Nga Frank Shkreli/
“Të gjithë ne, fajtorë ose jo, të rinjë apo të vjetër, duhet ta pranojmë të kaluarën. Të gjithëve na prekin pasojat e sajë, që na kanë goditur. Të gjithë ata që mbyllin sytë para së kaluarës, janë të verbër në të tashmen”.- Ish-Presidenti i Gjermanisë, Richard von Weizsäcker
Zyra e presidentit të Gjermanisë, Z. Joachim Gauck njoftoi se të shtunën ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare ish-Presidenti i Gjermanisë Richard von Weizsäcker. Ai kishte shërbyer në detyrën e presidentit për një periudhë prej dhjetë vitesh, nga viti 1984 deri në 1994 dhe më përpara ai kishte shërbyer si kryetar i Bashkisë së Berlinit nga viti 1981 deri në vitin 1984. Ndonëse detyra e presidentit në Gjermani është më tepër një post ceremonial, megjithëkëtë ai dijti ta përdorte postin e lartë shtetëror për të inkurajuar diskutimin e çështjeve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare — dhe për të nxitur debatin mbi rolin që duhet të luaj Gjermania në botë. Ish-presidenti gjerman konsiderohej si një udhëheqës i respektuar në fushën ndërkombëtare dhe si një figurë integruesedhe pajtuese brenda vendit të tij dhe me fqinjtë e Gjermanisë. Gjatë mandatit të Presidentit Richard von Weizsäcker dhe pas shëmbjes së Murit të Berlinit, Gjermania u ribashkua me 3 tetor, 1990.
Presidenti i tanishëm i Gjermanisë, Joachim Gauck në mesazhin e tij me rastin e vdekjes së para-ardhësit të tij tha se Presidenti Weizsacker, “Ishte simboli i integrimit të Gjermanisë në komunitetin e vendeve demokratike të botës dhe se ai dëshironte një Republikë Federale gjermane e cila do të përballej me të kaluarën e saj.” Ndërsa Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel e cilësoi shuarjen e Richard von Weizsäcker si, “Një humbje të madhe për Gjermaninë.”
Ndërkombëtarisht, Richard vonWeizsäckermori famë me fjalimin që ai mbajti në vitin 1985 drejtuar parlamentit të Gjermanisë Perëndimore në Bon, me rastin e 40-vjetorit të kapitullimit të Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ai e cilësoi me atë rast ditën e fitores mbi nazizmin si një “ditë e çlirimit nga sistemi çnjerzor i tiranisë nacional-socialiste.” Ishte ky një fjalim, që sipas Kryetarit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, “Ndikoi mbinjë gjeneratë të tërë dhe një fjalim që ka përcaktoi imazhin e Gjermanisë si një forcë integruese, në qëndër të kontinentit tonë.”
Në atë fjalim i ndjeri Weizsäcker u bëri thirrje të gjithë gjermanëve — të gjeneratës së tij dhe të brezit të ri që të përballen me historinë e tyre — që të pranojnë turpin e kombit të vet në të kaluarën, duke theksuar se kjo ishte e vetmja mënyrë për të realizuar një të ardhme paqësore dhe të për siguruar pajtimin me njëri tjetrin dhe midis gjermanëve dhe shumë popujve fqinjë të cilët kanë vuajtur nga nacizmi hitlerian. Me atë rast ai pohoi se, “Pothuajse çdo vend në historinë e vet mund të fajësohet për luftë dhe dhunë”, por sipas tij, si krim, “gjenocidi kundër hebrejve është i pakrahasueshëm në histori.” Gjatë atij fjalimi, që bëri shumë bujë në atë kohë, ai pat përcaktuar të ardhmen e gjermanëve me Perëndimin, deklaruar gjithashtu se Gjermania është përgjithmonë e lidhur me Komunitetin Europian dhe me Aleancën Perëndimore.
Si bir i një zyrtari të lartë të regjimit nazist, dhe si anëtar i regjimentit ushtarak që pushtoi Poloninë në vitin 1939, Richard von Weizsäcker mbante mbi supe barrën e historisëjo vetëm si një gjerman i thjeshtë, poredhe si udhëheqës i Gjermanisë demokratike, pasardhëse e një regjimi që shkaktoi aq vuajtje. I ngarkuar me barrën e historisë, ai ishte presidenti i parë gjerman që vizitoi Izraelin dhe e i pari udhëheqës gjerman i cili shënoi 50-vjetorin e invadimit të Polonisë nga forcat naziste me një letër që ai i kishte dërguar homologut të tij polak, me të cilën i shkruante se Gjermania nuk do të ketë kurrë pretendime mbi ish provincat perëndimore gjermane të Polonisë. Për më tepër, ai vizitoi Poloninë për herë të parë në vitin 1990, menjëherë pas shëmbjes së Murit të Berlinit, vizitë të cilën ai e ka quajtur si më të rëndësishmen e karierës së tij politike. Në vazhdën e përpjekjeve të tija për pajtim me fqinjtë europianë, Presidenti von Weizsäcker priti presidentin e parë demokratik çekosllovak, Vaclav Havel për një vizitë në Munich, aty ku Hitleri kishte siguruar nënshkrimin e marrveshjes për ndarjen e Çekosllovakisë, dhe disa javë më vonë — me rastin e 51-vjetorit të hyrjes së forcave pushtuese naziste në Pragë, të prira nga vet Hitleri — presidenti Weizsaker u gjënd në Pragë për të shënuar atë përvjetor në liri.
Në një koment të radios gjermane Deutsche Welle (DW) kushtuar jetës dhe veprimtarisë së ish-presidentit gjerman — duke e cilësuar atë si një “figurë morale të rëndësishme”, nënvijohet rëndësiaqë presidenti Weizsäcker i kushtoi gjatë mandatit 10-vjeçar të tij, pajtimit të Berlinit me vendet e Europës Lindore dhe me Izraelin. Ai ishte i bindur, thuhet në komentin e DW-së, se nuk mund të shënohej një fillim i ri në marrëdhënjet e Gjermanisë me këto vende duke fshehur të kaluarën, por donte që të rivendoste lidhje të reja integruese dhe pajtimi midis gjermanëve dhe popujve të tjerë, duke kujtuar dhe rikujtuar atë histori dhe duke diskutuar të kaluarën, sado e dhimshme që ishte, me qëllim për të mos e harruar kurrë.
Madje edhe pasi u largua nga posti i presidentit, Richard von Weizsäcker vazhdoi të luante rolin e tij integrues dhe pajtues në Europë midis vendit të tij dhe vendeve të Europës Lindore.Mendimet e tija kërkoheshin dhe këshillat e tija dëgjoheshin, pasi konsiderohej si mbështetës i vendosur i demokracisë, i lirisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë dhe kudo dhe si njëri që besonte se historia sado e keqe dhe e dhimbshme të ketë qenë duhej të shpalosej për brezat e ardhëshme në përpjekje që të mos përsëritet kurrë më.
Në një kryeartikull mbi Kosovën, botuar në gazetën amerikane Washington Post më 28 mars, 2007 me bashkautor ish-ministrin e mbrendshëm Italian, Giuliano Amato, i ndjeri ish-presidenti gjerman Richard von Weizsäckertregon interesimin e tij edhe për gjëndjen në Kosovë. Në atë artikull ai shprehte shqetësimet e tija mbi status quonë në Kosovë (më 2007) duke i bërë thirrje Bashkimit Europian për një angazhim më të madh dhe më të vendosur në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, duke shkruar se “E ardhmja e Bashkimit Europian nuk mund të ndahet nga e ardhmja e Ballkanit Perëndimor. Vendet e Ballkanit tani janë aq afër suksesit sa janë edhe afër dështimit. Luftërat kanë marrë fund, por profili i rajonit është një numër shtetesh të dobëta dhe protektorate ndërkombëtare të cilat shpresojnë të antarësohen në Bashkimin Europian, por nuk dinë se kur dhe si.”
Ata vazhdojnë artikullin duke theksuar se, “Ne europianët kemi një përgjegjësi të veçantë për çka ka ndodhë në Ballkan.” Dhe duke pranuar dështimet e politikës europiane ndaj Ballkanit gjatë 1990-ave, ata shkruajnënë gazetën Washington Post se, “Ne dështuam të parandalonim shpërthimin e luftërave në zemër të Europës, megjithëse tani, ndërhyrja jonë ushtarake dhe ekonomike, kryesisht, i ka dhënë formën gjëndjes së tanishme të kirjuar në atë rajon”, dhe theksonin se “shumica e forcave ushtarake sot në Kosovë janë europiane dhe se Europa ka kontribuar shumicën e fondeve në Kosovë gjatë dekadës së fundit”, nënvijojnë bashkautorët e artikullit mbi Kosovën. I ndjeri Richard von Weizsäcker, së bashku me kolegun e tij Italian, e përfundonte artikullin mbi Kosovën duke u bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të kenë një qëndrim të përbashkët për njohjen e Kosovës duke bërë thirrje që “Me çdo kusht, Europa duhet të mos lejojë që disa vende europaine të përkrahin njohjen e Kosovës e disa të tjera jo”, përfundonte artikulli i botuar në gazetën e kryeqytetit amerikan në vitin 2007.
Ish-presidenti i parë i Gjermanisë së ribashkuar, Richard vonWeizsäcker dhe figura që konsiderohet si “ndërgjegja morale e kombit” të vet, ndërroi jetë të shtunën që kaloi në moshën 94-vjeçare.
MJAFT MË SE NA KENI SJELL SHPIRTIN NË MAJE TË HUNDËS!
Shkruan: Avdi Ibrahimi-Prizren/
Çfarë çmendurie! Më ka rastisur të dëgjoj e lexoj gati çdo ditë disa njerëz që janë të apasionuar pas liderit të tyre partiak sa konfuzioni i tyre moral, sikur na kujton atë trajtimin e mendimit apsurd, ku dita nuk mund të jetë assesi më e ngrohtë se nata, ku drita për ta assesi nuk është më e ndritshme se errësira, ku toka assesi nuk është më e thatë se deti, atëherë është mbase e qartë se njerëzit e tillë e kanë humbur aftësin për të shquar dallimin.
Qysh nga kohëra të lashta njerëzit që bënin biznes e pastaj disa edhe bëheshin “udhëheqës” që nëpërmjet parasë e mashtrimit, të atij apo këtij populli, tani të këtij apo atij shteti, kanë keqpërdorur emrin e “Udhëheqësit” për qëllime personale, kështu ata të mëparshmit, po edhe këta të sotshmit për të justifikuar të pajustifikueshmen.
Mbase besimi tek lideri partiak i takon kohës së re. Njerëzit, duke qenë inferior dhe te varur drejtëpërdrejtë nga lideri i tyre partiak, e ngritin në kult atë, duke i dhënë atributin e të paprekshmit… Të besosh në një lider nuk dëmton askënd dhe është tejet personale, por të jeshë i vetëmashtruar, e pastaj t’i mashtrosh të tjerët, është spekulim, është pandershmëri, është apsurde, është mbase edhe çmenduri! Është e kuptueshme se ka njerëz që kanë nevojë për një kult frike apo adhurimi, ka njerëz që besimin në liderin e tyre e ndjejnë si shpresë dhe forcë për të përballuar dhe realizuar qëllimet e të jetuarit.
Po ju kujtojmë këtyre servilëve të vetëmashtruar se, të luftosh pushtuesin e kombit shqiptar me penë e pushkë nuk është diktaturë, por edhe të jeshë kundër keqeverisjes së pushtetarëve të tanishëm nuk është antiatdhetarizëm, por përkundrazi është të jeshë i ditur dhe i kulturuar njëkohësisht të jeshë me ndjenja të larta atdhetare. Këtë ndjenjë të lart kulture dhe atdhetarie e tregun me vepra heronjtë e heroinat e Kombit Shqiptar nëpër shekujt e përflakur. Këtë ndjenjë të lartë atdhetarie dhe kulture e pati edhe Komandanti legjendar i UÇK-së Adem Jashari bashkë me luftëtarët e lirisë e natyrisht as kjo nuk quhet diktaturë.
Politika e rezistencës pasive nuk është asfarë shenje e qytetrimit evropian, nëse nuk e mbron dinjitetin kombëtar, por është dukuri e vetënënshtrimit dhe fyerje kombëtare. Por as politika e “nacionalizmit si kapital politik”, nuk është asfarë shenje e atdhedashurisë, por dukuri e nënshtrimit politik. Politika e “integrimeve” e “hapsirave demokratike”, e “kompromiseve”, e “qarkullimit të lirë të njerëzve”, nuk është asfarë premise politike, por mohim i dinjitetit kombëtar.
Jemi dëshmitar se sot, në Qeverinë e Kosovës të Isa Mustafës e Hashim Thaçit, ndodhet në bashkëqeverisje një Ministër për Kthim, nga Lista Sërbska, njëfar Aleksandri i quajti “egërsira” familjaret e të zhdukurve shqiptar nga Gjakova, që gjakuan për liri… që Shteti terrorist serb i Aleksandrit bëri gjenocit mbi popullin shqiptar, para disa viteve, ku ende kullojnë gjak plagët shqiptare.
Si qytetar shqiptar i Republikës Shqiptare të Kosovës, apeloj të reflektoj Qeveria e Kosovës, sa s’është bërë vonë, ti plotësoj këto tri kërkesa jetike të popullit:
1. Ta shkarkoj sa më parë Jabllanoviqin nga kabineti qeveritar i Isa Mustafës.
2. Trepça gjigandi ynë ekonomik të bëhet ndërmarrje publike.
3. Të ndaloj me të gjitha mjetet paqësore largimin e qytetarëve shqiptar nga Kosova.
Kjo është mbase detyrë mbi detyrat e Qeverisë së Ksovës, që kërkon situata aktuale, mos përfillja e këtyre kërkesave gjithpopullore na bënë të ju themi: Mjaftë më se na keni sjellë shpirtin në maje të hundës, nuk beson më asnjë qytetar i Kosovës në këta politikan idhuj pakrena, që vazhdimisht bënë kompromise politike në dëm të shqiptarëve të Kosovës, e durimit i ka ardhur fundi… Qeveria t’i kërkoj llogari Aleksandrit, e të bëjë largimin e menjëhershëm, nga pozitat e larta në Republikën Shqiptare të Kosovës, të këtij Aleksandri dhe gjithe aleksandrave që hanë bukën e Shtetit Shqiptar të Kosovës, por qe punojnë e veprojnë për Serbinë gjenocidiste!
Prizren, 2 shkurt 2015.
Përfshirja në politikëberje e familjeve të Përndjekurve Politike domosdoshmëri për demokracinë!
Nga Besim Ndregjoni*/
Fisnikëria e të përndjekurve politikë shqiptar, nuk është thjesht kategori subjektive dhe as objektive. Ajo është kompleksiteti i vlerave njerëzore prej të cilave merr kuptim jeta, dashuria, humanizmi, dinjiteti, trashëgimia, prosperiteti, liria, dhe cilësia e jetës ne komunitet. Fisnikëria dhe shqiptaria janë lidhur fort, në një organizëm virtual,duke udhëtuar së bashku që nga Ilirët, Arbërit e deri me sot, në rrugën e gjatë të kombit tonë, vlerat prej të cilave janë frymëzuar brezat dhe kanë kultivuar viganë të jetës publike, politike, artistike, ushtarake dhe humanitare. Në historinë e Shkodrës martire nuk mund të harrohen kontributet e familjeve të mëdha fisnike në mbrojtje të truallit amëtar, që në këtë konferencë të I-rë nuk mund t’i përmend dot të gjithë por disa prej tyre si Bushatllinjte, Hodo Sokoli, Kazazi, Çoba, Lluja, Myftia, Koliqi, Hasani, Isufi, Repishtit etj ( Shkodër), bajraktarët e Shoshit, Hotit, Dede Gjo Lulit e Preng Calit , të Llesh Marashit e shum famijeve të tjera Mirënjohje dhe respekt elitës së ish të Përsekutuarve të Shkodrës e qarkut të saj. Kombit tonë s’i mjaftuan pushtimet e gjata, por si një hije e zezë, u huajt nga qarqet antishqiptare komunizmi, duke shkatërruar e masakruar fisnikërinë kombëtare, ata që mbajtën dorë më dorë, e brez më brez flamurin, identitetin, vlerat më të larta të historisë sonë. Filozofia e dhunës dhe e antivlerës nuk mund të jetonte në paqe me vlerat e fisnikërisë shqiptare. Ndaj dhuna do të ishte arma dhe metoda e realizimit të pushtimit dhe sundimit komunist. Dhuna çnjerëzore filloi me pushkatime, burgosje dhe internime të fisnikëve shqiptarë. Njizete e pese vite mbas levizjes studenteske te dhjetorit 1990, – për liri e demokraci- Shqiperia ka levize. Gjendja ekonomike e shoqërore ka pësue përmiresime, populli jeton pa friken e kerbaçit policor. Me gjithe vorfenine e të metat sociale që e mundojnë, Shqipëria ka avancue drejt anetarsimit në Bashkimin Europian. Europa ashte shtepia e jone, ashte zgjidhja e jone e vetme, si shtet ma pare dhe si komb shqiptar ma vone ! Ky ishte ideali dhe motua e të pushkatuarve dhe të denuarve politikë të Shkodrës e mbar Shqipërise.
Në këtë udhëtim të gjatë , vendi i jonë ka dëshmue dhe padrejtesi të mëdha, njena nga te cilat ashte keqtrajtimi i viktimave të komunizmit. sakrificat tona , qëndrimi i jonë heroik që nuk pranoi nënshtrimin ndaj “luftes se klasave” fenomeni ma negativ i shekullit 20-. Me fitoren tone morale kunder çnjerezimit komunist, ne kemi fitue të drejtën me u quejte “kapitali moral i shoqenise shqiptare”. Kështu dëshmon ish i denuar politikë, shkrimtari, shkodrani i madh Prof.Sami Repishti…
Këtë të drejte e konfirmon pafajesia e jone që ashte edhe stigma ma pozitive e zhvillimit politik ne Shqiperi. Ne i tham “JO!” diktaturës komuniste, jo pushtimit jugosllav, jo pushtimit sovjetik, jo marrezise kineze, jo krimineleve injorante të PKSH dhe PPSH-se. Sot ne kemi të drejtën me akuzue mosperfilljen e pushteteve qeveritare në vendin tonë, sepse jemi të pafajshëm. Pafajesia ashte thelbi i sakrificave tona i rezistences anti-komuniste ne Shqiperi!
Koncepti i qeverisjes në kohën tonë ashte nji sfidë që Shqipëria nuk e fitoi, fatkeqsisht. Mungesa e nji “pranevere shqiptare”, e zgjimit nga gjumi i rande i shqiptareve, tregon ekzistencen e te metave strukturale ne shoqenine tone. Por e meta e madhe sot ashte humbja e frymes se bashkesise qytetare.
Nji shtet dhe shoqeni e ketill nuk mund te ndertohet mbi padrejtesi! Keshtu veproi Europa e qytetnueme e mbasluftes, që dërmoi diktaturën fashiste-naziste. Tek ne, edhe sot, mbas 25 viteve nuk ashte denue krimi komunist 45 vjeçar, me gjithe sjelljen tone fisnike që përbuzi hakmarrjen. Na jemi breznia që keputëm zinxhirin e hakmarrjes, nji fitore historike e shpirtit shqiptar.
Dokumentimi i krimeve komuniste në Shqiperi po nxjerrë në dritë gënjeshtrën, urrejtjen e dhunën që kanë karakterizue rregjimin e gjakut. Sot, në Shqipëri, viktima e komunizmit vuen për bukën e gojës, për nji strehe mbi koke, për nji shërbim mjeksor – vuen për nji fjale të mire. Ashte mekat, ashte harrese, ashte vrasja e dyte e viktimes!
Ne duhet të udhehiqim nji kryqzate që do të shpëtoje dhe Shqipërine tone, Shqiperine e te gjithe shqiptareve.
Sot për të gjithë ne është një ditë e madhe, është dita kur ne i kthehemi historisë së vërtetë dhe merremi me të ardhmen.Të parët tanë na kanë lënë shumë pasuri shpirtërore dhe morale, të cilën e vlerësojnë kombet më të mëdha e të qytetëruara të botës. Është nën përgjegjësinë tonë historike, është njësi matëse e vlerave të pamohueshme tona, për t’i ridhënë kombit fisnikërinë e mohuar, në çdo tregues të jetës, në atë social, kulturor, politik dhe institucional. Çdo qelizë e shoqërisë tek ne duhet te udhëhiqet dhe të frymëzohet nga fisnikëria, nga ato vlera ideale dhe virtyte humane për të cilat ka nevojë të ushqehet shteti demokratik, shteti i së drejtës. Elita historike e kombit, e përndjekur nga regjimi komuniste duke njohur si pikë referimi vlerat më të larta njerezore e ka parë Shqipërinë në përkatësinë e vet Europiane në çdo aspekt të jetës dhe veçanërisht në aspektin politik. Orientimi perëndimor i kombit, mendimi dhe filozofia e jetës së fisnikëve në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë të mundur ruajtjen e marrëdhënieve me kombet e mëdha dhe të nderuara të botës, me kombet që sot më shumë se kurrë janë pranë Shqipërisë sonë, në aspektin e integrimit tonë.
Ndaj sot siç na tregon historia , lind thirrja e madhe për t’i dhënë më të mirën tonë, këtij kombi, këtij shteti, demokracisë, drejtësisë dhe paqes sociale.Por kjo kërkon angazhim dhe pjesëmarrje, gjithëpërfshirje aktive në të gjitha aspektet e jetës. Ashtu si gjithëherët fisnikëria ka qënë në krye të proçeseve historike të zhvillimit soc-politik edhe sot është e nevojshme dhe e domosdoshme për të qënë në krye të integrimit dhe zhvillimit kombëtar. Është përgjegjësi e gjithëkujt prej nesh për t’i bërë shërbim kombit, me angazhimin e vet politik dhe institucional, në këtë kohë të rëndësishme ku kombi ynë po ngrihet krahas me kombet Europiane për të qënë pjesë e Bashkimit Europian, për të qënë i barabartë në vlera me kombet e bashkimit Europian. Historia na ka treguar se fisnikëria Shqiptare iu ka dhënë udhëheqës të shquar edhe vendeve te tjera, duke filluar nga perandoria romake, Vatikanit, ajo bizantine e osmane, e deri në kohët më të vona. Fisnikëria Shqiptare ka shkëlqyer në Greqi, Turqi, Rumani, me Kryeministra që i kanë shpëtuar këto kombe dhe i kanë qyteteruar. Këto personalitete i gjejmë përmes dokumentave në Perandorinë Romake, P.Osmane, Egjipt etje. Është e vështirë të identifikosh me pak rreshta atë që fisnikët shqiptarë kanë kultivuar në shekuj, por është thjesht një përkufizim i asaj që të gjithë ne e ndiejmë se ekziston, e asaj që ne e dimë se kështu është, se fisnikëria e ka gjalleruar këtë komb, se ajo e bën atë më krenar, më të fortë, e më madhështor. Besoj se kjo është dëshira e çdo shqiptari fisnik ish i perndjekur politike. Për të gjitha këto del domosdoshmëri që politika shqiptare të jetë e orientuar, e frymëzuar edhe nga këto vlera. Komunizmi e zhduku këtë raport të natyrshëm të shoqërisë shqiptare me shtetin. Por dekomunizimi i shoqërisë shqiptare kërkon patjetër kthimin e vlerave të fisnikërisë. Në emrin tuaj dua t’i bëj të ditur faktorit politik se, pa përfshirjen dhe pjesëmarrjen e këtyre familjeve të mëdha fisnike në jetën politike dhe shoqërore në të gjitha sferat politike, ekonomike, gjyqësore ,ekzekutive e sociale, ne do të jemi tepër të vonuar, siç kemi qënë gjatë kesaj periudhe të gjatë tranzicjoni në ndërtimin e demokracisë, dhe ndërtimin e shtetit ligjor.
Fisnikëria është baza morale e shtetit që në krijimin e tij. E tillë është ajo në mënyrë të natyrshme, ndaj ne duhet ta konsiderojmë këtë fakt si një domosdoshmëri shtetërore, për të ndërtuar dhe për të patur një komb dhe një shtet mbi baza të shëndosha vlerash, se vetëm në këtë mënyrë do të jemi dinjitoz përpara qytetërimit perëndimor, vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të përmbushim ëndrrat e fisnikëve shqiptarë qe u vrane nga sistemi diktatorial komuniste.
Por absurditeti i nje zhvillimi të këtill cfaqet sot kur sistemi komunist është përmbyse dhe metodat e tia vazhdojne te aplikohen nga qeveritare të indoktrinuem qe refuzojne të pranojnë kuptimin e mirefillte të pronës private: jete të lire e të pavraur nga “shteti”. Eshte absurde kur shihen viktimet e rregjimit komunist te siellen vërdallë zyrë ne zyra me kërkue të drejtën e tyre, pasurine e trashegueme, dhe te sorollaten nga nje administrate shurdhe-memece që ‘sundon” dhe nuk “qeverise”, nga “aparatciket” e sistemit komunist e jo nga “sherbestaret” e demokracise, të shoqërise së lire.
Gjendja e sotme në Shqipëri është mjaft shqetesuese.
Nuk jetohet vetëm me buke dhe per buke. Një jete pa liri, pavaresi e dinjitet nuk vlen te jetohet
Heshtja, vret; indiferenca vret. Eshtë e vështirë me besue se ndergjegja e popullit shqiptar është aq e fjetur sa të lejoje vdekjen e atyre që gjetën guximin me sakrifikue gjithcka, ndoshta edhe jetën e tyre, për një Shqipëri të lirë, dhe një shoqeri shqiptare të lire e demokratike. Dhe për shum kohë armiku ma i madh do të jetë Harresa. Të gjithë të përndjekurit duhet të mobilizohen në një përpjekje me mbajt gjallë kujtimin e viktimave me ruajt në memorien e të gjithe shqiptarëve peshën e randë të krimit komunist dhe kjo asht detyrë kryesore për të gjithë ne që kaluam at kalvar vuajtjsh dhe martirizimi. Apeli i sotëm kombëtar asht jo indiferentizmit , jo heshtjes , PO angazhimit në politikë të këtyre familjeve fisnike ish të perndjkekura politike të regjimit komunist. Angazhimi i këtyre familjeve në politikë do të jetë nji shërbestare e demokracisë , do ti japi qeverisjes dhe shtetit ligjore moralin dhe vlerat njerzore të cilat për 25 vite klasa politike nuk mundi të i ndërtoi dhe të implementoi përpara shoqërise post komuniste. 100.000 familje ish të përndjekura politike e kan tagrin , kan kapacitete për të dhënë kontributin e tyre në politikbërje që shtetit shqiptar , demokracisë së cenuar nga kjo klasë politike 25 vjeçare ti kthehet morali dhe presporiteti i një demokracie fuksionuese në shërbim të vendit.
Le të na shoqëroi në këtë nisëm kombëtare thënja e pavdekshme e ikonës së fesë dhe vuatjes së dhjetra vjeçarve në burgjet e diktaturës komuniste At Pjetër Mëshkalla SJ ( Botue : 1933)
Prej të parëve pritëm një Shqipni të Lirë!
Nipat presin prej nesh një Shqipni të lumtun!
*E dergoi per Diellin vete autori. E falenderojme.- Kumtesë e mbajtur në konferencën rajonale të Përndjekurve Politike në Shkodër 31.1.2015
Po “vrasin” rininë kosovare
Nga Kim Mehmeti/
Ia lidhën duart kryetarit të Komunës së Prishtinës, por harruan se regjimi që mbështetës të vetëm ka policinë, se pushtetarët që prangosin të zgjedhurin e popullit, kurrë nuk do mund t’i shpëtojnë mallkimit të popullit. Si diktatorë të vegjël e të mjerë, dalin e paturpshëm thonë se mediat janë duke ua rrënuar shtetin, e nuk shohin se për çdo natë, Kosovën e braktisin me qindra të rinj.
Dhe me të drejtë e dënojnë dhunën dhe thonë se vota, e jo protesta në rrugë, të sjellin në pushtet, por harrojnë se deri dje këtë e thoshin edhe robëruesit e Kosovës, harrojnë se drejtuesit e shtetit nuk përfaqësojnë vetëm votuesit e tyre, por e kanë në duar fatin e tërë popullit. Dhe si të tillë – njësoj si çdo zaptues, i cili fatin e shtetit e të popullin e barazon me fatin e vet politik – ata e konsiderojnë armik çdonjërin që i kundërshton, si të tillë ata shohin vetëm gurët e protestuesve, por jo edhe pamjet trishtuese kur të riut të shtrirë, i vërsulen policët! Dhe drejtues të tillë janë të rrezikshëm për popullin dhe shtetin, drejtuesit e tillë janë trishtues për tërë shqiptarinë, ngaqë ata janë të gatshëm t’ia thyejnë popullit edhe boshtin e patriotizmit!
Andaj duhet thënë: Regjimi i sotëm që drejton Kosovën, me shumëçka është fytyra e së djeshmes, që vret dhe varros të sotmen dhe të ardhmen e rinisë kosovare! Nëse do ishte ndryshe, nëse drejtuesit e sotëm të Kosovës me të vërtet do kishin për qëllim të mirën e vendit dhe të popullit, atyre do u mjaftonte edhe një pik gjaku polici apo protestuesi, që të dilnin e të thoshin: Ne jemi pushtetarë, por jo pushtues të popullit e të vendit tonë, andaj ejani që gjithë së bashku ta ndajmë të mirën e të keqen e këtij vendi! Pra ata do propozonin të mundshmen që sot mund ta qetësojë Kosovën: një Qeveri teknike, që do e nxirrte vendin nga ky tunel ku është futur! Por, këtë nuk mund ta presësh nga ata me mendësi nga djeshmja e pushtuesit, nga ata që marrjen e votës, e barazojnë me marrjen e ‘tapisë’ që të shpallë pronarë të Kosovës!
Testi grek i Evropës
Nga Paul Krugman/
Gjatë 5 viteve, që kanë kaluar që prej fillimit të krizës në eurozonë, të menduarit qartë ka qenë dukshëm me pakicë. Por tani kjo paqartësi, duhet të marrë fund. Ngjarjet e fundit në Greqi, përbëjnë një sfidë themelore për Evropën: A do të mundë ajo të lërë pas mitet e së shkuarës dhe moralizimet bajate e të merret me realitetin, në një mënyrë që respekton vlerat kryesore të kontinentit? Nëse jo, i tërë projekti evropian-përpjekja për të ndërtuar paqen dhe demokracinë, përmes prosperitetit të përbashkët-do të vuajnë pasojat e një goditje të tmerrshme, ndoshta fatale.
Megjithatë, e vërteta është se pjesa më e madhe e madhe e parave të huazuara ndaj Greqisë, është përdorur thjesht për të paguar interesat dhe principalin mbi borxhin. Në fakt, gjatë dy viteve të fundit, shumica e të gjitha parave që iu dhanë Greqisë, u ricikluar në këtë mënyrë: qeveria greke po merr më shumë të ardhura, sesa ajo shpenzon në gjëra të tjera përveç interesit, si dhe dorëzimin e fondeve shtesë ndaj kreditorëve.
Ose për t’i thjeshtëzuar disi gjërat, ju mund të mendoni që politika evropiane përfshin një ndihmë, jo ndaj Greqisë, por ndaj bankave të vendeve kreditore, me qeverinë greke që thjesht vepron si ndërmjetës – e me publikun grek, që ka përjetuar një rënie katastrofike përsa i përket standardeve të nevojshme të jetesës dhe që i kërkohet të bëjë sakrifica të mëtejshme, në mënyrë që ai gjithashtu të mund të kontribuojë me fonde për këtë shpëtim.
Një mënyrë për të menduar mbi kërkesat e qeverisë së sapozgjedhur greke, është se ajo kërkon një reduktim të madhësisë së atij kontributi. Askush nuk po thotë, që Greqia të shpenzojë më shumë sesa ajo përfiton. Të gjitha opsionet që mund të jenë në tryezë, do të kenë kaluar me më pak interes, ndërsa më shumë vëmendje do të kenë gjëra të tilla si kujdesi shëndetësor dhe ndihma ndaj të varfërve.
Të vepruarit në këtë mënyrë, do të ketë efektin anësor të reduktimit në një masë të madhe të normës prej 25 përqind të papunësisë në Greqi. Por a nuk ka Greqia një detyrim për të paguar borxhet, për të cilat qeveria e vet u ngrit kundër? Këtu vijmë tek çështja e moralizimit. Është e vërtetë, që Greqia (ose më saktë qeveria e qendrës së djathtë që qeverisi vendin në vitet 2004-2009) mori vullnetarisht borxhe në shuma të mëdha. Por është po aq e vërtetë, që bankat në Gjermani dhe gjetkë, ia huazuan vullnetarisht Greqisë të gjitha paratë.
Zakonisht çdokush duhet të priste që të dyja palët të paguanin nga një çmim për gabimet e ndërsjellta. Por ndërsa huadhënësit private u ndihmuan gjerësisht (përkundër një “reduktimi” ndaj pretendimeve të tyre fillestare në vitin 2012), nga Greqia pritet që të mbajë premtimin dhe të paguajë një më një.
Tani, e vërteta është se askush nuk e beson se Greqia, mund të paguajë plotësisht borxhin. Pra, përse nuk e njohin këtë realitet dhe të reduktojnë pagesat në një nivel, që nuk imponon vuajtje të pafundme? A kemi të bëjmë thjesht me qëllimiin, për ta bërë Greqinë një shembull për të gjithë huamarrësit e tjerë? Nëse po, si përputhet kjo praktikë me vlerat e asaj që është menduar të jetë një organizatë e kombeve sovrane dhe demokratike?
Çështja e vlerave, bëhet edhe më e mprehtë kur analizojmë përse kreditorët e Greqisë kanë ende pushtet. Nëse do të ishte vetëm një çështje e financave të qeverisë, Greqia mundet thjesht të shpallte falimentimin. Vërtet kjo do të zhdukte mundësinë e marrjes së kredive të reja, por gjithashtu do të ndalte pagimin e borxheve ekzistuese, dhe situata e likuiditetit të saj në fakt do të përmirësohej.
Gjithësesi, problemi për Greqinë qëndron tek brishtësia e bankave të saj, të cilat aktualisht (si të gjitha bankat në eurozonë) kanë qasje për të marrë kredi nga Banka Qëndrore Evropiane.
Ndërprerja e kredive do të bënte që sistemi bankar grek të shkërmoqej i gjithi, duke marrë nën vete shumë banka të mëdha. Për sa kohë që Greqia qëndron në euro, atëherë vendi ka nevojë për vullnetin e mirë të bankës qendrore, që nga ana e saj varet nga qëndrimi i Gjermanisë dhe vendeve të tjera kreditore.
Por mendoni se çfarë luhet në negociatat mbi borxhin. A është e përgatitur realisht Gjermania për t’i thënë një demokracie homologe evropiane: “Paguaj, përndryshe do të shkatërroj sistemin tënd bankar!?”
Dhe mendoni pak, se çfarë do të ndodhte nëse qeveria e re greke-që në fund të fundit u zgjodh nga shumica e popullit, falë premtimit për t’i dhënë fund kursimit-refuzon të paguajë? Në këtë mënyrë, gjithçka bëhet shumë e lehtë: një dalje e dhunshme e Greqisë nga euro, me pasoja potencialisht shkatërrimtare ekonomike dhe politike për mbarë Evropën.
Objektivisht, të zgjidhësh një situatë të tillë nuk duket të jetë shumë e vështirë. Edhe pse askush nuk e di, Greqia ka bërë realisht një përparim të madh vitet e fundit, duke rifituar konkurrueshmërinë, ndërsa pagat dhe shpenzimet kanë rënë në mënyrë dramatike. Kështu që në këtë pikë, kursimi është gjëja kryesore që e mban të gjunjëzuar ekonominë. Pra, ajo çfarë është e nevojshme është e thjeshtë: Lejoheni Greqinë të bëjë hapa të vogla, por gjithësesi me teprica pozitive, të cilat do të lehtësojnë vuajtjet greke. Lëreni qeverinë e re ta përvetësojë këtë sukses, duke ç’aktivizuar në këtë mënyrë forcat anti-demokratike që presin tek pragu.
Ndërkohë, kostoja për taksapaguesit ndaj kreditorëve-të cilët gjithësesi nuk do të marrin vlerën e plotë të borxhit-do të ishte minimale. Bërja e gjësë së duhur, megjithatë do të kërkojë nga evropianët e tjerë, në veçanti gjermanët, të braktisin mitet e vetë-shërbesës dhe të zëvendësojnë moralizimet me analizat logjike. A mund ta bëjnë ata këtë? Këtë do e shohim së shpejti.
- « Previous Page
- 1
- …
- 839
- 840
- 841
- 842
- 843
- …
- 974
- Next Page »