Nga Asllan Bushati-Nenkryetar i Vatres/
Para pak muajsh Kosova ishte ne gerryerje masive nga eksodi, kurse keto dite Shqiperia.Pyetja e pare qe te vjen ndermend eshte:cfare po ndodh keshtu me kombin tone? Kujtesa dhe kronikat te kujtojne vitet 1991-92 ku pamjet shokuan Europen dhe boten me ikjen masive. Iknin nga Shqiperia ,vendi me i izoluar i kontinentit te vjeter,por atehere kishte nje shpiegim madhor se njerezit kerkonin lirine. Fenomeni gjeti nje fare zgjidhje, ose si te themi nje fare ekuilibri, kur u bashkuan familjet shqipetare dhe kur u hoq rregjimi i vizave.Po sot cpo ndodh, ku po shkojne shqipetaret, pse po zbrazen trojet tone? Me pare ishte kryesisht ikje e te rinjeve, kurse tani ikje masive e familjeve, madje disa kane shitur gjithcka kane patur vetem per tu larguar nga trojet shqipetare.Si pergjigje e shpejte po me vjen ne mendje vetem nje fjali rrenqethese :kjo eshte tragjedi kombetare.
Ne vorbullen e kesaj dhimbjeje kombetare u degju edhe nje deklarate fashiste e nje deputeteje italiane, e cila per te ndaluar eksodet nga veriu i Afrikes propozoi te perdoren aeroplanet dhe mjetet detare te luftes ,per mbytjen ne dete te emigranteve qe tentojne Italine ,duke sjelle si shembull, sic kemi vepruar me shqipetaret.Pra,mbytja e Katerit te Rades se distriktit detar te Vlores ka qene e qellimeshme nga autoritetet italiane. E temerreshme kur e degjon te thene nga nje deputete e nje vendi demokratik, e tmerreshme kur e mendon se cpo ndodh me kombin tone dhe me heshtjen e qeverise.
Media jep te dhena se largimi masiv prek shifra te tilla si: vetem ne muajn mars 2015 ka kerkesa per azil ne Gjermani 3200 vete dhe kampet e refugjateve jane plot me shqipetare te pa regjistruar akome.Afersisht ne keto shifra situate eshte edhe ne Britani,Belgjike, Zvicer,Islane,Holande etj.Zyrtaret thone se ne gjashte vite kane emigruar pa kethim 363 mije shqipetare ne vendet e BE-se.Krahu i ri i punes ne Shqiperi eshte rreth 45-55 mije ne vit,ne Kosove30-35 ne trojet shqipetare ne Maqedoni 20-25. Ky krah i ri pune pothuaj cdo vit emigron .Tragjedi e vertete kombetare.
Nga Qeveria dhe autoritet pergjegjese nuk ka nje analize dhe nje shpiegim per kete fenomen rrenqethes. Kontrollet policore ne pikat kufitare,jane perpjekje e varfer shpesh dhe qesharake per ti thene Europes se ne po merremi seriozisht me emigracionin, por ne fakt ato nuk jane as problemi dhe as zgjidhja.Kjo eshte vetem reagim nga frika e anullimit te regjimit vizave me krejt vendet e Shengenit ose me kryesoret e tyre.Eksodi dhe aplikimet per azil kane brendine e tyre .Madje qeveria heziton ta pranoje hapur se eshte gjendje emergjente, por perpiqet te argumentoje se kjo gjendje keshtu ka qene edhe me pare.Nuk kemi pare ndonje mbledhje te posacme te Qeverise,te komisioneve te parlamentit,ministrive perkatese ose segmenteve pergjegjese per te shpalosur hapsira dhe politika perspective. Edhe arrestimi i disa grupeve mafioze qe merreshin me emigracionin nuk ka cuar ne uljen e numrit te emigranteve. Atehere cili eshte burimi i ketij fenomeni? Dhe pse nuk emigrojne politikanet dhe te pasurit?A ka pergjegjesi kjo qeveri qe drejton sot Shqiperine?
Ne gjykimin tim ky realitet i hidhur ekziston.Brendija eshte skamja, mjerimi dhe varferia ne thellim.Por jo vetem kaq, ka arbitraritet dhe arrogance te theksuar shtetrore,pasiguri te jetes se qytetareve, trotil e ndiellje frike kudo, paqartesi te politikave te zhvillimit, polarizim i tejskajshem i posedimit te pasurise kombetare,krijimi i monopoleve ne disa sektore jetik te vendit,mungese ne investime, ngritje taksash, vendosje barierash artificiale qe pengojne prodhimin vendas, keqperdorimi i fondeve publike , marrje kredishe per shpenzimet qeveritare dhe jo per hapje te vendeve te reja te punes etj.Pra shumica e arsyeve vijne nga keq qeverisja, nga mashtrimi i fushates zgjedhore te 2013 ku nuk u premtu vetem parajse se te gjitha te tjerat u premtuam me buje te madhe.
E ashtu quajtura rilindje paska qene mashtrim, zhgenjim, hipokrizi dhe talje e madhe me pefytyrimin e se ardhmes se shqipetareve. Zoti Rama eshte i detyruar tu thote shqipetareve se cu be me 300 mijet e vendeve te reja te punes te premtuara, me mjekesi falas, me ulje te cmimit te energjise elektrike, me uljen e pagesave te studeteve, me rritjen e rrogave dhe te pensioneve?Po ashtu tu shpiegoje shqipetareve ku shkuan 600 miljonet e investimeve publike te vitit te kaluar dhe sa u punesuan me keto para? Pse investimet e huaja kane rene me 30 perqind? Po ashtu ka nevoje tu shpiegoje shqipetareve cfare kapacitetesh ka vendi yne ne industri, bujqesi,tregeti, turizem,administrate (arsim e shendetesi). Cilat jane politikat e zhvillimit per shtimin e kapacitetit te prodhimit te brendeshem dhe cfare ka bere qeveria e tij per kete? Pse papunesia po thellohet?
Eshte kallaj te mburresh, te premtosh dhe te rrahesh gjoksin sic beri qeveria e rilindasve dhe te mbushesh ekranet e gazetat me parrulla, por nuk eshte e lehte sot ti pergjigjesh atyre qe po lene vendin me familje e farefis, qe po trokasin ne dyert e Europes per nje cope buke, per mbijetese, per siguri me te mire, per shkollim te femijeve te tyre per nje te ardhme me te mire ,sepese qeveria dhe vendi i tyre nuk po ben asgje per to. Qeverite zgjidhen per ta cuar vendin perpara e jo prapa, per ta integruar me kombet e perparuar dhe jo per ta izoluar nga kontinenti, per ta prosperuar e jo per te ndalur zhvillimin. Ne se qeverite nuk jane ne gjendje te gjenerojne energji , te rrisin ekonomine ,sigurine dhe te ardhme ato duhet te largohen sa me pare nga drejtimi. Ne se nuk e bejne eshte e drejta e popullit qe me mjete demokratike ta beje nje gje te tille.
“CERTIFIKATË PAFAJSIE” APO “CERTIFIKATË PASURIE”?
Në Kuvendin e Shqipërisë, e prej andej në mjetet e komunikimit masiv, vazhdojnë ngjitjet në tribunë me “Certifikata pafajësie” e me “Certifikata fajësie” si në skenën groteske të filmit “Ballë për ballë”.
Askush nuk del të flasë e bërtasë me “Certifikatë pasurie” në dorë me adresa të plota, me emër e mbiemër për të denoncuar të ardhurat nga krimi e korrupsioni të ngjizura në to./
Nga Durim Madhi/
Foto shoqeruse :Demonstrate nga Forumi i Emigranteve/
Në faqe të parë të shtypit të shkruar dhe lajm të parë në ekranet e vegjël tokësorë e satelitorë (një hapësirë e mirëpritur e lirisë) përditë përballemi me “Certifikata pafajësie” nga njëra anë dhe “Certifikata fajësie” nga ana tjetër si në atë skenën e njohur në filmin “Ballë për ballë”.
Protagonistë të “Certifikatave” kanë ngjyra politike, të majta e të djathta, dhe “zë në efir” gazetat, radiot e televizionet mbrehur si qetë në “krahun e vet” duke tërhequr zvarrë parmendën e drunjtë.
Ka tashmë, diku tek një vit apo më pak, që foltorja e Kuvendit zhurmon për “Të tetëmbëdhjetët”. Vikat në atë masë sa në korridore kërcet shpulla e kamerat e sigurisë përcjellin deri në seanca gjyqësore pamje spektakli që ia ka zili edhe rruga.
Ka disa javë që mediat belge shkruajnë për një vrasje me adresë të një deputeti në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu siç ka po kaq kohë që fluturon në efir “Certifikata e pafajësisë” dhe një avokate nga Belgjika ka ardhur të “mbrojë” honorarët e profesionit…
Plasi edhe këto ditë “dueli” midis pakicës dhe shumicës kur njëra palë përcjell dënime gjykatash të vendeve të tjera dhe pala tjetër, me “Certifikatë pafajësie” ngul këmbë në të kundërtën si “dhia në urën e telit”.
Një vizatim me dorë të lirë mbi fytyrën e politikës dhe politikanëve shqiptarë nxjerr në pah se një pjesë e madhe (nuk guxoj të them shumica) kanë ardhur në drejtim të pushtetit e shtetit nga “Udhëtimet jashtë vendit”, udhëtime që i kanë nginjur ekonomikisht, sa jo vetëm të bie në sy, por edhe të frikëson.
Nuk flitet për mërgimtarë të thjeshtë që me djersën e ballit dhe me sakrifica të panumërta kanë ndërtuar ndonjë “vilë trekatëshe” në “Bathore” apo në “Kënetë”, kompletuar për jetesë modeste vetëm në katin përdhes, ndërkohë që katet e “larta” janë në “katër mure”….
Flitet për njerëz të pushtetshëm jo vetëm me vila madhështore në bregdet e në bjeshkë, por me pasuri të jashtëzakonshme, qindra milionë euro apo dhjetëra miliarda lekë siguruar në banka të “sigurisë së lartë”, banka që as “Lista La Garde) nuk i regjistron dot…
Një “Certifikatë pafajësie”, në këtë botë ku korrupsioni bën qarkoren e tokës rreth diellit, është shumë e lehtë të sigurohet. “Paratë çajnë detin”-thotë populli. Por edhe sikur të marrim të “pamundur” sigurimin e një “Certifikate pafajësie” në rrugën e allishverisheve, në të gjitha kodet ligjore të shteteve ka një “kohë vdekjeje”, kohë pas së cilës (pesë apo edhe dhjetë vjet) bëma e krimit shuhet nga sistemet kompjuterike dhe personi jo thjeshtë lahet por edhe parfumohet aq bukur sa pamja fizike dhe aroma shkrihen në një.
Ajo që nuk shuhet, nuk parfumohet, nuk mund të hiqet as nga shikime e as nga dëgjimi, është pasuria e vënë në rrugë të panjohura, me “miell të bardhë” e me “mish të bardhë” siç është përfolur dhe vazhdon të përflitet për njerëz të të “katër pushteteve”.
“Certifikata e pafajësisë” e tundur në erë si flamur përpara kamerave të shumta televizive ashtu si edhe “Certifikata e fajësisë” e tundur në të njëjtën mënyrë, nuk janë asgjë tjetër veçse një “tymnajë” mbi sytë e popullit dhe një “zhurmues” në veshët e tij. “Tymnaja” dhe “zhurmimi” janë përpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen të mbulojnë korrupsionin, vjedhjen, dhunën e krimin.
“Certifikata e pasurisë”, deklarimi i saj deri në qindarkën e fundit nga secili individ që synon jo vetëm karrige në shtet e në pushtet, në gjyqësor e në media, është e vetmja që flet për të gjithë veshët dhe reflekton për të gjithë sytë.
Kushdo, përpara se të dalë në skenën e madhe të popullit, me synimin për të zënë karrigen e deputetit, të kryetarit të bashkisë, apo në ofiqe të tjerë paga e të cilëve rrjedh nga “xhepi i popullit”, nga taksapaguesit shqiptarë, duhet të ketë me vete “Certifikatën e pasurisë”. Tu tregojë të gjithëve se si e ka siguruar pasurinë e tij, si është bërë pronar i madh vilash, si është bërë biznesmen i suksesshëm në fusha të ndryshme.
Ekziston de juro një Inspektorat i Verifikimit të Pasurive, Inspektorat që deri tani, edhe kur ka nxjerrë nga “thellësia e truallit të korrupsionit” ndonjë detaj (Bode-rasti më i fundit) është mbrojtur dhe mbrohet me “Certifikatë pafajësie”.
Plazhi më i preferuar i politikës mbi të cilin media “fluturon me helikopter”, plazhi i Gjirit të Lalëzit, është tipik për tu kërkuar çdo pronari të politikës shqiptare “Certifikatën e pasurisë”, rrugën e secilit për ndërtimin dhe pajisjen e vilave deri edhe me “ullinj shekullorë” sjellë nga ajri.
Shqipëria është vendi tipik në botë ku kapitalet e vëna janë në sy të popullit, ku diferenca e njerëzve krahasuar me “startin kapitalist” ’90-të, është e dukshme, ku njeriu me “dy divane me shtrojë llastiku e kashtë thekre” u ngjit duke pushtuar tregun dhe duke krijuar mirëqenie sheik-u vendesh arabe.
Në Kuvendin e Shqipërisë, e prej andej në mjetet e komunikimit masiv, vazhdojnë ngjitjet në tribunë me “Certifikata pafajësie” e me “Certifikata fajësie” si në skenën groteske të filmit “Ballë për ballë”.
Askush nuk del të flasë e bërtasë me “Certifikatë pasurie” në dorë me adresa të plota, me emër e mbiemër për të denoncuar të ardhurat nga krimi e korrupsioni të ngjizura në to.
Askush sot…
Askush nesër…
Askush mot e motmot…
Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë…
15 prill 2015
Mungesa e shtetit ligjor, parajsë për kriminelët e politikës dhe biznesit!
Nga Faik KRASNIQI/
Padyshim që peshqit e mëdhenj të politikës, janë të lidhur me biznesmenët e papërgjegjshëm që tash e 16 vite bëjnë kontrabandë me grurin, miellin, qumështin pluhur etj! Sepse është vështirë të merresh me këto gjëra të paligjshme dhe të rrezikshme, nëse nuk qëndrojnë prapa teje njerëz të fuqishëm të politikës, që kanë interesa të përbashkëta biznesore dhe të mbrojnë prapa çdo pisllëku dhe skandali! Normal që me ndihmën e oligarkëve të politikës, prej pasluftës këto kompani kanë krijuar monopol në ekonominë e vendit, duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe shtetin e Kosovës, dhe njëkohësisht duke i dëmtuar rëndë edhe bizneset e ndershme! Me këto gjëra duhet të merret drejtësia, por me që drejtësia tek ne nuk funksionon për njerëzit e fuqishëm të politikës dhe biznesit, vështirë se do ndryshojë kjo gjendje edhe për një kohë të gjatë! Kur Kosova të bëhet një shtet i fortë ligjor, atëherë të gjithë keqbërësit e politikës dhe biznesit, do të përgjigjen për të bëmat e tyre! E deri sa të bëhet shteti ligjor, ne të gjithë do të jemi vetëm spektator të veprave të tyre të paligjshme, pasurimit të mëtutjeshëm të tyre, pa pasur fuqi që t’i parandalojmë këto krime ekonomike, që e kanë lënë dhe po vazhdojnë ta lënë Kosovën të pazhvilluar ekonomisht, me papunësi shumë të madhe dhe vendin më të varfër në Evropë!
Rritja e TVSH-së i dëmton qytetarët!
Rritja e TVSH-së do t’i dëmtojë vetëm qytetarët, sepse këtë do ta shfrytëzojnë tregtarët e pandërgjegjshëm dhe do t’i ngrisin çmimet akoma më të larta, e në bazë të standartit jetësor në Kosovë, çmimet aktuale janë shumëfish më të larta, që nënkupton se shportat e qytetarëve do të jenë edhe më të varfëra seç kanë qenë deri më tash! Prandaj rritja e TVSH-së do t’i bëjë nder vetëm bizneseve të pandershme, por në anën tjetër do të sjell përkeqësim të situatës, dhe çdoherë ekziston rreziku për shpërthim të trazirave sociale, për shkak të papunësisë së lartë dhe varfërisë së madhe!
Evazioni fiskal dëmton bizneset, ekonominë dhe buxhetin e Kosovës!
Evazioni fiskal në Kosovë është në përmasa shumë të mëdha, do të thoja në masa tepër shqetësuese. Që nga paslufta në Kosovë, ekonomia joformale që llogaritet të jetë deri në 45% apo më shumë, ka dëmtuar konkurrencën e lirë të tregut, e sidomos buxhetin e Republikës së Kosovës! Evazioni fiskal e varfëron buxhetin e Kosovës, për më shumë se 1 miliard në vit! Me mbi 1 miliard euro në vit më shumë në buxhetin e Kosovës, dhe me investime të mençura në sektorin e ekonomisë, kryesisht në bujqësi, stimulimin e bizneseve të mesme dhe të vogla, brenda një periudhe 5 vjeçare, do të kishim zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe papunësia do të binte diku tek 20-25%!
Pasuria e Kosovës në duart e matrapazëve!
Nëse e shikojmë se me çfarë çmime qesharake janë shitur ndërmarrjet në Kosovë. nuk ka asnjë dyshim që prapa ndërmarrjeve të privatizuara, qëndrojnë njerëzit e politikës, sepse përmes AKM-së e më vonë AKP-së, ata përmes njerëzve që i kanë pasur anëtar të bordeve, e kanë pasur në dorë edhe vënien e çmimeve, por edhe se kujt t’i shiten
ndërmarrjet! E, fatkeqësisht pasuria e Kosovës, ra në duart e matrapazëve, që e dëmtuan ekonominë, në vend se ta zhvillojnë. Lëre që ndërmarrjet në Kosovë u shitën me çmime shumë të lira, por pas privatizimit ngelën papunë me dhjetëra mijëra punëtorë dhe shumica e tyre edhe pse kanë qenë ndërmarrje prodhuese, sot shërbejnë për gjëra të tjera! Tokat e koperativave bujqësore, në vend se të shërbenin për mbjellje, ato u shëndrruan në hekur e beton, në të cilat u bënë ndërtime banimi dhe pika karburanti!
Me një fjalë privatizimi është bërë për biznes, e jo për ta rimëkëmbur ekonominë e Kosovës! Prandaj privatizimi i ndërmarrjeve në Kosovë, duhet të rishikohet nga fillimi: se me çfarë çmimi janë blerë, kush është pronari i vërtetë, a i është ndërruar destinacioni dhe pronari a i ka përmbushur obligimet për investimet që i ka pasur si kusht dhe për rritjen e numrit të punëtorëve, në periudhën e caktuar me ligj!
Tregu i përbashkët Kosovë-Shqipëri, është domosdoshmëri!
Kosova dhe Shqipëria e quajnë njëri-tjetrin vëllezër, e në anën tjetër bëjnë tregti me Serbinë, Maqedoninë, Greqinë, Italinë etj, e më së paku mes veti! Por ky mosbashkëpunim tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, është e qëllimshme, sepse kompanitë që kanë monopol në mallërat e Serbisë, e pengojnë një gjë të tillë! Gjysma e mallit edhe kontrabandohet nga Serbia, përmes këtyre kompanive, e që e dëmtojnë rëndë buxhetin e Kosovës, që do të thotë se buxheti i Kosovës shkaku i kontrabandës, është më i varfër për 1 miliard euro në vit! Çfarë të mira i sjell Kosovës dhe Shqipërisë, nëse shkëmbejnë mallëra mes vete, ose më mirë të themi ta bëjmë një treg të përbashkët!
Shqipëria dhe Kosova, formalisht dhe joformalisht importojnë mallra nga vende të tjera diku në vlerën 10-12 miliardë euro në vit! Nëse do të bëhej një treg i përbashkët, atëherë importi do të binte përgjysmë, që do të thotë se 5-6 miliardë euro do të mbeteshin në dy shtetet shqiptare. Me këto 5-6 miliardë euro shtesë investime në vit, do të kishim një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe një zbutje të ndjeshme të papunësisë! Por siç thashë edhe më lartë, për shkak të interesave të këtyre kompanive që kanë krijuar monopol në të dy anët e kufirit, e që importojnë mallëra nga Serbia, Greqia, Maqedonia, Italia, Turqia etj, dhe padyshim që njerëzit e fuqishëm të politikës qëndrojnë prapa këtyre kompanive, pasi nuk po e bëjnë një gjë të tillë për ta hequr monopolin e krijuar nga këto kompani mafioze, e që është në të mirën e të dyja vendeve, sepse do të kishim një zhvillim të hovshëm ekonomik, një treg i përbashkët Kosovë-Shqipëri, është shumë vështirë të realizohet! Për shkak të mungesës së një shteti të fortë ligjor, pengesë e zhvillimit ekonomik si në Kosovë, poashtu edhe në Shqipëri, është trekëndëshi kriminal, politikë-biznes-mafi!
Spastrimi etnik i Kosovës dhe “dita e eksodit kosovar”
Nga Bardhyl MAHMUTI/
Aktivitetet që organizohen në Kukës për të përkujtuar përvjetorin kur të dëbuarit dhe ata që i shpëtuan gjenocidit serb erdhën edhe në këtë qyte të Shqipërisë janë aktivitete që duhet të rikujtojnë bujarinë kuksiane dhe të tërë Shqipërisë, mbi supet e së cilës ra një pjesë e madhe e barrës së kësaj politike.
Duke shikuar qasjen që disa media ia bëjnë këtij përkujtimi del në pah një gabim i rëndë ku dëbim drejtë Shqipërisë shihet si “dita e eksodit kosovar”.
Në veprën time «Mashtrimi i madh» kam nxjerrë ndriçuar se qarqet intelektuale të profileve të ndryshme por të këndvështrimit ideologjik të «antiamekrikanizmit» rreshtohen përkrah propagandës së Millosheviqit se gjoja “në Kosovë nuk ka pasur as katastrofë humanitare e as dëbime të shqiptarëve. Të dyja u provokuan nga bombardimet e NATO-s”. («Mashtrimi i madh» f. 210)
Po sjell për lexuesin një pjesë të librit tim që të shohë një pjesë të debateve për atë se kur ka filluar eksodi i shqiptarëve të Kosovës dhe çka fshihet prapa këtij debati.
“…
Në Kapitullin e titulluar «Shokët e Fischer-it, ose: si të trillo¬het një arsye për luftë» , Elsässer-i thekson se “për të justifikuar bombardimet, Qeveria Gjermane u përpoq ta paraqesë dëbimin sistematik të shqiptarëve si qëllim të përcaktuar që moti nga Beogradi (…) Në mbështetje të kësaj teze, prezantimi i ngjarjeve u falsifikua. Kështu, në një dokument të shpërndarë nga Fische-i, më 31 mars 1999, mund të lexojmë edhe këtë: “Pas fillimit të luftimeve në mars të vitit 1998, një strategji që kishte për qëllim shpërnguljen, politikë e tokës së djegur u zbatua nga forcat serbe. Jo vetëm UÇK-së, por, edhe popullatës civile duhej t’i bëhej e pamundshme qëndrimi në shtëpitë dhe fshatrat e tyre.”
Edhe në kapitullin V të veprës së vet, Jürgen Elsässer-i i kthehet kësaj teme. Madje ai e “huazon” titullin e kapitullit nga filmi amerikan «Wag the Dog» (Trazim qeni). Që të kuptohet aluzioni i Elsässer-it, po përmend shkurtimisht se skenari i këtij filmi vë në qendër të kritikës manipulimet e njerëzve që kanë influencë në pushtetin politik. Konkretisht, për të lënë në heshtje një skandal seksual të presidentit amerikan, “njerëzit me influencë” montuan një luftë kundër Shqipërisë! Në analogji me luftën e NATO-s kundër Serbisë, autori në nëntitullin e këtij kapitulli, të titulluar «Si e shpikën Fischer-i dhe Scharping-u fushatën serbe të dëbimit: operacionin ‘Patkoi’» , konstaton se plani i spastrimit etnik të Kosovës ishte trillim i njerëzve me influencë politike në shtetin gjerman e jo strategji e regjimit të Beogradit.
Argumenti kryesor i autorit për të përgënjeshtruar vërte¬tësinë e këtij plani është “falsifikimi i emrit të këtij plani: «potkova» është fjalë kroate ose bullgare për patkoin, ndërsa në serbisht thuhet «potkovica».”
Në të njëjtat pozicione, si të Serge Halimi-t, Dominique Vidal-it, Jürgen Elsässer-it, qëndrojnë edhe historianët e orien¬timit të djathtë politik: Bernard Lugan-i , Dominique Venner-i dhe Philippe Conrad-i. Sado që këtyre tre gazetarëve nuk u pëlqen të citohen përkrah historianëve që njihen si “shkencëtarë” që i thurin lavdi aparteidit të Afrikës Jugore, qëndrimi kundër “dominimit amerikan të Evropës” dhe revolta kundër “dezin-formatave, që janë lëshuar në media” , i bashkon në një front të përbashkët. I vetmi “dallim” qëndron në terminologjinë e stigma¬tizimit. Jürgen Elsässer-i përdor “trazimin e qenit”, shprehjen idiomatike angleze, për të treguar strategjinë e politikanëve, që për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale shkojnë deri te sajimi i motiveve për të filluar një luftë; Serge Halimi i cilëson si “qen të rinj rojtarë” gazetarët, botuesit e ndryshëm, ekspertët e mediave, që janë vënë “në shërbim të kësaj propagande”, ndërsa Bernard Lugan-i i quan “qen Pavllovi të shtypit” . Me një fjalë, punë qensh!
Stigmatizimi i atyre që mendojnë ndryshe nga Jürgen Elsässer-i, Serge Halimi dhe Bernard Lugan-i, si “qen”, nuk është as “formë staliniste” e njollosjes së kundërshtarëve e as “imbecile”. Ajo është në përputhje të plotë me “edukatën politike” që sheh manipulim në çdo veprim të amerikanëve!
Përkundrazi, nëse e cilësoj si punë zagarësh “gjuetinë” e atyre që nuk janë “politikisht korrektë” në përputhje me “edukatën politike” (ideologjinë antiamerikane), atëherë rrezikoj të cilësohem si “stalinist, imbecil…”
Edhe filozofi dhe publicisti francez, Regis Debray-ja, mendon se plani serb për pastrimin etnik të Kosovës nuk ka ekzistuar dhe se shpërngulja e shqiptarëve është provokuar nga bombardimet e NATO-s.
Në funksion të “vërtetimit” të pohimeve se para bombar¬dimeve të NATO-s situata në Kosovë nuk ishte alarmante dhe nuk kishte rrezik për katastrofë humanitare, Regis Debray-ja “njoftoi” presidentin francez dhe lexuesit e letrës së tij publike se para këtyre bombardimeve “luftimet midis UÇK-së dhe të forcave serbe kishin provokuar ikjen e civilëve.”
“Më thanë se shumica e tyre ishin familjet e luftëtarëve. Sipas korrespondentit të AFP-së numri i tyre ishte i kufizuar. Njerëzit strehoheshin në shtëpitë e fqinjëve”, konstaton ky i fundit. “Askush nuk vdiste nga uria, nuk vritej në rrugë, nuk iknin drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë. Faktikisht nuk kishte nevojë për kampe refu¬gjatësh në kufi. Sulmi i NATO-s provokoi katastrofën humanitare, si një top bore që rrokulliset.”
Ndryshe nga Regis Debray-ja, gazetari gjerman, Jürgen Elsässer-i nuk e mohon se gjendja në Kosovë ishte përkeqësuar në krahasim me vjeshtën e vitit 1998. Mirëpo, fillimisht ky gazetar sjell shifra për të ilustruar pohimet se autoritetet gjermane kishin gënjyer. Konkretisht, në raportin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë flitej për një përkeqësim të situatës në krahasim me vjeshtën e përparshme. Në mbështetje të kësaj silleshin shifrat e Komisariatit të Lartë për Refugjatë se numri i përgjithshëm i refugjatëve nga Kosova ishte rreth 400 mijë dhe kjo shifër, në krahasim me vjeshtën e vitit 1998, përbënte një rritje të numrit për 100 mijë refugjat tjerë .
Sipas Jürgen Elsässer-it “ky numër është i shpikur. Më 23 tetor 1998, Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë numëroi 285500 refugjatë, ndërsa më 18 mars 1999 numri i tyre ishte 333 300 refugjatë. Në të dy rastet duhet të shtohen 100 mijë kosovarë shqiptarë në Evropën Perëndimore, prej të cilëve vetëm 2.5% kishin fituar të drejtën e refugjatëve politikë në Gjermani. Pra Komisariati i Lartë për Refugjatë sillte rreth 50 mijë refugjatë më shumë se në muajin tetor, ndërsa ministria gjermane 100 mijë.” Pra, ky gazetar e “vërtetoi” se “Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë kishte gënjyer!” Megjithatë, për Elsässer-i, kjo gënjeshtër është “më e vogël” se një “gënjeshtër” tjetër që “zbuloi” ky gazetar. “Gënjeshtra kryesore e Qeverisë Federale nuk qën¬dronte te zmadhimi i krizës në Kosovë, sepse ishte e padisku¬tueshme se situata ishte përkeqësuar”, vazhdon ai. “Gënjeshtra kryesore qëndron që me vetëdije të plotë është fshehur se ky përkeqësim nuk ndodhi për shkak të aksioneve të forcave të sigurisë serbe, por, për shkak të akteve terroriste të UÇK-së, prej të cilave vuajtën edhe popullsia serbe, edhe ajo shqiptare.”
Me qëllim që lexuesi të shohë manipulimin e këtij autori me shifrat e mësipërme, po sjell në tërësi paragrafin e Rezolutës 1199, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit në vjeshtën e vitit 1998.
“Thellësisht të shqetësuar për shkak të luftimeve të ashpra që u zhvilluan në Kosovë dhe në veçanti të brengosur me përdorimin e tepërt dhe pa dallim të forcës nga ana e njësive të sigurisë serbe dhe të Armatës Jugosllave, që shkaktoi viktima të shumta civile dhe sipas vlerësimeve të Sekretarit të Përgjithshëm mbi 230000 persona janë zhvendosur dhe kanë qenë të shtrënguar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre.”
Pa marrë parasysh se shifrat që posedonin organizatat për të drejtat e njeriut evidentonin një numër shumë më të lartë të atyre që ishin detyruar t’i linin shtëpitë e tyre ose të cilëve u ishin rrënuar shtëpitë, mumri që figuron në Rezolutën e KS-së (230 mijë persona të zhvendosur) do të jetë statistika që do ta citojnë më së shumti burimet zyrtare.
Mirëpo, në vend që të zbatoheshin kërkesat e përcaktuara në këtë rezolutë, situata përkeqësohej nga dita në ditë. Kështu, para fillimit të bombardimeve të NATO-s Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë publikoi shifrën prej 333.300 persona të zhven¬dosur. Pra, nga vjeshta e vitit 1998 e deri më 18 mars 1999 numri ishte shtuar me 103.330 persona të zhvendosur. Manipulimi me statistika, ku njerëzit shtohen dhe zbriten në operacione mate¬matike me qëllim që të banalizohet “shtimi i krimeve” dhe “zbritja e jetëve të njerëzve të pafajshëm” është karakteristikë e këtyre gazetarëve dhe e analistëve, me “edukim të veçantë politik”.
Zbritja e “numrave” dhe e “shifrave” të publikuara më 23 tetor 1998 (e jo më 23 shtator!) nga “numrat” dhe nga “shifrat” e 18 marsit 1999, bëhet me të vetmin qëllim që të arrihet të përgë¬njeshtrohet pohimi se situata në Kosovë para bombardimeve të NATO-s ishte alarmante. Me këtë formë të manipulimit me “operacionin matematik” Jürgen Elsässer-i erdhi te “numri” 50 mijë të shpërngulur dhe e shpalli me mburrje se “zbuloi gënjeshtrën” e Ministrisë së Punëve të Jashtme Gjermane!
Edhe pse Milošević-i deklaron se “në Kosovë kishte më pak se një milion shqiptarë, sepse qindra mijëra shqiptarë kishin shkuar në vendet e huaja” , Jürgen Elsässer-i publikon shifra shumë më të vogla se shifrat zyrtare të regjimit të Beogradit. Ai përpiqet t’i fshehë edhe ato të dhëna që nuk mund t’i fshihnin as strukturat e pushtetit në Serbi!
Të dhënat për zhvendosjen e popullsisë civile ishin publikuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe nga Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë shumë kohë para se Regis Debray-ja të ftohej të vizitonte Serbinë. Nuk mund të besohet se ky filozof nuk ishte në dijeni të këtyre shifrave, kur pohoi publikisht se atij i kanë “thënë se shumica e të ikurve ishin familjet e luftëtarëve shqiptarë dhe sipas korrespondentit të AFP-së numri i tyre ishte i kufizuar!”
Minimizimi i përmasave të zhvendosjes së popullsisë shqip¬tare nxjerr në shesh se deri në cilën masë ai ishte i “paanshëm” në atë që mundohej ta shpërndante si të “vërtetë” për luftën në Kosovë!
Zhvendosja e 333.300 personave dhe e “100.000 kosovarëve shqiptarë në Evropën Perëndimore, që kishin kërkuar azil” që përmend Jürgen Elsässer-i, në sytë e dikujt mund të duket numër i kufizuar! Përmasat e kësaj zhvendosjeje të popullsisë civile, sado të “kufizuara” t’i duken dikujt, sado që ishin më të vogla se shifrat që kishte Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, dëshmojnë për kontekstin alarmues që ndikoi në vendimin për ndërhyrje ushtarake të NATO-s.
Që të kuptohen përmasat reale të 433.300 personave, që u detyruan të iknin nga shtëpitë e tyre, lexuesit i duhet ta shohë këtë shifër në kontekstin e Kosovës: Kjo shifër paraqiste çerekun e popullsisë së përgjithshme të saj!
Sikur një gjë e tillë të ndodhte me popullsitë civile të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë dhe të SHBA-vë, ky proporcion do të manifestohej me 15 milionë britanikë, me 17 milionë francezë, me 20 milionë gjermanë dhe me 80 milionë amerikanë të zhvendosur nga shtëpitë e veta! Vetëm duke i ima¬gjinuar këto përmasa tragjike, lexuesit e letrës së Regis Debray-së, të veprës së Serge Halimi-t, të «Humanizmit të ri ushtarak…” të Noam Chomsky-t, (Noam Chomski) të “Kronikës së manipu¬limit…” të Jürgen Elsässer-it do t’i kuptojnë manipulimet e filo¬zofëve, të polito¬lo¬gëve, të sociologëve, linguistëve dhe të gazetarëve si këta të lart¬përmendurit, që përpiqeshin t’i minimizonin përmasat e kata¬stro¬fës humanitare me të cilën ballafaqohej populli shqiptar i Kosovës.”
(«Mashtrimi i madh» f.215-221)
Kolaboracionist apo patriot …?
*70 vjetori i gjyqit special/
*Bota baltën e bën njeri, kurse shqiptarët, për fat të keq, njeriun e kthejnë në baltë/
Shkruan: Reshat Kripa/
Në 70 vjetorin e gjyqit special natyrshëm të lind pyetja: Çfarë kanë qenë personazhet që aktivizoheshin në administratën shtetërore në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kolaboracionist apo patriot? Kjo pyetje qëndron pezull në skakierën e politikës shqiptare. Mendimet janë të ndryshme dhe shpesh herë përplasen midis tyre. Historianët e periudhës totalitare i rendisin politikanët që morën pjesë në administratën shtetërore të kohës në radhën e kolaboracionistëve. Madje, për këtë shkak, shumë prej këtyre politikanëve, si pjestarët e grupit të gjyqit special, me vendosjen e pushtetit komunist, shkuan në satër pa as më të voglin hezitim. Të tjerët ishin detyruar, për të mos pësuar të njëjtin fat, të merrnin rrugën e emigrimit në vendet perëndimore ku gjetën një strehë të sigurtë dhe një liri veprimi, ku asnjë organ shtetëror i këtyre vendeve nuk i radhiti në rradhët e kolaboracionistëve.
Pas ndryshimeve demokratike lindi edhe nje kategori tjetër historianësh që ngjarjet e asaj periudhe i shikonin me nje sy tjetër. Kjo kategori ngulte këmbë, me të drejtë, se ngjarjet historike nuk duheshin parë bardhë e zi. Ylberi ka shtatë ngjyra dhe të gjitha ato duhen patur parasysh. Ndaj çdo gjë duhet parë në prizmin e periudhës kur ka ndodhur.
Personalisht, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kam qënë mjaft i vogël për të kuptuar të vërtetën. Hera-herës dëgjoja tim atë kur bisedonte me miqtë e tij të ngushtë, opinione mbi figurat kryesore të luftës. Vija re se opinionet e tim eti binin ndesh me ato që na mësonte historia që bënim në shkollë. Por pata fatin që u arrestova Them pata fatin se, gjatë kësaj kohe, mësova se Shqipëria kishte edhe një histori tjetër, ndryshe nga ajo që kisha mësuar në shkollë. Këtë histori ma mësuan ata burra të rrallë që zor se mund t’i vijnë më këtij kombi. Ata ishin doktor Isuf Hysenbegasi, Avokatët Xhevdet Kapshtica, Fatosh Kokoshi dhe Haki Karapici, kleriku Padre Mëshkalla dhe përkthyesi Gjon Shllaku, agronomët Meçan Hoxha dhe Sami Bitincka, mësuesit Tahir Hoxha dhe Matish Çefa dhe plot të tjerë që nuk po i përmend pasi do të duheshin faqe të tëra.
Këta burra më flisnin për ngjarjet dhe personazhet kryesorë që ishin ndeshur gjatë periudhës së luftës me njëri-tjetrin. Më flisnin për ata që kishin pranuar të merrnin pjesë në administratën e lartë të pushtuesit, për shkaqet pse kishin pranuar dhe nëse kishin vepruar drejt apo jo. Më flisnin edhe për aktivitetin e tyre në të kaluarën, për luftën e gjatë dhe përkushtimin e tyre në dobi të vendit. Në sytë e mi gjithmonë e më shumë lartësoheshin figurat e këtyre martirëve të shquar që u sakrifikuan për Shqipërinë. Kështu tek unë u formua një opinion i plotë mbi aktivitetin e zhvilluar prej tyre ndër vite.
Kohët e fundit, me zhvillimin e madh që ka marrë interneti, shfletoj faqet e tij dhe lexoj mbi këta burra. Çuditërisht ato përputhen me opinionin e krijuar prej meje qysh prej vitesh.
Do përqëndrohem vetëm në dy prej tyre, njëra nga e djathta dhe tjetra nga e majta
1. Patër Anton Harapi:
1921-1924, drejtues i revistës “Ora e Maleve”.
1924, përkrah opozitës shqiptare me në krye Nolin, Gurakuqin, Fishtën e të tjerë.
1920-1930, ideator i organizimit politik të demokristianve shqiptarë dhe përpjekjet për krijimin e një partie të këtyre parimeve
1930-1936, Drejtor i revistës “Hylli i Dritës”.
13 shtator 1943, anëtar i Këshillit të Lartë të regjencës. Pjesmarrës i marrëveshjes me komandën gjermane që i konsideronte hebrenjtë qytetarë shqiptarë, si rezultat i së cilës asnjë hebre nuk iu dorëzua gjermanëve. Lidhur me këtë ai i tha ushtarakut të lartë gjerman:
Marrëveshja është që trupat gjermane do ta përdorin territorin shqiptar vetëm si urë kalimi për në Greqi, pa i cënuar dhe pa ndërhyrë në çështjet e brendëshme shqiptare.
Më 1945 Arrestohet dhe dënohet me pushkatim. Në sallën e gjyqit i deklaron gjykatësve:
E pranova detyrën se nuk mujshe me pamun Shqypninë të pushtueme prej anarkije, nuk dojshem të krijohej nji babiloni shqyptare me luftë vllavrasëse qi zhgatërronte katundet, familjet. Ndjeva mëshirë si për popull e gjithashtu edhe për Shqypni.
Qeshë i shtrënguem të zgjedh njerën dysh: a të baj nji marri tue e pranue këte detyrë, a të tregoj nji dobësi tue u largue. Vendosa ma mirë të baj nji marri ose, sikurse thonë ata shqyptarë qi duen të ruhen të pastër, desha të kompromentohem!”
Ky ishte Patër Anton Harapi
2. Emrush Myftari
Një i ri komunist kosovar, pjesmarrës i luftës së Spanjës përkrah brigadave internacionale, shokë me Xhemal Kadën, Petro Markon, Skënder Luarasin. Më 17 prill 1941 Jugosllavia kapitulloi përpara ofensivës gjermane. Emrushi së bashku me një grup shumë të madh pejanësh pret ardhjen e çlirimtarëve gjermanë, siç i quante ai, ndërsa një grup serbësh ishin ngujuar në bashkinë e qytetit për ta pritur “okupatorin” me armë. Me mbërritjen e tanksit të parë gjerman, Emrushi hipën në tanks dhe së bashku me turmën e madhe i drejtohen vendit ku ishin serbët. Fillon përplasja. Nga ana kosovare vriten dymbëdhjetë trima. Së fundi serbët detyrohen të dorëzohen. Për këtë veprim, Emrushi u dënua me vdekje nga komunistët, vendim që mundi të zbatohej në vitin 1945.
Si duhet t’i quajmë veprimet e këtyre herojve, kolaboracionizëm apo patriotizëm? Ata i thirri zëri i atdheut pasi ishin pikërisht gjermanët që kishin krijuar Shqipërinë Etnike të ëndërruar prej shekujsh. Ishte Gjermania që kishte korigjuar një gabim të pafalshëm të kryer nga Franca dhe Anglia në Konferencën e Londrës. Ishte së fundi Gjermania që e trajtoi vendin tonë jo si një vend të pushtuar por si një vend të lirë. Dhe ishin pikërisht komunistët ata që, duke mohuar vlerat kombëtare, ia kthyen sërish këto krahina jugosllavisë, armike e betuar e popullit tonë.
Në të njejtat kondita kishin luftuar dikur paraardhësit e tyre. A nuk ishin Ismail Qemali, Abdyl dhe Sami Frashëri, Vaso Pashë Skodrani dhe të tjerë, funksionarë të perandorisë turke? Por kjo nuk i pengoi të luftonin edhe për mëmën Shqipëri. Atëhere përse këta quhen patriot dhe intelektualët tanë kolaboracionista?
Një miku im më thoshte një ditë:
Bota baltën e bën njeri, kurse shqiptarët, për fat të keq, njeriun e kthejnë në baltë.
Nuk doja t’i besoja sentencës së mikut tim, por ngjarjet e kohëve të fundit e vënë në dyshim ndërgjegjen time. E lë në ndërgjegjen tuaj, të nderuar pjesëmarrës, të gjykoni mbi drejtësinë e mendimeve të mia të shprehura në këtë shkrim. Do të mirëprisja çdo mendim hapur dhe pa prapaskena, madje edhe ato kundra, që do të më paraqiteshin. Unë jam në pritje.
- « Previous Page
- 1
- …
- 812
- 813
- 814
- 815
- 816
- …
- 975
- Next Page »