Shumëçka shihet në prizmën e profitit dhe parasë. Mendimi se njeriu vlen vetëm aq sa jep financiarisht është për mua i gabueshëm. Ky rrezik mund të na largoj nga vlerat e vërteta dhe nga Hyji. Hyji na sheh ndryshe, na sheh të vlefshëm edhe atëherë kur nuk kemi mundësi të japim shumë, na pranon ashtu siç jemi. Pra, Hyji është pasuria më e madhe në jetë, ndërsa të gjitha gjërat tjera janë vetëm mundësi a mjete për të jetuar.

I vetmi kanonik i zgjedhur katolik jozviceran një prift shqiptar që vjen nga komuna e Vitisë është një rast shumë i veçantë

Unë jam zgjedhur kanonik në vitin 2019. Kanonikët në Ipeshkvinë e St. Gallen kanë një privilegj të jashtëzakonshëm që krahas shërbesave kryejnë edhe këshillimin dhe zgjedhjen e Ipeshkvit. Ipeshkvia e St. Gallen ka 142 famulli. Festa e ngritjes së Zonjës në qiell është ditë pune, ndërsa në shumë kisha festohet të dielën pas 15 gushtit. Ajo që është specifike këtu është se bekohen bimët dhe barishtet që shërbejnë për shërimin e trupit dhe të shpirtit. Si në mbarë botën, Shën Nënë Tereza adhurohet edhe në Ipeshkvinë tonë. Kemi dy trupore dhe dy sheshe me emrin Nënë Tereza, përkatësisht në Will dhe Uznach ku shkojnë shumë besimtarë për tu lutur. Këtu ka një pakicë të bashkësisë shqiptare katolike.

A keni ndonjë pendesë? Cila është lutja juaj për besimtarët?

Lutja duhet të jetë për secilin njeri pjesë e jetës dhe përcjellëse e ditës, prej mëngjesit e deri në mbrëmje, sepse lutja është një bisedë me Hyjin, një bisedë me atë që më do. Duke lutur ne bisedojmë me Hyjin dhe fitojmë forcë për punën që kemi gjatë ditës. Pra nëse kemi një mik i cili na do, na do ma shumë se gjithkush tjetër në botë, na do pa kurrfarë interesi, atëherë duhesh të bisedosh me atë mik dhe biseda me të është lutja. Si meshtarë kemi obligim lutjen e orëve, e cila është e ndarë në pesë kohë, ku lusim për vete dhe për mbarë popullin që na është besuar. Të bashkuar me Hyjin në lutje dhe me anë të bashkimit përmes lutjes, ai na jep forcë dhe këtë bashkim me Hyjin e ndajmë edhe me të tjerët në punën e përditshme.

Përshëndetje për Diell-in

Të gjithë lexuesve u dëshiroj që gazeta të jetë dritë ndriçuese për jetën e tyre, që përmes leximit të saj të pasurohen dhe të mësojnë shumë gjëra për jetën e tyre. Të gjithë atyre që kanë lexuar këto rreshta u dëshiroj bekime të shumta hyjnore.

Ju falemnderit!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • …
  • 986
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT