• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Eklipsi Diellor – panoramë e shpejtë e fuqisë së tij në besimet fetare

April 8, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Eklipsi i plotë i diellit të hënën në datën 8 prill do ta kthejë ditën natë për 4 minuta e 28 sekonda në Amerikën e Veriut. Ai zgjat dy herë më shumë se eklipsi i gushtit të vitit 2017 dhe rrugëton përgjatë një trajektoreje më të njohur që nis nga bregu i Paqësorit i Meksikës, kalon nëpër Teksas, Oklahoma, arrin shtetet e rajonit qendror verior deri në ato të Anglisë së Re (New England) pastaj nga Kanadaja del në oqeanin Atlantik.

Ndër shkrimet e shumta të cilat botohen çdo ditë për eklipsin, duke filluar nga lajmet dhe hartat te aplikacionet që mundësojnë pamjet ose fotografitë më të mira, tek gjetja e hapësirave me koordinatat më të favorshme për ta ndjekur edhe për ata që nuk banojnë në zonën e eklipsit, tek rekomandimet për aparatet dhe kamerat më të mira për ta përjetësuar momentin, syzet më të përshtatshme mbrojtëse për fenomenin natyror, tek artikujt komercial dhe produkte të destinuara për eklipsin, e shumë të tjera, më zuri syri një shkrim që jepte një vështrim panoramik të disa reagimeve të besimeve fetare ndaj tij nga kohët e lashta të cilin e përmblodha këtu që të mund ta lexoni në më pak minuta se kohëzgjatja e eklipsit.

Eklipset diellore kanë pasur ndikime të forta te besimtarët e denominacioneve të ndryshme gjatë gjithë historisë botërore. Në përgjithësi fenomeni konsiderohej si një lloj mesazhi nga perënditë ose shpirtrat me një spektër të larmishëm që nga frika deri në magjepsje.

Krishtërimi

Për fenë kristiane eklipsi parathotë aktin përfundimtar përpara ardhjes së Krishtit, siç është profetizuar në disa kapituj të Biblës. “Dielli do nxihet dhe hëna do përskuqet përpara ardhjes së të madhërishmit dhe të lavdishmit Zotit tonë.”

Tek disa besimtarë të krishterë ka qenë shumë e fortë ideja se gjatë kryqëzimit të Krishtit ka pasur eklips sepse në tre prej katër librave të ungjillit përmendet se për tri orë u dynd terri ndërsa Krishti vdiste. Natyrisht, është përmendur fakti se nata tri-orëshe nuk mund të jetë eklips diellor i cili shkaktohen errësim vetëm për disa minuta.

Islami

Besimi islam thotë se kurdoherë kur ndodh eklips duhen drejtuar lutje ndaj Allahut, në formë individuale apo në xhami. Lutja e eklipsit përmbledh fjalët dhe veprat e Profetit Muhamed. Sipas historisë në Kuran, pas vdekjes së Ibrahimit, birit të Profetit, shoqëruesi i tij, duke dashur ta ngushëlloj atë i tha se dielli u eklipsua nga pesha e madhe e humbjes. Profeti Muhamed e korrigjoi duke e kujtuar se dielli dhe hëna janë shenja të Zotit dhe se nuk duhej krijuar asnjë besëtytni në lidhje me shkaqet e eklipsit. Feja islame i shikon të ndara aktet e universit, fenomenet natyrore dhe lidhjen e njeriut me hyjnoren.

Judaizmi

Një nga besimet e para monoteiste të dokumentuara dhe një prej feve më të vjetra të ushtruara deri në ditët e sotme. Talmud, libri i shkrimeve të mbledhura përpara 1,500 vjetëve që jep udhëzime dhe përcakton lutjet bamirëse për shumë fenomene natyrore përveç eklipsit. Në të vërtetë, e përshkruan atë si ogur të keq për mbarë botën. Sipas tekstit të lashtë hebraik, eklipsi është një rast i veçantë për tu falur dhe për tu vetëinspektuar dhe jo për bamirësi qejfi. Një nga interpretimet e eklipsit e përshkruan atë si manifestim i forcës së atij i cili ka krijuar një sistem që na kujton se nga veprimet tona mund të krijohet terri edhe pse duhet të ishte dritë.

Budizmi

Budizmi është fe botërore dhe filozofi jetësore e përhapur kryesisht në Azi. Sipas fesë budiste tibetiane, energjia pozitive dhe negative shumëfishohet gjatë ngjarjeve astronomike siç është eklipsi diellor. Të dyja llojet e eklipseve, si ai i hënës dhe i diellit, janë shumë premtuese në sferën spirituale të traditave të tyre.

Hinduizmi

Origjina e eklipsit në Hinduizëm shpjegohet përmes legjendave që njihen si puranas. Në njërën prej tyre, hyjnitë e së mirës dhe së keqes e trazuan oqeanin për të nxjerrë nektarin e jetës së përhershme. Perëndia e Diellit dhe Hënës ndërhynë për të vënë në vend një padrejtësi nga ana e shpirtrave të së keqes që u kamufluan si “të mirët” dhe sipas legjendës Rahu, që arriti të bëhej i pavdekshëm, por me kokë e trup të ndarë, gllabëron i zemëruar herë pas here diellin dhe hënën, si shkaktarë të trishtimit të tij.

Për besimtarët Hindu, eklipset e diellit dhe hënës janë ogure të këqija. Disa syresh agjërojnë dhe të tjerë nuk hanë gjatë kohës së eklipsit. Praktikuesit kryejnë ritualin e larjes për të pastruar mëkatet në kohën e hyrje-daljeve të eklipsit. Disa jua ofrojnë lutjet e tyre të parëve. Tempujt qëndrojnë të mbyllur ndërsa të përkushtuarit falen në vende pelegrinazhi pranë ujërave të shenjta në fillim të eklipsit. Ata e konsiderojnë fenomenin një kohë të përshtatshme për të thënë lutje, për meditim dhe këndimin e mantrave që të largojnë shpirtin e keq.

Filed Under: Analiza

Ne vigjilie të Nates se Madhe – Natës së Kadrit

April 5, 2024 by s p

Prof.Resul Rexhepi/

“Paqe dhe shpëtim është ajo deri në shfaqjen e agimit.”
(Kuran, El-Kadër, 5)

Meqenëse tashmë gjendemi në dhjetëditëshin e tretë dhe të fundit të Ramazanit, për të cilin Pejgamberi (a.s.) ka thënë se është “itkun minen-niran” – “falje nga zjarri i xhehenemit”, atëherë plotësisht jemi edhe në pritje të Natës së Madhe të Kadrit, e cila
është nata më e bekuar dhe më e begatshme që na ka dhuruar i madhi Zot. Këtë e konfirmon Kurani fisnik kur thotë:

“Hâ, Mîm. Betohem në librin sqarues (të së drejtës nga e kota). Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar (në Natën e Kadrit). Vërtet Ne gjithmonë u kemi tërhequr vërejtjen (i kemi paralajmëruar) njerëzit. Në atë natë zgjidhet çdo çështje e urtë. Urdhër i përcaktuar nga vetë Ne, e s’ka dyshim se Ne dërguam të dërguar, si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.”

Fillimi i shpalljes së Kuranit
Kurani, pra filloi të shpallej në Natën e Kadrit, të cilën Allahu e quajti të bekuar dhe për të cilën tha së “në këtë natë zgjidhet çdo çështje e urtë”, që do të thotë se përcaktohet kaderi – caktimi për të gjitha krijesat për vitin që vjen. Me një fjalë, kemi të bëjmë me natën më të vlefshme të tërë vitit, për natën të cilën i madhi Zot e ka quajtur “Lejletu-l-Kader” – “Nata e çmueshme”. Mjafton si nderim për këtë natë dhe fakti se i Madhi Zot ia ka kushtuar një kaptinë të plotë me këtë emër në Kuran, që quhet “Suretu’l-Kadr” dhe ajetet e saj janë: .
“Ne e zbritëm Kuranin në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj! Atë natë zbresin melaqet dhe Shpirti (Xhebraili) me lejen e Zotit të tyre, për (të përcjellë) çdo çështje. Paqe është ajo deri në shfaqjen e agimit.”
Është pikërisht zbritja e Kuranit ajo që e ka bërë këtë natë të jetë kaq e vlefshme, madje më të vlefshme se një mijë muaj. Në të vërtetë, sikurse dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, që janë më të vlefshme se ditët paraprake të tij, po ashtu edhe në mesin e këtyre netëve është Lejletu-l-Kadri, ajo që arrin kulmin e vlefshmërisë. Në këtë natë filloi zbritja e Kuranit, e qëllimi këtu është zbritja e tij nga Leuhi Mahfudhi (pllaka e ruajtur tek Allahu) për në Bejtul-Izzeti, gjegjësisht në qiellin e kësaj bote, e nga aty, më pastaj, Xhebraili ia solli Muhamedit (a. s.) pjesë-pjesë, për 23 vjet me radhë.
Pra, në Natën e Kadrit ndodhi zbritja e Kuranit, zbriti drita nga Allahu për të zhdukur errësirën e mosbesimit dhe për të vendosur në vend dinjitetin njerëzor, që aq shumë ishte nëpërkëmbur. Kurani i tregoi njeriut se cili ishte ai në të vërtetë, e largoi njeriun nga adhurimi dhe përgjërimi ndaj çdo gjëje, drejt adhurimit të Atij që e meriton këtë adhurim, ndaj Zotit – Krijuesit të tij. Kurani i rivendosi edhe një herë lidhjet mes Krijuesit dhe njerëzve, të cilët e kishin harruar Zotin e tyre. E, pra, a nuk e meriton ky moment, momenti i zbritjes së Kuranit, që të jetë një natë e shënuar, një festë për mbarë njerëzimin?!
Nata e Kadrit, gjithashtu, e ka kuptimin e nderimit dhe të lartësimit. Nderimi dhe lartësimi bëhen në bazë të fuqisë së atij që e bënë atë. Edhe njeriu mund ta nderojë dhe lartësojë dikë, ama këtë e bënë për aq sa ka fuqi, e dihet se atë e ka të kufizuar. Por, kur këtë e bënë Krijuesi i çdo gjëje, fuqia e të Cilit nuk mund të kufizohet, atëherë nderim dhe lartësim më të madh nuk mund të ketë. Është, pra, maksimumi i nderimit dhe i lartësimit të Natës së Kadrit.
Rëndësia e Natës së Kadrit
Zbritja e Kuranit famëlartë, pa dyshim, ishte një kthesë e madhe ndërmjet dy periudhave dhe pikë fillestare e mëshirës së Allahut (xh. sh.), që erdhi për t’i nxjerrë njerëzit nga mosbesimi në besimin islam (iman), nga errësira në dritë. Nga errësira e injorancës në dritën e së vërtetës, të diturisë dhe të shkencës. Me një fjalë, Nata e Kadrit është një natë e vlefshme në të cilën, të Dërguarit të Ndershëm, iu shpall Qitabi i vlefshëm.
Në këtë natë, me urdhër të Allahut bëhet hapja e dyerve të qiellit për t’ua pranuar lutjet atyre që i drejtohen Zotit, për t’ua zgjidhur hallet, për t’ua larguar vështirësitë dhe për t’ua sjellë gëzimin.
Nata e Kadrit është një natë e shënuar, një natë e rëndësishme jo vetëm për myslimanët dhe historinë islame, por edhe për mbarë njerëzimin dhe historinë botërore. Themi kështu, sepse në këtë natë, para më tepër se 14 shekujve, u vendos ura kalimtare drejt një epoke të re, që do të mundësonte zhvillimin e njerëzimit dhe, nëpërmjet Kuranit Fisnik, ata do të gjenin zgjidhje për të gjitha çështjet e nevojshme të tyre deri në Ditën e Kiametit. Në këtë natë, tërë njerëzimi e mori Librin Udhërrëfyes që s’mund të vlerësohet e të krahasohet dot me asgjë. Në këtë natë, përmes Kuranit, çdo gjë ka një domethënie, ka një kuptim. Thënë shkurt, me zbritjen e Kuranit janë vendosur vlera të reja dhe kritere të reja si dhe është sqaruar fati i tërë njerëzimit.
Në fillim të sures “el-kadr”, Allahu i Madhërishëm, thotë:
“Vërtet Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit ?!”
Në Kuran, kurdo që ajeti shprehet në këtë formë, pra “ve ma edrâke…”, na jep të kuptojmë se ajo që pason është me rëndësi të veçantë dhe se për atë që pason në vazhdim të ajeteve i është treguar Profetit (a. s.) Ndërkaq, kur kjo pyetje vjen në kohën e tashme të foljes, pra “ve mâ judrîke”, që në kuptim janë të njëjta, ato kanë ngelur fshehtësi dhe nuk iu kanë treguar askujt prej krijesave, madje as Pejgamberit (a. s.), siç është rasti, ta zëmë, me kohën e ndodhjes së Kiametit. Prandaj, nuk ka dyshim se kjo sure konfirmon rëndësinë, vlerën dhe pozitën e madhe që ka kjo natë. Kjo natë është konsideruar më e mirë dhe më e vlefshme se një mijë muaj të tjerë. Prandaj, një vepër të mirë e të dobishme, të cilën besimtari e bën në këtë natë, është e barasvlershme sikurse të njëjtën gjë ta ketë bërë përgjatë një jete të tërë, në të cilët nuk është kjo natë. I Lartësuar qoftë Allahu, që na ka begatuar edhe me këtë dhunti kaq të madhe vetëm për të na mundësuar që të arrijmë shpërblimin e kësaj nate dhe të fitojmë kënaqësinë e Tij!
Kurani, – Natën e Kadrit, natën kur filloi shpallja e tij, – e quan “Lejletu-l-Kadr”, që do të thotë: “natë respekti, nata e njohjes dhe e vlerësimeve më të mëdha, nata e caktimeve, nata e gjithëfuqisë”. Në këtë natë zbresin melaqet në qiellin e dynjasë dhe në tokë rreth njerëzve. Zbresin për shkak se Allahu (xh. sh.) në këtë natë përcakton çdo çështje që do të ndodhë gjatë vitit. Melaqet në këtë natë i përshëndesin besimtarët me selame dhe i zbatojnë urdhrat e Zotit. Kjo natë është paqe dhe shpëtim për besimtarët deri kur të shkrepë agimi i ditës re.
Pejgamberi (a. s.) Natën e Kadrit e quan nata më e rëndësishme në jetën njerëzore. Ai thotë:
“Në Ramazan është një natë, e cila vlen më shumë se një mijë muaj. Kush nuk e shfrytëzon atë natë, kush mbetet i privuar nga mirësia e asaj nate, ai edhe më tej do të jetë i pafat.”
Kur është koha e Natës së Kadrit
Do të theksojmë faktin se kjo natë me kaq peshë dhe me kaq rëndësi ka ngelur me fshehtësinë e vet, sepse nuk është treguar saktësisht se cila natë është ajo. Argumentet udhëzojnë se ajo bie në njërën nga dhjetë netët e fundit të muajit Ramazan. Madje, transmetimet më të sakta tregojnë se ajo ka të ngjarë që më shumë të ndodhë në netët tek të dhjetëditëshit të fundit të muajit Ramazan: 21, 23, 25, 27 apo 29. Këtë konstatim e vërtetojmë me hadithin e Resulullahit Nga Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se Pejgamberi, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit (duke bërë adhurim) në netët tek të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.”
Por, Nata e Kadrit mund të ndodhë edhe në netët çift, siç ka ndodhur një herë gjatë jetës së Pejgamberit (a.s.). Urtësia e kësaj fshehtësie qëndron në faktin se besimtarët përmes adhurimit dhe punëve të mira e të mbarësisë, duhet ta kërkojnë këtë natë gjatë tërë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, e sidomos në netët tek, e në veçanti në natën e 27. Pra, adhurimi i tyre të mos kufizohet vetëm në një natë të vetme, por të bëhet në sa më shumë net të Ramazanit. Këtë e pohon edhe Aisheja (r.a.), e cila tregon se Profeti (a. s.) ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit (duke bërë adhurim) në netët tek të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.”
Transmetohet nga Muaviu se Muhamedi (a. s.) ka thënë: “Nata e Kadrit është në natën e 27.”
Sidoqoftë, shumica e dijetarëve islamë janë të mendimit se Nata e Kadrit është në natën e 27 të Ramazanit dhe mund të themi se ky mendim është aq shumë i përhapur dhe i pranuar në botën islame tash e sa shekuj, madje aq sa njeriu fiton përshtypjen se kemi të bëjmë me konsensus të dijetarëve myslimanë – ixhmâi eimme. Mirëpo, Allahu është Ai që e di më së miri!
Ç’duhet bërë gjatë kësaj nate
Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Duhet ndjekur praktika e Profetit (a. s.) dhe udhëzimi që ai ua ka këshilluar bashkëkohësve (as’habëve) të tij, rrjedhimisht edhe gjithë pasuesve të tij.
Në të vërtetë, sa herë që hynin dhjetë netët e fundit të Ramazanit, Profeti a.s. e shtonte dukshëm adhurimin e sidomos gjatë netëve tek, madje si asnjëherë tjetër gjatë vitit. Ndërkaq, në natën e 27 të Ramazanit, adhurimi i Pejgamberit (a. s.) arrinte kulmin, madje me një rast, siç transmeton Ebu Hurejreja, pati thënë:

“Kush e gjallëron me adhurim Natën e Kadrit, me besim të plotë dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, Allahu do t’ia falë mëkatet e mëparshme.”
Pejgamberi (a.s.) porosiste kështu edhe familjen dhe shokët e tij të dashur. Prandaj, edhe ne, që jemi pasuesit e tij, duhet të bëjmë sa më shumë vepra bamirësie, e sidomos duhet bërë adhurim-ibadet. Sipas një transmetimi, është e preferuar që besimtari t’i falë së paku dy reqate namaz nafile duke kënduar në të dy reqatet “El-Fatihanë (Elhamin)” dhe nga 7 herë suren “El-Ihlas (Kulhuvallahun)”, e, pasi të japë selam, 70 herë të thotë “Estagfirull-llâhe ve etûbu ilejh – (Kërkoj falje nga Allahu dhe tek Ai pendohem)”, sepse është shpresë e madhe që Allahu do t’i falë mëkatet e mëparshme të tij dhe të prindërve të tij.” – thotë Imam Gazaliu në librin e tij të mirënjohur “Ihjâu Ulûmuddîn”.
Edhe hazreti Aishja (r.a.) e kishte pyetur Pejgamberin (a. s.) se çfarë të thoshte në këtë natë kaq të vlefshme, e ai i kishte thënë:

“Oj Aishe, thuaj: “Zoti im, Ti je falës, të pëlqen të falësh, ndaj Më fal mua!”
Ndërkaq, nga praktika e Pejgamberit (a.s.) në Ramazan dhe jashtë tij rezulton se ai më së shumti e bënte këtë dua:

“O Zot! Na jep të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga mundimi i zjarrit!”
Prandaj, nga kjo që thamë më sipër, shihet sa e vlefshme dhe sa e bereqetshme është Nata e Kadrit.
Tanimë u kuptua se Kurani ka filluar të zbresë në Natën e Kadrit, siç e thekson ajeti kuranor:

“Ne, vërtet, e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.”
Kurse muaji kur ka filluar që të zbresë Kurani ka qenë muaji i bekuar i Ramazanit, sipas ajetit:

“Ramazan është muaji në të cilin u zbrit Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe Dallues (i së mirës nga e keqja)…”
Nuk ka dyshim se muaji Ramazan, muaji i vetëm i përmendur në Kuran, është muaji më i lavdishëm ndër të gjithë muajt e tjerë të vitit. Gjithashtu, edhe Lejletu-l-Kadri është nata më e vlefshme e gjithë muajve të vitit. Madhështia e kësaj nate është e reflektuar nga madhështia e Kuranit. Drita e saj është e reflektuar nga drita e Kuranit. Shpërblimi i atij që e nderon këtë natë është rezultat i besimit të sinqertë të cilin e do Allahu, prandaj e shpërblen. Hazreti Aisheja tregon për praktikën e Pejgamberit (a. s) dhe thotë: “Pejgamberi (a. s.) e ka pasur si traditë të bënte ibadet gjatë dhjetë ditëve të fundit të ramazanit si në asnjë kohë tjetër!”
Së këndejmi, edhe ne duhet të shpejtojmë në adhurime dhe në vepra bamirësie, të ndjekim kështu praktikën e të dashurit tonë; të shpejtojmë që të arrijmë Xhenetin dhe kënaqësitë e Tij, sepse Nata e Kadrit dhe Xheneti janë dhuratë e Allahut për ne:
“Kjo është një mirësi e Allahut, të cilën Ai ia jep atij që do. Allahu është i zoti i Mirësisë së Madhe.”
Nata e Kadrit është natë e lutjeve të përbashkëta të melaqeve, njerëzve dhe gjithë University.
Xhamitë, mesxhidet dhe shtëpitë e myslimanëve anekënd botës, në këtë natë marrin frymë me lutje të qetë, e cila zgjat deri në agimin e hershëm.
E kur është kështu, atëherë edhe besimtarët duhet ta zbukurojnë këtë natë me namaz nafile – vullnetar dhe të bëjnë kërkim falje (istigfar), të pendohen për mëkatet, të kërkojnë mëshirë nga Allahu i Gjithëmëshirshëm, të përmendin shpesh Allahun, ta madhërojnë dhe ta falënderojnë Atë (tesbih dhe dhikr), të dërgojnë salate e selame mbi Pejgamberin (a. s.), të japin sadaka dhe t’i gëzojnë njerëzit në nevojë, jetimët e skamnorët, si dhe të lexojnë sa më shumë Kuran dhe të bëjnë dua.
Në këtë natë të shenjtë duhet të kërkojmë prej Allahut të falë të gjithë besimtarët. Të lutemi që kjo natë të bëhet faktor për forcimin e dashurisë dhe vëllazërisë, për bashkimin e botës islame dhe për ruajtjen e gjithë njerëzimit nga fatkeqësitë.
Allahu na ndihmoftë në kryerjen e detyrave tona me përkushtim dhe sinqeritet ndaj Tij!
Allahu na ndihmoftë që në Natën e Kadrit me adhurimet dhe bamirësitë tona të arrijmë kënaqësinë e Tij!
O Zoti ynë, Ti je falës, të pëlqen të falësh, ndaj Më fal mua!
O Allah! Edhe nëse ne të harrojmë Ty, Ti mos na harro neve!
O Zot i Gjithësisë! Edhe nëse ne nuk e meritojmë, Ti na fal e na mëshiro!
O Zoti ynë! Për hir të Kuranit, Qabesë e Ramazanit, Natës së Kadrit e Alejhi Selamit, na i fal mëkatet tona, se vetëm Ti je Falës i madh dhe Mëshirues!.
Amin, ja Rabe-l-alemin!
Prof.Resul Rexhepi – ( me gjeresisht: Tema islame (festat, ditët dhe netët e mëdha), botuar nga Shtëpia botuese “Dituria Islame”, Prishtinë 2020).

Filed Under: Analiza

2 Prilli 1981…

April 3, 2024 by s p

Ismer Mjeku/

2 Prilli 1981 ka pasur gjithmonë një domethënie të veçantë jo vetem për mua por për shumë në Kosovë.

Demonstratat e vitit 1981 padyshim janë fillimi i nji procesi që çoi në shkatërrimin e Jugosllavisë dhe nuk u ndal deri në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Pas protestave studentore të 11 dhe 26 marsit, demonstrata e 1 prillit në Prishtinë ishte demonstrata me e madhe qe kisha parë ndonjiherë e cila u shpernda nga forca të mëdha policore në orët e vona të mbrëmjes. Me 2 prill mu para menses së studenteve isha një nga të plagosurit e parë nga nji polic i cili qëllonte nga kiosku i Rilindjes përballë mensës së studentëve. Disa demonstrues më ndihmuan deri në parkingun salles sportive 1 tetori e pastaj studentët e mjekësisë më dhanë ndihmën e parë, por meqë e kisha plumbin në trup më dërguan menjiherë në spitalin e Prishtinës për operacion. Nuk kisha parë mobilizim aq të madh të personelit mjekësor për të ndihmuar të plagosurit që filluan t’i mbushnin repartet e spitalit të përgjithshëm. Meqë spitali kishte shumë të plagosur mua më vendosën në repartin e syve. Dhoma ku u vendosa pas pak u mbush edhe me të plagosur të tjerë. Njëri ishte Nazmi Maxhuni, punëtor i elektronomisë, i plagosur me plumb në kokë, një tjetër nga fshati Livadicë i komunës së Podujeves edhe ai i plagosur në kokë, pak më vonë e sollën nji student i cili edhe ai ishte plagosur në këmbë afër menzës së studentëve nga shtëpia famëkeqe e Delibashiqëve. Ai ishte Xun Çeta nga Rugova student Fakultetit të Kultures fizike e më vonë erdhi edhe nji polic shqiptar nga Gjakova i plagosur në krahëror.

Respekte për personelin mjekësor të spitalit, drejtoreshën Dr. Sadete Mekuli, Dr. Mehmet Maxhuni, Dr. Avni Mati, motrat Gashire, Sadete, etj…

Filed Under: Analiza

Presidentja Osmani priti në takim z. Bertrand Bouyx, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

April 2, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim z. Bertrand Bouyx, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, njëkohësisht deputet në Kuvendin Kombëtar të Francës.

Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast falënderoi z. Bouyx për lidershipin dhe mbështetjen e tij për Kosovën në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, i cili me shumicë dërmuese, votoi për të çuar përpara anëtarësimin e Kosovës për votim në Asamblenë Parlamentare.

Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli e të cilat do të shërbenin si mekanizëm shtesë për mbrojtjen e garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, pa dallim.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës në këtë drejtim, ndërsa ka shfaqur besim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare.

Tutje, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të vazhdohet puna e përbashkët me shtete mike e aleate për ta avancuar tutje këtë proces drejt finalizimit të suksesshëm të tij.

Filed Under: Analiza

Shqipëria e së kaluarës modelon Shqipërinë e së ardhmes

April 2, 2024 by s p

Shaban Murati/

Figurat e sklerozuara të nomeklaturës së lartë komuniste drejtojnë sot qeverinë, politikën, ekonominë dhe shkencën në Shqipëri. Është qark i mbyllur si sekt, që qarkullon brenda vetes frenat e pushtetit, pavarësisht se janë brezi i fëmijve, dhëndurrëve, nipave e mbesave me burrat e tyre. Kjo strukturë e së kaluarës modelon Shqipërinë e së ardhmes. Me kriteret e ideologjisë stalinisto-komuniste Shqipëria është sot një shtet monolitik revizionist, që u bë i tillë nga halli i rrethanave ndërkombëtare, dhe ashtu revizionist do të mbetet, sepse duhet te ruhet monopoli i një partie, duke e ndarë në dy skuadra apo portofole: PS-PD. Kjo shpjegon pse lejohen nja 100 partiçka fantazma po të nomeklaturës, për t’u krijuar naivëve iluzionin e demokracisë. Nuk e ndryshon këtë realitet as fakti që për nevoja gjeostrategjike atlantike e bënë Shqipërnë anëtare të NATO-s, dhe as mundësia, që ndonjëherë Shqipëria të bëhet anëtare e BE.

Pa u shkatërruar kjo strukturë e fuqishme kanceroze e nomeklaturës së të kaluarës, Shqipëria nuk bëhet dot as shtet demokratik, as shtet me standart të lartë jetese dhe as shtet normal europian.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT