Ne Foto:Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, James Jeffrey/
Nga Fank Shkreli/
Kështu e cilësoi gjëndjen e krijuar kohët e fundit në Lindjen e Mesme, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, James Jeffrey gjatë një interviste me rrjetin e televizionit amrikan, Fox. Z. Jeffrey ka shërbyer si ambassador i Amerikësnë Tiranë nga viti 2002-2004 dhe konsiderohet si njëri prej diplomatëve më të respektuar të Shteteve të Bashkuara. Përveç Tiranës, ai ka shërbyer në poste të rëndësishme të diplomacisë amerikane siç është Turqia dhe në Irak ka shërbyer si ambasador i administratës së Presidentit Obama. Në Washington Ambasadori Jeffrey ka patur detyra me rëndësi në fushën e sigurimit kombëtar dhe të politikës së jashtme në administratën e Presidentit George W. Bush.Tani ai punon si ekspert i Lindjes së Mesme pranë Institutit Washington, ku e përqëndron veprimtarinë e tij mbi strategjitë amerikane për të kundërshtuar përpjekjet e Iranit për të zgjëruar influencën e tij anë e mbanë Lindjes së Mesme.
Ndërkohë që Lindja e Mesme është zhytur në konfliktet e armatosura dhe në lufta grupesh terroriste, administrata e Presidentit Obama po bën përpjekje të minutave të fundit për të stabilizuar sadopak situatën e krijuar në këtë zonë të kaplluar nga konfliktet dhe armiqsitë, ndërsa në të njëjtën kohë në Gjenevë, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry po përpiqet me kolegët e tij europianë të arrijë një marrveshje me Iranin mbi armët bërthamore. Zyrtarë të administratës së Presidentit Obama po përpiqen të mbrojnë politikën e tyre ndaj Lindjes së Mesme ndërkohë që gjëndja po keqësohet në mënyrë dramatike në një rajon të botës që shumë veta e konsiderojnë si të pa mundhshëm për tu kontrolluar. Ndërsa kritikët e administratës Obama thonë se politika amerikane, ose më mirë të thuhet mungesa e angazhimit të saj ushtarak dhe diplomatik atje, mund të ketë kontribuar në krijimin e kësaj anarkie që po përhapet anë e mbanë rajonit.
Situata aktuale në Lindjen e Mesme, konsiderohet nga shumë ekspertë si më e keqja që mund të mbahet mendë, veçanërisht kur të merret parasyshë edhe keqësimi kohët e fundit i marrëdhënjeve amerikano-izraelite, që tradicionalishjt kanë vazhduar të jenë gjithmonë miqësore. Lindja e Mesme madje edhe në rrethana normale, është një rajon që historikisht konsiderohet shumë i vështirë për t’i kontrolluar ngjarjet atje. Por situata e tanishme përfshirë luftën civile në Siri, përhapja e forcave terroriste të grupit ISIS anë e mbanë rajonit, kriza në Irak, lufta në Jemen dhe sulmet e fundit ushtarake kundër forcave Houthis në atë vend nga Arabia Saudite dhe nga koalicioni i shteteve arabe, përfshirë Egjiptin, e kanë përkeqsuar edhe më shumë situatën atje, duke e sjellur në pikën më kritike në 30-vitet e fundit. Situata në Jemen është aq keq sa që Shtetetet e Bashkuara kanë mbyllur ambasadën e tyre dhe kanë tërhequr të gjithë perosnelin diplomatik dhe uhstarak nga ai vend. Gjëndja është aq keq në rajonin e Lindjes së Mesme sa që ka arritur pikën që ish-ambasadori James Jeffrey — njëri prej zërave më të respektuar të diplomacisë amerikane — deklaroi mbrëmë për televizionin amerikan Fox dhe u shpreh për poratlin Politico më heret se, “Gjëndja në Lindjen e Mesme është absolutisht jashtë kontrollit, me pasoja të paparashikueshme për rajonin” dhe për botën. Duke folur për manezhimin e situatave të krijuara në të kaluarën në Lindjen e Mesme, Ambasadori Jeffrey pranoi se, “Ne nuk kemi qenë gjithmonë të suksesshëm në atë të rajon, i cili ç’rej vitit 1974 ka kaluar gjithmonë nga një krizë në tjetrën. Por ajo që është e re tani”, shtoi ai sidomos, “Nga dalja në shesh e Al Qaidës, situata është keqësuar për së tepërmi. Dhe mjetet dhe politika që ne kemi përdorur për të ndaluar dhunën dhe për të parandaluar prishjen e stabilitetit politik dhe shoqëror të shteteve të rajonit nga një osemë shumë lëvizje islamike — siç janë iranianët, ISIS ose al Qaida — nuk kanë qenë të suksesshme”, pohoi ambasadori Jeffrey. Tani, shtoi ai, gjëndemi para një krize të madhe në Lindjen e Mesme.
Në programin televiziv FOX të analistes Greta Van Susteren, ambasadori Jeffrey tha se pas sulmeve terroriste në New Yorkmë 2001, kemi provuar ndërhyrje të rëndësishme të cilat, sipas tij kanë shënuar disa suksese. Ai shtoi se publiku amerikan nuk ishte në favor të një angazhimi të madh të forcave të armatosura amerikane në atë rajon dhe si përfundim pritej që Presidenti Obama ta ndreqte këtë situatë. Por, Ambasadori Jeffrey shtoi se si rrjedhim, sot Amerika nuk e ka angazhimin ushtarak që kishte para një dekade në atë zonë dhe situata në atë rajon, sipas tij, është keqësuar shumë më shpejtë në krahasim me periudhën e administratës së Presidentit Bush.
Në atë që u cilësua nga disa komentues si një kritikë të politikës që Presidenti Obama po ndjekë ndaj Iranit, Ambasadori Jeffrey tha se Presidenti Obama duhet t’i shpjegojë publikut amerikan qëllimet e politikës së tij karshi Iranit, pasi sot për sot, shtoi ish-diplomati amerikan James Jeffrey, “Provat tregojnë se duke filluar nga Jemeni, në Tikrit të Irakut e deri në Siri, Irani është në lëvizje drejtë realizimit të objektivave të tij të caktuara, duke sfiduar miqët dhe aleatët tanë anë e mbanë atij rajoni dhe është politika e Iranit, problemi që ka krijuar këtë situatë kaosi në rajon”, tha ai.
Ndërkaq, udhëheqsi i republikanëve në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit amerikan, John Boehner, po viziton këtë javë Lindjen e Mesme, ndërkohë që udhëheqsi i republikanëve në Senat, Mitch McConell gjëndet gjithashtu në rajon.Udhëheqsi i republikanëveJohn Boehner u deklarua për rrjetin CNN të televizionit amerikan në lidhje me bisedimet që zhvillohen në Gjenevë me Iranin duke thënë se “Nuk e kuptoj se pse duhet të nënshkrujamë një marrveshje me një grup njerzish, të cilët në mendimin tim nuk e kanë ndër mend të mbajnë fjalën e dhënë.”Ai i tha CNN-it se ka dyshme serioze në lidhje me ato negociata dhe në një deklaratë tjetër në portalin e tij, Kongresmeni Boehner akuzoi Shtëpinë e Bardhë se po “luan një lojë të rrezikshme alternativash fals”. Udhëheqsi republikan në intervisten me CNN vuri në dukje shqetësimet e përfaqsuesve të dy partive politike në Kongresin amerikan ndaj politikës së administratës Obama në Lindjen e Mesme, duke thënë se, “Unë kam vetëm një objektiv. Qëllimi është që të sigurojmë se populli amerikan dhe Kongresi e kuptojnë kërcënimin serioz që përbën Irani jo vetëm ndaj Lindjes së Mesme, por edhe ndaj pjesës tjetër të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara.”Udhëheqsi i republikanëve në Kongres, John Boehner shtoi se Presidenti Obama nuk dëshiron të flasë për këtë, “as për kërcënimin që vjen nga islami radikal dhe për faktin se ai nuk ka një strategji për të përballur këtë kërcënim.” Shtëpia e Bardhë iu përgjigj kritikave të kongresmenit Boehner nepërmjet zëdhënsit të saj Josh Earnest i cili tha të djelën që kaloi në rrjetin e televizionit amerikan ABC se, “Nëqoftse John Boehner mendon se trupat amerikane duhet të dërgohen në Jemen, ose ne duhet të okupojmë rishta sIrakun, ose që Shtetet e Bashkuara duhet të bombardojnë Iranin për ta ndaluar atë të prodhojë armë bërthamore, atëherë ai duhet të ketë kurajon e bindjeve të tija dhe të thotë një gjë të tillë”, tha zëdhënsi i Shtëpisë së Bardhë.
Duke ndërlikuar punët e dhe më shumë sikurë të mos ishin mjaftë të komplikuara në Lindjen e Mesme, media të ndryshme citojnë Presidentine Turqisë Taip Erdogan të ketë akuzuarIranin javën e kaluar se Teherani po përpiqet të dominojë Lindjen e Mesme dhe se një gjë e tillë po shqetëson dhe po zemëron Ankaranë. “Kjo situatë nuk është e tolerueshme dhe Irani duhet ta dijë se një gjë e tillë nuk mund të tolerohet”, ka thënë presidenti turk.
Nga cildo këndveshtrim të shikohet gjëndja e sotëme në Lindjen e Mesme dhe pa marrë parasyshë se e kujt është përgjegjësia që me veprat ose me mungesën e veprave kanë kontribuar në krijimin e situatës aktuale, ish-ambasadori në Republikën e Shqipërisë, dhe njëri prej diplomatëve më të respektuar amerikanë, James Jeffrey me të drejtë alarmoi këtë javë median dhe publikun amerikan se gjëndja në Lindjen e Mesme është absolutisht jashtë kontrollit dhe se bota gjëndet tashti para një krize të madhe në atë rajon!
RASTI DOSHI – KUPOLA SHTRËNGON RADHËT, POPULLI SHTRËNGON SHPIRTIN
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Pamë në Këshillin e Mandateve se si opozita bashkoi votën e saj me shumicën sunduese, ndonëse kjo e fundit nuk solli asgjë bindëse për të arsyetuar arrestimin e deputetit Tom Doshi.
Lepuri që opozitës Kupola ia ka vënë në bark dhe që kishte uluritur në sallën e Kuvendit e në sheshe, mbrëmë vetëm cijati.
Popullit para ekranit të vogël të ABC News iu kujtua koha kur Partia dilte me radhë më të shtrënguara pas çdo goditjeje që ajo iu jepte armiqve të saj të brendshëm. Iu kujtua kjo kohë edhe popullit që ka lindur para vitit 1990, edhe popullit që ka lindur pas vitit 1990.
Sa herë që Partia shtrëngonte radhët e saj, populli shtrëngonte shpirtin, mos me i dalë atje në mjerimin e tij që vetëm shtohej, në frikën dhe pasigurinë që vetëm shtoheshin. Sa më e rreptë bëhej lufta e klasave në radhet e partisë, aq më shumë populli trembej dhe druhej për të tashmen dhe të ardhmen e tij.
Sa herë që Mafia shtrëngon radhët e saj, populli shtrëngon përsëri shpirtin mos me i dalë atje në vendin ku më shumë se gjithçka mungon shpresa për të sotmen dhe për të ardhmen. Sa më egërsisht që Kupola i kërcëllon dhëmbët dhe vjell flakën, aq më shumë populli bëhet sus i mbështjellë në guaskën e tij të mbijetesës, e vetmja pasuri që trashëgoi nga diktatura.
Në një qëndrim të mëvonshëm, siç e pamë, opozita nuk do ta bashkonte votën e saj në Kuvend me shumicën, nuk do ta miratonte kërkesën e shumicës për arrestimin e dy deputetëve nga radhët e kësaj shumice. Opozita ka kërkuar gjithashtu publikimin e videopërgjimit, realizuar nga vetë prokuroria me vendim të gjykatës për krimet e rënda.
Meqë kërkesa për publikimin e videopërgjimit nuk iu pranua, atëherë iu krijua mundësia ta rezervonte qëndrimin e saj deri sa të realizohej kërkesa e saj. Ky qëndrim do të kishte një bazë të fuqishme parimore në favor të saj.
Me këtë veprim, ajo nuk u tregua e zgjuar as e vendosur. Kështu shumica do të jetë më e shfajësuar dhe më e rehatshme në sjelljet e saj të papërgjegjshme.
Lepuri që opozitës Kupola ia ka vënë në bark dhe që mbrëmë vetëm cijati a do të fillojë të ulërijë përsëri?
A do të jetë e zonja opozita ta braktisë Kupolën? A mund ta përballojë e vetmuar opozita kundërgoditjen e Kupolës? A mund t’i shikojë opozita interesat e saj të përfaqësuara jashtë Kupolës? Apo thjesht opozita do të japë ndihmesën e vet në shtrëngimin e radhëve të Kupolës dhe atje do ta presë duarkryq fatin e saj të përcaktuar nga Kupola?
Atë që bëri në Këshillin e Mandateve, opozita nuk mund ta zhbënte ne seancën plenare. Vetëm sa manifestoi në mënyrë konsekuente mungesën e koherencës në mes qëndrimeve dhe veprimeve, fjalëve dhe bëmave.
Mafia nuk lejon askënd të përpiqet për t’ia dobësuar radhët. Mafia duron vetëm forcimin e radhëve. Kush i bën dredha këtij ligji të Mafias, do të pësojë zvogëlimin e peshës dhe të rolit të vet brenda Kupolës. Do të përjetojë një nëpërkëmbje gjithnjë e më brutale.
Nëse opozita kërkon të ketë identitetin e saj, atëherë këtë mund ta bëjë vetëm duke i bashkuar interesat e saj me interesat e popullit. Nuk mund ta bëjë duke e quajtur veten opozitë dhe duke iu kundërvënë interesave të popullit, çka kulmoi gjatë tetë viteve të rikthimit në pushtet.
Muajt deri në 21 qershor, kur mbahen zgjedhjet lokale dhe kur testohet opozita e re, janë një kohë e shkurtër. Opozita e sotme do ta marrë mësimin e duhur përsëri e përsëri.
Kjo datë do të shënojë gjithashtu rënien përfundimtare të institucionit të zgjedhjeve në Shqipëri. Do të shënojë institucionalizimin përfundimtar të farsës në Shqipëri.
Edhe kur cijat, edhe kur ulërin, lepuri në barkun e kësaj opozite mbetet gjithnjë lepur, derisa Shqipëria të ketë një opozitë të vërtetë, një opozitë të re, që nuk e shpërfill popullin, nuk e keqpërdor popullin. Një opozitë e re do të jetë ajo që do t’ua rikthejë shqiptarëve institucionin e zgjedhjeve.
Sa ishte në pushtet opozita e sotme ka manifestuar vetëm cinizëm ndaj popullit që e ka votuar.
Tashi do të korrë frytet e këtij cinizmi. Kjo e mbyll pa shpresë rrethin e saj vicioz brenda Kupolës.
TOM DOSHI HERO APO VIKTIMË
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Disa muaj më parë tek RAI UNO Roberto Benigni analizoi «Dhjetë komandamentet», që njihen si Dekalogu (Dhjetë urdhëresat) ose dhjetë ligjet që i ka shkruar Zoti në qiell për të mbajtur ekuilibrin e Universit njerëzor. Kjo është Kushtetuta e Zotit, që çdo njeri duhet ta respektojë.
Në Urdhëresën e Nëntë, Zoti thotë: „Mos bëni dëshmi të rreme“ se drejtësia supreme ju ndëshkon.
Në diktaturën komuniste sa e sa njerëz janë rrasur në burg dhe janë pushkatuar në sajë të dëshmive të rreme. Edhe gjatë tranzicionit po ashtu. Në Ambasadat Perëndimore në Tiranë shqiptarët shajnë e shpifin për njëri-tjetrin.
Për këtë farë specie uroj që ndëshkimi i Zotit të mos ju ndahet kurrë.
Pra dëshmia e rreme në Shqipëri ka hyrë si sistem duke e ngrënë atë. Mjafton të shihni si shahen dhe pështyhen deputetët me njëri-tjetrin. Dhe po t’i ndëshkonte Prokurori i Përgjithshëm, si veproi me Tom Doshin, sipas gjasave asnjëri prej tyre nuk do të mund të vinte në Kuvend.
Sot Shqipëria është në degradën e saj. Për këtë degradim e ka fajin politika, që ka molepsur të gjitha shtyllat e sistemit.
Shqipërinë e sotme Roberto Benigni e krahason me Mesjetën e thellë.
Sot rinia shqiptare nuk ka asnjë pikë referimi. Sot në Shqipëri nuk ka asnjë figurë nga klasa politike aktuale tek e cila populli të mbështetet e t’i japë besimin. Veç jehona solitare e ndonjë Zëri Revoltues të cilin politika përmes mekanizmave të veta e amortizon duke e izoluar.
Shqipëria duhet të shpëtohet o sot o kurrë. Duhet të shpëtohet sistemi nga rënia përfundimtare.
Rasti Doshi është shembulli më flagrant i komprometimit final të sistemit, sepse aty, sipas dëshmisë të Tom Doshit, të parrëzuar nga palët, kryeministri, kryetari i parlamentit dhe kryeprokurori janë në konflikt të hapur interesi, pasi shkelin pavarësinë e institucioneve që përfaqësojnë. Që do të thotë se janë shkelësa të ligjit.
Nëse bëjmë një digresion në kohë, populli shqiptar kujton vitin 2011 kur Edi Rama dilte në manifestime në krah të Tom Doshit për të larguar nga pushteti Ilir Metën pas videos së publikuar nga Dritan Prifti, ku Meta shfaqej në një pozitë shumë komprometuese që e detyroi të jepte dorëheqjen.
Populli ka parasysh mediat pranë Edi Ramës përpara 1 prillit 2013 kur Rama-Meta hynë në aleancën e djallit, që e karakterizonin familjen e Ilir Metës si më të korruptuarën, duke botuar foto ku fustanët dhe gjerdanët e zonjës Kryemadhi, thuhej se kushtonin me dhjetra mijra Euro. Pikërisht tani këto medie i dalin në krah Ilir Metës dhe gjoja pyesin me habi se a egziston një kauzë ku e ka mbështetur akuzën Tom Doshi, kur dihet se garanti dhe shkaktari i publikimit të videos së Priftit është pikërisht Tom Doshi.
Në retrospektivë ne na kujtohet kur Ilir Meta kryeministër arrestoi liderin e opozitës së atëhershme Sali Berishën. Apo koha kur Fatos Nano e denonconte Ilir Metën.
Ilir Metën e rifaktorizoi në politikë Sali Berisha.
Tani po Sali Berisha e ka kthyer nä kauzë largimin nga pushteti të Ilir Metës, si katharsis, si etje për pushtet apo vërtetë në vijim të dekriminalizimit të Kuvendit.
Por dekriminalizimi si dekomunistizimi duhet të shtrihen kudo, duhet të dekriminalizohet shteti, drejtësia dhe mediat.
Sot lufta partiake është refleks i kriminalizimit dhe do të mbesë kështu deri kur politika të vendosë që, përmes bijve më të mirë, pavarësisht orientimit politik, të shpëtojë vendin.
I.Çështja Tom Doshi
Me një hetim fair pretendimi i Tom Doshit mund të dilte i drejtë – mund të rrëzohej ose mund të zbulohej një palë e tretë që synon të bindë Tom Doshin se atë kërkon ta eleminojë Ilir Meta, për të hedhur tym, për të hequr vemendjen nga vrasësit e vërtetë.
Tom Doshi ka të drejtë të besojë se dikush nga politika kërkon ta eleminojë. Ai ka provuar në kurriz krimet e diktaturës pasi regjimi komunist i ka vrarë 5 njerëz të familjes. Tom Doshi i ka pare dhëmbët kriminale edhe kur në qershorin e 2014 në mes të Tiranës dhe pranë selisë të kryeministrisë u vra Artan Santo, vrasje që vazhdon të mbetet e pazbuluar. Dhe kupola e politikës shqiptare nuk i çan kryet për këto krime!
Në Shqipëri vepron një segment i nëndheshëm si shtet paralel për të krijuar alibi dhe për të bërë ligjin. Siç u krijua alibia edhe për vrasjen e Azem Hajdarit nga Fatos Nano.
Prandaj duhet drejtësia si pushtet sovran dhe i pavarur nga politika. Prandaj do të duhej një Kryeprokuror me integritet të pastër, i paanshëm, i pavarur, i pakomprometuar.
Gjatë muajit mars Tom Doshi ka ngritur disa pretendime:
1. Se Prokurori i Përgjithshëm është takuar me Ilir Metën në Gjirin e Lalzit, pasi Tom Doshi i ka treguar kryeshefit të akuzës se ka marrë kërcënime me jetë nga kryeparlamentari.
2. Se kryeministri, kryetari i parlamentit dhe kryeprokurori janë takuar bashkë, kur Ilir Meta ishte personi i akuzuar nga Tom Doshi.
3. Se Spartak Braho është takuar në Hanover të Gjermanisë më 6 mars me të vëllain e Fatjon Skënderit, që është një nga killerat e përfshirë për vrasjen e dy deputetëve gjithmonë sipas pretendimeve të Tom Doshit.
4. Në Këshillin e Mandateve Tom Doshi deklaroi se ekziston një video përgjimi ambiental gjatë takimit midis tij dhe Durim Bamit, realizuar me miratimin e prokurorisë dhe me vendim të gjykatës për krimet e rënda, ku Durim Bamin deklaron se ka ndryshuar qëndrimin e tij nën presionin e bërë nga politika, prej frikës, pasi jeta e fëmijëve të tij në Zvicër është e kërcënuar nëse ai hap gojën.
5. Po ashtu Tom Doshi ka deklaruar se Durim Bami fillimisht ka dhënë dy dëshmi ku pohon dëshminë, ku e ka mbështetur akuzën Tom Doshi. Tom Doshi po ashtu thotë se dëshmia e Durim Bamit konform pretendimeve të tij është marrë edhe me shkrim nga organet e policisë së shtetit.
Deri tani asnjë nga pretendimet e Tom Doshit nuk zbardhet!
II.Institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm
Tom Doshi ka tre dëshmi për Prokurorin e Përgjithshëm.
Së pari, se Tom Doshi i kallzoi Prokurorit të Përgjithshëm se është i rrezikuar me jetë nga njerëz të paguar nga Ilir Meta;
Së dyti, se pas kallzimit të tij tek Prokurori i Përgjithshëm, po sipas Tom Doshit, kryeshefi i akuzës, dmth Adriatik Llalla, i ka bërë një vizitë private dhe është takuar me Ilir Metën në vilën që ka kryeparlamentari në Gjirin e Lalzit;
Së treti, pas kallzimit që ka bërë Tom Doshi, kryeprokurori, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit kanë bërë një takim kokë më kokë midis tyre në kryeministri.
Mjafton që të vërtetohen dy nga këto pretendime, që janë shumë lehtë për t’u vërtetuar, që e nxjerrin jashtë loje jo vetëm Prokurorin e Përgjithshëm, dhe e obligojnë atë që të jape dorëheqjen.
Ose përndryshe kryeshefi i akuzës duhet të vërtetojë se asnjë nga pretendimet e Tom Doshit nuk qëndron. Këtë gjë mund ta bëjë publikisht, ballë për ballë me Tom Doshin.
Ndërkohë përfshirja e Prokurorit të Përgjithshëm në urdhërarrestin e Tom Doshit, lë hije të keqe për kryeprokurorin. Sepse është i pari urdhërarresti nga Adriatik Llalla i lëshuar për një zyrtar të lartë, kur Shqipëria konsiderohet nga ndërkombëtarët një vend kuazi mafioz dhe akuza për të cilën e ka prangosur Tom Doshin – është dëshmia e rreme!
III.Spartak Braho
Deputeti i LSI-së Spartak Braho, krahu i djathtë i Ilir Metës dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë prej 2011 njihet si personi që shëtit me një çantë të zezë të mbushur me filmime komprometuese për eksponentët më të lartë të politikës.
Më kujtohet janari i vitit 2011. Ne ishim në Strasbourg për të mbuluar mbajtjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ku Diky Marty lexoi raportin e tij dhe pritej të vinte Berisha. Por ai mungoi dhe kjo mungesë prej “dashamirëve” të tij u komentua si “frikë” ndaj filmimeve të Brahos.
Edhe pozicioni i Spartak Brahos është i komprometuar.
1. Sepse sipas pohimeve të vetë Spartak Brahos, ky prej katër vitesh ka prova komprometuese kundër emrave më të fuqishëm të politikës shqiptare. Por deri sa nuk i çon këto prova tek Prokurori i Përgjithshëm apo nuk i nxjerr këto prova në publik, do të thotë se ai bën shantazh me to dhe për shantazhim zoti Braho penalizohet.
2. Nga ana tjetër, nëse Spartak Braho ka prova komprometuese për politikën dhe nuk i bën këto prova publike, përsëri ai penalizohet.
3. Spartak Braho duhet të qartësojë se ishte apo nuk ishte në Hanovër në takim me vëllain e Fatjon Skënderit. Për këtë të duhet të kërkohet që autoritetet e aeroportit gjerman të japin qëndrimin e tyre zyrtar.
4. Po ashtu “prova rrëqethëse” që paraqiti Spartak Braho në lidhje me raportin mjekësor të Tom Doshit në krahasim me akuzën që ka Tom Doshi ndaj Ilir Metës është qesharake, nisur edhe nga faktet e kronikave nga televizionet e Tiranës ku mësohet e vërtetohet se Tom Doshi merr medikamente për tension.
5. Spartak Braho duke u bërë avokati mbrojtës i Ilir Metës bie në konflikt interesi me pozitën e tij si shefi i grupit parlamentar të sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë. Ai duhet të heqë dorë ose nga pozicioni i avokatit ose nga pozicioni zyrtar që ka.
IV.Tom Doshi në raport me pretendimet e tij
Lind pyetja a qëndrojnë pretendimet e Tom Doshit.
Që kur Tom Doshi ka bërë denoncimin, në favor të tij janë shtuar përkrahësit. Mjafton të shihet kjo edhe në Facebook. Por le të bëjmë një analizë me këmbë në tokë. Tom Doshi ka arsye të besojë se jeta e tij është e rrezikuar të paktën për tre arsye:
Arsyeja e parë: nga eksperienca jetësore, Tom Doshi ka provuar vrasjet politike, pasi diktatura komuniste i ka pushkatuar 5 anëtarë të familjes.
Arsyeja e dytë: nga imoraliteti politik i lidërshipit të PS dhe LSI. Deri dje Rama dhe Meta e akuzonin njëri-tjetrin, ndërsa tani janë në një harmoni që justifikohet vetëm për interesa pushteti dhe assesi shteti.
Arsyeja e tretë: frika e Tom Doshit justifikohet edhe me krimet e pazbuluara siç është megarasti i Artan Santos etj.
V. KONKLUZIONI
Si konkluzion dua të them se këtë opinion e kam shkruar mbështetur në fakte që i ka të ditura i gjithë opinioni publik e që janë bërë të njohura përmes televizioneve të Shqipërisë.
Ky shkrim nuk ka si qëllim as të bëjë prokurorin dhe as gjykatësin, por t’i bëjë bashkë e t‘i evidentojë të gjitha faktet, ndaj të cilave palët apo aktorët e përfshirë janë të detyruar të zbardhin veten.
Por përdorja e të gjitha mjeteve për ta njollosur Tom Doshin, në vend të vullnetit të Ilir Metës për të treguar pafajësinë ndaj Tom Doshit, është komprometues për Ilir Metën.
E VËRTETA E TË KËQIJËVE
(Një çiltëri e pamohueshme negative)/
Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/
1.Një personazh i Sartërit (“Muri”), i thotë të birit se ai e ka për detyrim të jetë pasanik e ndërmarrës i madh. Gjithçka, ndaj, në ndjekje të kësaj teme, duket të fillojë nga një keqkuptim. Elitat politike të Prishtinës, a mbase shqiptare përgjithësisht, pretendojnë se janë cektinat e turmës që kanë keqkuptuar gjenin e tyre tejpamës, sepse, i tillë, ai bën të ndihen të detyruar për të qenë udhëheqës të Republikës. Mirëpo, nëse Kamy kishte të drejtë tek shkruante se kalimi nga fjala tek veprimi moral ka një përskajim – të bëhesh njerëzor, aherë, me gjasë, është e kundërta: janë ata që keqkuptojnë përherë e vrazhdësisht kohën, njerëzit dhe, madje, veten e tyre!
A është kishte fjalë e tyre prirjen të pësojë shndërresën sublime në veprim moral, për të jetuar, ashtu, procesin e epërm të të bërit njerëzor? Asnjëherë, sepse në ngjizje të tij, krimbëron prore hipokrizia e pështirosur.
2.“Pika zero” dhe mjegullnaja që mbështjell e terron hierarkinë vleftore, është, prandaj, formula fatkeqe e rrethecjes shqiptare. Motet para saj i vulosin të shenjuar akuze, dështakët e mashtruesit, dhuntarët e shpirtshiturit e ulur në ballë të parisë. E pasvajtësit e tyre, tashmë si një premtim fluturak i opozitarëve që duan fronësimin, brohorasin në kupë të qiellit me gërrithje e përgjakje, refrenin e lodhshëm që kishin deklamuar ethshëm pararendësit e rrëzuar: bërja përpara, harmonia sociale a përtrirja popullore.
Pastaj, marramendës e i paprerë, vijon shtegtimi në vetëngujimin e pambarim: akuzatorët pajisen mbifuqie politike, ndërkohë që, mujsharët e refuzuar në teatrin zgjedhor, zbresin poshtë duke gëzuar komoditetin, pasionin e stilin aty ku e kishin lënë, si një stafetë unike, të marrë në dorëzim nga kundërshtarët e lartëngjitur.
Dhe kështu, duke alternuar rolet njëjtësore, ata zhbëjnë vetë idenë e të Mirës dhe të Keqes. Atë që thotë njëra palë, me kumbonarët, militantët, medialistët, konvertitët, mutantët, parandyrësit, kartelistët e nëndheut, jermësit – mohon tjetra, me po atë vulg të çorientuar, injorant e të pabesë. E bardha, ose ajo që paraqitet e panjollë, është njëkohësisht e zezë, ose thuhet të jetë korb fare. Nuk ka një qendërmasë të vërtetë vlere se ç’është krimi e vrasja politike, korrupsioni e dorëvënja në votën a pronën publike, apo, tutje: ç’është interesi publik dhe kultura e legalitetit, qytetnia demokratike dhe patriotizmi kushtetues? Hajni i mitosjes a tatimor, tenderist a buxhetor, shenjëstrohet me emër e gjurmë, por po ky emër latohet përulshëm si flijimtar i zjarrtë për shtetin e së drejtës. E i vrari, ndërkaq, shpallet viktimë hajdutërie e, poaq, hero i mirësisë së përgjithshme, kurse dorasi i supozuar mbetet një fantazmë që, i yshtur nga loja e ekuilibrizmit politik, bredh ndër grupime e klane të mafiokracisë pa gjetur dot strehën dhe gurëvarrin e vet…
Por kur rastis të përafrohen për kohabitim politik, aherë s’është më zhurma, por heshtja që kurorëzon kalimin e humnerës dramatike. Veçse ajo, kësaj radhe, pushon të jetë e urtë dhe e artë. Duke qenë një tkurrje dinake nga parimet e shpallura, ajo sfidon pafytyrshëm inteligjencën e njeriut politik. Tabela e djeshme e qitjes, ku zbrazeshin breshëritë e denoncimeve, mohimeve e poshtërimeve, tani, papritmas, falë mosthënjes lukrative, shndërrohet në referencë të virtytshme. Hierarku folklorik, vjedhësi, i pamoralshmi ordiner, keqqeverisësi që dërgon të mjerët udhëve të botës, trafikanti i pasy, kooperativisti i mejhanes politike, serbofalësi, kolaboratori sllobodanjan, figuranti i djegur i së kaluarës, socialisti jugosllav, tagrambledhësi i pamëshirë e i fshehtë i diasporës, dialoguesi enigmatik brukselian, i pandehuri i gjyqeve speciale, despoti i paprekshëm i grupimit politik, neoliberalisti që shet pasurinë dhe, prandaj, grishësi i pushtuesve virtual të atdheut, – nuk janë më të tillë. Përkundrazi: rezulton të jenë hirësisht të denjë për aleancë kombëtare e koalicion sundimor!
3.
Ndaj, si për shumëçka tjetër, njohim sërish shfaqjen e veçanësisë shqiptare: të gjithë kanë të drejtë. Po si, kështu? Si ndodh që ti kenë të mirëqena fjalërëndat e grindjes dhe heshtjen e shurdhër të pajtimit? Ah, krejt thjeshtë: deduksioni elementar rrëfen se, ndërsa ankesat e hidhta për njëri-tjetrin janë të kthjellta si rrezja e diellit, ata do ti nyjëtojë e vërteta e çuditshme. Po cila e vërtetë, vallë? E vërteta tragjike e antikombtarizmës! E vërteta e të këqijëve!..Sepse kur godasin, natyrisht pa etiketë e me gjuhë primitive, thonë të njëmendtën për armikun e urryer të atdheut tjetër politik, i cili, nga ana e tij, shqipton po këtë njëmendësi tëpër të saktë për palën tjetër, andej barrikadës. Porse, nuk ngjajnë hiç më të fismë as kur, me kodin e species, s’bëzajnë e pajtohen në legjislaturën e përbashkuar. Antikombtarizma është prapë aty: po tani e nënshtruar rreth tymit të gënjeshtrës…
Vitet e ciklet e legjislaturave kuvendare ikin – por, si nga një hovzim i ri trishtues, përtëriten pamjet, vesi, kurthet, xyfjet dhe pandjeshmëria absolute për elektorët e harruar…Ndonjëherë përqaset bashkëformimi i guvernës që, poaq poshtërisht, shkrinë ngjyrat e rreme, duke mbuluar me hijen e gjatë të pushtetit të pabërat e tyre dhe pëshpërimat e tregtizës së shkretë provinciale!
Po a është dhe vetë koha me faj për këtë fatamorganë? Gjithësesi! Ajo jep, shpesh, fillesën e rrethanore për të shpërthyer karakteret e liga dhe për të këputur fijen e hollë frymëmarrëse. Por, më shumë ende, rëndon durimi lapidar i turmës së paçliruar nga mendësia e robit dhe, gjithaq klientelizmi i vokacionit akademik, bashkë me brezin e mediokërve që ata, si pohonte Niçe, i prodhojnë në serrat e nxehta për fishkjen e instinkteve të shpirtit!..
Cilët na qenkan “boshnjakët “ e Malit të Zi?
“Kemi gjithe jeten qe na detyrojne te mos flasim gjuhen tone, por ne prape nuk e kemi harruar . E kemi kaluar njeri pas tjetrit me breza deri sot tek çikat 5 vjeçare te shtepise”-Sali Bajri 81 vjeç nga Uglla ( SANXHAK, Pazar i Ri)/
Shkruan:Fahri Xharra/
Një vendim i Kongresit të Berlinit (1878) që e pranonte Malin e Zi si shtet si lufta ballkanike e vitit 1912 , ia dhanë mundësinë që ky shtet i pa qenë kurrë në rris territoret e vete mu në tokat e shqiptarëve .Ajo kohë shenohet dhe mbahet në mend edhe për dhunën , vrasjet mbi popullatën e pa armatosur. Si pasojë e dhunës së pa parë ishte edhe ikja dhe zhvendosja e populates vendase shqiptare dhe ri popullimi me popullsi sllave .
Me anën e këtij shkrimi deshta t`i kundërvihem “vajit boshnjak” për tokat dhe “popullsinë boshnjake” që sot janë të okupuara nga malazezet . ( BOŠNJACI U CRNOJ GORI Autori:Osman Destanović & Adnan Koljindar ) e që nuk është gjë tjetër vetëm se një shtrembërim i historisë dhe të vërtetës së saj por edhe edhe përvetësim i asaj pak popullate shqiptare me konfesion musliman që ende jetojnë në tokat e tyre në Mal të Zi .
Ata shkruajne se “boshnjakët” jetojnë në pjesën verilindore te Malit të Zi në Plevle, Bijelo Pole, Rozhajë, Palve ,pra ne tokat që njohen si Sanxhaku Jugordhe që janë popullsi shumicë ; por një numër i tyre , “boshnjakëve” pra jetojnë n| Tivar dhe Podgpricë , që në kohën e perandorisë Osmane ( deri më 1912 fxh) e bënin shumicën , por më vonë me dune u larguan dhe ikën. Rasti më i rëndë ishte Nikshiqi , në të cilë “boshnjakët” ishin shumicë ,por të cilët ikëm pas 1912-tës (Bošnjaci sada većinom žive u sjeveroističnom dijelu Crne gore. U Pljevljima, Bijelom Polju, Rozaju, Plavu, u regionu historiski poznatom kao Juzni Sandzak čine većinu stanovništva. Značajan broj ih živi u Baru i Podgoricu, gdje su tokom trajanja Osmanske carevine u čaršijama činili većinu, ali su po osvajanju tih gradica od strane Crnogorske vojske većina protjerani ili izbjegli. To nije slučaj sa Nikšićem gdje su činili većinu ali su po osvajanju od strane Crne gore kompletno protjerani i izbjegli. )
Një manipulim i madh nga këta autorë dhe shumë të tjerë bëhët kur këta këmbëngulin në njësimin e populates sllavo-muslimane boshnjake me atë shqiptare-muslimane,
(Danas sama riječ Bošnjak označava pripadnika bošnjačkog naroda, koji govori bosanski jezik, slijedi bošnjačku/ bosansku kulturu, te vodi porijeklo od stanovnika srednjovjekovne Bosne koji su se nazivali Bošnjanima. )
.”Elajeti i Bosnës ndahej në sanxhaqe , dhe një prej tyre ishta edhe ai i Novipazarit. Në perriudhën 1455 deri më 1465 , sanzhaku i Novipazarit bënte pjesë në Vilajetin boshnjak të perandorisë Osmane. Figura më njohur e kësaj ane ishte Gazi Isa -beg Isakoviqi ishte themelusi i Novi Pazarit “ thonë autorët e shkrimit , por jo kjo është vetëm një zhvendosja datash dhe manipulim me njerëzit. Novi Pazari është një qytet me një trashëgimi të shtrenjtë kulturore,qytet i shumë shtresave ,ku nga çdo shtresim i gjejmë gjurmët e së kaluarës së posaqme. Është e njohur historikisht që banorët e parë të kësaj ane ishin Ilirët e pastaj Shqipëtarët ,të cilët u valavuan gjatë historisë me pushtimet romake, sllave dhe turke . “ Mund të mirrej me mend se shfaqja e përzierjes asimiluese që manifestihej aty ku me dhunë ndërpriteshin lidhjet me vetveten që doemos do të pasonte me rikëndjelljen e brezave tjera të cilët do të ishin shumë të përshtëshëm për ndërtimin e “njeriu të ri” të pastruar nga kujtesa dhe të gjitha ngarkesat tjera të cilat mund të paraqitnin pengesa drejt ardhmërisë “ (Jusuf Buxhovi : Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit), …. që të bëhen “boshnjakët”.Pasojat e presionit turko-serb ishin asimilimi fetar,humbja e vetëdijes kombëtare,mos hapja e shkollave shqipe dhe si pasojë edhe humbja e gjuhës shqipe.Është interesante se si sot Turqia po e përdorë muslimanizmin e shqiptarëve dhe “ boshnjakëve” të Sanxhakut si ambasada të interesave të tyre për të bër një hap më të madh në Europë. E ne ,pa kurrfarë analize i vehemi pas. Për të treguar se këndej pari flitej shqip dhe besohej shqip ,po i shënoj të ilustruara me fotografi .përshkrimet e disa kishave dhe manastireve “serbe” ( përshkrimet për këto janë të perkthyera nga shenimet serbe) ,të rrethinës së Novi Pazarit ) (http://www.zemrashqiptare.net/news/id_26412/Fahri-Xharra:-Sanxhaku-shqiptar? )
Autoret , iu sqarojnë lexuesve se Novi Pazari s`ka qenë kurrë pjesë e Shqipërisë së Madhe” ( shikoje hartën)
“Në të gjitha luftërat “ Boshnjakët” e Malit të Zi dhe të Sanxhakut paraqiteshin si subjetivitet i posaçëm kombëtar duke e dhënë një kontribut të madh në luftën antifashiste në “ tokat “ e Malit të Zi,” Në fund të luftës së Dytë , “Boshjakët ‘ ( thonjëzat fxh) ata e mendonin se nuk do të iu përsërtet e kaluara pas kongresit të Berlinit “ ( nga studimi Boshnjakët në Malin e Zi ) . Por e jona është të pyesim se me çfarë të drejta historike këta dhe të tjerët mundohen të krijojnë një populate artifiacale nga shqiptarët vendas?
Fjala e nxjerrë fjalën dhe kësi lloj shkrimesh janë me të madhe duke u shkruar e ne në këtë rrëmujë kombëtare para të ardhmes sonë që po duket se po na troket në derë më në fund : “Te mendojme pak” Diçka që mendjet e shëndosha s’e kapin dot.Një mrekulli e llojit të vet, duan t’u tregojnë armenëve: ja ne jemi me gjak dhe mentalitet të turkut, myslimanë të përbetuar,qëllim ky për një provokim etjet banal, por edhe i rrezikshëm, një marifet i ngjashëm me atë të Beogradit, nga shqiptarët “dolën të lagtë”. Shini ku të çon naiviteti dhe primitivizmi i këtij shekulli, një kuku për shqiptarët edhe për përqasje shumë të gabuar, si një çifte me tyta në ballë të shqiptarëve.Në kohë, shumë të hershme, edhe pas shpalljes së Pavarësisë, thirrej mileti:”Kush është turk me falë Bajramin”, edhe sot e njëjta gjë, në “kostum” më ndryshe. Shkuarja e lojtarëve në xhami,apo kishë, vërtet është çështje private, përderisa ata nuk shkojnë në kostume sportive,përkatësisht, të kombëtares,të cilitdo sport. Rasti kombëtares së futbollit, që takohet me kombëtaren e Armenisë, në lindje të Turqisë, ku nga kjo e fundit nuk pranohet gjenocidi i kryer ndaj popullsisë armene,në fillimet e shek. të kaluar, lë për tu hamendur se nuk është fjala për një kujdesi, por diçka të qëllimshme, që doemos kërkon një qasje mjaft serioze,për të nxjerr në pah “bishtin e dardhës”. Kemi vërejtur me shumë kujdes,se çka mund të fshihet nën “plaf”.Duhet mos të harrojmë e as të mohojmë porositë e klerikëve në krye të BIK, që herë pas herë,u bëjnë sportistëve, për të bërë “duva” para se të hynë në fushën, apo sallën ku zhvillohen ndeshjet.Ky është një celebrim i panevojshëm, sidomos për shqiptarët, aq më parë, kur ende nuk jemi në “në sy për të mirë” në rrethinë dhe më gjerë.Kemi punë më të vlefshme dhe të rëndësishme, për të mposhtur bindjet negative ndaj nesh, e jo pak popujve ( nga Dedë Mirdita )”
Pra pa fije fytyre mohohet pëkatësia kombëtare e shqiptarëve muslimanë të Malit të Zi dhe Sanxhakut?
Kadare kishte për të thënë “ Kurthi serb, turqizimi ynë dhe armiqësimi me Evropën”
28.03.15 Gjakovë
- « Previous Page
- 1
- …
- 818
- 819
- 820
- 821
- 822
- …
- 974
- Next Page »