• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra

November 26, 2021 by s p

AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE/

Kthim në familjen profesionale e quajti rektori Luan Përzhita botimin e veprës “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra” (Botimet Onufri, 2021) të Tahsin Jonusit. Dr. Jonusi e shkroi këtë vepër si tezë doktorale në Universitetin “Leopoldina Fransiscea”, në Insbruk, në vitin 1937.Në ceremoninë e mbrëshme, në Muzeun e Arkeologjisë u ndje dëshira dhe domosdoshmëria për të nderuar kontributin e mohuar të një individi për 45 vjet nën diktaturë, për shkak të origjinës së tij familjare, dhe për 30 vjet në tranzicion, për shkaqe komplekse të zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Prof. as. dr. Belisa Muka tha se secili prej kapitujve të këtij studimi mbi vendndodhjet, lumenjtë, liqenet, krahinat, fiset, Rrugën Egnatia, mund të përbënte një studim më vete, parë nga perspektivat e sotme. Por në kohën kur shkruhej ky punim arkeologjia shqiptare nuk ishte akoma shkencë, dhe kur dr. Jonusi u përfshi në këto punë, jeta e tij u ndërpre tragjikisht. Përkthyesit Frida Vokopola Gjoka dhe Albert Gjoka, pa mundur t’i fshehin emocionet, kujtuan se dr. Jonusi “me të dhënat e autorëve të lashtë e modernë, me hulumtimet e tij të kryera në vend dhe me një bibliografi jashtëzakonisht të pasur, jep një kontribut të madh në shkencën e albanologjisë”. Ata e kanë ndjerë sjelljen në shqip të kësaj vepre si “një detyrë humane ndaj padrejtësive të kohës”.Janë rreth 70 autorë të shfrytëzuar e të cituar që përbëjnë bibliografinë e punimit dhe 1145 referenca. Studiuesi i sotëm që i ka në tryezë mjetet dhe teknologjinë moderne për kërkim shkencor, vetëm mund ta marrë me mend se çfarë pune kolosale i është dashur të bëjë ky i ri në vitin 1937.Prof. Përparim Kabo, autor i parathënies dhe një nga njerëzit që çoi përpara përkthimin dhe botimin e kësaj vepre, ndau me të pranishmit përjetimet e leximit. Kur ke në duar “Topografinë…” kupton se “historia është jo vetëm lokale, e mbyllur dhe episodike. Më së shumti ajo ngërthen ngjarje dhe raporte rajonale e kontinentale. Interesat, pushtimet, rrëmbimi i pasurive të të tjerëve, zgjerimi i kufijve, si edhe fitoret në fushat e betejës, kanë bërë që në historinë e lashtë dhe atë të mesjetës, të kemi praninë e teatrove të ngjarjeve në kufijtë e zotërimit dhe jo në qendrat imperiale”.Nëpër këto rrjedha të kohës, Shqipëria ka humbur një pjesë të thesarit topografik, siç vëren dr. Jonusi në punimin e tij shkencor. “Qytete të tëra janë shkatërruar plotësisht dhe janë zhytur në tisin e harresës, emrat e vendeve janë ndryshuar, gjë që solli pak nga pak edhe ndërprerjen e rrjedhës së historisë”. Dr. Jonusi flet për nevojën e një shkence të dërgjegjshme shqiptare, që vetes t’i shpallë për mision qartësimin e situatës së vendbanimeve në periudhën kur vendi hyri për herë të parë në dritën e historisë.

Filed Under: Ekonomi

GREVA E URISË NË DARSI, 23 MARS 1991

November 23, 2021 by s p

Greva e Darsisë e 23 Marsit 1991 ishte greva e tretë në shkallë vendi, pas grevës të studentëve dhe asaj të 12 Janarit 1991 të minatorëve të Valiasit që me 16 janar u kthye në grevë urie. Po si dhe në çfarë kushtesh u organizua greva e urisë e Ballgatit, në rrethin e Lushnjës,  që përfshiu edhe Hysgjokaj, Zgjanë e Fier-Sheganin?

Nga Dalip Greca

Ishte e Shtunë. 23 Mars 1991. Një masë e madhe fshatarësh kishin udhëtuar nga të shtatë fshatrat e ish kooperativës së bashkuar të Ballagatit drejt fshatit Gjuzaj dhe kishin rrethuar të deleguarin që kishte ardhë nga qyteti.Një natë më parë, të premten e 22 marsit, në kinoteatrin e qytetit ishte organizuar një mting i madh i Partisë së Punës.Ishte një miting elektoral 10 ditë para zgjedhjeve të para pluraliste të 31 Marsit 1991.Një nga fshatarët e Ballagatit, R.G. është ngritë dhe ka sfiduar partinë, kur ka denoncuar para Fatos Nanos vjedhjen që iu është bërë fshatarsisë të zonës kodrinore, të cilët janë tatuar njësoj si zona fushore, madje ndërmarrjet e shtetit si Bonifikimi, Ujrat, SMT-ja e të tjera i kishin borxh ballagatësve 40 milion lekë. Edhe fondi i akumulimit u ishte caktuar mbi 32 përqind, njësoj se Krutja e Këmishtaj, Gorreja, Bubullima, Divjaka, etj.,që ishin me rrugë të asfaltuara e ujë të pijshëm, ndërkohë që Darsia, nuk kishte as rrugë me gur e as ujë të pijshëm, as një lloj investimi social. Ai ishte i prerë në kërkesën e tij: Nëse nuk na ktheni paratë ne do të hidhemi në grevë! Komisioni është gati!

Për një moment salla e madhe e mbushur plot me militantë ka heshtur, pastaj është dëgjuar një zhurmërimë korale: uluuuuuu …. Uluuuuu!

Ia kishin mbyllë mikorfonin dhe ai ishte ulë i zemruar, por më i vendosur për grevën….

Ishte kthyer tek bashkfshatarët dhe u kishte treguar ngjarjen në kinoteatër. Me unanimitet komisioni i grevës kishte marrë vendimin.

Të shtunën që në mëngjes herët ata ishin bashkuar aty tek kodra, ku diku qëndronte një çangë, që shërbente si sinjal mbledhjeje në qendër. 

Qëndronin të ulur në shpatin lindor të kodrës, që nuk ishte larg shkollës, ku kishin menduar të organizonin grevën. I deleguari bënte përpjekje që të shmangte grevën, por nuk ishte agresiv. E kishte të qartë se ajo masë fshatarësh,e veshur si mos më keq me ato kapotat dalë boje të zborit, nuk do të tërhiqej. Mes të deleguarit dhe turmës dukej se kishte një kod normal bashkëbisedimi. Me pare kishte qene per ballafaqim vete kryetari i Komitetit Ekzekutiv,  por ata nuk u terhoqen.

Sekretarja e parë e kishte zgjedhur nga aprati i partise si të deleguar për të komunikuar me grevistët sepse ai ishte nga Dumreja dhe gëzonte respektin e darsianëve. Ata e pritën mirë dhe e dëgjuan. E rrethuan dhe dialoguan. Dikur dialogu u bë memec. Fshatarët, që deri në atë çast qëndronin ulur rreth të deleguarit, u ngritën njeri pas tjetrit dhe pasi u përshëndetën me 

një”mirupafshim” nisën të zbrisnin nga kodra duke ecur kokëulur drejt shkollës.Njëri pas tjetrit u futën në ndërtesën e shkollës, e cila ishte bosh. Greva Filloi.

Të nesërmen, e Diel 24 mars, unë isha ngritë herët nga qyteti për t’u gjendur atje. Kisha aty vëllezërit, kushërinjtë, shumë nga ish nxënësit e mi, që kishin ardhë nga të shtatë fshatrat përreth. Rrugëtova fare vetëm për 2 orë. E pata të vështirë të futesha tek grevistët sepse komisioni kishte marrë vendim që të mos pranoheshin kandidatët për deputetë dhe përfaqësuesit e partive politike. Unë kandidoja për opozitën(PR) dhe kjo sipas një pjese të komisionit mund ta kompromentonte grevën. Ndikimi i Partisë së Punës ishte ende shumë i fortë. Ndërkohë një pjesë thërrisnin nga dritaret: Lereni të hyjë! 

Po më dukej vetja në provë-Do t’më pranonin apo jo?. Një pjesë prej të ngujuarëve i dëgjoja se bënin presion tek komisioni që t’më lejonin se isha bir i tyre dhe nuk ishte hera e parë që kërkoja të përcillja zërin e tyre.

U thashë atyre që qëndronin tek dera : Zëri juaj nuk mund të kyçet brenda kësaj shkolle. Zërin tuaj duhet ta dëgjojë Shqipëria. Ndryshe ç’kuptim ka kjo grevë? Nuk po e shihni se dhe linjën telefonike ua kanë prerë? 

Fjalët bënë efektin e duhur. Pas gjysëm ore unë isha brenda me grevistët. Dëgjoja zërat e tyre. Përpiqeshin të ishin të përmbajtur, por ishin dyshues nëse do të fitonin.

Ndërkoha që merrja opinione për shkrimin që do t’i nisja gazetës “Republika”, hyri njeri nga rojat e sigurisë dhe më thotë se duhej të dilja se më kërkonin nga Komiteti Ekzekutiv. Nga brenda më këshillojnë që të mos dal, por unë e mora vendimin, dola. Jashtë më priste sekretari i Komitetit Ekzekutiv, LL.P. Ai ishte i shoqëruar nga dy policë. Makina priste jasht portës së hekurit. Oborri i shkollës ishte mbushur plot me familjarë të grevistëve por edhe me fshatarë të solidarizuar me grevën. Sekretari bën disa hapa drejt meje. Edhe policët afrohen. Ndërkohë shoh që rreth meje formohet një gjysëm rrethi nga ata që duan të më mbrojnë nga ndonjë e papritur.

Sekretari flet shkurt: Më ka dërguar Kryetari i Komitetit. Kërkon të vish me ne poshtë në komitet dhe të bisedojmë atje për kërkesat e grevistëve.

-Unë nuk jam në komision. Flisni me ata. Unë kam ardhë si gazetar, janë bashkfshatarët e mi, vëllezërit, kushërinjtë-ia ktheva.

Turma thërret nga brenda:Mos e prekni djalin tonë!

Sekretari buzëqesh: Mos u tremb më thotë, nuk të marr me zor, po nuk deshe, mos eja! Mua më dërguan dhe erdha. Kaq është detyra ime.

– Po policët ç’tu deshën, e pyeta.

– M’i dhanë, -tha sekretari dhe më zgjati dorën për t’u ndarë(3 muaj më pas unë do t’i zija vendin sekretarit si diktat i forcave demokratike, ndërsa ish sekretari me mirëkuptimin e Komitetit Pluralist u kthye në Bankë, andej nga kishte ardhë, ishte njeri i mirë, specialist i zoti)…

Pas largimit të sekretarit së bashku me policët unë u ktheva në mjediset e grevës. Komisioni ishte i vendosur që ta çonte grevën deri në fund.

Pasdite erdhën tek grevistët edhe përfaqësues të partive opozitare, përfshi edhe Partinë Republikane e Partinë Demokratike.Isha në një grup me ta të nesërmen tek vizituam përveç grevistëve të Ballagatit, edhe ata të Hysgjokajt, edhe të Zgjanës. Na prisnin si perëndi. Plot shpresa.

Greva i arriti qëllimit të saj. Isha në qytet, mbrëmjen e së mërkurës, kur përfaqësuesit e kooperativës së bashku me financierët kalonin me makinë triumfues; Fituam…Sapo dolën nga Banka. U gëzova.

Ata e fituan të drejtën e tyrë. Ishte fitorja e pare.Ne të opozitës i mbështetëm. Me 31 mars ata votuan prapë për PPSH. Natyrisht nuk u zemruam me ata, shkuam prapë mes tyre. Me 22 Mars 1992 na respektuan.I dhanë votat për forcat demokratike, fitoi mandatin mësuesi im Izet Shehu- PD, ndërsa vendin e dytë dhe të tretë me mbi 20 për qind, i ndamë ne bijtë e asaj zone, Unë për PR dhe mjeku i njohur Dervish Myftari I PSD, ndërkohë që partitë tona kishin mbetë në klasë. Partia e Nanos u ndëshkua, për t’u rikthyer në vitin rebel ’97.

Në atë grevë kanë mbajtur peshë djem të asaj zone. Respekt për të gjithë. 

Nju Jork, 21 nëntor 2021

    ***. 

 RRËFIMI I FINANCIERIT NOVRUZ SHARKA, NJERIU KYÇ I GREVËS*

Na kishin vënë në një kategori me zonën fushore dhe çdo tarifë që paguanim kundrejt ndërmarrjeve shtetërore ishte i njëllojtë me ato tarifa që paguanin kooperativat e fushës plus tatimit që paguanin në fund të viti në shtet mbi të ardhurat që realizonim.Dihej nga të gjithë që sipërfaqet e mbjella me bimë bujqësore nuk ishin të njëjta me atë që shkruhej në plan dhe ky plan dërgohej në rreth.Dua të them se edhe rezultatet e rendimenteve që merrnim nuk pasqyronin realitetin prandaj dhe e futen në një kategori më të lartë kooperativën.(Pa futur këtu dhe kur dorëzoheshin prodhimet sidomos lulet e diellit kishte dhe hile të tjera që nuk po i them por ato që ishin brigadier e dinë mirë.)Unë duke ditur dhe vlerën e ditës së punës që dilte në fund të vitit dhe duke bërë dhe ndryshim që i përkiste nga diferenca e tatimeve ,vetë nuk mund të flisja e të hapja gojë se i kisha mbrapa derës ata që prisnin të bëja gabimin më të vogël. Duke u nisur nga këto kushte e dija kush ishin ata që s’u tremben syri nga askush arrita t’i shpjegoja gjërat kryesore që duheshin për këtë gjë duke përmendur nga këta burra Skender Çela,Xhafer Çela,Besim Vallja,Mehedi Çela,Mersin Sharka etj.Përpara se të futeshin në grevë qenë bërë mbledhje nëpër fshatra për padrejtësinë e taksave që paguanim .Unë për të qenë i mbrojtur i kisha bërë gati për të 4 vitet vlerën Tatimit(shumën e lekëve) që kishim paguar në mënyrë të padrejtë.

       Më kujtohet ballafaqimi me Miço Çilin tek varrezat e gjuzajt; më shpëtuan njerëzit që nuk e lejuan atë t’më akuzonte për organizator të grevës.Në këtë ballafaqim e vura përballë me shifra të sakta në bazë të këtyre të dhënave njerzit u futën në grevë.Më kujtohet se Miço Pika na vuri kusht për 5 ditë ti dërgonin çekun duke kujtuar se nuk do ja arrinim,por çdo gjë ishte gati me përjashtim të borderove të cilat ata i përfunduam në kohën e duhur duke punuar të gjithë normista e llogaritar edhe tërë natën.Më kujtohet kur kisha marrë urdhër xhirimin me shumën e lekëve që do të kalonin në llogarinë e kooperativës grevistët akoma nuk besonin duke kërkuar të shohin lekët.Për marrjen e lekëve nuk qe shumë e lehtë mbasi qëndruam tërë ditën në bankë duke u thënë që nuk dalim pa marrë lekët të cilat i morëm.Nga kjo ngjarje më në fund u ngrohën xhepat e të gjithë zonës tonë kodrinore.

*Emirant ne Greqi, 24 nentor 2021

Filed Under: Ekonomi Tagged With: dalip greca

Projekti “Korridori Adriatik-Alpe” projekt komplementar, integrues, zhvillimor, mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar

November 16, 2021 by s p

Nga: Mr.sc. Halil Ahmeti Kryetar i shoqates “Drini Gjakovë-Shkodër”

Është kënaqësi dhe privilegj të shkruaj për një temë të rëndësishme në dobi të interestit kombëtar dhe ndërkombëtar “Korridori Adriatik-Alpe” për të cilin projekt është bërë 20 vite punë e jashtëzakonshme në hartimin dhe lobimin e këtij projekti jetik për 1 milion banorë të Shqipërisë Veriore dhe Verilindore, Kosovës, Malit të Zi dhe rajonit në tërësi në funksion të integrimit të popullsisë lokale, rajonale, kombëtare e ndërkombëtare. Një vëmendje e veqantë I është kushtuar infrastrukturës lidhëse me qëllim të krijimit të kushteve për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve si një domosdoshmëri për ecjen përpara me ritme të përshpejtuara dhe sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm. 

Kontribut të rëndësishëm në drejtim të realizimit të këtij projekti madhor kanë dhënë “Shoqata MESHBUSH Shkodër” me kryetar Z.Filip Guraziu ( ish-kryetari i Bashkisë Shkodër), Z.Karl Kamsi, Z.Eqrem Agaj, Anton Leka Kryetar i Dhomës Tregtisë dhe Industrisë Shkodër, Deputeti i Parlamentit Shqipëtar Z.Azgan Haklaj bashkë me deputetin e Kuvendit të Kosovës Z.Halil Ahmeti, tani Kryetar i Shoqatës Drini- Gjakovë-Shkodër, Kryetari i Dhomës tregtisë dhe industrisë Tropojë Z.Skender Hoxhaj (tani i ndjerë) dhe projektuesi i segmentit të rrugës Qafë Morinë-Fierzë Z.Hasan Ponari (poashtu i ndjerë),  për këtë projekt madhor të infrastrukturës rrugore krahas Rrugës së Kombit dhe Autostradës “Ibrahim Rugova” si projekte epokale për lidhjen e dy shteteve Shqiptare dhe të hapësirës gjithëkombëtare me rajonin në tërësi.

Është imperative që kjo lidhje rrugore të shëndrrohet në një korridor të plotë me linjë hekurudhore bashkë me linja të transmetimit të energjisë , të telekomunikacionit etj, për tu bërë gjithëfunksionale në shërbim të integrimit sa më të plotë. Ky korridor i rëndësishëm që lidh Portin e Shëngjinit me Gjakovën përmes Luginës së Drinit do të ishtë një arterie tjetër infrastrukturore komplementare gjithëshqiptare e ëndërruar, e synuar me vite e vite, por edhe pse është folur shumë nga njerëz të gjitha fushave të dijes e gjitha pozicioneve politike apo shtresa shoqërore në Kosovë dhe Shqipëri, kaluan 20 vite dhe ende ka mbetur pa hyrë si prioritet nga dy Qeveritë, Shqiptare dhe e Kosovës, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të shoqërisë cilvile, të popullatës dhe së fundmi edhe peticionet e organizuara nga Shoqata Drini Gjakovë-Shkodër dhe Drini Shkodër-Gjakovë të firmosura nga institucionet e pushteteve qëndrore, lokale dhe qytetarët e gjitha hapësirave shqipëtare, mërgata kudo në botë dhe firmat e deputetëve të dy parlamenteve Kosovë e Shqipëri me 151 nëshkrime, i cili i është dorëzuar kryeministrit të Shqipërisë, Z.Edi Rama, ish-Kryeministrit të Kosovës Z.Isa Mustafa, Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Z.Qemal Minxhozi dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës Z.Albin Kurti.

Mjetet e shkruara dhe elektronike të informimit sidomos në Kosovë i kanë kushtuar vend meritor realizimit të këtij korridori i quajtur “ Korridori Adriatik – Alpe” (Korridor i shpresës) si projekt tejet i rëndësishëm për zhvillimin, riintegrimin komplementar të trevave të shkëputura shqiptare, pjesë e së cilës është edhe rruga e promovuar Ponoshec – Qafë Morinë (ndërtuar në vitin 2005). Mendoj se nuk duhet lejuar që ndërtimi i korridorit Adriatik – Alpe të mbetet edhe më tej si çështje e Dukagjinit dhe të Shqipërisë Veriore e Verilindore apo të ju shërbejë partive politike vetëm si “karrem” propagandistik gjatë fushatave të tyre parazgjedhore. Përkundrazi ndërtimi me urgjencë dhe lëshuarja në qarkullim e kësaj arterie rrugore transballkanike parashtrohet si një detyrë e ngutshme mbarëkombëtare ndaj Qeverisë të Shqipërisë dhe Qeverisë të Kosovës të cilat në bashkëpunim të drejtpërdrejtë duhet të parashtrojnë arsyeshmërinë ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe sidomos Paktit të Stabilitetit të Evropës Juglindore si dhe alternativat tjera për të financuar realizimin e këtij projekti integrues zhvillimor.

Disa herë qeveritë, e Kosovës dhe Shqipërisë, kanë përmëndur zhvillimin e zonave të lira ekonomike, posaqërisht në dy anët e kufirit administrativ, por deri më tani asnjë shenjë nuk është dhënë për fillimin e implementimit të tyre. Nga viti 2002 janë mbajtur tre simpoziume kombëtare në Shkodër, Gjakovë dhe Lezhë, është hartuar projekti i studiuar nga ekspertët e gjitha fushave  dhe më vonë është bërë studimi  fisibilitetit në vitin 2012 nga Qeveria Shqiptare i cili ekziston në ARSh, dhe janë mbajtur qindra takime nga Shoqata Drini në nivele të ndryshme institucionale, qoftë me pushtetin vendor në Shqipëri dhe Kosovë për të ndikuar te dy qeveritë se sa më parë ky projekt me rëndësi të jetësohet. Nuk besoj se ekziston luginë në kontinentin evropian që sot në shekullin 21 të jetë ende izoluar për arsye të mos ndërtimit të një arterieje të domosdoshme rrugore apo hekurudhore, e si pasojë një pjesë e madhe e banorëve e ka braktisur vendin për shkak të gjendjes së gjysmëizolimit dhe të prespektivës për një jetë të dinjitetshme. 

Prandaj edhe një herë parashtojmë kërkesë decidive ndaj pushtetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, që bashkarisht të angazhohen seriozisht për realizimin e detyrës programore të projektit Adriatik-Alpe duke siguruar burime të mjeteve të domosdoshme nga institucionet e njohura financiare , ndërkombëtare dhe të formave tjera të financimit për realizimin e këtij projekti me rëndësi madhore mbarëkombëtare e ndërkombëtare.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Halil Ahmeti

PROF. AS. DR. VESEL HOXHA I THOTË JO SKAVICËS

November 13, 2021 by s p

Gjithmonë jam udhëhequr nga parimi se një gjë që nuk e do populli, është vështirë të bëhet. Dhe është më mirë të mos bëhet. 

Një digë e vetme e madhe,  për mua, është një katastrofë e pa riparueshme në jetë të jetëve. “Qeveria, Vjosën po e ruan, ndërsa Dibrën (Drinin) po e rruan”, ishte komenti që bëra para disa ditësh tek një portal që lavdëronte “Vjosën e Egër” dhe e konsideronte fitore mosndërtmin e H/C-ve në të. 

Me llogari të përafërta mendoj se kushton disa herë më tepër pasuria që dëmtohet se vlera e ndërtimit të H/C-it. Për dëmet e tjera që shkaktohen në fushat e arkeologjisë, historisë, mjedisit, sigurisë kombëtare etj. etj, nuk po ndalem pasi ato i kanë trajtuar në detaje kolegët e nderuar.


Vesel Hoxha është një ndër shkencëtarët autoritar në fushën e gjeologjisë, njohës i mirë i nëntokës dhe mbitokës së Dibrës ku lindi dhe kaloi tërë jetën e tij profesionale, maleve dhe fushave të saj.
Këtyre ditëve kur zjenë protesta e intelektualëve dibranë dhe e banorëve që me ndërtimin e HEC të Skavicës humbin gjithçka mendova ti kërkoj pozicionin e tij intelektual e shkencor.
Korrekt si gjithnjë ai më dërgoi mendimin e tij pro dhe kundër Skavicës, mendim që e vlen ta lexojnë  ata që kanë vendosur që Dibra të mbytet për të shpëtuar nga përmbytja Shkodra e hurdha e saj të hapet e të mbyllet sipas një riti monoton që garanton ecuri në kaskadë dhe mbrojtje të Shkodrës.
Po përcjell përgjigjen e tij…

 Abdurahim Ashiku

 *   *   *

Përshëndetje i respektuar z. Abdurahim Ashiku!
Së pari, ndjesë për vonesën.
Sa më kërkuat, po ju përgjigjem më poshtë:
Siç edhe mund ta dini, unë jam në përfundim të librit tim shkencor, “Gjeologjia dhe Mineralet e Dibrës”, ku brenda librit ka dhe një kapitull të gjatë për “Rrezikun Gjeologjik të Dibrës”, rrezik i cili lidhet, edhe me problematikën e ndërtimit të kësaj vepre, që është bërë këto kohë tema e ditës për dibranët.

*     *    *

Ju e dini tashmë se unë jam shprehur publikisht në shtyp rreth ndërtimit ose jo të H/C të Skavicës, të cilin ne e quajmë H/C i Tejdrines, për një arsye të thjeshtë. Vendi ku ne propozonim digën nuk ndodhet aty ku janë bërë studime gati 50 vjeçare në kohën e monizmit, pra në Skavicë, por 2 km më poshtë sipas rrjedhjes së lumit, në Tejdrine, aty ku Përroi i Tushes takohet me lumin e Drinit të Zi, dhe jo me digë që sjellë kuotë përmbytëse 443 m mbi nivelin e detit, por me digë që sjellë një liqen, pasqyra e të cilit do ishte 367 m mbi nivelin e detit. Kjo për shumë arsye, pasi diga në Skavicë duhet të ndërtohet në formacione karbonatike dhe rreshpore të cilat, sipas nesh, kanë probleme jo të vogla tektonike dhe të Karstit, si përcaktuese të sigurisë së digës. Për këtë digë të vogël, që nuk do përmbyste as Fushë Alien, kemi bërë një studim bashkë me një koleg timin, profesor i shquar i Gjeologjisë Shqiptare, në lidhje me sigurinë tektonike të pellgut ujëmbajtës të rajonit të rezervuarit dhe të digës së Tejdrines (Skavicës).  

Studimi është kryer me kërkesën e një firme të huaj, e cila na kërkoj sigurinë e pellgut ujëmbajtës të liqenit të ardhshëm me kuotë më të lartë së 367 m të pasqyrës së liqenit të ardhshëm, apo të “Hurdhës së Skavicës” siç Ju e keni emërtuar, konkretisht për kuotën 380 m mbi nivelin e detit, gjë që ne nuk e pranuam, dhe këtu u ndërprenë marrëdhëniet me firmën në fjalë. 

Unë jam i ndërgjegjshëm se edhe për kuotën 367 m (digë me 67 m lartësi) kemi patur mjaft kundërshtarë, duke filluar me ju z. Ashiku, vëllain tim Munir Hoxha, profesorin e mirënjohur Adem Bunguri dhe, sa e sa të tjerë. Këto kundërshtime i kam konsideruar normale dhe si një debat frutdhënës në dobi të gjetjes së më të mirës dhe, më të dobishmes. Gjithmonë jam udhëhequr nga parimi se një gjë që nuk e do populli, është vështirë të bëhet. Dhe është më mirë të mos bëhet.

Midis të tjerave, unë kam shkruar se herët apo vonë, Skavica me një digë të madhe, ka për të dal në rendin e ditës për tu ndërtuar nga qeveritë Shqiptare, në bashkëpunim me firma të huaja apo vendase, ndaj e mendoja variantin me disa diga të vogla (dy ose tre), për të cilat ju jeni në dijeni, si kundërvënie të studimeve “efiçente”, që ngulmojnë në ndërtimin e një dige të vetme e të madhe, që për mua, është një katastrofë e pa riparueshme në jetë të jetëve. “Qeveria, Vjosën po e ruan, ndërsa Dibrën (Drinin) po e rruan”, ishte komenti që bëra para disa ditësh tek një portal që lavdëronte “Vjosën e Egër” dhe e konsideronte fitore mosndërtmin e H/C-ve në të. 

A ka specialist që e garantojnë një digë me kuotë mbi 367 m? Këtë nuk e di, por di se gjatë 50 viteve janë bërë shumë studime komplekse gjeologjike për Skavicën, si shtetërore ashtu dhe nga kompani private vendase dhe të huaja. Në mendje të ndryshme, ka mendime të ndryshme rreth problemeve të mprehta të trajtimit gjeologo-tektonik të rajonit në fjalë, i cili kërkon studime mjaft të detajuara dhe me mjaft përgjegjësi. Unë mendoj se e njoh gjeologjinë e rajonit në fjalë, ndaj jam habitur shumë, kur e kam dëgjuar kuotën 443 m mbi nivelin e detit (kuptohet të pasqyrës së liqenit të ardhshëm), tek ligjëronte aso kohe drejtori Bened Beci, me një gëzim që i lexohej në fytyrë, pa folur këtu për shokimin që pësova kur kam dëgjuar në një studio televizive, disa vite më parë, për kuotën 485 m, nga goja e një specialisti të moshuar me emrin Luigj Pjetri, i cili fliste me pasion aq të madh, a thua se H/C-i do të ndërtohej në trojet e veta dhe do të përmbyste vetëm tokat e veta! Dua të theksoj kushtin që vendosëm për kuotën që ne propozuam. Nëse nuk janë dakord banorët e pellgut që përmbyten të mos ndërtohet hidrocentrali, plus të kërkohej edhe dakordësia e banorëve në buzë të liqenit të ardhshëm, të cilëve do ju ndryshoj mënyra e jetesës nga ndryshimet e gjithanshme që shkakton vepra në fjalë, edhe nëse studimet mjedisore do ti jepnin dritën jeshile. Dua të nënvizoj faktin që sot në botë digat e larta nuk janë të rekomandueshme.

*            *              *

Tani të futemi në temë. Gjeologjia është një shkencë dinamike. Gjërat nuk mund të thuhen një herë e përgjithmonë. Pellgu i kuotës 443 m, nuk përmban pasuri minerale metalore të zbuluara, por nuk përjashtohet se studimet në të ardhmen do të zbulojnë gjëra që sot na duken si të pa mundura. Në nivelin e sotëm të njohjes në pellgun që synohet të përmbytet me ndërtimin e digës 143 m të lartë, duke e konsideruar kuotën e lumit në vendin e ndërtimit rrotull shifrës 300 m mbi nivelin e detit, dhe pasqyrën e liqenit të ardhshëm 443 m, mund të flitet për shenja të dokumentuara të mineralizimeve të Vanadit në formimet e vjetra paleozoike të cilat përhapen gjerësisht në rajonin që po flasim. Po ashtu nuk mungojnë dhe mendimet për mundësinë e takimit të mineralizimeve silikato-okside të hekurit në rajonin e Muhurrit, në thellësi mbi 100 m. Nga mineralizimet jo metalore bëhet fjalë për disa vendburime të Argjilave apo objekte Gëlqerorësh të Mermerizuar por që, nuk janë në shfrytëzim. Sigurisht në rajonin në fjalë ka edhe studime që flasin dhe për mundësitë e Naftë e Gazmbajtjes në strukturat gjeologjike në thellësi mbi 2500 m. Për mineralizime të tjera nuk e shikoj të arsyeshme të zgjatem. 

Tani kam dhe një koment të fundit. Ata që kanë shpallur ndërtimin e Skavicës a i kanë bërë llogaritë me “hanxhiun apo pa hanxhiun”? Për kuotën që ato propozojnë me shumë pompozitet, 443 m mbi nivelin e detit të pasqyrës së liqenit të ardhshëm, a kanë bërë ndonjë studim, veç atyre shkencore për sigurinë dhe aftësinë mbajtëse të pellgut dhe digës në lartësinë e propozuar?

Bie fjala, a kanë bërë studime të detajuara se sa tokë arë përmbytet, sa livadhe, sa kullota, sa pemëtore, sa pyje, sa shtëpi e bahçe, sa varre, sa shkolla e qendra administrative, sa bagëti, sa biznese, sa km rrugë, sa ura, sa linja të tensionit të ulët dhe të lartë, etj. etj. Sa rrugë të reja duhen bërë, sa ura dhe linja tensioni për tu përshtatur me realitetin e ri, ku do të zhvendoset popullata, etj. etj. Thembra e Akilit janë çmimet, sidomos për trojet dhe tokat bujqësore. Me llogari të përafërta mendoj se kushton disa herë më tepër pasuria që dëmtohet se vlera e ndërtimit të H/C-it. Për dëmet e tjera që shkaktohen në fushat e arkeologjisë, historisë, mjedisit, sigurisë kombëtare etj. etj, nuk po ndalem pasi ato i kanë trajtuar në detaje kolegët e nderuar.

Dua ta mbyllë përgjigjen time, i nderuar z. Ashiku, duke ju falënderuar për rolin që po luani si një katalizator për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e popullatës, në atë që besoni dhe mendoni se është më e mira për Dibrën dhe dibranët, në lidhje me H/C-in në fjalë. Edhe pse unë kam shkruar për ndërtimin e H/C-ve të vegjël (në pajtueshmëri e marrëveshje të plotë me pronarët e trojeve dhe studimet shkencore, ku në variantet e paraqitura nuk përmbyten as 8 % e tokës bujqësore dhe shumë pak shtëpi banimi), vlerësoj angazhimin tuaj fisnik, si dhe të prof. Bungurit e shumë të tjerëve, duke mos qenë kundërshtar i mendimeve më të avancuara se ato të miat, të cilat mund të shohin të ardhmen e Dibrës, më larg e më mirë se sa unë.

Prof. asoc. dr. Vesel HOXHA 

Tiranë, më 12 nëntor 2021

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Vesel Hoxha

Shoqëria shqiptare mes iluzioneve dhe modeleve sipërfaqësore

November 13, 2021 by s p

Erion Muça/

Shoqëria jonë nuk ka modele ose më saktë modelet e paraqitura janë iluzion ose sipërfaqësore. Po të shohim rreth nesh shohim të rinj që përpiqen të formohen dhe zhvillohen duke qenë të shkolluar dhe kompletuar por paguhen/përfitojnë më pak se ata që guxojnë në çmenduri e pa i bërë pazar kokës nëse humbasin, dështojnë bien në burg apo ja ngecin shokut. Po të shohim rreth nesh kuptojmë që promovimi në karrierë ndodh më shumë ose si rrjedhojë e momentit, rrethanës apo mbështetjes së saj me rol madhor fatin por edhe me një dorë paturpësi, pafytyresi dhe imoralitet pa të cilat nuk bëhesh dot trendy dhe rrjedhimisht modern e kësisoj rrezikon të dalësh jashtë tregut.Po të shohim rreth nesh e të karahasojmë ka më shumë rëndësi të njihesh dhe të dukesh sesa të vlerësohesh dhe motivohesh për rezultatin e asaj që ben dhe për profesionistin që je.Po të shohim rreth nesh shohim një pjesë të rinjsh që priren drejt snobizmit sesa leximit e mbeten në sipërfaqe të asaj çfarë duhet të jenë dhe peshës së moshës dhe vitalitetit që i karakterizon.Po të shohim rreth nesh shohim se ata që ecin më shpejt janë ana që kanë kuptuar qasjen e të përshtaturit ndaj çdo gjëje dhe lënit menjanë të sedrës dhe parimeve profesionale duke i zëvëndësuar me një mendje të lehtë pasi rëndësi ka fitimi dhe leku e jo shumë deri aspak marrëdhënia, trajtimi dhe mbështetja për të ecur para me optimizëm duke përmirësuar veten.Po të shohim rreth nesh dallojmë qartë një armatë të rinjsh që janë të zotë që presin dhe kërkojnë shumë nga vetja por që parakalohen nga ata që veprojnë në tym ku del leku dhe janë gati të shtypin, ofendojnë, cënojnë, kërcënojnë orientuar nga interesi i ngushtë meskin i momentit apo nevoja për furnizim me mundësitë materiale për të ecur me i thënçin kërkesa të kohës.Po të shohim rreth nesh shohim sesi nuk kemi mekanizma që matin suksesin dhe sesi modelet që i njohim për të tilla jo vetëm nuk janë por dhe dëmtojnë shoqërinë duke i sjellë një konfuzion më të lartë mbi atë çka vërtetë është dhe mund ta konsiderojmë sukses.Po të shohim rreth nesh dita ditës hasim të rinj që po largohen nga mungesa e motivimit, stabilitetit, pasigurisë apo meritokracisë në çdo aspekt në një vend ku edukata, kultura, ndërgjegjja dhe përgjegjshmëria vetjake shikohen e cilësohen si pengesë drejt realizimit të ëndrrave të mëdha profesionale e atyre në karrierë.Në fund po të shohim rreth nesh do të kuptojmë që nëse nuk kthehemi tek thelbi dhe thellësia e gjerave për ti parë dhe orientuar tek merita, barazia, konkurenca e ndershme dhe arritja e profesionalizmit vetëm mbi bazë e me anë të edukimit, formimit, zhvillimit të njohurive, aftësive dhe vlerave individuale e intelektuale, atëherë si dhe “Peshku” i Albert Anshtajnit “do mendojmë gjithë jetën se jemi budallenj”.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Erion Muca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • 128
  • …
  • 224
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT